Padër Coli nuk dukej i shqetësuar deri në trishtim si herëve tjera kur i merrej goja edhe gjatë meshës, ndonëse shikimin e kishte të akullt … NJë copë herë e shikova pa ia dalë që t’ia kuptoja gjendjen… Mendja më shkoi se mos kishte shkalluar para së keqes si shumë të tjerë që i nënshtroheshin panikut që përhapej me të madhe nga të katër anë me anën e telaxhinjve dhe thashethemeve të tjera. Nga ai hamendësim më nxori me një letër që ma la para si më druajtje. “Nuk e kam shkyer, Atë, edhe pse nuk jam i kënaqur me të…” Ishte një vjershë për stinët e natyrës, të para nga këndvështrimi i Biblës, me të vetmin ndryshim se fillohej me dimrin, vazhdohej me pranverën dhe verën dhe përfundohej me vjeshtën. Secila stinë kishte përpara parafjalën “Dukagjini”, pra ndërlidheshin me botën tonë… “Punë e mirë… Ke shpirt poeti…” Hetova se po i hapej çehrja. Dukej tjetër. Gjithë jetë… “Në këtë kohë murtaje përditë do të shkruaj nga një vjershë…” “Kështu duhet… Murtaja mundet nga vjershat, nga krijimtaria, nga përballja me të me veprim dhe kundërvënie, pra nga mosnështrimi dhe vullneti për jetë…” I fola edhe për vargjet që Selamiu i thoshte nëpër qytet, të shumtën të kthyera në këngë… “Selamiu në njërën anë dhe ti në tjetrën anë, e luftoni murtajën me shpirt… Kështu bëhemi të pavdekshëm…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”,1982)
“Në të dalë te Çarshisë së Madhe, te vija e ujit që shkonte në drejtim të lumit, veshi ma kapi zërin e Selamiut, që e njihja nga vargjet e ëmbla që i lidhte me këngë… E gjeta të shkallmuar skaj një kaçube.
“Kush të solli në këtë gjendje, vëlla”, i thashë edhe pse e dija se e kishte nga ata që i merrnin për të rrezikshme vargjet dhe këngët e tij nëpër Çarshi në atë kohë të murtajës, kur i madh e i vogël duhej t’i nënshtroheshin atmosferës së saj dhe të mendonin për vdekjen që thuhej se e kishim hak…”
“Pse më pyet, vëlla, kur e din…” E mora ngryk dhe po e shtrëngoja si fëmijën jetim… Mbas pak më tha se kishte një vjershë për detin, edhe pse nuk e kishte parë kurrë. “Poetët shohin me shpirt”, i thashë.
“Ç’e do që po na vrasin edhe shpirtin, vëlla…Kërkojnë të vajtojmë, të lutemi për mëshirë e çmos që njeriun e kthen në gjësend të pavlerë, në numër…”
“Shpirti nuk vritet…” “Fjalë koti,vëlla, në kohë murtaje njerëzit bëhen të paqenë… Kjo po kërkohet sot…”!
Desha t’i thosha se vargjet e tij dëshmonin se qyteti ynë, edhe në këtë kohë vdekjeje, nxirrte impulse jete dhe shprese, por ai, ashtu mundimshëm, u largua në drejtim të lumit.
Mbas la vargjet e këngës rreth detit, ujit të njelmët dhe tallazeve, që po mbyteshin nga thirrjet e telallxhinijve që, sikur me mburrje, përhapnin lajmin për shpërthimin e sëmundjes në disa pjesë të qytetit.
(Shkëputje nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com
“Në të hyrë të Çarshisë së Madhe, tellallët çirreshin me sa zë kishin për shpalljen e fermanit të shtetrrethimit. -Ka rënë murtaja!… Murtaja!… Lami po mbahej në krahun tim. Më bëhej se do të shembeshin para atyre që po ashtu lajmi për murtajën i kishte zënë gafil… -Çudi, vëlla, shpallet sëmundja pa pas të sëmurë! Çudi! Desha t’i thosha se ajo, me anën e mikrobeve të padukshme të prodhuara diku në podrumet e errëta të shërbimeve perandorake tashmë na ishte futur dhe pritej të shpërthente siç ishte paraparë. Desha madje t’ia përmendja edhe punën e atyre karrocave me mushama, që silleshin natën të përcjella me roja mes për mes shehrit për të cilat padër Coli fliste gjithë shqetësim kur i shihte të kalonin Urën e Terëzive për në Shkukëz si dhe lëvizjet e shumta të asqerit në drejtim të Qafës së Prushit dhe Tropojës, në mënyrë që t’ia bëja me dije se edhe shpallja e fermanit ishte pjesë e asaj që po na kurdisej, por heshta. Megjithatë, për ta ngushëlluar disi, i thashë se sëmundje do të ketë përherë, sepse ato janë pjesë e jetës, dhe se ato, përballohen me vullnetin për jetën, që e kemi nga Perëndia për jetën… Por, Lami, assesi ta merrte veten. Kjo është murtajë, po thoshte. Shuan jetën… Jeta nuk shuhet, ia ktheva. Sëmundjet shkojnë e vinë, po jeta vazhdon… Kur u ndamë te Mahalla e Isufit, unë në drejtim të Rrypës e ai për te Kisha, ndonëse kisha lënë thekamën e tellallëve për murtajën dhe shtetrrethimin, se si më shkoi mendja te libri i Kaviusit për mikrobin si mjet lufte, që ishin përdorur përherë, me të cilin ishin fituar arritur ato që nuk kishin bërë edhe armët më të rrezikshme. Po kthehet koha e mikrobeve… Po kthehet koha shfarosjeve kolektive… O zot, çfarë nuk prodhon mendja e njeriut kundër njeriut, thashë dhe mendja më shkoi te ato që m’i kishte thënë Mic Shpendi se si kishte përballuar murtajën e fundit me anën e grithjeve të disa plakave… Megjithatë, thashë, duhet me e gjetë Mic Shpendin dhe me luftue për jetën!… Frika është murtajë…Këtë nduk duhet pranuar…
(Fragment nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com
