‘Art në maskë’, nxënësit e gjimnazit ‘Xhavit Ahmeti’ realizojnë ekspozitë të veçantë

Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ka realizuar së fundmi një ekspozitë interesante, që lidhet me temën më aktuale në të gjithë botën, pikërisht pandemia dhe maskat, shkruan KultPlus.

Profesoresha e artit, Magbule Xhemaili, tregon se maskat po ndikonin në lodhje më të madhe sikurse te nxënësit ashtu edhe te profesorët, e madje ato ishin edhe irrituese gjatë procesit mësimor.

Pastaj, përmes një ideje që lindi papritur, nxënësit morën detyrën që t’i përdornin maskat si hapësirë pune, për të shprehur ide, mendim, ndjenjë, emocion.

Me temë të lirë dhe teknikë të çfarëdoshme, nxënësit filluan punën e tyre, duke vendosur tekste, thënie apo edhe ndonjë revoltë, kjo do të ndikonte gjithashtu edhe në ruajtjen e ambientit.

Të gjithë maskat që u mbuluan nga arti, u qepen mes vete dhe kështu forman një terësi maskash, të cilat tanimë janë të ekspozuara në gjimanzin “Xhavit Ahmeti”. /KultPlus.com

6-vjeçari refuzon të heqë maskën para fotografit: Mami më ka thënë kështu

Një 6-vjeçar nga Las Vegasi është bërë sensacioni më i madh në internet pasi refuzoi të hiqte maskën për të bërë fotografi në shkollë.

Djali ia bëri të qartë të gjithëve se nëna i kishte thënë të mos hiqte maskën nga fytyra, përveç momentit që do të konsumonte ushqim.

Këmbëngulja e Mason për të dëgjuar fjalën e nënës së tij po përgëzohet në rrjete sociale, ku janë dhuruar më shumë se 18 mijë dollar për kolegjin e tij. Mason mund të ketë marrë shumë seriozisht këshillat e nënës së tij pasi do të hynte në klasën e parë dhe do të ishte një ambient i ri për të.

Kur duhet të bëhej fotografia e portretit të tij, fotografi u habit pasi djali me mirësjellje refuzoi që të largonte maskën nga fytyra.

 “Mami më tha ta mbaj gjatë gjithë kohës përveç momentit kur do të ha dhe duhet të jem larg të gjithëve”, i tha fotografit.

Nëna e Mason tregoi historinë me anë të një postimi në Facebook duke thënë se ndihet krenare që djali i saj ka zbatuar me përpikëri këshillat./KultPlus.com

Statujës gjigante në Japoni i vendoset maska (VIDEO)

Një statuje gjigante budiste në Japoni i është vendosur maska e fytyrës kundër COVID-it, njofton BBC, përcjell KultPlus.

Statuja e gjatë 57 metra që i është dedikuar Perëndeshës së Mëshirës, Kannon, gjendet në qendër të Japonisë. Statujës i është vendosur maska.

Menaxherët e tempullit në Aizuwakamatsu kanë thënë se planifikojnë ta lënë maskën në fytyrën e statujës derisa të vihet nën kontroll pandemia COVID-19. / KultPlus.com

‘Maska më e mençur në botë’ do të bëhet realitet (VIDEO)

Gjatë muajit janar në ngjarjen CES 2021 për teknologji, kompania Razer ka prezantuar projektin e quajtur “Hazel”, “maskën më të mençur në botë”.

Kujtojmë se projekti “Hazel” është një maskë e mençur e cila vjen me veçori mbrojtëse e dizajnuar për të mbajtur gjërat e këqija në ajër jashtë trupit tonë. Kjo maskë në prezantim ishte më shumë si koncept ndërsa tani Razer me të vërtetë dëshiron ta bëjë realitet.

Kjo maskë, synon të përmirësojë zërin e përdoruesve – për të hequr pengesat që po ua bëjnë maskat aktuale. Dizajni përfshin një ventilator të vogël për freskim të ajrit. Po ashtu, maska përbëhet nga plastika transparente duke e bërë më të lehtë edhe leximin e buzëve.

https://www.youtube.com/watch?v=FvWiCclESL8&feature=emb_title

Duke folur për “Yahoo Finance UK”, kreu i Razerit, Min-Liang Tan ka thënë se kompania është plotësisht e përgatitur që t’i bëjë këto maska realitet dhe se së shpejti do të hyjnë në prodhim, shkruan ubergizmo. Fillimisht, maska është krijuar për të qenë alternativë e qëndrueshme ndaj maskave që përdoren aktualisht për mbrojtje nga koronavirusi, transmeton KultPlus.

Gjithashtu, Tan thotë se Razer ka vendosur që të zgjidhë çështjen e maskave dhe qëndrueshmërisë së tyre duke realizuar projektin “Hazel”.

Ende nuk dihet se kur do të jetë në dispozicion për shitje maska e Razerit ose sa mund të kushtojë. / KultPlus.com

Shkencëtarët: Më mirë të mos mbash maskë fare sesa të njëjtën ta vendosësh çdo ditë

Maskat duhet të mbahen vetëm një herë dhe të hidhen më pas, por ka shumë njerëz që i mbajnë maskat shumë herë. Studimi i ri ka treguar se çfarë saktësisht ndodh nëse një maskë mbrojtëse përdoret më shumë se një herë dhe sa e keqe është në të vërtetë.

