235 vite nga lindja e shkencëtarit gjerman Georg Ohm

Sot janë bërë 235 vite nga lindja e shkencëtarit Georg Simon Ohm.

Georg Simon Ohm (16 Mars 1789 – 6 Korrik 1854) ishte një fizikan dhe matematikan gjerman.

Si mësues shkolle, Ohm filloi kërkimet e tij me qelizën e re elektrokimike, të shpikur nga shkencëtari italian Alessandro Volta. Duke përdorur pajisjet e krijimit të tij, Ohm zbuloi se ekziston një proporcionalitet i drejtpërdrejtë midis diferencës potenciale (tensionit) të aplikuar përgjatë një përcjellësi dhe rrymës elektrike rezultuese. Kjo marrëdhënie njihet si ligji i Ohmit.

Ai vdiq më 6 Korrik 1854.

Presidentja Osmani uron homologun e saj me rastin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter ka thënë kjo ditë e shënuar na kujton për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë e demokracisë, vlera këto që bashkojnë të dyja vendet dhe popujt.

“Urime Presidentit Steinmeier dhe miqve dhe aleatëve tanë në Gjermani për Ditën e Unitetit Gjerman! Ky rast i rëndësishëm na kujton rëndësinë e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë – vlera që vazhdojnë të bashkojnë vendet dhe popujt tanë”, ka shkruar Osmani/KultPlus.com

INSTAT: Rritje e turistëve të huaj, kryesojnë gjermanët dhe italianët

Numri i vizitorëve në muajin maj të këtij viti shënoi rritje me 38 %, krahasuar me majin e vitit 2022.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), numri i vizitorëve jo-rezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.5 herë.

Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i pushuesve jorezidentë u shënua nga Kosova, ndjekur nga pushesit gjermanë. Sipas INSTAT pushuesit gjermanë jorezidentë shënuan rritje me 9.1 %. 7.8 % e pushuesve jorezidentë ishin italianë, 3.4 % polakë dhe 2.9 % e pushuesve ishin anglezë.

Në zonat bregdetare numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 98.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 45.1 %

Edhe numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 46,7 % në krahasim me muajin maj 2022.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 3.2 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 47.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 36.4 %./atsh/KultPlus.com

Ambasadori gjerman dhe 25 pjesëtarë të UNESCO-s e vizitojnë Manastirin e Deçanit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me 25 pjesëtarë të UNESCO-s, sot kanë vizituar Manastirin e Deçanit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori Rohde në Twitter.

“Sot shijuam një tjetër vizitë të këndshme në Manastirin e Deçanit, së bashku me 25 kolegë nga UNESCO”.

“Në emër të kolegëve të mi dhe meje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për igumenin Sava Janjiq për mikpritjen e tij”, ka shkruar Rohde në Twitter./KultPlus.com

Kush ishte ‘Kancelari i Hekurt’ që e udhëhoqi Evropën në vitet 1860-1890?

Sot bëhen 208 vite nga lindja e një prej burrështetasve më të famshëm në historinë e Evropës,shkruan KultPlus.

Otto von Bismarck, lindi më  1 prill të vitit 1815. Bismarck ishte burrështetas konservator prusian, i cili qe në krye të politikës evropiane nga vitet 1860-1890 të shek. XIX.

Ai ishe kancelari i parë i Gjermanisë, udhëheqja e të cilit ishte ndërmjet viteve 1871-1890.

Bismarck qe kryeministër i Prusisë në vitet 1862–90, dhe bashkimi i Gjermanisë ishte qëllimi parësorë i tij. Prej vitit 1867, ai ishte Kancelar i Konfederatës Gjermane Veriore.

Pas formimit të Perandorisë Gjermane për herë të dytë më 1871, ai shërbeu si ‘Kancelari i saj i parë’ prej ku dhe ushtroi “Realpolitk” që i dha pseudonimin “Kancelari i Hekurt”.

Ai vdiç më 30 korrik 1898./KultPlus.com

Gëte: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

Më 22 mars të vitit 1832, në Gjermani, vdiq njëri ndër shkrimtarët më të njohur gjerman, Johan Volfgang Gëte.

Gëte, akoma vazhdon të njihet si ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të këtij shkrimtari të pavdekshëm.

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.” / KultPlus.com

Richard Wagner, “djalli” që solli engjëlloren nga ferri në muzikë, gjeniu që u përpëlit gjatë në kryqin e anatemës

Richard Wagner ishte një kompozitor, regjisor teatri dhe dirigjent gjerman i cili ofroi prej shpirtit të tij të gjëmimshëm më së shumti vepra për operat dhe dramat e tij muzikore.

