Biblioteka e re e Korçës, një gërshetim mes librit dhe teknologjisë

Biblioteka e re në qytetin e Korçës ofron tashmë për lexuesit libra në fond të hapur dhe pajisje me skaner e sistem kërkimi dixhital që e bën këtë bibliotekë modelin e parë të modernizimit të bibliotekave në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video nga Biblioteka e re e Korçës, e cila tashmë ka për miqtë e librit një infrastrukturë modern si dhe pajisje të dedikuara IT.

“Biblioteka e Re e Korçës do të jetë jo vetëm qendra e miqve korçarë të Librit, po edhe një inkubator i biznesit digjital, ku të rinjtë do të kenë kurse të dedikuara IT me trajnerë të kualifikuar jashtë dhe kushte optimale për të zhvilluar aplikacione e kryer shërbime për tregun global online”,- shprehet Rama.

“Biblioteka e Korçës, është vendi ku trashëgimia kulturore bashkëjeton me teknologjinë”,- shprehet një frekuentuese e bibliotekës të Korçës. “Pas shumë orë studimesh, duke studiuar, e ndjej të nevojshme të relaksohem”, tha një tjetër frekuentuese.

Biblioteka e re e qytetit të Korçës ofron më shumë hapësira sociale dhe kulturore për qytetarët. /ata/ KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria me resort të skive

Kryeministri Edi Rama tha se, “krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, do të sjellë shumë më tepër turistë, në Korçë”.

Gjatë një bashkëbisedimi të dielën, me qytetarë në Korçë, Rama theksoi se “Korça sot nuk është më në fazën a do të ketë më turistë, nuk e ka më Korça këtë problem. Korça ka hyrë në një fazë që do të ketë problemin si do të përballojë turistët dhe mendoj se ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, siç është ajo për krijimin e resortit të parë të skive në Shqipëri në zonën e Nikolicës, që është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër turistë”- tha Rama .

“Unë kam parë një pistë që është modeste këtu afër dhe është e përmbytur nga kërkesat dhe nga studimi që kemi bërë, jemi mahnitur që janë afro 1 mijë shqiptarë shkojnë në resorte dimërore skishë çdo vit”, tha ai.

“Afro 1 mijë është statistikë nuk është opinion. Pra janë shqiptarë që shpenzojnë pa llogaritur këtu se çfarë mund të sjellë Korça të huaj. Provat tashmë janë, vetëm nga Fesat e Birrës e cila filloi si festë lokale u kthye, në një destinacion me fluks vizitorësh që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, për të marrë pjesë në këtë festë”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, u shpreh se “lajmi që dha Kryeministri Rama, për ndërtimin e resortit dimëror të skive, është fantastik dhe i garanton Korçës 4 deri 5 muaj turizëm në sezonin e dimrit”.

Ndërsa duke veçuar diversifikimin e ofertës turistike në Korçë, Filo tha se, “kemi disa iniciativa interesante siç është ajo në Turan, ku me mbështetjen  AZHBR –së është vendosur pista e hipizmit, ku dy vëllezër të apasionuar kanë bërë një hipodrom me stalla dhe pistë për kuajt ku ofrojnë shëtitje me kuaj dhe kurse për hipizmin”.

Gjithashtu tha ai, dua të diskutoj me kryeministrin edhe për pistën në Rumalasë, që mundtë shndërrohet në një aeroport për fluturimet turistike dhe sportive, që nxit më tej turizmin në këtë bashki.

“Javën e fundi balonat që erdhën në Korçë, ishin një atraksion i veçantë që solli aeronautistë nga Selaniku në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës dhe nëse krijojmë një fushë bari për këto lloj fluturimesh mund të krijojmë hedhje me parashutë duke shtuar kështu ofertës turistike në Korçë”- tha Filo.

Rama theksoi se, “sfida në Korçë është si do të përballojë kërkesat, sidomos në periudhën e fundjavës. Nga ana tjetër si do të zgjerohet koha e qëndrimit për të mos ardhur vetëm në fundjavë, por në kohë edhe më të gjatë. Pra është një situatë shumë pozitive për Korçën. Patjetër që ka këtu dhe kudo, një pjesë njerëzish që janë larg këtyre zhvillimeve. Por nuk ka një formulë magjike prandaj duhet parë se ku ishim për të marrë forcë , për të marrë energji dhe për të vazhduar që të shkojmë aty ku duhet, të shkojmë përpara deri sa e kemi bërë këtë rrugë. Se dikur thonin fasada, fasada,  por po të bëjmë një llogari sa vende pune kanë hapur “fasadat”, është pikërisht ai fillimi i ndryshimit që ka ndodhur . Sepse për çfarë duhet të vinin njerëzit më parë në Korçë, vinin vetëm, për të takuar të afërmit, normalisht, kurse sot çdo vit e më shumë kamë shumë arsye për të ardhur në Korçë, dhe detyra jonë është të shtojmë arsyet për të ardhur se kështu do shtojmë ditët e qëndrimit këtu”- deklaroi Rama. /atsh/ KultPlus.com

Mësonjëtorja e parë shqipe zbardhet nga bora (FOTO)

Objekti prej ku arsimi shqip ka filluar rrugëtimin ka marrë një pamje tjetër në fillimin e vitit të ri, shkruan KultPlus.

