Europa, zonë e ndaluar për muzikantët për shkak të Brexit

Mbi 110 artistë të skenës muzikore po protestojnë për pasojat që po i vuajnë pas largimit të Britanisë së Madhe nga Europa, apo e njohur si fenomeni “Brexit”, shkruan KultPlus.

Janë Sting, Elton John, Ed Sheeran, Liam Gallagher, Radiohead, Bob Geldof, Queen’s Brian May, Robert Plant i ”Led Zeppelin”, Peter Gabriel dhe Kim Wilde, por edhe autorë këngësh si Judith Weir, dirigjenti Simon Rattle dhe violonçelisti Nicola Benedetti, ndjehen të zhgënjyer nga qeveria britanike.

Këtë e kanë shprehur në një letër të botuar në “Times”, teksa denoncojnë daljen e Britanisë së Madhe nga Europa, e që kjo e fundit është shndërruar në një zonë të ndaluar për muzikantët.

Pas përfundimit të lëvizjes së lirë midis kontinentit dhe Britanisë së Madhe, vizat individuale duhet të merren para se të udhëtohet në ndonjë vend të BE, duke rezultuar në kosto shtesë, përfshirë lejet për 350 sterlina për instrumente muzikorë dhe pajisje të tjera, pa harruar mosmarrëveshjet dhe zvarritjet burokratike.

Londra dhe Brukseli fajësojnë njëri-tjetrin për këtë situatë, por do të jenë muzikantët ata që do të paguajnë çmimin./ KultPlus.com

Arti kumanovar merr banim përmes një ekspozite në Galerinë Oda në Shkodër

Medina Pasoma

Frymëzimeve të 5 artistëve nga Kumanova, Shkodra ia hapi dyert nëpërmjet Galerisë Oda. Syri i publikut u ndesh me veprat artistike të ekspozitës  “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” pikërisht në ditën e 28 Nëntorit, për të bindur edhe njëherë unifikimin që ka krijuar arti ndër vite dhe vazhdon ta bëj edhe sot, shkruan KultPlus.

Përderisa pandemia ndikoi në zbehjen e jetës në shumë drejtime, krijimtaria artistike i fali gjallëri shkodranëve për kremtimin e Ditës së Pavarësisë. Jo rastësisht u zgjodh kjo datë, e që nëpërmjet punës së Osman Demirit, Elita Halitit, Armend Ademit, Ardian Kadrijës dhe Dali Alilit u arrit bashkimi i dy qyteteve shqiptare.

Botëkuptimet dhe krijimtaria e këtyre 3 piktorëve dhe 2 fotografëve u shpalosën në forma të ndryshme të shprehjes artistike, duke lënë shenja autoriale në pikturë, skulpturë dhe fotografi.

Pronarja e Galerisë Oda, Rozafa Shpuza në hapjen e kësaj ekspozite u shpreh se ndjehej e lumtur që u bë nikoqir i artit të kumanovarëve.

“Edhe në këto kushte pandemie ne menduam të festojmë me art. Nuk ka kurrgjo ma të mirë se arti për me i ngroh shpirtrat, e Shkodrës ia shtuan një vlerë nëpërmjet ekspozitës në Galerinë Oda”, u shpreh Shpuza.

Në anën tjetër KultPlus ka zhvilluar një intervistë me Vlora Demirin, e cila përtej të qënurit një kritike e artit, është kujdesur edhe për prezantimin e artistëve dhe tekstin e katalogut të ekspozitës “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

Demiri vlerëson se këta 5 artistë ishin dëshmi se as ky vit ‘i brishtë’ nuk arriti t’i mposht artistët dhe fuqinë e veprave të tyre, të cilat sipas saj gjetën “prehje” në Galerinë Oda.

“Interesi i publikut shkodran dhe më gjerë ndaj kësaj ekspozite bëri të ditur që pavarësisht çdo rrethane, nëntori vazhdon të mbetet muaji që i zhduk kufijtë fizik dhe shpirtërorë në mes trojeve shqiptare dhe shqiptarëve anembanë botës dhe se arti është e vetmja ikje e pastër nga ky realitet”, theksoi Demiri.

Vlora vazhdon tutje të thotë se arti është liri, në të cilin çdo artist e gjen veten e tij. Për të arritur deri te kjo gjetje mjafton të ekzistoj dëshira dhe qasja shpirtërore e artistit.  Ndërkaq ajo vlerëson se këta artistë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut e kanë arritur këtë nivel, e sidomos duke ardhur me forma të ndryshme artistike.

“Ndryshimi i shprehjes artistike tek këta artistë shkrifet dhe kthehet në një masë homogjene në momentin që ne ngelim ballë përballë me qëllimin e tyre. Secili u përfaqësua me nga një vepër dhe fakti se çdo njëri nga artistët erdhi me një triptik, na bën të kuptojmë që janë copëzat, ato të cilat krijojnë një tërësi. Dhe ky është dhe mesazhi kryesor i kësaj ekspozite”, shprehet Demiri.

