Anëtarët e këshillit të qytetit kanë vendosur të votojnë mbi një propozim për ndalimin e aktivitetit të këtillë, pasi që bazuar në disa hulumtime, një numër i madh i njerëzve po kontrollojnë telefonat përgjatë ecjes, raportojnë mediet e huaja.
Sipas mediumit japonez Sora News 24, hulumtuesit vështruan gjashtë mijë njerëz në dy stacione treni duke ecur. Ata gjetën se 12 për qind e tyre po kontrollonin telefonat.
Sipas anëtarëve të këshillit të provincës japoneze, kjo ka çuar në rritjen e numrit të lëndimeve në mesin e banorëve japonez.
Nëse votimi tejkalon në qershor, Yamato do jetë qyteti i parë në Japoni që ndalon kontrollimin e telefonit duke ecur në publik.
Në rast aprovimi, ligji do futet në fuqi më 1 korrik. /KultPlus.com
Një gjyshe duhet t’i fshijë fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i postoi në Facebook dhe Pinterest pa lejen e prindërve të tyre, ka vendosur një gjykatë në Holandë.
Gjyshja përfundoi në gjykatë, pasi vajza e saj e paditi atë. Gjykatësi vendosi që çështja ishte brenda rregullave të Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave.
Rasti shkoi në gjykatë pasi gjyshja refuzoi t’i fshinte fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i kishte publikuar në rrjete sociale, transmeton Gazeta Express.
Nëna e fëmijëve i kishte kërkuar asaj disa herë që t’i fshinte fotografitë, por ajo nuk e kishte bërë. Rregullorja e BE-së zakonisht nuk aplikohet për të dhënat “shumë personale” ose “shtëpiake”.
Por, pavarësisht kësaj, rasti nuk u përjashtua për shkak se postimi i fotografive në rrjete sociale i bëri ato të gatshme në një audiencë më të gjerë, thuhet sipas vendimit të gjykatës.
“Nuk mund të përjashtohet fakti se fotografitë e vendosura në Facebook mund t’iu bien në dorë palëve të treta”, tha vendimi. Gjyshja duhet t’i fshijë fotografitë ose të paguajë dënim 50 euro në ditë, nëse nuk i fshinë. /KultPlus.com
E ulur vetëm në një restorant, po shikoja tri zonja tek po hynin brenda, njëra prej tyre me fëmijë. Meqënëse restoranti ishte i mbushur përplot dhe nuk kishte vende të lira, ato kërkuan leje të uleshin në një tavolinë me mua.
“Po, ju lutem urdhëroni uluni, nuk më pengoni”, ju thashë. Teksa porositën ushqimin, ajo që më bëri përshtypje, ishte qasja e nënës ndaj fëmijës i cili me një fytyrë që rrezatonte ëmbëlsi po shikonte me kërshëri dhe sikur priste që të kyqej edhe ai në bisedë. Por nëna i’u qas fëmijës: ” Merre me nanin telefonin dhe luje naj lojë”…
“Merre telefonin dhe luaj”, fjalë që më tingëllon akoma në vesh dhe nga e cila më lindën një mori pyetjesh në kokën time!
Pse nëna t’ia ofrojë fëmijës së saj telefonin, pse nëna ta lërë pasdore fëmijën vetëm e vetëm që të ndihet më rehat? A po prodhojmë vetë fëmijë të varur nga teknologjia. Përse ankohemi pastaj se fëmijët shohin gjithçka në internet, pse ankohemi se fëmijët tanë rrijnë të zhytur në mendime ose janë të dhunshëm, pse ankohemi se fëmija jonë nuk i bën detyrat me rregull, apo është i shpërqendruar?! Pa dashur ta gjeneralizoj shtrirjen e kësaj dukurie tek të gjitha nënat, por nga brenga e madhe karshi kësaj dukurie shumë negative me tendencë përherë në rritje, doja të ndaja mendimin tim.
