RTK sqarohet pse ndërpreu transmetimin e koncertit të Rita Orës

Televizioni publik i Kosovës, RTK ka dhënë sqarimin pse ka transmetuar vetëm 2 këngë të Rita Orës, e jo gjithë koncertin. Ky është njoftimi i plotë i tij në Facebook:

Te nderuar po e shoh se perkunder paralajmerimeve ne RTK se kemi siguruar te drejten vetem te dy kengeve te Rita Ores, njerez te pa informuar dhe qellimkeqinj po mundohen me shpifje ta njollosin RTK-ne. Rita Ora ka kontrate ne Kompanine WARNER.

Si e tille nuk ka te drejte qe te kendoje dhe kenget e saj te transmetohen ku te do sepse ka marreveshje per te drejtat e autorit. Para se te merreni me shpifje lexoni ligjin per te drejtat e autorit e poashti edhe lexoni per gjobat qe mund te pasojne ne rast se shkelet marreveshja.

RTK bashke me Kompanine AMC ka arritur marreveshje me shkrim me WARNER per keto 2 kenge te cilat WARNER nuk ka lejuar te transmetohen as ne satelit, as ne Youtube e as ne rrjetet sociale por vetem ne territorin e Kosoves (Free To Air).

Po ua bashkangjes komunikimin e fundit me email.

P.S. RTK dhe AMC posedojne kontrate me shkrim per transmetimin e sontem andaj cdo transmetim tjeter televiziv eshte bere ilegalisht andaj ata qe e bene i dijne pasojat dhe do te ballafaqohen me to.

Rita Ora do të dekorohet nga Presidenti

Pas performancës së jashtëzakonshme në Prishtinë, Rita Ora do të dekorohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Dekorimi i saj nga Presidenti pritet të bëhet në aeroportin “Adem Jashari”.

Mijëra qytetarë sot u mblodhën në sheshet e Prishtinës për të parë performancën e Rita Orës me rastin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë.

Rita Ora ndezi atmosferën me këngët e saj “I Will Never Let You Down” dhe “Shine Your Light”, përderisa befasoi publikun duke kërcyer “Vallen e Shotës” në një miksim me këngë të saj.

Rita Ora e ndezë Prishtinën me “Vallen e Shotës” (VIDEO)

Ka filluar koncerti i Rita Orës në Prishtinë për dhjetë vjetorin e Pavarësisë.

Befasia për publikun shqiptar nga Rita Ora ishte një miksim i “Valles së Shotës” me këngë të saj.

Ajo gjithashtu edhe ka vallëzuar duke elektrizuar publikun në kryeqytetin e Kosovës për dhjetë vjetorin e Pavarësisë.

LAVDI DËSHMORËVE, mesazhi në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës

Gjatë koncertit të Rita Orës sonte në Prishtinë, këngëtari Ledri Vula e tha edhe vetë frazën “Lavdi Dëshmorëve”.

Një pano e madhe me të njëjtin mesazh është vënë vertikalisht në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, bashkë me flamurin e Kosovës ngjitur lart si dhe stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazetaret e KultPlus na sjellin këto pamje.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, është koha të reflektojmë e kujtojmë edhe dëshmorët që ranë në luftë dhe falë të cilëve gëzohet kjo pavarësi e bëhet kjo festë e ky gëzim. / KultPlus.com

“Mos u shtyni ju lutem”, njerëzit nuk kanë durim në koncertin e Rita Orës

Moderatorja e koncertit për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është detyruar të dalë në skenë për të bërë një lutje për publikun i cili është në masë të madhe në dy sheshe.

“Mos u shtyni ju lutem, sepse mund ta lëndojmë njëri tjetrin”, ka thënë ajo teksa, pamjet në televizionin publik kanë shfaqur dyndje të madhe njerëzish, teksa festa e Pavarësisë tashmë ka marrë një jetë njeriu – pasi një 60 vjeçar ka vdekur pasi është alivanosur në shesh të Prishtinës.

Koncerti ku pritet të këndojë Rita Ora ka mbushur të gjithë sheshet kryesore në Prishtinë. Ledri Vula ka hapur koncertin.

