Së shpejti nisë seriali “Tre vllaznit”, Istrefi: Fillimisht do të xhirojmë 12 episode dhe shpresojmë të vazhdojmë

Me personazhe të dashur dhe aktrim të nivelit të lartë, në ditët e sotme serialet “sitcom” janë bërë pjesë e pandashme e njerëzve që duan humorin dhe kanë nevojë të qeshin vazhdimisht. Një serial i tillë shumë shpejt do të jepet edhe në Kosovë, me emrin “Tre vllaznit”, shkruan KultPlus.

E njohur ndryshe edhe si “komedi situatash”, forma e artit të argëtimit “sitcom” përfshin një kast të vazhdueshëm personazhesh në një sërë episodesh.

Në një prononcim për KultPlus, regjisori Shkumbin Istrefi njoftoi se ky serial ka tematikë jetën dhe përditshmërinë e tre vëllezërve që jetojnë në një shtëpi.

“Seriali si tematike bosht ka jetën dhe përditshmërinë tre vëllezërve që jetojnë në një shtëpi. Konfliktin e mentaliteteve të tyre”.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë serial janë Ilir Tafa, Valmir Krasniqi dhe Lum Veseli, e gjithashtu, pritet që në aktrim të rikthehet edhe ikona e muzikës, Sabri Fejzullahu.

Edhe Teuta Krasniqi, Fatos Kryeziu, Shengyl Ismaili, Veton Osmani, Arbnesha Gravoci Nixha e disa të tjerë pritet të jenë pjesë e këtij seriali.

“Fillimisht do t’i xhirojmë 12 episode, e po shpresojmë të vazhdojmë”, u shpreh Istrefi, duke treguar se gjithashtu janë edhe 300 episode të shkruara.

Producent i këtij seriali do të jetë Zijad Mehic, i cili është i njohur për krijimtarinë e tij me filmat Fuse (2003), All for Free (2006) dhe Borderline Lovers (2005).

Regjisori bën me dije se ky serial planifikohet të shfaqet në televizionin ATV, por sigurisht do të ketë qasje edhe përmes rrjeteve sociale.

Ndërkaq, sitcomet nëpër botë karakterizohen nga përleshje verbale dhe konfilikte të zgjidhura me shpejtësi. /KultPlus.com

Aktori Ilir Tafa nis xhirimet për filmin e ri

Aktori Ilir Tafa nis xhirimet për filmin e ri

Aktori kosovar Ilir Tafa do të jetë pjesë e kastit të aktorëve në projektin më të ri filmik “Lulet e kadifenjta” (Kadifice), në një rol të ri, në të cilin është angazhuar nga regjisori Miroslav Ciro Mandiq, i cili jeton dhe vepron në Slloveni.

Filmi që do të jetë prodhim i Shtëpisë Filmike “Relative Pictures”, bazohet në tregimin e autorit boshnjak Xhevad Karahasan, “Në vend të saj, lulet e kadifenjta”. Kështu kanë raportuar mediat boshnjake, sipas së cilave xhirimet e filmit do të nisin në pranverë.

Regjisori Mandiq, njihet për serinë e tij “Surrealistët” (Toplista Nadrealista), ndërsa është fitues i çmimit Grand Prix në Festivalin e Filmit Evropian në Strasburg, për filmin e tij “Jeta e Punëtorëve”.

Ilir Tafa i cili së fundmi përmes një roli brilant në shfaqjen “Bretkosa” iu rikthye skenës teatrore në Kosovë, ka realizuar një varg rolesh të suksesshëm në teatër dhe kinematografi në Bosnjë, Kroaci e Mal të Zi, ndërsa vazhdon të mbetet në listën e aktorëve më të kërkuar në këto vende./KultPlus.com

Në Sarajevë prezantohet seriali më i ri rajonal “Në konak te Hilmija”, luan aktori kosovar Ilir Tafa

Në Kinemanë e Sarajevës “Meeting Point” dje u mbajt një konferencë për shtyp për serialin më të ri rajonal “Konak kod Hilmije” (Në konak te Hilmija), ku luan aktori kosovar Ilir Tafa.

