40 poetë nga vendi dhe të huaj pjesë e ‘Mbrëmjeve strugane të poezisë’

Në manifestim do të marrin pjesë shkrimtarë nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rusia e vende të tjera.

Rreth 40 poetë nga vendi dhe jashtë do të marrin pjesë në manifestimin ndërkombëtar ‘Mbrëmjet strugane të poezisë 2017’ e cila për të shtatën herë prej sot deri nesër do të mbahet në Strugë, Ohër dhe Vevçan në organizim të qendrës kulturore ‘Valë’ dhe revi ndërkombëtare për poezi ‘Dallgët’.

Në manifestim do të marrin pjesë shkrimtarë nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Bullgaria, Kroacia, BeH, Mali i Zi, Rusia e vende të tjera, si dhe fituesi i çmimit ‘Vala e poezisë’, akademiku Risto Vasilevski, Mujo Buçpapaj nga Shqipëria, etj.

Gjatë manifestimit do të ketë edhe program të pasur kulturor për të pranishmit dhe lexime poetike. / KultPlus.com

Jehon Gorani në filmin “Kursk” me aktorin e famshëm Colin Firth (FOTO)

Filmi është kooproduksion i Francës, Belgjikës dhe Luksemburgut, kurse xhirimet e këtij filmi janë duke u bërë në Belgjikë, Francë dhe Norvegji. Aktori kosovar Jehon Gorani do të luajë rolin e Oblomov, shkruan KultPlus.

Aktori kosovar Jehon Gorani është pjesë e filmit “Kursk”, me skenar të Robert Rodat e me regji të Thomas Vinterberg, shkruan KultPlus.

Filmi flet për fatkeqësi nënujore dhe neglizhencën e qeverisë, ku përderisa marinarët luftojnë për mbijetesë, në anën tjetër familjet e tyre ballafaqohen me dëshpërim, ku pengesat politike pamundësojnë shanset për ti shpëtuar ata.

Në këtë film që do të ketë premierën në vitin 2018, do të luajë edhe aktori i njohur botëror Colin Firth, kurse pjesë e kastës së këtij filmi janë edhe shumë yje të njohura. Sipas faqes zyrtare të këtij filmi, aktori kosovar Jehon Gorani do të luajë rolin e Oblomov. Filmi është kooproduksion i Francës, Belgjikës dhe Luksemburgut, kurse xhirimet e këtij filmi janë duke u bërë në Belgjikë, Francë dhe Norvegji. Ky film është i zhanrit dramë e histori. /KultPlus.com

Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ fiton çmimin ‘Best Short’ në Londër

Është ky filmi i dytë i shkurtër i Lorena Sopit dhe poashtu çmimi i dytë ndërkombëtar për këtë film, përcjellë KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’, me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar Çmimin e Filmit më të mirë të shkurtër “Best Short Film” në festivalin Gold Movie awards Goddess në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Është ky filmi i dytë i shkurtër i Lorena Sopit dhe poashtu çmimi i dytë ndërkombëtar për këtë film. Filmi i parë Mona i cili ka qenë pjesë e më shumë se 40 festivaleve ndërkombëtare, deri më tani ka fituar nëntë çmime kinematografike. Filmi Përjetësisht Fëmijë gjatë muajit korrik do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare. Më datë 12 korrik do të shfaqet në Golden Bridg International Film Festival, i cili do të mbahet në Moskë – Federata Ruse, më datë 14 korrik në Low Film Festival në Sao Paolo të Brazilit, pastaj më datë 15 korrik në The Shortz Film Festival – Chico, California, më 21 korrik në The Accolade Global Film Competition në La Jola- California, për të vazhduar në Regina International Film Festival, i cili do të mbahet në Regina të Kanadasë, në Sunlight International Film Festival , i cili do të mbahet në Moskë, etj.

Filmi Përjetësisht Fëmijë trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe fëmjiut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.
Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi. / KultPlus.com

Prezantohen filmat që do të shfaqen në ’10 netët e kinematografisë italiane’

Ky aktivitet, që emërtohet “10 netët e kinemasë italiane”, do të nisë mbrëmjen e datës 10 korrik në Vlorë dhe do të vazhdojë përgjatë 10 javëve çdo të shtunë në mbrëmje.

10 filma të kinematografisë bashkëkohore italiane, do të shfaqen gjatë muajve të verës në qytetin e Vlorës, në një aktivitet disa javor organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti dhe Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

Ky aktivitet, që emërtohet “10 netët e kinemasë italiane”, do të nisë mbrëmjen e datës 10 korrik dhe do të vazhdojë përgjatë 10 javëve çdo të shtunë në mbrëmje. 10 filma të përzgjedhur të kinematografisë italiane, të titruara në shqip, do të projektohen në hollin veror të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ky element konsiderohet një gjetje interesante, për shkak të simbolikës dhe vendndodhjes së godinës së këtij muzeu, në një nga zonat më të populluara veçanërisht në muajt e verës.

Kjo përbën edhe një nga faktorët, që impakti i këtij aktiviteti pritet të jetë i dukshëm, tek masa e gjerë e qytetarëve dhe turistëve të huaj dhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin falas produkte të njohura të kinematografisë italiane të të gjitha zhanreve.
Ky aktivitet, i pari i këtij lloji në Vlorë, u lansua të mërkurën përmes një konference për shtyp të Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Dr.Luana Alita Micheli, Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi dhe këshilltarit të kulturës në Bashkinë e Vlorës, Aulon Naçi.

Sipas Michelit, aktiviteti synon të krijojë një dimension të ri bashkëpunimi mes dy kulturave të dy vendeve tona, ku, kinematografia zë një vend të veçantë. “10 netët e kinemasë italiane, do të konsiderohen si një mundësi për t’u takuar, si një hapësirë bashkëpunimi, si një dimension njohjeje mes kulturave tona, si një mënyrë për të çuar tek publiku i gjerë, tek pushuesit dhe turistët, kinemanë bashkëkohore italiane”, u shpreh Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë. Ajo tha se, edhe vetë posteri i këtij aktiviteti, përfaqëson simbolikën e lidhjeve dhe njohjeve të ndërsjellta mes dy vendeve e popujve tanë.

Istref Dobi, drejtor i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, një nga mbështetësit e këtij aktiviteti, theksoi se, “10 netët e kinemasë italiane”, është vazhdë e aktiviteteve që janë zhvilluar në këtë institucion dhe që synojnë promovimin e kulturës, si një dimension i turizmit kulturor.

