MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com

“Pa Vend” dhe “Luaneshat e Kodrës”, pjesë e ‘Toronto International Film Festival’

“Toronto International Film Festival” dje ka publikuar një artikull ku ka bërë të ditur filmat e edicionit të sivjetmë, e pjesë e këtij festivali është edhe filmi nga Kosova “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës.

“Pa Vend” do të konkurrojë në programin e filmave të shkurtër “Short-Cuts”, i cili përmban gjithsej 38 filma që vijnë nga 23 shtete.

Ndërsa, pjesë e këtij festivali do të jetë edhe regjisorja kosovare Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës”. Ajo do të konkurrojë në programin “Contemporary World Cinema”.

Festivali do të mbahet nga 9 deri më 18 shtator në formatin hibrid. Për edicionin e tij të 46-të, festivali gjatë 10 ditëve do të sjellë kineastë nga Kanadaja, por edhe e gjithë bota me mbi 100 filma që janë pjesë e seleksionimit zyrtar e paralelisht me këtë do të mbahen edhe ngjarje të tjera.

Orari i i plotë i festivalit do të publikohet më 24 gusht. Artikulli i plotë: https://tiff.net/films / KultPlus.com

‘Pa Vend’ nuk kthehet pa çmim nga Kana, vlerësohet si kandidat për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit

Edhe pse nuk u bë publike gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, jurija ndërkombëtare e Cinéfondation dhe e filmave të shkurtër e ka përzgjedhur filmin ‘Pa Vend’ si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit.

Jurija e përbërë nga Sameh Alaa (Egjipt), Kaouter Ben Hania (Tunisi), Carlos Muguiro (Spain), Tuva Novotny (Suedi), Nicolas Pariser (Francë) dhe Alice Winocour (director/ëriter, Francë) e kanë përzgjedhur filmin ‘Pa Vend’ si filmi më i mirë evropian në konkurrencën zyrtare e që do jetë kandidatë i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit.

‘PA VEND’ tani është kandidat për nominim në kategorinë ‘Film i Shkurtër Evropian’ në European Film Awards 2021.

Programi i Filmit të Shkurtër EFA është organizuar nga Akademia Europiane e Filmit dhe EFA Productions në bashkëpunim me një seri festivalesh filmi në të gjithë Evropën. Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur paraqet një nga filmat evropianë me metrazh të shkurtër në konkurrencë me një kandidaturë në kategorinë e filmit të shkurtër të Çmimeve Evropiane të Filmit.

Ky është kandidati i 17-të i filmit të shkurtër për vitin 2021. Kur të përfundojë cikli vjetor, festivalet pjesëmarrëse do të nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë. Më pas, 4,000 Anëtarët e EFA – profesionistë të filmit nga e gjithë Evropa – do të votojnë për fituesin e përgjithshëm që do të paraqitet në Ceremoninë e 34-të të Çmimeve Evropiane të Filmit.

Lajmi është publikuar sot në faqen e Akademisë Europiane të Filmit:
https://www.europeanfilmacademy.org/News-detail.155.0.html?&tx_ttnews%5Btt_news%5D=917&cHash=0cd10f34a08fad4de6347ca576004cc1 / KultPlus.com

Shfaqja e ‘Pa vend’ në Kanë, ndër premierat me të rëndësishme për Kosovën

Filmi ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda shfaqi në Kanë ndër premierat më të rëndësishme të filmit kosovar deri tani. Filmi u shfaq në kuadër të kategorisë kryesore të filmave të shkurtë dhe garon për Palmën e Artë, transmeton KultPlus.

Filmi “Pa vend” i zhanrit docu-fiction përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve.

Ekipi i filmit përbëhet nga:

Regjia dhe Kinematografia: Samir Karahoda

Producent: Eroll Bilibani

Montazhi: Enis Saraçi

Dizajner zëri: Memli Kelmendi

Xhirues Zëri: Gëzim Rama

Protagonistët kryesor: Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati

Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales. / KultPlus.com