Hidhërohen serbët me Ritën: Për ne më nuk ekziston!

Bukuroshja Rita Ora, e cila pritet pas pak minutash të zhvillojë koncertin e saj të madh në Prishtinë për nderë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka zemëruar fansat e saj serbë.

Kjo ka ardhur pas publikimit në faqen e saj në Instagram të një bluze me logo të dizajnuar enkas për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

“Herët apo vonë do të humbni mbështetjen amerikane, e më pas do të merrni fund. Kosova – tokë e shenjtë serbe. Gjithmonë ka qenë ashtu, dhe gjithmonë do të mbetet kështu”, ka shkruar një komentues serb.

Fotografia kryesore: Laura Hasani

Denis Hyseni u shpërblye me vendin e parë në konkursin për ese “Për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”

Vendi i dytë në garën për ese i takoi Gentiana Azemi kurse Erzë Koca, zuri vendin e tretë.

Alberina Haxhijaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës solli organizimin “Kosova – nga historia në shtetësi”, shkruan KultPlus.
Në kuadër të këtij organizmi u shfaqën tituj të zgjedhur të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Libri për historinë e Kosovës 1912 – 2018”. Përmes saj u dha historia e zhvillimit të institucioneve publike, kulturore e shkencore dhe ndikimi i tyre.

Ndërsa muret e katit të dytë të Bibliotekës Kombëtare ishin të mbuluara përreth me lajme dhe ngjarje të prezantuara në gazetat e Kosovës, të cilat tregonin ngjarjet që kanë lënë gjurmë në Kosovë gjatë këtyre 10-të viteve. Ky publikim i artikujve i cili u bë nën moton “Kosova e 10-të Vjet Pavarësi”,
Gjithashtu u shfaq edhe një ekspozitë e artikujve të gazetave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nën sloganin “Eksodi 1999”. Në tersi artikujt japin dramën njerëzore të shqiptarëve të përndjekur të Kosovës në vitin 1999 dhe mikpritja dhe përkrahja që marrin në Shqipëri.
Drejtori i bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, u shpreh se pesë komponentët të cilat po shfaqen mund të konsiderohen si të ndara por së bashku tregojnë udhëtimin prapa në kohë të Kosovës nga viti 1912 e deri sot.

“Për një shtet si Kosova që dëshiron me jetu dhe me u zhvillu, kujtesa dhe ruajtja e saj kanë një rëndësi të madhe në vetvete dhe për këtë duhet punuar pa u ndal. Gjithashtu më kërku skutave e hullive për të identifikuar të dhënat e fshehura për Kosovën. Më i zbulu të shkuarat e të harruarat pasi që shumë shpejtë po lëvizim në domenin e asaj që historikisht quhet një Bibliotekë Nacionale e shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas tij kulturën e Kosovës që po e grumbullojnë e po e ruajnë, por edhe atë që e ekspozuan sot është një përpjekje e Bibliotekës Kombëtare që të bëhet një depo e madhe e kujtesës dhe përmbajtjes kombëtare të shtetit të Kosovës.
Pjesë e këtij aktivitet ishte edhe ekspozita “Shkruajmë e vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës” e nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”. Nxënësit e kësaj shkollë sollën përmes shkrimeve e vizatimeve të tyre elemente të cilat kanë rëndësi për Kosovës si: NEWBORN, hartën e Kosovës, flamurin, e madje edhe heronjtë si Adem Jasharin. Sigurisht, disa prej tyre të ndërthurura edhe me elemente që ishin ndërthurur bukur nga imagjinata e tyre, si pëllumbat, lulet e që bartin mesazhe të caktuar.

Po ashtu u bë edhe ndarja e shpërblimeve për fituesit e Konkursit për Esenë për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Vendi i dytë në garën për ese i takoi Gentiana Azemi kurse Erzë Koca, zuri vendin e tretë. Denis Hyseni, student për Shkenca Kompjuterike në UBT, i cili fitoi vendin e parë, sqaroi për KultPlus se esenë e tij e ka filluar me emocionet e përziera të cilat i ka ndjerë më 17 shkurt 2008, ditën kur edhe u shpall Pavarësisë e Kosovës. Duke vazhduar tutje me atë se si e sheh tani Kosovën.

