DPA dhe ASHAK organizuan sesionin shkencor nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.

Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.

Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë solemne në nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 12:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin pjesë në një seancë solemne të përvjetshme tanimë.

Presidentja Vjosa Osmani përmes zyrës për media ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa një gjë të tillë do ta bëjë edhe Albin Kurti.

Në anën tjetër, deputetët serbë të Kuvendit zakonisht kanë braktisur dhe nuk kanë qenë prezent në këto seanca.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, sulmi nga agresori serb mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. /KultPlus.com

24 vjet nga sulmi në familjen Jashari, sot nis Epopeja e UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Ndërsa më 7 mars bëhen 24 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballaknit, Sllobodan Millosheviq.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /KultPlus.com

24 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Kosovë që filloi në 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, deri në 11 qershor 1999.

Lufta u zhvillua mes forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndihmë ajrore nga NATO (nga 24 marsi 1999) dhe mbështetje tokësore nga Ushtria shqiptare.

Në këtë luftë u debuan 800,000 shqiptarë nga territoret e tyre, u vranë 15,000 persona, nga të cilët rreth 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët qytetarë të thjeshtë.

Të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) përfshijnë një numër prej rreth 6000 personave, nga të cilët 1653 persona ende nuk janë gjetur.

Lufta në Kosovë shkaktoi edhe shumë dëme të tjera të rënda në popullatën shqiptare: dëbime masive, shkatërrime vendbanimesh, vrasje të shumta, burgosje, dhunime, tortura etj. /KultPlus.com

24 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. /KultPlus.com

Ministri Mehaj kujton familjen Jashari në Ditën e Veteranit në Kosovë

Më datë 30 dhjetor në vitin 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, shkruan KultPlus.com

Ministri i Mbrojtjës, Armend Mehaj, ka kujtuar familjen Jashari në ditën e veteranit, e cila shënohet më 30 dhjetor në Kosovë.

“Sot 30 vjet më parë, Familja Legjendare Jashari, i dëshmuan me zjarr forcave kriminale serbe se ky vend ka Zot. Urime Dita e Veteranit të Luftës së UÇK-së! Sakrifica dhe Lavdia juaj – Shërbimi dhe Detyra jonë!”, shkroi Mehaj në “Facebook”.

Dita e Veteranit në Kosovë shënohet më 30 dhjetor për të përkujtuar dëshmorët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /KultPlus.com

Publikohet një fotografi e rrallë e Zahir Pajazitit në vitin 1980

Vëllai i Heroit Zahir Pajaziti, Agimi ka publikuar një fotografi të njërit ndër themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fotografinë e realizuar në vitin 1980, Heroi Zahir Pajaziti, shihet në shoqëri të një miku të tij të atëhershëm.

Zahir Pajaziti, kishte rënë heroikisht në janar të vitit 1997.

Ai ishte njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandant i saj në Rajonin e Llapit. / KultPlus.com