Ky serial komedi, me skenar të Feda Isoviç dhe regji të Elmir Jukiç, që është koproduksion i Davor Purishiç dhe Nebojsha Garica, na kthen prapa në kohën e okupimit të Sarajevës gjatë luftës së Dytë Botërore, transmeton Gazeta KNN.

E gjithë ngjarja zhvillohet në shtëpinë e “Hilmija”, në të cilën vijnë për vizitë të gjithë, duke nisur nga komunistët ilegalë, ustashat, çetnikët, ushtarët te divizionit Handzhar e deri tek ushtarët gjermanë dhe komandanti i qytetit Shtumbafirera Shillinga, ku njëri-tjetrit i bëjnë komplote para ‘hundëve’ dhe ku tensionet etnike bëhen më pak të rëndësishme se sa interesi material/personal.

Në këtë konferencë për shtyp morën pjesë edhe aktorët e këtij seriali: Emir Hadzhihafizbegoviç, Marko Cindriç, Ilir Tafa, Almir Kurt, Emir Z. Kapetanoviç, Adnan Omerović, Miki Trifunov dhe Dino Sarija.

“Në konak te Hilmija” gjithçka është e mundur. Historia është thjesht një rrëfim, jo një detyrim i rreptë faktik. Shikuesve të këtij seriali i’u ofrohet një lojë e shkëlqyer e aktorëve në këtë komedi.

“Loja është mjaft dinamike, aktrimi i shkëlqyeshëm. Sipas tematikës dhe personazheve, “Në konak te Hilmija” shfaqet situate e pazakontë komike, në të cilën kemi mbledhur një ekipë të mrekullueshëm të aktorëve. Presim me padurim reagimin e publikut, sepse në të flasim për historinë e vitit 1941, ndërsa po e luajmë në kohën e tashme”, tha regjisori i serialit Elmir Jukić.

Seriali “Konak kod Hilmije” (Në konak te Hilmija) do te fillojë transmetimin në Bosnjë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi me 7 maj ne kanalin “Top”. /KultPlus.com

Ilir Tafa për mediet serbe: Adem Jasharin mund ta luaj vetëm një aktor që ka së paku një Oscar

Zhurma e madhe mediatike, qoftë në Kosovë apo Serbi, mbi filmin që do të realizohet për komandantin legjendar Adem Jashar, me regji të Luan Kryeziut, po vazhdon edhe më tutje, shkruan KultPlus.

Mediet serbe, përkatësisht Show Buzz ka biseduar me aktorin e njohur Ilir Tafa, në lidhje me këtë cështje.

“Bota, përkatësisht ajo e kohës së re nuk njeh një hero më të madh se sa Adem Jashari. Lufta e tij, sakrifica e tij dhe e familjes së tij për liri, është një sakrificë që nuk e njeh historia e njerëzimit”, ka thënë Tafa.

“Ai është ikonë e lirisë së Kosovës, dhe liria është një vlerë universale, kështu që Adem Jashari është një hero i njerëzimit”, ka thënë Tafa.

Ai më pas ka dhënë edhe vlerësimin e tij se nëse Rade Serbedzija është aktori i duhur për këtë rol, duke pas fokusin e shumë deklaratave mediatike mbi këtë rol, Tafa ka dhënjë një mendim ndryshe.
“Rade Serbedzija është një aktor i shkëlqyeshëm, më i miri i ish Jugosllavisë, por jo aq sa të luaj rolin e Adem Jasharit. Për mendimin tim, për të luajtur këtë rol, ai aktor duhet të ketë së paku një Oscar”, ka përfunduar ai./KultPlus.com

Ilir Tafa me rol kryesor në serialin ballkanik “Konak kod Hilmije”, luan edhe Lepa Brena

Të hënën, më 26 shkurt 2018, në Sarajevë do të bie kllapa e parë e xhirimeve të serialit më të ri “Konak kod Hilmije”, në të cilin në rolin kryesor do të paraqitet aktori i madh kosovar, Ilir Tafa.

