“Shkrimtari ka marrë fund sapo bëhet njeri dhe fillon të ndjejë”…

“Tonio Krëgeri”

E kush nga njerëzit e letrave nuk e ka gjetur ndopak veten në personazhin e Tonio Krëgerit, në novelën me të njëjtin titull, të Tomas Manit?

E kush nuk është magjepsur me atë autopsi brilante, që i ka bërë ai marrëdhënies vrastare që ka artisti me realitetin?

Ka një personazh dytësor në këtë novelë; Adalberti, i cili çdo herë që vjen pranvera, e mban vrapin në kafene, sepse vetëm atje, sipas tij, ndërrimi i stinëve nuk është aq i dukshëm sa ç‘është nëpër rrugë.

Pranvera është më e tmerrshmja e stinëve, thotë personazhi, ajo të bën të ndiesh.

(Vulgariteti i këndshëm i ndijimeve, thekson autori…)

Dhe duhet të jesh idiot në kujtofsh se shkrimtari ka të drejtë të ndiejë… Të ndiejë për një shkrimtar, do të thotë që të lërë pas një krijimtari patetike dhe qesharake. Shkrimtari ka marrë fund sapo bëhet njeri dhe fillon të ndiejë.

Personazhi i Adalbertit e di mirë këtë, ndaj i mësyn kafeneve. Atje nuk ka pranverë.

Por Tonio Krëgeri nuk është aspak i lumtur me misionin që i kanë caktuar zotat. Kjo ndihet kur ai përshkruan personazhet e Hansit dhe Inges, dy miqtë e tij biondë dhe mediokër, të cilët me ç’duket dinë t’i gëzohen më shumë rëndomtësisë së realitetit. Ata bëhen njësh me të, kanë një ekuilibër shpirtëror të admirueshëm dhe nuk e kanë atë sqimën e artistit, që dallon personazhin tonë.

Tonio Krëgeri ka një zili të qashtërt ndaj tyre. Do të jetë si ata. I patorturuar prej dilemave të ekzistencialitetit të artistit.
Ka një kondradiktë absurde në punën e shkrimtarit; nga njëra anë duhet ta përshkruajë qartë dhe me vërtetësi “ndjenjën e gjallë” dhe nga ana tjetër, për ta arritur këtë përsosmëri, ai vetë nuk duhet të jetë kurrsesi i përfshirë emocionalisht me të, duhet e jetë i baraslarguar, disi i painteresuar, me një fjalë të mos ndiejë. Të mos t’i qëndrojë pranë atij ekranit ku vepra e tij është duke u zhvilluar. Përndryshe humbet orientimin.
Për të shkruar një vepër të madhe shkrimtarit nuk i duhet të sakrifikojë një pjesë të jetës.
Jo!
Atij i duhet të sakrifikojë të gjithë jetën.
Personazhi ynë është një borgjez që ka humbur rrugën, do të shprehet mikja e tij Lisaveta Ivanovna. Dhe ai e felënderon i lehtësuar “që rasti i tij është zgjidhur…”
Tonio Krëgeri është në një torturim të vazhdueshëm cerebral dhe ekzistencial, aq sa përgjatë leximit të vjen t’i bërtasësh: -Mjaft i intelektualizove ndjenjat!
Në përshkrimin e dilemave ekzistenciale, Tomas Mani ka një saktësi të pamëshirshme… (Ashtu si shumica e autorëve gjermanë, të cilët nuk bëjnë kompromis me të vërtetën.) Gjuha e tij është e mprehtë dhe e përkorë… Tomas Mani shënjestron si një kirurg me përvoje… edhe pse siç thotë vetë personazhi i tij “është në radhët e atyre që rrëzohen e bien.”

Gjatë udhëtimit të tij në Danimarkë, do të donte të kishte një maskë, sepse trembet se mos e njohin… Dhe këtu të vjen ndër mend një thënie e Niçes: “Shkrimtar i vërtetë është ai, të cilit i vjen turp të thotë se është shkrimtar.”
Tomas Mani në këtë novelë autobiografike kostaton, ai nuk është shkrimtari i zgjidhjeve të mëdha. Ai gjithashtu nuk beson se letërsia mund ta shpëtojë individin. Kjo dallohet qartë në mënyrën se si bën ironi me analizat e tij.
Dashuria më e thellë e Tonio Krëgerit u përket njerëzve të lumtur, të dashur e të rëndomtë. Ajo ka brenda pak mall, pak zili melankolike, pakëz përbuzje… dhe shumë lumturi të qashtër.