Mësonjëtarja e parë shqipe e cila ndodhet në Korçë është freskuar nga bardhësia e borës.

Në fotografinë e shpërndarë nga ministrja për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti, ajo ka theksuar se puna për muzealizimin e këtij simboli të arsimit shqip është duke vazhduar tutje.

❄️☃️Bora e parë ka zbardhur edhe Mësonjëtoren e Parë Shqipe, në 📍Korçë, këtë simbol të arsimit shqip, e restauruar falë investimit të qeverisë shqiptare. 👉🏼Tashmë po punohet për muzealizimin e saj”, ka shkruar Margariti.

Mësonjëtarja e parë shqipe është hapur më 7 mars të vitit 1887. / KultPlus.com

Korça, potencial për të ofruar një paketë turistike edhe më të plotë

“Korça si destinacion turistik gjithëvjetor, ka shumë potenciale të ofrojë një paketë turistike edhe më të plotë”, deklaroi sot Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Klosi mori pjesë sot në një takim me sipërmarrësit turistik në Korçë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, Zv/ministrja e Financave, Belinda Ikonomi dhe Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, deputetët e zonës e të zgjedhurit vendorë, për të diskutuar me sipërmarrësit turistik të zonës.

“Procesi i kategorizimit, do të na japë një databazë elektronike të strukturave pritëse, për të hartuar politika të qarta në zhvillimin e turizmit”, tha Klosi. / atsh/ KultPlus.com

Muzetë e Shqipërisë, falas e të hapur deri në mesnatë për vizitorët

Muzetë e Shqipërisë sot do jenë të hapura për publikun gjatë ditës e deri në mesnatë, ku vizitorë do kenë mundësi të shijojnë një rrugëtim mes historisë dhe artit falas.

Me rastin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, muzetë, parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale të vendit janë mobilizuar për të ofruar një buqetë të gjerë ngjarjesh për publikun, nga nxënësit e shkollave e deri te qytetarët artdashës.

Muzetë janë të shumtë në Shqipëri, ku vlen të përmenden Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë etj.

Tashmë këto muze çdo vit e më shumë po mirëpresin vizitorë të huaj dhe vendas. /atsh/KultPlus.com

Sa shtrenjtë kushton argëtimi në Shqipëri!

Nuk është aspak habi që Tirana është qarku me “qejfli” në Shqipëri. Pjesa më e madhe e të ardhurave janë përqendruar në kryeqytet dhe dihet që “qejfi” blihet me para.

Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve 2017, Tirana kishte përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim dhe kulturë ndaj totalit të shpenzimeve rreth 4.1%, apo rreth 1 pikë më shumë se mesatarja kombëtare.

Pas Tiranës, për sa i përket shpenzimeve për argëtim dhe kulturë mbi mesataren kombëtarë, renditet Korça, ku nga të dhënat e ABF kanë shpenzuar në 2017-n rreth 3.3% të totalit të shpenzimeve për t’u argëtuar. Korçarët gjithashtu renditeshin të parët për sa i përket peshës së shpenzimeve për veshje dhe këpucë.

Berati është qarku i tretë me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim, me 3% të totalit.

Qarqet e tjera kanë një përqindje më të ulët se mesatarja kombëtare. Durrësi, i cili edhe pse ka një ekonomi të zhvilluar dhe është vend bregdetar, ka një peshë të shpenzimeve për argëtim rreth 2.9%.

Fieri, Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Vlora kanë një mesatare shpenzimi që varjon nga 2 në 2.4%

Qarqet me shpenzimet më të ulëta Kukësi me 1.9%, Gjirokastra me 1.7% dhe Dibra me vetëm 1% të totalit të shpenzime.

Por sa i shtrenjtë është argëtimi në Shqipëri??

Të argëtohesh në Shqipëri kushton shumë më shtrenjtë se në vendet e tjera të rajonit.

Sipas portalit Expatistan, argëtimi në Serbi kushton rreth 24% më shtrenjtë se në Shqipëri, dhe rreth 9% më lirë në Malin e Zi. Ndërsa krahasuar me Kosovën, argëtimi është rreth 41% më lirë se në Shqipëri.

Expatistan bën krahasimin e kostove të jetesës midis vendeve të ndryshme të botës duke i ndarë në disa kategori kryesore, si kostot e ushqimit, banesës veshjeve, transportit, përkujdesjes personale dhe argëtimit.

Në kategorinë e argëtimit merrin disa nën kategori në shqyrtim, si kostoja për të ngrenë në një restorant, bileta për në kinema, bileta për në teatër,  çmimi për një koktej, çmimi për një kapuciono, çmimi i një abonimi mujor në palestër dhe një paketë cigare.

Krishtlindja e bardhë në Korçë (FOTO)

Një atmosferë magjike, si vetë festa e Krishtlindjes, ka përfshirë Korçën e mbuluar nga dëbora.

Pak para mesnate, teksa zhvillohej mesha me rastin e Krishtlindjeve në Korçë nisën edhe reshjet e para të dëborës, duke zbardhur fshatrat turistikë të saj dhe vetë qytetin juglindor.

