KOMF: Mbani fëmijët larg aktiviteteve zgjedhore

KOMF apelon tek subjektet politike të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës. Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe, përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.

KOMF bën me dije se përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masat bazuar në legjislacionin në fuqi, në rastet kur konstatohet përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

KOMF i bën thirrje prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijësojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale.

KOMF i bën thirrje mediave të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës. / KultPlus.com

KOMF: Një Kryeministër për Fëmijët!

Pandemia Covid-19 ka rënduar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve, prandaj mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme dhe e domosdoshme.

Si Koalicion për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ju paraqesim faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë si dhe nevojën emergjente që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato!

ULJA E VARFËRISË TE FËMIJËT

22.8% e fëmijëve në Kosovë, jetojnë në varfëri, përderisa 7.2% jetojnë në varfëri ekstreme! Ligji për Asistencën Sociale përmban kritere diskriminuese për fëmijët duke përjashtuar kështu një pjesë të madhe të familjeve në nevojë nga kjo skemë. Shuma mujore e ndihmës sociale është shumë e vogël për të përballuar kushtet elementare të jetesës për një familje. Kosova nuk aplikon shtesat për fëmijë, i cili është dëshmuar si një nga instrumentet më efektive për zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë tek fëmijët.

Kërkojmë:

Reformimin e politikave sociale për zbutjen e varfërisë:

Largimin e kriterit diskriminues dhe të papranueshëm në kuadër të Ligjit për Asistencë Sociale, ku përcaktohet që familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç për të përfituar nga skema e asistencës sociale.

Rritjen e shumës mujore së ndihmës sociale për të përballuar kushtet elementare të jetesës për familje.

Aplikimin e shtesave për fëmijët.

PËRFSHIRJA E FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË SHKOLLA DHE SIGURIMI I QASJES NË SHËRBIME

8% e fëmijëve të moshës 2 – 17 vjeç në Kosovë, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 5,300 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në shkollë, të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Punësimin e asistentëve mbështetës në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe sigurimin e transportit.

Largimin e barrierave fizike në çdo mjedis.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DHUNA DHE PUNËT E RËNDA

72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë!
Kërkojmë:

Ndërmarrjen e të gjitha masave për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në 2020.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DUHANI DHE DROGA

Duhani dhe drogat po dëmtojnë rëndë shëndetin e fëmijëve! Ligji për Duhanin nuk po zbatohet. Programet për rehabilitim janë tërësisht në mungesë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave për zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për Duhanin. Krijimin e programeve parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike.

INVESTIMI NË ZHVILLIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

15% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. Këto të dhëna tregojnë që pjesa dërrmuese e fëmijëve në Kosovë në vitet e para rriten në mjediset familjare, kryesisht me prindërit apo kujdestarët, pa ndonjë mbështetje institucionale.

Kërkojmë:

Krijimin e programeve për mbështetjen e prindërve dhe kujdestarëve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Hapjen e institucioneve të reja parashkollore.

RRITJA E CILËSISË NË ARSIM DHE KRIJIMI I AMBIENTEVE MIQËSORE PËR FËMIJËT NË SHKOLLA

Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Dhuna fizike dhe psikologjike vazhdon të përdoret nga mësimdhënësit në shkolla si mjet disiplinimi. Dhuna po vazhdon të përdoret edhe në mes të bashkëmoshatarëve.

Kërkojmë:

Rritjen e investimeve për rritjen e cilësisë në arsim dhe zbatim efikas të të gjitha ligjeve që rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla.

SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË SHËRBIMEVE SOCIALE

Ofruesit e shërbimeve sociale shpesh rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm. Me mbylljen e shërbimeve fëmijët e cenueshëm mbesin pa strehim dhe shërbime duke u cenuar rëndë të drejtën themelore për mbrojtje. Vetëm 1% e buxhetit total të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ndahet për shërbime sociale.

Kërkojmë:

Procedimin sa më shpejt të miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale për të garantuar financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.

Krijimin e një skeme të qëndrueshme për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori jo-qeveritar.

Rritjen e pragut të minimumit të financimit për shërbimet sociale të ofruara nga sektori joqeveritar, në mënyrë që të përmbushen nevojat e qytetarëve për shërbime sociale.

KUJDESI NDAJ SHËNDETIT MENDOR TË FËMIJËVE

Situata e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia Covid-19, izolimi dhe kushtet e rënda të jetesës, në përgjithësi kanë ndikuar në përkeqësim të shëndetit mendor të fëmijëve duke rritur pasigurinë e frikën dhe duke cenuar ekuilibrat emocional të tyre.

Kërkojmë:

Rritjen e numrit të psikologëve në shkolla, me qëllim të fuqizimit të mbështetjes emocionale të nxënësve dhe të kujdesit ndaj shëndetit mendor të tyre.

RRITJA E CILËSISË SË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE

Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.

Kërkojmë:

Krijimin e planeve konkrete, politikave të nevojshme dhe investimeve për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, implementimin e fondit për sigurime shëndetësore, sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda që kërkojnë shërim jashtë vendit, sigurimin që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë asnjëherë.

TRANSPARENCË NË BUXHETIMIN PËR FËMIJËT

Në Kosovë mungojnë proceset transparente dhe të qasshme për të garantuar në mënyrë efektive përfshirjen e qytetarëve dhe sidomos fëmijëve në procesin e buxhetimit.