Gjegjësisht, shkencëtarët nga Universiteti Lowell në Massachusetts dhe Universiteti i Kalifornisë Baptist pohojnë se rezultatet e hulumtimit të tyre treguan se përdorimi i përsëritur i një maske mbrojtëse është më i keq sesa mosmbajtja e maskës.

Sipas Daily Mail, shkencëtarët përdorën maska ​​kirurgjikale me tre shtresa, lloji më i zakonshëm i maskave të disponueshme. Kur përdoren siç duhet, domethënë një herë, ato mund të filtrojnë deri në tre të katërtat e grimcave që zakonisht gjenden në ajër dhe që janë kryesisht vendimtare për infeksionin.

Sidoqoftë, nëse këto maska ​​përdoren më shumë se një herë, ato mund të filtrojnë vetëm një të katërtën e pikave. Kjo ndodh sepse maskat deformohen, thonë ekspertët.

“Shumica e njerëzve mendojnë se çdo maskë është më e mirë se asnjë, por kjo nuk është e vërtetë”, tha bashkëautori i studimit, Dr. Jinshang Shi, profesor në Universitetin Lowell.

Ai vuri në dukje se një maskë e disponueshme, nëse përdoret më shumë se një herë, mund të filtrojë grimca më të mëdha se pesë mikrometra, por jo më pak se kaq.

Ky hulumtim u botua në revistën mjekësore Physics of Fluids, dhe shkencëtarët u morën me çështjen e lëvizjes së aerosolit. Shkencëtarët monitoruan saktësisht se ku dhe si bien aerosolet në maskë dhe nëse ato hyjnë në hundë dhe mushkëri.

Shkencëtarët kanë mësuar se kur njerëzit kanë maska ​​në fytyrë, kjo ndryshon mënyrën e lëvizjes së ajrit rreth fytyrës së tyre, në mënyrë që ajri të mos hyjë direkt në hundë ose gojë, por të kalojë nëpër sipërfaqen e të gjithë maskës me shpejtësi të ulët.

Kur maskat e disponueshme janë të reja, ato filtrojnë rreth 65% të grimcave. Sidoqoftë, nëse vendosen përsëri, ato mund të filtrojnë vetëm 25%. Prandaj, përfundimi i shkencëtarëve është se maskat e disponueshme kirurgjikale ofrojnë mbrojtje shumë të mirë – por vetëm nëse ato përdoren siç duhet, dmth vetëm një herë. /Express/ KultPlus.com

OBSH: Maskat në shi nuk kanë efekt

Maskat mbrojtëse ndaj transmetimit të koronavirusit mund të jenë më pak efektive kur vendosen gjatë shiut, kanë paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shkencëtarët.

Grupi shëndetësor dhe një numër ekspertësh kanë deklaruar që maskat kirurgjikale duhet të ndërrohen nëse lagen nga shiu dhe u kërkuan zyrtarëve qeveritarë që t’i sigurojnë publikut “këshilla të qarta” në lidhje me mbajtjen e maskave gjatë motit të lagësht, raporton The Independent, transmeton KultPlus.

Tim Spector, profesor i epidemiologjisë gjenetike në King’s College në Londër të Britanisë së Madhe, tha për Times se “tani do të ishte e dobishme nëse këshillat e qarta do të lëshoheshin për publikun lidhur me këtë”.

Sipas udhëzimeve zyrtare nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social në Britani të Madhe, njerëzit duhet të “ndërrojnë maskën nëse laget ose preket me dorë”.

Ngjashmërisht, këshillat nga OBSH thonë që maskat prej pëlhure duhet të përbëhen nga të paktën tre shtresa të materialit të ndryshëm. Sidoqoftë, organizata shton se lagështia mund të rrezikojë këtë mbrojtje./ KultPlus.com

Dizajnohet maska që vret në ajër koronavirusin

Në vend që ta filtrojë, një maskë elektrike mund ta vrasë koronavirusin duke e kaluar ajrin që thithim në një sitë bakri me nxehtësi 90 gradë. Ky është projekti i prestigjiozes MIT (Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit) në SHBA.

Bëhet fjalë për një maskë me bateri që, nëse do të arrijë të komercializohet, sigurisht që do të kushtojë më shumë sesa një maskë tekstili, kirurgjikale apo N95.

Kërkuesit shkencorë kanë bërë kërkesën për marrjen e patentës për këtë maskë dhe kanë nisur krijimin e prototipëve mbi të cilët do të kryejnë testimet e duhura.

“Është një maskë krejtësisht e re, që nuk ka për qëllim që të bllokojë virusin, por ta lërë që të hyjë dhe pastaj ta vrasë”, shprehet inxhinieri kimik Michael Strano./A2CNN / KultPlus.com

Sipas mjekut shqiptar në SHBA, mbajtja e maskës për 6 javë mund të zhdukë virusin

Mjeku shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Skënder Murtezani në një lidhje direkte për një nga mediet tha se, maska është mjeti i vetëm mbrojtës, në një kohë kur ende nuk ka një vaksinë për të luftuar virusin.

Duke sjellë në vëmendje shembullin e Zelandës së Re, profesori i mjekësisë klinike në Cornell bëri apel që “të bëhemi bashkë për 6 javë që të mos lejojmë virusin të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit”.

“Që nga fillimi i intervistave të mia, disa e kanë quajtur dhe ekstreme mendimin tim që të përdoren maskat në mënyrë rigoroze. Maskat ishin shpëtimi i vetëm deri sa të vijë vaksina. Po ashtu duke pasur parasysh se asnjë vaksinë nuk është 100 për qind e kurueshme, maska është e vetmja gjë që pengon përhapjen e virusit. Kjo sëmundje përhapet nëpërmjet pështymës, të folurit, kollitjes apo teshtitjes dhe kujdesi i vetëm është maska.