Siç merret vesh xhirimet do të zgjasin disa vjet dhe do të realizohen në Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, ndërsa e tërë ngjarja do të jetë e zhvendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Në rolet kryesore, krahas Ilir Tafës, do të paraqiten edhe aktorët: Emir Hadzihafizbegovic nga Sarajeva e Tarik Filipovic nga Zagrebi. Projekti do të mbledhë rreth vetes edhe aktorë nga të gjitha regjionet e ish Jugosllavisë, ndërsa flitet se pjesë e serialit do të jetë edhe super ylli jugosllav Lepa Brena.
Fjala është për një projekt humoristik, ndërsa do të jetë një nga realizimet më të veçanta të produksionit të mirënjohur FIST, me skenar të Fedja Isovic dhe nën regjinë e Elmir Jukic.

Aktori Ilir Tafa është shprehur i entuziazumuar për rolin e ri, ndërsa ka thënë se ky do të jetë një rol sfidues duke pasur parasysh ekipin e angazhuar, por edhe investimin e bërë në këtë projekt të madh duke u nisur nga kostumografia, skenografia dhe gjithçka tjetër që përcjell realizimin e tij./KultPlus.com

Ilir Tafa dhe Niada Saliasi me “Sonte jam vetëm” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Sarajevë

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Ditët e Jurislav Koreniqit” që po mbahet nga 16-23 dhjetor 2017 në Sarajevë, sonte në programin garues të festivalit do të jepet shfaqja “Sonte jam vetëm” me regji të Enver Petrovcit e me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi.

Shfaqja “Sonte jam vetëm” përfaqëson teatrin kosovar, ndërsa konsiderohet ndër shfaqjet favorite të programit garues në mesin e produksioneve teatrale nga Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e pjesëmarrës të vendeve të tjera.

Ekipi i shfaqjes “Sonte jam vetëm” tashmë kanë arritur në Sarajevë, ndërsa shfaqja do të jepet nga ora 20.00. Juria profesionale e festivalit përbëhet nga emra të mëdhenj të teatrit e filmit, si: Nebojša Glogovac, Dragan Komadina, Moamer Kasumović, Elma Berberović e Larisa Sarajlić-Ramović.
Festivali do të mbyllet të shtunën më 23 dhjetor, kur edhe do të ndahen çmimet për fituesit./ KultPlus.com

Ilir Tafa edhe me filmin “Zhaba” në Festivalin e Filmit në Zagreb (VIDEO)

Aktori kosovar Ilir Tafa, i cili do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb me filmin e metrazhit të shkurtë “Nevidljivi”, nuk do të përfundojë prezantimin vetëm me këtë film në këtë festival, shkruan KultPlus.

Tafa i cili luan një rol mjaftë të rëndësishëm edhe në filmin “Zhaba”, film ky i metrazhit të gjatë, poashtu do të prezantohet në këtë festival.

KultPlus merr vesh se ky film do të prezantohet më 18 nëntor për audiencën kroate, film i cili është punuar me regji të Elmir Jukic, kurse është prodhim i shteteve: Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Slloveni, Kroaci e Serbi.

Filmi “Zhaba”, për shumë vite është prezantuar për publikun si shfaqje, ku sipas medieve, shumë shpesh kur është dhënë kjo shfaqje përgjatë nëntë viteve nëpër teatro të ndryshme të ish Jugosllavisë, për shkak të emocioneve që kanë marë nga kjo shfaqje, një pjesë e publikut shumë shpesh ka harruar palltot, çantat dhe gjësende të tjera personale./KultPlus.com

Filmi “Nevidljivi” ku luan Ilir Tafa do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb

Me regji të Amre Mehic, filmi i metrazhit të shkurtë “Nevidljivi”, do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb, shkruan KultPlus.

Në këtë film me rolet kryesore luajnë aktorët Ilir Tafa e Vanesa Gloordo, kurse filmi bën fjalë për stigmatizimin e refugjatëve në Evropën e ditëve të sotme. Ky film është në garë me shumë filma të tjerë në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë./KultPlus.com

Aktori kosovar takohet me Lepa Brenën në Festivalin e Sarajevës (FOTO)

Aktori kosovar Ilir Tafa ka postuar një fotografi me këngëtaren e njohur Lepa Brena, një këngëtare e njohur dikur në ish Jugosllavi dhe një emër i njohur që ka tundur skenat e viteve 90-të.

Tafa po qëndron në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë ndërsa atje po qëndron edhe këngëtarja e njohur, sot 56 vjeçare, një seks simbol dhe një këngëtare që ka shitur rreth 40 milionë kopje të albumeve.