Një pamje mahnitëse i ka dhënë qytetit të serenatave, të mbushur me vizitorë sot në Ditën e Lindjes së Krishtit edhe “Festivali i Dritave”, ku rrugët dhe sheshet e qyteti janë dekoruar nga dritat shumëngjyrëshe.

Dekori i veçantë i vendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës, si dhe në të gjitha sheshet e rrugët e qytetit, që tërheq mijëra turistë në të katër stinët e vitit, i ka dhënë qytetit një bukuri për t’u admiruar./k.s/ KultPlus.com

Hani i Pazarit, një gur i çmuar në trashëgiminë historike të Korçës

Korça, e simbolizuar dhe si “Parisi i Vogël”, një epiqendër e kulturës dhe e zhvillimit të vendit tonë, me një histori të lashtë dhe tepër diversive, e banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s., me vendbanim të quajtur “Fushëgropa e Korçës” që udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë ilire, e dëshmuar nga arkifakte të shumta si ato të gjetura në Kamenicë, Podgorie, Maliq e Devoll, edhe sot mbetet një nga qendrat më të vizituara në vend.

Kush e ka vizituar Korçën ka vizituar një pjesë të historisë, kulturës dhe elitës shqiptare.

Edhe Mesjeta ka lënë gjurmët e saja në këtë qytet interesant. Në qendër të qytetit ndodhet Pazari i Vjetër, me ndërtesat karakteristike të periudhës mesjetare që përfaqësojnë më së miri traditën dhe historinë e kësaj periudhe. Duke filuar që nga gurët e kalldrëmit, e deri te çatitë e shtëpive, çdo element, çdo veçori plotëson në mënyrë harmonike zonën më të bukur të qytetit. Pra, në qendër të Korçës ndodhet Pazari i Vjetër dhe në qendër të tij, menjëherë të bie në sy “Hani i Pazarit”, ndërtesa 350-vjeçare, e restauruar tërësisht për herë të parë pas periudhës së diktaturës.

Deri vonë kjo ndërtesë ka mbajtur emrin “Hani i Elbasanit”, pasi në të vinin shumë tregtarë nga ky qytet. Këtë dëshmi e jep dhe Eda Kucaj, pronarja e “Hanit të Pazarit” me profesion arkitekte, e cila me iniciativën e saj mori përsipër ta kthejë këtë vend në një nga pikat më atraktive të qytetit për turistët vendas dhe të huaj. “Janë të shumtë vizitorët që mbushin ambientet hotelerike të këtij kompleksi, sidomos gjatë fundjavave. Ata janë bujtës vendas dhe të huaj, që shumica bëhen kuriuozë për vlerat historike të këtij mjedisi, por dhe për atë që është arritur pas restaurimit, thotë ajo për ATSH.

Me një hapësirë prej 730 metra katrorë, aty gjen mjedise nga më të ndryshmet: hoteleri, restaurante, bare me muzikë live dhe mjedise lojërash argëtuese. Të gjitha në shërbim të vizitorit në të katër stinët e vitit. Korçës iu rikthye dhe një monument historik, por tashmë në aktivitetin e tij të plotë si dikur, por me ndryshimin se nuk stacionohen më karvane kuajsh që vinin nga Elbasani e jugu i vendit që udhëtonin drejt Stambollit, por parkohen makina e autobusë turistësh të huaj e vendas. “Hani i Pazarit” një tjetër gur i çmuar në trazhgiminë e kulturës dhe historisë korçare.

Hani i Pazarit, një gur i çmuar në trashëgiminë historike të Korçës

Korça, e simbolizuar dhe si “Parisi i Vogël”, një epiqendër e kulturës dhe e zhvillimit të vendit tonë, me një histori të lashtë dhe tepër diversive, e banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s., me vendbanim të quajtur “Fushëgropa e Korçës” që udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë ilire, e dëshmuar nga arkifakte të shumta si ato të gjetura në Kamenicë, Podgorie, Maliq e Devoll, edhe sot mbetet një nga qendrat më të vizituara në vend.

Kush e ka vizituar Korçën ka vizituar një pjesë të historisë, kulturës dhe elitës shqiptare.

Edhe Mesjeta ka lënë gjurmët e saja në këtë qytet interesant. Në qendër të qytetit ndodhet Pazari i Vjetër, me ndërtesat karakteristike të periudhës mesjetare që përfaqësojnë më së miri traditën dhe historinë e kësaj periudhe. Duke filuar që nga gurët e kalldrëmit, e deri te çatitë e shtëpive, çdo element, çdo veçori plotëson në mënyrë harmonike zonën më të bukur të qytetit. Pra, në qendër të Korçës ndodhet Pazari i Vjetër dhe në qendër të tij, menjëherë të bie në sy “Hani i Pazarit”, ndërtesa 350-vjeçare, e restauruar tërësisht për herë të parë pas periudhës së diktaturës.

