Këngëtarë të njohur të Sanremos zbresin në Vlorë, dhurojnë koncert në shesh

Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.

Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.

Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.

Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com

INSTAT: Rritje e turistëve të huaj, kryesojnë gjermanët dhe italianët

Numri i vizitorëve në muajin maj të këtij viti shënoi rritje me 38 %, krahasuar me majin e vitit 2022.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), numri i vizitorëve jo-rezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.5 herë.

Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i pushuesve jorezidentë u shënua nga Kosova, ndjekur nga pushesit gjermanë. Sipas INSTAT pushuesit gjermanë jorezidentë shënuan rritje me 9.1 %. 7.8 % e pushuesve jorezidentë ishin italianë, 3.4 % polakë dhe 2.9 % e pushuesve ishin anglezë.

Në zonat bregdetare numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 98.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 45.1 %

Edhe numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 46,7 % në krahasim me muajin maj 2022.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 3.2 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 47.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 36.4 %./atsh/KultPlus.com

RLIOF sjell në Prishtinë harpistin e njohur italian Antonio Ostuni për një mbrëmje gala

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po bënë përgatitjet e fundit për të sjell një edicion special që pritet të ngjallë emocione të forta te publiku. Artistët që do të jenë pjesë e këtij festivali, janë artistë të dëshmuar dhe me magjinë e tyre do ta përthekojnë secilën natë të këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Themeluesi i këtij festivali, tenori i famshëm, Rame Lahaj është kujdesur që të sjell sa më shumë veçanti e madje edhe të mbuloj zbrastësitë që ekzistojnë në skenën tonë muzikore.

Duke pas parasysh mungesën e madhe në Kosovë dhe rajon të një instrumenti shumë specifik siç është Harpa, RLIOF këtë vit po sjell në Prishtinë harpistin e shquar italian Antonio Ostuni i cili do t’i bashkohet Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në një mbrëmje gala “Rame Lahaj & Friends” dhe njëkohësisht do të mbajë një Masterclass 3 ditor me studentët e Harpës dhe Pianos.

Lahaj ka njoftuar se Masterclass-i do të zhvillohet në Sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në datat:

25 korrik / 19:30 – 21:00

26 korrik / 16:00 – 18:00

27 korrik / 16:00 – 18:00

“Ftojmë Harpistë e Pianistë të na bashkohen përgjatë 3 ditëve në workshop rreth këtij instrumenti kaq delikat e magjepsës”, ka shkruar Rame Lahaj./ KultPlus.com

Me prozën letrare u bë i njohur në të gjithë botën, 6 vjet nga vdekja e Umberto Eco

*Photo: Getty Images*

Sot bëhen gjashtë vjet prej vdekjes së filozofit të njohur italian si dhe shkrimtarit të famshëm, Umberto Eco. Vepra e tij “Emri i Trëndafilit” e bëri të njohur në mbarë botën.

I lindur në 1932 në Alessandri, Itali, Eco arriti një vlerësim në mbarë botën për punën e tij në semiotikë – studimin e simboleve dhe mënyrën e përdorimit të tyre si dhe për veprat e tij të gjera të shkruara. Si akademik, ai shkroi për semiotikën, estetikën mesjetare, gjuhësinë dhe filozofinë.

“Unë gjithmonë e kam menduar veten time si një studiues, i cili, në një moment të caktuar, filloi të shkruaj romane në fundjavë … gjatë verës,”  tha Umberto Eco.

Por ishte proza letrare e tij që e bëri të njohur anë e mbanë botës.

Vepra “Emri i Trëndafilit”: , misteri i tij historik i vrasjes në 1980, ishte romani i tij më i popullarizuar, me të cilin bëri bujë duke shitur më shumë se 10 milion kopje. Kjo vepër u bë më vonë një film ku interpretonte Sean Connery. Ai shkroi edhe disa romane tjera. Puna e tij e fundit, Numri Zero, u botua në 2015. Eco gjithashtu ishte edhe autor i librave të disa fëmijëve.

Eco shërbeu si profesor i Nortonit në Universitetin e Harvardit nga 1992 deri në 1993, dhe dha mësim në semotikë në Universitetin e Bolonjës.

