Shengyl Ismaili: Aktrimin e kam jetë, muzikën e kam frymë

Xhemile Hysenaj

Arti gjithmonë ka gjetur rrugën e tij, që përmes figurave të shumta, të pasqyroj realitetin, revoltën e të përçoj emcione tek një numër i madh i njerëzve. E kështu ka ndodhur edhe me Shengyl Ismailin, një artiste përmes së cilës arti frymon e jetësohet përmes secilës performancë të saj. Ajo, një artiste mëse e kompletuar, ka rrëfyer për KultPlus rreth jetës së saj si nënë, si grua e si aktore që zhvillon jetën e karrierën në një vend të vogël si Kosova.

‘Artin e kam dashur gjithmonë, muzikën, filmin e teatrin. Kur e kam vizitu teatrin dhe kam ndjerë lakmi tek i shihja aktorët gjatë performancës së tyre, mu aty e kam kuptuar se kjo është ajo që unë dua të bëjë. Ka qenë shumë e vështirë me arrit sukses, sidomos kur të gjitha i mbërrin vetë. Te unë nuk ekziston termi ”me t’njofshëm’, pa modesti më duhet të them që gjithçka e kam mbërri vetë, kam punuar shumë’, fillon rrëfimin e saj Shengyli.

Shengyli është mjaft aktive në skenën artistike, ajo xhiron filma, është pjesë e ansamblit të teatrit, ka një rol në një serial komik vendor si dhe menagjon një biznes. Ajo, një grua që vazhdimisht të përthekon me një energji pozitive ka treguar për KultPlus se është një person që i pëlqejnë shumë sfidat, pasiqë si një person që posedon një karakter luftarak nuk i preferon punët e lehta.

Edhe pse tashmë me një famë e sukses të merituar, Shengyli pohon se akoma vazhdon të marrë pjesë në audicione të ndryshme. Ajo, karrierën e saj teatrale e ka filluar në skenën e Teatrit Dodona, për të cilin flet me shumë nostalgji.

‘Dodona ka vdekë, nuk është më Dodona që ka qenë prej kur nuk është Faruk Begolli, asgjë nuk funksionon’

Ajo poashtu tregon se me artistin e madh, Faruk Begolli, ka luajtur në dy shfaqje. ‘Nuk mundet me qenë edhe një Faruk, ka qenë një dhe mbetet vetëm një. Ai ka qenë shumë i hapur, shumë i afërt e në të njejtën kohë edhe shumë i rreptë. Këto kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe arsyet pse unë atë e adhuroj, te ai puna ka qenë punë, hajgarja ka qenë hajgare. Ka pasur hierarki, që sot, ky raport mes profesorave e nxënësve nuk ekziston, jo tek të gjithë sigurisht’, vazhdon tutje rrëfimin e saj Shengyli.

Të qenit një artiste kurrë nuk është e lehtë, është dashuria dhe vullneti i madh për artin që artistin e shtyjnë drejt realizmit të artit të tyre. Edhe pse Shengyli e konsideron si një profesion shumë të vështirë, ajo me këmbënguljen më të madhe tregon se nuk do të heq dorë kurrë nga aktrimi, për asnjë arsye në botë.

Për KultPlus ka treguar njërën ndër sfidat më të mëdha për të në skenën e teatrit. Bëhet fjalë për rolin e një plake të verbër dhe të palëvishme në shfaqjen ‘Fundloja e Beketit’.

‘Në vepër shkruante që aktroja mban syza, unë nuk kam dashtë syze, kam zgjedhë me i mbajtë sytë hapun 1 orë e 20 minuta. Kam punuar shumë për këtë rol, jo vetëm në prova por edhe në shtëpi. Ka qenë një moment, ndoshta 20 minutëshi i parë i shfaqjes, aty e kam kuptuar se çka do të thotë të jesh e palëvizshme, dicka që nuk do t’ia uroja as armikut. Kam ndje drithërima në trup dhe nuk kam mujtë me lëvizë as me folë, kjo gjendje ka zgjatur dikund rreth 2 minuta dhe sigurisht se publiku nuk e ka hetu, në anën tjetër regjisor bënte me duar e kolegu që më fliste tek veshi duke menduar se e kam harruar tekstin. Ato kanë qenë dy minutat më të gjata për krejt këto vjet… Nuk e harroj kurrë, krejt publiku është çu në kambë sepse ka qenë një moment kur unë rrëzohem nga karroca’, tregon tutje me nostalgji Shengyli.

Ndër rolet e Shengylit që bëri bujë më së shumti ishte ai në filmin ‘Shpia e Agës’, një film që mori pjesë në më shumë se 35 festivale ndërkombëtare ku ishte edhe fitues i shumë çmimeve. Te ‘Shpia e Agës’, Shengyli është në rolin e një gruaje që ka qenë viktimë e përdhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku si rezultat i kësaj ka edhe një fëmijë. Ajo tregon se këtë rol e ka bartur me një përgjegjësi shumë të madhe.