Deri vonë kjo ndërtesë ka mbajtur emrin “Hani i Elbasanit”, pasi në të vinin shumë tregtarë nga ky qytet. Këtë dëshmi e jep dhe Eda Kucaj, pronarja e “Hanit të Pazarit” me profesion arkitekte, e cila me iniciativën e saj mori përsipër ta kthejë këtë vend në një nga pikat më atraktive të qytetit për turistët vendas dhe të huaj. “Janë të shumtë vizitorët që mbushin ambientet hotelerike të këtij kompleksi, sidomos gjatë fundjavave. Ata janë bujtës vendas dhe të huaj, që shumica bëhen kuriuozë për vlerat historike të këtij mjedisi, por dhe për atë që është arritur pas restaurimit, thotë ajo për ATSH.

Me një hapësirë prej 730 metra katrorë, aty gjen mjedise nga më të ndryshmet: hoteleri, restaurante, bare me muzikë live dhe mjedise lojërash argëtuese. Të gjitha në shërbim të vizitorit në të katër stinët e vitit. Korçës iu rikthye dhe një monument historik, por tashmë në aktivitetin e tij të plotë si dikur, por me ndryshimin se nuk stacionohen më karvane kuajsh që vinin nga Elbasani e jugu i vendit që udhëtonin drejt Stambollit, por parkohen makina e autobusë turistësh të huaj e vendas. “Hani i Pazarit” një tjetër gur i çmuar në trazhgiminë e kulturës dhe historisë korçare. /KultPlus.com

Korça nën magjinë e dritave

Një atmosferë magjike ka mbuluar Korçën në prag të festave të fundvitit.

“Festivali i Dritave” mbushi edhe këtë vit me vizitorë të shumtë qytetin juglindor të Korçës.

Dekori i veçantë i vendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës, si dhe në të gjitha sheshet e rrugët e qytetit, që tërheq mijëra turistë në të katër stinët e vitit, i ka dhënë qytetit një bukuri mahnitëse, shkruan ata.

“Një super atmosferë festive në Korçë. Ndezëm dekorin e festave me Festivalin e Dritave. Mos e humb atmosferën magjike, që vetëm një qytet si Korça t’a dhuron”, shprehet kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Një kalendar i pasur aktivitetesh do t’i shoqërojë qytetarët korçarë, si dhe vizitorët e shumtë gjatë gjithë muajit më të bukur të vitit.

Qyteti i serenatave nën madhështinë e dëborës

Qyteti i serenatave është zbardhur nga dëbora e parë gjatë fundjavës. Një panoramë të mrekullueshme ka pikturuar bardhësia dhe madhështia e dëborës në këtë qytet i cili ka një peizazh mjaft të bukur ku ndërthuret kultura, muzika, gatimet dhe mikpritja.

Korça mund të konsiderohet një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.

Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Për të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit janë vendosur tabela informuese dhe orientuese.

43 556 turistë vizituan Korçën në janar-gusht 2018

Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti.

Sipas të dhënave të bëra publike nga bashkia Korçë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) numri i vizitorëve nga periudha janar-gusht 2018 është 43 556 turistë gjithsej.

Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.

Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 1845 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese është 83 (59 hotele dhe 24 bujtina). Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës ka pësuar një rritje prej 16 strukturash akomoduese, duke ofruar më shumë shtretër për pushuesit.

Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në vend. Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët. Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe aredimi.

Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.

“Koko Fest” shndërron Korçën në destinacionin e artistëve dhe të humorit

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë do të shndërrojë Korçën në një qytet festiv dhe argëtues për qytetarët dhe turistët që vizitojnë qytetin e serenatave.

“Koko Fest” vjen me edicionin e pestë nga data 1-8 shtator me artistët më të mirë të të gjithë trevave shqiptare, jo vetëm të humorit.

Teatri i Shkodrës, i Fierit, i Vlorës, i Durrësit, i Gjirokastrës, i Korçës pa dyshim dhe trupa të tjera që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë qenë pjesë konkurruese e këtij festivali, vit pas viti. Këtë vit, do të shfaqen 8 premiera.

Në natën e tretë të “Koko fest”, Teatri i Korçës do të sjellë një premierë të re që po punohet nga regjisori Guri Koço. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros.

Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmën e regjisë së Ilir Bokshit. Në finalen e “Koko Fest”, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos.

Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Guljem Radoja, dhe anëtarët e jurisë, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Adem Karaga nga Maqedonia dhe Enver Petrovci nga Kosova do të jenë pjesë e këtij edicioni të pestë, bashkë me të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë festival , të cilët do ta ndjekin “Koko Festin” në të gjitha ditët e tij.

Publiku gjithashtu, e ndjek më shumë dëshirë këtë festival , por edhe shumë turistë që e vizitojnë Korçën gjatë ditëve të festivalit, shkruan ata./ KultPlus.com

Dhjetë fakte për Korçën

Nga Kliti Kallamata

A e dini se…

1. Plani i parë rregullues për qytetin e Korçës daton rreth vitit 1850. Në atë kohë në Ballkan, plan rregullues kishte vetëm Athina (1832), ndërsa Sofja dhe Beogradi ishin si fshatra me rrugë me baltë. Plani rregullues i viti 1850 udhëhoqi ndërtimet në Korçë për gati 100 vjet, duke e transformuar Korçën nga një qytet mesjetar kaotik në një qytet të rregullt me tipare të theksuara perëndimore. Ndërsa vetëm gjatë shtatë viteve të fundit, për Korçën janë hartuar tri plane rregullues, që po e kthejnë atë përsëri në një qytet kaotik.

