Alarmi nga OBSH: Varianti indian i Covid është shqetësim global

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka klasifikuar variantin e koronavirusit që është zbuluar për herë të parë në Indi si një variant që është shqetësim në të gjithë botën.

Në një deklaratë, OBSH ka thënë se nga studimet paraprake, mutacioni i njohur me emrin shkencor B.1.617 përhapet më lehtë sesa variantet e tjera dhe kërkon studim të mëtejshëm.

Sipas kësaj organizate varianti tashmë është përhapur në më shumë se 30 vende, por rreziku që të shpërndahet dhe në vendet e tjera është shumë i madh.

Shumë shkencëtar po e studiojnë këtë variant për të vërtetuar nëse është shkaku kryesor për rritjen e rasteve të vdekjeve në Indi, duke shkaktuar dhe miliona infektime që kanë sjell një kaos në spitalet e vendin për shkak të mungesës së oksigjenit.  

Deri tani nga studimet paraprake, varianti indian është një shqetësim global, pasi përmbush disa kritere duke përfshirë transmetimin e lehtë, simptoma më të rënda dhe nuk mund të shërohet nga antitrupat dhe vaksinat.

Më herët dhe tri variante të tjera nga Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe Brazili sipas OBSH janë variante që kanë shkaktuar një shqetësim në të gjithë botën. / KultPlus.com

Rama fton mjekët nga Kosova t’i marrin dozat e vaksinave në Kukës

Në Shqipëri, këtë të diel në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga Astrazeneca.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në muajin prill, pritet të vijnë 60 mijë doza të tjera vaksinash, po nga Astrazeneca.

Ai ka theksuar se disa nga shkollat do të kthehen në pika të qendrave të vaksinimit në të gjithë vendin. Ndërsa nga Pfizer, pritet të vijnë edhe 30 mijë doza të tjera.

Ai gjithashtu bëri të ditur se nga nesër do të lidhen kontaktet me autoritete në Kosovë që mjekët të shkojnë të vaksinohen në Kukës.

“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill.

“Ndërkohë që, jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh Rama. /tch/ KultPlus.com

Shteti që nuk publikon rastet me COVID-19, OBSH i bën thirrje për raportim

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Tanzanisë që të nisë të raportojë rastet me koronavirus dhe të ndajë të dhënat, njofton BBC.

Tanzania është një nga vendet e pakta në botë që nuk publikon të dhëna për rastet me COVID-19. Së fundi i ka publikuar në maj, kur kishte regjistruar në total rreth 500 raste e 20 të vdekur.

Në qershor, presidenti John Magufuli, e shpalli Tanzanisë të “çliruar nga virusi”.

Mirëpo, po rritet shqetësimi për mundësinë e pandemisë së fshehur.

Thirrja e OBSH-së ka ardhur pas një numri të vdekjeve të zyrtarëve qeveritarë.

Zëvendës-presidnti i ishullit gjysmë-autonom të Tanzanisë, Zanzibar, Seif Sharif Hamad, vdiq të mërkurën.

Partia e tij tha se ai ishte infektuar me koronavirus.

Ai ishte politikani më i shquar në Tanzani që publikisht deklaroi se është i infektuar me koronavirus.

Edhe kreu i shërbimit civil, John Kijazi, vdiq të mërkurën, por nuk u treguan shkaqet e vdekjes.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ngushëlluar Tanzaninë për vdekjet e qeveritarëve, por në të njëjtën kohë e ka lutur që të ndajë të dhënat e rasteve me COVID-19.

Derisa është e vështirë të dihet përmasa e përhapjes së koronavirusit në Tanzani pa të dhënat, Ghebreyesus, ka thënë se qytetarët e Tanzanisë që po udhëtojnë jashtë shtetit po rezultojnë pozitiv me koronavirus.

“Tanzania duhet të marrë masa të forta si për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të saj e po ashtu edhe për të mbrojtur popullatën në shtet tjera rreth”, ka thënë ai.