Si ndjehet autori në “luftë” me personazhet (kur ata e ndjekin), këtë më së miri na e tregon shkrimtari L. Pirandeli në romanin e tij. Por, si ndjehet autori i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982, kur situatat tragjike përsëriten jashtë përshkrimeve metaforike, siç është e tanishmja e kërcënimit nga coronaviruesi? Kjo, përafërsisht, mund të shpjegohet me atë se krijimtaria, ndonëse është imagjinatë, ndonëse përdorë figurat stilistike ndër më të ndryshmet, ndonëse përpiqet që realitetin ta kthejë në fantazi, megjithatë nuk mund të përjashtojë situatat jetësore mbi të cilat ndërtohet rrëfimi i caktuar i dramave të brendshme, të atyre që janë të përsëritshme dhe si të tilla i takojnë përvojës së gjithmbarshme njerëzore në kohë dhe në hapësirë, të cilat përjetohen në mënyra të ndryshme në përputhje me rrethanat që i përcjellin ato. Megjithatë, në këtë shtjellë, ka diçka që është e përbashkët, që dallimet e përjetimit, i kthen te instinktet më të thella dhe më të errëta të qenies, siç është frika, prej nga pastaj paniku ia zë vendin të tjerave deri aty saqë të krijohet përshtypja e defetizmit deri te pafuqia dhe hiqësia madje. Natyrisht se situatat vis mayer, pra katastrofat e natyrës (veçmas tërmetet) si dhe epidemitë janë përjetuar si gjendje të pafuqisë, që jo rrallë u janë atribuuar “ndëshkimeve” nga “lart” nga shkaku i “mëkateve” dhe të tjerave, ndërkohë që është harruar se edhe sëmundjet qofshin ato edhe të përmasave shfarosëses (murtaja, kolera dhe të ngjashme), janë pjesë e ritmit të përgjithshëm jetësor, që situatat ose gjendjet e caktuara, i vejnë në veprim madje në përputhje edhe me interesat e caktuara (edhe morbide) edhe i përballojnë. Te kjo e fundit, pra te përballimi, ndodhet edhe çelësi i çështjes, që ka të bëjë me sjelljen e njeriut, po edhe të shoqërisë në përputhje me atë se jeta është e pamposhtur përkundër kërcënimeve çfarëdo qofshin ato, dhe se për këtë, me vullnetin për veprim dhe fuqi, duhet përqendrim dhe organizim, që për parakusht ka shkarkimin nga çdo frikë e brendshme dhe e jashtme, sidomos e panikut kolektiv dhe të pranimit të gjendjeve të dorëzimit, qofshin atë të mbylljeve (karantinave). Në këtë aspekt, autori i “Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit” përkujton se përballimi i murtajës së fundit, në vitin 1747 në pjesën e Gjakovës dhe të Malësisë, lidhet me një fakt historik, pra atë të vetëimunizimit me anën e mikrobit (grithjes), si pjesë e përvojës jetësore e konfirmuar edhe nga mjekësia, gjë që nuk është e rastit që edhe në Kinë, conoravirusi ka filluar të luftohet me futjen e antitrupave në formë të vaksinës, të fituara nga të mbijetuari e gripit. Pra, përvoja kineze, që me siguri se edhe magnatët e fuqishëm të farmaceutikës botërore së shpejti do ta kthejnë në vaksinë, është pjesë e kësaj përvoje jetësore dhe historike, e mbështetur mbi dijet e hershme, së cilës i janë referuar, intelektualët dhe të dijshmit, në rrethanat e kërcënimeve nga shfarosjet, siç ishte murtaja e vitit 1747, ku personazhi kryesor, Kazazi, shfaqet si bartës i kësaj elite dhe mendësie, së cilës, në rrethana të tilla ekzistenciale, i takon opërgjegjësia e veprimit. Imagjinata e autorit në këtë rrëfim letrar, e ndërlidhur me murtajën si metaforë të së keqes, që kërcënon përherë, do të ishte jashtë fuqisë motivuese pa atmosferën e panikut të përgjithshëm , që po qe së pranohet, shfaqet si sëmundje pa ilaç… / KultPlus.com
Shkrimtari Jusuf Buxhovi, së fundi është takuar me një arbëreshe e cila jeton në Amerikë, familja e së cilës është shpërngulur aty kohë më parë, shkruan KultPlus.
Buxhovi ka njoftuar për këtë takim përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Buxhovit.
‘Nuk harrohet moti i madh
Katherine Stassi West nga një para lagje e Madisonit, është njëra ndër arbëreshët e shumta të këtij komuniteti që jeton në Amerikë. Zonja e madhe, siç i thonë këtu, thotë se katragjyshi i kishte sjellë në Amerikë.
“Familja ime vjen nga fshati i shkrimtarit të madh De Rada…Ime amë fliste shqip si gjithë familja jonë…Ne mburremi me origjinën tonë…Fëmijet tanë ushqehen me këtë vetëdije, për ta përcjellë nga brezi në brez, siç bëmë ne që erdhem deri këtu…”
Arbëresha krenare thotë se çdo javë vjen në restorantin e Nexhmi Jonuzit për të takuar shqiptaro-amerikan…
“Këto takime ma përkujtojnë motin e madh, që ushqen kujtesën por edhe shpirtin tonë, që nuk harrohet…” / KultPlus.com
“Trilogjia
gjermane” e Jusuf Buxhovit e cila është promovuar në KultPlus Caffe Galery, tashmë
do të nxis një bisedë të hapur, shkruan KultPlus.
Më datë 12 shkurt, në ora 18:00 në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë do të mbahet një bisedë e hapur me shkrimtarët Jusuf Buxhovi dhe Ramadan Musliu.
Temë e bisedës do të
jetë “Shekulli i mbrapsh shqiptar” në “Trilogjinë gjermane”
të Jusuf Buxhovit, që doli së voni nga shtypi. Biseda moderohet nga Iliriana
Hasaj.
Kujtojmë që kjo triologji përfshinë romanet: “Vdekjet e
kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë” (fitues i
çmimit kombëtar për letërsi në vitin 2006).