Aktori kosovar ka dy filma me të cilët po merr pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ndërsa në këtë festival po qëndrojnë edhe emra të mëdhenj të kinematografisë botërore por edhe fytyra të artit e kulturës nga mbarë bota. / KultPlus.com

Ilir Tafa në tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, me premierën e filmit “Zhaba”

Me regji të Elmir Jukic, mbrëmë në Festivalin e Filmit në Sarajevë është dhënë premiera e filmit “Zhaba”, film në të cilin luan edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, shkruan KultPlus.

Ekipi i filmit ka parakaluar në tepihun e kuq të këtij festivali, ku më pas edhe audienca ka pasë rast të shoh këtë film artistik, i cili bazën e ka në një shfaqje teatrale, ku sipas medieve, shumë shpesh kur është dhënë kjo shfaqje përgjatë nëntë viteve nëpër teatro të ndryshme të ish Jugosllavisë, për shkak të emocioneve që kanë marë nga kjo shfaqje, një pjesë e publikut shumë shpesh ka harruar palltot, çantat dhe gjësende të tjera personale.

Dhe pikërisht në këtë shfaqje ka luajtur aktori shqiptar Ilir Tafa, tashmë i realizuar në film, që është në konkurrencë zyrtare të këtij edicioni./KultPlus.com

Sonte hapet Festivali i Filmit në Sarajevë, prezantohen edhe Ilir Tafa e Gentian Koçi

Tre mijë ulëse janë përgatitë për hapjen solemne të Festivalit të Filmit në Sarajevë, festival që do të hapet për pak minuta, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, një ndër më të rëndësishmit në rajon do të merr pjesë edhe regjisori amerikan Joshua Oppenheimer, kurse në këtë edicion me punët e tyre artistike do të zënë vend edhe artistë shqiptarë, aktori kosovar Ilir Tafa dhe regjisori nga Shqipëria Gentian Koçi.

Tafa do të jetë këtë vit i pranishëm në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë me lojën e tij në dy projekte. Krahas Vanesa Glodos, Tafa vjen në filmin “Invisible” me regji nga Amra Mehiq, koproduksion mes Bosnjës dhe Hungarisë. Filmi fokusohet në lojën e aktorit Tafa, i cili i dëshpëruar me jetën ndërmerr diçka që ndryshon rrjedhën e gjërave.Në anën tjetër, vetë aktori ka treguar se projekti i dytë ku ai luan e i cili do të shfaqet në Sarajevë është “Zhaba” nga regjisori Elmir Jukic, shkruan KultPlus.

Kurse Gentian Koçi është në konkurrencë zyrtare me filmin e tij “Dita zë fill”, ku ky film do të ketë edhe premierën në këtë festival tashmë tejet të njohur. /KultPlus.com

Aktori Ilir Tafa, këtë vit në dy filma në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Aktori shqiptar Ilir Tafa po vazhdon me sukseset e tij në kinematografi.

Prej kohësh jashtë Kosovës, Tafa do të jetë këtë vit i pranishëm në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë me lojën e tij aktoriale në dy projekte.
Krahas Vanesa Glodos, Tafa vjen në filmin “Invisible” me regji nga Amra Mehiq, koproduksion mes Bosnjës dhe Hungarisë.

Filmi fokusohet në lojën e aktorit Tafa, i cili i dëshpëruar me jetën ndërmerr diçka që ndryshon rrjedhën e gjërave.

Në anën tjetër, vetë aktori ka treguar se projekti i dytë ku ai luan e i cili do të shfaqet në Sarajevë është “Zhaba” nga regjisori Elmir Jukic, shkruan KultPlus.

“Filmi ‘Invisible’ i regjisores Amra Mehic do të shfaqet me datën 12.08.2017, dhe ”Zhaba”i regjisorit Elmir Jukic me datën 14.08.2017” ka treguar vetë aktori në rrjetin social Facebook.
Festivali i Filmit në Sarajevë këtë vit hapet me 11 gusht, nesër mbrëma, e zgjatë deri me 18 gusht.
Tafa është aktor tanimë i dëshmuar sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Çmimi i “Aktorit më të mirë”, iu nda nga Festivali i Filmit në Gjilan, para disa vitesh. / KultPlus.com