Së shpejti nisë seriali “Tre vllaznit”, Istrefi: Fillimisht do të xhirojmë 12 episode dhe shpresojmë të vazhdojmë

Me personazhe të dashur dhe aktrim të nivelit të lartë, në ditët e sotme serialet “sitcom” janë bërë pjesë e pandashme e njerëzve që duan humorin dhe kanë nevojë të qeshin vazhdimisht. Një serial i tillë shumë shpejt do të jepet edhe në Kosovë, me emrin “Tre vllaznit”, shkruan KultPlus.

E njohur ndryshe edhe si “komedi situatash”, forma e artit të argëtimit “sitcom” përfshin një kast të vazhdueshëm personazhesh në një sërë episodesh.

Në një prononcim për KultPlus, regjisori Shkumbin Istrefi njoftoi se ky serial ka tematikë jetën dhe përditshmërinë e tre vëllezërve që jetojnë në një shtëpi.

“Seriali si tematike bosht ka jetën dhe përditshmërinë tre vëllezërve që jetojnë në një shtëpi. Konfliktin e mentaliteteve të tyre”.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë serial janë Ilir Tafa, Valmir Krasniqi dhe Lum Veseli, e gjithashtu, pritet që në aktrim të rikthehet edhe ikona e muzikës, Sabri Fejzullahu.

Edhe Teuta Krasniqi, Fatos Kryeziu, Shengyl Ismaili, Veton Osmani, Arbnesha Gravoci Nixha e disa të tjerë pritet të jenë pjesë e këtij seriali.

“Fillimisht do t’i xhirojmë 12 episode, e po shpresojmë të vazhdojmë”, u shpreh Istrefi, duke treguar se gjithashtu janë edhe 300 episode të shkruara.

Producent i këtij seriali do të jetë Zijad Mehic, i cili është i njohur për krijimtarinë e tij me filmat Fuse (2003), All for Free (2006) dhe Borderline Lovers (2005).

Regjisori bën me dije se ky serial planifikohet të shfaqet në televizionin ATV, por sigurisht do të ketë qasje edhe përmes rrjeteve sociale.

Ndërkaq, sitcomet nëpër botë karakterizohen nga përleshje verbale dhe konfilikte të zgjidhura me shpejtësi. /KultPlus.com