Tirana bëhet me ‘Park të Artit’

“Parku i Artit”, një projekt që rivitalizon parkun natyror dhe kthen në një hapësirë arti u prezantua sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Projekti titullohet “Shokët dhe engjëjt”, një projekt për një hapësirë-kopsht dedikuar politikanit dhe mendimtarit të famshëm italian, Antonio Gramsci-t në qytetin e Tiranës, konceptuar nga Alfredo Pirri, artist dhe arkitekt me ekspozita ndërkombëtare.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se “kjo projekt-ide sjell një rifunksionalizim të parkut për një pol të ri kulturor dhe për të parë në dritën e filozofisë së Antonio Gramshit skulpturat e realizmit socialist”. “Ky do të jetë një debat i gjerë kulturor, lidhur me figurën e Antonio Gramshit”, shtoi ajo.

Vetëm një vit e gjysmë më parë Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Universitetet e Arkitekturës prezantoi konkursin për përshtatjen e territorit të ish-Kinostudios në Kopshtin e Artit. Qëllimi i projektit ishte krijimi i një hapësire ekspozimi të përkohshme dhe të përhershme për veprat e artistëve të rinj e më gjerë. Një ide e hershme në platformat kulturore të MK-së është kthimi i territoreve të brendshme në një park për art dhe medium, për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet.

Kumbaro shtoi se “rikualifikimi i parkut në një skenë të hapur nuk është një koncept statik”. “Punuam për rikualifikimin e Kinostudios, duke e sjellë jo vetëm një qendër zyrash, por edhe në në një pol kulturor dhe social. Sot kemi disa institucione të artit duke filluar që nga QK e Fëmijëve e deri tek TKOBAKVP. Morëm propozimin nga artisti Pirri për të krijuar një mesazh me një filozofi të caktuar. Ky projekt ka mbështetjen e Regione Puglia-s dhe Fondacionit “Antonio Gramshi””, tha ajo.

Sipas Alfredo Pirrit, “qëllimi është që Antonio Gramsci të kujtohet jo vetëm nëpërmjet ‘një monumenti’ po nëpërmjet realizimit të një hapësire publike të karakterizuar nga prania e artit, por që ka edhe një vlerë qytetare dhe simbolike shumë të fortë: një “kopsht” që strehon brenda tij një instalacilon të përhershëm që na jep një paraqitje mes natyrës dhe historisë”. Një lloj peizazhi natyral në të cilin elementi i egër dhe spontan i natyrës bashkohet me elemente botanikë dhe artistikë, fuqimisht të projektuar në mënyrë të atillë që të krijojnë një ekuilibër në mes asaj që rritet në natyrë në mënyrë të mëvetësishme dhe formave të artit që janë në gjendje të dëshmojnë për integrimin me historinë dhe kulturën.

Bëhet fjalë për një vend me vlerë që është tokë në pronësi publike e cila është ngjitur dhe i përket godinës së Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, aktualisht kjo tokë është thuajse e braktisur dhe në pritje për t’u kthyer në një ambient publik. Kombinimi i emrit të Antonio Gramsci-t me një institucion shtetëror i nivelit më i lartë në fushën e kulturës, do të risillte, në një farë mënyre, në ‘shtëpi’ mendimtarin dhe politikanin e famshëm italian duke kontribuar në zgjerimin e rolit të atij që u konsiderua interpret absolut i cili për herë të parë reflektoi mbi rolin dhe detyrat e intelektualëve në kohët moderne dhe do ta bënte Shqipërinë vendin e parë në botë që i dedikon një vepër të qëndrueshme Antonio Gramsci-t, i cili aktualisht ka frymëzuar me dhjetëra nisma politike, kulturore dhe artistike në të gjithë botën, por që mbeten vepra të momentit për të mos thënë (me qëllim por pozitivisht) jetëshkurtra.

Politikani dhe mendimtari i famshëm italian, Antonio Gramsci konsiderohet simbol i rezistencës ndaj fashizmit, ndërsa të menduarit dhe shembulli praktik i të jetuarit të tij, është aktualisht në qendër të vëmendjes së studiuesve, institucioneve politike dhe kulturore në të gjithë botën. Familja e tij është me origjinë shqiptare, dhe vjen në fakt nga Gramshi, një vend jo shumë larg Tiranës dhe prej aty zhvendosen në Itali ku lind Antonio më 1891. / KultPlus.com

Fotografi të fshehta të David Bowie para se të bëhej i famshëm (FOTO)

Janë bërë publike disa fotografi të papara deri më sot të këngëtarit dhe aktorit të njohur David Robert Jones, i njohur si David Bowie, i cili vdiq më 10 janar të viti 2016, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë bërë në vitin 1967, atëherë kur David Bowie, ishte 20 vjeçar dhe njihej si Davie Jones, shkruan ‘W Magazine’.

