Hapet ekspozita ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’, falenderohet puna e palodhshme e Policisë së Kosovës

Puna e tyre është ndër më të vështirat, janë ata të parët të cilët në raste emergjente janë ballë për ballë me luftën me të cilën përballet vendi ynë. Orari i tejzgjatur, ndihma ndaj qytetarëve e rreziku që vjen me punën e tyre, janë vetëm disa nga elementet qe zënë vend në përditshmërinë e Policisë së vendit tonë, shkruan KultPlus.

E për të nderuar punën e palodhshme të Policisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë edhe për vendin tonë, OJQ ‘CULTURAT’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot në hapësirën e Sheshit ‘Skënderbeu’, shfaqën para publikut ekspozitën ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’.

Ekspozita u hap para një publiku modest, ku të pranishëm ishin disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe organizatorët.

Fjalën hyrëse të kësaj ekspozite e mori nënkoloneli, Basri Shabani, i cili shprehi falenderimin për pjesëmarrësit e organizatorët, duke potencuar se kjo ekspozitë është ndër aktivitetet që shënon 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Ai ndër të tjera tregoi se krahas këtij aktiviteti hyjnë edhe aktivitete të tjera si dhurimi i gjakut dhe lansimi i aplikacionit ‘Lajmëro policinë’, aktivitete këto që konsiderohen mjaft të rëndësishme për shoqërinë tonë.

“Përmes kësaj ekspozite është munduar që të paraqitet puna e Policisë së Kosovës gjatë kohës së pandemisë e cila ka qenë e angazhuar në orar 12 orësh dhe vazhdon të jetë, për t’i dal në ndihmë qytetarëve dhe për të respektuar vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoj ndër të tjera nënkoloneli Shabani.

Ekspozita përbëhet nga fotografi të Policisë së Kosovës nëpër aktivitete të ndryshme si: shërbimi gjatë periudhës së karantinës në Aereportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në Qendrën Studentore; gjatë dhurimit të gjakut nga njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës bashkë me drejtorin e përgjithshëm, Rashit Qelaj; aplikacioni “Lajmëro policinë” i cili është një projekt që dhuron alternativë më të lehtë te qytetarët për raportime; patrullimi i komunës së Kamenicës nga KFOR-i dhe Policia; projekti “Bashkë kundër dhunës”; patrullime policore nëpër kryeqytet si dhe falenderimet e qytetarëve nëpërmjet punimeve artistike për Policinë e Kosovës.

Organizatorja e kësaj ekspozite, njëkohësisht drejtoresha e OJQ “Culturat”, Mihane Hoxha theksoj për KultPlus se ky aktivitet është realizuar për të pasqyruar mundin dhe sakrificën e Policisë së Kosovës.

“Rëndësia e kesaj ekspozite është që t’ia bëjmë me dije Policisë së Kosovës se ne qytetarët e vlersojmë kontributin, angazhimin e tyre dhe kjo është një shenjë falenderimi”, shprehet organizatorja Hoxha për KultPlus.

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të kësaj jave. / KultPlus.com

Policia konfirmon se është intervistuar 13-vjeçari që xhiroi mësuesin tek rrihte një nxënës në Drenas

Policia e Kosovës e ka konfirmuar intervistimin e 13 vjeçarit në Drenas, i cili dyshohej se e ka xhiruar mësuesin tek e rrihte një nxënës në klasë.

Megjithatë, PK-ja përmes këtij reagimi thotë se intervistimi i tij ka zgjatur më pak se 2 orë, meqenëse, në raport theksohet vetëm ora kur ai është futur në stacionin policor dhe dalja nga aty.

Policia thotë se intervistimi i tij ka ndodhur në orët e darkës, prej 17:38 deri 19:21, megjithatë familjarët të nxënësit kanë konfirmuar mbrëmë për Koha.net se ai është marrë prej shtëpisë shumë orë më herët për intervistim.

“PK-ja sqaron me sa vijon: referuar raporteve zyrtare, me 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin. Prokurori ka autorizuar policinë që të vazhdojë ta hetojë rastin”, thuhet në reagimin e PK-së.

Intervistimi i nxënësit është bërë në orët e darkës, dhe vetëm një ditë pasi është publikuar videoja.

“Me 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitarëve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja. Po ashtu është thirrur edhe viktima i cili ka qenë i shoqëruar nga prindi”, thuhet në reagim.

Policia thotë se nga njëri dëshmitar ka marrë deklaratë, kurse dy të mitur (njëri në cilësi të viktimës, tjetri të dëshmitarit), nën moshën 14 vjeçare, janë dëgjuar nga punëtori i QPS-së dhe ai ka përpiluar procesverbal pas dëgjimit të tyre.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë komform rregulloreve të trajtimit të rasteve kur kemi të bëjmë me të mitur, duke pasur parasysh në çdo moment sjellje miqësore ndaj të miturve, të cilët në këtë rast asnjëri nuk ka qenë në cilësi të të dyshuarit. Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë siç pretendohet në shkrim”, thotë PK-ja.

PK-ja thotë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin.

“Pas, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ridëgjimit të viktimës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundon reagimi.

Nisin sot aktivitetet për shënimin e 20-vjetorit të Policisë së Kosovës

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të saj, Policia e Kosovës ka paraparë disa aktivitete të ndryshme të cilat do të zhvillohen përgjatë një jave.

Sot prej orës 09:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Prishtinë bëhet hapja solemne e këtyre aktiviteteve, e cila do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Rashit Qalaj.

Hapjes së këtyre aktiviteteve do t’i paraprijë edhe një ndeshje sportive e futbollit, ku do të marrin pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së.