Novela u botua në vitin 1903.
Ёshtë sjellë në shqip prej botimeve ABC, në vitin 2007. Përkthimi i shkëlqyer, është i Donika Omarit, e cila i përket një plejade të rrallë e të papërseritshme përkthyesish shqiptarë.

Në kohën tonë ku, followers-at teknologjikë, komercializimi, shijet e rëndomta të turmave, përcaktojnë mizorisht dhe padrejtësisht, jetëgjatesinë apo vdekjen e një libri, ndihet mungesa e shkrimtarëve me brilancën e Manit.
Ndaj çdo aspirant shkrimtar duhet ta lexojë, të paktën një herë këtë novelë.
Po ashtu edhe çdo lexues…

Pas leximit, të dyja palët do ta kuptonin më shumë veten. /KultPlus.com

Thëniet më të bukura të Faik Konicës

Faik Konica mbetet një intelektual i papërsëritshëm edhe në ditët e sotme. Një njeri mendjendritur jo vetëm si politikan por edhe si publicist e shkrimtar që pasuroj mendimin letrar shqiptar.

Ne kemi sjell vetëm disa prej shprehjeve më të bukura të Faik Konicës:

Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”

“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.”

“Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.”

Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.

Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.

Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.

Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirëinformuar. Në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.

Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme.

Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.

Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.

Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.

Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.

Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!

Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.

Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.

Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.

Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.

Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.

Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.

Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit
t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.

Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

Nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.

Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh. / KultPlus.com

Viti i parë pa Dritëro Agollin, miq e familjarë kujtojnë vargjet e tij

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ndoshta nuk e dinte në atë kohë se këto vargje do të këndoheshin pikërisht kur ai të mos ishte më midis nesh.

Në 86-vjetorin e lindjes familjarë të tij, miq, shkrimtarë dhe artistë kanë zgjedhur ta kujtojnë atë duke u bërë bashkë e duke ndarë kujtime. E bija Elona ka zgjedhur të rrëfejë momentet e tij të fundit kur do të largohej nga kjo jetë.

Elona Agolli: Hyn vdekja nga dritarja e vogël dhe thotë Erdha.

Po pse erdhe kaq shpejt i them.
Shko merr dikë tjetër se ka mjaft të tjerë.
Hy më pas te dritaret e mëdha e i them përsëri, është shpejt mos hajde te mua.
Më pas hyn te ajo e vogla dhe thotë përsëri Erdha.
Po hajde të këndojmë i them, po mos harro, merr disa që dinë të mbajnë iso.
Dhe e nëmura doli për të gjetur ato që mbajnë iso, e nuk i gjeti dot. Kështu iku dhe nga ajo dritare.

Ja, kështu Lona ime, unë përlotesha ndërsa ai nisi të recitonte:

Jam i gjallë e jam në jetë, jam në dritë të vërtetë.
Ja kështu thoshte Naimi i madh, ai është dhe tani gjallë e i vërtetë, më i gjallë se të gjallët.

Në këtë ditëlindje pa shkrimtarin e madh, e bija ka zgjedhur të botojë dy libra të rinj prej dorëshkrimeve të tij. Librat e rinj të botuara në ditën e lindjes të Agollit janë: E bukura lozonjarja, tokësorja grua, e një libër me aforizma.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në fshatin Menkulas të Devollit në Korcë. Shkrimtari ndërroi jetë në 3 shkurtin e këtij viti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. / KultPlus.com

Pasioni i përbashkët i Rugovës dhe Gëtes

Dihet se ish-Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte një pasion shumë të madh për gurët dhe në shtëpinë e tij në Prishtinë, gjendej një koleksion i madh syresh, me madhësi, forma e ngjyra të ndryshme.

Gurët që ndodhen në “dhomën e kristaleve”, Rugova i kishte marrë dhuratë nga njerëz prej mbarë Kosovës dhe i kishte shndërruar ato në simbol të saj, duke ua dhuruar personaliteteve të ndryshme që e vizitonin.

Por ndër shqiptarët ndoshta pakkush e ka ditur se para tij, shumë dekada e shekuj më parë (në shek. XVIII-XIX), shumë i apasionuar pas tyre ishte dhe Johann Wolfgang von Goethe. Mjeshtri i madh i letërsisë gjermane dhe asaj botërore, numëronte 18 mijë minerale dhe 5000 objekte të tjera natyrore me interes shkencor.

Në fakt, shtëpia e idhullit të gjermanëve ( dhe jo vetëm) mund të thuhet se ishte në fakt një institut botanik dhe një muze i historisë së artit në vetvete. / KultPlus.com

Ditëlindja e parë pa Dritëro Agollin, botohen dy libra të rinj

Ditëlindja e Dritëro Agollit do të festohet sot për herë të parë pa praninë e tij fizike. Shkrimtari ndërroi jetë në 3 shkurtin e këtij viti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Ditëlindja e shkrimtarit të madh këtë vit nuk do të jetë e lehtë të konceptohet me mungesën e tij.