Fotografitë janë bërë në kohën kur David po punonte në albumin e tij të parë debutues me titull ‘1967’, të cilat u shkrepën nga dora e vëllait të shokut, të David, Gerald Fearnley i cili ishte fotograf, i cili ka ruajtur fotografitë që nga atëherë.

‘Nuk e mbaj mend se pse i kam marrë ato fotografi të David, ndoshta se pse unë kam qenë i vetmi që kam pasur një kamerë dhe një studio në atë kohë’, ka thënë Gerald Fearnley.

Tani këto fotografi të papara, të ikonës së muzikës Bowie, në kohën kur ai ishte 20 vjeçar, Gerald Fearnley, do t’i publikoj në një libër të titulluar ‘Portraits of an Artist as a Young Man’, i cili këtë muaj do të dalë në Edicionet e botimit ACC.

Disa nga këto fotografi mund t’i shihmi më poshtë. /KultPlus.com


Mbrëmë në Prekaz u mbajt manifestimi tradicional ‘Ditët e Diasporës’

Mbrëmë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nën patronatin e Ministrisë së Diasporës, u mbajt manifestimi tradicional “Ditët e Diasporës”, në të cilin morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve, shkruan KultPlus.

Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari dhe vazhdoi me programin kulturo-artistik të grupit muzikor vokal “Kvali” nga Sllovenia, i udhëhequr nga muzikologia Alma Bejtullahu, ikona e muzikës së vjetër qytetare Nezafete Shala & grupi muzikor si dhe talenti nga Austria Alban Spahiu.

Gjatë këtij manifestimi i pranishëm ishte edhe ministri i diasporës, Valon Murati i cili mori fjalën me këtë rast.

“Vitet po kalojnë, e me to shumë kujtime jetësore shlyhen, disa mjegullohen në memorien tonë, e të tjerat fragmentohen. Por ka disa ngjarje në historitë tona personale, familjare, shoqërore e kombëtare të cilat nuk harrohen. Përkundrazi, me kalimin e viteve, ato marrin të tilla karakteristika të cilat jo veç që bëhen pjesë e memories sonë personale e kolektive, por shndërrohen edhe pjesë e identitetit tonë kombëtar. Një ngjarje e tillë është Epopeja e Jasharëve e 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Kjo epope, kjo rënie e një familjeje ishte e pashembullt në Evropën e gjysmës së dytë të shekullit 20-të, dhe shënoi ngritjen e popullit tonë nga letargjia duke e bërë të qartë se liria nuk do të na dhurohej”, tha ndër të tjera Murati.

Duke ju drejtuar bashkatdhetarëve, Murati tha që edhe ata ishin pjesë e pandashme e rrugës për lirinë e atdheut.

“ Tërë jeta e juaj, ka qenë në shërbim të lobingut politik, të ndihmave financiare, të ndihmave logjistike dhe në fund edhe të pjesëmarrjes fizike në luftën çlirimtare. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë më vështirë e arritshme. Andaj, në respekt të angazhimit tuaj dhe të lidhjes që keni me lirinë e Kosovës, ne mblidhemi këtu çdo vit, për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët, për të çimentuar lidhjet e diasporës me vendlindjen”, është shprehur Murati.

Ndërsa sonte në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës, bëhet ndarja e çmimeve “Mërgimtari i viti” dhe “Gazetari i vitit për diasporën”. / KultPlus.com

9 vjeçari me Sindromën Down, 22 milion klikime duke kënduar këngën e Whitney Houston (VIDEO)

Një fëmijë i dashur dhe plot gëzim, përshkruhet kësisoj djaloshi në një video e cila ka prekur zemrat e miliona njerëzve që e kanë parë.

9 vjeçari Dane Miller këndon në këtë incizim këngën “I Have Nothing” nga Whitney Houston. Fëmiu me Sindromin Down ka arritur rreth 22 milionë klikime në vetëm 1 javë, ndërsa shihet i lumtur dhe tmerrësisht i dashuruar në këtë këngë të legjendës së popit e cila ndërroi jetë para disa vitesh.

Djali nga Teksasi e dashuron muzikën qysh prej moshës 2 vjeçare, tregon familja e tij, ndërsa nëna e tij e ka postuar incizimin në Facebook ku tregon se ky djalë është lumturia e jetës së saj, drita e syve dhe arsyeja pse ajo jeton. / KultPlus.com

Bence publikon instrumentalin në piano të ‘Despacito’

Peter Bence pianist hungarez, sipas librit të Guinness është pianisti më i shpejtë në botë.

