Biden: Bota përballet me dekadë vendimtare

Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua për bashkëpunim me aleatët gjatë, siç tha, “një dekade vendimtare për botën tonë”.

Garancitë e tij vijnë në kohën e tensioneve për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe të një grindjeje të madhe diplomatike rreth një marrëveshjeje të re të sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.

“Unë besoj se ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë”, tha Biden para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Asambleja e 76-të po zhvillon punimet në Nju Jork, në sfondin e krizës klimatike dhe të pandemisë së koronavirusit.

Të dyja çështjet i kanë thelluar ndarjet midis aleatëve, por Biden bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se “suksesi ynë është i lidhur edhe me suksesin e të tjerëve”.

Duke folur për tensionet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe Kinës, Biden tha se vendi i tij “nuk po përpiqet për një Luftë të re të Ftohtë ose një botë të ndarë”.

Por, ai u zotua se SHBA-ja do ta mbrojë “me forcë” veten dhe aleatët e saj.

Biden gjithashtu e mbrojti vendimin për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, duke thënë se “fuqia ushtarake duhet të jetë zgjidhja jonë e fundit”./KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për djalin e presidentit Biden

Nesër do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë duhet të jenë të pranishme në orën 17:45, në Presidencë. / KultPlus.com