Për këshilltarin e kulturës në Bashkinë e Vlorës, Aulon Naçi, aktiviteti është një bashkëpunim efektiv mes kulturës sonë dhe asaj të vendeve të tjera, veçanërisht asaj italiane, shkruan Shqiptarja.
Mes filmave që do të shfaqen për publikun e gjerë, do të jenë edhe “Se Dio vuole”,me regji të Edoardo Falcone, “Bianca come il latte, rossa come il sangue”, me regji të Giorgio Campiotti, “Lo chiamavano Jeeg Robot”, me regji të di Gabriele Mainetti, “Belli di papa”, të regjisorit Giudo Chiesa, “La sedia della felicità”, me regji të Carlo Marzzacurati, “Scusate se esisto”, me regji të Riçardo Milani, “Fai bei sogni”, të regjisorit Marco Belloçhio, “Nuovo cinema paradise”, me regji të Giuseppe Tornatore etj.
Në një nga netët e këtij aktiviteti do të shfaqet filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Kooperative”, i regjisorit Neritan Mehmetaj, që është xhiruar në Vlorë dhe bazohet tek një ngjarje e vërtetë./KultPlus.com

Laura Imami me koleksion të ri të syzeve (FOTO)

Laura Imami tashmë brendin e saj e ka shndërruar si një brend shumë prestigjioz sa i përket syzeve, pasi që, syzet e saj tashmë i kanë blerë edhe shumë yje botërore, shkruan KultPlus.

Disenjatorja Laura Imami sapo ka prezantuar koleksionin më të ri të syzeve në Londër, shkruan KultPlus. Për koleksionin e saj më të ri ajo ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale e cila fotografive të koleksionit më të ri ia ka bashkangjitur edhe mbishkrimin “It’s a smile, It’s a kiss, It’s a sip of ëine…it’s summertime! Neë collection: LEKA, OA, AGON ”, ka shkruar Imami./ KultPlus.com

Annette Bening, presidente e jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia

Festivali i Filmit i Venecias është në kategorinë A të festivaleve.

Aktorja amerikane Anette Bening – e njohur për rolet e saj në Being Julia, Bugsy, The Kids Are All Right, do të jetë president e jurisë në kategorinë e filmave në konkurrencë në Festivalin e Filmit në Venecia.
Gjithsej nëntë personazhe do të jenë pjesë e kësaj jurie e cila do të ndajë çmimin për Luanin e Artë në këtë festival, si dhe çmimet tjera.

“Jam e lumtur që do të jem kryesuese e jurisë. Filmat më të mirë nga të gjithë bota vijnë në këtë festë filmi dhe jam e nderuar që do të mund të vlerësoj disa prej tyre” ka thënë aktorja.
Festivali i Filmit i Venecias është në kategorinë A të festivaleve ndërsa këtë vit mbahet nga 30 gusht deri me 9 shtator. Me 27 korrik në Romë do të bëhet i ditur edhe programi i festivalit. / KultPlus.com

“Sy”, një këngë që e inspiroi Besian Durmishin për një film të shkurtër

Artistët Vali Kuqi dhe Genc Elezaj nuk janë emra të panjohur në muzikën shqiptare. Një këngë e veçantë duket se e ka inspiruar edhe Besian Durmishin.

Arbër Selmani

Një burrë zgjohet në një ambient të panjohur për të. Rrobat që i ka veshur i vijnë si befasi ndërsa shoqëruar me një muzikë të mistershme ai provon ta gjejë veten e tij të humbur a ndoshta veten e tij të ardhme.

Videoklipi i këngës “Sy” nga Vali Kuqi dhe Genc Elezaj është më i veçantë se të tjerët. Besian Durmishi, regjisori i videoklipit dhe pjesë e Supercut Studio, tregon për inspirimin e tij në këtë videoklip i cili vjen si punë artistike kinematografike brenda pesë minutave të këngës nga dy artistët.

“Veçantia e këngës më ka shtyrë që këtë video ta shoh dhe ta paraqes përmes një filmi të shkurtër e që portretizon kompleksitet dhe thjeshtësi në të njëjtën kohë. Shumë shpesh jam inspiruar nga regjisorët e njohur si Tarkovsky, Kubrick e poashtu edhe Lubezki” tregon Durmishi për KultPlus.

Artistët Vali Kuqi dhe Genc Elezaj nuk janë emra të panjohur në muzikën shqiptare. Një këngë e veçantë duket se e ka inspiruar edhe Durmishin. Ai tregon se këngëtarët fillimisht kanë ardhur me idenë e tyre bazë për mesazhin që do të përcillte videoja, dhe kjo më pas e ka ndihmuar atë që ta vë në lëvizje kreativitetin e tij vizual.

“Është një mal i dendur dhe me këtë unë kam dashur ta paraqes aktorin si person të humbur, i cili është vazhdimisht në kërkim të përgjigjeve dhe pranimit të vetvetes. Rrugëtimi drejt lirisë së tij ka sfida të cilat paraqiten me anë të rrobave që ai i largon nga trupi i tij.

Momenti kur ai ballafaqohet me veten në pasqyrë ku edhe e sheh reflektimin e tij, është një pikë për të cilën kam menduar gjatë dhe mënyra se si aktori Ylber Ballata e ka luajtur atë rol është pikërisht ajo çfarë unë kam dashur të paraqes” tregon Durmishi.

Për të, kjo skenë është vetë thelbi i videos.

Videoklipi, dhe kënga së cilës ai i është bashkangjitur si pasaportë, janë ndryshe dhe një zhanër që jo shpesh kultivohet në skenën e muzikës shqiptare. Xhirimet kanë zgjatur një ditë të plotë ndërsa përgatitjet kanë zgjatur dy javë.
Lokacion është përzgjedhur një hapësirë afër Novobërdës në Kosovë.

“Jam i nderuar që kisha mundësinë të punoja me dy artistët e rinj të cilët kanë vendosur të sjellin një frymë të re të muzikës, e cila na kishte munguar prej kohësh në shoqërinë tonë. E falënderoj edhe ekipin dhe bashkëpunëtorët e Supercut Studio të cilët me entuziazëm të madh janë përkushtuar që ky projekt të dalë sa më mirë” tregon për fund Besian Durmishi nga Supercut Studio, për KultPlus.

Kënga “Sy” është pjesë e albumit “Rreth” nga dy artistët. / KultPlus.com

Që ti je gomar, kjo është diçka që duket

Poezi e shkrimtares Mimoza Ahmeti.