Vlora Demiri beson se në periudha të ndryshme kohore arti ka promovuar gjenialitetin e kohës, e që shumë shpesh ka ekzistuar censura, duke i robëruar autorët që të mos kenë liri shprehëse. Ndërkaq pikërisht arti bashkëkohor, ia mundësoi krijuesve të shprehen ashtu siç vetë dëshirojnë, e që e tillë është edhe ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

“E bukura e kësaj ekspozite është që del nga ato që jemi mësuar t’i shohim dhe pavarësisht mënyrës së shprehjes vë pikën në qëllimin dhe mesazhin e artistëve dhe jo në mënyrën se si ata kanë ardhur deri tek ky qëllim”, shpjegoi Demiri.

Ashtu siç dallon njeriu nga njeriu, njësoj dallon edhe forma individuale e shprehjes artistike. Mirëpo, bashkimin e 5 artistëve që secili ka veçantitë e veta, Vlora Demiri dëshiron t’i sheh me një sy unifikues, ashtu edhe siç kanë ardhur në një ekspozitë të vetme.

“Kam përshtypjen që do të ishte shumë më e denjë t’i shohim në tërësi dhe jo të ndarë. Edhe fotografia e Osman Demirit dhe Dali Alilit, edhe pikturat e Elita Haliti dhe Armend Ademit, por dhe skulptura e Adrijan Kadrijës janë lutje me të cilën autorët i drejtohen shikuesit për të rindjerë dhimbjen e patologjisë tonë kolektive si popull”, vlerëson Demiri

Tutje, ajo vazhdon të besoj se e veçanta e këtyre 5 krijuesve mbetet te ikja e tyre nga shprehja narrative që zakonisht bëhet për të shënuar data të caktuara, madje edhe se nëpërmjet gjuhës së fuqishme të artit ata mishërojnë realitetin dhe problemet me veprat e tyre.

“Në veprat e tyre nuk u jepet vend datave, personaliteteve dhe ngjarjeve konkrete të historisë, por ata shpalosin hapësirat që duhet mbushur, të mbetura në mes kronologjisë së arritjeve tona si popull”, thekson Demiri.

Vlora tutje shprehet se këto vepra janë thirrje ndaj publikut që të dalin “nga vegimi i dalldisur që zakonisht e shohim në këto data të veçanta dhe të kthehemi nga e ardhmja dhe të veprojmë për të”.

“Me një qasje konceptuale dhe me një shprehje bashkëkohore ata arrijnë të shtjellojnë problemet qindra vjeçare të popullit tonë”, vlerëson ajo.

Vlora e ndërlidh edhe vendin ku është shfaqur kjo ekspozitë me simbolikën e emërtimit përgjatë historisë. Kështu ajo krijon udhëkryqe mes odave shqiptare dhe Galerisë Oda.

“Kjo odë shkodrane ishte pikërisht ajo ku përsëri u shpalosen dhe ‘u diskutuan’ problemet më me zë të popullit tonë. Kumanova respektoi mikpritësen me një art të denjë ashtu siç e meriton një vend si Shkodra, i njohur për mikpritjen e saj”, sqaron Demiri.

Për Vlorën kjo ekspozitë mbetet një tentative dhe lutje për bashkim si dhe një pasqyrë e gjendjes popullore.

“Është pikërisht kjo qasje e sinqertë e artistëve ajo që i bën ata të veçantë në përzgjedhjen e ekspozimit të këtyre problemeve, pikërisht në këtë datë kaq të rëndësishme për ne”, sqaron Demiri.

Ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” do të mbetet e hapur për një muaj për artdashësit shkodran në Galerinë Oda. / KultPlus.com

Publikut prizrenas iu ekspozua krijimtaria e dy artistëve nga Dibra

Krijimtaria artistike e dy piktorëve nga Dibra, Dritan Bocku dhe Adem Sulejmanoski janë prezantuar para publikut në ekspozitën e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shkruan KultPlus.

Artistët Bocku dhe Sulejmanoski nëpërmjet ekspozitës sollën botën e tyre artistike, të shprehur nëpërmjet pikturave të tyre, të cilat tanimë janë vlerësuar nga qarqet artistike vendore dhe ndërkombëtare. Në ekspozitë përveç simpatizantëve të veprës së artistëve, të pranishëm ishin edhe drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha.

“Autorët e këtyre veprave janë dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës, ku arti i tyre ka prezantuar kulturën, trashëgimin dhe vlerat kombit tonë”, u shpreh Hoxha.

Tutje Samir Hoxha vazhdoj duke potencuar se ekspozita të tilla në kohë pandemie i ofrojnë publikut një oazë arti i cili ushqen shpirtin në një situatë të vështirë siç është kjo e tanishmja.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Zinqe Mimidinoski ka shprehur mirënjohjet e tij për mikpritjen që iu është bërë krijimtarisë së artistëve në Prizren.