Romanet veç e veç janë botuar në vitet 2005-2006. Ndërsa përfshirja e tyre në kuadër të “Trilogjisë gjermane” ka të bëjë me një përpunim letrar përbrenda një koncepti të përbashkët tematik që i ndërlidh. / KultPlus.com
Tri vëllimet më të reja të librit “Kosova” VI,VII dhe VIII të Jusuf Buxhovit, përmbyllin projektin historiografik të autorit prej tetë vëllimesh me rreth pesëmijë faqe tekst të formatit B-5.
Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë këto tri vëllime të reja që përfshijnë (në librin e gjashtë) ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.
Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe pas hyrjes së NATO-s çështja e shqiptarëve në Ballkan, megjithatë, nuk kishte perspektivë të një zgjidhjeje përfundimtare, sepse trojet shqiptare ishin të copëtuara nëpër shtete të ndryshme të cilat kishin edhe qëndrime tepër të ndryshme lidhur me pozitën e tyre.
Autori niset nga fakti historik se Rezoluta 1244 në Kosovë anuloi dy gjendje: Republikën e Kosovës të shpallur në Kaçanik si dhe pushtimin policor ushtarak serb. Mirëpo ky zhvillim nuk mundi të anashkalojë proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga okupimi serb më 1912 i përcjellë nga dy ripushtime: ai i vitit 1918 dhe 1944, e as realitetet shoqërore politike që i kanë përcjellë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që kishin mbetur nën Jugosllavinë e dikurshme e mandej nën shtetet që kishin shpallur pavarësinë: si Serbia e Maqedonia.
Autori në këtë vëllim analizon në hollësi formulën e nxjerrjes së Serbisë nga Kosova duke hyrë NATO në Kosovë me të gjitha problemet që ishin shkaktuar, sidomos me hyrjen e trupave ruse në Kosovë, ndarjen e sektorëve, çmilitarizimin e UÇK-së dhe fillimin e krijimit të TMK-së.
Fillimi i vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë dhe faza e emergjencës humanitare, vakuumi institucional dhe qeveria e përkohshme dhe problemet e mëdha që rrjedhin në shoqërinë kosovare gjatë asaj periudhe, roli i ndërkombëtarëve në to sidomos në fazën e pare, të gjitha gjejnë vend në këtë që autori i vë në spikamë duke u mbështetur në fakte dhe dokumente.
Periudha tjetër e analizës është ajo e rimëkëmbjes dhe përpjekjeve për një normalitet, siç ishin aktivitetet e para ekonomike dhe rindërtimi i vendit mbas shkatërrimeve që kishte lënë lufta, zgjedhjet e para lokale dhe vendosja e vështirësuar e legjitimitetit demokratik, korniza kushtetuese dhe formimi i institucioneve vetëqeverisëse. Faktet e paraqitura lidhur me këtë periudhë nëpër të cilën kalonte Kosova janë dëshmuar dhe analizuar hollësisht duke u ndalur edhe në shkaqet dhe pasojat e tyre.
Kapitull i veçantë në këtë vëllim është raporti midis gjendjes në Kosovë dhe Lugina e Preshevës, UÇPBM-ja dhe lufta për autonomi territoriale e politike si dhe lufta që ndodhi në këtë kohë në Maqedoni. Referendumi për Autonomi Territoriale dhe Politike i vitit 1992 në Luginën e Preshevës qe pikënisje e luftës në këtë rajon. Autori u bën një analizë të hollësishme, mbështetur në fakte e dokumenteve ngjarjeve që rrodhën në atë periudhë, të cilat e shtynë faktorin ndërkombëtar që të ndërhynte në parandalimin e konfliktit.
Lidhur me këtë autori jep tekstin integral të Marrëveshjes së Konçulit.Çështjen e Maqedonisë autori e trajton duke u nisur nga fakti se një përçasje sado e shkurtër e rrethanave politike të shfaqjes së Maqedonisë si koncept gjeografik nga Kriza Lindore e këndej, të Republikës së Maqedonisë në përbërje të ish Jugosllavisë dhe të shpalljes shtet i pavarur më 1991 tregon se shqiptarët i lidh si etnitet shtetformues në të në një hapësirë ku shfaqej edhe popullsia sllavo-maqedonase.
Kjo mbështetet mbi argumentet historike, ato politike dhe argumentet etnike duke ndërlidhur Maqedoninë etnike si pjesë e etnisë dardane-ilire, periudhën e Vilajetit të Kosovës me Shkupin si qendër e shqiptarizmit politik, ngritjen e Maqedonisë në çështje ndërkombëtare në dëm të interesave shqiptare, realitetin demografik – vazhdimësinë nga antikiteti dhe lufta për rrënimin e tij, periudhën e Mbretërisë Jugosllave dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Xhemijetin dhe përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve, Lidhjen e Dytë të Prizrenit,NDSH-n e Shkupit e të tjera.
Me argumentet historike autori Jusuf Buxhovi Maqedoninë antike e ndërlidh si pjesë e etnisë dardane-ilire në kuadër të botës pellazge, që si e tillë do të pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë Romake, asaj të Bizantit si dhe nën Perandorinë Osmane.
Në bazë të argumenteve politike Maqedonia del si Vilajet i Kosovës dhe si qendër e shqiptarizmit politik që doli nga Programi i Lidhjes së Prizrenit. Ndërkaq Shkupi ishte qendër e vilajetit prej nga do të drejtohej e tërë lëvizja kombëtare për shtetin shqiptar.Argumentet etnike mbështeten në praninë e pandërprerë të shqiptarëve në trojet e veta që nga antikiteti.
Prandaj autori me të drejtë konstaton se ky realitet nuk mund të rrënohet dhunshëm, siç u veprua më 1912 dhe më 1944, apo me shpërnguljet e vazhdueshme. Autori në këtë pjesë ndalet dhe analizon hollësisht zhvillimet në antikitet për të arritur mandej në zhvillimet aq të rëndësishme të kohës së Vilajetit të Kosovës që ishin ngjarjet më të rëndësishme dhe më domethënëse për formimin e shtetit shqiptar, edhe pse për këtë pjesë të tokave shqiptare të gjitha ngjarjet nuk rrodhën në interes së vetë shqiptarëve.
