Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tiranë shënon 20 vjetorin e themelimit

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në Tiranë.

Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë do të interpretojë vepra nga kompozitorët vendorë e të huaj.

Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur kosovare Sihana Badivuku, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.

Koncerti është organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Koncerti do të mbahet më 2 shkurt në ora19:00 në TKOB/KultPlus.com

BKK është përgatitur për përvjetorin jubilar pavarësisht sfidave të shumta, Kajtazi: Në fund të shfaqjes do të ketë edhe një befasi të këndshme

Uranik Emini

Lëvizja njerëzore bën të mundur ekzistencën e formave të artit krijues si baleti. Në thelb, baleti ka një ton dramatik, i cili shfaqet para një publiku në një skenë duke përdorur skenografi, kostume dhe ndriçim. Mes tjerash, përmes baletit mund të komunikohet një mesazh ose një ide, ndjenjë ose mënyrë të menduari. Të bërit kërcim balet përfshin pjesën magjepsëse, emocionuese, provokues ose ai mund të jetë ndonjëherë mund të përcjellë edhe emocione të frikshme, shkruan KultPlus.

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit më 9 tetor të këtij viti, ku përgatitjet për këtë përvjetor jubilar janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në mënyrë të organizuar, pavarësisht problemeve që janë shfaqur në këtë rrugëtim.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, në një intervistë për KultPlus, bën të ditur se shfaqja e përgatitur për këtë ngjarje madhështore është përzgjedhur në mënyrë të natyrshme të jetë pikërisht ajo e “Halilit dhe Hajrisë”, siç njihet edhe si “baleti i parë shqiptar”.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, në vazhdimësi përveç veprave të repertorit botërorë, ka promovuar edhe repertorin kombëtarë, prandaj përzgjedhja e baletit “Halili dhe Hajria”, vjen natyrshëm në këtë jubile, jo vetëm për faktin se është baleti i parë shqiptar, por se edhe është një vepër jashtëzakonisht e mirë”.

Gjatë muajve të fundit në llogarinë zyrtare të këtij institucioni është bërë promovimi dhe falënderimi i njerëzve që e zhvilluan dhe e ngritën në maje baletin e Kosovës.

“Sigurisht se e kemi për obligim të njohim meritat e gjithsecilit për këtë gjysmë dekade jetë të Baletit Kombëtar të Kosovës, e sidomos themeltarëve të institucionit të BKK, të cilët para 50 vitesh, nisën këtë storje suksesi për ta vazhduar edhe gjenerata e re e balerinëve. Më vjen mirë që kjo kampanjë ka pas impakt të mirë tek njerëzit dhe sigurisht se ky ka qenë edhe qëllimi që të gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme për BKK, me e pas parasysh se dikush iu njeh meritat dhe kontributin”, thotë Kajtazi.

Ai gjithashtu njofton se janë në fazën finale të përgatitjeve për shënimin e evenimentit të 50-vjetori të BKK-së.

“Mbyllja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar për rinovim, na ka shkaktuar telashe të mëdha. Jemi sistemuar në sallën e AKV Shota, për ushtrimet dhe provat, në ndërkohë kemi siguruar edhe hapësirat e Sallës së Sporteve “1 Tetori” dhe deri në këtë moment, gjithçka duket se po ecë mirë. Përveç premierës së baletit, që do të jetë pjesa kryesore e mbrëmjes së 9 tetorit, sigurisht se do të ketë fjalime e ndarje mirënjohjesh dhe po besoj një befasi të këndshme për audiencën në fund të shfaqjes”.

Kajtazi beson se mbyllja e Teatrit ka kosto të madhe për profesionin e tyre, pasi baleti është art i ndishëm dhe përvec angazhimit të përditshëm, kërkon edhe kushte adekuate.

Në fund, kreu i BKK-së shprehet i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës ka treguar përkushtim e punë të pakompromis.

“Jam i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka treguar përkushtim e punë të pakompromis, duke përfaqësuar vlerat e një arti elitarë e universal si në vend, poashtu edhe nëpër Evropë, duke krijuar kështu një respekt të jashtëzakonshëm në komunitetin artistikë ndërkombëtarë”, përfundon ai.

Shfaqjet e baletit, veçanërisht ato klasiket, synojnë t’i tregojnë një histori audiencës. Gjithçka, nga dekorimet e ndërlikuara të skenës deri te kostumet e ndryshme, përfshirë këtu edhe grimin e kërcimtarëve, ndikojnë në përthekimin e duhur të një përralleje baleti dhe efektin e tij të përgjithshëm te audienca. Shfaqjet e baletit janë kulmi i bashkimit të disa elementeve krijuese dhe entuziazmi e emocioni i kërcimtarëve janë qershia në krye. /KultPlus.com

1 qershor 1953, kur në Kosovë u themelua Instituti Albanologjik

Instituti Albanologjik është institucion i pavarur publik kërkimor-shkencor me rëndësi të veçantë kombëtare, që merret me studimin e kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve. Veprimtarinë e vet e zhvillon në bazë të Ligjit për Institutin Albanologjik dhe Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore të Kosovës.