Rekordi i tij i fundit ka shënuar 765 shtypje të pianos brenda një minute. Bence në faqen e tij zyrtare ka publikuar se fundi edhe instrumentalin në piano të hitit ndërkombëtar “Despacito”. / KultPlus.com

Libri i Hillary Clinton shënon rekord qysh në ditën e parë

Libri që mban rekordin më të madh për shitje është ai i Hillary Clinton me autobiografi “Histori e përjetuar”.

Në ditën e parë të hedhjes në treg të këtij libri në qershorin e vitit 2003 u shitën për një ditë (rekord) 200. 000 ekzemplarë të tij.

Ky libër është gjithashtu kronika e historisë së jetesës me Bill Clintonin, një aventurë tridhjetë vjeçare mes dashurisë dhe politikës.

Kjo lidhje i mbijetoi tradhtisë personale, hetimeve të pafundme me të cilat janë përballur çifti Clinton. / KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Bylisit, një destinacion për turizmin arkeologjik dhe historik

Është një park me rrënoja arkeologjike që përfaqësojnë rënien e një qytetërimi të hershëm Ilir.

Qyteti Ilir i Bylist i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal,dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m i cili ende sot ruhet relativisht mirë.

Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse.

Që në shek. III. p.e.s. qyteti pajiset me monumente të shumta dhe të rëndësishme të tilla si, teatri me kapacitet 7500 spektatorë i cili shërbente jo vetëm për shfaqje të ndryshme teatrale dhe muzikore për banorët e qytetit dhe zonave përqark tij por edhe si vend mbledhjesh ku merreshin vendime të rëndësishme për fatet e bashkësisë byline.

Krahas teatrit qyteti kishte stadiumin e vet, dy shëtitore, njëra prej të cilave dykatëshe, depozitën e ujit, prytaneonin, gjimnazin, altarë, banesa, rrugë etj.

Krahas këtyre monumenteve, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta. / KultPlus.com

Filmi ‘Frozen’ së shpejti në versionin mjuzikëll (VIDEO)

Filmi i animuar ‘Frozen’, tashmë shumë i dashur për shumë fëmijë nga e gjithë bota, së shpejti do të shfaqet edhe në teatër, në Broadway, në formë të mjuzikllit, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur ‘The Walt Disney Company’, e cila ka publikuar disa fotografi nga provat e aktorëve si dhe një triler të mjuzikllit.

Personazhet e famshme, Ana dhe Elsa, të njohura dhe të dashura nga shumë fëmijë të botës, tani do të shfaqen drejtpërdrejtë edhe në skenë teatri, përmes mjuzikllit, i cili do të jetë më i thellë dhe me i gjerë se sa filmi, duke trajtuar më shumë gjendjen emocionale të personazheve, të cilat në film janë lënë të nënkuptuara, për shkak se filmi është shikuar nga fëmijët, shkruan KultPlus.

Mjuziklli ‘Frozen’ i cili do të luhet për dy orë e gjysmë, do të shfaqet për herë të parë me 17 gusht të vitit 2018 në ‘Center for the Performing Arts’. Mjuziklli do të zgjasë dy orë.

Sipas një njoftimi për shtyp, skenari dhe regjia e këtij mjuziklli janë bërë nga Jennifer Lee, ndërsa muzika Robert Lopez dhe Kristen Anderson-Lopez, ekipi i njejtë që ka krijuar ‘Let It G’ këngën e famshme të filmit ‘Frozen’. /KultPlus.com


Astrit Stafa, fenomen i instrumenteve kordofone

Astrit Stafai është mjeshtër virtuoz i instrumenteve me tela, kordofone. Është njohës i muzikës në përgjithësi, i stileve dhe zhanreve të ndryshme muzikore. Ai luan profesionalisht në ud, saze të ndryshme, buzuk, kitarë etj.

Astriti përveç që luan muzikën tradicionale që u takon këtyre instrumenteve, ai përdorë teknika të ndryshme dhe përshtat profesionalisht këto instrumente në muzikën tonë tradicionale popullore shqiptare. Pra, ai bënë një miks të një vije melodike shqiptare duke shkrirë teknikat e performimit të instrumenteve si: udi, sazi, kitara, bukuzu etj. Gjithashtu ai, ka shkrirë edhe teknikat e muzikës xhaz në muzikën tonë shqiptare. Stafai në një mënyrë është munduar që me këto teknika performimi, me këto mikse të prezantoj muzikën tonë tradicionale në vende të ndryshme të botës.