Realitetin demografik autori e sheh si një faktor shumë të rëndësishëm të vazhdimësisë etnike që nga antikiteti pavarësisht se është bërë luftë e përhershme për rrënimin dhe ndryshimin e atij realiteti. Në kuadër të kësaj autori ndalet në pikat kryesore të atyre përpjekjeve dhe të zhvillimeve në këtë anë duke analizuar angazhimin e mbretërisë jugosllave dhe shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, përpjekjet e vazhdueshme për asimilim të shqiptarëve, rrënimin e Jugosllavisë së Versajës, Lidhjen II të Prizrenit dhe Shtetin e Pavarur Shqiptar,NDSH-n e Shkupit dhe opsionin e bashkimit kombëtar për të arritur deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe lufta e saj.
Kapitull iu veçantë i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rrugës së zhvillimit të saj, tri aspekteve të luftës së UÇK-së – atij ushtarak, diplomatik dhe politik duke arritur edhe në përfundime të caktuara për secilin aspekt të kësaj lufte.Vëllimi i shtatë përfshin periudhën kohore 2002-2008 nëpër të cilën kaloi Kosova. Autori konstaton se Kosova në këtë periudhë kaloi nëpër dy faza të rëndësishme të zhvillimit politik dhe shoqëror që do ta çojnë te shpallja e pavarësisë.
E para ka të bëjë me krijimin e institucioneve vetëqeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve të lira parlamentare dhe e dyta lidhet me plotësimin e kritereve – “Standardet para statusit”. Në këtë mënyrë procesi i arritje dhe shpalljes së pavarësisë u vu në binar të pakthyeshëm. Autori duke kaluar nëpër këtë periudhë kohore gjashtëvjeçare dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet më vendimtar të zhvillimit të Kosovës jep një pasqyrë të realitetit të dokumentuar me fakte relevante për Standardet para statusit, Trazirat e Marsit 2004, Tribunalin e Hagës, Hapjen ne statusit final, Vdekjen e Presidentit Rugova, Bisedimet e Vjenës, Propozimet e Ahtisarit, të gjitha këto faza të zhvillimeve drejt shpalljes së pavarësisë.
Në këtë vëllim autori ka vënë edhe një Shtojcë që është me interes të veçantë, në të cilën i bën një qasje historike identitetit kulturor dhe atij shtetëror të shqiptarëve nga antikitetit e deri në kohën tone të ndërlidhur me mbretërinë e Dardanisë si dhe e krishterimit nga shfaqja si trashëgimi shpirtërore e shqiptarëve e cila me Pakon e Ahtisarit sa nga kompromiset e dëmshme politike për të pranuar realitete të reja e sa nga një destruksioni një pjese të historianëve shqiptarë se krishterimi ortodoks ishte identitet pushtues dhe asimilues sllav, nga i cili duhej hequr dorë, iu dhurua thuaja se vullnetshëm Serbisë, ndonëse politika hegjemoniste e Beogradit nga shek. XIX e këndej duke përvetësuar ortodoksinë si dhe objektet kishtare në Kosovë me falsifikime e shpalli atë si pjesë e kishës ortodokse serbe e me këtë edhe të trashëgimisë së saj kulturore si pjesë e të drejtave historike.
Në vëllimin e tetë janë përmbledhur dokumentet më të rëndësishme të zhvillimeve historike dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përcaktuar edhe historinë shqiptare, Vendimet e Shën Stefanit, ato të Kongresit të Berlinit dhe një zgjedhje e dokumenteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një pjesë e këtyre dokumenteve shpeshherë janë komentuar edhe njëanshëm duke mos u mbështetur në origjinalet ose duke mos i njohur sa duhet apo edhe me qëllim të caktuar. / KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës së qytetit në Gjakovë u bë përurimi i “Trilogjisë gjermane” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi. Autori, promovimin e veprës e shfrytëzoi për një bashkëbisedim me shkrimtarët dhe intelektualët rreth temës “Shekulli i mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i kësaj vepre. Sipas autorit, marrja letrare me një problematikë të tillë ka pasë për qëllim nxjerrjen në pah të një absurditeti historik që ka përcjellë shtetndërtimin shqiptar nga 1912 deri te ndëryrja e NATOT-s e vitit 1999, kur edhe u krijuan rrethanat për shtetin e dytë shqiptat në Ballkan – Kosovën, me ç’rast ky zhvillim është përcjellë me kundërshtimin, por edhe luftën shtetit shqiptar nëpërmes vëllavrasjeve dhe veprimeve të tjera të papërgjegjshme me pasoja tragjike.
Në njërën anë neotomanizmi dhe në tjetrën anë ideologjia komuniste kanë qenë faktorët që kanë deyterminuar shekullin e mbrapsht shqiptar theksoi Buxhovi.Kjo anatemë, në njëfarë dore, ka vazhduar të përcjell edhe shtetin e Kosovës, i cili, prej vitesh nuk po ia del të stabilizohet, nga parteriteti i faktorit ndërkombëtarë me forcat e caktura politike me pedigre kriminale, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, duke rrënuar kështu të gjitha shtyllat e sistemit të vlerave (arsimin,kulturën, shëndetësinë) ekonominë dhe të tjerat.
Në këto rrethana, autori tha se kërkohet një ndergjegjësim i përgjithshëm drejt një ndryshimi rrënjësor, i cili nuk është i mundur pa angazhimin e drejtpëdrejtë të intelektualëve, shumë prej të cilëve, për përfitime të ndyshme, kanë hyrë në sherbim të kësaj politike rrënuese. Në fund, kryetari i shoqatës së intelektualëve të Gjakovës, Ruzhdi Sefa, doli me propozimin që të ndalohet fushata linçuese ndaj Buxhovi, që po zhvillohet kohëve të fundit nga çarqet e caktuara politike dhe shtetërore, me rastin e qëndrimeve të tij kritike, propozim që u pranua unanimisht./KultPlus.com
“Trilogjia gjermane” e përbërë nga romanet “Vdekjet e kolonelit”, Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, do të promovohet sot në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, autori do të bëjë një bashkëbisedim me krijuesit dhe intelektualët e qytetit rreth “Shekullit të mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i trilogjisë.
Ky aktivitet, përcillet me donacionin prej 200 librash nga fondi personal, dhuratë Bibliotekës së Qytetit në kuadër të “Këndit të autorit”.