Fytyrë e bukur dikur, tani stigmatike,
në gjurmët e tua gjej vrasjen që të kanë bërë,
në gratë që i humbe, që i braktise, a shpëtuan duke ikur prej teje,
për të mbetur gjallë diku
në lemoshe ndjenje.
Fytyrë e bukur dhe sot, me gjithë prishjen, dyshimin,
dekompozimin,
trup që zvarrisesh e birresh në tokë të mallkuar.
Masë vigane dhe e dëshpëruar njëkohësisht.
Një vath në vesh-diç ja nxit kotësisë kuptimin.
Çdo ditë humb diçka nga cilësia e yllit,
vdiresh në rërë.
Çdo natë fiton diçka nga pamortësia e vdekjes.
Oh, tani që po shuhesh, ndërsa vazhdon akoma të shuhesh
vërvit në ajër tentakula të tmerrshme vetmie të shthurur
me lak fshikullues kap, tërheq e shtrëngon,
robëron
me buzët sterile, trupin e pandjeshëm.
Shpesh kam rënë në gjurmët e bjerrrjes sate, shfrimit
mënyrës së tërthortë të shfaqjes, helmimit,
fshehjes, sofizmit, lëkundjes, së paqenës,
asaj paqendrueshmërie që nuk ngre dot bazë.
Ndjenja luksoze, në esencë shkatërruese,
gërryejnë si macet gjire grash të lëna.
Rrugëhumbur i bukur që vazhdon të humbësh,
që di të sillesh, por që etika s’ta përmush dot shpirtin.
Jam jotja, më ke, gjithmonë më ke pasur,
mbështetje, frymë, shteg në rrugë pa krye,
Por ti s’e kupton, ngaqë je gomar,
dhe ky është shkaku
që unë të dua tmerrësisht.

‘Kripë Deti’ premiera e radhës në Teatrin e Tetovës

Teatri i Tetovës është gati për premierën e komedisë “Kripë Deti” të autorit bullgar Emil Bonev dhe me regji të Nehat Memeti.

Për shfaqjen në tërësi dhe konceptin e saj shprehet regjisori Memeti.

“Në këtë vepër të autorit bullgar Emil Bonev trajtohet një ndër motivet më interesante të dramaturgjisë, ajo e dashurisë. Bëhet fjalë për dy vajza dhe dy djem ku secili në vete mbartë ndonjë histori të dhimbshme apo dështim i cili iu bëhet pengesa dhe barra kryesore për t’u dashuruar. Këta dy çifte përmes situatave dhe peripecive të ndryshme më në fund arrijnë që të dashurohen duke i mposhtur komplekset dhe frikat e tyre. Prandaj në konceptin tim regjisorial do të trajtoj dëshirën dhe nevojën e personazheve për artikulimin e seksualitetit të tyre mashkullor ose femëror. Refleskionin për atë, se sa janë atraktiv dhe tërheqës, personazhet do ta marrin nga ai tjetri pasi të binden se dashuria e vërtetë nuk është fiksion por realitet. Në momentin kur e trajtojnë njëri-tjetrin si personalitet e jo si objekt, ata dashurohen”, ka treguar regjisori rreth kësaj shfaqje.

Ai tutje ka treguar se kjo vepër, pikë së pari do të realizohet si melodramë me premisa të drama-terapisë, por që në vete mbartë edhe elemente të komedisë së situatave dhe atë të karaktereve. Personazhet do të trajtohen nga perspektiva Lakaniane që do të thotë se gjatë shfaqjes të gjithë ata do të metamorfozojnë mvarsisht nga situata në të cilën gjenden. Në fund të shfaqjes para publikut defilojnë personazhe komplet ndryshe.

Aktorët që do të luajnë në shfaqje janë: Burhan Amiti, Elmir Sejfullai, Linda Shabani dhe Azra Sallahi. Skenografia është përgatitur nga Krste Xhidrov ndërkaq kostumet nga Medina Hoxha.

Shfaqja do të prezantohet para publikut tetovar më 7 korrik në ora 20:00 në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë. / KultPlus.com

Shqiptarët në fotot e huaja (VIDEO)

Duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit të 19, imazhet e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë fiksuar në letër fotografike nga studiues, gazetarë, ushtarakë apo misionarë të huaj.

Të nxjerra vitet e fundit nga arkivat e private apo publike të Evropës, siç transmeton abcnews, këto fotografi sjellin një shqiptar krejt origjinal, – madhështor në trimëri dhe respektimin e traditave, por edhe skajshmërisht të varfër materialisht dhe mendërisht…/KultPlus.com

‘Triodesoprano’ pjesëmarrëse në festivalin ndërkombëtar ‘Sofia Music Weeks’

‘Triodesoprano’, ansambli i përbërë nga Jeta Çitaku – soprano, Erëmira Çitaku – flaut dhe Alberta Troni – piano, do të luajnë në këtë festival dy vepra premierë të kompozitores shqiptare Dafina Zeqiri, përcjellë KultPlus.

Ansambli vokalo-instrumental ‘Triodesoprano’ do të jetë pjesëmarrës në edicionin e 48-të të festivalit ndërkombëtar ‘Sofia Music Weeks’.

‘Sofia Music Weeks’, festival ky i themeluar në vitin 1970, ka arritur të jetë njëri ndër aktivitetet më të rëndësishme jo vetëm në Bullgari por edhe më gjerë. I organizuar nën patronazhin e presidentit Bullgar Ruman Radev, ky festival ka arritur që në edicionin e 48-të të tij të mbledh performues nga mbarë bota. Festivali këtë edicion e hapi me Mariinsky Theatre Orchestra nën drejtimin e dirigjentit botëror Valery Gergiev (Rusi).

‘Triodesoprano’ është ansambël i përbërë nga Jeta Çitaku – soprano, Erëmira Çitaku – flaut dhe Alberta Troni – piano. Trio në fjalë ka për mision dhe agjendë interpretimin e veprave vokalo instrumentale të kompozitorëve të njohur botëror, me fokus të veçantë promovimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë të shkruar dhe dedikuar për trion në fjalë. Në këtë edicion të festivalit do të luhen premierë dy vepra të kompozitores shqiptare nga Kosova Dafina Zeqiri.

Koncerti i trios do mbahet me datën 8 Korrik duke filluar në orën 19:00 në sallën e njohur të vendit “Bulgarian Chamber Hall”. / KultPlus.com

“Agnus Dei” fiton në Chicago

Filmi Agnus Dei i cili deri më tani i ka sjellur Kosovës 86 çmime kinematografike, ditëve në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë.

Në Edicionin 2017 të Illinois Independent Film Festival që ka përfunduar mbrëmë në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei”, me skenar e regji të Agim Sopit, ka fituar çmimin e regjisorit më të mirë, shkruan KultPlus.

Agnus Dei, shfaq dramën e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse, shtjellon fatin e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave,i cili bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmen Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit. Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri, cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe regrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijen e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Në raportet e tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën.