Udi si instrument në Kosovë është përdorur në këngët gjakovare, mirëpo është luajtur në stil sharkie apo siç thotë populli “në kajde t’sharkisë” nga udistët të cilët nuk kanë qenë profesional. Por, Astriti ka bërë studim shumë më të thellë, shumë më profesional dhe në këtë mënyrë ai ka sjell një stil të ri, një frymë të re muzikore tradicionale shqiptare. Me të gjitha këto risi në performim Astriti mori shumë duartrokitje nga publiku dhe u bë i veçantë si instrumentist në trojet tona. Një gjë duhet pasur parasysh se Astriti nuk e ka sjellë muzikën orientale tek ne, ajo ka qenë prezente gjithmonë, por ai gërshetoi dhe përshtati instrumentet orientale në muzikën tonë tradicionale.

Përveç muzikës tradicionale, Astriti është aktiv dhe performues i muzikës artistike serioze. Ai luajti në premierën e veprës koncerto për lahutë dhe për orkestër të konpozitorit Hajrullah Syla, gjithashtu performoi në koncerte të profileve të ndryshme me kitar, ud etj. Karakteristikë tjetër e veçantë e Astritit është se ai performoi me lahutë edhe këngë barokiene kryesisht të Monteverdit, Vivaldit dhe pjesë nga Bahu. Kjo është një veçori që rrallë mund të hasim edhe në mbarë botën. Përveç kësaj Astriti ka pasur koncerte edhe të zhanrit etnojaz (miks të muzikës tradicionale me muzikën jaz). Projektet e etnojaz-it që realizoj Stafai janë shumë të rëndësishme sepse në këto performime ai ka bashkëpunuar me artist ndërkombëtar dhe kështu i kanë sjell publikut risi në performime muzikore dhe njëkohësisht ndërkombëtarët janë njoftuar me muzikën tonë tradicionale. Stafai është artist i njohur dhe më i frekuentuari si studio instrumentist. Ai njihet me virtuozitetin e tij dhe teknikën unike të performimit në instrumentet me tela.

Astriti ka pasur bashkëpunime me artist lokal, rajonal dhe internacional si: Husnu Senlendirilici, Wladiswar Nadishana, Burak Malcok, Valentina Lacmanovic, Fransona Esomba, Sashir Dlao, Mathieu Vamilleri, Faycal Salhi, Tuncay Tuncay, Ny Gypsy All Stars etj.

Ka qenë pjesë e shumë festivaleve në trojet shqiptare dhe jashtë vendit. Disa nga projektet e tij janë : Acoustic Trio, No name electro duo, Trio Ethno Flamengo, Oud spirit etj. Ai ka participuar në festivalet si : Dam Festival, Flute sounds Festival, Prishtina Jazz Festival, Krushevo internacional music Festical, Fete de la musique, Cultural exhangtes music, World Theatrical Musical, Ballkan Festival, Albanian Artistic Week, Chamber music Festival, Womex World Music Expo in Budapest, Re Musica Festival.

Astrit Stafai ka lindur në vitin 1980 në Prishtinë. Është artist i famshëm shqiptar dhe muzicient revulucionar në skenën e muzikës shqiptare. Astriti është kitarist eksperimental, virtuoz dhe multi instrumentalist. Karrieren e tij e filloi si 5 vjeçar, dhe kur mbushi 7 vite ai filloi të
performoi në piano dhe kitar, kështu më vonë si 15 vjeç ai shfaqi interesim për muzikën dhe kulturën e vendeve të ndryshme të botës. Kur ai mbushi 17 vjeç filloi të performoi me bende dhe artist të ndryshëm. Stafai studioj pedagogjinë e muzikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Studimet postdiplomike i përfundoi në Aranzhim në klasën e Prof.Valton Beqiri. Tani është ligjërues në universitetin AAB, profesor në shkollën e mesme profesionale të muzikës në Gjakovë “Prenk Jakova” dhe instrumentist në programin televiziv më të shikuar në vend “Oksigjen show”. / KultPlus.com

Shkruan: Armend Xhoni

‘The Dark Tower’ premierë në New York

Fletët e veprës së Stephen Kingut, “The Dark Tower”, janë ri-imagjinuar dhe përshtatur për ekran të madh, me aktorët Idris Elda dhe Matthew McConaughey në rolin e protagonistëve.

Dyshja e famshme Elba dhe McConaughey parakaluan mbi qilim të kuq të shtruar me rastin e premierës New Yorkeze të këtij projekti, me ç’rast edhe e festuan shfaqjen e filmit nëpër kinema, që do të fillojë nga 4 gushti.

Filmi e rrëfen historinë klasike të së mirës kundër së keqes, teksa personazhi i Elbas, Gunslinger – Roland Deschain, mundohet ta shpëtojë universin nga personazhi i keq i portretizuar nga McConaughey në film, i cili mundohet ta shkatërrojë atë.

Regjisori Nik Arcel është rritur si adhurues i kësaj vepre në Danimarkë dhe e vlerëson lart librin, duke thënë se i ka ndihmuar atij ta mësojë anglishten.

