Presidentja Osmani u prit nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan me nderimet më të larta shtetërore 


Presidentja e Republikës së Kosovës është pritur sot në takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në takim me presidentin Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja për punë të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen ndaj Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe të shtetndërtimit. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Presidentit Erdoğan se Turqia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Presidenti turk, poashtu ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.

Ndërkaq në takimin ndërmjet dy presidentëve, temë e bisedës ishte edhe aktualiteti politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Presidentja Osmani, duke u ndërlidhur me situatën në Ukrainë, ka theksuar se Kosova dënon agresionin ushtarak te Federatës së Rusisë ndaj Ukrainë. Sipas saj, Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Prandaj, sipas Presidentes Osmani bota demokratike duhet me vendosmëri dhe me unitet t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj. Poashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme. / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Erdogani pritet me ceremoni zyrtare në Shqipëri

Së fundmi, Shqipëria është “pushtuar” me flamuj të Turqisë, në nderim të pritjes me ceremoni zyrtare të Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, shkruan KultPlus.

Ky i fundit veçse ka arritur në tokën arbërore, derisa pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillojë një sërë aktivitetesh.

I pari i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në aeroport arritjen e Erdoganit, për të vazhduar më pas ekspeditën e planifikuar.

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë aktivitetin e tyre, ndërsa një fjalë përshëndetëse do ta bëjë edhe presidenti i Turqisë.

Data e sotme, pra 17 janari, është pikërisht dita kur edhe ka vdekur heroi i kombit, Gjergj Kastrioti.

Osmanët filluan të pushtonin Shqipërinë jugore deri në vitin 1415 dhe themeluan një jurisdiksion zyrtar mbi shumicën e Shqipërisë deri në vitin 1431, derisa disa rajone shqiptare u pavarësuan mes viteve 1443 dhe 1479, si pasojë e kryengritjeve të drejtuara nga Skënderbeu.

Territori i sotëm i Republikës së Shqipërisë mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. /KultPlus.com