Presidenti i Tanzanisë, Magufuli, më herët ka minimizuar rreziqet nga pandemia dhe ka refuzuar të marrë masa. Ministri i Shëndetësisë më herët këtë muaj ka thënë se Tanzania nuk ka plane për vaksinim kundër koronavirusit.

Mirëpo, të premten, duke mbajtur fjalim në varrimin e Kijazit, Magafuli është dukur se ka pranuar se virusi po qarkullon në Tanzani.

Ai ka thënë se Tanzania e mposhti COVID-19 vitin e kaluar dhe se do ta mposhtë sërish.

Më pas të dielën, ai ka inkurajuar njerëzit të mbajnë maska për të evituar infektimin.

Mirëpo, ai ka bërë thirrje të përdoren masat e prodhuesve vendor, ndërsa pa dëshmi ka thënë se disa nga maskat e importuara nuk janë të sigurta. /express/ KultPlus.com

Sipas mjekut shqiptar në SHBA, mbajtja e maskës për 6 javë mund të zhdukë virusin

Mjeku shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Skënder Murtezani në një lidhje direkte për një nga mediet tha se, maska është mjeti i vetëm mbrojtës, në një kohë kur ende nuk ka një vaksinë për të luftuar virusin.

Duke sjellë në vëmendje shembullin e Zelandës së Re, profesori i mjekësisë klinike në Cornell bëri apel që “të bëhemi bashkë për 6 javë që të mos lejojmë virusin të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit”.

“Që nga fillimi i intervistave të mia, disa e kanë quajtur dhe ekstreme mendimin tim që të përdoren maskat në mënyrë rigoroze. Maskat ishin shpëtimi i vetëm deri sa të vijë vaksina. Po ashtu duke pasur parasysh se asnjë vaksinë nuk është 100 për qind e kurueshme, maska është e vetmja gjë që pengon përhapjen e virusit. Kjo sëmundje përhapet nëpërmjet pështymës, të folurit, kollitjes apo teshtitjes dhe kujdesi i vetëm është maska.

“Maska është shpëtimi i vetëm në këtë moment. Propozova një gjë shumë të thjeshtë. Po të bëhemi bashkë për 6 javë nuk do t’i lejojmë virusit të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit por duhet të jemi të një zëri nuk ka vend për politikën, të spekulohet dhe të kapen teorira të ndryshme. Iu them të gjithëve dhe qeverisë të mundohemi dhe të bëhemi bashkë të përdorim maskat për 6 javë. Unë premtoj se do të zhduket”, tha Murtezani.

“Shembulli konkret është Zelanda e Re. Prej 1 majit me masa rigoroze me karantinën në fillim, pastaj maska e domosdoshme dhe distanca u zhduk në Zelandën e Re. Ishte shtet shembull, pse ne të mos jemi. Pse akoma spekulojmë, marrim shembuj nga studime të kota. Të përdorim një maskë, ta përdorim në mënyrë disiplinore, mos ta prekim fytyrën, maskën. Të bëhemi bashkë se për 6 javë, më tepër ndoshta dhe më pak mund ta fitojmë këtë luftë në vendin tonë. Ja ku është Zelanda e re, Kina ku për një muaj e gjysmë e fitoi luftën me koronën”, u shpreh Murtezani/ATSH / KultPlus.com

Papa Françesku: Të infektohemi nga dashuria, jo nga virusi

Papa Françesku nënshkruan me këto fjalë parathënien e librit “Bashkim e shpresë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit – Dikasteri për Komunikimin.

Vëllimin e përgatitën kardinali Walter Kasper, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe atë George Augustin, meshtar gjerman, i cili ka themeluar dhe drejton Institutin, që mban emrin e kardinalit, bashkëkombas i tij. Libri përmban tregime mbi “dëshminë e fesë në kohën e koronavirusit”, siç thotë edhe nëntitulli.