Në Panairin e librit në Tiranë, historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi paraqitet me dy vepra historiografike: “Kosova I-VIII” dhe “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra e parë (Kosova) shfaqet e kompletuar me tri vëllimet e fundit (VI,VII dhe VIII). Ndërsa “Maqedonia”, si vëllim i parë i trinitetit mbretëror ilir bashkë me Dardaninë dhe Epirin, që pritet të kryhen së shpejti.
Në fushën letrare, Buxhovi shfaqet me “Trilogjinë gjermane” të përbërë nga romanët: Vdekjet e Kolonelut, Kujtimet e zonjës von Braun dhe Kodi i dashurisë.
Veprat historiografike gjenden në shtandin e botuesit “Faik Konica”. Ndërsa ato letrare në shtandin e botuesit “Pena” nga Prizreni./KultPlus.com
Theksime nga fjala hyrëse në promovimin e “Trilogjisë gjermane” në KultPlus
Ngjarjet historike si dhe historia si ngjarje përherë kanë qenë edhe vokacion krijues. Por, kjo, vazhdimisht ka “tensionuar” raportet midis tyre, ngaqë krijimtaria është munduar dhe mundohet pareshtur që faktet historike t’i kthejë në fakte jetësore, ndërsa historiografia ka pretenduar dhe pretendon që realitetet jetësore t’i trajtojë si fakte historike. Mund të thuhet se në këtë “konfrontim” të pandalshëm, fitues shfaqet krijimtaria, ngaqë ngjarjet që i trajton ajo, si fakte jetësore, kthehen në kujtesë shpirtërore, në monument të përhershëm, siç ka ndodhur me veprat madhore “Iliadën”, “Eniden”, “Luftën dhe paqen” dhe të tjera nga antikiteti e deri te koha jonë. Ndërsa vokacioni historik mbetet përherë i pasigurt, ngaqë u nënshtrohet fitimtarëve, despotëve dhe diktatorëve, të cilët pretendojnë ta kthejnë historinë në “monument” të regjimit apo të ideologjisë për nevoja politike, gjë që jo rastësisht, çdo gjeneratë kërkon me të drejtë rishqyrtime, që edhe si të tilla mbesin të paqëndrueshme. Natyrisht se edhe “Trilogjia gjermane” me veprat “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, shfaqet si projekt letrar, i cili mbetet në kornizat e klishesë, ku faktet e caktuara historike, nëpërmes imagjinatës, kthehen në fakte jetësore.
Pa hy në aspektin e vlerësimit letrar të këtij prosedeu, që nuk i takon autorit, por lexuesve, megjithatë, autori, me këtë rast, ndjen nevojë që ky projekt letrar të përcillet me disa informacione udhëzuese, në mënyrë që të kihet parasysh se ngjarjet që shtjellohen në këtë vepër lidhen me faktet e caktuara historike, ku madje, shumë nga personazhet, ndonëse në vorbullën imagjinativ, vinë nga historia, siç janë edhe ngjarjet mbi të cilat mbështetet edhe trungu i veprës, gjë që kanë ndikuar që projekti të quhet “Trilogjia gjermane”, që më të drejt hap edhe pyetjen hipotetike rreth këtij emërtimi.
Natyrisht se edhe këtu rol vendimtar ka historia dhe pretendimi që nëpërmes fokusimit imagjinativ, të nxirren në pah ngjarje që ndërlidhen me ato fakte historike, ku lidhjet kulturore dhe politike të shqiptarëve me gjermanët, sidomos ato nga shekulli kaluar e deri më sot, luajtën një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe politike të shqiptarëve, nga zhvillimet që çuan të lindja e shtetit shqiptar, ndonëse të cunguar (me Kosovën dhe Maqedoninë e mbetur nën sundimin jugosllav) e deri te ato që mundësuan krijimin e shtetit të Kosovës, si një realitet i ri në raportet politike dhe shtetërore në rajon në përputhje me interesat e Perëndimit, për ç’gjë, NATO-ja përdori edhe ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999, e ku Gjermania ishte partneri kryesor i këtij veprimi.
Në këto realitete, gjithsesi se implikimi i faktorit politik gjerman në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve është emblematik, jo vetëm për atë se në krye të shtetit shqiptar caktohet Princ Vidi, misioni i të cilit do të përfundojë pas gjashtë muajsh kur do të fillojë Lufta e Parë Botërore, por edhe për atë se Berlini dhe Vjena, do të jenë referencë e të gjitha zhvillimeve që ndikuan suksesin ose mossuksesin e botës shqiptare midis dy luftërave botërore, gjatë luftës së dytë botërore, kur do të bëhet edhe bashkimi i përkohshëm por i pjesshëm shqiptar, e deri te zhvillimet që çuan te shfaqja e shtetit të Kosovës.
Ky zhvillim, gjithsesi do të ishte i thatë, pa aspektet jetësore nëpër të cilat kaluan lidhjet midis dy popujve, të përcjella me drama, po edhe tragjedi të shumta, ku gjithsesi për autorin me interes të veçantë kanë qenë ato që kanë nxjerrë në pah dimensionin e emancipimit të brendshëm shqiptar të ndikuar prej tyre, emancipim ky që në disa faza të caktuara historike, është përcjellë edhe me fatkeqësi dhe tragjedi nga anatema e “fashizmi” ( pas luftës së dytë botërore, po edhe më vonë).
“Trilogjia gjermane” vendoset mbi këto raporte dhe mbi këto anatema. Andaj, nuk është e rastit që edhe shumica e personazheve, në përputhje me këtë “mallkim” pësojnë në forma të ndryshme, siç pësojnë gjithë ata që janë pjesë e këtyre lidhjeve e ku del në pah edhe fakti thuajse absurd, se në disa faza, gjermanët e përfshirë në jetën shqiptare (veçmas vullnetarët e shumtë që erdhën në mbrojtje të Princ Vidit, po edhe më vonë), shfaqen më idealist dhe më të përkushtuar për mbrojtjën e kauzës shqiptare se sa vetë shqiparët, shumë prej të cilëve, madje, siç dihet luftojnë edhe kundër shtetit shqiptar dhe përiqen ta kthejnë edhe rrotën e historisë prapa me çka del në pah edhe simbolika e shekullit të mbrapsht shqiptar.