Kërkojmë:

Deklarimin e buxhetit në mënyrë transparente në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e fëmijëve, duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe drejtësisë për të mitur.

Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve dhe prindërve në procesin e buxhetimit.

RRITJA E LLOGARIDHËNIES

Llogaridhënia në fushën e mbrojtjes së fëmijëve mbetet shumë e ulët, qoftë në fushën e shërbimeve sociale, shëndetësisë apo arsimit. Mungojnë mekanizmat e pavarur inspektues për të shqyrtuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Njësitet e inspektimit veprojnë në kuadër të ministrive, pra nuk janë të pavarura dhe ato funksionojnë me kapacitete shume të kufizuara.

Kërkojmë:

Krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur të inspektimit për cilësinë e ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies sociale.

Fuqizimi i tyre përmes rritjes se kapaciteteve është hapi tjetër që do ndikonte në rritjen e llogaridhënies.

PËRFSHIRJA SOCIALE E FËMIJËVE NGA KOMUNITET ROM, ASHKALI DHE EGJIPTIAN

Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht. Vetëm 8% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. 84% e fëmijëve ndjekin shkollën fillore, 64% ndjekin shkollën e mesme të ulët dhe 31% ndjekin shkollën e mesme të lartë. 1 në 3 gra dhe 1 në 10 burra nga komunitetet të moshës 20–24 vjeç janë martuar para moshës 18 vjeç.

Kërkojmë:

Rritjen e vaksinimit për imunizimin e fëmijëve që vinë nga komunitet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Përfshirjen në shkolla të fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Ndërmarrjen e masave për parandalimin e martesave nën moshën 18 vjeç. / KultPlus.com

KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, me fokus në të drejta dhe mbrojtje të fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2020.

KOMF këtë vit ndan tre mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve” 2020, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt shërbimeve sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve. Për shkak të pandemisë Covid-19 dhe në përputhje me rekomandimet e institucioneve relevante, KOMF po i publikon këto çmime online.

Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”, u ndanë si më poshtë:

· Avokuesi për të drejtat e fëmijëve Rijad Mehmeti, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”

· Familja strehuese nga Ferizaj Ymrije dhe Halil Selmanaj, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”

· Dr. MSc. Burim Buzhala, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”

Vlerësimi i nominimeve për mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” është realizuar nga paneli i përbërë nga:

– Igballe Rrahmani – Institucioni i Avokatit të Popullit

– Blerta Perolli Shehu – Universiteti i Prishtinës

– Zana Zeqiri – SHFMU “Meto Bajraktari”

KOMF falenderon të gjithë fituesit, individët, bizneset e korporatat, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit fisnik të mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Ndarja e mirënjohjeve vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë për vitin 2020, u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP dhe KMOP, dhe në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF. / KultPlus.com

KOMF hapë thirrje për aplikim për çmimet vjetore në gazetari

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përmes projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ndan çmimet vjetore për tregimet më të mira në media, në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2020.

Gjashtë çmime vjetore në gazetari, në vlerë prej 500 Euro secila, do të ndahen për shkrimet apo reportazhet më të mira të botuara në gazeta, portale, radio dhe televizione të ndryshme në Kosovë, gjatë vitit 2020.

Aplikantët që konkurrojnë duhet t’i përmbahen këtyre kritereve:

1. Të kenë shkrim, botim, dokumentar apo reportazh televiziv/radiofonik që trajton tema të cilat kanë të bëjnë me fëmijët dhe ndërlidhen me shërbimet dhe mbrojtjen e tyre në Kosovë, të botuara nga data 12 Nëntor 2019 deri në datën 14 Nëntor 2020;

2. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, aplikantët duhet të dërgojnë punimin/shkrimin/publikimin e tyre në formë elektronike me email tek: [email protected]

Në email duhet të ceket titulli i botimit dhe data e saktë e publikimit të tij, si dhe të dhënat e aplikantit (emër, mbiemër, mediumi ku punon dhe numri i telefonit). Në email duhet të bashkëngjitet punimi i plotë me të cilin aplikanti po konkurron.

3. Gazetarët kanë të drejtë të aplikojnë me më shumë se një botim / punim.

Afatet për aplikim:

• Konkursi do të qëndrojë i hapur që nga data e shpalljes së tij në www.portalpune.com dhe faqet zyrtare të KOMF, SOS dhe OFAP, nga data 14 Nëntor 2020 deri më 29 Nëntor 2020, ora 00:00.

• Çmimet për fituesit do të ndahen gjatë një ceremonie e cila do të organizohet gjatë muajit Dhjetor 2020.

KOMF, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP inkurajojnë të gjithë gazetarët që kanë punuar shkrime apo reportazhe të të gjitha trajtave, të cilat trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, dhe të cilat kanë synuar dhënien e kontributit në përmirësimin e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, të aplikojnë për gjashtë çmimet e mëdha që do të ndahen këtë vit. / KultPlus.com

KOMF hap fushatën “Komuna ime, e drejta ime sociale”

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF hap sot fushatën nacionale “Komuna ime, e drejta ime sociale”, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e mëtejshëm dhe mobilizimin e vendimmarrësve për ndërhyrje emergjente në sigurimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë, gjendja e të cilëve është rënduar edhe më tepër si pasojë e pandemisë Covid–19.

