Në qendrën kulturore “Margarita Xhepa” promovohet libri i autores shqiptare

Libri për fëmijë “Aventurat e Fiorit” i autores Amazona Hajdaraj, do t ë promovohet ditën e shtunë më 13 nëntor ora 10:00 në Qendrën Kulturore Artistike “Margarita Xhepa. Në aktivitetin e organizuar nga “Tea Room” dhe shkolla e gjuhës shqipe “Udha e shkronjave” do të jetë e pranishme edhe autorja.

“Aventurat e Fiorit” është libri i saj i fundit. Libër për fëmijë i publikuar nga shtëpia botuese “La strada për Babilonia”. Libri është shkruar nga italisht, përkthyer në gjuhën shqipe nga Sabina Darova.

Në librin e saj të fundit “Aventurat e Fiorit” i prezantuar edhe në disa qytete të Italisë, autorja tregon se “Fiori është një qen që jeton në Amerikë. Për arsye pune padroni i tij amerikan trasferohet në Shqipëri”.

Nëpërmjet kafshëve, autoria vë në dukje ndryshimet kulturore të shoqërisë sot, e prek tema të rëndësishme siç janë itegrimi, rëndësia e miqësisë dhe mbrojtja e natyrës. / KultPlus.com

Hapet qendra e parë kulturore shqiptare në Bronx

Një qendër e re sociale dedikuar plotësisht komunitetit shqiptar ka çelur dyert mbrëmjen e  djeshme në Bronx, New York. Qendra e parë Kulturore në Bronx e financuar në shumë prej 8.7 milionë dollar nga shteti i New Yorkut, me mbështetjen e këshilltarit shqiptar të bashkisë së New Yorkut, Mark Gjonaj.

Në mbrëmjen inauguruese të pranishëm ishin dhjetra pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët pas himneve respektive amerikane e shqiptare dhe fjalës së rastit kanë ndjekur një program artistik të përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit u shprehën mirënjohës ndaj z. Mark Gjonaj për këtë nisëm që do tí afrojë edhe më shumë shqiptarët mes tyre dhe do ti ofrojë mundësi të reja për arsimim. Tashmë mësimi do të zhvillohet në klasa që plotësojnë të gjitha kushtet.

Nxënësit e shkollës prej gjashtë javësh kanë bërë prova për programin e zhvilluar ditën e inaugurimit. Në ambientet e reja do të ketë vend për nxënësit e shkollës shqipe, si dhe për aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar. / KultPlus.com

Vihet gurëthemeli i Qendrës Kulturore në lagjen ‘Kodra e Trimave’, vlerësohet si projekt i jashtëzakonshëm

Mundësi për kënde të reja të leximit, shfrytëzimit të një hapësire kulturore dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme po i shtohen Prishtinës, më saktësisht lagjes ‘Kodra e Trimave’, përmes një projekti tejet të nevojshëm për këtë pjesë, shkruan KultPlus.

Pikërisht sot, pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe prokurimit, e po ashtu edhe nënshkrimit të kontratës, filluan punimet për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale Kulturore me fokus Bibliotekën në lagjen ‘Kodra e Trimave’, ku për të përcjellë nga afër dhe për të hedhur gurë-themelin e parë, të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

Duke pasur parasysh të gjitha investimet në infrastrukturë dhe aktiviteteve të ndryshme, Shpend Ahmeti  potencoi se rëndësia e këtij objekti është në shërbim të leximit dhe funksioneve të tjera kulturore të cilat do të duhej të ishin pjesë e përditshme e çdo njeriu.

“Përkundër disa investimeve që janë zhvilluar në këtë lagje në vitet e fundit, duke përfshirë çerdhen më të madhe në Prishtinë dhe plotë rrugë tjera, megjithatë kjo lagje ka mbetur një prej lagjeve më të pabarabarta me lagjet e tjera”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, edhe nëse ata do të kishin shpenzuar të gjithë buxhetin e Prishtinës në lagjen ‘Kodra e Trimave’, përsëri do të nevojiteshin edhe 10 vite për tu barazuar me lagjet e tjera për shkak të mungesës së investimeve në këtë pjesë.

Tutje ai pohoi se kjo lagje tanimë është e favorizuar, “Por ende nuk kemi dalur në plus, prandaj edhe po mendojmë të sjellim sa më shumë projekte në këtë lagje”, potencon Ahmeti.

Projekti përfshin gjithsej 150 ditë punë duke filluar nga sot dhe ka një buxhet afro 141 mijë euro, dhe për rëndësinë e saj dhe vlerat kulturore foli edhe drejtori Adrian Berisha duke e konsideruar këtë projekt si të jashtëzakonshëm.