Filmi Agnus Dei i cili deri më tani i ka sjellur Kosovës 86 çmime kinematografike, ditëve në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë. Agnus Dei, gjatë muajit gusht, do të ketë nderin të hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Peking të Kinës, festival që cilësohet si më i rëndësishmi në shtetin më të numërt të botës./KultPlus.com

27 vite më parë, Serbia ndërpreu sinjalin e RTP-së

27 vite më parë forcat të mëdha policore pushtuan dhunshëm Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP).

27 vite më parë forcat të mëdha policore pushtuan dhunshëm Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP).
Ndërhyrja e forcave policore serbe, ndodhi vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.

Pas kësaj ndërhyrje, punëtorët shqiptarë u larguan nga vendet e tyre të punës dhe u ndërpre transmetimi programor në gjuhën shqipe.

Më pas erdhën edhe masat e dhunshme që u vendosen në të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe nga vendet e punë së tyre u larguan qindra-mijëra shqiptarë. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita e skulptores Leunora Salihu

‘Në kërkim të së tashmes’ titullohet ekspozita personale e skulptores Leunora Salihut e cila hapet sot në GKK, shkruan KultPlus.

Skulptorja kosovare e cila jeton dhe vepron në Gjermani Leunora Salihu, kësaj radhe do të vijë me ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
‘Në kërkim të së tashmes’ titullohet ekspozita personale e skulptores Leunora Salihu, kjo ekspozitë vjen e kuruar nga Katharina Klang.
Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës në orën 20:00.
Leunora Salihu është lindur në Kosovë në vitin 1977. Ajo është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare ndërsa vazhdon të jetë skulptorja e vetme shqiptare që ka arritur ti koleksionohen veprat. Se ajo është në rrugë e sipër drejt përpunimit të një gjuhe të mëvetësishme artistike prej skulptoreje, e ka kuptuar qysh herët juria e “Bergische Kunstpreis” kur ia ndau këtë çmim prestigjioz. Pastaj, në vitin 2012 Leunora pati fituar në Solingen çmimin artistik të Bankës Kombëtare të Gjermanisë. Koleksioni Artistik i NRW (Landit Nordrhein Westfallen) në galerinë K21 Ständehaus i ka lënë në dispozicion të punimeve të saj pavijonin Bel Etage të Muzeit të Dyseldorfit. Aty mund të shikohen dhe shijohen skulpturat voluminoze të Leunorës deri më 10 shtator. / KultPlus.com

Bëhet hapja e pikës së dytë të dyqanit bamirës ‘Teshavesha’

‘Teshavesha’ bën pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët, ndërsa të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni, përcjellë KultPlus.
Dyqani bamirës ‘Teshavesha’ bëri hapjen e pikës së dytë të me lokacion në rrugën Armend Daci, nr. 12, përballë memorialit të Enver Malokut. Hapja e këtij dyqani u bë falë mbështetjes financiare të Raiffeisen Bank Kosova.
“Teshavesha” është ndërmarrje sociale e themeluar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në korrik të 2016-tës për të mbështetur programet shëndetësore për nëna dhe fëmijë. Në “Teshavesha” qytetarët mund të dhurojnë dhe blejnë rroba për gra e vajza, burra e djem, lodra, dekorime të vogla shtëpiake, aksesorë, e gjëra të tjera me çmime shumë të lira për të ndihmuar kështu programet e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë nga shitjet e dyqanit.
Që nga themelimi, Teshavesha vizitohet nga më shumë se 400 qytetarë çdo muaj dhe ka mobilizuar për ndihmë dizajnerë, media, fytyra publike, kompani private dhe organizata ndërkombëtare.
“Vullneti i mirë i qytetarëve dhe donacionet e blerjet e shumta që nga themelimi i dyqanit, bëri që ne të hapim pikën e dytë të Teshaveshës, ashtu që të krijojmë pika të shitjes sa më afër qytetarëve,” deklaron Janinë Mehmeti, koordinatore për ngritje fondesh në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Teshavesha bën pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët, ndërsa të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni si: blerjen e medikamenteve, zhvillimin e projektit të transportit neonatal, blerjen e pajisjeve mjekësore, si dhe zgjerimin e shërbimeve të qendrave informuese për shëndetin e gruas.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjat e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. Për më shumë www.amchealth.org . / KultPlus.com

‘Despacito’ përmes tingujve të violinës së Kristi Pecajt (VIDEO)

Violinisti i ri nga Shkodra – Kristi Pecaj, sjellë një version tjetër të ‘Despacito’, me tingujt e violinës së tij, shkruan KultPlus.

Kristi, kishte sjellë disa ditë më herët këtë melodi por pa ndonjë video ndërsa tani sjellë muzikën e ‘Despacito’ bashkë me bukuritë e Shkodrës aty ku edhe jeton ai.

Sjellim këtë video me pamje të mrekullueshme nga Shkodra./ KultPlus.com

Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti bashkohen në projektin e ri filmik

Shqipëria e ’97-s është bërë skena e një filmi horror. “Zgjimi i Enver Simakut” (The Invocation of Enver Simaku), me regji e skenar të Marco Lledo Escartindo, do të shfaqet premierë në Pogradec, në datën 8 korrik, natën përmbyllëse të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë.

Filmi i regjisorit të ri spanjoll, frymë- zuar nga ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, do të sjellë para publikut një kast të zgjedhur aktorësh, të huaj e shqiptarë.

Ndër ta Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli etj. Pas premierës në Pogradec, filmi do të shfaqet në “Cineplexx” në Tiranë, prej datës 13 korrik.

Një ngjarje e mbushur me mister, që lëkundet mes besë- tytnive popullore, kukudhëve, ekzorcizmit të një prifti ortodoks, që nuk e kishte ndërprerë ritualin edhe gjatë diktaturës së Enver Hoxhës dhe ngjarjeve reale. Filmi rrotullohet rreth një vrasjeje të mistershme, shkaqet e së cilës nuk janë ashtu siç mendohet, shkruan Panorama.

Plot 18 vjet më parë, më 27 shtator të vitit 1997, afër Kishës së Mespotamit, ndodh një masakër, ku mbeti e vrarë edhe një gazetare, Anxhela. Situata nuk është e qetë në Shqipëri. Rënia e firmave piramidale u shoqërua me revolta të përgjakshme. Gjithçka doli jashtë kontrollit.

Njerëzit e zhgënjyer dhe të varfëruar deri në qindarkën e fundit humbën arsyen, shpërthyen depot e armëve. Nuk kishte shtëpi pa armë e arka municioni. Dhe pasojat ishin tragjike. Në këtë tollovi ndodhi edhe vrasja e Anxhelës, e cila ishte vendosur në Vlorë. Çfarë kërkonte ajo në Mesopotam, fshatin e humbur, 180 kilometra larg qendrës së revoltës?

