GKK “rifreskohet” nga Manifesta 14, derisa përmes arkivit rikthen thesaret e saj të paçmuara

Uranik Emini

Arti pamor, kultura dhe edukimi paraqiten në një vijë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila si thesar për kombin, shërben si një institucion ku njerëzit mund të vijnë për të parë nga afër ekspozita speciale dhe programe të tjera publike, të gjitha pa pagesë. Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar në vitin 1979 më 2 shkurt, si institucioni më i shquar në vend ka mision, vizion dhe vlera të rimenduara që synojnë të nderojnë të kaluarën e vendit, t’i përgjigjen të tashmes dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm me një gjuhë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Për herë të parë në historinë e saj disa vjeçare, GKK ka hapur një ekspozitë ku paraqet edhe arkivin e saj, me materiale që datojnë nga viti 1960 e tutje, duke rikujtuar e vënë në pah vlerat e pakrahasueshme që kanë sjellë ndër vite artistët nga vendi më i ri në Evropë.

Si në shumë hapësira të tjera publike, edhe GKK është “pushtuar” me vepra të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në kuadër të “Manifesta 14”, e cila synim ka që të rikthejë hapësirat publike te qytetarët, por edhe përmes institucioneve sikurse Galeria, të arrijë që të futet në zemrën e mendjen e secilit, për të rikujtuar se arti është diçka që të bën të marrësh frymë me një lloj tjetër lumturie.

Duke filluar nga artistja e huaj, Selma Selman me veprën e saj “You have no idea”, GKK hap këtë ekspozitë, duke përcjellur mesazhin e artistes, e cila ka të bëjë me atë se njerëzit nuk e dinë se kush është ajo, nuk e dinë për praninë ose mungesën e dhimbjes në jetën e saj dhe tutje zbulon edhe fuqinë e dinamikën e empatisë, duke hedhur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj si bazë për takimin politik.

Diversitet i veprave

Grupi artistik “HAVEIT” kishte performuar para disa ditëve performancën e tyre me gota, që në thelb tentojnë të paraqesin gratë dhe menyrën se si ato nuk janë të “denja” për të bërë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.

Duke vazhduar tutje në sallën tjetër, kukulla gjigante paraqiten në sytë e vizitorëve, të cilat sipas artistit Dardan Zhegrova, janë një formë e lashtë e rrefimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Zhegrova, i cili si fëmijë është rritur në frymën e teatrit “Dodona”, teatri i kukullave në Prishtinës, tenton të mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra.

Në mesin e disa veprave në GKK, është edhe pjesa e artistes së huaj Alevtina Kakhidze, me veprën “Pushtimi”, e cila vjen nga Kieve dhe jeton në Muziçi. Ajo e përshkruan veten si artiste dhe kopshtare, derisa si pjesë e ekspozitës janë “bimët”, dhe gjatë dekadës së fundit një pjesë e madhe e hulumtimit të saj është fokusar në vëzhgimin e botës bimore. Ajo thekson se “bimët” në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia.

Valentina Bonizzi, nga Milani, e cila jeton në Tiranë, ka prezantuar veprën e saj “Homazhe Kafkës”, vepër që tregon një video të inçizuar në një vend dhe paraqitet rrëfimi i një personi, që mbetet, pambarisht në portat e ligjit, duke pritur t’i jepet qasje, por pa ardhur në një përfundim të tillë. Ashtu si Kafka, Bonizzi reflekton po aq mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.

Mes shumë ekspozitave, veprave të ndryshme, diversitetit të artistëve, si pjesë e padiskuteshme e artit, Galeria e hapi edhe arkivin e saj. Arkivi mbledh, ruan dhe vë në dispozicion dokumentacione në lidhje me të kaluarën, duke përfshirë veprat e disa prej artistëve më të mëdhenj në histori të Kosovës.

“Thesaret e fshehura” të Galerisë

Një rezervuar i jashtëzakonshëm i krijuesve shqiptarë, dalin nga arkivi sikurse “thesare të fshehura”. Koleksioni i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, padyshim paraqet vetëm majën e një ajsbergu.

Vëzhguesi i ekspozitave, Xhevat Rrahimi, njoftoj për KultPlus se “Manifesta 14” është një vlerë e shtuar për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe jo vetëm, duke njoftuar se kanë qenë më shumë se 1 mijë vizitorë që nga hapja e ekspozitave.

Arkivi si thesar i paçmueshëm

“Është hera e parë që arkivi ka dalë si ekspozitë. Në arkivin që e kem na është një thesar i paçmuar që e ruajmë me vite të tëra. Por, nuk mund të them se mund t’i ruajmë si duhet, për shkak të kushteve si janë. Edhe pse niveli i kushteve nga Ministria nuk është në gjendje të mirë, ne shpresojmë që në të ardhmën të bëjmë kushte edhe më të mira”.

Pjesë e (pa)ndashme e Galerisë – arkivi

“Ideja e Ministrisë për një Muze Bashkëkohor daton që nga paslufta, si ide, por ende nuk është e realizueshme. Edhe ne e mirëpresim realizimin e muzeut të artit bashkëkohor, por thesarin e Galerisë, mendoj se më së miri e ruan vetë Galeria dhe njerëzit kompetentë këtu”.

Vizitorët besnik – pjesë e përhershme e Galerisë

“Mund të them që “Manifesta 14″ ia ka shtuar një vlerë Galerisë, por ne i kemi vizitorët e tillë që nuk na braktisin asnjëherë. Kemi vizitorë edhe të nivelit ndërkombëtarë edhe vendorë”.

Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë se veprat e artit shpesh zgjasin përgjithmonë, ose thuajse shumë gjatë. Por vetë ekspozitat, veçanërisht ekspozitat e galerive, janë si lulet; ato lulëzojnë dhe më pas vdesin, pastaj ekzistojnë vetëm si kujtime, ose të shtypura në revista dhe libra, njësoj sikurse në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku vepra të ndryshme të Lirije Bulliqit, Nusret Salihamixhiqit, Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës, Gjelosh Gjokajt e shumë artistëve të tjerë, jetojnë brenda mureve të objektit dhe si të tilla, gjithnjë e lënë “aromën” e tyre magjike e të paharrueshme, njësoj si veprat që kanë lënë pas vetes. /KultPlus.com