2. Korça ka një Qendër Historike. Por, qendra e Qendrës Historike nuk është nën mbrojtje si Qendër Historike.

3. Korça ka 40 hotele e bujtina, 60 restorante, mbi 120 kafene dhe asnjë shkollë profesionale për hoteleri, kulinari, kamerierë, apo shërbime turizmi.

4. Pija historikisht tradicionale e familjeve korçare ka qenë vera dhe jo birra. Korça prodhonte një nga verërat më të mira në Ballkan deri në 1939, kur italianët ndërtuan fabrikën e birrës dhe shkatërruan vreshtat e Voskopit. Këto vreshta kishin një varietet unikal rrushi të përshtatur me klimën e Korçës, nga të cilat prodhonin verë të shkëlqyer thuajse të gjitha familjet korçare.

5. Qysh në vitet 1930, Korça ka pasur të parën bibliotekë publike në Shqipëri dhe një ndërtesë të ngritur posaçërisht për të. Në vitet 1970, në Korçë u projektua dhe u ndërtua e para ndërtesë për bibliotekë publike në Shqipëri e ndërtuar nga regjimi komunist, duke e bërë Korçën me dy biblioteka publike. Sot Korça nuk ka asnjë bibliotekë publike dhe asnjë ndërtesë posaçërisht për të.

6. Në vitet 1930 në Korçë botoheshin 6-7 gazeta private. Sot Korça nuk ka asnjë gazetë dhe asnjë portal elektronik mediatik të rregullt.


7. Korça kishte ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të zeza qysh në vitet 1750. Rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve që përfundoi në vitin 2010 u zbatua nga një kompani siciliane (Siçilia ishte deri në vitet 1950 me gropa septike)

8. Sot Korça krijon 200 ton mbetje urbane në ditë, 6000 ton në muaj ose 72,000 ton në vit nga të cilat nuk përpunohet apo riciklohet asnjë kilogram.

9. Në Korçë në vitet 1920-30 bëhej një “xhiro” apo shëtitje e mbrëmjes përgjatë bulevard “Republika”, ku qytetarët, pasi visheshin me veshjet e tyre më të mira, vërtiteshin lart e poshtë 15-20 herë duke përshëndetur njeri-tjetrin po aq herë. Gjatë kohës së komunizmit kjo “xhiro” u kthye në traditë dhe u përhap edhe në qytete të tjera. Sot, në Korçë ruhet i njëjti mentalitet, veçse me ndryshimin se “xhiroja” bëhet me … makina nga parazitët e qytetit.

10. Në vitet 1920-30, nëse dikush dashuronte një vajzë dhe kishte zë të mirë, merrte një kitarë dhe këndonte pranë shtëpisë së saj disa këngë. Një zë – një kitarë. Kjo ishte serenata. Sot, çdo mbrëmje deri në 1.00-2.00 pas mesnate, në bulevard “Republika” dhe në disa sheshe që manaxhohen nga Bashkia, ndotja akustike nga altoparlantë të fuqishëm shkon mbi 100-110 decibelë, e barabartë me atë të një koncerti rok (norma mesatare në qytetet evropiane është 60-75 db dhe në shumë prej tyre nuk lejohen as boritë e makinave, as natën e as ditën)./KultPlus.com

Korça, në hartën e udhëtarëve kuriozë për Shqipërinë

Në ditët kur të gjithë zgjedhin të pushojnë mes detit, rërës dhe argëtimeve të tjera, turistët e huaj nuk i mungojnë Shqipërisë.

Udhëtimet e tyre vijnë si një paketë eksplorimi të qyteteve shqiptare, elementet kulturore e historike, ndërsa mënyrat sesi ata organizohen janë individuale.

Një ditë në çdo qytet është mëse e mjaftueshme për turistët që të shohin atraksionet e vendit tonë. Korça mbetet një prej destinacioneve më të vizituara të Shqipërisë. Kryesisht turistët nga vende të ndryshme të Europës zgjedhin që të ndalen në qytetin juglindor për një natë dhe të vizitojnë “Pazarin e vjetër” apo edhe muzetë.

“Vijmë nga Franca dhe jemi shumë të befasuar, pasi është një vend shumë i këndshëm. Vizituam liqenin e Ohrit dhe pas Korçës do të vazhdojmë udhëtimin në jug të Shqipërisë. Kishim një libër guide, ku tregoheshin disa nga atraksionet e Shqipërisë, dhe vendosëm t’i vizitojmë. Unë jam së bashku me familjen dhe kemi një makinë kampingu ku flemë, ndërkohë që na pëlqen të shijojmë ushqimin shqiptar”, thotë një turiste franceze.

“Është hera e parë që vij këtu, u befasova. Më bëri shumë përshtypje dhe do të vij përsëri. Do përpiqem të shikoj vende të tjera, pasi është hera e parë që jam këtu. Sot do të jemi këtu, por herën tjetër do të shkojmë të shohim Tiranën, ose edhe qytete të tjera”, thotë një tjetër turiste, shkruan TCH, përcjell Albinfo.ch.