Ky realitet jetësore, sado tragjik, megjithatë, ndërton dramën e brendshme shqiptare në dy fazat vendimtare të shtetndërtimit (atë të shtetit shqiptar nga 1912-1945) dhe të Kosovës, nga 1991-1999, së cilës është dashtë t’i paguhet çmim i madh, por që ka mbajtur të gjallë frymën e projekteve politike dykahëshe: për çlirim nga dhuna e ideologjisë komuniste si dhe çlirim nga pushtuese shekullor. Ky realitet jetësor, po ashtu, përkundër përpjekjeve të njohura për kthim prapa, sië ishin ato “duam babën” dhe të ngjashme, nacionalizmin shqiptar, e ka kthyer në binarët e qytetërimit evropian dhe të përkatësisë së tij, ku shëmbëllesa gjermane ka luajtur një rol të veçantë, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë politik për t’i përballuar vështirësitë historike, që në disa faza kanë qenë identike…/KultPlus.com
Në ambientet e KultPluss Caffe Gallery, sot promovohet ”Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit, e cila përfshin romanet: “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, shkruan KultPlus.
Romanet janë të botuara në periudhën e viteve 2005/2006, mirëpo përfshirja e tyre në kuadër të kësaj trilogjie ka të bëjë me një përpunim letrar brenda një koncepti të përbashkët tematik që i lidh.
Autori Jusuf Buxhovi do të bashkëbisedojë me të pranishmit rreth rolit të shkrimtarëve në krijimin e vëtdijes politike, si bazë e projektit shtetëror si dhe do të shpërndajë libra për lexuesit.
Për më shumë detaje rreth ”Trilogjise gjermane”, Jusuf Buxhovi ka treguar sot në intervistën e realizuar në kuadër të emisionit Mirëmëngjesi Kosovë.
Bashkangjitur gjeni linkun me intervistën e plotë. /KultPlus.com
“Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit doli këto ditë nga shtypi nga shtëpia botuese “Pena” nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Kjo triologji përfshinë romanet: “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë” (fitues i çmimit kombëtar për letërsi në vitin 2006).
Romanet veç e veç janë botuar në vitet 2005-2006. Ndërsa përfshirja e tyre në kuadër të “Trilogjisë gjermane” ka të bëjë me një përpunim letrar përbrenda një koncepti të përbashkët tematik që i ndërlidh.
Promovimi i “Trilogjisë gjermane” do të bëhet javën e ardhshme, më 31 tetor, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.
Gjatë këtij promovimi Buxhovi do të shpërndajë disa libra për lexuesin e tij. / KultPlus.com
“Vepër madhore dhe e rëndësishme e historiografisë shqiptare”, kështu e vlerësoi librin më të ri të Buxhovit historiani Qerim Lita.
Pas Tetovës dhe Strugës, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” arriti
edhe Shkupin, promovimi i së cilës u bë në Qendrën Kulturore Informative të
kryeqytetit, përcjellë KultPlus.
Me këtë rast, historiani Qerim Lita tha se studiuesi dhe historiani i
mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, pas botimit të veprës madhore në tetë
vëllime, “Kosova”, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po
aq madhore dhe të rëndësishme “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.
Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.
Për Qerim Litën, në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”.
Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtyrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasit”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).
Sipas Qerim Litës, edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londrës, ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike. Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.
Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.
Në fund, Qerim Litaq tha se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Në fund, autori foli rreth nevojës për neoshqiptarizmin, si një imperativ në rrethanat e reja, me ç’rast theksoi se bashkimi kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, duhet të zëvendësohet me formulën e unionit të shteteve shqiptare. / KultPlus.com
Libri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, do tëpromovohet edhe në Strugë e Shkup, shkruan KultPlus.
Struga do ta
mirëpres këtë libër për promovim nesër në sallën e Kuvendit të Komunës në orën
19:00.
Ndërsa,
promovimi i këtij libri në Shkup, bëhet të enjten, në Qendrën Kulturore, në
orën 19:00.
Studimi
monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri
te koha jonë është pjesë e botës ilire-dardane. Duke u përqendruar te faktorët
etnikë, shoqëror-politik dhe kulturor në një vazhdimësi mbi dy mijë vjeçare, në
trekëndëshin e mbretërive maqedone, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah
një identitet i caktuar historik me trashëgimtar të vetëm shqiptarët e
sotëm.
Në këtë vepër
voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat
e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me
pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e
perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata
shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e
“shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror
dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së
Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e
botës ilire.
Kështu, duke
u mbështetur mbi dokumente të shumta nga Vatikani, Bizanti, po edhe ato sllave,
që nuk janë manipuluar dhe sajuar nga historiografia serbe dhe ajo ruse e
shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi, dinastia e Rashës del e veçuar nga
formacionet politike dhe shoqërore sllave, të faktorizuara në mesjetë nga
Vatikani dhe Kostandinopoja për qëllime politike, me ç’rast edhe përpjekjet
hegjemone të Nemanjajve në Ilirik, të cilësuar vazhdimisht si Tribal (fis ilir)
shihen si vazhdimësi e mbretërisë dardane për ta trashëguar kurorën e Bizantit,
gjë që nuk është e rastit që edhe në bulat dhe kartat e pamanipuluara nga
Beogradi, në kuadër të shtetit të Rashës vazhdimisht përfshihen edhe Arbrit dhe
Maqedonët. Në këtë aspekt, dinastia rasiene e Nemanjajve, krishterimin e
shfrytëzoi për pushtet politik siç kishte vepruar Konsandini i Madh dhe
Justiniani, me ç’rast, në raporte e reja të ndarjes së kishave dhe luftës së
tyre për pushtet, ndonëse së fundit u mbështet te kisha lindore, ruajti lidhjet
e mira dhe madje të pashkëputura me Vatikanin dhe katolicizmin, së cilit edhe i
kishte takuar nga fillimet dhe prej nga buron edhe fuqia politike e tyre.