Ndaj familjarët, miqtë dhe adhuruesit e shkrimtarit kanë përgatitur surpriza pa fund për këtë ditëlindje.

E bija Elona Agolli dhe bashkëshortja Sadija, që nga dita kur Dritëro Agolli ndërroi jetë kanë kërkuar në raft të librave gjurmët e mendjes e të shpirtit të tij. Pikërisht aty ku është edhe një poezi sugjestionuese e shkrimtarit.

“Po kur te jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Atje do të jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronje
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje”

Dritëroi vërtetë ka zbritur sërish nga raftet. E bija Elona ka gjetur materiale të mjaftueshme për të botuar në këtë ditëlindje dy libra të rinj të tij. Librat janë plotësim i një amanet të fshehtë të Dritëroit, thotë ajo. Ndërsa bashkëshortja Sadija ka pohuar se raftet e Dritëro Agollit kanë ende dorëshkrime të pabotuara.

Librat e rinj të botuar në ditën e lindjes së Dritëro Agollit janë “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe një libër me Aforizma. Për shkrimtarin e madh sot do të mbahet edhe një aktivitet përkujtimor.

Muzeu Historik Kombëtar ka organizuar një takim të veçantë që do të mbahet në nder të shkrimtarit, poetit të madh shqiptar, Dritëro Agolli. Do të jetë një pasdite tingujsh, poezish dhe promovimesh mes të gjithë dashamirësve të penës së Dritëroit të madh. Takimi mbahet sot në ora 19:00, në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani, “Qytetar nderi” i Lezhës

Dy institucione kulturore në Lezhës, që mbajnë emrin e Poetit Kombëtar (Biblioteka e qytetit “Gjergj Fishta” dhe Enti Botues “Gjergj Fishta”), kanë organizuar një takim me fishtologun Tonin Çobani, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së këtij të fundit.

Kësaj veprimtarie i ka paraprirë një ekspozitë me botimet e “shkrimtarit dhe studiuesit lezhjan”, i njohur në atë qytet si drejtues i institucioneve të kulturës, gazetar i rubrikave kulturore dhe si mësues letërsie. Libri me titull “Paralele kulturore të një qytetit” flet për Lezhën dhe është pasqyrë e veprimtarisë së tij më se tridhjetëvjeçare në atë qytet.

Së bashku me “Paralele kulturore…”, vendin kryesor në ekspozitën e botimeve të Çobanit e kanë zënë librat për Fishtën dhe veprën e tij: “Miti dhe antimiti fishtjan” (1999), “Fishtologji” (2006), “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis” (2008), “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori mitologjik” (2012), “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2014) si dhe botimi më i ri, “Gjergj Fishta, fillimet letrare” (2017), që u përurua me këtë rast. Tonin Çobani është autor edhe i tekstit mësimor “Gjuha shqipe dhe letërsia 11” (me zgjedhje të detyruar, që analizon nga fillimi në krye vetëm Lahutën e Malcis), i cili është në qarkullim për shkollat e mesme qysh prej vitit 2011.

Për Fishtën Çobani është angazhuar edhe duke përgatitur për botim veprat e poetit zadrimor, që nisin me vëllimin “Poezi” (1994) dhe “Juda Makabe” (1995), e deri te botimi i veprave të plota në 10 vëllime, si redaktor përgjegjës dhe si kurator i dy vëllimeve të dramaturgjisë (Gjergj Fishta, Vepra letrare, 5-6). Vetëm titujt e botimeve origjinale të Çobanit (përfshirë tekstet shkollore) kapin shifrën 36, ndërsa së bashku me ribotimet e kalojnë numrin 60. Ndonjë prej tyre, si “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” (“The vilified prince Lekë Dukagjni”), është botuar disa muaj më parë edhe në anglisht nga LAP, Lambert Academic Publishing.

Ndërkaq në njërën prej sallave të bibliotekës së Lezhës u zhvillua takimi me shkrimtarin dhe studiuesin Tonin Çobani në formatin e një bisedë të lirë. Tonin Çobani ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave letrare” dhe titullin “Profesor i asociuar” nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në atë Universitet Profesor Tonçi (kështu e thirrasin ish-nxënësit dhe studentët e tij) ka dhënë për 6 vjet radhazi lëndën e Eseistikës (në degën e gazetarisë) si pedagog i jashtëm. U përmend ky fakt, sepse në ekspozitën e librave të autorit zinte vënd edhe teksti universitar “Eseistika”, i pari dhe i vetmi libër për eseistikën në gjuhën shqipe, që i ka fillimet me Pashko Vasën (“Shqypnia dhe shqyptarët”, 1879) për të mbërritur deri në ditët e sotme me autorë të tillë si Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare…

Me interes të veçantë u ndoqën vlerësimet për letërsinë fiction të autorit (“Një grua përballë vetvetes”, “Puthje pa puthje” dhe “Etyde në prozë”), për vëllimin me ese “Variacione me fjalën komb”, si dhe për monografitë kushtuar Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Nënë Terezës… Për një monografi të pritshme kushtuar Gjergj Fishtës, shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani u shpreh se pjesë e asaj monografie është edhe libri i ri që po promovohej (“Gjergj Fishta, fillimet letrare”) me parathënien e mikut të tij, Tefë Topallit, Profesor Emeritus. Për Gjergj Fishtën, përfundoi Çobani, nuk do të resht së hulumtuari sa të më punojë dora dhe mendja, sepse, vetëm duke zbuluar sa më në thellësi vlerat e Fishtës, njihet meritueshëm e gjithë letërsia shqipe dhe mbarë kultura shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX, dhe jo vetëm. Siç thoshte Konica për Fishtën qysh në gjallje, ai ka qenë një prijës intelektual i shquar i shqiptarëve.

Në bashkëbisedim e morën fjalën miq të autorit, shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës, të Universitetit të Tiranë dhe të Studimeve Pasuiniversitare. E mori fjalën edhe nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili shpjegoi titullin “Nderi i Qyetit” të Lezhës, akorduar me këtë rast studiuesit, shkrimtarit dhe fishtologut, Tonin Çobani. / KultPlus.com

Promovohet romani “Sarah” i Alfred Pezës, për çdo grua të lirë

Një libër artistik kushtuar më të bukurës e Tiranës së viteve 1920, që ndau epokat, gazetari, publicisti dhe politikani i njohur Alfred Peza promovoi në ambientet e UET-së, romanin e parë titulluar “Sarah”.

Gjatë ceremonisë së promovimit ishin të pranishëm figura të njohura të medias e politikanë të famshëm si : Ish presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish deputetja Arta Dade etj.

Autori e përshkroi romanin e tij si një libër atipik, të shkruar në një kohë atipike për vetë autorin. Si një përgjigje edhe ndaj akuzave të bëra ndaj tij, ai tha se Alfred Pezën e vërtetë çdo kush mund ta gjejë brenda 400 faqeve të libri. Po kështu, romani i promovuar dje, për herë të parë do të ketë një website për ta blerë ose parë pikat e shitjes.

“Ashtu si Sarah Blloshmi u bë e para femër në Shqipëri e 100 viteve më parë që të sillte një element shumë perëndimor, shumë civilizues në jetën e Shqipërisë bashkë me Sarën ka ardhur edhe një element tjetër. Për herë të parë në Shqipëri, ky libër ka një website www.sarah.al .

Libri vjen edhe si një dhuratë imja për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e mi, që më kanë mbështetur gjatë këtij viti të vështirë, për ti thënë të gjithëve se ai është Alfred Peza. Alfred Pezën e vërtetë e gjeni brenda 400 faqeve të këtij libri. Një libër që është një dhuratë dedikim për nënën time por edhe një dhuratë për të gjithë miqtë e mi”, tha gjatë fjalës së tij, Peza.

Por, ajo ç’ka surprizoi të gjithë të pranishëm ishte se ky libër, sipas Pezës, ishte pjesë e një triologjie që do të vijojë edhe me dy librat të tjerë. Ai zbuloi detaje të rëndësishme mbi atë ç’ka do të shkruhej në romanet e ardhshme.

“Ky libër është pjesë e një projekti triologjik, ku pas Ahmet Zogut do të pasohet vitin e ardhshëm besoj, me një libër për Enver Hoxhën dhe më pas për një lider shqiptar të pas 1990, te epokës së pluralizmit. Në këtë mënyrë unë dua që nëpërmjet 3 personazheve me të rëndësishëm ose jo të historisë të Shqipërisë, sipas meje, të shpjegoj historinë e vendit tonë”, përfundoi Peza.

Nga ana e tij, poeti Faslli Haliti vlerësoi librin e Pezës duke e cilësuar këtë të fundit si roman modern. “Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kompozimi i romanit. Ishte një kompozim modern, personazhe që vinin pa u stërholluar dhe pashë që Alfredi i fuste personazhet në një gjendje shumë të fortë, ku ata zbërtheheshin si të tillë.”