‘Ka qenë një fije floku që e ka ndarë roln tim nga një ofendim potencial ndaj viktimave të dhunës seksuale, kam pasur shumë frikë pasi e kam ditë se ato zonja kanë me qenë prezente në premierën e filmit, ka qenë një rol tejet sfidues’, tregon Shengyli për KultPlus.

Poashtu, përsa i përket roleve që mund të ngjallin debate tek publiku, vlen të përmendet edhe shfaqja ‘Bordel Balkan’ e regjisorit Urban Andras dhe nën skenarin e Jeton Nezirajt, ku ndër aktorët që luajtën në këtë shfaqje bënte pjesë edhe Shengyli. ‘Bordel Balkan’ konsiderohet një shfaqje që nxiti shumë debat duke u konsideruar një shfaqje provokuese. Mirëpo, Shengyli nuk e konsideron të tillë, ajo e quan një shfaqje që flet të vërtetën. Sipas saj, kjo shfaqje ka trajtuar tema që shumë shpesh nuk na pëlqen të i dëgjojmë pasi shumë shpesh nuk kemi dëshirë të ballafaqohemi me të vërtetën. Ajo, poashtu, për KultPlus ka treguar se kjo shfaqje ka qenë edhe prej shfaqjeve më të rrezikshme në të cilën ka luajtur. ‘Kemi qenë vazhdimisht të kërcënuar dhe saherë është shfaqur gjithmonë në publik ka pasur policë civil të cilët paraprakisht çdoherë e kontrollonin sallën. Pastaj, shfaqja ka qenë e përfolur edhe për vulgaritet, por unë jam një aktorë që edhe kur ndodhë të refuzojë ndonjë rol, nuk ka të bëjë me zhveshjen por komplet për arsye të tjera, cilatdo qofshin ato’, potencon Shengyli.

Gjatë periudhës dy mujore që Kosova qëndroi në karantinë, Shengyli dhe djali i saj Lumi, një dyshe fantastike që na argëtuan mjaft shumë me video-këngët e tyre, ku ndër të tjera, talenti i Shengylit për muzikë doli edhe më shumë në pah. Shengyli e cila flet me shumë krenari për sukseset e Lumit, tregon se ai është shumë modest edhe pse ka qenë pjesë e filmit të nominuar për Oscar në moshë shumë të re, një gjë kjo që Shengyli e konsideron ta ketë përjetuar me një emocion të papërshkrueshëm. ‘Kam qajtë e kam qeshë në të njëjtën kohë’, tregon ajo me një emocion të pashoq.

Ndër të tjera, Shengyli ka treguar se e ka në plan që edhe të inçizoj ndonjë këngë, ndonjëherë. Jo për të filluar karrierë në muzikë por vetëm për faktin se edhe muzikën e konsideron pjesë të pandashme të saj. Apo siç thotë ajo: Aktrimin e kam jetë, muzikën e kam frymë.

https://www.facebook.com/shengyl.ismaili/videos/694148371349848/

‘Thuhet se aktorët e kanë jetën më të shkurtë, pasi përgjegjësia është shumë e madhe. Unë një shfaqje e luaj ndoshta 30-të apo 40-të herë dhe saherë që luhet kjo shfaqje për shumicën e publikut është premierë, aty secili paguan për të parë shfaqjen dhe publikut nuk i intereson njëse një ditë ti nuk je mirë emocionalisht apo nuk ndihesh e gatshme për të luajtur. Kam pasur raste kur kam qenë në gjendje të tmerrshme, por ia kam dalë’

Shumë shpesh në Kosovë dhe jo vetëm, profesionit i aktrimit keqkuptohet nga një pjesë e shoqërisë, e në vendet me zhvillim të ulët kulturor kjo fatkeqësisht ndodhë në një masë shumë të theksuar, e sidomos kur pas këtij profesioni është një grua. 

‘Trupa teatrale apo komuniteti artistik mund të them që është pjesa më e moralshme e shoqërisë, ne aty jemi si një familje. Kjo është shumë e vështirë të kuptohet nga shumica e njerëzve, pasi ne artistët si natyrë jemi më të hapur. Roli i artistit do të thotë shumë, sidomos në Kosovë. është shumë vështirë me qenë artistë, por artisti është ai që po i hap dyrtë në botë sepse vetëm kështu bota po na njeh dhe po e din se në Kosovën e vogël ka shumë më shumë’, deklaron Shengyli për KultPlus.

Pjesën më të mirë të aktrimit, Shengyli e konsideron të jetë fakti se mund të vësh vetveten në lëkurën e secilit, sipas saj, brenda një viti mund të jesh një lypsare, apo një e dashuruar, një grua e keqe apo e mirë. Ajo flet për aktrimin me një pasion të madh, me një krenari që i ngjall një shkëlqim të madh në sytë e saj. Për të gjithë artistët e ri ajo potencon se për të arritur sukses duhet që së pari ta duan shumë atë çfarë e bëjnë dhe t’i përkushtohen jashtëzakonisht shumë.

Fotoja e ballinës nga Shenoll Zehri. / KultPlus.com