“Maska është shpëtimi i vetëm në këtë moment. Propozova një gjë shumë të thjeshtë. Po të bëhemi bashkë për 6 javë nuk do t’i lejojmë virusit të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit por duhet të jemi të një zëri nuk ka vend për politikën, të spekulohet dhe të kapen teorira të ndryshme. Iu them të gjithëve dhe qeverisë të mundohemi dhe të bëhemi bashkë të përdorim maskat për 6 javë. Unë premtoj se do të zhduket”, tha Murtezani.

“Shembulli konkret është Zelanda e Re. Prej 1 majit me masa rigoroze me karantinën në fillim, pastaj maska e domosdoshme dhe distanca u zhduk në Zelandën e Re. Ishte shtet shembull, pse ne të mos jemi. Pse akoma spekulojmë, marrim shembuj nga studime të kota. Të përdorim një maskë, ta përdorim në mënyrë disiplinore, mos ta prekim fytyrën, maskën. Të bëhemi bashkë se për 6 javë, më tepër ndoshta dhe më pak mund ta fitojmë këtë luftë në vendin tonë. Ja ku është Zelanda e re, Kina ku për një muaj e gjysmë e fitoi luftën me koronën”, u shpreh Murtezani/ATSH / KultPlus.com

Marka e famshme Louis Vuitton paralajmëron maskën që do kushtojë 1000 euro

Nuk ka ende asnjë sinjal se Covid-it po i vjen fundit, ndaj edhe industria e modës po gjen mënyrat për të mbrojtur klientët e saj.

Marka e njohur Louis Vuitton po hedh një hap më tej, duke krijuar një mburojë mbrojtëse luksoze për të siguruar që miliarderët të jenë të sigurt gjatë blerjeve.

Megjithëse çmimi nuk është njoftuar ende, thuhet se mburoja mund të arrijë vlerën prej 961 dollarësh.

Maska për fytyrën është projektuar të jetë e sigurt, por njëkohësisht elegante, e cila gjithashtu do të përmbajë dhe emrin e gdhendur të shtëpisë së modës.

Mburoja pritet të dalë në treg duke filluar nga 30 tetori dhe do të jetë e disponueshme në dyqanet e përzgjedhura nga marka franceze.

Në muajin prill kompania iu bashkua përpjekjeve për të krijuar mbrojtëse personale në ndihmë të personelit të kujdesit shëndetësor që ndodhen në frontin e parë të luftës kundër Covid-19. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj shpërndanë maska përgjatë sheshit të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, zv-ministrat e MKRS-së, dhe përfaqësues të “Let’s do it Kosova”, me rastin e ditës ndërkombëtare të rinisë, kanë shpërndarë maska në sheshin përgjatë sheshit në Prishtinë. Ky aktivitet u realizua me qëllim të sensibilizimit të të rinjve në lidhje me rreziqet e pandemisë Covid-19 dhe për të promovuar kujdesin që duhet të kemi në përballje me këtë virus.

Para shpërndarjes Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj patën një adresim për mediat e pranishme ku ndër të tjera Ministrja Dumoshi theksoi që i janë bashkangjitur kësaj iniciative meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë e Kosovës të jenë pjesë e fushatës sensibilizuese ndaj luftës me Covid-19, një situatë e paprecedentë për të gjithë globin.

“Si ministri jemi angazhuar vazhdimisht që të rinjtë ti mbështesim me projekte dhe mjete financiare dhe në situatën me pandeminë e kemi shumëfishuar përpjekjen dhe përkrahjen. Unë pata një takim me Kuvendin e të rinjve të Kosovës dhe aty i informova për plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizimin e rinisë i cili përveç ndryshimit që do të ketë në grup moshën që konsiderohet i ri/e re do të njohë edhe punën vullnetare të të rinjve” – theksoi ministrja.

Në anën tjetër Ministri Zemaj e theksoi që ka qenë një periudhë me angazhime të jashtëzakonshme të punëtorëve shëndetësorë dhe këtë iniciativë e mbështet meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jeni zëri i vetëdijesimit shoqëror ndaj këtij virusi.

“Në rrethana të tjera do ta shënonim ndryshe këtë ditë, mirëpo situata me pandeminë na e determinoi edhe agjendën e kësaj e dita e cila edhe pse në këso rrethana nuk duhet mbetur pa u shënuar” – tha ministri Zemaj.

Pas këtij adresimi Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj shpërndanë maskat për qytetarët përgjatë sheshit të Prishtinës. / KultPlus.com

“Nuk ka arsye të barten maskat”, deklarata e epidemiologut të njohur suedez

Ndërsa rastet me COVID-19 të Suedisë vazhdojnë të bien, epidemiologu i lartë i vendit Anders Tegnell tha se ai nuk sheh “asnjë arsye” për të detyruar bartjen e maskave në publik.

“Me numrat që zvogëlohen shumë shpejt në Suedi, ne nuk shohim asnjë arsye të veshim një maskë për fytyrën në Suedi, madje as për transportin publik,” tha ai, siç raportohet nga Fortune.