Gjatë muajit Qershor 2020, KOMF ka publikuar Raportin e Monitorimit ku ka pasqyruar gjendjen tejet të rënduar të shërbimeve sociale në vend. Në mungesë të financimit të qëndrueshëm, shumë shërbime sociale janë mbyllur tashmë apo janë në prag të mbylljes. Për pasojë shumë fëmijë dhe qytetarë të cenueshëm po mbesin pa shërbimet e domosdoshme për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Përmes kësaj fushate, KOMF synon të përçojë rekomandimet e raportit të monitorimit drejt vendimmarrësve dhe institucioneve me qëllim vendosjen prioritet dhe investimin në zhvillimin e shërbimeve sociale.

KOMF konsideron se përballja me pandeminë Covid–19 vërteton edhe më shumë nevojën për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë për shërbime sociale.

Përmes kësaj fushate, akterët kryesorë të përfshirë në sigurimin e mirëqenies së qytetarëve, do të përçojnë mesazhe rreth prioriteteve dhe punës së tyre për sigurimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Gjithashtu, përfaqësues nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, përmes mesazheve që kanë për qëllim mobilizimin e vendimmarrësve për investimin në shërbime sociale.

Pjesë e fushatës virtuale që do të realizohet përmes rrjeteve sociale do të jenë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryetarët e komunave, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të agjencive ndërkombëtare në Kosovë.

Me qëllim të rritjes së vëmendjes së institucioneve për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në nevojë si dhe ngritjes së vetëdijes për publikun e gjerë mbi rëndësinë e mirëqenies sociale, KOMF ka vendosur përballë ndërtesës së qeverisë, një simbol që paraqet përgjegjësinë dhe detyrimin institucional për sigurim të mirëqenies sociale për të gjithë.

Poashtu, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale, KOMF është duke mbështetur hartimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale. Prandaj, krahas fushatës virtuale, përgjatë gjithë kësaj jave, KOMF do mbajë konsultime me shoqërinë civile, Qendrat për Punë Sociale, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues nga komunat, etj, për t’i dhënë zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve dhe grupeve të interesit gjatë hartimit të Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, si dhe projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP. / KultPlus.com

KOMF ju drejtohet shkollave: Prioritizoni shëndetin mendor të nxënësve!

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë, përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para. Krahas marrjes së masave për një rikthim të sigurtë në shkolla për shkak të pandemisë, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe fokusi kryesor nga të gjitha palët, KOMF ngre si një çështje jetike e shumë të rëndësishme, mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj faze të rikthimit në shkolla.

Pandemia globale Covid-19, prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës tonë. Kjo situatë e jashtëzakonshme, shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë tek çdo individ, mbi të gjitha tek grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët.

Ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre. Ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët.

KOMF konstaton se edhe rinisja e procesit mësimor është bërë pothuajse në mënyrën e njëjtë, pa hapa të mjaftueshëm përgatitor të zhvilluar në bashkëpunim apo me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe prindërve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka përcaktuar modelin për rifillimin e procesit mësimor, ndarjen e klasave në grupe, mësimin e kombinuar, etj. Megjithatë nuk janë bërë mjaftueshëm konsultime apo sesione paraprake (qoftë virtuale) me fëmijët dhe prindërit për t’i informuar dhe përgatitur ata rreth asaj çfarë pritet të ndodhë nëpër shkolla me fillimin e vitit. Po ashtu KOMF konsideron që nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me nxënësit sa i përket ndarjes në klasa dhe ka munguar një qasje e unifikuar për ndarjen në grupe e cila do të minimizonte pakënaqësitë. Për pasojë ndarja e nxënësve në dy grupe shpesh ka ndarë fëmijët prej shoqeve apo shokëve të ngushtë duke ndikuar negativisht në entuziazmin dhe vullnetin e tyre për tu kthyer në shkolla.

Po ashtu, dilemat rreth nisjes së procesit mësimor dhe shtyrja e datës së fillimit të shkollës, shoqëruar me mungesën e përgatitjeve të duhura, kanë ndikuar dukshëm në gjendjen psikologjike të fëmijëve, aq më tepër kur marrim në konsideratë situatën e rënduar përgjatë muajve të fundit.

Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre. Është jetike që shkollat, institucionet, mësimdhënësit dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurtë, të qetë e të mbrojtur. Kjo është cekur edhe në udhëzime të lëshuara nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve.

Ndër të tjera, një grup i ekspertëve nga disa universitete në Angli, në një thirrje drejtuar autoriteteve arsimore në muajin maj 2020, kanë nënvizuar faktin se është thelbësore që me hapjen e shkollave autoritetet të prioritizojnë lojën, socializimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve mbi mësimin formal dhe progresin akademik pasi shëndeti i varfër mendor, mund të çojë në probleme mendore afatgjata1.