Agjenda për javën policore:

• Data 31 gusht dhe 1 shtator ora 09:00 – 16:00 lojëra sportive-futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 02 shtator ora 09:00 -16:00 lojëra sportive -volejboll – vendi Pallati i Sporteve “Bill Clinton” Ferizaj.

• Datën 02 Shtator ekspozita Policore në Muzeun e Kosovës ora 19:00, do të qëndrojë e hapur deri me datën 09 shtator.

• Data 03 shtator garat e vrapimit (kros) –vendi Mitrovicë, stadiumi “Adem Jashari”

• Data 03 Shtator ora 11:00- 13:00 -Aktivitet Policore në Kryeqytet -Sheshi Zahir Pajaziti.

• Data 04 shtator lojërat në pingpong , vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 04 Shtator –ora 08:00 – 16:00 – ‘Porta e Hapur’ (në të gjitha Stacionet Policor)

• Data 05 Shtator ora 10:00 finalja në futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë

• Data 06 Shtator ora 10:00 – Ceremonia kryesore vendi ‘Wait Garden Event’ –magjistralja Prishtine –Ferizaj ( km i 12-të). / KultPlus.com

Policia e Kosovës sqaron pse u gjobit prishtinasja që qeshi pas mesnate

Policia e Kosovës ka sqaruar se pse është gjobitur një qytetare në Prishtinë, e cila pas mesnate, tha se veç pse qeshi me zë mori gjobë nga një polic.

Policia e Kosovës, në interesim e Koha.net për të dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ka thënë se po atë natë, zyrtarët policorë kanë hasur në një grup të personave në mesin e të cilëve, një person i gjinisë femërore, përpos mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, “ka bërtitur me zë të lartë” dhe nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë.

“Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Policia e Kosovës, thuhet tutje në përgjigje, vetëm në dy javët e para të muajit korrik, Stacioni Policor Qendra ka pranuar gjithsej 65 thirrje/ankesa nga qytetarët e zonës Qendër të Prishtinës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi të për shqetësim nga ndotja akustike”, thuhet tutje.

PK-ja, shton se me datën 18 korrik 2019 në rrugën “Rexhep Luci”, pas ankesave të qytetarëve zyrtarët policorë u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë identifikuar lokalet dhe hapësirat të cilat bien ndesh me ligjin, pasi që të njëjtat nuk kanë zbatuar kufizimin kohor të paraparë me Ligjin 03/L-142, aty ku edhe është gjobitur prishtinasja.

Policia ka sqaruar edhe ku është bazuar në gjobitjen ndaj saj:

Neni 8

Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën

1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.

3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.

Qeshi me zë në qendër të Prishtinës, polici e dënoi me 100 euro

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur, Aida Gashit qytetare e cila po qëndronte ulur në një pushimore në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet.

Gashi, e cila pas orës 24:00 po priste një taksi dhe po bisedonte me shoqe dhe qeshte me zë, është dënuar me 100 euro gjobë nga Fatmir Miftari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Të gjithë situatën e ka treguar edhe vet Aida e cila ka publikuar gjobën e vënë dhe emrin e policit në fjalë. Madje, ajo ka rrëfyer edhe bisedën me policin Fatmir Miftari, i cili e gjobiti atë për shkak të të qeshurave të saj.

“Çka po kesh me zë?”, ishin fjalët e Miftarit (pjesëtar i Policisë së Kosovës). E habitur me pyetjen e policit, Aida iu është drejtuar atij: A seriozisht po më pyet?

Fatmiri: Je tu keshë shumë, mos kesh!

Aida: Me çka po e matë që po keshi shumë?

Fatmiri: Me veshtë e mi!.

Kaq ishte biseda mes Aidës dhe Fatmirit i cili pa hezituar edhe ia ka vënë gjobën prej 100 eurove vetëm pse ajo qeshi me zë.

E Aida, për gjithë këtë situatë edhe ka ironizuar me vendimin e policit në fjalë.

“Dënim me 100 euro gjobë, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një femijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka vazhduar se “1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shumë se që është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më denu mu të pacipën që po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një të mitur, tjetri e mbyt gruan me femijë, krejt këto pasojë e neglizhencës së policisë sepse ma së lehti e ka me dalë në qytet e me më denu mu me 100 euro gjobë se qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Nxënësit realizojnë gjashtë vepra arti për 20 vjetorin e Policisë së Kosovës

Për nder të 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është zhvilluar aktiviteti “20 vjet me Policinë e Kosovës”, ku në kuadër të këtij aktiviteti janë mbajtur punëtori disa ditore, ku pjesëmarrës kanë qenë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, në aktivitetin “20 vjet me Policinë e Kosovës” të ftuar kanë qenë fëmijët nga SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës si dhe fëmijë nga Down Syndrome Kosova.

Gjatë punëtorisë është realizuar mozaiku me logon e Policisë së Kosovës, ku edhe në fund të realizimit mozaiku është vendosur në objektet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pastaj, realizimi i flamurit të Policisë së Kosovës me dimensione 9mX3m, ku edhe është shfaqur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shoqëruar nga pjesëtarë të njësive të ndryshme me anë të të cilëve është realizuar numri 20.

Nxënësit pjesëmarrës kanë realizuar gjashtë vepra arti, me motive nga Policia e Kosovës. Krejt në fund të aktivitetit fëmijët kanë mbjellë rreth 200 lule duke krijuar numrin 20-simbolikë e 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. 

Ky aktivitet është organizuar nga OJQ “Culturat” në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Si janë realizuar këto aktiviteti dhe atmosferën e punës KultPlus ju sjell përmes një video të përmbledhur: