Osmani e Sarrazin flasin për zhvillimet politike dhe të sigurisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon. 

“Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë. Ajo, në veçanti theksoi mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dala nga ky proces”, njofton Presidenca.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani shtroi nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare./ KultPlus.com

Presidentja Osmani shënon ‘Ditën e Presidentit’ para shtatores së Ibrahim Rugovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi në rrjete sociale ka bërë të ditur se ka shënuar “Ditën e Presidentit”, duke publikuar fotografi bashkë me familjen para shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Osmani ka shkruar se kjo ditë kujton vizionin shtetformues të presidentitRugova dhe miqësitë e përhershme që ai i ndërtoi.

“Sot është 24 Maji – Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë, që na kujton vizionin shtetformues të Presidentit Rugova dhe miqësitë e përhershme qe ai i ndërtoi. Le të jetë ky vizion i yni i vazhdueshëm, pavarësisht sfidave që na dalin përgjatë kësaj rruge”, thuhet në postimin e Osmanit në Facebook.

Vjosa Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e KiE.

Sipas saj, kjo është vetëm çështje kohe.

Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë.

Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë CoE: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike.

I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut sa më shpejt se sa vonë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani u prit në takim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim në Pallatin Christiansborg nga Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është rikonfirmuar përkushtimi i ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Në takim me Kryeministren Frederiksen, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka diskutuar edhe për rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen unanime të deputetëve danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe për gatishmërinë e qeverisë së Danimarkës që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën deri në anëtarësim.

Presidentja Osmani dhe Kryeministrja Frederiksen diskutuan edhe për presidencën daneze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, ku Presidentja shtroi nevojën që të ndërmerren hapa konkret sa i përket integrimit të Kosovës në BE, duke u bazuar në performancën dhe reformat e realizuara në vendin tonë.

Presidentja Osmani po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e mbi 13 mijë ushtarëve danez për paqen dhe sigurinë në Kosovë që nga viti 1999, ndaj bëri nderime tek Monumenti Kombëtar i Kujtesës së Danimarkës, ku Presidentja u prit me nderime ushtarake./ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci.

Në Samit, Presidentja Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të vendit tonë dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike.

Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror.

Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet./KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me shqiptarët e Amerikës në Teksas: Janë ambasadorë të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se së fundmi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka bërë të ditur se në Teksas ka takuar shqiptarë të cilët i ka quajtur si ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me ShBA-të.

“Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të Kosovës, avokatë të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë mes të tjerash se liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.

Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi.

Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës.

Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton masakrën e Studimes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Studimes, ku në vitin 1999 u vranë 166 banorë të këtij fshati.

“Megjithëse plagët e luftës dhe të ditës së kobshme në Studime mund të mos shërohen kurrë plotësisht, shpirti i banorëve mbetet i pathyer”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, në reagim thuhet se Studimja tashmë, pas 25 viteve është ngritur, kurse banorët krahas me shpresën për drejtësi, shikojnë kah e ardhmja.

“Do t’i kujtojmë martirët përherë për të mos u harruar, sikurse do t’i kujtojmë të gjitha masakrat nëpër Kosovë!”, thuhet tutje një njoftim./KultPlus.com

Presidentja priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

Sot në mëngjes, Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed Philanthropies, cila udhëheq delegacionin e kësaj organizate që po viziton Kosovën.

Alwaleed Philantropies janë në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës ku do të dorëzohet një donacion i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë në QKUK nga ana e Alwaleed Philanthropies.

Presidentja Osmani ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës Alwaleed Philanthropies të udhëhequr nga Princi Alwaleed Bin Talal Al Saud, për këtë donacion që do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ka ofruar bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve të tjera që janë në interes të qytetarëve të Republikës./ KultPlus.com

U bllokuan të futen në mbledhjen e OKB-së, presidentja Osmani refuzoi të futet në mbledhje pa prezencën e katër grave

Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.

Poashtu KultPlus merr vesh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte ajo që ka refuzuar të futet në sallë pa prezencën e grave, gra të cilat janë dëshmi e gjallë për vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar nga ushtria serbe, pikërisht 25 vjet më parë.

Ndryshe, prezencën e grave në sallën e OKB-së nuk e ka pritur mirë as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, i cili ka thënë se për këtë pjesëmarrje ata nuk ishin të paralajmëruar./ KultPlus.com

Osmani: Kosova u dha mundësi qytarëve të komunave veriore të zgjedhin kryetarët e tyre, ata s’e shfrytëzuan këtë mundësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se Kosova i dha mundësi qytetarëve të komunave veriore që të zgjedhin kryetarët e rinj por ata nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj.

Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin.

Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë./KultPlus.com

Osmani udhëton drejt ShBA-së, do ta përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo do ta përfaqësojë vendin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e cila do të mbahet të hënën.

“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, njofton Presidenca e Kosovës.

Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.

Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës. /KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Evropian, Richard Coudenhove-Kalergi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është shprehur e nderuar nga ndarja e Çmimit të Evropës i akorduar sot nga Fondacioni Pan-Evropian, Richard Coudenhove-Kalergi.

Përmes një postimi ajo është shprehur se ky çmim ka rëndësi të dyfishtë për të, pasi para 20 viteve me të njëjtin çmim ishte nderuar edhe Ibrahim Rugova.

“E falënderoj Fondacionin Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi për çmimin e ndarë, për mua, për shtetin tim dhe për qytetarët tanë. Sot, Republika e Kosovës është një histori suksesi e përbashkët e popullit të Kosovës dhe e aleatëve tanë. Ky bashkëpunim solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë të cilat sot po i mbrojmë si vlera të përbashkëta”, është shprehur Osmani.

Tutje, presidentja Osmani ka uruar homologen e saj, presidenten moldave Maia Sandu, e cila poashtu ka fituar të njëjtin çmim./KultPlus.com

Vrasja e gruas në Pejë, reagon ashpër Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gruas nga Pejë, që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj mëngjesin e sotëm

Gjatë një fjalimi në hotelin “Emerald” në Prishtinë ku po merr pjesë në iniciativën ‘Thinking of You’, ajo ka theksuar se mënyra e vetme për ta ndalur këtë fenomen të tmerrshëm është të rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të “Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri”, ku është diskutuar për dhunën ndaj grave.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje tek të gjithë, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda./KultPlus.com

Vrasja e gruas në Ferizaj, reagon Osmani: Dënim maksimal për vrasësin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku mbeti e vrarë një grua 21 vjeçare, pasi dyshohet se në drejtim të saj ka shtënë ish-bashkëshorti i viktimës, raporton Front Online.

Osmani ka kërkuar dënim maksimal për dorasin, teksa ka shtuar se këto ngjarje mund të ndalen vetëm të bashkuar si shoqëri kundër këtij fenomeni.

“Sërish femicid! Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjithashtu në këtë ngjarje u plagos 15-vjeçari D.C. ,vëllai i viktimës./KultPlus.com

Presidentja Osmani uron muslimanët për festën e Fitër Bajramit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë muslimanët për festën e Fitër Bajramit.

Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se kjo festë duhet të na frymëzojë të gjithëve për ta forcuar mirëkuptimin dhe afërsinë ndaj njëri tjetrit.

“Lutjet tuaja në muajin e bekuar të Ramazanit qofshin të pranuara e kjo ditë qoftë e mbushur me gëzim, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë, për të gjithë”, ka shkruar ajo./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Kushtetutës: Zbatimi i saj na ndihmon në integrimin e familjes euroatlantike

Sot janë bërë 16 vite që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që u ratifikua me 9 prill të 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Në këtë ditë të shënuar ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani e cila është shprehur se Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike.

“Sot, në ditën e miratimit të Kushtetutës, e cila është normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave.

Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”, shkruan presidentja. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ndanë mirënjohje për ekipin e fakultetit juridik që shënoi sukses në garën prestigjioze në botë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë mirënjohje për studentët e Fakultetit Juridik, të cilët u renditën në vendin e tretë në garën prestigjioze ku morën pjesë afër 400 universitete të botës, shkruan KultPlus.

Për këtë ceremoni, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.

Mirënjohje Presidenciale për ekipin e fakultetit juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.

Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë – të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për ta arritur çdo sukses e për ta ngritur lart e më lart shtetin tonë.

Prandaj sot në prezencë të disa prej ish pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë, të udhëhequr nga Donikë Qerimi, e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të këtyre të studentëve të jashtëzakonshëm, shprehëm sërish mbështetjen e krenarinë tonë për studentët tanë./ KultPlus.com

“Shihemi së shpejti”, Osmani rikujton se në Prishtinë do të mbahet Forumi për Gratë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar se më 15 dhe 16 prill, Prishtina do të jetë nikoqire e përfaqësuesve nga rajoni dhe bota në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ajo ka ndarë një video në llogaritë e saj në rrjetet sociale, duke shkruar: “Me mbi 100 panelistë në dhjetëra panele diskutimi me temën “Ridefinimi i Sigurisë”, edicioni i dytë do të fokusohet në parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe garantimin e sigurisë për gratë dhe vajzat gjersa përballen me sfidat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike”.

“Shihemi së shpejti”, vazhdoi presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan, të cilin e ka falënderuar për angazhimin gjatë mandatit të tij.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt për angazhimin e palëkundur të Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

Në këtë linjë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes nga Bangladeshit për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëlqyera për nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, me theks të veçantë në industrinë e tekstilit, e cila është e zhvilluar në Bangladesh.

Në këtë kontekst, u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik si një mundësi e shkëlqyer për bizneset nga të dyja vendet për t`i eksploruar perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Presidentja Osmani, në këtë takim, e ka njoftuar ambasadorin Bhuiyan edhe për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet më 15-16 prill të këtij viti dhe i cili është një mundësi e mirë  për bashkëpunim dhe dialog të mëtejshëm. / KultPlus.com

Osmani: Përkundër që ishim viktimë e gjenocidit, zgjodhëm dialogun si mënyrën e vetme për të ecur përpara

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në panelin e Forumit Diplomatik të Antalisë me temën “avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

Osmani tha se përkundër që populli i Kosovës ka qenë viktimë e gjenocidit për shumë vite, viktimë e krimeve të luftës, që ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat ballkanike e që ka mijëra gra të dhunuara, Kosova sërish e ka zgjedhur dialogun si mënyrën e vetme për të ecur përpara.

“Përkundër gjithë kësaj dhimbje, ne kemi zgjedhur dialogun si mënyra e vetme përpara, kemi zgjedhur zgjidhje paqësore si e vetmja rrugë. Edhe nga përvoja ime personale, sepse më dukët që jam rritur bashkë me Kosovën si shtet, edhe nga përvoja ime personale dhe e secilit person në shtetin tonë, mund të mësojmë se sa e vështirë është të zgjedhësh paqen e diplomacinë në kohë lufte”, tha Osmani.

Tutje, Osmani tha se në vitet e 90-ta, kur populli i Kosovës ishte viktimë e gjenocidit serb, Kosova zgjodhi edhe Marrëveshjen e Rambujesë, për të cilën tha se një pjesë e madhe e saj nuk ishte ajo çfarë ishte kërkuar, por sipas saj, ishte një zgjidhje paqësore që do ta ndalte luftën “dhe u desh t’i themi ‘po’, sepse hapte rrugë për aleanca”. /KultPlus.com

Osmani: Kosova qëndron me Ukrainën sepse e dimë se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë

Sot shënohen 2 vite që kur Ukraina është në luftë nga agresioni rus, shkruan KultPlus.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale ka thënë se Kosova qëndron krah Ukrainës. “Liria do të mbizotërojë përsëri”, shkroi Osmani.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse e dimë se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë. Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por liria fitoi dhe do të mbizotërojë përsëri! Slava Ukraina!”, ka shkruar ajo.

