“Onufri”, çmim në Kinë: Botuesi Bujar Hudhri sjellë “Special Book Award of China”

Një katalog i botimeve nga Kina ishte një ndërmarrje e Shtëpisë Botuese Onufri rreth 10 vjet më parë, e që sot i solli çmimin “Special Book Award of China”.

“Ky është çmimi më i lartë që qeveria e Republikës Popullore të Kinës akordon për autorët, përkthyesit dhe botuesit e huaj, të cilët kanë shënuar arritje të dukshme, në prezantimin dhe përkthimin e librit kinez si edhe në nxitjen e shkëmbimeve kulturore”, u shpreh Bujar Hudhri, botues.

Por a kishte Kina një strategji zgjerimi dhe shkëmbim të kulturës së saj, e vendet e Evropës dhe çfarë roli i dha letërsisë në këtë?

“Mbas marrjes së çmimit, pas dy ditësh u themelua shoqata e botuesve Kine-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore 16+1. Në këtë projekt në një kapitull të veçantë shkruhet për librin. Ideja është që këto vende të botojnë dhe përkthejnë libra mes tyre, apo të marrin pjesë në panaire të përbashkëta. Kjo vjen në një kohë kur libri nuk është në ditët e veta më të mira”, thotë Bujar Hudhri, botues.

Letërsia kineze ka një problem të madh për shkak të gjuhës së saj, por Kina ka shkrimtarë të nivelit botëror, sidomos një grup shkrimtarësh që kanë ardhur në letërsinë kineze mbas hapjes së Kinës. Megjithatë në strategjinë e saj të shkëmbimeve kulturore libri duket se ka marrë rëndësi të veçantë. Aktualisht janë rreth 25 vepra po përkthehen nga letërsia shqipe në Kinë. “Aksidenti” i Ismail Kadaresë sapo është botuar. /KultPlus.com

Muzeu Ikonografik “Onufri”, mirëpret 2486 turistë në ditët e para të shtatorit

Berati, edhe këtë vit ka tërhequr turistë të huaj e vendas, të cilët e vizitojnë qytetin për vlerat e tij historike, arkitekturore, por edhe për kulturën e pasur që ka ruajtur prej më shumë se 2 mijë vjetësh.

Vetëm në nëntë ditët e para të muajit shtator, Muzeun Ikonografik “Onufri” e kanë vizituar 2486 turistë, nga të cilët 1700 kanë qenë të huaj. 583 ka qenë numri i vizitorëve në datën 5 shtator të cilëve u është shërbyer falas.

655 vizitorë kanë vizituar Qendrën Muzeore Berat, në datën 5 shtator me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza.

Vizitorët kanë qenë të kombësive të ndryshme nga Polonia, Italia, Gjermania, Franca, Çekia, Sllovakia dhe Holanda.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.

Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX. /ata

“CultureTrip”: Bota është mbushur me artistë shqiptarë

Bota është e mbushur me artistë të njohur dhe të famshëm nga Shqipëria ose me rrënjë shqiptare, shkruan për “CultureTrip”, Francesca Masotti.

Zbuloni disa prej artistëve, piktorëve dhe këngëtarëve shqiptarë më të famshëm, punët e të cilëve njihen në të gjithë botën:

Albania, Berat, Onufri Museum. Detail. Icon from the central area of the iconostasi of the church of the Annunciation in Berat; one of the apostoles.

Onufri
Onufri është piktori i ikonave më i famshëm nga Shqipëria. Ai ishte aktiv në shekullin XVI në jug të Shqipërisë, në perëndim të Maqedonisë dhe veri të Greqisë. Mendohet se Onufri ka lindur në Berat, një qytet i bukur që ndodhet në jug të Shqipërisë. Sot, Berati ka një muze shumë interesant të Onufrit, ku vizitorët mund të mësojnë për artistin dhe të admirojnë pikturat e tij. Vepra të tjera arti të Onufrit mund të gjenden në Muzeun Mesjetar në Korçë dhe në shumë kisha përmes vendit.

