Qarku i Korçës, vendi i perlave turistike në pritje të vizitorëve

Nga Vepror Hasani.

“Mjedise të kuruara, bregliqene të bukura, ujëra të pastra, ambiente pa ndotje akustike, ushqim tradicional të sigurt, akomodim sipas standardeve, masa mbrojtëse për jetën e njerëzve, informacion për gjithçka që u ofrohet vizitorëve dhe turistëve, vendosja e ciceronëve atje ku është e nevojshme, përmbushje e 10 rregullave të arta, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”.

Kjo ishte kërkesa e prefektit të Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, drejtuar kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve vendore që kanë lidhje me turizmin. Gjithashtu prefekti Spirollari, kërkoi nga të pranishmit në takim, ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të problemeve të konstatuar gjatë viteve të kaluara me qëllim rritjen e numrit të turistëve dhe të atraksionit për qarkun e Korçës.

Përmes fjalës së tij, prefekti Spirollari tregoi se nuk do të bëhet asnjë lëshim në përmbushjen e kërkesave të parashtruara më sipër, pasi në të kundërt gjithsecili do të marrë përgjegjësinë për detyrat e pakryera. Kjo gjë ishte paralajmëruar prej tij që në fillim të këtij viti, kur ai tha: “Viti 2018 është një vit më detyra shumë të mëdha, kemi përballë integrimin me Bashkimin Evropian, hapja e negociatave do të thotë një punë shumë e madhe dhe me standard. Kjo është e vështirë por jo e pamundur…”.

Gjithashtu, prefekti bëri të ditur se kontrolli nga ana e Inspektorati Shtetëror të Shëndetësisë për cilësinë e shërbimeve që ofrohet prej hoteleve, bujtinave dhe kampeve, si dhe për akomodimin dhe ushqimin në zonat turistike, do të jenë të pranishme para fillimit dhe gjatë sezonit turistik.

Nga sa më sipër, kuptuam se qarku i Korçës është bërë gati për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Megjithatë, për të mësuar më shumë mbi sezonin turistik veror të këtij viti, ne patëm këtë bisedë me prefektin e qarkut Korçë, Dhori Spirollari:

Aktualisht, a jeni gati për sezonin e ri turistik?

Sigurisht që po. Punën përgatitore për sezonin turistik të verës e kemi filluar herët. Sot mjediset dhe bregliqenet e Prespës dhe të Pogradecit janë shumë më të pastra në krahasim me vitet e kaluara, por kjo nuk na lejon të bimë në qetësi. Pastërtinë e ujit të liqenit të Pogradecit e kemi nën kontroll, kemi kërkuar analizat nga institucionet dhe marrjen e masave për personat përgjegjës që shkaktojnë ndotjen. Aktualisht janë përcaktuar vendet për kullat dhe numrin e rojeve për shpëtimin e jetës së njerëzve që frekuentojnë liqenin. Bashkitë kanë marrë kërkesën tonë për të përcaktuar vendet dhe oraret ku do të zhvillohen aktivitetet”.

Sa i preferuar është qarku i Korçës prej të huajve?

Qarku i Korçës i ka të gjitha mundësitë të jetë një vend turistik i preferuar, ku askush të mos mbetet i zhgënjyer, pasi nuk i mungojnë vendet historike, gjetjet arkeologjike, ndërtimet e vjetra përgjatë rrugës Egnatia, ku ka kaluar ajo, siç janë urat, etj. Në hapësirën e këtij qarku, prej Qafës së Thanës deri në Leskovik gjen të papritura nga më të këndshmet jo vetëm historike por edhe bukuri natyrore. Aktualisht qarku ynë vizitohet nga italianët, gjermanët, grekët, holandezët, çekët, suedezët etj dhe nga shumë banorë të qyteteve tona. Numri i bizneseve për akomodim dhe ushqim vjen gjithnjë në rritje. Kemi menduar gjithashtu edhe për vendosjen e një ciceroni në tumën e Kamenicës, e cila tashmë ka vizitorët e vet të shumtë.

Çfarë e tërheq një të huaj, në qarkun e Korçës?