“Ne jemi nga Austria dhe po bëjmë një udhëtim 10-ditor në Shqipëri. Bëmë një ndalesë të shkurtër në liqenin e Ohrit në Pogradec. Është dita jonë e katërt në Shqipëri dhe unë kisha lexuar për Korçën, ndaj i kërkova guidës sonë që të na sillte këtu. Më pas do të shkojmë në Gjirokastër, e më tej edhe në 2-3 qytete të tjera. Preferojmë që të akomodohemi në hotele të vegjël, sepse neve na pëlqen të mësojmë më shumë për kulturën, historinë e Shqipërisë dhe është më mirë në hotele të vegjël sesa të mëdhenj”, thotë turisti austriak.

Korça po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke regjistruar shifra të larta turistësh jo vetëm në verë, por në të gjitha stinët.

Korça hapë sezonin turistik me paradën madhështore të Karnavaleve (FOTO)

Për të 11-in vit radhazi, Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve.

Korça e njohur për Karnavalet e famshme, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bujshme të qytetit.

Grupe korçare, por dhe të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

28 grupe të përbërë kryesisht nga të rinjtë marshuan në rrugët e qytetit juglindor ku si çdo vit nuk munguan ballot me maska si dhe serenatat tradicionale korçare./ KultPlus.com

Qarku i Korçës, vendi i perlave turistike në pritje të vizitorëve

Nga Vepror Hasani.

“Mjedise të kuruara, bregliqene të bukura, ujëra të pastra, ambiente pa ndotje akustike, ushqim tradicional të sigurt, akomodim sipas standardeve, masa mbrojtëse për jetën e njerëzve, informacion për gjithçka që u ofrohet vizitorëve dhe turistëve, vendosja e ciceronëve atje ku është e nevojshme, përmbushje e 10 rregullave të arta, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”.

Kjo ishte kërkesa e prefektit të Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, drejtuar kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve vendore që kanë lidhje me turizmin. Gjithashtu prefekti Spirollari, kërkoi nga të pranishmit në takim, ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të problemeve të konstatuar gjatë viteve të kaluara me qëllim rritjen e numrit të turistëve dhe të atraksionit për qarkun e Korçës.

Përmes fjalës së tij, prefekti Spirollari tregoi se nuk do të bëhet asnjë lëshim në përmbushjen e kërkesave të parashtruara më sipër, pasi në të kundërt gjithsecili do të marrë përgjegjësinë për detyrat e pakryera. Kjo gjë ishte paralajmëruar prej tij që në fillim të këtij viti, kur ai tha: “Viti 2018 është një vit më detyra shumë të mëdha, kemi përballë integrimin me Bashkimin Evropian, hapja e negociatave do të thotë një punë shumë e madhe dhe me standard. Kjo është e vështirë por jo e pamundur…”.

Gjithashtu, prefekti bëri të ditur se kontrolli nga ana e Inspektorati Shtetëror të Shëndetësisë për cilësinë e shërbimeve që ofrohet prej hoteleve, bujtinave dhe kampeve, si dhe për akomodimin dhe ushqimin në zonat turistike, do të jenë të pranishme para fillimit dhe gjatë sezonit turistik.

Nga sa më sipër, kuptuam se qarku i Korçës është bërë gati për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Megjithatë, për të mësuar më shumë mbi sezonin turistik veror të këtij viti, ne patëm këtë bisedë me prefektin e qarkut Korçë, Dhori Spirollari:

Aktualisht, a jeni gati për sezonin e ri turistik?

Sigurisht që po. Punën përgatitore për sezonin turistik të verës e kemi filluar herët. Sot mjediset dhe bregliqenet e Prespës dhe të Pogradecit janë shumë më të pastra në krahasim me vitet e kaluara, por kjo nuk na lejon të bimë në qetësi. Pastërtinë e ujit të liqenit të Pogradecit e kemi nën kontroll, kemi kërkuar analizat nga institucionet dhe marrjen e masave për personat përgjegjës që shkaktojnë ndotjen. Aktualisht janë përcaktuar vendet për kullat dhe numrin e rojeve për shpëtimin e jetës së njerëzve që frekuentojnë liqenin. Bashkitë kanë marrë kërkesën tonë për të përcaktuar vendet dhe oraret ku do të zhvillohen aktivitetet”.

Sa i preferuar është qarku i Korçës prej të huajve?

Qarku i Korçës i ka të gjitha mundësitë të jetë një vend turistik i preferuar, ku askush të mos mbetet i zhgënjyer, pasi nuk i mungojnë vendet historike, gjetjet arkeologjike, ndërtimet e vjetra përgjatë rrugës Egnatia, ku ka kaluar ajo, siç janë urat, etj. Në hapësirën e këtij qarku, prej Qafës së Thanës deri në Leskovik gjen të papritura nga më të këndshmet jo vetëm historike por edhe bukuri natyrore. Aktualisht qarku ynë vizitohet nga italianët, gjermanët, grekët, holandezët, çekët, suedezët etj dhe nga shumë banorë të qyteteve tona. Numri i bizneseve për akomodim dhe ushqim vjen gjithnjë në rritje. Kemi menduar gjithashtu edhe për vendosjen e një ciceroni në tumën e Kamenicës, e cila tashmë ka vizitorët e vet të shumtë.