Kolë Idromeno
Nikolla Kolë Idromeno, i njohur si Kolë Idromeno, ishte një piktor, artist, skulptor, kinematograf, fotograf dhe arktiekt shqiptar gjatë epokës së Rilindjes në Shqipëri (periudha historike nga viti 1870 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912). Idromeno kishte lindur në Shkodër, qyteti më i madh në veri të Shqipërisë. Ai kishte bërë studimet në Venecia në Akademinë e Arteve të Bukura, udhëtoi nëpër Europë dhe më pas u kthye në Shkodër, ku zbukuroi tavanin e Katedrales së Shën Stefanit. Shumë prej pikturave të tij tani ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ibrahim Kodra
Ibrahim Kodra është një prej piktorëve më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai studioi art në Milano dhe ishte mik me artistë të famshëm si Pablo Picasso. Punimet e tij prestigjioze ndodhen në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin italian në Romë, në Galerinë e Arteve të Kosovë në Prishtinë dhe në shumë koleksione private.

Adrian Paci
Adrian Paci është një prej artistëve bashkëkohorë më të famshëm në Shqipëri dhe Europë. I lindur në Shkodër, ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vajti në Milano, Itali. Punimet e tij, që shpesh herë prekin tema si nostalgjia, ndarja dhe paraja, mund të admirohen në shumë muze dhe galeri artesh në botë. Paci ishte artisti i parë shqiptar që përfaqësoi Vendin e Shqiponjave në Bienalen e Venecias në vitin 1999.

Rita Ora
Rita Ora është një këngëtare britanike, aktore dhe modele e lindur nga pridnër shqiptarë në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës. Prindërit e saj u larguan nga Kosova kur ajo ishte vetëm një vjeç dhe vajtën në Londër, ku ajo u rrit me familjen e saj. Ajo u bë e famshme në vitin 2012 me këngën në bashkëpunim me “DJ Fresh”, “Hot Right Now”. Që prej asaj kohe ajo ka nxjerrë shumë hite që janë me famë botërore.

Dua Lipa
Një tjetër yll me origjinë shqiptare është e bukura Dua Lipa. Prindërit e saj migruan në Britani të Madhe në vitin 1990 për shkak të dhunës dhe shtypjeve dhe Dua u lind në Londër. Dua Lipa ka nxjerrë shumë këngë të bukura dhe të famshme në bashkëpunim me artistë të mëdhenj, si Sean Paul dhe Calvin Harris. Pa asnjë dyshim ajo është një nga artistet femër më premtuese në botë.
Immagini e contenuti protetti da copyright titolari: Anna Oxa ®
Oxarte ®

Anna Oxa
Ilirjana Hoxha, që njihet si Anna Oxa, është një këngëtare shqiptare, aktore dhe prezantuese televizive në Itali. Ajo u bë e famshme me pjesëmarrjet dhe çmimet e marra në festivalin prestigjoz të Sanremo, festivali më i famshëm i muzikës në Itali.

Bebe Rexha
Këngëtarja, kompozitaroja dhe producentja amerikane, Bleta “Bebe” Rexha ka rrënjë Shqiptare. Prindërit e sajë janë me origjinë etnike shqiptare nga dy qytete të ndryshme në Maqedoni. Ata vajtën në Bruklin, Nju Jork, ku Bleta lindi në vitin 1989. Ajo ka shkruar shumë këngë për këngëtarë të famshëm, përfshirë Rihanna dhe Eminem. Ajo ka publikuar gjithashtu shumë hite si “Meant to Be” dhe “I Can’t Stop Drinking About You.”

Era Istrefi
Era Istrefi është një këngëtare shqiptare dhe kompozitore e lindur në Prishtinë, Kosovë. Motra e saj Nora Istrefi është gjithashtu një këngëtare. Era Istrefi bëri debutimin e saj pesë vite më parë në vendin e saj dhe më pas në vitin 2016, ajo u bë e njohur në të gjithë botën me këngën “Bon Bon”, një këngë e shkruar në anglisht me fjali në shqip.

Ermal Meta
Ermal Meta është një këngëtar italo-shqiptar dhe kompozitor i lindur në qytetin jugor të Shqipërisë, Fier. Ai fitoi festivalin prestigjoz të Sanremos në shkurt 2018 me një këgë të bukur që i dedikohet viktimave të luftës. Ai morri pjesë edhe në festivalin e Eurovizionit duke përfaqësuar Italinë.