Qarku i Korçës është një vend mjaft atraktiv. Një i huaj mund të gjejë në këtë qark ajrin e pastër, klimën e shëndetshme, ngjitje në mal, ujë të pastër burimesh, gatime tradicionale, veshje popullore, panaire të ndryshme me prodhime bujqësore, punime druri, qeramike, balte, qëndistari, thurrje me thupra etj, të cilat organizohen çdo vit dhe në periudha të ndryshme.

Qarku i Korçës ka qytete të vogla, si Maliqi, Erseka, Leskoviku etj, ç’sukses mund të kenë qytete të tilla?

Deri para pak kohësh mendohej se qytete të vogla, si Erseka, Leskoviku apo Maliqi nuk mund të zhvillonin turizmin, pasi nuk ishin të vizitueshme nga vendasit dhe aq më pak nga të huajt. Por tashmë nuk mendohet më kështu. Qytetet e vogla po vizitohen jo vetëm nga banorët e qyteteve të tjera, por edhe prej të huajve Përgjigjet e tyre kanë qenë: “Erseka është qytet i vogël por shumë i qetë, ka një qendër shumë të bukur, një muze historik dhe etnografik të pëlqyeshëm me 600 objektesh”. Por nuk është vetëm kjo, në qytetet e vogla vërehet shpejt mikpritja, miqësia dhe respekti i treguar, gjë që e bën vizitorin të ndihet mire dhe të ruajë kujtime të bukura.
Gjithashtu pranë këtyre qyteteve gjen pyje të bukura, lokale, fusha hipzmi, argëtime të tjera dhe gjelbërim pa fund gjatë stinës së verës. Sipër qytetit të Ersekës gjendet fshati Rehovë me banesat karakteristike, i pastër, me kalldreme, ofron gatime tradicionale, bukuri të veçanta të malit Gramoz.

Megjithatë, sërish mbeten qytete të vogla?

E vogël është dhe Prespa e Vogël por është një perlë që lë të mrekulluar, ashtu siç të lë me tavën e saj të krapit. E vogël është edhe Dardha, por vijon të mbetet e frekuentuar në çdo stinë të vitit. Shkëlqimi i saj do të jetë i madh në vitet që vijnë. Nuk mund të thuhet e vogël as për Voskopojën me kishat e saj, që vizitohen nga gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri, dhe as për Vithkuqin që të shfaq pamje të ralla që të mbeten gjatë në mendje. Si mund ta quajme të vogël Drilonin, një perlë tjetër kjo, vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Pogradecit. Nëse do të vijonim me Linin e vende të tjera do të zgjateshim shumë. Detyra jonë mbetet të tregojmë më shumë vëmendje dhe më shumë investime. Kurse Pogradeci mund të quhet pa frikë një qytet i madh përsa i përket turizmit dhe historisë së lashtë që ka, i populluar që nga periudha neolitike./ KultPlus.com

Hapet thirrja për aplikim në KO:SH Film Fest 2018

KO:SH Film Fest apo Korça Internatational Short Film Festival, është një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër, i cili zhvillohet nga data 17-21 Korrik në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.

KO:SH Film Fest, këtë vit do të zëvendësojë First Step Film Festival, festivalin ndërkombëtar të filmit të studentor, i cili organizohej që prej vitit 2010 në Tiranë. Arsyeja e shndërrimit të festivalit në një festival i filmit të shkurtër dhe zhvendosja në Korçë ka ndodhur për shumë arsye.

“Korça ka ende funksionale, një ndër kinematë e para që janë ndërtuar ne Shqipëri, Kinema “Majestik”. Gjon Mili, fotografi i famshëm Shqiptaro-Amerikan ka lindur ne Korçë, dhe shumë shpejt do të kemi dhe muzeun dedikuar tij, si dhe shumë arsye të tjera”, shkruhet në njoftimin e festivalit KO:SH.

Përgjatë 5 ditëve të festivalit do të shfaqen 60 deri në 100 filma të shkurtër ndërkombëtar e kombëtar. Do jenë 3 kategori në konkurs, Film Artistik, Dokumentar dhe Animacion. Do të këtë tre kategori kryesore dhe 10 çmime që do të ndahen. Kateforia e filmave ndërkombëtar, kategoria e filmave të studentëve dhe kategoria e filmave kombëtar nga Shqipëria,Kosova dhe Maqedonia.

