Në Shkodër, zhvillohet sfilata me veshje tradicionale frymëzuar nga Marubi

Katër stilistë të huaj janë frymëzuar nga krijimet e Marubit. Përmes kësaj, ata realizuan një sfilatë të veshjeve tradicionale të sjella në kohën e sotme.

“Marubi” është frymëzues. Nxit imagjinatën e të sjell në kohë etnosin tonë përmes veshjeve. Katër stilistë nga vendet e ndryshme të botës, me një sfilatë veshjesh tradicionale në rrugën Kole Idromeno. Organizatorja e aktivitetit Klodi Mengri thotë se kush më mirë se Marubi mund të të frymëzojë.

Klodi Mengri, organizatore, u shpreh: “Shumë e kënaqur, e lumtur. Tani do të doja që të gjithë ta përcjelli e gjithë Shkodra këtë kënaqësi që unë ndjej në shpirt”.

Për Luçjan Bedenin, Marubi ka joshur arkitektët e inxhinierët, pse jo edhe për stilistët. Ajo që synohet është kthimi i kësaj sfilatë në një traditë.

“Unë besoj që Marubi prej 2 vitesh po e ndryshon bindshëm qytetin”, tha Bedeni, shkruan Abcnews.

Me burim nga etnografia shqiptare e pasqyruar në veshjet e personazheve të fotografuar nga Marubët dhe e riparë sot nga stilistë të rinj që frymëzohen prej saj, ku përmes stilit, e kaluara dhe e tashmja vijnë së bashku në përfaqësimin e trashëgimisë e identitetit tonë kulturor.

Sfilata u shfaq në pedonalen e Shkodrës dhe vjen si bashkëpunim i Muzeut Marubi, Ti Institut dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Drita nga Izraeli dhe Ahmeti nga Shkodra lindën në një shtëpi në Shkodër, takohen pas 75 vitesh (FOTO)

Drita nga Izraeli dhe Ahmeti nga Shkodra megjithëse kanë lindur në një shtëpi dhe sot janë me “kokën e zbardhur”, takohen për herë të parë në Shkodër pas 75 vitesh.

“Drita”, vajza e hebrejes Mimi Kamhi Ergas Faraxhi dhe Alberto, e pagëzuar me këtë emër shqiptar ka një histori të gjatë dhe krenare për ne.

Në vitin e largët 1943 një familje hebre u detyrua të udhëtojë nga Shkupi në Shkodër për ti shpëtuar përndjekjes naziste.

Alberto mbante në dorë një copë letër ku shkruhej adresa e Xhemil Shurdhës.

Libri me kujtime “Jeta ime nën pushtimin nazist”, të Mimi Kamhi Ergas Faraxhi, i botuar në tre gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht nga autori Skender Asani u promovua sot në Shkodër në kuadër te ditës në kujtim të holokaustit.

Libri memoristik tregon jetën e një familje hebreje e cila ka gjetur mbështetje tek një familje shkodrane.

Mimi, autorja e kujtimeve në këtë libër, lindi në Shkodër vajzën e saj Drita, e cila sot udhëtoi nga Izraeli, për tu kthyer në vendlindje pas 75-vjetësh.

Në muzeun Marubi, të pranishmit nuk i mbajtën dot emocionet teksa Drita u takua me Ahmetin, djalin e Xhemilit që para 75 vjetësh i kishte hap derën dhe mikë pritur në shtëpinë e tij prindërit e saj, shkruan panorama.al.

Drita dhe Ahmeti janë fëmijët e dy familjeve, një hebreje dhe shqiptare që shtojnë dëshmitë e “gjalla”, mbi kontributin që populli shqiptar ka dhënë për të shpëtuar hebrejtë.

Këtë vit Ministri Ditmir Bushati kishte zgjedhur që aktivitetin në ditën përkujtimore të Holokaustit ta zhvillonte në Shkodër duke përuruar librin me kujtime “jeta ime nën pushtimin nazist”.

Duke folur para të pranishmëve jo pa emocion, Drita u shpreh “ Shkodrën e mbaja mend si nëpër ëndrra, si diçka që nuk e dija sa ishte e vërtetë dhe sa fantazmë, por tani që erdha dhe e pashë, jam e lumtur që mu rikthyen kujtimet, Shkodra është po aq e bukur”.

Ahmet Shurdha, e çoi më tej kujtimin e atyre ditëve, ndërsa shpjegoi me detaje si u miqësua Mimi me vajzat dhe gratë e familjes ndërsa Alberto punonte.