Ai vdiq në moshën 84 vjeçare në shtëpinë e tij. /KultPlus.com

Ofendoi me fjalë të pista kolegët, politikani italian nxirret me forcë nga parlamenti

Politikani dhe personaliteti i njohur italian, njëherësh kritiku i artit, Vittorio Sgarbi është nxjerrë me forcë nga parlamenti italian.

“Ai nuk mund të ofendojë kolegët e tij, nuk mund të flasë me fjalë të pista në parlament”, ka thënë zëvendëspresidentja, Mara Carfagna fjala e së cilës u prit me ovacione në sallë.

Pas një fjalimi me fjalë të rënda dhe ofenduese atij i është thënë të dalë nga salla gjë që nuk është bërë prej tij.

Më pas është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë të cilët e kanë kapur nga këmbët për ta tërhequr zvarrë jashtë.

“Turp, Turp”- dëgjohet të bërtasin disa deputetë në sallë.

Sgarbi është një nga kritikët më të ashpër italian dhe njihet për karakterin e tij të vështirë.

Madje ai ka thënë coronavirusi nuk ekziston.

Ky, sipas tij, është një rrezik i shpikur dhe që vendimet e qeverisë janë një marrëzi.

Ai është tallur edhe me presidentin e Republikës që ka thënë se duhet ruajtur qetësia, por nga ana tjetër duhen marrë masa të rrepta.

Sa për virologët që kanë dhënë alarmi, Sgarbi nuk përmbahet: Po tallen me ne dhe kanë zbuluar virusin e by”””. Asgjë nuk ka sipas tij. 

Prifti italian sakrifikohet për t’i shpëtuar jetën një të riu me koronavirus

Gjesti që ka bërë një prift për të shpëtuar jetën e një të riu është mjaft emocionuese. Ai ka sakrifikuar jetën e tij për një pacient më të ri në moshë, të prekur nga koronavirusi.

Prifti 72-vjeçar Don Giuseppe Berardelli i dha të riut të cilin nuk e njihte respiratorin që ishte porositur për të.

72-vjeçari ishte prift në dioqezën e Bergamos. Sipas medias italiane, nga 30 priftërinjtë që kane humbur jetën, 16 janë nga kjo dioqezë. Ai ka refuzuar të marrë respiratorin, duke u shprehur se ka më të rinj se ai që kanë nevojë në këto momente.

Çfarë ka bërë don Giuseppe, ka frymëzuar mbarë Italinë.

Ate Giuseppe ishte mjaft i njohur në Bergamo, për ndihmën që u jepte të varfërve, dhe po ashtu, ai binte në sy, pasi ngiste gjithnjë një motor, e kishte pasion.

 “Don Giuseppe u nda nga jeta si një prift. Më ka prekur shumë fakti që ai hoqi dorë nga jeta e tij për t’ja dhënë dikujt tjetër”, u shpreh një punonjës shëndetësor në Itali. /KultPlus.com

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin”

Thënie nga Federico Fellini

Federico Fellini ka qenë një skenarist italian i njohur ndërkombtarisht.

Fellini konsiderohet gjerësisht si një prej kineastëve më të shquar dhe më me ndikim në historinë e kinemasë.

Fitues i katër Academy Awards për filmin më të mirë të huaj për punën e tij si regjisor, ai në vitin 1993 u nderua me çmimin Oskar për arritjet gjatë jetës.

Fitues dy herë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë ([1963 dhe 1987). Felini ka marrë edhe Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1960 dhe Luanin e Artë për arritjet gjatë jetës në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 1985 .

Fellini la vepra të paharrueshme por edhe plot satirë mbuluar me një melankoli delikate, një stil që karakterizohet nga ëndrrat dhe vizionet e autorit.

Më poshtë disa nga thëniet e njohura të regjisorit italian:

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin.”
“Asgjë nuk dihet, gjithçka imagjinohet.”
“Një formë e ndryshme shprehjeje përbën një vizion të ndryshëm të jetës.”
“Nuk ka mbarim, nuk ka fillim. Ka vetëm një pasion të pafundmë për jetën.”
“Biznesi i kinemasë është makabër, grotesk: një përzierje midis ndeshjes së futbollit dhe bordellit.” /KultPlus.com