Vlerësime pozitive gjatë ceremonisë erdhën edhe nga gazetari i njohur Henri Cili si dhe nga ish mësuesja e letërsisë në gjimnaz, te Alfred Pezës e cila ishte e para në radhë, që kishte zbuluar talentin e tij në të shkruar. / KultPlus.com

Tregimi “Letra e një ushtari të huaj” i Adil Ollurit botohet në “Kroniko de Balkanio”

Tregimi “Letra e një ushtari të huaj” i autorit Adil Olluri është botuar në revistën letrare “Kroniko de Balkanio”, që është një revistë serioze e esperantologëve që merren me çështje të Ballkanit, shkruan KultPlus.

Ky tregim është pjesë e librit me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”.

Në gjuhën esperanto, tregimin e përktheu profesor Bardhyl Adem Selimi.

Olluri është shprehur i lumtur për këtë vlerësim dhe ka falënderuar përkthyesin e librit.

“Tregimi im “Letra e një ushtari të huaj” botohet në revistën letrare “Kroniko de Balkanio”, që është një revistë serioze e esperantologëve që merren me çështje të Ballkanit. Ky tregim është pjesë e librit me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”. Në gjuhën esperanto e përktheu profesor Bardhyl Adem Selimi, të cilit i jam mirënjohës për përkthimin dhe promovimin e prozës sime në mesin e esperantologëve nga mbarë bota”, shkruan Olluri në Facebook. / KultPlus.com

Akrepat e orës

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Nuk di si ta nis këtë poezi për ty
Vërtet nuk e di
Nuk di as kur nisëm me u dashtë
Ne dy
Njimend
nuk më kujtohet koha
Për herë të parë ku jemi prekë
Për çudi, unë s’e di as kur kam me vdekë
(Sigurt mrenda nji kohe që e mat ora me zembrek)

Fillimi s’ka formë
E fundi asht fantazmë të cilën unë s’e ndjek

Si thue nëse shkruj in medias res
Pa fillim, pa fund, po drejt e në mes?

Mesi ka konfliktin, kulmit i hap udhë
Fryma e Shekspirit duket në konflikte
Portreti yt s’ka ende asnji rrudhë
Po lashtësinë tande e shoh në instikte

Bota edhe koha kanë formë rrethore
Ne jetojmë dhe vdesim n’akrepat e nji ore

Kur t’shoh ty, mendoj kopshtin edenik
Atë kopshtin e parrethuem me tel
Mandej parajsën e jetoj në dhomë
Kur nis me t’i zbutë tekat në çdo krelë

Nganjiherë më duket
sikur me duert e mia t’kam ba
M’dukesh tamam skulpturë
Po skulpturë që lshon zâ

Klimaksi arrihet kudo, jo vetëm në dramë
Ne kanibalë s’jemi, po njani-tjetrin e hamë

Akti mishngranës asht lumtuni,
t’ban me i thanë akrepit të orës “ndal!”
Po ti e di që koha asht e ambël kur rrjedh,
Unë e di se asht tik-taku i orës që më mban gjallë. / KultPlus.com

Lezha kujton At Zef Pllumin në 10 vjetorin e vdekjes

Lezha ka sjellë në kujtese françeskanin “At Zef Pllumi”. Në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të tij, Bashkia organizoi një aktivitet përkujtimor, ku merrnin pjesë studiues, shkrimtar, miq, bashkëpunëtorë si dhe të afërm të françeskanit, që vuajti shumë gjatë regjimit komunist.

Të pranishmit referuan mbi jetën dhe veprën e At Zef Pllumit.

Frano Kulli, botues: Ruaj të njëjtat impresione, kujtime të cilat i ka shumëkush prej atyre që e kanë njohur.

Kryetari i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj u shpreh se At Zef Pllumi është një pjese e historisë së kombit shqiptar e cila nuk duhet harruar asnjëherë.

Rrokaj: Historia e tij nuk duhet harruar.

At Zef Pllumi do të mbesë gjatë në memorien e të gjithëve për veprimtarinë e tij të shkëlqyer si klerik dhe shkrimtar si dhe për kalvarin e vuajtjeve në burgjet e komunizmit. / KultPlus.com

Djali i Kristo Frashërit padit Moikom Zeqon për plagjiaturë

Djali i historianit Kristo Frashëri padit në Gjykatën e Tiranës për plagjiaturë Moikom Zeqon.