Nisur nga gjithë kjo situatë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit mendor të fëmijëve, KOMF rekomandon:

· MASh, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat krahas marrjes së masave sipas udhëzuesit për rikthim në shkolla, duhet të shohin mundësinë për angazhim të stafit shtesë teknik dhe profesional. Angazhimi i stafit profesional, sikurse angazhimi i psikologëve shtesë dhe i punëtorëve social, është më se i domosdoshëm në këtë periudhë të vështirë;

· Mësimdhënësit të zhvillojnë orën e kujdestarisë por edhe orë të tjera përgjatë javës, duke i zhvilluar si orë diskutimi mbi vështirësitë, problemet dhe mbi shëndetin mendor, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së shëndetit të tyre. Në këtë mënyrë i gjithë sistemi i jep prioritet mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe shëndetit mendor të tyre, dhe në të njëjtën kohë garanton mbështetje për këdo që ka nevojë për ndihmë;

· Mësimdhënësit të organizojnë sa më shumë aktivitete rekreative dhe argëtuese me fëmijët me qëllim largimin e stresit dhe të ankthit; Në këtë periudhë, ekuilibri emocional i fëmijëve duhet të jetë konsiderata e parë;

· Të mbahen takime virtuale me prindër për të diskutuar mbi rëndësinë e shëndetit mendor të fëmijëve dhe rolin e prindërve në këtë drejtim;

· Mësimdhënësit të organizojnë takime të rregulla virtuale me të gjithë nxënësit e klasës, ku ata do të kenë mundësi të takohen me shokët/shoqet e klasës të cilët nuk i kanë takuar deri më tani për shkak të ndarjes që është bërë. / KultPlus.com

KOMF thirrje institucioneve për tu angazhuar në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

KOMF, me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i bën thirrje Qeverisë dhe komunave që të angazhohen që ky ligj të gjejë zbatimin e nevojshëm dhe të garantojë të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë fëmijëve në Kosovë.

KOMF bën thirrje që zbatimi i Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës të marrë vëmendje dhe investim të menjëhershëm nga të gjithë sektorët dhe po ashtu të kthehet në prioritet për institucionet që punojnë në mbrojtje të fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës i hartuar për herë të parë në Kosovë, hyn në fuqi sot më 17 Korrik 2020, duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën drejt përmbushjes së zotimit për të mbështetur e garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Hyrja në fuqi e këtij ligji sot, e gjen vendin në një situatë dhe gjendje edhe më kritike si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila mbi të gjitha ka rënduar gjendjen e fëmijëve. Prej disa muajsh tashmë, shumë fëmijë kanë mbetur pa marrë shërbimet dhe mbrojtjen e nevojshme që ndihmojnë në zhvillimin e tyre. Në gjendje shumë të rëndë vazhdojnë të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e përfshirë në punë të rënda. Në anën tjetër izolimi i zgjatur dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.

Duke konsideruar gjendjen aktuale të fëmijëve, mungesën e shërbimeve adekuate dhe nevojën e menjëhershme për ndërhyrje për garantim të mbrojtjes së tyre, KOMF apelon edhe një herë ndaj gjithë institucioneve qendrore e lokale për të bërë prioritet absolut mbrojtjen e fëmijëve dhe për të ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme të gjithë hapat e nevojshëm për zbatim rigoroz dhe tërësor të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës!

Organizatat anëtare të KOMF mbeten të përkushtuara të mbështesin institucionet në hartimin e akteve nënligjore dhe në zbatimin e ligjit. KOMF poashtu bazuar në misionin e tij do të monitorojë procesin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. / KultPlus.com

KOMF: Qeveria të shkurtojë asfaltin, të rris përkrahjen e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të kërkuar mbështetje të sektorit jo-qeveritar për ofrim të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm.

KOMF ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.

Pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa shërbimet e nevojshme, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e neglizhuar etj. Në këtë fazë është e rëndësishme që të merren hapat e nevojshëm për zbutjen e pasojave tek fëmijët duke ofruar shërbime direkte cilësore, përmes financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për fëmijët e cenueshëm, rritjes të mbështetjes ndaj ofruesve të shërbimeve dhe kontraktimin e tyre në këtë periudhë të vështirë gjatë dhe pas pandemisë.

Organizatat Jo-Qeveritare ofruese të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm mbështeten financiarisht nga niveli qendror (MPMS dhe MSH), donatorë ndërkombëtar, komunat dhe sektori i bizneseve. MPMS dhe MSH përmes procesit të thirrjeve publike çdo vit kanë financuar organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm dhe qytetarët në nevojë për shërbime. Këtë vit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, nuk ka pasur thirrje për mbështetje financiare të organizatave të licencuara që ofrojnë shërbime direkte. Poashtu, mbështetja nga sektori i biznesit ka rënë dukshëm për shkak të situatës të krijuar nga pandemia.

Për arsyet e cekura më sipër, KOMF kërkon:

– Shpalljen urgjente të thirrjeve të rregullta vjetore për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare për ofrim të shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë.

– Rritjen e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte të ofruara nga sektori jo-qeveritar.

KOMF ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19 dhe mund të bëhen rishikime buxhetore. KOMF kërkon që në kuadër të rishikimeve buxhetore të bëhet rritja e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori jo-qeveritar. / KultPlus.com

KOMF lanson faqen “Afër fëmijës”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një konference për media ka lansuar faqen e internetit për zhvillimin në fëmijërinë e hershme “www.aferfemijes.org”.

Donjetë Kelmendi nga KOMF tha se duke qenë se vetëm rreth 6% e fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor janë të përfshirë në institucionet parashkollore, pjesa dërmuese e fëmijëve në vitet e para rriten në mjediset në shtëpi, kryesisht me prindërit, gjyshërit, të cilët kanë nevojë për mbështetje profesionale për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

Loreta Keqekolla nga KOMF prezantoi faqen për zhvillimin në fëmijërinë e hershme e cila synon mbështetjen e prindërve, kujdestarëve dhe ofruesve të shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Kjo faqe ofron temat aktuale, aktivitete, këshilla, udhëzime dhe diskutime për prindërit, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Çdo aktivitet dhe këshillë ndikon në ndërtimin e një baze të rëndësishme në fazat e zhvillimit të fëmijës.