Mbi qilim të kuq, regjisori Arcel tha se bashkëpunimi me Kingun ka qenë shumë i mirë dhe i frytshëm, pasi autori i famshëm ka sjellë shumë ide për projektin, pa u munduar të imponohet në punën regjisoriale. / KultPlus.com

Franca nderon Mirela Kumbaron me urdhrin ‘Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë’ (FOTO)

Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi është nderuar me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, përcjellë KultPlus.

Ky është njëri nga katër titujt e nderuar ministerialë të Republikës Franceze që akordohen për personalitete në Art dhe Kulturë.

Ky titull iu akordua ministres Kumbaro nga ministrja e Kulturës dhe e Komunikimit e Republikës së Francës, Audrey Azoulay, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

Mirela Kumbao Furxhi ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet kulturore shqiptare-franceze me synimin promovimi i vazhdueshëm i kulturës shqiptare në Francë dhe në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke.

Kujtojmë se Mirela Kumbaro dhe Audrey Azoulay nënshkruan në vitin 2016 Deklaratën për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë lidhur me bashkëpunimin kulturor.

Urdhri “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” jepet për persona të veçantë që dallohen për kontribute të larta në fushën e kulturës dhe komunikimit në Francë dhe në botë. / KultPlus.com

‘Lust For Life’, albumi më i shitur në Britaninë e Madhe (FOTO)

Albumi ‘Lust For Life’, po kryeson listën zyrtare të BBC 1, më albumet më të shitur në Britaninë e Madhe, duke lënë pas albumin e sukseshëm ‘Divide’ të Ed Sheeran, shkruan KultPlus.

Ende nuk kanë kaluar dy javë, që kur këngëtarja e famshme amerikane, Lana Del Rey, lansoi albumin e saj më të ri, të pestin me radhë, ‘Lust For Life’, dhe tashmë ky album është më i suksesshmi në Britaninë e Madhe.

‘Lust For Life’ u lansua më 21 korrik dhe përmban 16 këngë si: ‘Love’, ‘In my Feelings’, ‘Get Free’ etj.

Pjesë e këtij albumi, momentalisht më i shituri në Britaninë e Madhe është edhe kënga me të njëjtin titull sikurse vet albumi ‘Lust For Life’ e cila është në bashkëpunim me këngëtarin e njohur kanadez, The Weeknd. /KultPlus.com

Chris Martin, ‘Shekspir i kohës moderne’ (VIDEO)

Këngëtari i njohur i rok grupit të famshëm britanik, Coldplay, Chris Martin, po konsiderohet ‘Shekspir i kohës moderne’, nga reperi i famshëm amerikan, Jay-Z, përcjellë KultPlus.

Jay-Z, i cili një muaj më parë, lansoi albumin e tij më të ri, të titulluar, 4:44, në një intervistë të realizuar së fundmi me gazetën amerikane ‘Metro’, ka vlerësuar shumë, krijuesin e hitit ‘Adventure of a Lifetime”, shkruan NME, përcjellë KultPlus.

‘Kam një kohë që jam në industrinë e muzikës, aq sa për të kuptuar se çfarë gjeniu i vërtetë është Chris Martin. Në vitet në vazhdim, në Britani, ai do të shihet si një Shekspir i ditëve moderne. Ai është një artist, tekstshkrues, kompozitor i jashtëzakonshëm. Edhe më i jashtëzakonshëm është nëse këndon LIVE. Nëse ndonjëherë ju vije rasti për ta dëgjuar një performancë LIVE të tij, mos e lëshoni, do të pendoheni, ka thënë Jay-Z.

‘Something Just Like This’ është projekti i fundit muzikor i grupit të famshëm britanik, ColdPlay në bashkëpunim me grupin amerikan, The Chainsmokers. /KultPlus.com

‘Germin’ organizon takim me temë ‘Avancimi i rolit të diasporës, sfidat dhe mundësitë’

Organizata jo-qeveritare Germin, në kuadër të Ditëve të Diasporës, organizon tryezën e rrumbullakët me temën ‘Avancimi i Rolit të Diasporës, Sfidat dhe Mundësitë’.

Qëllimi kryesore i tryezës është qe të diskutohet për avancimin dhe rolin diasporës shqiptare në lidhje me të drejtat e tyre politike dhe socio-ekonomike dhe si mund të krijohen mekanizma për fuqizimin e rolit të diasporës në zhvillimin e vendeve amë.

Prezent në këtë takim do të jetë Valon Murati, Ministër në Ministrinë e Diasporës, mërgimtarë nga Evropa dhe Amerika Veriore dhe shoqëria civile.

Takimi mbahet më 2 gusht nga ora 10:30 -14:30 në Hotel Sirius (salla Casiopea, kati II), Prishtinë.
Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Diasporës (MeD). / KultPlus.com

‘A long way home’ me regji të Ibër Dearit edhe në një tjetër festival ndërkombëtar

Filmi i metrazhit të shkurtër “A long way home”, film ky i cili për regjisor dhe skenarist ka Ibër Dearin, ndërsa producent Afrim Asanin, është përzgjedhë që të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Louisville’ në Kentucky, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili është shprehur mjaft i lumtur për këtë gjë.

Filmi bënë fjalë për një djalë me emrin Olti, i cili pasi lirohet nga burgu, niset rrugës për në shtëpi. Por gjatë rrugës haset me një pengesë të madhe. Oltit i ndalohet të futet në fshatin e tij. Ai mbetet mes dilemës, rrezikut për familjen e tij ose të ik larg që të filloj një jetë të re.

‘A long way home’ në kastë të aktorëve ka: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Musa Isufi dhe Ardian Kadriu./ KultPlus.com

Beyoncé, së shpejti me këngë të re dhe turne botëror

Fituesja e shumë çmimeve ndërkombëtare në botën e muzikës, Beyoncé, siç duket është frymëzuar për të punuar më shumë në projekte të reja muzikore, shkruan NME, përcjellë KultPlus.

Beyoncé, është duke punuar në një këngë të re, që pritet shumë shpejtë të fillojë edhe një turne në botë.

“Beyoncé është duke punuar shumë dhe po ndihet më e frymëzuar se kurrë, nga ardhja në jetë e dy binjakëve të saj. Ajo po regjistron materiale të reja dhe po planifikon një ‘turne surprize’ për fansat e saj”, ka thënë një burim për Radar Online, përcjellë KultPlus.

‘Lemonade’, është albumi i fundit nga Beyoncé, të cilin ajo e lansoi në prill të vitit 2016. /KultPlus.com

Mësuesja e cila u torturua deri në vdekje nga regjimi i Enver Hoxhës (FOTO)

Marie Tuci ishte ndër vajzat e pakta shqiptare, e cila guxoi ti dilte kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Ajo ishte një vajzë e re nga Mirdita, e cila sfidoi diktaturën por ajo i ç’ka ndodhi është një tmerr i vërtetë. Ajo lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë.

Më pas u shkollua në shkollën e mesme të motrave Stigmatine në Shkodër. Më pas ajo zgjodhi rrugën fetare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Marie Tuçi u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë. Torturat që ajo kaloi u bënë të ditura vetëm pas përmbysjes së regjimit.

E torturuan deri në deri në vdekje, xhelatët e zhveshën dhe e futën në një thes bashkë me një mace e egër. Ata e godisnin macen e egër me gjëra të forta duke e egërsuar më shumë. Ajo vdiq e masakruar nga torturat në spitalin e Shkodrës më 20 shtator të vitit 1950./ KultPlus.com

Zekiria Cana e Anton Çetta, dy figura të rëndësishme shqiptare

Të dy kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, të cilët, me veprimtarinë e tyre kanë bërë shumë për kombin shqiptar. Historiani Zekiria Cana i njohur për veprimtarinë e tij të shquar, shihet duke biseduar me atdhetarin e madh Çetta, i cili njihet për rolin e tij të madh në pajtimin e gjaqeve./ KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, një dritare e hapur për të gjithë

Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.

“Temperaturat e larta dhe vetë sezoni i pushimeve, nuk kanë të bëjnë me reduktimin e orëve të punës në këtë institucion. Përkundrazi, që nga fillimi i sezonit turistik në 15 maj e deri në përfundim të tij në 15 tetor, orët e punës në Muzeun Historik Kombëtar janë shtuar. Kjo do të thotë që askush që ka dëshirë ta vizitojë atë të mos stepet nga ideja e ditëve të pushimit javor apo të orëve pushim ndërmjet turneve. Muzeu është i hapur dhe aktiv përgjatë gjithë ditëve nga ora 09.00 e mëngjesit e deri në 19.00 të pasdites”, thuhet në njoftimin e MHK-së në rrjetin social Facebook.

Sipas MHK, natyrisht kësaj atmosfere i shtohet dhe iniciativa më e re, ajo e komunikimit online.

“Eja në muze për t’u njohur me thesare kulturore”, është një program që fton çdo të interesuar jo vetëm fizikisht në pavijonet e këtij Muzeu. Përkundrazi, materialet e trajtuara në këtë hapësirë muzeale vijnë tek çdokush nëpërmjet komunikimit onine.

“Në faqen e tij zyrtare, por dhe me atë të rrjeteve sociale, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë aktiv në paraqitjen e informacioneve të zgjeruara. Kjo nuk do të kushtëzohet me aktivitete që zhvillohen brenda këtij institucioni, por dhe ato që kanë të bëjnë me çështjet historike, pra asaj që tanimë jemi mësuar t’i themi: informacion mbi trashëgiminë kulturore”, thekson MHK.