I emocionuar nga publiku kosovar, Dritan Bocku me një gëzim prezantoj veprat e tij për artdashësit prizrenas, ku ai nëpërmjet artit tregoj bukuritë natyrore dhe të kaluarën e trevave të Dibrës në Maqedoninë e Veriut.

Kjo ekspozitë përveç që ka shpalosur botën artistike të dy piktorëve, ka hedhur edhe një hap tutje drejt krijimit të urave të bashkëpunimit në sferën kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com

Isopolifonia mblodhi në Vlorë dhjetëra artistë, çmimin “Haxhi Dalipi” e merr grupi i Gramshit

Dhjetëra artistë nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën në Vlorë për edicionin e XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso – Polifonisë.

Pjesëmarrës ishin artistë të të gjitha moshave që interpretuan me grupet e polifonisë labe dhe toske nga Gramshi, Belshi dhe Shpati, Tërbaçi, Mallakastra, Gjirokastra, Skrapari, Vranishti, Livadhja dhe Finiqi dhe natyrisht Vlora.

Juria ndau disa çmime për kontribut të gjatë dhe interpretim me nivel të lartë artistik.

Çmimin Special “Haxhi Dalipi”  e fitoi Neki Zhupani nga Gramshi, ndërsa Çmimin e Parë “Neço Muko” e mori ansambli folklorik i qarkut Elbasan, të dytin e mori grupi polifonik Miks “Shën Dëlli” dhe “Gjergj Arianiti” nga Bashkia Mallakastër.

Iso-Polifonia vokale shqiptare është shpallur nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” dhe mbrohet po prej saj.

Ndërsa Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike ndau tre çmime mirënjohje për rapsodin Hamdi Pulo (pas vdekjes), si dhe këngëtarët Sinan Gjoleka e Piro Latifi.

Ky festival zhvillohet çdo vit për mbrojtjen, ruajtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipërinë e pas viteve ‘90.

Çmimet në Edicionin e XIII-të të Festivalit Kombëtar të Iso-polifonisë:

-Çmimi Special “Haxhi Dalipi” – fitues Neki Zhupani, Gramsh

-Çmimi i parë “Neko Muço” – fitues Ansambli Folklorik i Qarkut Elbasan

-Çmimi i dytë “Demir Zyko” – fitues grupi polifonik “Shëndëlli” dhe “Gjergj Arianiti”, Mallakastër

-Çmimi i dytë “Xhevat Avdalli” -fitues grupet polifonike Qarku Gjirokastër

-Çmimi i tretë “Arap Çeloleskaj” – fitues, Ansambli folklorik i Bashkisë Skrapar

-Çmimi i tretë “Dhimitër Varfi” – fitues, Grupi polifonik i Dukatit

-Çmimi Marrësi më i mirë – fitues Robert Prifti, Vlorë

-Çmimi Marrësja më e mirë- fituese Shpresa Kapaj, Tërbaç, Vlorë

-Çmimi i karrierës – grupi polifonik “Bilbili”, Vlorë

-Çmimi i 75 Vjetorit të Çlirimi – fitues grupi polifonik Çipini. / atsh. KultPlus.com


Arti konceptual dhe ai tradicional vijnë përmes një ekspozite kolektive

Galeria e Fakultetit të Arteve organizon ekspozitë kolektive ndërmjet artit konceptual dhe atij tradicional, përcjellë KultPlus.

“EKSPO për mërgatë” është titulluar kjo ekspozitë e cila ka grumbulluar rreth vetës një numër të madh artistësh të artit pamor të cilët do të paraqesin punën e tyre sonte.

Artistët pjesëmarrës janë: Agron Mulliqi, Agnesa Muharremi, Avni Behluli, Agim Kryeziu, Besim Gashi, Bekim Korca, Bujar Jakupi, Bedri Haziraj, Bislim Elshani, Driton Kastrati, Eroll Murati, Esat Valla, Florie Bajraktari, Isuf Gallapeni, Klodian Valla, Merita Myderizi Maloku, Majlinda Kelmendi, Rifat Kasapolli, Sali Shkupolli, Shyqri Gjurkaj, Shahadin mejzini, Veton Gusia, XhevdetSpahija.

Ekspozita hapet sonte në ora 19:00. /KultPlus.com

Ekspozita ‘PranverArt 8’ bashkon 71 artistë në Muzeun Historik Kombëtar

Në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar është hapur sot ekspozita “PranverArt 8 – 2017” me vepra në pikturë dhe skulpturë të 71 artistëve më të njohur të vendit tonë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë nga diaspora, përcjellë KultPlus.

Kjo ekspozitë është tashmë një aktivitet i përvitshëm tradicional, që ka zënë vend të përhershëm në kalendarin vjetor të veprimtarive kulturore të kryeqytetit.

Këtë vit, ky event vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vyer mes grupit organizator dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Në ekspozitë ishin të pranishëm shumë të ftuar dhe artdashës, të cilët ndoqën nga afër frytin e krijimtarisë më të fundit të artistëve pjesëmarrës.

Ekspozita do të mirëpresë vizitorët e vet deri më 22 shtator. /KultPlus.com