Diçka tjetër ka ndodhur.

Historia e pazbardhur e 18 viteve më parë dhe disa xhirime amatore të bëra natën e 27 shkurtit e nxisin Zhylienin, të shoqin e gazetares, të kthehet të Shqipëri, kësaj here vetëm, pa mbështetjen e ndonjë kanali televiziv, të gjejë vrasësit e së shoqes.

Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vjetër shqiptarë ai do të mundohet të deshifrojë regjistrime të vjetra zanore të policisë dhe besëtytnitë popullore. Derisa frika dhe insinuatat të rizgjojnë terrorin përsëri. / KultPlus.com

Rita Ora: Krejt çka gjyshi im dëshironte në jetë ishte të realizonte filma

Rita ka zbuluar se ajo po shkruan, do të jetë regjisore dhe do ta këndojë këngën zanore të një filmi që është produkt i saji.

MTV Asks, një emision i njohur nga MTV, ka zbuluar se Rita Ora është duke punuar në një film i cili do të mbajë vulën e saj.
Rita ka zbuluar se ajo po shkruan, do të jetë regjisore dhe do ta këndojë këngën zanore të një filmi që është produkt i saji.
“Dua të bëj një film. Kam punuar në të në mënyrë shumë sekrete. Është ende shumë herët të flasim për këtë punë por prej kohësh kam ëndërruar të punoj në një film” tregon Rita Ora.
Gjyshi i Ritës, Besim Sahatçiu, ishte një filmbërës i njohur në Kosovë dhe duket se Rita dëshiron që ta vazhdojë këtë rrugë, si për fillim, shkruan KultPlus.
“Gjyshi im ka qenë i mrekullueshëm. Para se të vdiste më ka treguar se gjithçka që ai ka dashur në jetë kanë qenë filmat. Prandaj e di se po më shikon dhe jam e lumtur” ka treguar Rita në këtë intervistë për MTV Asks Rita Ora. / KultPlus.com

Çohu ose vdis

Poezi e shkruar nga Egzon Kryeziu.

T’i refuzojmë ilaçet me skadim
Të vdesim prej sëmundjeve është më e dinjitetshme.
T’i lëmë shkollat, t’i mbyllim
Se dhemb më tepër me qenë injorant me titull.
Të vdesim më mirë
Të ikim të uritur është më e lehtë se sa nderi i nëpërkëmbur.
Të vdesim më mirë
Shteti na e paguan ceremoninë e varrimit.
Të ikim
Të mos dashurojmë
As pasardhës të mos lëmë
Çelës t’i vëm ferrit.
T’i vëm dry gjykatave
Të i ikim padrejtësisë është më e arsyeshme se të vdesim prej saj
Ata le të plaçkitin
Ngopen ndonjëherë
Të caktojmë ditën e ceromonisë mortore
Unë dhe Ti
Të gjithë Ne
Le të vdesim të kapun për njëri-tjetrin
Edhe engjullin e vdekjes ta lëm pa fjalë
Por nëse refuzon
Atëherë ÇOHU
ÇOHU dhe ngul këmbë
Për dinjitetin tënd.
Ndryshe do vdesësh prej ilaçeve
Ose si injorant i uritur prej atyre që të plaçkisin e të gjykojnë padrejtësisht
Prandaj… ÇOHU ose vdis.

Vjosa Berisha: Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë deri në nisjen e rrugëtimit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë-PriFest. Tashmë kemi pas mundësinë të shohim pak a shumë programin e këtij festivali i cili përgjatë nëntë viteve rresht në kryeqytetin kosovar ka sjellë emra të mëdhenj të kinematografisë botërore, evropiane, rajonale dhe vendore. Si viteve të kaluara, ashtu edhe sivjet PriFest, sjellë risi duke i dhuruar publikut shqipfolës të jetë më afër ekranit botëror dhe jo vetëm. Në prag të nisjes së këtij festivali, KultPlus realizoi një intervistë me drejtoreshën e përgjithshme të PriFest-it Vjosa Berishën, e cila shpalosi detaje interesante e shumë të pathëna në lidhje me programin që ka përgatitur ajo bashkë me ekipin e saj. Sjellja e regjisorit të njohur Paul Haggis, Prishtina Film FORUM, Prishtina Rendezvous, PriFest Afters, janë disa nga temat që kemi shpalosur në këtë intervistë duke mos lënë anash edhe 7 premierat botërore, 4 premierat ndërkombëtare, 3 premierat evropiane, 22 premiera regjionale ku hyjnë në mesin e mbi 80 filmave që sjellë ky festival. Poashtu, Vjosa Berisha për KultPlus, ka folur pak edhe për kinematografinë shqiptare dhe ka dhënë një premtim për publikun shqipfolës.

Sarandë Selimi

KultPlus: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, ndryshe i njohur si PriFest, edicionin e parë e nisi në vitin 2009. Tashmë ka plotë nëntë vite që udhëtojmë bashkë me këtë festival, me filmat e përzgjedhur, me aktorët (mysafirë) të cilët i sjellë nëpër edicione të ndryshme që janë me famë botërore e me aktorët vendorë e të rajonit. Si fillim Vjosa, na thuaj ndjesinë që ke, ku pavarësisht sfidave vazhdon ta mbash gjallë e fuqishëm PriFestin?

Vjosa Berisha: Është ndjenje e veçantë, jo vetëm të mbërrijmë deri te realizimi i edicionit të nëntë përkundër të gjitha sfidave dhe vështirësive, por që çdo edicion i kemi dhënë vetes detyrë dhe përgjegjësi të bëjmë program më të pasur, më të zgjeruar dhe më përmbajtjesor. Sjellja e filmbërësve me nam botërore në Prishtinë është e vështirë, por ne kemi arritur ta bëjmë çdo vjet. Jam krenarë që jam pjesë e një eventi të madh, jo vetëm filmik, që kontribuon në ngritjen edhe të imazhit të qytetit dhe shtetit tonë, por edhe në zhvillimin e kinematografisë vendore.
KultPlus: Tashmë jemi në prag të edicionit të nëntë të festivalit, na i tregoni risitë që do sjellë ky edicion?
Vjosa Berisha: Si çdo vit, i gjithë programi i filmit është risi, pra premierë në Kosovë. Për më shumë do të kemi edhe premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale. Rritja e tillë e premierave botërore e rajonale i bën nder festivalit dhe është tregues për rritjen e nivelit të tij. Do të kemi më shumë evente përcjellëse, siç është Prishtina Film FORUM, por edhe pjesën e after party, ku sivjet do të organizojmë dy evente të mëdha muzikore në Amfiteatrin e Gërmisë, një me muzikë elektornike me DJ ndërkombëtar (14 korrik) dhe një me muzikë rock LIVE me bendet e Prishtinës (15 korrik).

KultPlus: PriFest, sivjet hapet aty ku nisi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Na tregoni pse vendosët të ktheheni në TKK e jo ta mbani ceremoninë hapëse në ambient të hapur, siç ndodhi vitin e kaluar ku Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, ishte nikoqir i edicionit të tetë të PriFest?

Vjosa Berisha: Ceremonia e hapjes bëhet njëkohësisht në dy lokacione, pra edhe në Sheshin Zahir Pajaziti edhe në Teatrin Kombëtar. Pra, do të shfaqet filmi i njëjtë, dhe mysafirët e filmit do të jenë në dy lokacionet. Jemi shumë të lumtur që publikut kosovar në natën e hapjes do t’i sjellim premierën ndërkombëtare të filmit kosovar “T’padashtun” në regji të Edon Rizvanollit. Këtë film do ta shfaqim njëkohësisht edhe në Teatër Kombëtar edhe në Sheshin Zahir Pajaziti në kinema të hapur, me një distancë kohore prej 45 minutash në mes dy ceremonive.
PriFest kthehet në shtëpinë e vet ku filloi rrugëtimin, në Teatrin Kombëtar, sepse një festival patjetër që duhet të ketë një hapësirë të mbyllur dhe lokacion qendror, por njëkohësisht do të vazhdojmë traditën e mikpritjes për gjithë qytetarët pa dallim, gratis dhe pa ftesa në kinemanë nën qiellin e hapur në Sheshin Zahir Pajaziti.

KultPlus: Sivjet do e sillni edhe regjisorin e njohur Paul Haggis-fitues i dy çmimeve Oskar, çmimeve Bafta dhe Emmy. Si arritët të kontaktoni me Haggis dhe duke e pas parasysh karrierën e tij, sa do të jetë mundësi e mirë një takim me aktorët e regjisorët vendor?

Vjosa Berisha: Regjisori i mirënjohur botëror Paul Haggis është mysafir nderi i PriFest. Ardhja e tij e nderon festivalin tonë, qytetin dhe Kosovën. Kjo tregon për ngritjen e festivalit tonë, që na gëzon, por edhe na jep obligime dhe përgjegjësi shtesë në organizim edhe sivjet edhe vitet në vazhdim. Dua ta potencoj që nuk është aspak lehtë të bindësh filmbërësit e kalibrit të tillë të vijnë në Kosovë. Mos të përmendi edhe koston e udhëtimit dhe qëndrimit. Neve si festival na nevojitet një përkrahje më e madhe për të vazhduar me këtë punë, e cila nuk është në të mirë vetëm të festivalit, por edhe komunitetit artistik vendor dhe industrisë së filmit të Kosovës. Nëse përkrahja nuk rritet, vitet në vijim ne do të arrijmë në pikë të rraskapitjes, që nuk është mirë për askënd.
Për tu kthyer te pyetja juaj, po patjetër që do të ketë mundësi. Paul Haggis do të qëndrojë në Kosovë 5 ditë, do të ketë agjendë të ngjeshur që të marrë maksimumin e informacioneve. Ndërkohë, si për aktorët e regjisorët, ashtu edhe për mediet, studentët e publikun e gjerë Paul Haggis do të ketë disa paraqitje publike: do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar për shfaqjen speciale të filmit Crash, që do të jetë si program i veçantë ‘Tribute to Paul Haggis’, do të ketë një Masterclass mbi jetën dhe punën e tij, dhe do të jetë pjesë e një paneli diskutimi që do të organizohet në kuadër të PriFest. Në ditët në vijim do ti publikojmë detajet e takimeve dhe aktiviteteve të tij.

KultPlus: Do të keni gjithsej mbi 80 filma në kategori të ndryshme. 7 premiera botërore, 4 premiera ndërkombëtare, 3 premiera evropiane, 22 premiera regjionale, kurse të tjerat janë premiera kosovare. Sa ka qenë e vështirë përzgjedhja e këtyre filmave duke e pas parasysh numrin dhe cilat do jenë premierat botërore që do ua dhuronit publikut kosovar?

Vjosa Berisha: Kemi pasur numër rekord aplikimesh. Kësaj i shtohet fakti edhe i hapjes së një kategorie të re garuese, asaj të filmave dokumentar. Përzgjedhja e filmave është punë që i kushtojmë më së shumti vëmendje. PriFest çdo vit sjell në Prishtinë filmat më të mirë artistik botëror, fitues të festivaleve më të mëdha dhe filma nga rajoni, që vështirë që mund të shihen në kinema apo televizion. Kualiteti i lartë i filmit është prioriteti ynë. Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve përcjellëse. Andaj, jemi krenar si me numrin e rritur të filmave, por dhe me nivelin artistik që kanë.

KultPlus: Po premierat kosovare cilat janë?

Vjosa Berisha: Që të gjithë filmat në kategoritë garuese janë premiera në Kosovë. Ky është edhe kriter për t’u shfaqur në PriFest. Ndërsa, për shkak se festivali mbahet në korrik dhe ka shumë bashkëqytetar nga diaspora, kemi vendosur të shfaqim një program të quajtur ‘In Albanian’, ku do të jenë filma të metrazheve dhe zhanreve të ndryshme në gjuhën shqipe, ca nga ta që janë shfaqur më parë në kinema apo dhe në edicionet e mëhershme në PriFest apo në Kosovë. Këta filma do të shfaqen gratis për audiencën e interesuar.

KultPlus: A ka arritur që falë PriFest të ketë bashkëpunime në mes regjisorëve apo aktorëve shqiptarë me ata të huaj?

Vjosa Berisha: PriFest që nga viti i parë ka qenë pikëtakim i filmbërësve nga rajoni dhe Evropa. Duke e zhvilluar PriFORUM-in si event disa ditësh ku mblidhen kineastë vendor dhe ata ndërkombëtar, për debate, masterklasa, punëtori, garë projektesh dhe prezantim të projekteve para kompanive të shitjes e distribuimit, ne kemi kontribuar shumë në bashkëprodhimin mes Kosovës dhe shteteve tjera, por edhe rajonit në përgjithësi. Kemi patjetër raste konkrete kur producentët kanë parë prezantimin e projekteve të filmit në PriFORUM dhe kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim, por kemi edhe shumë raste kur miqësitë kanë lindur mu këtu, siç është rasti i takimit të regjisores së njohur boshnjake Jasmila Zbanic me aktorin e njohur italian Franco Nero, në PriFest në vitin e dytë dhe pastaj bashkëpunimi i tyre në filmin e saj të radhës, pastaj interesimi i producentit fitues të Oscar, Cedomir Kolar për projektin filmik të Blerta Zeqirit “Martesa” pasi e ka parë prezantimin në PriFest para 3 vitesh…
Seksioni i titulluar Prishtina Rendezvous që sivjet organizohet për herë të dytë, del të jetë shumë e qëlluar për industrinë vendore, sepse prezantojnë projektet para producentëve te huaj dhe agjentëve të shitjes dhe distribuimit, qysh në fazën fillestare të projekteve.