Në pjesën e fundit, që ka të bëjë me zhvillimet nga Kriza Lindore e këndej, e ku për herë të parë shfaqet edhe Maqedonia si koncept gjeografik për qëllime hegjemoniste serbe, greke dhe bullgare prej nga, në vitin 1944, Titoja e shfrytëzoi për krijimin e republikës maqedone në kuadër të federatës jugosllave, shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe shpallja e shteti të pavarur maqedon, shihet si një zhvillim antihistorik për rrëzimin e identitetit historik të shqiptarëve. Të trajtuar si pakicë, shqiptarët përjashtohen nga shtetformimi, me çka edhe lufta e vitit 2001 shihet e papërfunduar, ndërsa shteti maqedon, i përkohshëm dhe faktor i një krize të hapur. / KultPlus.com
SHTETNDËRTIMI I KOSOVËS DHE FSHIRJA E KUJTESËS HISTORIKE!
(Një reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike
që lidhen me shtetndërtimin e Kosovës, siç ndodhi me injorimin e Referendumit
për Pavarësi)
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…” Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Sigurisht se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit. Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri. Të tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nxori në skenë nacionalizmin politik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1880), të parin organizim shtetëror pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen. Kështu, në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave, me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale, përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik. Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të suksesshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domosdoshme për një shtet të pavarur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e jashtme për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë” me limitet e së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK–së, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart, jo vetëm që kanë filluar të anashkalohen, por edhe “të harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Kjo u pa më së miri me rastin e 26 shtatorit, ditës së Referendumit për Pavarësi, të aktit historik dhe legjitim të vetëvendosje, kur jo vetëm nuk u shënua kund, por thuajse u injorua fare nga mediet e mbikëqyrur nga politika mafioze dhe veçmas nga “historianët” si dhe institutet ku ata mrizojnë (ai i Historisë dhe Albanologjisë), që jo vetëm nuk i shënojnë këto data, në mënyrë që historia e shtetndëritmit të Kosovës të shpjegohet në përputhje me zhvillimet politike e shoqërore si dhe proceset historike shumëshekullore nëpër të cilat ka kaluar, por angazhohen që shtetndërtimi i Kosovës të shkëputet nga këto procese historike për t’u parë në përputhje me përrallat dhe thashethemet e “çlirimtarëve” të shpifur, të cilët shtetin e kanë kthyer në plaçkë të tyre. Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, me logjikën e “Fermës së kafshëve” të Orvellit dhe dokrrat e “qytetarisë amorfe” të diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud kaçakësh pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qëndronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbyllur ende, gjë që si po sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986! Dhe, kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht pa ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës; po ndodhë vetë-shkatërrimi i identitetit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës). Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë! Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!… /KultPlus.com
Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka kujtuar Referendumin për Pavarësi të Kosovës më 26 shtator të vitit 1991, të cilin e ka vlerësuar si akt sublim të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.com
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Përkujtesë historike:
REFERNDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS – AKT SUBLIM I VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË KOSOVË
Më 26 shtator të vitit 1991 është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. Në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.
Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin. Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008″, ka shkruar Buxhovi në Facebook.
Brenda territorit të Kosovës ekziston një
tabelë me mbishkrimin “Republika e Serbisë- Kosova dhe Metohija”. Ky skandal e
ka shtyrë historianin e njohur Jusuf Buxhovi të reagoj menjëherë përmes një statusi
në Facebook, shkruan KultPlus.
“Realiteti i ynë sot: Agresioni i
Serbisë në Kosovë si edhe krekosja e politikanëve tanë për Kosovën 100% shtet”,
ka shkruar ai në Facebook.
Kjo tabelë është e vendosur në hyrje të komunës me shumicë serbe, Zubin
Potok, në veri të vendit.
Institucionet e vendit ende nuk kanë reaguar diçka rreth kësaj çështje. / KultPlus.com
Me shpalljen e shtetit shqiptar në vitin 1912 si dhe shtetit të pavarur të Kosovës si të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull, koncepti i Rilindjes kombëtare për bashkimin e katër vilajeteve në një shtet shqiptar, po i rrumbullakon objektivat historike.
Në rrethanat e reja politike,veçmas të atyre të natyrës gjeostrategjike dhe gjeopolitike të sferave të interesit, retorika e ideologjisë kombëtare e shekullit nëntëmbëdhjetë duhet të zëvendësohet me konceptin e unionit të mundshëm shtetëror demokratik Shqipëri-Kosovë, që për parakusht duhet të ketë stabilizim e plotë shtetëror të Kosovës si dhe integrimin në strukturat veriatlantike dhe assesi shuarjen dhe shkrirjen e tij për të cilën janë të interesuar Beogradi dhe Moska në mënyrë që çështja shqiptare të rrudhet në një shtet me arnime që u përcaktohen prej tyre…
Ndryshimi i këtij diskursit nuk e shpërfillë realitetin kombëtar shqiptar dhe rëndësinë e tij si fuqi shpirtërore së cilës i duhen forma të reja për ta ruajtur vitalitetin e brendshëm në përmasat etnike.
Përkundrazi, kapërcimi nga konteksti ideologjik te ai shtetëror, një qëndrimi historik, i cili me shumë e shumë sakrifica i ka ushqyer proceset e shtetformimit dhe i ka sjellë deri këtu, ia jep karakterin politik dhe diplomatik në përputhje me konfigurimet e brendshme mbi të cilat mbështetet qenia e shtetit shqiptar (baraspesha identitare veri-jug rrënimi i së cilës e kthen në objekt kusuritjesh të jashtme) dhe e shtetit të Kosovës si interes gjeostrategjik i Perëndimit, për të cilin, nga ana e tyre, u përdor edhe lufta… /KultPlus.com
Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”,nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit Shkruan:
Aleksandar ZOTO Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.
Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim. Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman. Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi. Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane. Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.
Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.
Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.
Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë:figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë. Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.
Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara. Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë.Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta.Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.
Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?
Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.
Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij. Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane. Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar,sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë? Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.
Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka. Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.
Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik;ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllezërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.
Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.
Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit.Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare. Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë,përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.
Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vërtetojnë mjaftueshëm:ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. …… / KultPlus.com
Kuvendi i e Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Me ç’rast Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e rezistencës së armatosur kundër okupimit, që do të pasqyrohet me shfaqjen e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi „ shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”. /KultPlus.com
Organizata për kritikë letrare në rajonin Midwest, Midwest Book Review, ka analizuar veprën e Jusuf Buxhovit përmes së cilës ka shkurar sesi Kosova është vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë, ka njoftuar Jusuf Buxhovi, transmeton KultPlus.com
Jusuf Buxhovi e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook
“Shtypi amerikan për “KOSOVËN”
“Midwest Book Review” : “Kosova -Vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë
Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan. Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”: “Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne,
Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj.
Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.
Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë.
Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti”. /KultPlus.com
Me anë të një postimi në prfilin e tij në Facebook historian, gazetar dhe poeti ka festuar ditëlindje e tij të 73-të, shkruan KultPlus.
Historian, gazetar dhe poeti Jusuf
Buxhovi ka lindur në Pejë më 4 gusht të
vitit 1946.
Mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në Gjakovë. Studioi Gjuhë dhe
Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua në vitin 1968.
Studimet posuniversitare i kreu në degën e historisë së Univeristetit të
Kosovës në vitin 1979, me ç’rast , me temën “Lidhja shqiptare në
dokumentet gjermane”,mori titullin e magjistri të shkencave të hisitorisë.
Karrierën e shkrimtarisë e nisi si poet dhe gazetar i kulturës
në gazetën “Rilindja” në vitin 1967, të cilën e vazhdon si korrespondent i saj
në Gjermani, deri në fund të vitit 2008. Këtu nis cikli i romaneve triologjikë
përpunuar vitet e fundit dhe ku prozatori në mbi dy mijë faqe përcjell dramën e
mbijetesës, vazhdimësisë dhe jetës. Rreth krijimtarisë letrare të viteve të
fundit të autorit, mund të thuhet se me romanet “Prapë Vdekja I, II,
III” (1991-1995) pastaj me “Letrat për Kryeprincin” (2002),
“Vera e fundit e Gjin Bardhit” (2003), si dhe “Trilogjinë
Gjermane” (Vdekja e Kolonelit, Kujtimet e zonjës Von Braun dhe Kodi i
Dashurisë) të botuara në vitet 2004-2006, krijon një cikël tematik të eposit të
prozës shqipe, i cili mbështetet mbi qenien ekzistenciale të popullit shqiptar
që nga antika e deri në ditët tona.
Në këtë mënyrë autori shfaqet me një prosede letrar që është i
ndërthurur dhe i ndërlidhur organikisht, ku historia kthehet në një fakt
letrar. Këtij kundrimi nuk i kanë shpëtuar as ngjarjet e fundit, vecmas ato të
viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, të cilat gjetën një pasqyrim të denjë në
romanin “Kodi i dashurisë” i cili në vitin 2006 u nderua me cmimin
kombëtar “Azem Shkreli”, si vepra më e mirë e vitit.
Në
vazhdën e ktij angazhimi duhet parë edhe pjesën e parë të trilogjisë
“Libri i Bllacës” që doli nga shtypi në janar të vitit 2007, dhe
pritet që pjesa e dytë dhe e tretë e këtij libri të botohet gjatë këtij viti,
pasiqë, sipas autorit ato, si tekste letrare, tashmë janë kryer dhe gjenden në
fazën e fundit të daljes nga shtypi.
Në
vitet në vazhdim Jusuf Buxhovi vazhdoi veprimtarinë e sukseshme si romansier.
Botoi romanet: “Libri i Gjakovës” (2008), “Lufta e fundit e
Bashkim Kosovës” (2011), “Dosja e hapur” (2012), “Jeniçeri
i fundit” (2013) dhe “Dosja B” (2016).
Krahas
letërsisë, Jusuf Buxhovi shënoi suksese edhe si historian. Pas punës së gjatë
hulumtuese në arkivat gjermane publikon monografitë “Kongresi i Berlinit
1878” (2008) dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare”
(2012), si dhe “Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Europiane” (2010).
Suksesin më të madh si historian Buxhovi e shënon me veprën pesë-vëllimëshe
“Kosova” (2012-2015), e cila pati shtatë botime.[nevojitet citimi] “Kosova”
në tri vëllime u botua edhe në anglisht në SHBA nga botuesi “Jalifat
Publishing” (2015).
Për merita shkencore në historiografi, në vitin 2017, Ministria e Kulturës dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës ia ndau çmimin “Historian i Vitit”
Këto janë disa nga veprat e tij:
“Cirku”, tregime, “Rilindja” – 1972
“Pioni”, tregime , “Rilindja” – 1975
“Matanëkrena” – roman, “Rilindja” – 1976
“Çaste” – vështrime letrare, “Rilindja” -1978
“Dinozauri” – dramë, “Rilindja” – 1979
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” – roman, “Rilindja” – 1982
“Ura e Fshejit” – novela, “Rilindja” – 1983
“Pranvera e zhveshur” – dy drama, “Rilindja” – 1984
“Nata e shekujve” – roman, “Rilindja” – 1985. (Fitoi Çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës)
“Galeria e të vdekurve” – roman, “Rilindja” – 1987
“Libri i të mallkuarve”- roman triptik , “Rilindja” -1989. ( Fitoi çmimin letrar “Hivzi Sulejmani”)
“Prapë vdekja 1” – roman, “Rilindja” – 1991 (Fitoi Çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës)
“Prapë vdekja 2” – roman, “Rilindja” -1993
“Prapë vdekja 3” – roman, “Rilindja” – 1995
“Qyteti i dënuar me vdekje“- roman, “Faik Konica” – 2000
“Letrat për Kryeprincin“- roman, “Faik Konica” – 2003
“Vdekja e Kolonelit” – roman, “Faik Konica” – 2004
“Vera e fundit e Gjin Bardhit” – roman, “Faik Konica” – 2004
“Kujtimet e zonjës Von Braun“- roman, “Faik Konica” – 2005
“Kodi i dashurisë”– roman, “Faik Konica” – 2006. (Fitoi çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, si vepra më e mirë e vitit)
“Udhëtimi i Mendim Drinit“- roman, “Faik Konica” – 2006.
“Libri i Bllacës 1 – Shënime nga psikiatria” – trilogji, “Faik Konica” – 2007.
“Libri i Bllacës 2 – Bota e përmbysur e Urtakut” – trilogji,”Faik Konica” – 2007.
“Libri i Bllacës 3 – Etër e bij” – trilogji, “Faik Konica” – 2007.