Faqja “Afër fëmijës” do të pasurohet në vazhdimësi si dhe do të jetë faqe dinamike ku varësisht nga nevoja do te shtohen edhe rubrika te reja.

KOMF bën me dije që kjo faqe është një burim alternativ shtesë i cili mund të përdoret nga prindërit, kujdestarët, ofruesit e shërbimeve dhe nuk zëvendëson në asnjë mënyrë platformën ekzistuese të MAShTI për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

KOMF fton prindërit, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve për të vizituar faqen “www.aferfemijes.org”, për mbështetje në zhvillimin në fëmijërinë e hershme. / KultPlus.com

KOMF me fushatë vetëdijesuese, “Komuna Ime, e Drejta ime Sociale”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, është duke zhvilluar një fushatë vetëdijesuese lidhur me procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale dhe familjare.

Shërbimet sociale dhe familjare duhet të ofrohen për të gjithë qytetarët në nevojë për mbrojtje sociale. Për të sjellë shërbimet sociale sa më afër qytetarëve, në vitin 2009 ka filluar decentralizimi i shërbimeve, ku janë bartur kompetencat nga niveli qendror drejt komunave të Kosovës. Mirëpo, edhe pas 10 viteve ky proces nuk ka përfunduar. KOMF ka monitoruar implementimin e decentralizimit të shërbimeve sociale për vitin 2019, ku si rezultat ka publikuar raportin “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale” i cili paraqet gjendjen e rëndë në sektorin e mirëqenies sociale. 

Në linjë me këtë raport, KOMF ka lansuar një video vetëdijesuese me qëllim mobilizimin e institucioneve për investim në sektorin e mirëqenies sociale.

KOMF lut mediat që të publikojnë videon në linkun e mëposhtëm në mënyrë që bashkarisht të avokojmë për përmirësimin e shërbimeve sociale për të gjithë qytetarët, sidomos gjatë kësaj periudhe të pandemisë ku gjendja e tyre është rënduar edhe më shumë.

Linku për qasje në video: https://we.tl/t-jZ7VYAjCvc

Kjo video është mundësuar në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga European Union Kosovo, i cili implementohet nga KOMF në partneritet me Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP. / KultPlus.com

KOMF mban nesër konferencë, publikohet raporti i monitorimit “Komuna ime”

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF mbajnë konferencë për media për publikimin e Raportit të Monitorimit “Komuna ime, e Drejta Ime Sociale”. Konferenca për media do të mbahet më 1 Qershor 2020, në orën 10:00, në “Hotel Sirius” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje sociale edhe më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid–19, ku shumë fëmijë dhe qytetarë kanë mbetur pa shërbime sociale. 

Edhe pse shërbimet sociale dhe familjare janë të garantuara me ligj për të gjithë fëmijët e qytetarët në nevojë, ato nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale. Kosova ka filluar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në vitin 2009 duke synuar t’i sjellë shërbimet sa më afër qytetarëve, por edhe pas 10 viteve, ky proces ende nuk është implementuar në tërësi. Kjo situatë po rezulton me shkeljen e të drejtave të fëmijëve e qytetarëve në nevojë për shërbime sociale, duke i lënë në një gjendje të rëndë dhe të pa-trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

Ky raport pasqyron gjendjen e rëndë të shërbimeve sociale në shtatë komuna, ofron të gjeturat dhe rekomandimet lidhur me financimin, planifikimin dhe menaxhimin e shërbimeve, llogaridhënien, ndarjen e përgjegjësive, monitorimin dhe inspektimin.

Në këtë konferencë do të lansohet edhe fushata e KOMF “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, e cila do të jetë pjesë e aktiviteteve për shënimin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP. /KultPlus.com

KOMF thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka bërë thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin masa urgjente lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, shkruan KultPlus.

“Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“KOMF thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorit, KOMF i bën thirrje Qeverisë dhe komunave të marrin me urgjencë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili do të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Ky duhet të jetë prioritet absolut i të gjithë sektorëve në nivel qendror dhe komunal, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të fëmijëve edhe si pasojë e pandemisë Covid-19.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje akoma më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime dhe mbrojtje. Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje. Përveç kësaj, gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe e prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale sociale, shëndetësore e rehabilituese, si edhe pa mbështetjen e nevojshme psikologjike. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.

Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale, qoftë në zbatim të politikave, legjislacionit, ndarje të buxhetit apo ofrim të shërbimeve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me datë 27 Qershor 2019, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe parashihet të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Prandaj kjo thirrje i drejtohet Qeverisë dhe Komunave, për të marrë me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.

Fëmijët përbëjnë 30% të popullsisë së Kosovës, prandaj Qeveria dhe komunat duhet të investojnë në këtë potencial për të krijuar një shoqëri të shëndoshë dhe një fuqi punëtore e cila në të ardhmen do mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm për Kosovën e cila proklamon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

KOMF poashtu njofton që përgjatë gjithë javës, duke filluar nga nesër 1 Qershor, do të zhvillojë aktivitete në vazhdimësi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre”. / KultPlus.com


KOMF kërkon sigurimin e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministrit të Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në detyrë Hykmete Bajrami dhe kryetarëve të komunave të Kosovës, sigurimin e shërbimeve esenciale për fëmijët me aftësi të kufizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19.