Larmia e objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një itenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë nga antikiteti e deri në ditët tona.

“Postimet do të marrin më shumë vlerë dhe nga fotot përkatëse me të cilat do të shoqërohet çdo informacion i kualifikuar. Dhe kjo përcjellje informacioni nuk do të reshtë asnjëherë. Muzeu Historik Kombëtar nuk mund të shihet thjesht një objekt atraktiv sa i takon arkitekturës, por vetë madhështisë që mbart vlerat historike të një kombi të lashtë. Në zemër të Tiranës, ai përthith disa mijëra vizitorë në vit. Ndërkohë që është shndërruar në një vendtakim seminaresh me nxënës, studentë, e profesionishtë të fushës”, thuhet në njoftimin e MHK-së.

Muzeu Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit ”Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkelogjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte.

Ndër koleksionet më me vlerë të këtij seksioni janë ato që evidentojnë periudhën arkaike dhe periudhën protourbane ilire të kulturës shqiptare. Në pavionin e Periudhës Mesjetare, me më shumë se 300 objekte, realizohet dokumentimi i procesit historik të vijëmësisë iliro-shqiptare. Koleksioni i objekteve të periudhës Mesjetare përfshin: emblema heraldike të princërve shqiptarë, kolona të katedraleve të shkatërruara, relieve dhe ikona të ikonografëve më të mëdhenj shqiptarë si Onufri (Shek. XVI), David Selenica dhe Kostandin Shpataraku i shek. XIII.

Një objekt tepër i çmuar është epitafi i Glavenicës, punuar me ar nga një princ Shqiptar i shek. XIV, Gjergj Arianiti. Koleksionit të kësaj periudhe i është shtuar dhe pavioni i ri i ikonave qe ka në përmbajtjen e vet një ikonostas nga Elbasani dhe 50 ikona të marra nga koleksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës e të mbledhura nga objekte e kultit gjatë 50 vjetëve të fundit në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Pavionet e tjera përmbajnë dokumente e dëshmi të periudhave të tjera si p.sh. të rezistencës kombëtare shqiptare, të Pavarësisë dhe themelimit të shtetit Shqiptar, etj./ KultPlus.com

Programi i DokuFest u prezantua sot në Prishtinë

Në kryeqytet, sot u mbajt konferenca për shtyp e festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 16 -të , të këtij festivali, i cili do të mbahet, në Prizren, nga data 4 deri më 12 gusht, shkruan KultPlus.

Ajo e cila nisi këtë konferencë për media ishte, drejtoresha e festivalit, Nita Deda, e cila shpalosi programin e festivalit, duke theksuar se DokuFest në këtë edicion do të sjellë një program shumë të pasur të filmave dhe poashtu festivali këtë vit do të sjellë edhe shumë risi.

‘Edicioni i 16-të i DokuFest-it, i cili këtë vit e ka në fokus temën e së ardhmes ‘Future’ ka një program shumë të gjerë, me mbi 230 filma të cilët janë përzgjedhur prej mijëra filmave sa kanë aplikuar për të qenë pjesë në DokuFest. Këtë vit festivali ka një program më të pasur edhe në muzikë, me koncertet që do të mbahen në parkun ‘Marash’, ku kisha veçuar koncertin e grupit ANDRRA. Festivali i përfshinë edhe fëmijët, duke shfaq filma për fëmijë dhe përmes punëtorive të ndryshme për fëmijë’, tha ajo.

Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, theksoi si shumë të rëndësishëm programin e fotografisë, DokuPhoto, në të cilin kanë bashkëpunuar me Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ në Shkodër, arkiva e së cilës kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë gjatë viteve 1856-1959 dhe përfshinë fotografi të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.

‘Një ekspozitë shumë të veçantë DokuFest e sjellë në bashkëpunim me muzeun ‘Marubi’ në Shkodër, çka e veçon. Një tjetër risi është Konferenca e Teknologjisë ,e cila mbahet për herë të parë në DokuFest, tregoi Nita Deda.

Ndërsa Veton Nurkollari-drejtori artistik i DokuFest, e vazhdoi prezantimin e programit të edicionit të 16-të të DokuFest, duke theksuar se janë shumë të kënaqur me numrin dhe cilësinë e filmave që këtë vit sjellë festivali, i cili sipas tij është më i pasuri.