Padia mban datën 17 mars 2017, në të cilën Gjergji Frashëri akuzon Zeqon se i ka vjedhur pasazhe të botimit të tij historik, duke i botuar më pas në media.

Në padi, Gjergji Frashëri kërkon “Konstatimi i shkeljes të së drejtës së autorit me anë të riprodhimit të paautorizuar të pjesëve të librit “lllyrisches Dyrrah”.

Për pretendimin e kësaj plagjiature, siç transmeton Shqiptarja, Frashëri kërkon nga gjykata dhe Zeqo një dëmshpërblim monetar në vlerën e 100.000 mijë lekëve. Aktualisht në gjykatë janë zhvilluar shtatë seanca, ndërsa ende nuk ka një vendim nga gjyqtarja Irena Plaku, që shqyrton këtë padi.

Botimi për të cilën Frashëri pretendon se Zeqoja ka tjetërsuar në media me anë të plagjiaturës është botuar më 2015, njohur me kodin e ISBN si punim dhe autorësi e tij.

Ky botim historik është në shitje në treg, ndërsa pritet që gjykata e Tiranës të vendosë nëse nga Moikom Zeqo është kryer apo jo plagjiaturë, siç pretendon Gjergji Frashëri. / KulPlus.com

Libri Dyrrahu ilir

Shkrimtari i ri nga Kosova pjesë e programit ‘Artist in Residence’ në Poloni

Programi ndërkombëtar ”Artist in Residence” 2018 i organizuar nga Qendra Kulturore ZAMEK në Poloni ka zgjedhur fituesit e edicionit të sivjetmë të cilët do të zhvillojnë projektet artistike në Kështjellën e Poznanit në Poloni, përcjellë KultPlus.

Në këtë program janë zgjedhur 6 artistë nga e mbarë bota në arte të ndryshme e kësaj radhe, në letërsi, mes dhjetra shkrimtarëve kandidatë, është edhe shkrimtari 21 vjeçar nga Kosova, Azem Deliu.

21 vjeçari tashmë autor i njohur për ndjekësit shqiptarë të letërsisë, do të shkruajë pjesën e mbetur të romanit të radhës, në Kështjellën 100 vjeçare të Poznanit dhe do të mbajë një ligjëratë me temën ”Letërsia dhe kujtesa” e cila pritet të trajtojë mënyrën sesi arti ballkanik është marrë me konfliktet mes popujve, në bashkëpunim me Universitetin ”Adam Mickieviç” në këtë qytet. Në lidhje me këtë program, Deliu do të ketë edhe dy lexime dhe një takim special me publikun polak, kritikët e artit dhe skenën e letërsisë polake.

Përmes e-mailit, ZAMEK ka kontaktuar shkrimtarin i cili në letërsinë shqipe është bërë i njohur me ”Puthësin e paligjshëm”, roman i botuar nga Onufri në dy botime i cili pritet që muajt e ardhshëm t’i sigurojë autorit të ri debutimin ndërkombëtar duke dalë në tregun britanik, në gjuhën angleze.

Nga ana e tij, vetë autori nuk bën të ditur asgjë për romanin përveç faktit që do të ketë në trajtim historinë e grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Qëndrimi rezidencial i Deliut në Poloni do të zgjasë tre muaj. Një hap më tutje në ndërkombëtarizimin e letërsisë së tij, romanin e ri të Deliut, sikur edhe gjithë krijimtarinë e tij deri tani, do ta sjellë Onufri ekskluzivisht për lexuesin shqiptar. / KultPlus.com

Me qenë Gegë

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Fre n’gjuhë asht standardi, kmishë e ngushtë për mue,
Kostum i premë keq,
As për darsëm as për deke.
Shkurt e shqip: me folë n’standard s’due,
As me heshtë n’standard s’di
Se muzikën ma bân hunda e ma nxjerr goja gege.

Të jesh gegë,
S’asht si me qenë gegë,
As si me kenë gegë,
As si m’u kanë gegë.

Fati jonë i nemun asht
Mbas Babelit nëpër gjuhë me u rrekë.

Oh, e di,
Ma mirë asht me pasë nji gjuhë n’botë
Po menia e Akilit s’âsht gjâ para asaj t’Zotit
Gurët e gjuhës që Kullën s’e bânë dot
Bien pa prâ’ e na i ndjejmë si pikat e lotit.

Shqiponja jonë ka dy krahë e dy krena,
Po Standardi mban veç nji dialekt mrena,
Tjetri rrnon si endacak
Herë fle në ndonji prag,
Herë kollitet nëpër sokak,
Nerth n’shi e n’borë, pa gjetë kund konak.