KOMF shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve ose kujdestarëve të tyre, e cila gjatë kohës së pandemisë është rënduar edhe më shumë dhe  konsideron që mirëqenia dhe shërbimet shëndetësore, sociale dhe arsimore duhet të jenë prioritet gjatë kësaj kohe.

Bazuar në nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve ose kujdestarëve të tyre, KOMF kërkon nga institucionet qeveritare që të konsiderojnë kërkesat e mëposhtme lidhur me fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenien e tyre gjatë përballjes me COVID-19.

KOMF kërkon:

  • Qasje në informacionet dhe udhëzimet e komunikuara rreth shëndetit publik për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo nënkupton që mesazhet e transmetuara për shëndetin publik duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duke mos diskriminuar apo stigmatizuar askënd. Gjithashtu, këto udhëzime duhet të jenë në përputhje me legjislacionin ekzistues në raste katastrofash natyrore ose në raste emergjente. Informacionet dhe udhëzimet duhet të kenë një gjuhë të qartë për t’u lexuar dhe kuptuar; Mënyrat për qasje në informacione mund të shtohen, ku përveç internetit në kohën e pandemisë mund të vihen në dispozicion edhe linjat telefonike, videot, broshurat informuese etj, si dhe interpretimi i përshtatshëm në gjuhën e shenjave. Në rastin e informimit të fëmijëve të verbër mbi epideminë, zgjidhjet alternative rreth mbrojtjes dhe kujdesit duhet të hulumtohen dhe formulohen nga vetë këta persona dhe nga organizatat që i përfaqësojnë ata.
  •  Investim në ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve të nevojshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të eliminohet çdo pengesë financiare lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor për fëmijët me aftësi të kufizuara. KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse që të krijojnë një pako ekonomike për mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, e cila mund të përmbajë pagesa të shumave për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndihmë për shpenzimet specifike dhe zgjatjen automatike të çdo ndihme të marrë edhe nëse dokumentacionit të nevojshëm i ka skaduar afati. Shërbimet dhe pajisjet e domosdoshme në karantinë duhet të jenë plotësisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. Shërbimet shëndetësore dhe ato sociale kanë vazhdimisht mungesë të financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm. Investimi në këto shërbime është thelbësor dhe urgjent për të plotësuar shpenzimet e rritura për shkak të pandemisë, përfshirë sigurimin e ilaçeve, mjeteve mbrojtëse dhe mbështetjes për stafin që punon jashtë orarit.
  • Sigurim të produkteve esenciale, mbështetje profesionale gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19 për fëmijët me aftësi të kufizuara. Asnjë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk duhet të mbetet pa ushqim, mbështetje dhe shërbime profesionale të domosdoshme. Institucionet duhet të vendosin mekanizma për të autorizuar personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të dalin gjatë karantinimit të detyrueshëm, për periudha të shkurtra dhe në mënyrë të sigurt, kur përballen me vështirësi gjatë mbylljes dhe qëndrimit në shtëpi. Sigurimi i qasjes në internet (duke i liruar nga pagesa) dhe sigurimi i pajisjeve elektronike për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara duhet të bëhet, në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të mund të marrin shërbime profesionale dhe mbështetje online nga profesionistët që punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara. Një shembull i mirë i cili mund të replikohet është Komuna e Prishtinës e cila ka zhvilluar aksionin për sigurimin e pajisjeve elektronike për fëmijët në nevojë në Komunën e Prishtinës.
  • Mbështetje profesionale për prindërit/kujdestarët si dhe familjet strehuese: Kriza dhe masat e izolimit mund të përkeqësojnë shëndetin mendor dhe gjenerojnë frikë dhe ankth, prandaj mbështetja profesionale për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, është e rëndësishme dhe e domosdoshme.
  • Organizimi i vizitave në terren, nga përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për të siguruar mbrojtje, për personat e identifikuar me aftësi të kufizuara që keqtrajtohen në shtëpi ose brenda komunitetit, dhe të sigurohet mbështetje adekuate për ta në mënyrë që të respektohen të drejtat e tyre njerëzore.

KOMF letër ministrit të Financave për plotësim të Pakos Emergjente Fiskale

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministrit të Financave, Besnik Bislimi, duke kërkuar përfshirjen e disa kategorive si përfitues në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale.

Konkretisht, KOMF kërkon që Skema për Përkrahjen Materiale të Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Përhershme të Kufizuara, Strehimi Familjar për Fëmijët pa Përkujdes Prindëror dhe stafi profesional i strehimoreve që punojnë 24 orë shërbim të jenë pjesë e Pakos Emergjente Fiskale për të siguruar mirëqenie sociale për të gjithë fëmijët, njofton Klan Kosova.