Momenti më prekës i këtij takimi ishte kur Ahmeti tregon fotot e vjetra por të ruajtura me kujdes te atyre viteve./ KultPlus.com

Me 20 tetor, Lala Meredith-Vula sjellë ‘Urtësi sot e mot’ në Shkodër

Në Muzeun e Fotografisë ‘Marubi’, me datë 20 tetor do të hapet ekspozita e artistes Lala Meredith Vula.

Fjalët që karakterizojnë ekspozitën e Lala Meredith-Vula në Muzeun Marubi në Shkodër i gjejmë të shkruara mbi një pankartë, në njërën nga fotografitë që artistja shqiptaro-angleze shkrepi në Vranjevc të Prishtinës, më 4 maj 1990. Ato shprehin parimet që udhëheqin një transformim historik delikat brenda një komuniteti. Këto fjalë duket sikur përkojnë me të gjithë punën artistike të Meredith-Vula, e cila na paraqitet si imediate dhe e çdokohshme duke u integruar me proçeset e ngadalshme që kërkojnë një shoqëri të gatshme për të pranuar një ndryshim të tillë si dhe bashkëveprim me tokën, duke përfshirë këtu edhe materialet natyrore që ajo ofron.

Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme, Freeze me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katër vjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat kosovarë, ku ajo filloi të fotografonte mullarët. Në këto forma agrare, ajo kishte gjetur “kuintesencën e veprës së artit.” E nëse dëshironte të rilidhej me atdheun e saj, një dëshirë e tillë abstrakte duhej të rrënjoset diku thellë në tokë, ashtu si vetë mullarët. Pas tre dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma. Por roli i MeredithVula si dëshmitare u transformua kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjaqeve në rajonin ku kishte fotografuar mullarët.

Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studjuesit Anton Çetta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremoniale, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe
komunitetet.

Dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith-Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku)- janë sjellë për të ndërvepruar me hapësirën e Muzeut Marubi. Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14. Megjithatë, ekspozita që po ju paraqesim, përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përtej tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914, pjesë e ekspozitës Rroftë! kuruar nga Blerta Hoçia- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula me trashëgiminë e pasur të dinastisë Marubi si dhe me historikun e ekspozitës të këtij muzeu, të themeluar në nderim të tyre.

Bashkëbisedimet e hapura janë shumë të rëndësishme për artin dhe për ndërtimin e ekspozitave. Edi Hila, piktori i mirënjohur shqiptar dhe profesor dashamirës i gjeneratave më të reja të artistëve që kanë studjuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, ka komentuar mbi fotografitë e mullarëve të mikes së tij dhe artistes. Sipas Hilës, ata janë: “Një dialog i Lalës me secilin nga mullarët. Ata personifikojnë atë çfarë Lala ka parë dhe atë ç’ka i kanë thënë asaj.” Ndërkohë, pjesëmarrja e Meredith-Vula në documenta 14 si dhe ekspozita e saj në Muzeun Marubi u mundësuan falë këshillave të vyera të Erzen Shkolollit, i cili në rolin e tij si këshilltar kuratorial në documenta 14 ishte i pari që ia prezantoi punën e fotografes, ekipit të kuratorëve të documenta 14. Tani është momenti që bisedat e ndryshme t’jua shtrijmë ju-publikut.

Ekspozita do të hapet në ora 18:45. Një ditë më pas, me 21 tetor, në ora 11:00 do të ketë bashkëbisedim me artisten Lala Meredith-Vula dhe kuratoren Monika Szewczyk. / KultPlus.com

“Mullarët” dhe “Kujtesë Gjaku” sjellin Lala Meredith- Vula në Shkodër

“Urtēsi sot e mot” titullohet ekspozita e artistes Lala Meredith-Vula, kuruar nga Monika Szewczyk. Kjo ekspozitë sjell në Muzeun Marubi dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith- Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku), shkruan KultPlus.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, ka përzgjedhë artisten shqiptare Lala Meredith- Vula që të prezantohet me ekspozitë, në ambientet e këtij Muzeu, shkruan KultPlus. “Urtēsi sot e mot” titullohet ekspozita e artistes Lala Meredith-Vula, kuruar nga Monika Szewczyk.

Kjo ekspozitë sjell në Muzeun Marubi dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith- Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku). “Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14, por ekspozita që do t’ju paraqesim, përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përveç tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula dhe trashëgimisë së pasur të dinastisë Marubi”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ekspozita do të hapet më 20 tetor, në ora 18:45./KultPlus.com