“Për konkursin e kam marrë vesh shumë rastësisht. Kam qenë duke hulumtuar krejtësisht diçka tjetër në faqe të Bibliotekës dhe kur e kam parë konkursin vendosa që të garojë, duke mos e menduar se edhe do të zgjidhem fitues. Fillimisht e kuptova se isha përzgjedhur në top 75, nëse nuk gaboj, kurse tani sigurisht që ndjehem shumë mirë”, u shpreh ai për KultPlus duke treguar se do të dëshironte që gjërat të mos ishin aq shumë të ndërthurura më politikën, dhe të rinjtë ti dedikohen më shumë edukimit dhe të mos e shohin politikën rrugën e vetme për të arritur deri të një qëllim i caktuar./ KultPlus.com

Ramë Lahaj, uron shqiptarët për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Tenori shqiptar Ramë Lahaj, nëpërmjet një videoje, uron të gjithë shqiptarët për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ai shpreh keqaredhjen që nuk ka mundur të jetë i pranishëm në Kosovë, por prej Parisit, ai ka përshëndetur të gjithë qytetarët, nëpërmjet një interpretimi/KultPlus.com

Zbulohet befasia e madhe që paralajmëroi Rita Ora

Kur publikoi një video në llogarinë e saj në Instagram, Rita ora po ftonte gjithë shqiptarët t’i vinin në koncert.

Rita në videon me mesazhin e dashurisë për bashkë kombasit e saj, paralajmëroi edhe një surprizë përderisa në fund bën shqiponjën e dëgjohet në sfond edhe “Shota”.

Ajo do performojë për nder të 10-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në zemër të Prishtinës, në vendlindjen e saj dhe momenti i surprizës po afrohet.
Prive raporton të ketë zbuluar befasinë e Ritës.

Këngëtarja do këndojë në shqip pikërisht Shotën, ndërsa valltarët që e shoqërojnë do vallëzojnë me melodinë e kësaj kënge të bukur shqipe që e dinë të gjithë

????????????????????????????????????

Yllka Domi, poetja që e ndjente vdekjen e saj dhe lirinë e vendit (FOTO)

Yllka Domi, përfaqëson emrin e një poeteje të re në kohën e vendit të saj të okupuar. Yllka njëherit nxënëse e shkëlqyer e shkollës “Mazllom Këpuska” në Gjakovë, herët u dallua për shkathtësitë e saja organizative, por edhe për talentin e rrallë që kishte për shkrimet dhe krijimtarinë letrare. Qysh herët ajo iu përkushtua shkrimeve, aktrimit dhe vallëzimit, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Emri i Yllka Domit, ka lenë një gjurmë të pashlyer tek njerëzit me të cilit është rritur në kohën më të vështirë të vendit. Rrethanat e kohës, e fryma patriotike e familjes, bën që me shtatin e saj, të rritej edhe dashuria për atdheun. Yllka Domi në sytë e saj kishte shkëlqimin e një artisteje, në shpirt kishte jehonën e një poeteje e në mendje kishte vizionin e një atdhetareje. Portreti i saj vjen me buzëqeshjen e shikimin e butë në njërën anë. Pas shkuarjes në UÇK, ajo nuk do t’i kthente më kurrë sytë nga Kosova. I depertueshëm është sot vargu i saj i cili i himnizon lirisë së vendit, dashurisë deri tek shpërfaq parandjenjat për pragun e fundit të jetës se saj. Yllka Domi, do të mbetej një emër që simbolizon veprimtarinë më të çmueshme të kohës e se saj. Emri i Yllkës nënkupton vargun e këputur, megjithatë dy ditë para vdekjes, ajo vendit i lë amanet poezinë. Përmes poezisë, Yllka la vargjet të cilat kumbojnë për vdekjen e saj ende pa prekur dekadën e dytë të jetës. Edhe pse po vdiste si një dëshmore, Yllka përmes poezisë së saj të fundit nuk po kërkonte përmendore, i do vargjet me rërën e detit, e një shkop afër kokës.

Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.

Përmendore nuk dua…!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendosni afër kokës sime.

