Rama: Piramida do të bëhet qendra më e madhe dixhitale e Ballkanit

Piramida në kryeqytet do të jetë qendra më e madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin dixhital, por dhe të artit e kulturës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga punimet që po vijojnë në ndërtesën më ikonike të qytetit e cila pas transformimit synohet ta vizitojnë rreth 5 mijë të rinj në ditë.

Rama shprehet se piramida e cila po merr formën e konceptuar nga arkitekti i famshëm holandez, Winy Maas, do të bëhet së shpejti qendra më e madhe digjitale e Ballkanit.

Pas përfundimit të këtij projekti me financim të qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, kjo qendër do të ketë 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera që janë konceptuar në natyrë.

Sipas projektit, Piramida ndahet në 3 zona ku një pjesë do të jetë për Tumo dhe klasat që do të zhvillohen brenda, një pjesë do të jetë sistem biznesesh dhe sipërmarrës të IT ku do shumë prej Startup-eve do të bëjnë praktikën dhe të testojnë produkte.

Risi është riciklimi i gjithë materialit të mbetur në piramidë, i cili do të përdoret për krijimin e ndërtesës së re, ndërsa pjesa e jashtme rrëshqitëse do të jetë me shkallë si vendpushimi për studentët. / atsh / KultPlus.com

Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit

Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim.

Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet që po vijojnë te Piramida  e cila po merr formë hap pas hapi, për t’u shndërruar në qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në Ballkan.

Projekti arkitektonik i studios së famshme holandeze MVRDV me mbështetjen e  Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan – AADF, parashikon një godinë transparente dhe plot dritë.

Programet që do të ofrohen në këtë qendër do të jenë që nga animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, ëeb design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët.

Zhvendoset barka 4600-vjeçare

Nga Reuters

Barka e mbretit Khufu, një anije e lashtë që është edhe barka më e vjetër dhe më e madhe prej druri e zbuluar në Egjipt, është zhvendosur me kujdes nga shtëpia e saj e vjetër pranë piramidave të Gizës në një muze gjigant aty pranë, kanë treguar zyrtarët të shtunën.

Anija 4600-vjeçare, e njohur edhe si “Barka Diellore”, u zhvendos në Muzeun e Madh Egjiptian (Grand Egyptian Museum), që do të përurohet më vonë këtë vit.

“Qëllimi i projektit të transportit është të mbrojë dhe ruajë për brezat e ardhshëm artefaktin më të madh dhe më të vjetër organik të bërë prej druri në historinë e njerëzimit”, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve.

U deshën 48 orë për të transportuar në shtëpinë e saj të re barkën e drurit, e cila është 42 metra e gjatë dhe peshon 20 tonë. Ajo arriti në GEM në orët e para të së shtunës.

Barka u transportua si një copë e vetme brenda një kafazi metalik të mbajtur në një automjet të kontrolluar nga distanca, e që është importuar veçanërisht për operacionin, ka treguar Atef Moftah, mbikëqyrës i përgjithshëm i projektit në GEM.

Anija, e zbuluar në vitin 1954 në cepin jugor të Piramidës së Madhe, është ekspozuar për dekada në një muze që mban emrin e saj në Rrafshnaltën e Gizës.

Egjipti zyrtar thotë se Muzeu i Madh Egjiptian, i cili është duke u ndërtuar me ndërprerje tash e 17 vjet, do të përmbajë më shumë se 100 mijë eksponate. / KultPlus.com

Piramida më e vjetër në botë, hapet për publikun për herë të parë pas 90 vitesh

Një piramidë egjiptiane 4,700-vjeçare është shpëtuar nga shembja nga një firmë inxhinierike britanike dhe u hap për publikun për herë të parë pas gati 90 vitesh.

Piramida e Djoserit e lartë 60 metra besohet të jetë piramida e parë në Egjipt dhe ndërtesa më e vjetër në botë.

Ajo u ndërtua plotësisht nga guri nga arkitekti i lashtë egjiptian Imhotep në Saqqara në jug të Kajros, dhe besohej se ishte vendi i prehjes përfundimtare të mbretit Djoser, themeluesit të Mbretërisë së Vjetër.

Por trarët e gurit dhe blloku që mbështet strukturën janë dobësuar gjatë viteve të kaluara.

Peter James, një inxhinier nga Newport, Uells, filloi të rregullojë varrin e shkërmoqur në vitin 2011 dhe struktura tashmë është hapur përsëri për turistët.