Çfarë e tërheq një të huaj, në qarkun e Korçës?

Qarku i Korçës është një vend mjaft atraktiv. Një i huaj mund të gjejë në këtë qark ajrin e pastër, klimën e shëndetshme, ngjitje në mal, ujë të pastër burimesh, gatime tradicionale, veshje popullore, panaire të ndryshme me prodhime bujqësore, punime druri, qeramike, balte, qëndistari, thurrje me thupra etj, të cilat organizohen çdo vit dhe në periudha të ndryshme.

Qarku i Korçës ka qytete të vogla, si Maliqi, Erseka, Leskoviku etj, ç’sukses mund të kenë qytete të tilla?

Deri para pak kohësh mendohej se qytete të vogla, si Erseka, Leskoviku apo Maliqi nuk mund të zhvillonin turizmin, pasi nuk ishin të vizitueshme nga vendasit dhe aq më pak nga të huajt. Por tashmë nuk mendohet më kështu. Qytetet e vogla po vizitohen jo vetëm nga banorët e qyteteve të tjera, por edhe prej të huajve Përgjigjet e tyre kanë qenë: “Erseka është qytet i vogël por shumë i qetë, ka një qendër shumë të bukur, një muze historik dhe etnografik të pëlqyeshëm me 600 objektesh”. Por nuk është vetëm kjo, në qytetet e vogla vërehet shpejt mikpritja, miqësia dhe respekti i treguar, gjë që e bën vizitorin të ndihet mire dhe të ruajë kujtime të bukura.
Gjithashtu pranë këtyre qyteteve gjen pyje të bukura, lokale, fusha hipzmi, argëtime të tjera dhe gjelbërim pa fund gjatë stinës së verës. Sipër qytetit të Ersekës gjendet fshati Rehovë me banesat karakteristike, i pastër, me kalldreme, ofron gatime tradicionale, bukuri të veçanta të malit Gramoz.

Megjithatë, sërish mbeten qytete të vogla?

E vogël është dhe Prespa e Vogël por është një perlë që lë të mrekulluar, ashtu siç të lë me tavën e saj të krapit. E vogël është edhe Dardha, por vijon të mbetet e frekuentuar në çdo stinë të vitit. Shkëlqimi i saj do të jetë i madh në vitet që vijnë. Nuk mund të thuhet e vogël as për Voskopojën me kishat e saj, që vizitohen nga gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri, dhe as për Vithkuqin që të shfaq pamje të ralla që të mbeten gjatë në mendje. Si mund ta quajme të vogël Drilonin, një perlë tjetër kjo, vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Pogradecit. Nëse do të vijonim me Linin e vende të tjera do të zgjateshim shumë. Detyra jonë mbetet të tregojmë më shumë vëmendje dhe më shumë investime. Kurse Pogradeci mund të quhet pa frikë një qytet i madh përsa i përket turizmit dhe historisë së lashtë që ka, i populluar që nga periudha neolitike./ KultPlus.com

Hapet thirrja për aplikim në KO:SH Film Fest 2018

KO:SH Film Fest apo Korça Internatational Short Film Festival, është një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër, i cili zhvillohet nga data 17-21 Korrik në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.

KO:SH Film Fest, këtë vit do të zëvendësojë First Step Film Festival, festivalin ndërkombëtar të filmit të studentor, i cili organizohej që prej vitit 2010 në Tiranë. Arsyeja e shndërrimit të festivalit në një festival i filmit të shkurtër dhe zhvendosja në Korçë ka ndodhur për shumë arsye.

“Korça ka ende funksionale, një ndër kinematë e para që janë ndërtuar ne Shqipëri, Kinema “Majestik”. Gjon Mili, fotografi i famshëm Shqiptaro-Amerikan ka lindur ne Korçë, dhe shumë shpejt do të kemi dhe muzeun dedikuar tij, si dhe shumë arsye të tjera”, shkruhet në njoftimin e festivalit KO:SH.

Përgjatë 5 ditëve të festivalit do të shfaqen 60 deri në 100 filma të shkurtër ndërkombëtar e kombëtar. Do jenë 3 kategori në konkurs, Film Artistik, Dokumentar dhe Animacion. Do të këtë tre kategori kryesore dhe 10 çmime që do të ndahen. Kateforia e filmave ndërkombëtar, kategoria e filmave të studentëve dhe kategoria e filmave kombëtar nga Shqipëria,Kosova dhe Maqedonia.

Në këtë festival do të jenë edhe 10 shpërblime si: Best Film, Best Fiction, Best Documentary, Best Animation, Best Student Film, Best Editing, Best Cinematography, First Step Aëard, Best National Film dhe Audience Aëard. Filmat e kategorise kombetare nuk do të jenë në garë vetëm për çmimin “Filmi më i mire Kombëtar” , por për të gjitha çmimet (sipas kategorisë përkatese).

