Kryetari Rama reagon: Kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua shtatzënë të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Postimi i plotë:

Jam thellësisht i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur sonte në Prishtinë, në oborrin e Klinikës Gjinekologjike, ku një grua e re që priste të bëhej nënë, u vra bashkë me foshnjën e saj ende të palindur.

Ky është rasti i dytë i vrasjes së grave brenda një jave dhe kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës duke shpresuar se ky do të jetë rasti i fundit i dhunës e vrasjes së grave në Kosovë. / KultPlus.com

Kryetari Rama: Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës

Gjysmë shekulli punë, dedikim, sakrificë e Baletit Kombëtar të Kosovës, u manifestuan mbrëmë me një organizim që erdhi përplot emocion, në datën që shënoi një përvjetor jubilar të një institucioni që i dhuroi shumë Kosovës për kaq vite jetë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka theksuar se trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Mbrëmë u shënua 50-vjetori i themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës 🩰
Balerinët nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe ata të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, nën përcjelljen e Orkestrës së Filharmonia e Kosovës, sollën në skenë shfaqjen “Halili e Hajria”, që është edhe vepra e parë e baletit shqiptar.
Në një skenë të improvizuar, larg skenës, sallës dhe kushteve që meritojnë këta artistë, të cilët me gjenerata mbajtën gjallë baletin e Kosovës, dëshmuan dhe njëherë vullnetin dhe profesionalizmin që i karakterizon.
Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë! / KultPlus.com

Kryetari Rama: Kujtimi dhe nderimi për Shenjtoren tonë dhe veprimtarinë e saj na motivon për të shërbyer me dashuri

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama së fundmi ka përkujtuar Shën Nënë Terezën në 25 vjetorin e vdekjes së saj, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Përulje dhe falënderim të përjetshëm për Shën Nënë Terezën, simbolin e paqes, mirësisë dhe humanizmit.

Sot, me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës, bëmë homazhe para shtatores së saj në Prishtinë.

Kujtimi dhe nderimi për Shenjtoren tonë dhe veprimtarinë e saj na motivon për të shërbyer me dashuri dhe integritet për të gjithë qytetarët pa dallim. / KultPlus.com

Themelohet zyra koordinuese për Diasporën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se sot është marrë vendimi për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të Kryeqytetit, përcjell KultPlus.

Rama përmes një shkrimi në Facebook tha se hapja e zyrës koordinuese për Diasporën në nivel lokal ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme, duke shtuar se sot ai po përmbush edhe një nga premtimet e tyre.

Sipas tij, kjo zyrë koordinuese, e cila do të funksionalizohet shumë shpejt, në vete do të ngërthejë këto aktivitete:

3.1. Organizimi i ngjarjeve që synojnë promovimin e partneriteteve të reja biznesore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja nga diaspora në Kryeqytet. I përgjigjet pyetjeve të diasporës lidhur me zhvillimin e biznesit dhe investimeve te tyre në Prishtinë;

3.2. Ofrimi i këshillave në lehtësim të procedurave administrative dhe shërbimeve të dhëna nga Komuna, veçanërisht gjatë fluksit të madh të vizitorëve nga diaspora gjatë sezonit të pushimeve;

3.3. Zhvillimi dhe shpërndarja periodike e përmbajtjeve të rëndësishme informative me rëndësi për diasporën lidhur me zhvillimet në Kryeqytet, me theks të veçantë në çështjet ekonomike por edhe kulturore;

3.4. Zhvillimi i një mekanizmi për të mundësuar transferimin e njohurive dhe aftësive nga profesionistët e diasporës në departamente të ndryshme komunale (mund të ketë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim si trajnime, mentorime, seminare, vlerësime të projekteve, lehtësim i lidhjeve me institucionet, organizatat përkatëse. jashtë vendit);

3.5. Vendos në shfrytëzim marrëdhëniet dhe ndikimin e pjesëtarëve të diasporës në vendet e tyre rezidente, për të promovuar turizmin, produktet vendore dhe sektorë të tjerë ekonomik me interes për Kryeqytetin. Pjesëtarët e diasporës mund ta luajnë lehtësisht rolin e ambasadorit të Komunave në fusha të ndryshme në vendet rezidente;

3.6. Krijimi i databazës përfshirëse të pjesëtarëve te Diasporës nga Kryeqyteti;

3.7. Inicimi i krijimit të platformave filantropike në Diasporë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes financiare në kauzat me interes të Kryeqytetit.

