Teatri Dodona publikon orarin për muajin janar

Teatri i Qytetit të Prishtinës, Dodana, ka bërë publikimin e shfaqjeve të muajit janar, shkruan KultPlus.

Shfaqjet me kukulla për fëmijë do të përkujdesen që t’i dhurojnë buzëqeshje në fytyrë secilit fëmijë që do ta vizitojë teatrin këtë muaj.

Duke filluar nga e shtunja më 8 janar me shfaqjen “Mustaqoshi Larosh”, e deri të dielën e 30 janarit, kur edhe do të jepet shfaqja tjetër me kukulla, “Gjyshi dhe rrepa”.

Shtatë shfaqje për fëmijë do të shfaqen gjatë këtij muaji në Teatrin Doda. /KultPlus.com

Historia e kukullës gjigante që shëtit në 7 shtete


Amali është kukulla që do të përshkojë 8000 km nga Turqia në Angli, në një udhëtim që përfaqëson historitë e miliona fëmijëve refugjatë që janë të detyruar të lënë vendlindjen madje shpesh herë edhe pa prindërit e tyre.

Nisma e quajtur “The Walk” është një pjesë e një projekti për të rritur ndërgjegjësimin e vështirësive që hasin emigrantët nën moshën 18 vjeç.

Maskota gati 4 metra e gjatë do të kalojë kufijtë e 8 shteteve, fillimisht në Turqi, Greqi, Itali, Francë, Zvicër, Gjermani, Belgjikë dhe në fund në Mançester të Anglisë më 3 Nëntor.

Ecja e kukullës mundësohet nga 4 animatorë profesionistë nga një person tek secili krah, një tek pjesa e shpinës dhe një brenda trupit.

Drejtori artistik i projektit Amir Nizar Aubi, është shprehur se është pikërisht fokusimi i botës në probleme të tjera që i jep kaq rëndësi këtij projekti për ta kthyer fokusin në krizën e refugjatëve.

Amali është bazuar nga një personazh nga Goog Chance Theatre dhe një produksion i tyre i titulluar “Xhungla”, një vepër për refugjatët e kampit Calis në Francë, ku tregohet historia e një vajze siriane që kërkon nënën e saj.

Tashmë Amali ka përmbushur pjesën e parë të udhëtimit të saj nga kufiri Turqi-Siri dhe do të niset për në Greqi. Në çdo qytet ku do të ndalohet do të zhvillohen festivale dhe mblidhen fonde për ta mbështetur./KultPlus.com

Koleksioni i kukullave me Sindromën Down

Një koleksion i kukullave më ndryshe është krijuar nga “minilanddolls” të cila janë të veçanta dhe  jashtëzakonisht me një mesazh teje të mrekullueshëm.

Ky koleksion kukullash përbëhet nga kukullat me Sindromën Down , për  ndërgjegjësimin e fëmijëve për larminë dhe përfshirjen, duke promovuar vlerat e barazisë, integrimit dhe pranimin e tyre në shoqëri.

Këmbët, krahët dhe kokat e secilës kukull lëvizin për të lejuar lëvizje realiste,kukullat rekomandohen për fëmijë nga 10 deri në 72 muaj./op/ KultPlus.com

New York Times: Ismail Kadare ia atribuon “dhuratën e shkrimtarit” nënës së tij

Prestigjiozja amerikane “New York Times” i ka kushtuar një artikull interesant librit “Kukulla” të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili pas pesë vitesh të botimit u përkthye në gjuhën angleze këtë vit nga John Hodgson.

ARTIKULLI I PLOTE I NYT

Detyrimi për të udhëtuar drejt shtëpisë i nxitur nga vdekja e një prindi është një nënzhanër i kujtimeve të udhëhequra nga vetë-simpatia- e kuptueshme, nëse jo gjithmonë e mjaftueshme për krijiminë e letërsisë së mirë.

Më e mira në natyrë mbështetet jo vetëm në kujtimet e pluhurosura, por dhe në ndjekjen e një informacioni të ri: një pjesë e kujtesës, një pjesë e historisë së treguar e detyruar nga një boshllëk i papritur që duhet të plotësohet.

Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar, njihet më së miri si një ironist që ka fituar krahasime me George Orwell dhe Milan Kundera, duke shkruar përballë diktatorit të pamëshirshëm komunist Enver Hoxha, i cili drejtori Shqipërinë nga 1944 në 1985. Nga fillimi i viteve ’90, megjithëse Hoxha kishte vdekur, Kadare kishte nxitur mjaft inat brenda regjimit dhe do të duhej të largohej në Paris. Ai u kthye në vendin e tij pasi mori një telefonatë nga motrat e vëllezërit e tij që e informuan për sëmundjen e nënës, të cilën ai e quajti Kukulla. E tillë është premisa e romanit autobiografik të Kadaresë me të njëjtin titull, botuar fillimisht në shqip në 2015 dhe tani është përkthyer në anglisht nga John Hodgson.