Filmat do te shfaqen në sallën e teatrit te ri-konstruktuar “Andon Zako Çajupi” dhe sallën e kinema “Majestic”. Ndërkohë çdo mbrëmje filmat do të shfaqen në sheshin historik të qytetit, në sheshin e Pazarit të Korçës. Përveç shfaqjeve të filmave do të organizohen dhe disa punëtori, ligjërata dhe aktivitete të tjera për të pasur një numër sa më te madh të personave që do të përfshihen . Çdo mbrëmje, në një nga rrugicat e pazarit të qytetit, do të organizohen after- party për të gjithë pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Aplikimi për kategorinë kombëtare është pa pagesë . Thirrja është e hapur deri më 15 Prill./ KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Themistokli Gërmenji, patrioti që themeloi krahinën autonome të Korçës

Në vigjilje të 100-vjetorit të vrasjes së Themistokli Gërmenjit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari nën logon e njohur tashmë “Një pasdite në muze” me temë: “100-vjetori i vrasjes së Themistokli Gërmenjit”.

Një patriot shqiptar si Themistokli Gërmenji, i cili në kohët e errëta të Luftës së Parë Botërore kërkonte veç lirinë e vendit të tij, ishte aq i sigurt para togës së pushkatarëve sa t’u bënte këtë kërkesë: “Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia dha vet urdhrin për zjarr.”

Ky ishte dhe fundi i atij luftëtari, i cili inicioi krijimin e krahinës autonome të Korçës.

Ky takim shkencor i mbajtur ditën e enjte u organizua nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë ,ku referuan Dr.Dorian Koçi, Dr. Paulin Marku dhe specialisti pranë muzeut Stefan Tetollari. Në takim kishte dhe shumë të ftuar mes të cilëve dhe shumë nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

Në fjalën e tij në këtë takim drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se“republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon”.

Ai gjithashtu shtoi se ”reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon”.

Ndërsa Dr. Paulin Marku kërkues shkencor në Departamentin e Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutn e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Kontributi politik i Themistokli Gërmenjit në vitet 1915-1917”.

Dr Marku do të citonte se,“Themistokli Germenji ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare pa dallim feje e krahine. Atij nuk i interesonte se kush do ta fitonte Luftën ndër palët ndërluftuese, por ishte i interesuar që të ruhej tërësia tokësore e Shqipërisë vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Themistokli Germenji shprehej se duhej luftuar për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë nuk mjaftonte vetëm lufta diplomatike por duhej ndjekur edhe rruga ushtarake me kryengritje të armatosur”, tha Dr. Paulin Marku.

Ndërsa Stefan Tetollari, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij do të shtonte se, “diplomacia franceze nuk ishte dakord me nënshkrimin nga ana e ushtarakëve të tyre të një protokolli ku i jepej autonomi Korçës së pushtuar prej Armatës së Lindjes, pasi kjo binte ndesh me orientimet progreke të qeverisë së Parisit. Franca do t’i përkrahte më shumë pretendimet greke ndaj me kërkesën e qeverisë së Venizellosit ata filluan të ndiqnin dhe arrestonin patriotët kryesorë korçarë. Me akuza të sajuara u arrestua dhe udhëheqësi kryesor i lëvizjes atdhetare të Korçës Themistokli Germenji, i cili u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik në 9 nëntor 1917”.

Fjalimet e tre historianëve që referuan në këtë aktivitet përkujtimor u pritën me duartrokitje nga të pranishmit, nga të cilët nuk munguan as pyetje për të marrë më shumë informacion mbi këtë ngjarje, shkruan atsh./ KultPlus.com

Korça, një peizazh i ngjyrosur me koloritin vjeshtor (FOTO)

Stina e vjeshtës po ngjyros me paletën e saj shumë ngjyrëshe çdo cep te vendit. Natyra po duket ende më tërheqëse e mbuluar nga gjethet shumëngjyrëshe që sjellë kjo stinë. Një pamje mahnitëse ka marrë edhe qyteti i Korçës i cili gjendet në Shqipërinë Jug-Lindore. Bashkia e Korçës ka shpërndarë disa fotografi me pamjen e mrekullueshme që ofron ky qytet në këto ditë të bukura vjeshte. / KultPlus.com

Ambasadori amerikan në Shqipëri ka një shpjegim për fjalinë: Ja korçare, ja hiç fare

“Fjalia e parë që mësova në shqip ishte nga ky qytet – ja korçare, ja hiç fare!” u tha ambasadori Donald Lu qytetarëve në Korçë, shkruan KultPlus.

Ambasadori dhe bashkëshortja e tij, Dr. Ariel Ahart, vizituan qytetin juglindor këtë fundjavë për “Rock on the Stone”, një aktivitet që festoi miqësinë shqiptaro-amerikane dhe ndikimin e kulturës amerikane në Korçë.

Marrëdhënia e fortë midis vendeve tona u soll në jetë përmes bashkëbisedimeve, kujtimeve personale, fotove të organizatave të para shqiptare në Amerikë, prezantimit të kulinarisë amerikane, dhe një koncerti me muzikë xhaz, rrok dhe kauntri. Ishte një fundjavë e mrekullueshme mikpritjeje shqiptare, e ndërthurur me shijen e historisë dhe kulturës amerikane, është thënë me këtë rast, nga faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane në Shqipëri./KultPlus.com