Lumtunia e tyne e kufizueme
Andrron me qenë e pafund
Si dhimbja e gegës n’paskajore.

Me qenë Gegë
A don me thanë me pasë nji motër si Toska
Që knaqet pranë oxhakut derisa ti n’acar,
Edhe pse pa ngrânë, le t’themi “mbas darkës”,
Shtyp hundën për dritare tu’ e pa motrën
Dhe nis e ngrohesh vetëm prej imazhit të flakës?

Me qenë Gegë
A don me thanë me qenë fmijë bastard
I babës Standard?

Po prit!
Kur leu baba, fmija kish moshën e Drakullës.
Pra, babë a bir, ndëgjo mirë: po s’u bane burrë,
Ke me ra dekun prej gurëve të Kullës!

Letra më e bukur e dashurisë që Agron Tufa i dedikon gruas së tij

Vanushja ime e shtrenjtë, është një orë e pazakontë për të shkruar dhe, akoma më e pazakontë, për të shkruar një letër për ty. Rëndom, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e tyre, vendin e dikurshëm të letrave tona e zunë mesazhet operative në celular – lista monokolonë porosish për tranguj, domate, karota, bukë, ilaçe, pije e ushqime të tjera – të vetmet “pusulla dashurie”. Ora po i afrohet katrës së mëngjesit. Bëra kontrollin e zakonshëm në dy dhomat ku flenë fëmijët tanë: si gjithmonë, jorgani ka shkarë ose e kanë hedhur mënjanë. Qesin shqelma përgjumësh ata… se s’bën… Tërë shtëpia jonë, me pikëzimet e buta shumëngjyrëshe të dritave zbukuruese të festave të fundvitit kundërmon gjumë të thellë dhe ëndrra. Konturet e orendive, edhe ato të tulatura në përgjumje, ngjajnë si ndoca magë të përralltë. Është bash ora kur shfaqen ëndrrat “profetike”.

Temperatura ka zbritur në 12 gradë. Por kam ndezur oxhakun tashmë. I pastruar nga hiri, brenda xhamit të oxhakut përpëliten e kacafyten gjela flakësh të vrullshme. Shpejt nxehtësia do të thithet nga dhomat ku flini ju, temperatura do të ngrihet, ndërsa unë do të ruaj zjarrin, ta mbaj gjallë, derisa fëmijët të ngrihen si të pirë nga gjumi, me sytë plot sklepa. Tani që po të shkruaj, jashtë po bie sërish dëbora që pati nisur në mbrëmje. E vetmja, e rralla, dëbora e sivjetshme, qe si një shpërblim bujar për fëmijët, që na luteshin, na përgjëroheshin t’i çojmë në Dibër (sidomos Shendi) këto ditë të zgjatura e të detyruara pushimesh. Nesër i nxjerrim sërish “të dehen” me bardhësinë e butë, përpara se ajo të shkrijë. Vanushe e dashur, Teksa vërtitem si një shaman mes “perandorisë” sonë të vogël, të përpirë nga gjumi, ndiej se sa vështirë do ta kemi, sa gjatë, dhe sesa varet ajo prej nesh. E qetë dhe e shqetë, gazmore e problematike, çlodhëse e acaruese, shpërblyese e sizifiane, kjo “perandoria” jonë e vogël na i përpin, në fakt, na i thith e i shteron energjitë tona çdo ditë, por ama, dashurisht, mallëngjyeshëm, “me pambuk”. Epo, me sa duket, zemër, kjo është Jeta, me gjasë, e zhveshur nga metafora e për të cilën, dëgjova mbrëmë nga një film të thuhet një frazë patetike e kuazifilozofike: “Jeta është luftë dhe varet se cilin ke zgjedhur në krah për ta përballuar”.

Me siguri, ti do të kishe prishur buzët me tallje, por unë po abstragoj nga forma për hir të thelbit të saj të vërtetë. Sa për meditim. Të kujtohen kohët e para të lidhjes sonë? S’kishim asgjë, përpos vetes tonë. Nga tarraca e kafe-restorant “Begeja” (ka qenë pranverë e vitit 2002), duke kundruar panoramën që hapej, me një pyll të lartë e të dendur pallatesh, të thashë: – A s’të vjen çudi, Vanush, që nga këto mijëra e mijëra pallate, në asnjërin prej sosh nuk ka një apartament tonin? Dhe përgjigjja jote: – …Po nga gjithë ky lumë i pandërprerë makinash, atje poshtë, s’të duket çudi, që asnjëra s’është e jona? Tani i kemi të gjitha këto dhe kjo habi nuk është më aktuale.