Sipas Newsweek, niveli i vdekjes së Suedisë nga COVID-19 tani është më i ulët se ai i Italisë, U.K dhe Spanja pavarësisht se kurrë nuk kanë zbatuar një bllokim në shkallë të plotë:

Që nga e diela, niveli i fundit i vdekjeve në Suedi (vdekje për 100,000 njerëz) u raportua të ishte 56.40. Shifra është më e ulët se ajo e raportuar në SHBA. (69.60), Spanjë (60.88) dhe Itali (58.16), sipas raportit të fundit të dielën nga Universiteti Johns Hopkins.

Aktualisht, ShBA ka numrin e katërt të vdekjeve në botë, ndërsa Spanja dhe Italia (të cilat përkatësisht kanë numrin e gjashtë më të lartë dhe të tetë të vdekjeve, më parë) ishin dy vendet e Europës më të goditura nga shpërthimi.

Raporti më i fundit raste-fatalitet i Suedisë (perqindja e vdekjeve në krahasim me rastet totale) u raportua të ishte 7.1 përqind. Shifra është më shumë se gjysma e përqindjes së raportuar në ShBA (15.1 përqind), gjysma e Italisë dhe Belgjikës (secila raporton 14.2 përqind) dhe gati gjysma e Francës (13.4 përqind), sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në 14 ditët e kaluara, infeksionet e reja për 100,000 njerëz në Suedi kanë rënë 46%. Në të kundërt, Spanja, Franca, Gjermania, Belgjika dhe Holanda kanë parë rritje midis 58% dhe 206% në raste për 100,000 njerëz gjatë një periudhe 14-ditore. Të martën e kaluar, Suedia nuk raportoi vdekje të reja, duke e çuar numrin në 5.702.

“Se Suedia ka zbritur në këto nivele është shumë premtuese,” u tha Anders Tegnell gazetarëve në Stokholm të martën.

“Kurbat po bien dhe kurbat për të sëmurët rëndë po fillojnë të afrohen në zero,” shtoi Tegnell.

Sidoqoftë, megjithë optimizmin e Tegnell, ai e sheh si “shqetësuese” që vendet e tjera po shohin një valë të dytë pasi gjoja e kishin sjellë virusin nën kontroll./gazetaexpress/ KultPlus.com

Kompania zvicerane premton maskën që e shkatërron koronavirusin

Kompania zvicerane e higjieno-teknologjisë (Livinguard) premton një lloj maske që jo vetëm i filtron koronavirusët, por edhe i shkatërron ata, shkruan Blick, transmeton KultPlus.

Kreu i kompanisë Sanjeev Swamy 59-vjeçar, së bashku me hulumtuesit, ka zhvilluar një proces që mund të përdoret për të vetdezinfektuar sipërfaqen.

Swamy dëshiron të futet në tregun e materialeve për mbrojtje nga koronavirusi. Ai e ka transferuar teknologjinë e tij te prodhimi i maskave. Në parim: sipërfaqeve si tekstili u jepet një ngarkesë e fortë pozitive. Nëse bakteriet apo viruset – që kanë ngarkesë negative – vijnë në kontakt, atëherë shkatërrohen.

Sipas Swamyt kjo çon deri te shkatërrimi i patogjeneve.

“Duhet të imagjinoni se është si magnet. Nëse virusët i afrohen maskës sonë, atëherë tërhiqen dhe shkaktohet një lloj i qarkut të shkurtër ku virusët shkatërrohen dhe largohen nga maska”, ka thënë Swamy.

Por a funksionon vërtetë?

Swamy premton: “Teknologjia jonë ka dëshmuar se shkatërron 99.9 për qind të koronavirusëve, që vijnë nga prekjet”.

Sigurisht ata që mbajnë maskat e Livinguard janë të mbrojtur nëse përkujdesen edhe për masat tjera higjienike, si larja e duarve dhe mbajtja e maskave në mënyrë korrekte.

“Është gati e pamundur që të kalojë ndonjë gjë nëpërmjet maskave tona”, ka thënë Swamy. / KultPlus.com

Maska, arma më e fuqishme kundër koronavirusit

Me prova në rritje, maskat po ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të koronavirusit, edhe nëse një person i infektuar ka vënë maskë është në kontakt të ngushtë me të tjerët.

Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se ai beson që pandemia mund të vihet nën kontroll gjatë katër deri tetë javëve të ardhshme nëse “ne mund të bindim të gjithë të vënë një maskë tani”. Komente të tij, të bëra të martën me Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, pasuan një editorial që ai dhe të tjerë shkruan, duke theksuar “prova të bollshme” të përhapjes asimptomatike dhe duke theksuar studime të reja që tregojnë se si maskat ndihmojnë në zvogëlimin e transmetimit.

Hulumtimi që citoi Dr. Redfield përfshiu një studim të botuar rishtazi që sugjeron që përdorimi universal i maskave kirurgjikale ndihmoi në uljen e niveleve të infeksioneve të konfirmuara Covid-19 midis punonjësve të kujdesit shëndetësor në sistemin e kujdesit shëndetësor Mass General Brigham në Massachusetts, përcjell albinfo.ch.

Komentet e tij janë mesazhi më i qartë akoma nga CDC, mes debatit të ashpër mbi maskat e fytyrës, nxitur fillimisht nga mesazhe të zyrtarëve federalë dhe globalë për domosdoshmërinë e tyre dhe më pas nga ata që theksojnë liritë individuale. /KultPlus.com

Ministrja belge e shëndetësisë bëhet hit në internet për shkak të maskës

Ministrja belge e Shëndetësisë, Maggie De Block, ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me maskën që ajo e kishte bartur në fytyrë në Parlament.