‘Ne jemi gati që të premten të fillojmë edicionin e 16-të të DokuFest-it, një edicion në të cilin kemi punuar hiç më pak një vit, që nga përfundimi i edicionit të vitit të kaluar. Jemi shumë të kënaqur me atë se çka artistët do të prezantojnë në këtë edicion, jemi të kënaqur me përzgjedhjen e filmave, jo vetëm me numrin por edhe me cilësinë e filmave që vijnë nga Kosova, nga rajoni por edhe nga shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës. Si çdo vit ne do të shfaqim filma në gjashtë kategori garues, ku kemi përzgjedhë 102 filma, ku do të ketë disa premiera dhe filma që vinë nga festivalet të mëdha botërore dhe fitues të çmimeve të ndryshme në festivale. E veçantë tjetër është se në këtë edicion DokuFest paraqet një retrospektivë të punës së regjisorit britanik John Smith, duke shfaqur 21 filma të tij dhe duke ofruar një master-klasë me regjisorin’, tha Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i DokuFest-Eroll Bilibani, përveç që foli për programin e pasur, ai poashtu theksoi mungesën e përkrahjes nga institucionet e vendit.

“Fatkeqësisht as këtë vit nuk kemi marrë përkrahje institucionale. Do të ishte mirë që institucionet tona të marrin mësim nga bizneset dhe nga fondacionet e ndryshme, të cilët në vazhdimësi kanë përkrahur festivalin dhe po vazhdojnë të përkrahin. Ju mund të vëreni edhe që numri i bashkëpunëtorëve nga komuniteti i biznesit është rritur shumë”, pohoi Bilibani.

Tema e së ardhmes do të theksohet në edicionin e sivjetmë të DokuFest, i cili organizohet nga data 4 deri më 12 gusht në Prizren. Gentianë Morina/ KultPlus.com

Hapet panairi artizanal në Malishevë

Në kuadër të shënimit të Ditëve të Mërgatës, sot në Malishevë është hapur edhe panairi artizanal, ku po prezantohen punimet e dorës në veshje, dekorime në bizhuteri, si dhe të ushqimeve tradicionale.

Në hapjen e panairit morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi.

“Unë ju përgëzoj në rend të parë për punën që po e bëni dhe në të njëjtën kohë, për kultivimin e vlerave të mirëfillta shqiptare, tradicionale, përmes veshjeve dhe ushqimeve, shtrojës dhe mbulojës dhe gjërave tjera nga tradita jonë”, tha Mazreku, me rastin e hapjes së panairit.

Për punën që po bëjnë, sidomos gratë të cilat përmes artit të punimit të veshjeve dhe ushqimeve tradicionale, i ka përgëzuar edhe drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi. Ajo gjithashtu ka thënë se “panairi tashmë tradicional, organizohet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës dhe me këtë rast ju ka dëshiruar mirëseardhje edhe të gjithë mërgimtarëve nga Komuna e Malishevës”.

Krasniqi, gjithashtu tha se “përveç panairit, në kuadër të ditëve të mërgatës, mbahet edhe festivali folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt, festival në të cilin prezantohen vlerat e mirëfillta të folklorit”./ KultPlus.com

Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim, shkruan Konica.al. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi
M’u tret nëpër duar tani
më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar
lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar
të njohur asnjë s’kam takuar
Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike
Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje
që pastaj rrugëve të endem
jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem
Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem
Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht
Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht
Është thjesht një vrap në arrati
drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet
e në ritmin e dajres tënde përdridhet,
është thjesht një klloun që vërtitet
një i pavlerë që nuk shqitet
është thjesht një hije që përpiqet
ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim
Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira
Tek pemët strukur e harruar,
Në plazhin me erë harbuar
Larg nga laku i shtrënguar
I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri
me siluetën e detit pa kufij
Zhytur në rërë si në cirk
Futur thellë nën valë me nxitim
Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com

Pesë fitues të ‘Fondit në mbështetje të Krijimtarisë Letrare’

Për të dytën herë Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë mbështet autorin, përmes projektit “Fondi në mbështetje të Krijimtarisë Letrare”, përcjell KultPlus.

Këtë vit iu dha përparësi mbështetjes së krijuesve të rinj, deri 35 vjeç.
Nga 16 autorë sa kanë konkurruar në gjinitë prozë dhe poezi, u përzgjodhën 5 fitues.

Juria e përbërë nga shkrimtarët Luljeta Lleshanaku, Arian Leka dhe Parid Teferici – pas kryqëzimit të pikëve të secilit, arriti si përfundim tek përzgjedhja e autorëve siç janë: Saimir Muzhaka, Manjola Nasi, Eris Rusi, Elona Çuliq dhe Belfjore Qose.

Theksojmë se anëtarët e jurisë i dhanë gjykimet e tyre në respekt të plotë vetëm të vlerës së projektit letrar, pa marrë parasysh emrat dhe jetëshkrimet e autorëve./ KultPlus.com

Ata që dashurojnë akoma

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.