Tani, të zhytur kokë e këmbë në një realitet tjetër, merremi jo me artin e habisë, por të harmonizimit të situatave, artin e kontrollit të tyre, ruajtjen e ekuilibrit të njëri-tjetrit në rrethrrotullimin marramendës të ditëve të ngarkuara me kundërgoditje. …Si atëherë kur ty të kosit lodhja e shembesh në divan. Si atëherë kur të gjej pasmesnate në studio, me kokën e fjetur, rrëzuar mbi tastierë. Si atëherë kur të gjej të dëshpëruar e të pafuqishme nga shkumëzimi i panënshtrueshëm i fëmijëve në orën e tyre të marrëzisë. Na duhet të përsosim një art, kryesisht fashitës, zbutës, shtensionues midis egove të brishta e lehtësisht të cenueshme të fëmijëve tanë. Të vegjlit janë kokëngjeshur, të egër, bishëza të vogla, të dashura, acaruese, të dhembshura.

Na duhet, veç të tjerash, të shpikim, të përftojmë përvjedhtazi edhe romantikën tonë. Le të vazhdojmë t’i dërgojmë njëri-tjetrit mesazhe të fshehta: “Ke mundësi me u përvjedhë, pa rënë në sy, sa për një takim 10 minutësh në kafe, poshtë pallatit?”. Dhe sigurisht, për 10 minuta, perandoria jonë e vogël nuk kanoset të shembet nga kryengritjet e rebelimet e brendshme. Atje, midis tyre, e dimë, nuk e sosim dot deri në fund asnjë fjali nga ndërhyrjet e shumta. E ke menduar? Kjo ka ndikuar, me sa duket, në stilistikën e komunikimit në shtëpinë tonë: e ke vënë re që te ne flitet me fjali të shkurtra, njërrokëshe, imperative? Na duhet të sajojmë truke të reja…

Habitem, Vanush, si fluturuan kështu 15 vite të jetës sonë familjare. Më duket si të ishte dje. Sikur ende nuk e kemin filluar atë më të madhen, kulmin, të qenët i ngopur me ty… dhe ti je po aq e mrekullueshme, po aq e freskët, po aq e bukur dhe shpirtërore, sa në njohjen tonë të parë, kur unë nuk ngopesha duke të parë, derisa thashë atë frazën profetike: “Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!” Me ty ia vlen, Vanushe… me ty i dilet mbanë kudo dhe kurdo.

Agron Tufa 11 janar 2017

Sot shënohet 110-të vjetori i lindjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli

Përkujtojmë sot 110-vjetorin e lindjes së mendimtarit dhe publicistit, shkrimtarit dhe përkthyesit, ekonomistit dhe atdhetarit, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), personalitet në historinë e letërsisë shqiptare, shkrimtar i klasit të parë, që e tejkaloi vdekjen dhe vazhdon të jetojë me veprën e tij, edhe pas ikjes fizike, në të gjithë trojet shqiptare, përcjell KultPlus.

Autori i “Hanet e karvanet”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “I pasuri që ish i varfër fort”, “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea”, “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe bankieri i talentuar, jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare ne magjinë e liqenit të Pogradecit. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Nga viti 1924 ne Selanik kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit.

Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin. Dhimitër Pasko u punësua në Bankën e Shtetit Shqiptar, si këshilltar në fushën e monedhës dhe më 16 maj 1947, pas 7 muaj hetuesi u dënua për agjitacion e propagandë me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që i humbet gjatë kësaj kohe vepra që kishte në shtyp përmbledhja me tregime “Dashuria e barbarit Artan”, “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”, një roman për burgun e Prishtinës, drama “Ura”, “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur” dhe “Shënime ekonomike”.

Pas daljes nga burgu, strehë Kuteli pati përkthimin.

Një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezi të Elyarit dhe Nerudës …Vitet që do të vijnë Kuteli i kthehet letërsisë deri më 4 maj 1967 kur ndahet nga jeta. Trashegimia letrare e Kutelit është e gjerë, e pasur dhe e fuqishme. Në të gjejmë, po të shprehemi me fjalët e autorit, “botën e vogël shqiptare, që pasqyron botën e madhe”. Është toka dhe qielli ynë, janë malet dhe fushat tona, ndrisin ditët dhe netët shqiptare, janë zërat e ngjyrat e tyre. Në këtë botë jeton e mbijeton njeriu shqiptar, të cilin shkrimtari e ka dhënë përmes rrëfimeve të tij me fizionomi e reliev të qartë shpirtëror e fizik.

Mitrush Kuteli dekorohet (Pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com