Në këtë festival do të jenë edhe 10 shpërblime si: Best Film, Best Fiction, Best Documentary, Best Animation, Best Student Film, Best Editing, Best Cinematography, First Step Aëard, Best National Film dhe Audience Aëard. Filmat e kategorise kombetare nuk do të jenë në garë vetëm për çmimin “Filmi më i mire Kombëtar” , por për të gjitha çmimet (sipas kategorisë përkatese).

Filmat do te shfaqen në sallën e teatrit te ri-konstruktuar “Andon Zako Çajupi” dhe sallën e kinema “Majestic”. Ndërkohë çdo mbrëmje filmat do të shfaqen në sheshin historik të qytetit, në sheshin e Pazarit të Korçës. Përveç shfaqjeve të filmave do të organizohen dhe disa punëtori, ligjërata dhe aktivitete të tjera për të pasur një numër sa më te madh të personave që do të përfshihen . Çdo mbrëmje, në një nga rrugicat e pazarit të qytetit, do të organizohen after- party për të gjithë pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Aplikimi për kategorinë kombëtare është pa pagesë . Thirrja është e hapur deri më 15 Prill./ KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Themistokli Gërmenji, patrioti që themeloi krahinën autonome të Korçës

Në vigjilje të 100-vjetorit të vrasjes së Themistokli Gërmenjit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari nën logon e njohur tashmë “Një pasdite në muze” me temë: “100-vjetori i vrasjes së Themistokli Gërmenjit”.

Një patriot shqiptar si Themistokli Gërmenji, i cili në kohët e errëta të Luftës së Parë Botërore kërkonte veç lirinë e vendit të tij, ishte aq i sigurt para togës së pushkatarëve sa t’u bënte këtë kërkesë: “Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia dha vet urdhrin për zjarr.”

Ky ishte dhe fundi i atij luftëtari, i cili inicioi krijimin e krahinës autonome të Korçës.

Ky takim shkencor i mbajtur ditën e enjte u organizua nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë ,ku referuan Dr.Dorian Koçi, Dr. Paulin Marku dhe specialisti pranë muzeut Stefan Tetollari. Në takim kishte dhe shumë të ftuar mes të cilëve dhe shumë nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

Në fjalën e tij në këtë takim drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se“republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon”.

Ai gjithashtu shtoi se ”reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon”.

Ndërsa Dr. Paulin Marku kërkues shkencor në Departamentin e Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutn e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Kontributi politik i Themistokli Gërmenjit në vitet 1915-1917”.

Dr Marku do të citonte se,“Themistokli Germenji ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare pa dallim feje e krahine. Atij nuk i interesonte se kush do ta fitonte Luftën ndër palët ndërluftuese, por ishte i interesuar që të ruhej tërësia tokësore e Shqipërisë vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Themistokli Germenji shprehej se duhej luftuar për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë nuk mjaftonte vetëm lufta diplomatike por duhej ndjekur edhe rruga ushtarake me kryengritje të armatosur”, tha Dr. Paulin Marku.

Ndërsa Stefan Tetollari, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij do të shtonte se, “diplomacia franceze nuk ishte dakord me nënshkrimin nga ana e ushtarakëve të tyre të një protokolli ku i jepej autonomi Korçës së pushtuar prej Armatës së Lindjes, pasi kjo binte ndesh me orientimet progreke të qeverisë së Parisit. Franca do t’i përkrahte më shumë pretendimet greke ndaj me kërkesën e qeverisë së Venizellosit ata filluan të ndiqnin dhe arrestonin patriotët kryesorë korçarë. Me akuza të sajuara u arrestua dhe udhëheqësi kryesor i lëvizjes atdhetare të Korçës Themistokli Germenji, i cili u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik në 9 nëntor 1917”.