KultPlus: Poashtu keni një line-up, interesant të PriFest Afters. Të flasim pak edhe për këtë pjesë?

Vjosa Berisha: PriFest Afters ka pas mbrëmje interesante me artist e muzikë çdo vit, por këtë vit jemi përkushtuar që të sjellim shumë më shumë. Do të organizojmë dy mbrëmje muzikore shumë të veçanta me datat 14 dhe 15 korrik. Bendi i ri i titulluar PriBeats nga PriFest, do të përkujdeset për mbrëmjet e muzikës elektronike.
Me datën 14 korrik,në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, PriBeats sjell në Kosovë DJ me renome ndërkombëtare Point G, DJ Honesty, Hajdar Berisha si dhe Lekë dhe Altin Boshnjaku nga Kosova.
Ndërsa tjetri event,me 15 korrik, është koncert i muzikës rock i quajtur Dritë e pluhun, Kangë e Prishtinës. I kuruar nga Arbër Salihu, ky event do të mbledh një numër të madh bendesh nga Prishtina që do të performojnë live në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë si: Lindja, Genc Salihu, Shpat Deda, Oborri, Taste2 dhe Goblenët si dhe bendi Me t’njofshëm.
Por PriFest Afters nuk përfundon këtu, sepse do të sjell edhe më shumë… një Sunset party (event në perëndim t’diellit) në kulmin e Hotelit Sirius përsëri me muzikë elektronike e DJ, disa mbrëmje të vona në BASStore si dhe shumë performanca live në tapetin e kuq te Teatri Kombëtar, si bendi Ves Ves që do të jetë në hapje, dhe një mbrëmje e veçantë që do të quhet Tirana @PriFest që mendojmë ta realizojmë me përkrahjen e Kryebashkiakut të Tiranës, mikun e festivalit Erion Veliaj.

KultPlus: Na thuaj një mendim tuajin për kinematografinë shqiptare në përgjithësi?

Vjosa Berisha: Kinematografia shqipfolëse, pra si në Kosovë, Shqipëri apo në Maqedoni, ka trend të rritjes. Si në buxhetet publike të shteteve përkatëse, ashtu edhe në prezencën e filmave në festivale ndërkombëtare. Sukseset e filmave të Kosovës, përfshirë edhe ato në bashkëprodhim me shtetet tjera, janë rezultat i hapjes së industrisë vendore ndaj bashkëprodhimeve filmike. PriFest e ka për mision që të zhvillojë industrinë vendore filmike me gjithë strukturën që ka, si në zhvillim skenari, trajnime të ndryshme dhe organizime të seminareve, master klasave dhe garave të ndryshme të projekteve. Mos të harrojmë që sivjet PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy jep një bursë të plotë për studim në këtë akademi shumë të mirë ndërkombëtare filmike. Ky është një kontribut që do të sjell efekte pozitiv në afat të gjatë.

KultPlus: Krejt në fund Vjosa, çfarë i premton publikut shqipfolës përmes PriFest-it, duke u nis nga ajo çfarë keni sjellë deri tash?

Vjosa Berisha: Publikut i premtoj shumë filma të mirë, mundësi takimi të shumë filmbërësve nga bota, argëtim të pafund këtë vit çdo mbrëmje, dhe atë që e kemi në slogan, krijimin e miqësive të reja. Përgjithmonë./ KultPlus.com

Filmi “The Square” fitues i Palme d’Or në Cannes, do të jetë filmi i mbylljes në PriFest

Pas një maratone publikimesh të filmave në programet garuese të festivalit PriFest, gjegjësisht programet e filmave të metrazhit të mesëm, filmave dokumentar, evropian dhe ballanik, i erdhi radha edhe publikimit të programeve të tjera që do të keni mundësi t’i ndiqni gjatë PriFest këtë vit, në datat 13-20 korrik, në Prishtinë.

Winners Program – me filma fitues nga Kana, Berlini e festivale tjera prestigjioze – Fipresci Winners – me filma fitues të këtij çmimi prestigjioz të kritikëve të filmit që tanimë qe dy vite ndahet edhe nga PriFest ekskluzivisht për Kosovë – Programi Let it Be (LGBT fokus), programi Fokus – që këtë vit ka në qendër kinemanë Turke – si dhe programi më i ri në festival, In Albanian, janë programet që ende nuk janë shpalosur, duke përfshirë këtu edhe Tribute to Paul Haggis, që do të sjell tre filma të këti regjisori dhe skenaristi të madh, i cili do ta vizitojë Kosovën gjatë festivalit.

Winners Program çdo vit ka sjellë filmat që janë treguar të suksesshëm në festivalet e mëdha, por këtë vit suksesi ka arritur kulmin, pasi PriFest ka siguruar 3 nga filmat fitues të Festivalit të Kanës, që u mbajt vetëm dy muaj më pare në maj.

“The Square”, filmi fitues i çmimit kryesor Palme d’Or në Cannes Film Festival 2017, do të jetë filmi që do ta mbyll festivalin PriFest sivjet. Bashkë me këtë film, në PriFest këtë vit do të shfaqen edhe filmat “A Ciambra”, fitues i çmimit Label Europa Cinema at Cannes Film Festival 2017, dhe “The nothing factory”, si dhe fituesi i çmimit Un Certain Regard në Cannes Film Festival 2016, “The Happiest day in the Life of Olli Maki”. Një film tjetër që ka korrur sukses në qarkun e festivaleve ndërkombëtare e që do të prezantohet në PriFest është “Shepherds and Butchers” për të cilin do të organizohet edhe një panel diskutimi pe panelist mysafirin special të festivalit Paul Haggis dhe të tjerë.

Filmat fitues të Fipresci award janë “The house of others” dhe “In between”, filma të dy regjisoreve gra.

Pastaj vjen programi me fokus LGBT, Let it Be Program, që tash e pesë vite sjell filma të fuqishëm që trajtojnë guximshëm këtë temë. Këtë vit ky program vjen me dy dokumentarë dhe tre filma artistik nga Shtetet e Bashkuara dhe Amerika Latine, të gjithe premiera rajonale apo evropiane.

Fokusi këtë vit është në kinematografinë Turke. Gjithsej janë katër filma, nga të cilët dy do të jenë edhe në garë të filmave Ballkanik.