Ashtu siç edhe kishte dëshirë ashtu edhe u radhitë në Brigadën 137 Gjakova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila po zhvillohej në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Data 7 Maj e vitit 1999, shënon ditën e vrasjes së Yllkës së bashku me disa bashkëluftëtarë.Yllka Domi u vra me snajper nga forcat serbe, në Çabrat. Kriminelët serbë për të fshehur gjurmët e krimit, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë (Serbi). Pas identifikimit të eshtrave të Yllka Domit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, u rivarros me 23 dhjetor të vitit 2003,në kodrën e Çabratit në Gjakovë. Yllka Domi është shpallur dëshmore e kombit.

Amanet nënshkrimet e juaja mos i lini,
mund të komunikoni fshehurazi
deri në sosjen e emrit tim.
Atje poshtë e lart, pa skena të zbehta
nën mbrëmjen, nën qiellin e pastërt


Ky është mesazhi i fundit që Yllka Domi, e la me poezinë e saj të fundit. Yllka e palos këtë poezi , dy ditë para se të vritej ku edhe ia dhuroi si amanet për botim, bashkëluftëtare e mikes së saj- Shkëndie Hodës. Shkëndija e cila është rritur në një lagje me Yllkën, sot ai vend ia kthen më shumë se kurrë kujtimet për Yllkën që iku shumë herët.

“Takimi im i fundit me Yllkën ishte data 5 Maj 1999 vetëm dy dite para se te vritej, atë ditë Yllka ma dhuroi një poezi “Amanet ju lë”, ku kërkoi qe nëse ajo vritet kjo poezi te botohet me çdo kusht. Yllka pati fatin e shenjt dhe ra dëshmore dy ditë më pas”, rrëfehet për KultPlus, shoqja e saj Shkëndie Hoda e cila po ashtu i ka shkruar shumë poezi Yllkës, ndërsa së bashku me Mevlyde Saraçin kanë shkuar një libër “Në rrugëtim me Yllka Domin”.

Shkëndie Hoda: Mungesën e Yllkës e ndjej tek pena, tek kujtimet e luftës, e në shkallët e teatrit

Shkëndie Hoda, po ashtu tregoi se Yllka vazhdimisht gjente koha për të shkruar, e për të lexuar. Ndërsa pas vetes barte librin “Ana Karanina”, të Leo Tolstoy. Shkëdia thotë se mungesën e Yllkës e ndjen tek pena, tek kujtimet e luftës, në shkallët e teatrit.

“Më mungon në lagje ajo Yllka e cila ishte lozonjare dhe e ëmbël. Ajo ka qenë një vajzë e veçantë dhe si e veçantë ja la një histori qytetit te saj. Yllka me mungon kudo”, shprehet Shkëndia ndaj kujtimit të veçantë që e ruan për Yllkën.

Yllka Domi, la po ashtu një poezi që kumbon veçantinë e stilit të saj në secilin fjalë. Poezia e saj “Ti fluturon me dallëndyshet”, sot lexohet edhe tek nxënësit në shkolla, dhe është personifikim i jetës e brengave të saj.

“Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë,
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë,
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj
E për këtë gjë unë tani po vuaj”

Lidhur me vargun e saj, Shkëndie Hoda e pohon atë se Yllka po e ndjente vdekjen në cdo moment e më shumë, madje kjo jo vetëm që reflektohet në poezitë e saj por edhe në bisedat e fundit të tyre.
“Yllka aq shume e ndjente vdekjen, sa shume herë na thoshte “Ju do ta shijoni lirinë, por shijojeni edhe për ne”, dhe kjo na fuste gjithmonë ne grindje, sepse vdekjen e kishte si pasqyre të syve”, tregon Shkëndie Hoda për KultPlus, e cila thotë se edhe pse vdekja e Yllkës i jep një dhimbje të papërshkrueshme, ajo sot më shumë se kurrë ndihet krenare me të.