​“KOMF konsideron që mirëqenia dhe shërbimet sociale duhet të jenë prioritet dhe një ndër shtyllat kryesore të qeverisjes. Prandaj, KOMF kërkon nga Ministri i Financave dhe Qeveria të sigurojnë përfshirjen e kategorive të mëposhtme në Pakon Emergjente Fiskale”.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë:

  1. Skema për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Përhershme mbështet familjet që kanë fëmijë me aftësi të përhershme të kufizuara në vlerën mujore prej 100 Euro. Numri i fëmijëve që përfitojnë nga kjo skemë aktualisht në Kosovë është 2360 fëmijë. Shuma prej 100 Euro është e pamjaftueshme për mbulimin e nevojave themelore (produkte ushqimore, produkte higjienike, trajtim terapeutik, pajisje të nevojshme, materiale didaktike-mësimore, medikamente, etj.) për fëmijët me aftësi të kufizuara.
  2. Familjet strehuese që ofrojnë strehim për fëmijët pa kujdes prindëror që janë farefis me fëmijën (strehimi tek të afërmit), marrin 75 Euro në muaj për shpenzimet mujore të fëmijës. Ndërsa familjet që strehojnë fëmijë pa kujdes prindëror e që nuk janë farefis i fëmijës (familjet strehuese alternative), marrin 250 Euro në muaj për shpenzimet mujore të fëmijës. Aktualisht, numri i fëmijëve pa kujdes prindëror në strehim familjar tek të afërmit është 497 fëmijë, përderisa numri i fëmijëve në strehim familjar alternativ është 54 fëmijë. Familjet strehuese alternative janë familje vullnetare të rekrutuara nga Qendrat për Punë Sociale për të ofruar strehim për fëmijët pa kujdes prindëror, ato nuk realizojnë asnjë përfitim social në emër të të qenit familje strehuese dhe në këtë mënyrë rrezikohet qëndrueshmëria e tyre.

Për arsyet e cekura më sipër si dhe për faktin që shpenzimet e familjeve janë rritur si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, kërkojmë që dy skemat e mësipërme të përfshihen në kuadër të pakos emergjente, duke paraparë një shtesë të caktuar në vlerë monetare për muajt në vijim.

  1. Strehimoret apo qendrat rezidenciale që ofrojnë shërbime 24 orë për fëmijët pa përkujdesje prindërore, viktima të dhunës në familje, viktima të abuzimit dhe trafikimit gjatë gjithë kësaj periudhe kanë vazhduar të ofrojnë shërbime me kapacitet të plotë. Sikurse shumë pozita që janë vlerësuar dhe konsideruar me rrezik në këtë periudhë edhe këto pozita ofrojnë shërbime 24 orë, janë të hapura për rastet e reja në nevojë për akomodim, janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit në vendin e tyre të punës. Kërkojmë që stafi profesional i strehimoreve që ofron shërbime direkte 24 orë (jo menaxhmenti dhe stafi administrativ) të jenë po ashtu përfitues në kuadër të pakos emergjente – konretisht në kuadër të Masës 6.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve i cili përfaqëson 31 organizata jo qeveritare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve vlerëson iniciativën e qeverisë për miratimin e Pakos Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro, duke e konsideruar atë si një hap shumë të qëlluar i cili pritet të zbusë dëmet ekonomike të ardhura si pasojë e pandemisë COVID-19. Në anën tjetër, KOMF shpreh shqetësimin e thellë për faktin që kategoritë e lartcekura janë jashtë kësaj pakoje prandaj KOMF kërkon vëmendjen e institucioneve, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve pa përkujdes prindëror gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

KOMF: “Pusho e qetë e dashur Leze”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e aktores së famshme Leze Qena, shkruan KultPlus.com

Përmes një postimi në Facebook, KOMF ka vlerësuar anagzhimin e aktores në aktivitetet për fëmijë si dhe njëkohësisht ka shprehur dhimbjen për humbjen e saj.

Këtu keni statusin e tyre të plotë:


“Shprehim dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ikonës së skenës teatrore, Leze Qena. Lezja do të mbetet në kujtimet tona për kontributin e madh që dha në botën e artit, buzëqeshjen dhe pozitivitetin që e përcolli në çdo kohë.
Ajo ishte pjesë e platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve” ku kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Lezja ishte gjithmonë e gatshme të përkrahte dhe angazhohej në çdo iniciativë në mbështetje të fëmijëve.

Artistja e mirënjohur e skenës dhe teatrit Leze Qena për më shumë se 55 vite zhvilloi veprimtarinë si aktore e suksesshme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë, e njohur dhe e admiruar nga publiku i gjerë përmes roleve shumë të dashura për publikun.

Faleminderit për momentet e bukura që i ke dhuruar publikut shqiptar ndër breza.

Përmes këtyre fotografive kujtojmë Lezen gjatë nënshkrimit të “Deklaratës së Zotimit” në KOMF, e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për tu angazhuar në çështjet që prekin apo cënojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

Pusho e qetë e dashur Leze!🌹”

KOMF thirrje prindërve: Rri n’shpi, mbroj fëmijët!

Koalicioni i Fëmijëve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, kërkon nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vinë tek fëmijët si pasojë e kësaj pandemie. Bazuar në informatat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, fatmirësisht deri në këto momente, asnjë fëmijë në Kosovë nuk është evidentuar që është prekur nga virusi COVID-19.

KOMF vlerëson masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Përkundër masave të ndërmarra deri më tani, KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të siguruar parandalim, mbrojtje, informim të saktë dhe mirëqenie për fëmijët.

KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë të fëmijëve, që të mbani fëmijët e sigurtë brenda ambientit familjar, në shtëpi, e cila në këtë periudhë po konsiderohet si masë e domosdoshme për mos ekspozimin e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së virusit. Prindër, reduktoni daljet veç në raste emergjente! Lidhur me masat parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve nga virusi COVID- 19, prindër, ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandime këto sikur larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, mbajtja e higjienës personale dhe higjienës së shtëpisë, ajrosja e shtëpisë, qëndrimi në distancë nga njëri tjetri së paku 2 metra.

Duke pasur parasysh situatën e krijuar, është e kuptueshme që ju prindër dhe kujdestarë të ndjeheni të mbingarkuar nga gjithçka që dëgjoni për pandeminë COVID-19. Është gjithashtu e kuptueshme nëse fëmijët tuaj ndjehen të shqetësuar. Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizion ose që atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes. Prandaj KOMF ju bën thirrje juve prindër që të keni një diskutim të hapur dhe mbështetës me fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i ndihmoni ata të kuptojnë, të përballojnë dhe madje të japin një kontribut pozitiv për të tjerët.

Për të zvogëluar ndikimet e mundshme negative të situatës së krijuar tek fëmijët, prindër dhe kujdestarë ndiqni rekomandimet për kujdesin ndaj fëmijëve:

· Inkurajoni fëmijët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar;

· Informoni drejt dhe saktë fëmijët lidhur me virusin COVID-19. Varësht nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës, ofroni informacionin, zgjedhni qasjen dhe metodologjinë e përshtatshme. Gjatë diskutimit, tregohuni të gatshëm t’i dëgjoni, ofroni mbështjetje, vëmendje dhe siguri;

· Informoni fëmijët për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të shpërndarjes të virusit siç janë larja e duarve, dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës së nevojshme dhe të ngjashme. Bëjeni këtë bashkarisht duke përdorur metoda argëtuese, përmes lojës, leximit, këngës dhe vizatimit;

· Vazhdoni rutinën familjare normalisht, zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët;

· Hulumtoni për libra, filma, lojëra të ndryshme për angazhim të familjes gjatë kësaj kohe;

· Punoni më fëmijët në mënyrë që të mos shkëputen nga sistemi arsimor;

· Mundësoni komunikimin në distancë (online) me shoqërinë e tyre, në mënyrë që të mos ndërprejnë jetën sociale;

· Punoni dhe hulumtoni me fëmijët për të zhvilluar aftësi të reja tek ta.

KOMF kërkon angazhim maksimal të të gjithë prindërve dhe akterëve të përfshirë në menaxhimin e situatës më COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të fëmijëve.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i themeluar në 2011, është koalicion i përbërë nga 31 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Organizatat anëtare të KOMF: Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim –ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof/CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – Ora, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile – CRP/K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të qenieve njerëzore – MVPT, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë – SDSF, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK Kosova, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM, Qendra Sociale – Edukative SOS Kopshti, Nevo Koncepti, Qendra Labyrinth dhe Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN). / KultPlus.com

KOMF-i thotë se nuk po trajtohen rastet e abuzimit të fëmijëve, u shkruan krerëve të institucioneve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka mbajtur të jashtëzakonshme për media për ta shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe dhunës seksuale.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë në KOMF, tha se në vazhdimësi, po shfaqen raste që dëshmojnë dështimin e sistemit për të garantuar mbrojtje për fëmijët viktima të abuzimit.

“Si koalicion jemi të shokuar për faktin që raste të tilla, siç është rasti tragjik i fëmijës K.V. nga Fushë Kosova, i cili përfundoi me vrasjen makabre të tij, nuk ka ndikuar aspak në reflektim, mobilizim e as ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës, e sidomos të prokurorisë”.

Sipas saj, nuk ka llogaridhënie dhe përgjegjësi për trajtimin e këtyre rasteve nga organet e mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë.

Ajo ka sqaruar se KOMF-i përmes një kërkese për veprim i është drejtuar Albulena Haxhiut – Ministre e Drejtësisë, Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme, Aleksandër Lumezi – Kryeprokuror i Shtetit, Bahri Hyseni – Kryesues i Këshillit Prokurorial, Burim Berisha – Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës dhe Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës, duke kërkuar veprime emergjente dhe llogaridhënie lidhur me këto raste. /KultPlus.com

KOMF kërkon mobilizim për zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës


Sot, në ditën e shënimit të 30 vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF iu bën thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve.

Në qershor të këtij viti, Kosova për herë të parë ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format  e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj do të hy në fuqi një vit pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

KOMF rithekson që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë. Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasjë në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.

KOMF mbetet i përkushtuar të mbështesë reformën e mbrojtjes sociale të fëmijëve, që garanton mbrojten e fëmijës, me fokus fëmijët e cenueshëm: fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të abuzimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët me aftësi të kufizuara, etj. KOMF do vazhdojë të mbështesë zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe të avokojë për rritjen e cilësisë dhe integrimin e shërbimeve të mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit. KOMF si koalicion i 29 organizatave joqeveritare, bazuar në objektivat e saj do vazhdojë fuqizimin e organizatave lokale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Organizatat anëtare të KOMF:

Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof / CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – ORA, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKOS , Programi për të Drejtat civile – CRP/ K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore – PVPT, Qendra për Studime te Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët në Kosovë – SDSF, Shoqata e Të Drejtave Të Pacientëve në Kosovë – Prak Kosovë, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM, SOS Kopshti dhe Nevo Koncepti. / KultPlus.com