Vizitorët tani janë në gjendje të eksplorojnë dhomën e varrimit të Mbretit Djoser për herë të parë që nga vitet ’30, kur u mbyll për shqetësimet e sigurisë.

Ndërsa varri u hap për anëtarët e shtypit dje, Z. James, Drejtor Menaxhues i Cintec, ndërmarrja nga Uellsi që riparoi piramidën, i tha The Times se punimet e ndërtimit ishin të mbushura me rrezik.

“Në të vërtetë ishte jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha ai. / Ndertimi info / KultPlus.com

U hapën për herë të parë dyert e piramidës 4 mijë vjeçare

Piramida egjiptiane e Lahunit për herë të parë ka hapur dyert për publikun, duke shfaqur një rrjet labirintesh dhe një dhomë të lashtë varrezash.

Një ekip i vogël arkeologësh nga ministria egjiptiane e antikiteteve, për një vit punuan në pastrimin e dhomës së piramidës së lashtë 4 mijë vjeçare. Që prej zbulimit, kjo piramidë ishte e mbuluar me gurë dhe gjësende tjera të forta, shkruan Reuters, transmeton KTV.

Gurët e rrëzuar janë kthyer nëpër vende e tyre ndërsa janë ndërtuar edhe disa shkallë prej druri, për të mundësuar një vizitë të mirë në piramidën Lahun.

Një numër artefaktesh që janë gjetur brenda piramidës, janë ekspozuar në hyrje të saj, ani pse janë në gjendje të dobët.

E në një kuti prej xhami është i vendosur edhe sarkofagu shumë ngjyrësh që u zbulua në piramidën e Lahunit.

Piramida prej balte gjendet në Fayoum dhe për herë të parë ishte hulumtuar para një shekulli. Kjo piramidë besohet se është ndërtuar nga faraoni Senusret II i dinastisë së dymbëdhjetë.

Sipas mbikëqyrësit të muzeut, ky faraon kishte vendosur që të varrosej në Fayoum, 60 kilometra në jug të kryeqytetit Kajro.

Teksa qëndron në brendësi të dhomës së varrit të faraonit Senusret, mbikëqyrësi i muzeut, Sobhi tha se faraoni dhe pasardhësi i tij vendosën të varroseshin këtu për shkak të reformave të suksesshme bujqësore gjatë periudhës së Mbretërisë së Mesme të Egjiptit.

Piramida ishte e mbyllur që prej shekullit 19, por ministria e antikiteteve vendosi që ta hapte si atraksion turistik.

Piramida në Tiranë ribëhet atraktive

Nga një ngrehinë e rrënuar prej vitesh, Piramida e Tiranës do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon. Pas bashkëpunimit të suksesshëm për rikualifikimin e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, prezantuan projektin e rivitalizimit të Piramidës në një hapësirë multifunksionale në qytet, për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe si mundësi për të bërë art dhe kulturë.

Kryeministri Rama e cilësoi nismën për rivitalizimin e Piramidës dhe projektin Tumo, si një nga projektet më të bukua që ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. “Erioni kërkonte ta kthente këtë në një qendër për të rinjtë trendy të Tiranës, ndërkohë që unë i thosha: fëmijët, fëmijët, fëmijët. Sigurisht, besoj se kjo është më shumë merita e Zahos se e imja dhe e mbaj mend shumë mirë një ditë kur Erioni më telefonoi, i ekzaltuar si gjithmonë, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues për brezat, dhe më tha: “E gjetëm lal. U zgjidh kjo punë”. Më foli për Tumon dhe është diçka sinqerisht përtej ëndrrës sime më të bukur”, tha Rama.

Ai shtoi se ky projekt arrin që të bëjë bashkë të fëmijët dhe të rinjtë me teknologjinë. “Është diçka e jashtëzakonshme dhe dua t’i përgëzoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën: fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. “Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish, një tjetër hap konkret i madh në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që, ky vend, i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i këtu”, deklaroi Rama.

Ai vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe transformimin e saj në këto vite. “Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve dhe me

Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte: çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vlerësuar bashkëpunimin me AADF-në si një garanci për suksesin e këtij projekti, theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër xhevahir të çmuar pas sheshit “Skëndërbej” dhe Pazarit të Ri. “Më duket sikur këtë bisedë po e bëjmë në Suedi, sepse Suedia është vendi ku kodimi për fëmijët fillon që në klasën e parë. Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç. Sigurisht, fokusi më i madh do të jetë tek ata në moshë shkollore, pra shkolla 9 vjeçare dhe e mesme, pastaj do kemi programe të veçanta edhe për ata që janë në moshë më të rritur, universitare. Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit, pas projekteve si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai shtoi se zbatimi i modelit TUMO do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjikë krijuese, jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e radhës të TUMO-s. Do të jetë në fakt një lloj ‘pallat pionierësh’ për teknologjinë e informacionit. Më vjen mirë që edhe në Tiranë kemi uri për dije, që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga karakteristikat nostaligjike të kësaj godine, siç është rrëshqitja në muret e saj, si dhe do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff u shpreh i bindur në suksesin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, ashtu si edhe në rastin e Pazarit të Ri, për ta shndërruar këtë godinë në një hapësirë të dashur për shqiptarët. “Është një nder dhe kënaqësi që përfaqësoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe ky projekt përmbledh shumë prej gjërave që jemi munduar të bëjmë që nga fillimet tona. Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën dhe ky projekt lidhet tërësisht me të ardhmen. Nëse mendojmë se si do të duket Shqipëria pas 10-20 vjetësh, është që të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, është e sigurt se Shqipëria ka prosperitet. Po fusim diçka të re në sistem, që mund të sjellë ndryshim. Suksesi është të gjejmë modelet më të mira në botë, t’i përshtasim për mjedisin vendor dhe të arrijmë suksesin në Shqipëri”, deklaroi Granoff.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Risi e revitalizimit të qendrës qëndron në faktin se modeli TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Teatri Metropol sjellë ‘Euridita’ tek Piramida në Tiranë

Më regji të Jonida Beqo, Teatri Metropol në Tiranë sjellë shfaqjen ‘Euridita’ nga Sara Ruhl, tek Piramida në Tiranë, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje ritregohet historia klasike e mitit të Orfeut nëpërmjet syve të dashurisë së tij, Euriditës. Të vdesësh kaq e re, në ditën e dasmës, Euriditës i duhet të udhëtojë drejt botës së nëndheshme ku ritakohet me babanë e saj dhe përpëlitet të kujtojë dashurinë e humbur. Me karaktere bashkëkohore, konflikte të vazhdueshme të brendshme, të jashtme dhe estetike vizive që të le pa frymë, kjo shfaqje risjell një pamje të re për këtë histori dashurie të pa kohë.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Armela Demaj, Niko Kanxheri, Amri Hasanlliu, Ermir Jonka, Jonida Beqo, Klesta Shero, Edvin Mustafa, Klea Konomi, ndërsa balerinët janë: Sedmir Memia, Sara Koci, Xhevit Isufi, Leonardo Çela, Menajda Malko, Esmeralda Mikeli.

‘Euridita’ shfaqet më 12 tetor me fillim nga ora 19:00, tek Piramida në Tiranë./ KultPlus.com

Zbulohet se si janë ndërtuar piramidat në Giza

Arkeologët kanë gjetur fakte mahnitëse, të cilat zgjidhin njërin nga misteret më të mëdha në botë – se si shoqëria nga periudha e bronzit, e cila nuk ishte e zhvilluar nga ana teknologjike, arriti të zhvendosë blloqe të mëdha graniti dhe gurë gëlqerorë me të cilat janë ndërtuar piramidat në Giza.

Zbulimi i fundit i mbishkrimit në papirusin antik, anijes së drurit dhe sistemit gjenial të sistemeve të kanaleve të ujit, ka hedhur një dritë të re mbi infrastrukturën impozante, të cilën e kanë krijuar ndërtuesit e Gizës.

Në papirusin e gjetur në portin Vadi el-Jarf, përshkruhet në detaje se si 170.000 tonë të gurëve prej gëlqeres janë bartur nga lumi Nil deri në Gizë, transmeton ksp.
Punëtorët vendosën blloqet në anijet prej druri, që ishin të ndërlidhura me litarë, dhe pastaj anijet lundronin nëpër kanale deri në portin e brendshëm, i cili ndodhej vetëm pak kilometra larg piramidës.

Punëtorët përmes rrugës së kanalit ndryshuan edhe kahun e lumit Nil.

Edhe pse prej kohësh ishte e njohur se blloqet e granitit janë furnizuar nga Asuani, 855 metra në jug të Gizës, dhe blloqet e gurit gëlqeror nga Tura, tetë kilometra më tej, arkeologët nuk ishin dakorduar për faktin se si materiali ndërtimor ishte transportuar saktë.

Mbetjet e kanalit u gjetën nën platonë e pluhurosur në Giza. Po ashtu është gjetur edhe pishina kryesore, ku kryheshin dërgesat kryesore.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në realizimin e projektit, shkruan Daily Mail./ KultPlus.com