Gjatë gjithë karrierës së tij ai u ndesh me shumë polemika. Marrëdhëniet e tij të shthurura të dashurisë dhe kompozimet polemike, mblodhën admirim dhe antagonizëm. Ai kompozoi vargje kundër besimeve popullore dhe i bëri ato të interpretoheshin në teatrot popullore. Falë ideve të tij romane solli finesë krijuese në ‘dramat muzikore’ komplekse si ‘Ring Cicle’. Ndryshe nga disa kompozitorë apo regjisorë të tjerë teatrale të kohës së tij, Wagner jo vetëm shkroi libreton, por edhe kompozoi muzikë për shfaqjet e tij. Në pjesën e mëvonshme të karrierës krijuese ai përsosi më tej me veprat e tij duke drejtuar dhe kompozuar orkestrimin e vështirë.

Richard Wagner ishte një gjeni atipik. Shënjohet në artin gjermani si një i talentuar dhe virtuoz, por kjo as që ndikoi që ai të ishte ndryshe ngase donte ai shpirt rebel, i shumëdebatuar dhe jo pak herë i keqkuptuar?! Ishte ndoshta i vetmi ndër kolosët e muzikës klasike dhe asaj operistike, gjenialiteti i të cilit u përpëlit në kryqin e anatemës. As fama nuk mundi ta ulte më që andej, por e ngjiti në qiell si “djallin” që solli nga ferri engjëlloren e muzikës. Gjithnjë pararendësit, nismëtarët, filluesit e një etape ndryshimesh të mëdha, marrin si shpërblesë një mësymje shkatërruese. Ende vërtitet edhe sot e kësaj dite se ku e ngjynte gjithë kjo hakërri majën e gjuhës në helmin e antisemitizmit apo të kapërthimeve të thekshme psikologjike, me të cilat ai e ushqeu këtë uragan të krijimtarisë muzikore.

Kompozitorit gjerman, Richard Wagner, u lind më 22 maj 1813. Ai ishte dhe mbeti një fenomen artistik, një shkundullimë e kijametshme e asajkohje dhe përmendje e njeriut si shkëndi në barutin e shpërthimeve. Të admiruarin e “të krisurve”, shtjellat e kritikës, rrapëllimat e kohës, do ta vendosnin, në Olimpin e Perëndive të muzikës dhe kompozimit. Edhe pse lindi në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani, ai u akuzua si antisemit. Kjo damkë me gjas i’u hodh përsipër këtij shpërthimi drite si një mantel i rëndë dhe i zi anateme, vetëm e vetëm se muzika që ai kompozoi kishte një admirues të gabuar, Adolf Hitler.

Madhështor në dimensionin më të pakapshëm, dramatik dhe tragjik në zenit të aftësisë perceptuese dhe përjetuese, harmonik dhe i debatueshëm njëherësh, zot dhe djall. Ai guxoi të ishte krejt tjetërçka. Edhe sot Richard Wagner kompozitor, vazhdon të frymëzojë dhe të ngjallë debate të ashpra për kumtin artistik, për kumbimin brendandjesor, për kremtimin ideor dhe estetik. Asgjë nuk është rastësore në këtë përballje dhe kacafytje titanësh. Ai erdhi për të qenë një rrufe shigjetare në qiellin e marazur prej reve të absurdit dhe një nevoje të kohës për tu hedhur në zjarrin e transformimit. I’a lejoi vetes dhe mishëroi deri në grahmën e fundit të shtrëngatës muzikore, shpirtin e tij të stuhishëm, vullnesën trandjes nga themelet të njeriut opak, të kësaj krijese që zvarritej. Ai kushtronte me artin e tij. Nëpërmjet muzikës Wagner përpiu krejt kohën dhe vetë koha ishte ai, në intensitet jetësimi të së tashmes, në kurajo gladiatori për tu ndeshur me veten me realitetin, dhe për të fituar njeriun. Veprat e Wagnerit kanë një intensitet të jashtëzakonshëm dhe një besueshmëri të jashtëzakonshme psikologjike. Mënyra e tij e kompozimit depërton menjëherë në ndjenjat tona. Dhe meqë jemi mësuar tani me muzikën e filmave dhe televizionit, muzika e tij na prek edhe më drejtpërdrejt. Sepse kjo lloj muzike mbështetet shumë tek Wagneri.