Pandemia si “kohë prove dhe vendimesh”

Në fjalët, që shkruan Papa në parathënie, ndihet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit. Siç pati thënë në lutjen e paharrueshme të 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, kur në Itali përhapej me shpejtësi pandemia, koronavirusi, si të ishte stuhi e fuqishme, na befasoi të gjithëve, duke na e ndryshuar jetën familjare, punën dhe të gjitha veprimtaritë publike e duke lënë pas vetes vdekje, probleme ekonomike dhe largësinë nga Eukaristia e nga sakramentet. Kjo gjendje dramatike, që nxjerr në pah “brishtësinë” e njeriut, “paqëndrueshmërinë e tij dhe nevojën për shëlbim”; që vë në diskutim siguritë – bazë të jetës sonë, shtron “pyetje themelore për lumturinë dhe për thesarin e fesë së krishterë”, nënvizon Papa.

Ku “mbahen rrënjët më të thella, që na mbështesin të gjithëve në stuhi”? Çfarë është vërtet e rëndësishme dhe e nevojshme? “Pandemia” – vëren Ati i Shenjtë – është “sinjal alarmi, që të bën të reflektosh” pikërisht mbi këtë. “Është kohë sprove dhe vendimarrjeje, për ta orientuar jetën në një mënyrë të risuar kah Zoti, mbështetja dhe horizonti ynë”.

Të dëgjojmë britmën e të varfërve e atë të planetit

Papa u bën thirrje të gjithëve për “solidaritet” dhe “shërbim”, kundër “padrejtësive globale” dhe indiferencës. Në fakt, emergjenca na detyron ta kuptojmë sa shumë “varemi nga solidariteti i të tjerëve” dhe na shtyn t’u shërbejmë të afërmve në mënyrë të re: “Duhet të na shkundë padrejtësia globale – nënvizon Françesku – që të zgjohemi dhe ta dëgjojmë britmën e të varfërve dhe atë të planetit tonë, aq të sëmurë”.

Të infektohemi nga dashuria, jo të paralizohemi nga frika

Përhapja e pandemisë, vë në dukje Papa, përkoi me periudhën e Pashkëve e prej këndej niset mesazhi, që e shndrit të tashmen dhe të ardhmen dhe që e shmang paralizën: është mesazhi i fitores së jetës mbi vdekjen. “Pashkët – kujton Françesku – na japin shpresë, besim dhe guxim, na e përforocojnë solidaritetin” dhe vëllazërimin. “Rreziku i infektimit nga një virus duhet të na mësojë një lloj tjetër ‘infektimi’, atë të dashurisë, që zemra ia çon zemrës. Jam mirënjohës për shenjat e shumta të gatishmërisë spontane për ndihmë dhe për impenjimin heroik të personelit shëndetësor, mjekëve dhe meshtarëve. Këto javë, e kemi ndierë forcën, që vinte nga feja”.

Në Eukaristi, forca për kapërcimin e vështirësive

E, besimit në Krishtin, i kushtohet paragrafi i fundit i parathënies së librit. Papa kujton “agjërimin e dhimbshëm eukaristik”, që përjetuan shumë të krishterë, për shkak të ndërprerjes së kremtimeve publike. Transmetimi i meshës përmes mediave ishte zgjidhje emergjence, por, siç thekson Ati i Shenjtë, asnjë “transmetim virtual nuk mund ta zëvendësojë praninë e vërtetë të Zotit në kremtimin eukaristik”. Papa shpreh gëzimin për rifillimin e jetës normale liturgjike, sepse, përfundon ai, “prania e Zotit të ringjallur në Fjalën e Tij dhe në kremtimin eukaristik do të na japë forcën, që na duhet, për të përballuar problemet e vështira pas krizës”. E, gjithë njerëzimit, Françesku i jep shpresë, duke i kujtuar fjalët e Jezu Krishtit për dishepujt e Emausit: “Mos kini frikë! Unë e munda vdekjen”. /vaticannews/ KultPlus.com