Diaspora jonë, paraqet elementin më fisnik e cila gjithmonë mban lidhjen me atdheun, dhe për kontributin tuaj të vazhdueshëm jemi përjetë mirënjohës! / KultPlus.com

Fillon festivali “Meeting of Styles”, kryetari Rama: Prishtinën e shndërruan në një atelie artistike

Tashmë ka nisur edicioni i gjashtë i “Meeting of Styles Kosovo”, nën moton ‘Truth is Light’, me ç’rast Prishtina ka marr ditëve të fundit një tjetër pamje, pak më gjallëruese se zakonisht, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili e cilëson këtë edicion si një edicioon që ka gjallëruar Prishtinën.

Për disa ditë, Prishtina ishte nikoqire e qindra artistëve të talentuar nga mbarë bota, të cilët rrugën “B” të Kryeqytetit e shndërruan në një atelie artistike ku u prezantuan stile të ndryshme të artit urban.

Edicioni i 6-të i Meeting of Styles Kosovo, me moton “Truth is Light”, shoqëruar me muzikë e energji t’mirë, edhe këtë vit e gjallëroi Prishtinën tonë!

Kryeqyteti po vazhdon të jetë qendër e artit dhe kulturës“, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Kryetari Rama: Anulimi i ‘Sunny Hill’ do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm dhe në zhvillimin ekonomik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë.

Nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, Rama tha se vendimi për anulimin e këtij festivali në kryeqytetin e Kosovës, është shkaktuar nga “zvarritjet e Qeverisë”. Sipas tij, kjo do t’i “shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm”.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:

Të nderuar qytetarë të Prishtinës,
Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.
Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.
Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.
Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit. / KultPlus.com

Kryetari Rama i shpreh ngushëllime familjes së 30 vjeçarit që vdiq si pasojë e rënies së lisit

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i ka shprehur ngushëllime familjes së 30 vjeçarit, i cili vdiq si pasojë e rrëzimit të një lisi.

Rama iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim.

“Me shumë keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së një qytetari si pasojë e dëmeve nga stuhia që përfshiu sot Kryeqytetin. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e të ndjerit, dhe të lënduarëve ju uroj shërim sa më të shpejtë. Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”.

Një lis i rrëzuar në lagjen Pejton të Prishtinës ka lënë të vdekur një 30-vjeçar.

Policia ka njoftuar se nga rrëzimi i tij është lënduar edhe një grua 35-vjeçare, e cila është dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor./ KultPlus.com

Kryetari Rama: Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se vitet e pasluftës po shtohen e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.

“Më 27 prill 1999 forcat sërbe kryen në fshatin Mejë njërën nga masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në nderim të viktimave të kësaj ploje dhe të gjitha të tjerave të luftës, Kosova shpalli 27 prillin si Ditën e të Pagjeturve.

Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.
Bashkëndjejmë me familjarët e me gjithë popullin, me shpresën se drejtësia do të vihet në vend për viktimat dhe gjithë të pagjeturit e Luftës në Kosovë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Kryetari Rama: Kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë

Sot gjatë ditës janë publikuar pamje kur disa qenë në kryeqytet kanë sulmuar një grua e cila është rrëzuar derisa ka tentuar të mbrohet. Derisa nuk dihen pasojat, nëse gruaja është kafshuar nga qentë, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Kryetari Rama ka thënë se me shqetësim i ka para pamjet duke e quajtur problemin e qenëve kompleks.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese” ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për veprime tjera që janë ndërmarrë.

“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë​ problem” ka thënë i pari i Prishtinës.

Rama ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Komunave tjera dhe Qeverisë.

“Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”. / KultPlus.com

Kryetari Rama: ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’, më frymëzuan që të përkrahim zhvillimin e skenës së pavarur të artit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor: ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.

“Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Skena a pavarur e artit është çelësi i larmisë së një qyteti.

Mbrëmë, me shumë kënaqësi vizituam tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor, të cilat i mbështesim duke ofruar hapësirë pune dhe mbështetje programore.

Janë ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.

Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë.

Kjo vizitë më frymëzoi që të përkrahim edhe më tutje zhvillimin e skenës së pavarur të artit, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për artistët. Këto celula kreative janë çelësi i një Prishtine dinamike. / KultPlus.com