De Block ka publikuar në Twitter fotografinë ku shihet me maskën që e kishte shtypur fytyrën e saj, dhe kishte shkruar se “të hyrat e kësaj maske do t’i jap për bamirësi”.

Kujtojmë që në Belgjikë nga java e kaluar është bërë e obligueshme bartja e maskave në ambient të mbyllura, përfshirë marketet, kinematë dhe muzetë.

Ndërkaq dje është raportuar se Belgjika nuk ka regjistruar raste të vdekjeve nga coronavirusi brenda 24 orëve. Numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend ka shkuar deri më tani në 9.787.

Belgjika renditet në vendin e 12-të në botë për numrin e viktimave. / KultPlus.com

Si NUK duhet ta vendosni maskën? (FOTO)

Maskat me ngjyra, stile dhe materiale të ndryshme u shfaqën në fytyrat e njerëzve përreth nesh dhe u bënë përditshmëri e jona që nga fillimi i pandemisë.

Ndërsa është një lajm i mirë që shumë njerëz janë duke e bërë pjesën e tyre për ta ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, lajmi i keq është se shumë prej tyre janë duke vendosur maskat gabim.

“Vendosja e maskës merr pak kohë për t’u mësuar, pa dyshim. Me shumë gjasë ju e keni vendosur maskën ashtu si duhet nëse ju duket sikur po ju merret fryma”, ka thënë Dr. Scott Segal, shefi i anesteziologëve në Qendrën Shëndetësore për Baptizmin “Wake Forest”.

Një nga gabimet më të mëdha që njerëzit bëjnë është që i lëvizin maskat e tyre dhe i tërheqin poshtë hundës ose e heqin krejtësisht nga fytyra duke e lënë vetëm poshtë mjekrrës, transmeton Klan Kosova.

“Nuk duhet absolutisht ta lëvizni dhe ta tërhiqni maskën tuaj poshtë mjekrrës, derisa jeni jashtë. Nëse vendosni që të mbani maskë, atëherë mbajeni si duhet”, ka thënë Shan Soe-Lin, ligjëruese në Institutin për Çështje Globale “Yale Jackson”.

Më poshtë janë disa rregulla se si DUHET dhe NUK DUHET ta vendosni maskën:

MOS e vendosni maskën poshtë hundës tuaj

MOS e leni mjekrrën e ekspozuar

MOS e vendosni maskën tuaj lirshëm duke lënë hapësira anash

MOS e vendosni maskën ashtu që mbulon vetëm majën e hundës tuaj

MOS e shtyni maskën poshtë mjekrrës që ta leni në qafë

VENDOSNI maskën ashtu që ajo të jetë deri lart afër ‘urës’ së hundës tuaj dhe poshtë mjekrrës. Bëni më të mirën për të shtrënguar lidhëset në mënyrë që maska të jetë e fiksuar në fytyrën tuaj, pa hapësira anash.

Pasi ta keni gjetur pozicionin e duhur për vendosjen e maskës, ndiqni këto rregulla për të qëndruar të sigurt:

Lani duart tuaja gjithmonë para dhe pasi ta vendosni maskën.

Përdorni lidhëset për ta vendosur dhe për ta tërhequr maskën.

Mos e prekni pjesën e përparme të maskës kur e hiqni.

Për ata që jetojnë në banesa, vendoseni dhe hiqeni maskën derisa jeni brenda banesës tuaj. Ashensorët dhe shkallët mund të jenë zona me kontaminim të lartë.

Lajeni dhe thajeni maskën tuaj – nga materiali – çdo ditë dhe mbajeni në një vend të pastër dhe të thatë.

Mos keni një sens të rremë të sigurisë.

Mos harroni, maskat ofrojnë mbrojtje të kufizuar dhe kanë efekt të plotë vetëm kur kombinohen me larjen e vazhdueshme të duarve me ujë dhe sapun dhe distancën sociale.

Çfarë ndodhi me mua, ditën që nuk vura maskë!

Nga: Rudina Xhunga

Në fakt, unë nuk vija maskë. Më ka mbetur prej kohës së videos së BBC, ku Dr. Shunmay Yeung, shpjegonte që përdorimi i saj nuk sillte asgjë plus, përkundrazi:
Nëse shumë njerëz do të përdorin maska, nuk do të ketë mjaftueshëm për ata që kanë nëvojë vërtet për to, stafi mjekësor dhe të infektuarit me Covid-19.”– thoshte ajo.

Pastaj OBSH-ja ndryshoi qëndrim, por jo unë. Kjo deri javën që shkoi, kur më lajmëruan që shoferi i cili më kishte marrë nga grimi te televizioni ku isha e ftuar, kishte bërë tamponin dhe dalë pozitiv.
Lexuar kjo nuk do të thotë asgjë. Po kur të ndodh ty dhe merr Silva Binon të parën dhe ajo të pyet, a kishe maskë, aty të nis e përmbyset e gjitha.
– Jo nuk kisha.
⁃ Ishe ulur pas.
⁃ Jo, isha ulur para.
⁃ Po kondicioneri ishte hapur?
⁃ Po hapur.
⁃ Fole ti, po ai foli?
⁃ Nuk e mbaj mend. Nuk më kujtohet gjë fare. E kam marrë doktoresha?
⁃ Risk i moderuar, Rudina.
⁃ Ç’d.m.th? Oh sa njerëz marr unë në qafe po e kam marrë. Dhe ndërsa ajo flet, mua më del para lista e njerëzve që kam e dua, të cilët korona i vret nëse ua kam dhënë.
⁃ Sa kohe ka?
⁃ Sot dita e 4-ët, po tani ma thanë.
⁃ Nuk bëhet tamponi sot. Do të presim. Dhe do të kontrollojmë nëse ke simptoma.