I fundit në këtë grup është programi i ri In Albanian që sjell një numër filmash nga Kosova dhe Shqipëria të cilët do të shfaqen si projeksione speciale në festival. Disa prej tyre janë premiera e disa janë filma që nuk kanë pasur rast deri tani të shfaqen në PriFest, por janë shfaqur në Kosovë. Këta filma publiku do të ketë mundësi t’i sheh pa pagesë në Z-Mobile Open-Air Cinema, te Sheshi Zahir Pajaziti, çdo mbrëmje të festivalit.

Më poshtë shikoni edhe radhitjen për secilën kategori, duke e kompletuar programin e PriFest 2017 për këtë vit. Në dy ditët e ardhshme do të bëhen publike edhe orari i shfaqjes së filmave dhe vendet përkatëse të shfaqjes të secilit film, në mënyrë që ju të mund të planifikoni kohën tuaj për festival.

WINNERS PROGRAME
1. THE SQUARE, Suedi 2017, Premierë Regjionale
2. A CIAMBRA Itali 2017, Premierë Regjionale,
3. THE NOTHING FACTORY, Portugali 2017, Premierë Regjionale
4. THE HAPPIEST DAY IN THE LIFE OF OLLI MAKI, Finlandë 2017, Premierë Kosovare
5. SHEPHERDS AND BUTHCHERS, Afrika e Jugut 2016, Premierë Regjionale
FIPRESCI WINNERS / REGJISORE FEMRA:

1. HOUSE OF OTHERS, Gjeorgji 2016, Premierë Kosovare
2. IN BETWEEN, Izrael 2016, Premierë Kosovare

LET IT BE:
1. ESTEROS, Argjentinë, Premierë Regjionale
2. FORBIDDEN, SHBA, Premierë Evropiane
3. HE HATED PIGEONS, Kanada, Premierë Evropiane
4. POLITICAL ANIMALS, SHBA, Premierë Regjionale
5. WOMEN WHO KILL, SHBA, Premierë Kosovare
6. PLAY THE GAME, Britani e Madhe, Premierë Botërore

IN ALBANIAN:
1. TRE DRITARE DHE NJË VARJE, Isa Qosja, Kosovë / Gjermani 2015
2. BABAI, Visar Morina, Kosovë / Gjermani / Maqedoni / Francë 2015
3. KOSOVO CALLING, Eki Rrahmani, Kosovë 2017
4. 7 DITË, Erion Bubullima, Shqipëri 2016
5. DAJA, Ilir Harxhi, Shqipëri 2015
6. HIJE, Joti Ejlli, Shqipëri 2016
7. URDHËRAT, Manuel Nashi, Shqipëri 2017
8. BISEDË PËR JETËN, Agim Abdula, Maqedoni 2016
9. LULJA E EGËR, Fathia Bazi, Shqipëri 2015
10. TOKA, Arben Fejzullahu, Maqedoni 2016
11. SHOTA, Dojna Mema, Shqipëri 2017
12. DRUMS OF RESISTANCE, Matko Bulent, Kosovë 2016

TRIBUTE TO PAUL HAGGIS
1. CRASH, SHBA / Gjermani
2. IN THE VALLEY OF ELAH, SHBA
3. THE NEXT THREE DAYS, SHBA

Farija dhe Bajram Mehmeti, të premten me ekspozitë në Prishtinë

Këtë të premte, me datë 7 korrik, prej 19:00 do të bëhet hapja e ekspozitës së Farija dhe Bajram Mehmetit.

Motër dhe vëlla, Farija dhe Bajrami në pikturat e tyre sjellin traditën dhe jetën e përditshme të komunitetit Rom, gjithashtu të bazuar edhe në imagjinatën e tyre.

Ekspozita do të hapet në Soma Book Station në Prishtinë.

Farija sjellë portrete të grave Roma duke potencuar veshjet dhe ngjyrat të cilat mundohet ti ruajë si kulturë autentike. Në anën tjetër Bajrami sjellë momente shoqërore, familjare të cilat ndodhin në peisazhe të mahnitshme të bazuara në fshatrat përeth vendabanimit të tyre.

Ngjyrat dhe detajet në punën e Farija dhe Bajram Mehmetit tregojnë se si një kulturë manifestohet nëpërmjet imagjinatës dhe realitetit.

Pikturat e ekspozuara janë në shitje. / KultPlus.com

E ardhmja, tema e këtij viti e festivalit DokuFest

Programi i plotë i filmave do të shpallet më 10 korrik 2017 në ueb faqen e festivalit.

Tema e së ardhmes do të theksohet në edicionin e ardhshëm të DokuFest, i cili organizohet nga data 04-12 gusht në Prizren, Kosovë.

Ky edicion i DokuFest premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuele, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja.

Ideja për temën e këtij edicioni erdhi sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Programi ynë do të jetë një vështrim mes distopive dhe utopive, kufijve dhe çiltërsisë, frikës dhe dashurisë.
Programi i plotë i filmave do të shpallet më 10 korrik 2017 në ueb faqen e festivalit. / KultPlus.com

Filmi spanjoll ku luan edhe Lulzim Guhelli, premierë në Pogradec (VIDEO)

Ky film pritet të prezantohet në natën e fundit të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, kurse Lulzim Guhelli luan rolin e priftit, shkruan KultPlus. Guhelli ka thënë për KultPlus se ky film pritet të prezantohet në shumë festivale evropiane dhe botërore.

“The Invocation of Enver Simaku”(Zgjimi i Enver Simakut) është filmi i metrazhit të gjatë me regji të regjisorit spanjoll Marco Lledó Escartín e që do të prezantohet në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, premierë interne për publikun shqiptar. Dhe ky film që ka për skenarist e regjisor një spanjoll, por edhe producent po të Spanjës, boshtin e rrëfimit e ka të bazuar te populli shqiptar, sikurse që ka edhe shumicën e aktorëve që kanë formësuar këtë film.
Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli…
Aktori kosovar Lulzim Guhelli në një intervistë më të hershme për KultPlus pat treguar për xhirimet e këtij filmi që janë realizuar në Spanjë, sikurse që ka treguar për zhanrin e këtij filmi që është horror. Guhelli në këtë film bart rolin e një prifti i cili pat thënë se roli të cilin bart në këtë film është i Athanas Bakshevani. “Ai është një prift që aktivitetin e tij fetar e ka kryer në fshehtësi, gjatë kohës së sistemit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Përveç aktivitetit të tij si prift, ky dhe gjatë asaj kohe ka kryer ekzorcizëm në popullatë”, pat thënë Guhelli. Ky film pritet të prezantohet në natën e fundit të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, më 8 korrik./KultPlus.com

https://vimeo.com/206204127