Action Bronson
Arian Asllani, i njohur ndryshe si Action Bronson, është një reper amerikan, yll i “reality show” dhe shef kuzhine që ka lindur në vitin 1983 në qytetin e Nju Jorkut nga një baba shqiptar mysliman dhe një nënë amerikane hebreje. Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar me artistë të famshëm si Eminem, Wiz Khalifa, Prodigy, dhe Kendrick Lamar./ KultPlus.com

Tre artistë kosovarë sivjet pjesë e çmimit Onufri

Ekspozita e 23-të Ndërkombëtare e Artit, sivjet sjellë gjithsej dhjetë artistë që garojnë për çmimin e madh Onufri, shkruan KultPlus.

“AU FIL DU TEMPS – Kujtime kolektive, kujtime personale”, titullohet ekspozita e kuruar nga Gaetano Centrone, e cila hapet më 20 dhjetorë në Galerinë Kombëtare të Arteve të Tiranës.

Ekspozita do të presë dhjetë artistë ndërkombëtarë si protagonistë:
Zeni Ballazhin – Maqedoni, Kosovë; Adi Haxhiaj – Shqipëri, Itali; KOJA (Fitore Isufi) – Kosovë; Perino & Vele – SHBA & Itali; Leonard Qylafi – Shqipëri; Calixto Ramirez – Meksikë; Jelena Tomaseviq – Mal i zi; Vangjush Vellahu – Shqipëri, Gjermani; Alketa Xhafa Mripa – Kosovë, Angli; Fani Zguro – Shqipëri, Itali, Gjermani.

“AU FIL DU TEMPS – Kujtime kolektive, kujtime personale”, nga 21 dhjetori e deri më 20 janar 2018-të do të jetë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve

Ekspozita Ndërkombëtare AU FIL DU TEMPS

Kurator: GAETANO CENTRONE

Ekspozita ofron një itinerar që zhvillohet në dhomat e Galerisë Kombëtare të Arteve të Tiranës. Ka dhjetë artistë pjesëmarrës nga gjashtë vende të ndryshme; të gjithë ata kanë lindur në vitet ’70 dhe në vitet ’80 dhe kanë kurrikulë ndërkombëtare të vlefshme.
«Unë u përpoqa të gjeja – megjithatë është e mundur – një emërues që kombinon përvojën e shumicës midis artistëve shqiptarë, sepse fillova prej tyre gjatë hulumtimit tim. – thotë Gaetano Centrone – Unë i kam studiuar ata për disa vjet dhe më ka bërë përshtypje prania e historisë në veprat e tyre. Megjithatë nuk kam ndërmend të krijoj një ekspozitë politike, që nuk është qëllimi im, unë jam gjithmonë shumë i vëmendshëm për të ndarë elementin kulturor dhe atë social-politik. Unë jam një mbështetës i fortë i së vërtetës intuitive të artit, kështu që unë kam vënë theksin në konceptin e kohës. Mënyra se si koha krijon mendjen tonë dhe atë që mbetet si ish-post.

Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtimeve personale është shumë i lehtë, më lehtë sesa mendojmë. Gjithashtu, dallimi midis formës së njëjësit dhe shumësit, është më kompleks se sa ne e mendojmë. A ka vetëm një ose a ka më shumë kujtime kolektive? Kush i krijon ato? Sa kujtime personale ndikohen nga ngjarjet historike? Është e padobishme të mohohet fakti, se në këtë pjesë të botës, ngjarjet historike kanë ndikuar shumë në të kaluarën e popullsisë. »

Rreth zgjedhjes së titullit Centrone thotë: «Au fil du temps është një shprehje e mrekullueshme nga gjuha franceze. Në anglisht mund të përkthehet si- me kalimin e kohës, por bukuria e vërtetë mund të gjendet në të vërtetë në kuptimin origjinal: në fije kohore. Një fije që ngjall historinë dhe historitë personale, duke u shtyer nga sipër me zërat polifonikë të ndryshëm të një historie. »/ KultPlus.com