 Jeta e gjeniut

Wagner lindi më 22 maj në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani. Babai i tij, Carl Fredrich Wagner ishte nëpunës në polici por vdiq gjashtë muaj pas lindjes së të birit. Familja u zhvendos në Dresden ku Wagneri jetoi derisa u rikthye në Leipzig në moshën 14 vjeçare. Ai nuk shfaqi interes për shkollën, duke parapëlqyer të përqendrohej tek teatri dhe muzika. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme dhe veprash të lëna përgjysmë, opera e tij e parë e suksesshme, Rienzi u shfaq për herë të parë në Dresden në vitin 1842.

 Anatema politike

Për shkak të ideve të tij politike, ai kaloi një pjesë të mirë të jetës në mërgim. Pasi u përfshi në një kryengritje të dështuar në Dresden, ai shkoi në Paris dhe më pas në Zyrih. Wagner gjithashtu botoi artikuj antisemitistë, diçka që vazhdon ta errësojë imazhin e tij edhe sot. Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e tij ishte dashuria e Adolf Hitlerit për muzikën dhe përdorimi i kompozimeve të tij nga nazistët në fushatat e tyre propagandistike.

Eksperti Thomas Krakow këshillon që Wagneri të shihet në kontekstin e Gjermanisë së shekullit të 19-të dhe jo përmes prizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Krakow vë në dukje se Wagner vdiq gjashtë vjet para se të lindte Hitleri.

Pavarësisht nëse protestë apo entuziazëm, interesi për Wagneri, më shumë mufatet se sa shterron, duke kumtuar një nevoj të brezit për të depërtuar në ndjesitë e këtij jetësimi . Këtë vazhdon ta shpalosë rëndësia e operave të tij dhe galerisë shkëlqimtare që la në testamentin e muzikës gjermanbe dhe botërore. Vepra e tij vazhdon të përmbajë “muzikën e së ardhmes”. Duke nisur qysh nga dashuria e ndaluar e Rienzi-t, e deri tek Mjeshtrat e këngës apo Parsifali: Wagneri synon gjithmonë të nxjerrë në pah kritikën ndaj shoqërisë, utopinë e shoqërisë, ëndrrat dhe mallin, artin dhe politikën, problemet e njeriut si: seksi dhe krimi, dashuria dhe vdekja, përpjekja njerëzore për gjetjen e vetvetes, të gjitha tema këto që vazhdojnë të jenë aktuale. Vetëm më 13 shkurt 1883 kur Richard Wagner ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare, vetëm atëherë bota e muzikës dhe opera e mësoi, se me kë ishte ndarë, se çfarë kishte humbur. Përunjësisht përulemi para kësaj përmendoreje shtatlartë e këtij shkëlqimimi të thekshëm. Trandës e hakërrues për çdo plogështi që zvarret, çdo traditë që me shpirt nëpër dhëmbë kërkon të sundojë një kohë që i ka ra mohit. Përplaset pamëshirshëm me çdo barrier lirie. Flakë shtërzen prej turfullimës së nevojës përtëritëse. Lëshohet mbi muret e zëna myshk si më mraztat çjerrje e prej rrënjësh e shkul të shkuarën. Ai është zot i të tashmës së shpirtit të lindur për t’u hedhur në zjarr, vullnetit që gjallon për t’u përleshur. Cyt çdo gjëndje që rreket mëdyshjeve. Nuk ka prehje në paqe për gjeniun e luftës. Lëshoje veten në krahët e përjetimit që ai skaliti me zjarr pasioni e rufeje dhe jeto të tashmën duke u parë sy më sy me dritën.

Episode nga jeta dhe vepra

Wagner, fëmija ambicioz

Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit. Kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano. Kur e dëgjon Vagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:

– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën. Por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.

– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?

– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Vagneri, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.

 Kapriçot e moshës

Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra. Në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes. Atje humbiste vazhdimisht. Nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin. Me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës. Atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.

Fillesat e vështira

Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.

Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.

Dhe ky “budalla” ishte vetë Richard Wagner.

 Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota” 

Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner. Ai thoshte për të:

– Përpara kësaj ndërtese gjigande rri gjithnjë me tmerr dhe me habi, dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.

Muzikanti dhe nëpunësi i doganës

Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij, dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:

– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.

– Richard Wagner!

– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.

– Po si më njohët?

Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.

– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë. Nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.

Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner  i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”. /Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Artisti gjerman që i transformon njollat e kafes në “krijesa” të vogla

Stefan Kuhnigk, artist nga Hamburgu i Gjermanisë i kombinon tri gjëra që njerëzit i duan më së shumti – kreativitetin, të pazakonshmen dhe kafen.

Puna e tij filloi me një incident të vogël në zyrë dhe ky artist vendosi t’ju dhurojë jetë njollave të vogla të kafes. “Krijesat” e tij të vogla kanë rrëfime të veçanta.