“Let’s dance”, një strehë ku rritet dashuria për baletin

Dashurinë e tyre për baletin, mësuesja Vjollca Llugiqi mundohet t’ua trasoj në çdo lëvizje e çdo formë tjetër. Ato pak nga pak çdo ditë përgatiten për shfaqjen e madhe që do të prezantohet këtë qershor, në teatrin “Dodona”.

Gili Hoxhaj

Sira është vetëm një nga shumë balerinat e vogla që mezi presin që të vijnë dy herë në javë në studion e baletit “Let’s dance”. Pasqyra që është e vendosur në njërën pjesë të kësaj studio, bën që ajo e shumë të tjera të afrohen drejt saj e ta shikojnë veten.

Sira, e cila është vetëm gjashtë vjecare shtrin dorën drejt pasqyrës, e drejton trupin duke treguar tashmë pozicionin e një balerine të vogël.
Entuziazmin e përkushtimin e njëjtë në këtë orë baleti e ndajnë edhe të gjitha vajzat e tjera që mundohen ta nuhasin çdo detaj të lëvizjeve të duarve e trupit të mësueses, Vjollca Llugiqi. Pasi që ato arrijnë në pozicionin e saj, sytë i hedhin drejt pasqyrës, e me plot buzëqeshje shohin veten. Dashurinë e tyre për baletin, mësuesja Vjollca Llugiqi mundohet t’ua trasoj në çdo lëvizje e çdo formë tjetër. Ato pak nga pak çdo ditë përgatiten për shfaqjen e madhe që do të prezantohet këtë qershor, në teatrin “Dodona”.

Kjo ballo e diplomës do të jetë një shfaqje klasike e cila do t’u përshtatet grupmoshave të ndryshme, varësisht nga niveli i të gjitha balerinave. Përmes kësaj shfaqje Vjollca Llugiqi, do ta shtjelloj jetën e vajzave në konvikt dhe ndërveprimin e tyre gjatë kohës së banimit.

Yllka Krasniqi: Baleti për mua është qetësim shpirtëror

Lëvizjet e Yllka Krasniqit qoftë edhe në ushtrimet e kësaj studio, tregojnë për mësimet që asaj i janë rrënjosur nga kjo studio baleti. Duket sikur baleti është mishëruar në çdo lëvizje të saj. Ajo thotë që çdo mëngjes para se të niset për në shkollë, në mendje e ka orën e baletit.

Yllka, e cila është trembëdhjetë vjeçare, kurse tashmë që pesë vite është pjesë e mësimeve të balerinës Vjollca Llugiqit. Ajo thotë se kontaktin e parë me baletin e kishte pasur gjatë shfaqjeve të baletit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Lëvizjet e balerinëve të tjerë e të mësueses së saj në skenë, ia kishin ngjallur fort dëshirën që edhe ajo një ditë të bëhej njëra nga ata. Përkundër dëshirës, përballja me provat e para të baletit për Yllkën kishin qenë tejet sfiduese e të vështira sa që ajo kishte menduar që të mos vazhdoj tutje, por me kohën e gjithë kjo ndryshoi. Ajo thotë se mësuesja dashurinë që e ka për baletin, e ka edhe ndaj nxënësve të saj, e kjo i bën këto orë shumë më aktaktive.

“Kur kam ardhur fillimisht, lëvizjet e para mu duken shumë të vështira sa që mendoja mos ta vazhdoj më baletin, por pas disa kohësh fillova që ta ndjeja me shpirt. Unë këtu vij që ta ndjej baletin, i cili për mua është qetësim shpirtëror. Nëse dëgjoj ndonjë muzikë, mua menjëherë më lind ideja që të vallëzoj balet, ndërsa sa herë që e shoh mësuesen time në skenë gjithnjë e më shumë më ngjallet dashuria për baletin”, është shprehur balerina e re Yllka Krasniqi.


Derës së kësaj studio i drejtohen vajza të grupmoshave të ndryshme, kurse ne mesin e tyre është vetëm një djalë. Këtu fëmijët mësojnë gjithçka mbi baletin klasik e atë modern, ndërsa udhëheqësja e kësaj studio, Vjollca Llugiqi thotë se ushtrimet i fokuson më shumë tek baleti klasik, pasi që është baza e të gjitha vallëzimeve. Brenda kësaj studio që gjendet në sheshin 21, vijojnë mësimet për balet tri grupmosha, fëmijë që nga mosha katër e deri në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, që është grupi i fillestarëve që e praktikojnë baletin klasik, kurse grupi tjetër nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeçare dhe grupi i të rriturave nga mosha dhjetë deri në moshën katërmbëdhjetë vjeçare që praktikojnë edhe baletin modern.