Pritja kur mendon se ke marrë koronën është komplet e çmendur. Sidomos kur ke lexuar e shkruar për simptomat e saj mijëra herë. Pritja është plot me simptoma. Frika jote është simptoma më e keqe. Më shumë vret frika nga sëmundja. Pastaj kjo sëmundje ka dhe një të keqe plus. Sëmundjet e tjera, gripi përfshirë, kanë solidaritet në familje. Të shohin me dhembshuri të gjithë dhe të shërbejnë. Po nëse thua që dyshon se ke marrë koronën, është si të thuash ke marrë HIV. Secili ka frikë për ca mund t’i ndodhë dhe fajtori je ti që e solle. Pra kur thotë shefi i OBSH-së që sëmundja kërkon solidaritet mes shtetesh ta harrojë! Solidaritet nuk ka as në shtëpinë tënde.

Përveç vajzës sime të vogël që mendon se nuk e kemi marrë, se ajo do të flasë me unicornin e saj që do të na mbrojë, siç na mbrojti njëherë kur avioni u tund mirë në Bilbao, ne të dy jemi të tmerruar. Marrim në telefon prindërit tanë dhe i pyesim imtësisht për çfarë kanë, çfarë u dhemb dhe sa më shumë se dje u dhemb. Pastaj i kthehemi njëri-tjetrit dhe pyesim ku do ta lëmë vajzën nëse ajo nuk e ka dhe ne e kemi.
Në fakt pyetja pa zë, është ku do ta lëmë vajzën nëse e kemi dhe gjërat shkojnë keq. Dhe ngaqë nuk e bëjmë dot këtë pyetje as pa zë, nxehemi me njëri-tjetrin, me mua d.m.th që jam kaq e papërgjegjshme sa hipi në një makinë televizioni, këto kohë dhe pa maskë. Dhe e vetmja arsye pse mund të shpëtojmë është sërish një anë e keqe imja, që nuk flas, që ul kokën në telefon dhe nuk kthehem fare as majtas as djathtas. Dhe ndoshta, ndoshta kjo do të na shpëtojë.

Ndërkohë ne jemi mbyllur të tre në shtëpi. Në pritje të simptomave, na është kërkuar të izolohemi. Unë vij vërdallë me maskë nëpër shtëpi. Nuk e heq as kur fle. Fle me maskë. Kjo e nxeh më shumë tim shoq që nuk e kupton pse nuk mbaja maskë atë ditë dhe pse isha ulur para. Po pas ishin ulur tre vetë, i them, e debati nis nga fillimi.

Deri ditën që bëmë tamponin unë nuk pata asnjë simptomë, veç dëshirës për të qarë në banjë, (kjo nuk del te simptomat), ndërsa im shoq kishte grykët, temperaturë, dhimbje koke. Ndaj e bëmë tamponin. Në shtëpi erdhën dy zonja.
Një prej frikërave më të mëdha është që nëse nuk e ke mos e merr kur vinë të të bëjnë tamponin, aq shumë na është futur ideja që mjekët e kanë të gjithë. Ata nuk e kanë. Ata janë më të rrezikuarit, më të dëmtuarit në këtë histori të papërgjegjshmish, njëra prej të cilave jam dhe unë.
Vajza ime u ul e para. E pyetën nëse donte të bënte në fillim hundën, apo gojën. Pyeti kush qe më e vështirë që ta niste me të. I bëri të dyja dhe tha që ishte eksperiencë qesharake, qe te gudiliste. Kur erdhi radha ime, nga sikleti teshtiva dhe tmerrova dy zonjat që bënë disa hapa pas dhe pastaj ikën, pa i qerasur, se nuk mundemi thanë. As ujë, në atë vapë korriku.

Zonjat më thanë që rezultati del për 24 orë. Dilte, por tani për shkak të fluksit është zgjatur koha. Unë nuk prita dot as 24 minuta dhe nisa të pyes mjekë të ndryshëm të hetimit në Tiranë, pse zgjat kaq shumë dhe a ka të ngjarë të jetë rezultat fals. Nuk ka asgjë që të heq mendjen kur pret një lajm. Asgjë që ulesh ta bësh me vetëdije dhe të largon vëmendjen. Aq më tepër kur nuk del dot as nga shtëpia.
E vetmja gjë që më lehtësoi ishte një intervistë e Merkel që i ndryshova titullin. Ajo kishte folur për BE-në, po mua më ngacmoi shprehja: “Është e vështirë, por në vend të bëjmë pyetje ekzistenciale, duhet te vazhdojmë me punët e ditës.
Mund ta kisha lexuar çdo çast tjetër këtë shprehje, po nuk do të më bënte kurrë përshtypjen që më bëri atë ditë. Thjesht ma mblodhi veten. Dhe vazhdova të laj pjatat, pa e hequr maskën. Rezultati doli të nesërmen, në darkë. Më morën në telefon dhe më lajmëruan që ne të tre ishim negativë. “Jeni negativë. Kjo për sot, pastaj është në dorën tuaj. Ruhuni!”, tha zonja që më telefonoi. Ose kështu duhet të ketë thënë se unë dëgjova mirë vetëm negativë, gjithçka tjetër vinte flu.