Kjo nofkë (kukulla) përmban një informacion të madh në lidhje me nënën e narratorit, apo perceptimin e tij fëminor mbi të, brishtësinë e saj dhe çfarë do të “më godiste më vonë si ngjashmëriare e saj me letrën”, shkruan ai. Ka një mister si Kabuki që rrëfyesi, Ismail, gjen të gdhendur në fytyrën e saj, “një naivitet i pashoq” dhe “adoleshencë e zgjatur”, të gjitha shenjat e një ekzistence të kufizuar që ai tani kupton se ishte mbyllur në vend kur ajo u martua 17 vjeçe dhe u zhvendos në shtëpinë shekullore të bashkëshortit të saj, për të banuar nën sundimin perandorak të vjehrrës së saj.

Disa nga pjesët e këndshme të “Kukulla” lindin nga emocioni i dukshëm i Kadaresë në rikthimin e tij në Gjirokastër, qytetin magjepsës të lindjes së tij dhe ringjalljen e viteve të saj të luftës, kur Kukulla ishte e re. Gjeografia politike në Europë po vërshonte, por zakonte e jetës së nënës së tij ishin akoma aty dhe të gjalla. Lexuesi gjen intriga vojeristike në procesionin që e shoqëroi atë në vizitën e saj të parë post-martesore në shtëpinë e babait të saj dhe në lajmërimin e vjehrrës së saj se, si një grua në një moshë të caktuar, ajo kurrë nuk do të dilte më nga shtëpia. Një presion përçarës mbi botëkuptimin e Kukullës vjen në formën e një kushërire që zgjodhi të heqë dorë nga martesa për një karrierë në mjegullnajën politike gjithnjë e më të errët të Hoxhës.

Romani kthehet gjithashtu, pjesërisht në një ‘bildungsroman’ (shënim i redaksisë: një roman që merret me vitet formuese ose edukimin shpirtëror të një personi), ndërsa rrëfyesi përpiqet të ngacmojë se çfarë kishte të bënte me ndjeshmërinë e nënës së tioj që lindi “dhuratën e shkrimtarit” brenda tij. Ismaili bëhet i bindur se “gjithçka që e kishte dëmtuar Kukullën në jetë u bë e dobishme për mua në artin tim” dhe se nëna tij e kishte dorëzuar lirinë në jetën e saj “për të më dhënë të gjithë lirinë e mundshme si një qënie njerëzore, në një botë ku liria ishte aq e rrallë dhe e vështirë për t’u gjetur”.

Lexuesit e njohur tashmë me shkrimet e Kadaresë ka të ngjarë ta shohin këtë punë delikate si një përkujtim të dobishëm. Ata që nuk janë lexues të tij mund të luftojnë teksa teksti tenton të godasë, me një prirje feministe, megjithëse narratori është më pak i interesuar në politikë se sa të kalojë nga një vend në tjetrin, nga karakteri në karakter, duke imituar modelin e vetë kujtimeve teksa na çon gjatë ditëve të tij të universitetit në Moskë dhe prishjes së tij me zakonte e familjes. Por ai refuzon të mbushë hapësirat në mes. Kadare e krahason projektin e tij me një poezi ruse për “nënën”, “mat” tre herë dhe herën e katër e lë të papërfunduar fjalën matmatmatma. Rrokja e fundit “-tma” do të thotë “errësirë”. “Një cikël i pafund i matmës, ‘errësira e nënës”,” shkruan Kadare, “në të cilën nëna dhe errësira mbeten përtej kuptimit”./diaporashqiptare/KultPlus.com

Detaje nga dreka e parë e Helenës me familjen e Ismail Kadaresë, aty ku lindi ideja e fejesës

Ismail dhe Helena Kadare përbëjnë çiftin më të njohur të letrave shqipe. KultPlus sonte ju sjell një pjesë nga libri i njohur i Kadaresë “Kukulla”, ku Ismail Kadare përshkruan në detaje takimin e parë të Helena Kadaresë me familjen e tij, që e nënkuptohet si një takim tejet i ftohtë, por që pas tij, kishin kuptuar se kjo drekë  edhe në mënyrë të pavetëdijshëm i kishte shtyrë drejt një hapi tjetër në lidhjen e tyre.