Në balet, përtej talentit, nevojitet dashuria dhe puna

“Unë gjithmonë e them, baleti nuk do të thotë patjetër të jesh ekstra i talentuar, gjithmonë është dëshira dhe puna, unë kur e shoh vullnetin e fëmijëve edhe nëse nuk janë të talentuar, kur e shoh se me çfarë mundi mundohen të shtrengohen, dhe me u zgjat, e në anën tjetër kur prindërit thonë se punojnë vazhdimisht në shtëpi, të japin atë përshtypjen se kanë vullnetin që të punojnë”, shprehet balerina dhe udhëheqësja e kësaj shkolle Vjollca Llugiqi. Përkundër që ka fëmijë që me vullnetin për punë arrijnë nivelin e duhur në balet, ajo thotë se kësaj studio iu drejtohen edhe fëmijët që janë shumë të talentuar po që u mungon dëshira dhe vullneti për baletin, pa të cilat baleti nuk mund të ecën asnjë hap përpara.

“Fatkeqësisht, disa janë shumë të talentuar por u mungon dëshira, në momentin që nuk e kanë dëshirën, unë gjithmonë u tregoj prindërve që mos të mundohen, ndoshta me kalimin e kohës mund të ndryshoj, por nëse nuk e dëshiron këtë punë, baleti pa dëshirë nuk behët. Është art që kërkon shumë, nuk kërkon vetëm vallëzim por kërkohet edhe mimika, pra përmes baletit duhet të tregohet një ngjarje, pa tekst”, thotë balerina Llugiqi, ajo tutje tha se përveç përparësive të aktivitetit fizik përmes baletit fëmijët mësojnë shumë më tepër për shkak se ky art ngërthen në vete një tersi të elementeve artistike, ata këtu mësojnë muzikën, mësojnë ta dëgjojnë muzikën jashtëzakonisht mirë, mësojnë ta përdorim mimikën, e aktrimin.

“Baleti është një art që momentin kur e fillon, është vështirë që të shkëputesh” kështu e përshkruan Vjollca Llugiqi dashurinë e nxënësve të saj që janë rritur duke qenë pjesë e mësimeve të saj. Disa nga to që tashmë kanë kaluar në grupin e balerinave më të rritura, përmes punës së vazhdueshme me mësuesen, tashmë vetëm kanë arritur të avancohen në këtë drejtim. Në një intervistë për KultPlus, Vjollca Llugiqi tregoi se duke u bazuar në punën me këto balerina, ajo sheh në punën e tyre potencialin e mjaftueshem që ato të mund t’i realizojnë ambiciet e tyre që në edhe në të ardhmen të jenë balerina profesionale.

Në mungesë të një shkolle për balet, balerina Vjollca Llugiqi thotë që edhe pse orët janë të pamjaftueshme ajo mundohet që t’ua mësoj gjërat në thelb. Vjollca tregoi për KultPlus se përveç anës praktike, mundohet t’ua plotësoj edhe anën teorike me shënimet që i përkthen nga gjuha frënge.
“Unë mundohem jashtëzakonisht shumë që t’u jap edhe teori, t’ju jap edhe shënime që të mos kenë njohuri vetëm praktikën, që të dinë edhe për domethënien e ushtrimeve për çka po punojnë dhe me cilët muskuj punohen”, tregoi Vjolla Llugiqi.

Sado që këto orë janë të pakta, ajo thotë se janë të vlefshme pasi që shumica e balerinave këto ushtrime i vazhdojnë edhe në shtëpi dhe kjo vërehet nga rezultati që ato sjellin gjatë ushtrimeve në studio. Përveç punë së përbashkët në studio, këta fëmijë e ndjekin punën e mësueses edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Vjollca Llugiqi thotë së fëmijët i fton gjithnjë që të vijnë shfaqje në teatër, për shkak se kështu mund ta shohin të ardhmen e tyre se ku mund të arrijnë dhe çfarë lëvizjes tjera mund të bëjnë.“Gjithmonë më pyesin për lëvizjet në shfaqje, në mënyrë që t’i mësojnë edhe ata”, thotë Vjollca, e cila shton se ky interesim i vazhdueshëm e bën që të ndihet shumë e kënaqur./ KultPlus.com

“Një ditë” nga Trupa e Baletit të Kosovës sonte në Gjakovë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet sonte për publikun e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje vjen sonte në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com