Sapo dëgjoi gezimin tim, ime bijë ma hoqi maskën dhe e grisi. “Tani do e heqësh, te puthemi, -tha”. Joooo, tani do e heq vetëm në shtëpi.”, i thashë. Dhe e mbajta fjalën. Nuk e vras mendjen për vapën dhe për asnjë vështrim kureshtar.
Unë mbaj maskë. Nuk e përballoj dot rikthimin tek ato tre ditë pritjeje dhe nuk di si do ta përballoj koronën nëse e marr. Nuk e di vërtet. Por e di që maska më mbron, mua dhe njerëzit që dua./dritare.net /KultPlus.com

Vendosen maska dhe dezinfektues nëpër pritoret e autobusëve në Prishtinë

Qytetarët që udhëtojnë me autobusë të “Trafikut Urban” në Prishtinë, nuk lejohen të futen brenda pa pasur të vendosur maskën. E për këtë, Komuna e Prishtinës ka gjetur zgjidhje. Nëpër pritoret e autobusëve në kryeqytet janë vendosur maska dhe dezinfektues për qytetarët.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Dren Kukaj, përmes një postimi në Facebook.

Kukaj ka shkruar se 15 pritore të autobusëve janë furnizuar me dezinfektues dhe maska.

“Prej sot 15 pritore dhe pika të ndryshme do të jenë të pajisura me maska dhe dezinfektues”, ka shkruar Kukaj.

Bartja e maskës, dezinfektimi apo pastrimi i duarve dhe distanca fizike, janë masat kryesore që institucionet po apelojnë te qytetarët t’i respektojnë./KultPlus.com

“Unë nuk jetoj me frikën e virusit, dua thjeshtë të jem pjesë e zgjidhjes, e jo të bëhem problemi”

“Unë mbaj maskë në vende publike.
(Si me maskë, si pa maskë) Unë rri 1 metër larg teje.
Unë i laj/pastroj duart vazhdimisht!

Dua që ta dish, që të respektoj ty sepse mund të jem asimptomatik dhe të të trasmetoj/barti virusin.

Jo, unë nuk jetoj me frikën e virusit,
dua thjeshtë të jem pjesë e zgjidhjes, e jo të bëhem problemi.

Nuk ndihem sikur “qeveria me kontrollon mua”, por si një i rritur i përgjegjshëm që kontribuon për shoqërinë.

Bota nuk rrotullohet përreth meje.

Ky virus nuk njeh racë, ngjyrë, moshë ose status!

Duke veshur/vendosur një maskë dhe duke qëndruar së paku 1 metër larg nuk, më bën mua paranojak, të dobët, të frikësuar apo budalla, por më bën të dashur dhe të respektueshëm.

Unë vendos maskë të të mbroj ty!
Ti vendos maskë të më mbrosh mua! / KultPlus.com

Kjo është shpikja e dy stilistëve gjermanë për të shmangur koronavirusin dhe mbajtjet e maskave (FOTO)

 

Dy stilistë në Berlin ka gjetur një zgjidhje tjetër për tu mbrojtur nga koronavirusi në vend të maskave.

Ata kanë krijuar një maskë më të madhe që të mbulon të gjithë kokën dhe e kanë quajtur  “iSphere”.

Kjo maskë është e krijuar nga materiali PVC-je ndërsa dy stilistët Marco Canevacci dhe Yena Young, themelues të “Plastique Fantastique” thanë se janë frymëzuar nga filmat fantastiko-shkencorë të viteve 50-60.

Për krijimin e tyre më të fundit, “iSphere” ata “iSphere” do të kushtojë 24 euro

“Koronavirusi po ndryshon marrëdhëniet tona personale dhe po ndikojnë në perceptimin tonë për realitetin. Është një virus shumë demokratik: ai përhapet përtej kufijve, nuk ka asnjë preferencë për statusin gjinor, shoqëror, kulturor ose ekonomik. Në këtë periudhë të bllokadës, pyesim veten për mutacionin e jetës sonë shoqërore dhe efektet e privimit të prekjes fizike. Përgjigja është një helmetë plastike e vetë-prodhuar e aftë për t’i bërë njerëzit të buzëqeshin edhe gjatë një situate serioze si kjo aktuale” kanë thënë dy artistët. / KultPlus.com

Maska e obligueshme në të gjitha fluturimet ajrore

Organi ndërkombëtar që përfaqëson linjat ajrore në botë (IATA) ka bërë thirrje që pasagjerët të mbajnë maska gjatë fluturimeve, thuhet sot në një deklaratë, pas intensifikimit të debateve se si të rivendoset trafiku ajror, por edhe të respektohen masat në distancë sociale.

Bartja e maskave do të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të pasagjerëve, sipas IATA, e cila tani ka folur kundër masës që ajo fillimisht mbështeti, sipas së cilës ulëset e mesme në rendin e udhëtarëve do të qëndronin të zbrazëta.

Këshilltari mjekësor i IATA, David Powell, u tha gazetarëve se bartja e maskave dhe mbulimi i fytyrave gjatë fluturimit do të ishte pjesë e një sërë masash, duke përfshirë kontrollimin e pasagjerëve para fluturimit për t’u siguruar që ata nuk kishin ethe, temperaturë, por edhe fuqizimin e procedurave higjienike për të mbajtur të sigurt trafikun ajror themeluar.