Instituti Albanologjik ka për objekt veprimtarie punën kërkimore-shkencore nga fushat e albanologjisë: gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji. Veprimtarinë e tij e zhvillon duke i hulumtuar problemet albanologjike në terren dhe arkiva, duke i studiuar ato dhe duke i botuar rezultatet e arritura shkencore. Organizon sesione, simpoziume, konferenca e tryeza ku trajtohen çështje te ndryshme ne fushat e shkencave albanologjike. Organet udhëheqëse të Institutit janë: Këshilli Shkencor, si organ shkencor-profesional, Këshilli Drejtues, si organ kolegjial i udhëheqjes dhe drejtori i Institutit. Ka arkivin, bibliotekën, sallën e eksponateve, sallën e leximit, sallën shkencore dhe kabinetet e punëtorëve ku mundësohet puna e pavarur hulumtuese-shkencore.

 Historiku i Institutit Albanologjik

Instituti Albanologjik u themelua më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ata e morën seriozisht punën dhe u angazhuan në fusha të caktuara të studimeve shqiptare, por pushteti i atëhershëm serb dëshironte që këtë institucion ta përdorte për nevoja të propagandës së jashtme, ndërsa, në të vërtetë, që në fillim, ishte angazhuar, me të gjitha mënyrat, ta sabotonte punën e tij. Me vendim të organeve shtetërore, Instituti u mbyll më 25 dhjetor 1955. Shërbimi sekret shtetëror i sekuestroi dorëshkrimet, kurse punëtorët shkencorë i transferoi e dëboi.

Studimet albanologjike mbetën kështu pa qendër institucionale dhe punonjësit shkencorë jo vetëm që u shpërndanë, por edhe u përndoqën nga pushteti i atëhershëm serb.

Në vitet 60, kur filloi edhe shkollimi universitar me hapjen e disa fakulteteve në Prishtinë, u ngjallën edhe studimet albanologjike. Në rrethanat e krijuara pas vitit 1966, më 28 shkurt 1967, u rithemelua Instituti Albanologjik i Prishtinës me vetëm pesë punonjës shkencorë dhe u vendos në një ndërtesë të vjetër të ish-kazermave ushtarake.

Në saje të angazhimit të veçantë të punonjësve shkencorë të brezit të themeluesve të tij, brenda dhjetëvjetëshit të parë ky institucion e krijoi fizionominë e vet të plotë dhe shënoi rezultatet e para, shumë të rëndësishme, në të gjitha fushat e studimeve albanologjike. Brenda këtij dhjetëvjetëshi u bë një punë e madhe për ngritjen e kuadrit të ri shkencor dhe u mblodh lëndë e pasur folklorike, etnologjike, gjuhësore etj.

Në të gjitha viset shqiptare, u bënë hulumtime të shumta në arkiva e biblioteka dhe u mblodh një fond relativisht i pasur i librave dhe i publikimeve të ndryshme shkencore për bibliotekën e tij. Në vitin 1977 Instituti Albanologjik u vendos në ndërtesën e re moderne të ndërtuar enkas për këtë institucion të rëndësishëm kombëtar, pasi që u shumëfishua numri i kuadrove dhe u hapën edhe degë e seksione të reja.

Instituti Albanologjik i Prishtinës nga politika sllave mori goditje të reja edhe gjatë dhjetëvjetëshit të dytë të punës së tij. Pas vitit 1981 kur kishte filluar procesi i zhbërjes së autonomisë së Kosovës nën presionin e drejtpërdrejtë të politikës, të cilën e karakterizonte lufta kundër “irredentizmit shqiptar”, puna e tërësishme e këtij institucioni e në mënyrë të veçantë planifikimi afatgjatë dhe veprimtaria botuese, iu shtrua rishikimit dhe vlerësimit politik. Goditja më e madhe u bë në fushën e bashkëpunimit brendashqiptar, sepse në këtë periudhë gati për 10 vjet me radhë u ndërpre çdo formë e bashkëpunimit me institucionet shkencore të Shqipërisë. Në këto kushte, përveç dëmtimit të përgjithshëm, mbetën të pakryera edhe disa projekte të mëdha, siç janë “Atlasi dialektologjik i të folmeve shqipe”, “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë” etj.