Përdorimi pa masë i teknologjisë tek fëmijët është problem në rritje në përmasa shumë të mëdha. Duke u nisur nga varësia ndaj teknologjisë, pastaj dëmet shëndetësore që mund të sjellë, secili nga ne duhet të merrë masa paraprake që t’i ruajmë fëmijët tanë. Lind pyetja se si t’i ruajmë kur ata kanë qasje kudo? Shumë prindër u blejnë aparate teknologjike fëmijëve të tyre që t’ua plotësojnë dëshirën për të qenë në hap me kohën dhe për t’ua bërë më të lehtë qasjen në rrjetet sociale, apo në burime të informatave (moshat shkollore). Ata pastaj hyjnë dhe zhyten në detin e pafudëm të internetit, duke harruar madje edhe se duhet ngrënë, apo duke ngrënë me njërën dorë dhe me tjetrën janë në telefon, duke harruar që kanë detyrat e shtëpisë apo duke harruar të shkojnë edhe në shkollë! Të shohësh një fëmijë 4 vjeçar që posedon telefon madje edhe ipad, të duket shumë absurde, aq më absurde të duket kur nëna ja merr me vete kudo të dyja se mos po i shpenzohet bateria njërës dhe i ngelin punët shtetërore pa kryer, pastaj fëmija hyn në rrjetet të ndryshme të videove dhe sheh çkado, skena të dhunshme, dhe nga më të ndryshmet.
Teknologjia na e ka lehtësuar jetën për shumë gjëra dhe nëse përdoret me masë përfitimet dhe burimet informatave që mund të marrim përmes saj janë të mëdha, por për të pasur qasje fëmijët tanë deri në përmasat që shihet tani e që janë alarmante, duhet të mirren hapa konkret nga prindërit në kufizimin e përdorimit të internetit, pasiqë nga nga moshat disa muajshe që u’a vënë prindërit (shumë nga ta) telefonin para me këngë dhe gjëra tjera për fëmijë e deri tek moshat adoleshte, është mbase për t’u preokupuar për shëndetin e fëmijëve tanë qoftë fizik dhe psiqik të tyre. Fëmijët tanë mund t’i ruajmë duke u kushtuar së pari vëmendje ne si prindër, duke ndarë kohën me ta, duke luajtuar me ta dhe duke qenë shumë të hapur me ta në çdo kohë dhe për çdo qështje. Madje vetë duhet të jemi shembull i gjallë në përdorimin e kufizuar të telefonit në prezencë të tyre, pasiqë jemi pasqyra më e mirë për ta dhe ata më shumë imitojnë veprimet tona sesa i marrin për bazë këshillat tona. Duke ua bërë të dashur sportet e ndryshme dhe leximin e librave, si dhe në këtë masë do të mbushim kohën e tyre të lirë dhe do të ndjehen madje shumë të relaksuar, poashtu do të bie gradualisht edhe dëshira për të kaluar tërë kohën e lirë në mjete teknologjike. Nuk mund t’ua heqim me dhunë apo kërcënime, sepse ishim ne ata që ua ofruam, ishim ne ata që i zhytem në këtë botë pasiqë fëmijët janë të pastër dhe imituesit tanë më të mirë, andaj duhet pasur kujdes që qasja jonë ndaj tyre të jetë e butë. Poashtu, mos ta harrojmë institucionet edukative, rrethin e jashtëm dhe shoqërinë ( për mosha më të rritura), e cila ka ndikim të madh në mirë(keq) formimin e një fëmije. Aspak se shoh të arsyeshme lejimin e telefonave tek nxënësit në ambientet e klasës, ku do të jetë vëmendja e atij nxënësi ndaj mësimit kur tërë kohën mendon se si ta bëjë selfien e radhës apo t’ua hedhë një sy të rejave të rrjetet sociale. Andaj patjetër duhet të ndalohet përdorimi i tel. gjatë orëve të mësimit.
Vajza ime e madhe kur ishte 4 vjeçe kërkoi t’ja blej një pije të gazuar, duke ja spjeguar sa e dëmshme është dhe asesi nuk bën për fëmijë mu drejtua ” nani po përse ti me babin e pini ndonjëherë pasiqë është kaq e dëmshme, a sdo ju bëj keq edhe juve si mua ?!” U turpërova nga pyetja e saj dhe më dha një mësim të mirë që të mos e këshilloi një gjë të cilën nuk e praktikoj vetë, aq më pak në një moshë kur i absorbon të gjitha ato që i sheh tek prindërit.