Linjat ajrore të tilla si Lufthansa gjermane ose Wieser hungareze kanë njoftuar tashmë një detyrim që pasagjerët të bartin maska në fluturim.Në prill, drejtori i përgjithshëm i IATA Alexandar de Juniak vlerësoi se lënia e ulëseve të lira në mesin e radhëve nëpër aeroplanë do të ishte një kusht për vazhdimin e fluturimeve, por me deklaratën e sotme bënë një përmbysje, duke thënë se kjo nuk do të kontribuojë në sigurinë e pasagjerëve.

Ekonomisti i IATA, Brian Pierce vlerësoi se shumica e linjave ajrore nuk do të ishin në gjendje të fitonin para nëse hiqeshin një e treta e ulëseve në aeroplan./TCH / KultPlus.com

Në Kosovë krijohen maska me printer 3D për punëtorët shëndetësorë

Profesori universitar, Shaban Buza ka krijuar maska mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, të punuar me printer 3D.

“Për të ndihmuar punonjësit shëndetësorë, që janë në ballë të frontit me COVID-19 në Kosovë e Shqipëri, Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, mori nismën për prodhimin e një prototipi të pajisjes të emërtuar “Faceshield Mask – Second Line Protection for Hospitals” (Maska mbrojtëse e fytyrës – mbrojtja e linjës së dytë për spitale). Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja”, ka shkruar Buza në Facebook, ku ka publikuar edhe fotot e këtyre maskave.

Ai ka shtuar se, “janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat”.

Buza shton se mjekët dhe infermierët kanë nevojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tonë.

“Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, poashtu edhe numër shtesë i 3D Printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve”, ka shkruar ai.

Image

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, për KOHA-n ka thënë se s’kanë ndonjë marrëveshje për këto maska.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media kishte deklaruar se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale.

“Ministria e Shëndetësisë, ndërlidhur me fillimin e prodhimit të maskave nga një biznes prodhues në komunën e Gjakovës, deklaron se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale (medical devices), prandaj edhe nuk kanë certifikatë që garantojnë standardet e cilësisë e të prodhimit si pajisje medicinale”, thuhej në deklaratën e MSH-së.

MSH-ja gjithashtu kishte thënë se nuk është në kompetencë të saj dhe as të njësive të saj vartëse ndërmarrja e ndonjë veprimi në raport me këtë veprimtari të subjektit prodhues.

“Çështja e subjekteve prodhuese është më tepër në përgjegjësitë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mekanizmave mbikëqyrës e zbatues të saj. Prandaj, MSh shpreson që kjo çështje të adresohet në mënyrën adekuate në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa e cenuar afarizmin brenda kuadrit ligjor të subjektit afarist”, thotë MSH. / Koha.net / KultPlus.com

Vjen në Tiranë “Mbreti i Maskave” Veneciane: Bëj punë me kosto të vogël, por me vlerë të madhe

Në Venezia njihet si “Mbreti i Maskave”. Di të bëjë gjithfarë shëmbëlltyrash, me një kosto fare të vogël, por me një vlerë mjaft të madhe. Ai i krijon veprat e tij duke u frymëzuar nga kryeveprat artistike, portretet e personazheve historike, figurat alegorike dhe mitologjike si dhe nga tradita e “Komedisë së Artit” italian. Ndërsa punët e tij mund të përdoren gjërësisht në një ballo, festë karnavalesh, apo në një film me metrazh të gjatë. Kështu është shprehur dhe vetë Guerrino Lovato, mjeshtrit i Artit Venecian, i cili ka mbërrirur në Tiranë për të bërë të njohura 100 nga punimet e tij më të mira.

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, artistitit Vladimir Myrtezai Grosha, kuratores Migena Hajdari nga galeria Blu Art Itali dhe Institutit Italian të Kulturës, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik kombëtar u zhvillua një takim i zgjeruar me mjeshtrin Guerrino Lovato.

Në fjalën e tij të përshëndetjes me këtë rast, Drejtori i Muzeut Hiztorik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi do të theksonte se marrëdhëniet e Shqipërisë me Venecian kanë qenë shekullore dhe se vetë institucioni që ai drejtonte kishte në themel të programit të tij, jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare por dhe pasqyrimin e trashëgimisë së vendeve të tjera. “Maskat janë një pjesë e rëndësishme e kulturës Veneciane, ndaj dhe puna e mjeshtrit Guerrino Lovato duhet të bëhet e njohur për dashamirësit e këtij arti në Shqipëri”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Ai më pas vlerësoi dhe iniciativën e kuratorëve Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari të cilët bënë të mundur ardhjen e këtij Mjeshtri të Madh.

Për të pranishmit që mbushën sallën “UNESCO”, Vladimir Myrtezai rrëfeu iniciativë dhe rrugën e mbërritjes së mjeshtrit Guerrino Lovato nga Venecia në Tiranë, duke u shprehur se “mjeshtri vinte nga vendi i artit të madh” dhe se një nga prioritetet e tij ishte ishte që të thellohej në kulturën vendase për të zbuluar qoftë dhe gjëra krejt të panjohura më parë për publikun.

Më pas mjeshtri Guerrino Lovato do të tregonte përmes pamjeve që trasmetoheshin nga projektori, se si kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “Kam përdorur materiale të thjeshta dhe ekonomike, që kanë fare pak kosto, madhje edhe prej letre, por që marrin vlerë mjaft të madhe”, do të shprehej mjeshtri Guerrino Lovato.

Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin “Eyes ëide shut” me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio. Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.
Gjithashtu, mjeshtri Lovato zhvilloi një vizitë në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, i cili u impresionua nga koleksioni i Pavijonit të Lashtësisë dhe ai i Ikonave./KultPlus.com