Në dhjetëvjetëshin e tretë, Instituti Albanologjik i Prishtinës mbeti pa asnjë lloj financimi, por vazhdoi të punonte. Punonjësit e tij, tani të bindur se rruga e fitores kalon nëpër sakrifica, u detyruan të jetonin edhe me ndihma që vinin nga asociacione të ndryshme humanitare, siç ishte, bie fjala, Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza”. Mirëpo, vullneti për punë nuk pushoi asnjëherë, hulumtimet, prezantimet e publikimet vazhduan edhe pse tani me vështirësi shumë të mëdha. Falë ndihmës së donatorëve, veprimtaria shkencore e Institutit Albanologjik nuk u ndërpre asnjëherë tërësisht.

Nuk u ndërpre madje as atëherë kur objekti i Institutit Albanologjik u mor me dhunë më 8 mars 1994 dhe kur punonjësit e tij u nxorën të përgjakur nga vendet e punës. Ata arritën të riorganizohen dhe të vazhdojnë punën në formë institucionale në një shtëpi private, në kushte mjaft të vështira të punës. Aktivitetet shkencore nuk u ndalua dhe ky institucion vazhdoi veprimtarinë e tij në këtë objekt deri më 1 prill 1998, kur autoritetet e pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë, pas një marrëveshjeje shqiptaro-serbe, të arritur me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare, e liruan objektin e Institutit Albanologjik, të uzurpuar nga organet serbe të pushtetit. Kjo ishte shpresë e madhe për popullin e Kosovës se do të ktheheshin edhe objektet e tjera të uzurpuara, por kjo shpresë qe afatshkurtër, sepse lufta, e cila veç kishte filluar në Kosovë, erdhi duke marrë përmasa të mëdha dhe çdo gjëje do t’i humbte kuptimi për një kohë.

Në periudhën e bombardimeve të NATO-s, ndërtesa e Instituti Albanologjik ka shërbyer si objekt strehimi, ku janë fshehur forcat serbe.  Gjatë kësaj periudhe ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha, sidomos me zhdukjen e materialeve me vlera të veçanta nga Arkivi shkencor i këtij instituti.

Pas një numri të madh viktimash e dëmesh të pallogaritshme që pësoi Kosova në luftën e saj çlirimtare, në qershorin e vitit 1999, Instituti Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës hulumtuese e shkencore. / KultPlus.com

Artistët e Kaçanikut kërkojnë themelimin e Teatrit të Qytetit

Ben Apolloni, Bekim Guri, Armend Ballazhi, Osman Isa, Lulzim Rexha, Lind Berisha, Dituri Neziraj dhe Qëndresa Loki, janë disa nga grupi i artistëve dhe studentëve të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina, që kanë iniciuar kërkesën në Kuvendin Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit, shkruan KultPlus.

Kjo kërkesë sipas grupit iniciues është bërë konform ligjit për Teatrot, ndërsa siç bëhet e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku ky grup ka njoftuar për këtë nismë, kërkesa nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut është drejtuar tek Kryetari i Komunës dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në këtë komunë.

Në vijim po sjellim të plotë publikimin e grupit të artistëve që kanë nisë kërkesën për themelimin e Teatrit të Qytetit:

“Teatri i Kaçanikut
Më datën 5 shkurt 2018 një grup i përbërë nga disa artistë dhe studente të artit dramatik, nga Kaçaniku dhe rrethina, i kemi drejtuar një kërkesë Kuvendit Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit. Kërkesën e kemi bërë konform Ligjit për Teatrot ku thuhet se: “Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë komunale. Komuna nuk mund të themeloj më shumë se një teatër të qytetit me status publik.” ( Cituar nga: Ligji për Teatrot, Neni 4, Themelimi i Teatrove).
Kërkesën e kemi bërë pasi mendojmë se qyteti i Kaçanikut ka potencial kadrovik që ta ketë Teatrin dhe ka nevojë më shumë se çdo qytet tjetër që ta ketë Teatrin, pasi gjatë këtyre 18 viteve, kultura në këtë qytet ka qenë e pranishme sa shiu në Saharë.
Dje, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës më ka njoftuar përmes emailit se kërkesën tonë, të grupit inicues, e ka proceduar te Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Drejtorisë për Arsim e Kulturë, sepse sipas tij Kuvendi nuk merret me kërkesa. Por unë, në emër të grupit inicues, i kam shkruar Kryesuesit dhe anëtarëve të Kuvendit dhe ua kam sqaru se kjo kërkesë është adresuar sakt sepse është bërë sipas Ligjit për Teatrot e bashkë me përgjigjen ua kam dërguar edhe Ligjin.
Tani ne po presim.
Me këtë njoftim dua t’i vë në dijeni edhe gjithë qytetarët e Kaçanikut për këtë iniciativë dhe të kërkoj që të na përkrahin që më në fund të bëjmë diçka të hajrit në qytetin tonë”, thuhet në njoftimi e publikuar nga regjisori Ben Apolloni./ KultPlus.com