“Projekti është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht për lagjen ‘Kodra e Trimave’, duke pasur parasysh se në tërë këtë lagje nuk ka as edhe një qendër të vetme kulturore të tillë, prandaj është edhe e jashtëzakonshme që ky projekt do të ndërtohet”, tha Berisha.

Shoqëria e cila është në mungesë të mundësive të shfrytëzimit të një biblioteke, ka pabarazuar qytetarët me komunitetet e tjera të cilat tashmë kanë një bibliotekë. Por edhe pse në mungesë të saj, disa qytetarë hasën në një problem të vogël ku nxënësit që kanë përdorur një rrugë për të hyrë në shkollën ‘Hilmi Rakovica’, tanimë është mbyllur për shkak të rreziqeve përgjatë punimeve.

Për këtë shqetësim të qytetarëve u kujdes edhe vetë drejtori i Drejtorisë për Kulturë, i cili tha se çdo kërkesë dhe sugjerim i banorëve do të trajtohet me shumë seriozitet.

“Qëllimi i Komunës së Prishtinës është një qëllim i mirë, për të rinjtë të cilët mund të kalojnë kohë duke u fokusuar në edukim dhe kulturë, prandaj edhe pas vendosjes së gurë themelit do të diskutohet për një gjuhë të përbashkët në mënyrë që nxënësit të kalojnë në një rrugë të përshtatshme, gjithmonë duke pasur parasysh që të mos rrezikohet jeta e askujt”, përfundon Berisha

Ky projekt u mundësua nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin UBT dhe Studio G+A Architects për donacionin e projektit kryesor, udhëhequr nga Arbër Sadiki dhe ideuar nga Rilind Sadiku. / KultPlus.com

Projektohet qendra kulturore ‘Nexhmije Pagarusha’

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka bërë përzgjedhjen e projektit në bazë të së cilit do të ndërtohet kjo qendër kulturore në fshatin Pagarushë të Malishevës.

Kjo qendër kulturore pritet të kushtojë rreth 23 mijë euro mirëpo ende nuk ka përllogaritje se sa mund të kushtoj konkretizimi i këtij objekti.

Arkitekti Lulzim Gashi, i cili drejton kompaninë që ka fituar këtë tender, ka shpjeguar se formësimi arkitektonik është arritur duke ndërlidhur lokacionin në fshatin Pagarushë, respektin ndaj këngëtares dhe kërkesave për këtë qendër kulturore, transmeton KultPlus.

Sipas Gashit, ky projekt ka formë të pastër gjeometrike, materiale të harmonizuara dhe formësim bashkëkohor. / KultPlus.com

‘Qendra Rinore’ në Kamenicë në gjendje të mjerueshme (FOTO)

Fotografitë: Arian Mavriqi

“Qendra Rinore” në Kamenicë, aty ku do të duhej që të rinjtë e këtij vendi të zhvillonin aktivitete të ndryshme, vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, shkruan KultPlus.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Komuna e Kamenicës ka bërë publike kontratën e nënshkruar në vlerë 74 mijë euro për rinovimin e kësaj Qendre e cila prej disa vitesh nuk është funksionale.

Por, deri më tash ende nuk është ndërmarrë diçka.

Fotografi Arian Mavriqi sot ka sjell disa pamje që shpalosin gjendjen në të cilën është kjo Qendër. Sipas tij në vitin 2013 ky objekt ka qenë në gjendje shumë të mirë, por ky shkatërrim ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së njerëzve të këtij vendi.

“Me tu kputë shpirti e met lshu zemra! Në 2013-tën këtë objekt “Qendrën Rinore” në Kamenicë e kemi lonë përfekt, te gatshme për aktivitete rinore, dhe sot futem brenda e shoh në këtë gjendje mjeruese dhe krejt çka më sillej në mendje ishte pyetja: Kafshët kështu nuk do bënin sa të jetë jeta. A i ka mbet more një pikë dinjiteti këtij vendi?”, ka shkruar Mavriqi.

Mbetet të shihet nëse Komuna do të ndërmarrë diçka për funksionalizimin e kësaj Qendre Rinore. / KultPlus.com

Thyhet zyra informative e Qendrës Kulturore të BE-së në veri

Persona të panjohur kanë thyer derën e zyrës informative të Qendrës Kulturore të BE-së.

Rasti është lajmëruar nga ankuesja dje rreth orës 02:45 në rr. “Kral Petri” në Mitrovicën Veriore.

Sipas ankueses, nga zyra nuk është vjedhur asgjë.

Rasti po trajtohet si asgjësim apo dëmtim i pronës./ KultPlus.com