Në kujtimet e saj, Helena ka përshkruar drekën e parë në shtëpinë tonë, që ishte njëherësh njohja e parë e saj me prindërit e mi.

Asnjëherë, madje ende sot, pas kaq vitesh nuk e kam pasur të qartë se ç’më shkrepi atë të diel  që, pas qëndrimit gjithë paraditen në dhomës time, t’i thosha Helenes: a nuk rri për drekë?

Për drekë? Kishte thënë ajo e befasuar, pastaj kishte përsëritur dy-tri-herë: Po si? Po pse?

Kishte disa javë që takoheshim, por asnjëherë s’kishte rënë fjala për gjëra të tilla, njohje me prindërit etj. Helena njihte motrën time, nuk di në  ç’rrethana, kurse me vëllain më të vogël ishte ndeshur një herë të shkallët.

Përse? Përserita pyetjen e saj. Desha t’i them ndonjë arsye, por ngaqë s’gjeta, përsërita…Ashtu kot…

Pa e bërë të gjatë isha ngritur dhe kisha dalë nga dhoma, për t’i thënë Kukullës se ajo shoqja ime do të rrinte për drekë…

Kush? Pyeti Kukulla. Ajo bjondia? Gjithmonë sipas stilit të saj, nuk përdori fjalën “leshverdhë”, siç thuhej në Gjirokastër, sidomos në shtëpitë e vjetra, ku leshverdhat çmoheshin veçanërisht, por një fjalë që sapo kishte hyrë në modë.

Një çast e mora këtë si shenjë që Kukulla ishte joshur më në fund prej vajzës, çka vërtetonte se kisha pasur të drejtë kur kisha menduar se, në rast nevoje për mirëkuptim midis Helenës dhe fisit tim kryeneç, shpresën kryesore e kisha vënë te flokët e saj.

Por këtë herë nuk ndodhi ashtu. Njëfarë ftohtësie në fytyrën e Kukullës, ishte, me sa dukej, shenja se ende ruante njëfarë pa kënaqësie që zgjedhja e saj paradokohshme nuk ishte marrë parasysh. Dhe, pa dyshim, i kishte shkuar mendja se Helena paskësh qenë shkaku.

Nuk foli asgjë, vetëm pyeti se a duhej t’i thoshte “atij”, domethënë tim eti.

Patjetër, i thashë. Do të hamë drekë të gjithë bashkë.

Ishte ende mesditë dhe gjer në dy, ora e zakonshme e drekës, kishte kohë të mjaftueshme për ndonjë përgatitje.

Helena nuk e fshihte se ishte pak e shqetësuar. Për t’i dhënë  zemër i tregova ca kureshti të Kadarenjve, një pjesë e të cilave kishin lidhje me naivitetin e Kukullës. Ndër të tjera, i përmenda ngjarjen e “vajës” modele dhe, gjsmë më të qeshur, shtova se, meqenëse Kukulla paskësh qenë e djegur për fjalën “zonjë”, të përpiqej ta quante ashtu.

Pak përpara orës së drekës shkova për të parë gjendjen. Nga kostumi i babait dhe shprehja e fytyrës e kuptova që “e dinte”. Im vëlla më pëshpëriti: “Helena do të vijë?”. Ia bëra “po” me krye.

Në orën dy u nisëm të dy, unë i para, Helena pas, drejt drekës që Bardhyl B. Kishte gjasë ta quante si risinë më të madhe, jo vetëm në doket letraro-mondane shqiptare, por më tej, dicka që të kujtonte deklaratën e Jefferson-it ndoshta, apome Shturm un Drang-un gjerman që porsa e kishin bërë në letësi.

Im atë, në krye të tryezës, me gjithë pamjen e rëndë, ishte gjithmonë në “gjendje lufte”. Kukulla kishte pamjen e saj të zakonshme në kësi rastesh: një përzierje të nemitjes me shpërfilljen. Motra, nuk e kuptoja pse m’u duk se mbante një qëndim gjysmë fajtori.   I vetmi që rrinte natyrshëm ishte vëllai.

Mirëdita, zonjë, tha Helena me një zë krejt të pasigurt.

Unë mezi e mbajta të qeshurën. Kukulla s’e dëgjoi ose bëri sikur. (Me vete mendova që ishte më mirë të mos e kisha dëgjuar, përndryshe në krahasim me zërin e tingëllueshëm e lozonjar të asaj tjetrës, ky i Helenës, kishte gjasë t’i dukej fare i zbehtë.)

