Kosova propozon filmin ‘Në kërkim të Venerës’ nga Norika Sefa për “Oscars 2023”

‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023, përcjell KultPlus.

“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, ‘Në kërkim të Venerës’ përfaqëson autenticitetin por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë.” u shpreh komiteti selektues i Kosovës përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës.

Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.

“Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’, një jetë-botë e një adoleshente e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësoj Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë.” shtoi, Lum Çitaku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të komitetit selektues.

Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve e Oscars ishte e përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Uka, Valmira Hyseni, dhe Eniz Saraçi.

Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com

May be an image of 1 person, child and text

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Norika Sefa

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus iu sjell në vazhdim një nga regjisoret më të sukseshme vitin e kaluar, Norika Sefa e cila punoi në filmin e metrazhit të gjatë artistik “Në kërkim të Venerës”, i cili premierën botërore e kishte në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë kosovar që mori pjesë në këtë festival.

“Në kërkim të Venerës”, është shpërblyer në Basel me çmimin “The Peter Liechti Award”. Ndërkaq, filmi gjithashtu mori çmimin “Cineuropa” në Festivalin e Filmit në Trieste.

Filmi flet për Venerën, një adoleshente e ndrojtur e cila rritet mes tre brezave që janë vazhdimisht nën këmbët e njëri-tjetrit në shtëpinë e tyre të ngushtë. Por diçka e ngatërron dhe shpirti i saj gjallërohet kur takon Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxitë kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Përderisa Venera mundohet të kuptojë ato që e rrethojnë, filmi shprehë nje sens te jetës pa kuptim, rrethuar me njerëz që fshehin emocionet – poshtërimin, fajin e zhgënjimin. / KultPlus.com

“Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa shpërblehet me çmim në Festivalin e Filmit në Trieste

Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, i cili premierën botërore e kishte në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë Kosovar që mori pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë, tashmë është shpërblyer me çmim në Festivalin e Filmit në Trieste, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Besnik Krapi i cili postoi një video nga momenti në festival si dhe një mbishkrim.

“Në kërkim të Venerës merr çmimin Cineuropa në Festivalin e Filmit në Trieste. Cast dhe grupi, unë ju dua juve”, shkruan Krapi në rrjetet sociale.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenoë, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com