Prindër të dashur.. E di që të gjithë doni t’i shihni fëmijët tuaj në mënyrën më të mirë si: të shëndetshëm, të suksesshëm, të mençur, të mirëedukuar, të mirëkuptueshëm, marrës të këshillave, të dashur ndaj nesh, të dhimbshëm…. Mos të harrojmë se për të gjitha këto jemi vetë burimi, jemi ne ata që në çdo formë dojmë t’ua ofrojmë më të mirën qenieve më të dashura për ne, por gjatë kësaj rruge mund të bëjmë edhe hapa të gabuar, por që do të na kushtojnë në të ardhmen, andaj të kujdesemi për hapat që hedhim, qoftë edhe me mund dhe sakrifica të mëdha, të jenë hapa të sigurtë, të jemi të durueshëm gjatë kësaj rruge aspak të lehtë, pastaj kur shohim sukseset e pritura në fëmijët tanë, gjithsesi që do të themi se ja ka vlejtur i tërë mundi dhe koha e shpenzuar me ta. Të bëjmë atë që ne kemi në dorë dhe sa i kemi në dorë, kurse për tjerat lus Zotin t’i ruajë të gjithë fëmijët tanë dhe t’i bëj akoma më të mirë sesa që mendojmë ne, t’i ruajë nga shoqëria e keqe dhe t’ia dijnë vlerën dy gjërave: shëndetit dhe kohës së lirë./www.familjadheshëndeti.com / KultPlus.com
Disa studime kanë treguar tashmë se telefonat e mençur perceptohen si shtesa apo zgjatime të trupit tonë dhe ne i bartim ata nga shtrati deri në tualete.
Studimi global i prezantuar kohët e fundit ka treguar gjithashtu se njerëzit kanë nevojë për më shumë ekuilibër mes telefonit dhe jetës reale. Studimi i titulluar “Phone-Life Balance Study” u zhvillua në partneritet mes Motorola dhe dr. Nancy Etcoff, eksperte në fushën e sjelljes të lidhur me aktivitetin tru-mendje dhe shkencën e lumturisë (Mind-Brain Behavior and the Science of Happiness) në universitetin e Harvardit.
Studimi ka treguar se njerëzit u japin më shumë përparësi telefonave të tyre në krahasim me të dashurit e tyre, ndërkohë që më alarmant është fakti i lidhur me gjeneratat e reja që po rriten në botën digjitale, transmeton koha.net.
Madje një e treta e të anketuarve e vendosën telefonin e mençur përpara shoqërimit me të dashurit e tyre. Për ta më e rëndësishme është të “shoqërohen” me telefona të mençur sesa me familjen, miqtë, fëmijët ose partnerët.
Problemi i varësisë së tillë është më i theksuar në “gjeneratën Z”, përfaqësuesit e së cilës në më shumë se 50 për qind të rasteve e quajnë smartphonin e tyre “shokun e tyre më të mirë”.
Megjithatë, njerëzit janë të vetëdijshëm për varësinë dhe nevojën për një marrëdhënie më të ekuilibruar mes botës reale dhe telefonave mobilë. Kështu, 61 për qind e tyre e duan një ekuilibër më të mirë dhe një jetë më të mirë kur nuk e përdorin telefonin. Pothuajse i njëjti numër i të anketuarve mendon se është e rëndësishme ta kesh një jetë edhe kur nuk jeni “në një telefon të mençur”.
Megjithëse studimi e ka zbuluar një sërë sjelljesh problematike që lidhen me përdorimin e tepruar të telefonave të mençur, tre prej tyre shquhen veçanërisht, transmeton koha.net.
Verifikimi kompulsiv i telefonit është i pranishëm në pothuajse gjysmën e të anketuarve.
Koha e shumtë e kaluar duke e përdorur telefonin e mençur është një problem për më shumë se një të tretën e të anketuarve. Këta të anketuar mendojnë se do të ishin më të lumtur sikur ta kalonin kohën e tyre pa telefon të mençur.
Varësia emocionale është problemi më i madh që lidhet me përdorimin e tepruar të një telefoni të mençur. Madje 65 për qind e të anketuarve ndjejnë “panik” kur nuk e kanë telefonin e mençur pranë vetes dhe një e treta e pranon se edhe kur nuk përdorin telefon të mençur, ata mendojnë se kur duhet ta përdorin përsëri.
Pikërisht për shkak se me përdorimin e telefonit të mençur janë të lidhura emocionet si lumturia dhe kënaqësia, është e vështirë t’i ndryshosh shprehitë e “këqija”. Nxitjet e sjelljes, kontrolli hapësinor dhe vetëdija kanë të ngjarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të varësisë, beson dr. Etcoff.
Një nga ndihmat e mundshme është aplikacioni SPACE, i cili “të varurit” i ballafaqon me një program 60-ditor për t’ua rritur ndërgjegjësimin për sasinë e përdorimit të telefonave të mençur. Me ndihmën e këshillave të thjeshta, SPACE mund të mësojë se si ta rikthejë ekuilibrin midis jetës reale dhe telefonave të zgjuar.
Mund të jetë paksa ironike që një vetëdijesim i caktuar për varësinë nga telefoni të kryhet në po të njëjtin telefon, por nëse i ndihmon njerëzit, pse jo…