Ukraina akoma nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. /KultPlus.com

Presidentja Osmani thotë se Kosova nuk mund të ecë vetë pa me aleatët e saj

Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që t’i ruajnë marrëdhëniet me aleatët e Kosovës. Ajo tha se për çështjen e dinarit nuk duhet të diskutohet me palën serbe në Bruksel, por zgjidhja sipas saj duhet të gjendet brenda Kosovës. Ndërkohë, BE-ja ka konfirmuar se ftesat për takim i janë dërguar palëve. Qeveria ka refuzuar të marr pjesë në takim.

Përplasjet e fundit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të dhe BE-në kanë ngjallur reagimin e presidentes Vjosa Osmani e cila i ka inkurajuar të gjitha institucionet e vendit që të bëjnë çmos në ruajtjen e raporteve me aleatët sidomos me SHBA-të. Sipas presidentes, Kosova ka probleme të mëdha të sigurisë me Serbinë prandaj, siç vlerësoi, vendit i duhen aleancat.

“Kosova nuk mund të ecë përpara vetë. Nëse dëshirojmë të ecim përpara si shtet këtë duhet ta bëjmë së bashku me aleatët. Edhe kushtetuta edhe aleatët”, ka thënë Osmani.

Por, e para e shtetit i ka dhënë të drejtë Qeverisë se për çështjen e dinarit nuk duhet të diskutohet në Bruksel me palën serbe. Për këtë tha se mund të gjendet një zgjidhje praktike. Kritikoi BE-në se rol jo balancues në proces të dialogut.

“Çështja e dianrit duhet të zgjidhet këtu në Kosovë. Kjo nuk do të duhet të shkaktonte përplasje me aleatët. Nëse ka vullnet me një takim midis institucioneve relevante do të dalin me një propozim konkret për rregulloren e BQK-së”, ka deklaruar ajo.

Pavarësisht se Qeveria përmes kryenegociatorit Bislimi ka refuzuar takimin në Bruksel me palën serbe ku do të flitej për dinarin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se ftesat i janë dërguar palëve për këtë takim i cili është paraparë të mbahet javën e ardhshme.

“Kemi dërguar ftesat për partnerët tanë për t’u marr me çështje të caktuara dhe e kemi spjeguar në thellësi këtë gjatë ditës së djeshme. Tani shpresojmë se të dyja palët do të mund të pajtohen me këtë dhe të zgjidhin çështjen që është shkaktuar nga një vendim i pafat dhe pa konsultime nga njëra palë që ka ndikuar tek pala tjetër. Ky është roli ynë si lehtësues. Ne nuk jemi komentues dhe të themi se cfarë po bëjmë, por po provojmë që të ndihmojmë partnerët që të gjejnë zgjidhje. Ne asnjëherë nuk spekulojmë rreth skenarëve “çka nëse”. Ne kemi dërguar ftesat, kemi vënë objektivat dhe kemi deklaruar përgatitjen tonë për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Stano të premten.

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajëak, ka paralajmëruar hapa të ri në muajt të ardhshëm në proces të dialogut. Për këtë hapa presidentja Osmani tha se është e njoftuar nga vet Lajçak, për të cilin tha se mund të mos jetë më ndërmjetësues pas zgjedhjeve në BE.

“Në procesin e dialogut janë disa muaj vendimtarë sepse në maj janë zgjedhjet në BE, pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, që do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht”, ka thënë presidentja.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimin, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirru nga BE-ja për çështjen e dinarit, duke kritikuar ndërmjetësin e dialogut Miroslav Lajçak për shkelje të parimeve të tij cili sipas tij, kishte deklaruar se pa pajtim paraprak nga palët nuk mund të përcaktohet agjenda. /KultPlus.com

Osmani: Vuçiqi qëndron pas sulmit në Banjskë, këtë ma kanë konfirmuar disa liderë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq qëndron prapa sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e Kosovës e shpërndau sot në Facebook, Osmani tha se , i është konfirmuar edhe nga aleatët se Vuçiqi qëndron pas sulmit të 24 shtatorit.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha Osmani.

Ajo tha se secili shtet do të vendosë vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi. Për hetimet vendore, ajo tha se një pjesë e tyre është publikuar, dhe për tjetrën do të vendosë Policia.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani. /KultPlus.com