Tek vendoste pjatat e fundit, në fytyrën e saj m’u duk se spikata dicka të njohur. Buzëhollë, gati sa s’thashë me zë. Gjyshja. Ndoshta vjehrra…

Në tryezë biseda mezi lidhje. Me përjashtim të disa frazave të rëndomta midis Helenës dhe tim vëllai, një bisedë koti midis studentësh për ca ndryshime rregulloresh në fakultet, pjesa tjetër i ngjante një teksti të ngjitur me zor.

Të thashë? I pëshpërita Helenës që e kisha përbri.

Ajo bëri “po” me krye dhe kjo më qetësoi gjithsesi.

Ishte moskuptimi i përhershëm i Kadaranjve, për të cilin i kisha folur. Por këtë herë ftohtësia përligjej. Në sytë e të gjithëve ishte pyetja: ç’ishte kjo vajzë, përse ndodhej këtu dhe c’kuptim kishte kjo drekë?

Herë pas here sytë më shkonin te Kukulla dhe pothuajse e merrja me mend se c’ndiente.

Të qan zemra për atë tjetrën, mendoja. E di. Një copë herë e vazhdova me vete dialogun e përfytyruar me Kukullën. Kjo këtu, Helena, gjithashtu është e bukur, apo jo? Për pamjen s’kishte ç’thoshe. Madje ia kalonte asaj tjetrës. Dhe ishte leshverdhë si ato të teatrit, që i pëlqenin asaj.

Kisha një pështjellim të lehtë në kokë. Ndieja dëshirën t’i thosha: S’kemi pse vështroni ashtu si të mpirë. Kjo drekë është thjesht një drekë. Ashtu sikurse kjo vajzë është para së gjithash një vajzë. E cila, veç kësaj, është e dashura ime. Por kjo është puna jonë, e në të dyve, që as ju dhe askujt tjetër s’i përket. E morët vesh tani?

Acarimi i beftë, ashtu si më erdhi, pa ndonjë shkak të dukshëm, ashtu edhe po më ikte.

Pështjellimi në kokën time vazhdonte, por ai ishte tani i ndryshëm. Kishte kaluar kaq kohë që nga drekat dhe darkat te shtëpia e madhe “atje”. Kukulla ishte tani në vendin e vjehrrës së saj, kurse Helena në vendin e Kukullës. Mua s’më mbetej veç të isha në rolin e tim eti, që duhej të vendoste drejtësinë, në rast lufte midis tyre. Aq më tepër që ai, pas dorëheqjes, e kishte humbur postin e Torquemandas së madh…Qerthulli rihte të mbyllej…

Sa më lodhi kjo drekë, i thash Helenës kur shkuam prapë në dhomë. Ndoshta bëra gabim që të çova. Jo, tha ajo, me të njëjtin zë të pasigurt që kishte shqiptar fjalët: si jeni zonë?…

Më pas, po të më thoshte dikush se ajo drekë, në dukje pa asnjë kuptim, ndrynte në vetvete një enigmë, do të qeshja me të madhe.

Ishin bërë vërtet pyetjet: ç’ishte kjo vajzë, pse ishte këtu dhe ç’kuptim kishte ky teatër, por në të vërtetë askush, e në radhë të parë ne të dy, Helena dhe unë, nuk fshihnim asgjë. Dhe kjo ishte krejt e vërteta, ngaqë në radhë të parë, në vetë nuk dinim asgjë. Kishim ardhur te kjo drekë pa asnjë prapamendim a plan maskues, e aq më tepër pa dredhi.

Ndërkohë, më pas, si duke luajtur si rrjedhojë leximesh të llojit psikanalist, madje na kishte shkuar se mos, pa e dit as vetë, ishim joshur ne vetë, duke joshur pas vetes dhe të tjerët, drejt idesë së mjegullt të një fejese.

Përherë e më tepër më dukej se një dasmë e ndrydhur, e ardhshme, si ato dhomat ende pa emër të shtëpisë së Gjirokastrës, një mbasedasmë, po të përdorej një fjalë sipas shembullit të mosdhomave të atjeshme, rrinte ndoshta e fshehur pas teatrit absurd të asaj dreke.

Urime të pathëna, që s’kishin të drejtë të shqiptoheshin, një rrëzëllimë karfice mbi flokët e Helenës, që herë merret shkëlqim e aty për aty shuhej, sipas lëvizjes së kokës së saj, shkurt një si shenjim a lajm fejese e porsalindur, rridhnin të shfaqeshin falturushëm./ KultPlus.com