Fjalimet e tre historianëve që referuan në këtë aktivitet përkujtimor u pritën me duartrokitje nga të pranishmit, nga të cilët nuk munguan as pyetje për të marrë më shumë informacion mbi këtë ngjarje, shkruan atsh./ KultPlus.com

Korça, një peizazh i ngjyrosur me koloritin vjeshtor (FOTO)

Stina e vjeshtës po ngjyros me paletën e saj shumë ngjyrëshe çdo cep te vendit. Natyra po duket ende më tërheqëse e mbuluar nga gjethet shumëngjyrëshe që sjellë kjo stinë. Një pamje mahnitëse ka marrë edhe qyteti i Korçës i cili gjendet në Shqipërinë Jug-Lindore. Bashkia e Korçës ka shpërndarë disa fotografi me pamjen e mrekullueshme që ofron ky qytet në këto ditë të bukura vjeshte. / KultPlus.com

Ambasadori amerikan në Shqipëri ka një shpjegim për fjalinë: Ja korçare, ja hiç fare

“Fjalia e parë që mësova në shqip ishte nga ky qytet – ja korçare, ja hiç fare!” u tha ambasadori Donald Lu qytetarëve në Korçë, shkruan KultPlus.

Ambasadori dhe bashkëshortja e tij, Dr. Ariel Ahart, vizituan qytetin juglindor këtë fundjavë për “Rock on the Stone”, një aktivitet që festoi miqësinë shqiptaro-amerikane dhe ndikimin e kulturës amerikane në Korçë.

Marrëdhënia e fortë midis vendeve tona u soll në jetë përmes bashkëbisedimeve, kujtimeve personale, fotove të organizatave të para shqiptare në Amerikë, prezantimit të kulinarisë amerikane, dhe një koncerti me muzikë xhaz, rrok dhe kauntri. Ishte një fundjavë e mrekullueshme mikpritjeje shqiptare, e ndërthurur me shijen e historisë dhe kulturës amerikane, është thënë me këtë rast, nga faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane në Shqipëri./KultPlus.com

Nisë ‘Java e kinematografisë greke’ në Korçë

Filmi “Çmimi i dashurisë” ka hapur Javën e kinematografisë greke në Korçë.

Sipas konsullit grek në Korçë Georgios Alamanos, qëllimi i këtij aktiviteti është përcjellja e kulturës greke dhe përfshirja e saj në kulturën e qytetit të Korçës.

“Aktivitetin e quajtëm “Java e kinematografisë greke”. E zhvillon konsulta greke në Korçë. Janë 3 filma që do shfaqen e përmes tyre synojmë të hyjmë në jetën kulturore të qytetit. Korça është një qytet me identitet të theksuar kulturor dhe me njerëz që kanë të kultivuar ndjenjën e së bukures, ndaj dhe filmat që do paraqesim i kemi përzgjedhur me mjaft kujdes”, thotë zoti Alamanos.

Filmi “Çmimi i dashurisë“ është një histori dashurie, tradhtie dhe ndërgjegjësimi i mbështetur në romanin e Kostandin Theothokut “Nderi dhe paraja”. Filmi sjellë portretin e një bote në evolucion të vazhdueshëm shoqëror dhe ekonomik. Interesi i publikut për këtë film ishte i larte, duke mbushur plot sallën e kinemasë. Mbrëmjen e së enjtes dhe më 7 tetor do të shfaqen falas filmat: “ Dinakeri dhe kamuflazh” dhe “Kuzhina e Kostandinopojes” në orët 18:00 dhe 20:00. / KultPlus.com

“8 femrat”, premierë në Teatrin e Korçës

Regjisorja Driada Dervishi sjellë për herë të parë në skenën e re të Teatrit të Korçës, disa nga aktoret më të mira të skenës shqiptare, përcjellë KultPlus.

Komedia “8 femrat” do të vij e interpretuar nga Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli si dhe brezi i ri i aktorëve, të cilët nisën kështu edhe siparin e “Festivalit Mbarëshqiptar të Komedisë KokoFest 2017”.

Premiera e shfaqjes ‘8 femrat’ vjen më datë 16 dhe 17 shtator në ora 20:00, në Teatrin “Andron Zako Çajupi”, Korçë. / KultPlus.com