Dikur Yllka në mënyrë shumë artistike lexonte poezitë e poetëve të mëdhenj. Ajo sot është frymëzim i poeteve te rinj, e pjesë e këngëve të tyre. Është dashuria e veçantë që Yllka me pak vite jetë e mbolli tek të gjithë. Poetja Mevlyde Mezini- Saraçi tha për KultPlus se Yllkën e ka njohur si nxënëse të shkollës fillore “Mazllum Kepuska”, përmes organizimeve që nuk i ndalnin as rrethanat e okupimit.
“Yllka kishte shume talent. Ishte një poete që premtonte shumë”, thotë poetja Mezini. Ajo, ashtu si të tjerët e kujtojnë atë si një nxënëse të shkëlqyeshme, të edukuar me një kulturë të veçantë të mirësjelljes. Mbi të gjitha Yllka kishte një shpirt human. Poetja Myvlyde Mezini- Saraçi përmes një bisede me KultPlus na e përshkruan pamjen e saj, që reflektonte preukopimet e brendshme të asaj kohe.
“Kishte një shkëlqim dhe bukuri te veçante me shtatin e saj të gjatë, ata te sy të bukur me vetulla si harqe, ajo kishte një buzëqeshje të lehtë që brenda fshihte pikëllimin, jo vetëm për babanë Afrimin i cili ndodhej ne burg në ato kohë, por edhe për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej populli ynë”, tregon Mezini Saraçi.

Poezitë e saj janë një përshëndetje me jetën

Myvlyde Mezini Saraçi thotë se fakti që Yllka ishte rritur në një familje patriotike, ka bërë që në moshë të re, të piqej para kohe dhe t’i gjykonte gjërat shumë më larg se sa i përgjigjej moshës së saj.
“Humbja e Yllkes përveç se ishte humbje e një ushtareje të UÇK-së ishte edhe humbje e një kuadri intelektual, një atdhetareje dhe poete e cila sigurisht se do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtylle e kulturës dhe letërsisë, mbi të gjitha edhe një humaniste e vërtetë e cila do t’ia dinte vlerën e lirisë”, shprehet poetja Mezini.

Yllka e bankave të shkollës

Blerim Valla, ishte arsimtari i gjuhës shqipe, tek i cili Yllka drejtohej sa herë që kishte ndonjë poezi të re. Kureshtare e plot energji, e kujton ai sot Yllkën. Talenti i saj kapërcente moshën në të cilën ajo ishte, andaj edhe arsimtari Valla thotë për KultPlus se e ndjente se Yllka një ditë do të shpërthente në hapësirën poetike të qytetit të Gjakovës.

“Në hapat e parë të poezisë Yllkën e karakterizonte shpirti i çiltër, i pafajshëm,si gjithë moshataret e saj, por me kalimin e viteve, poezia e saj filloi te jetë nga pak e ngrysur, përplot pyetje retorike, edhe kur fliste për dashurinë, për lirinë etj. Kjo ishte e arsyeshme, pasi edhe koha ishte e atillë, në vitet e ‘ 90-ta. Yllka ishte rasti me i mirë ku mund të barazohej një: si personaliteti i saj me unin e saj poetik”, shprehet arsimtari Valla.

Ai thotë se pak nga pak në poezitë e saj filluan të ndihen tonet pesimiste dhe gatishmëria e saj flijuese për liri. Ai thotë se humbja e saj, përvec se është një humbje e madhe njerëzore, është edhe një humbje e madhe për fushën e artit dhe kulturës.

“Në poezitë e saja që i lexonte nëpër manifestimet e ndryshme letrare e qe unë kisha fatin t’i lexoja ndër me të paret por edhe ti vlerësoja si pjesëtar jurie, sidomos ne vitet e fundit te jetës se saj, para se te vritej nga paramilitaret serb ne maj te vitit 1999, vërtet kishin tone pesimiste. Ndjehej shpirti i saj sakrifikues por edhe optimist për te ardhmen e panjohur që po vinte, por edhe një gatishmëri e saj flijuese për liri”, tha arsimtari Valla, ndërsa shtoi se mu ky motiv poetik bën që jo vetëm poezia antologjike “Ti fluturon me dallëndyshen “por edhe gjitha poezitë e saja qe i kishte lënë ajo në dorëshkrim e që më vonë, pas luftës u botuan në një libër, estetikisht kane vlera të larta në formë dhe në përmbajtje.

Tashmë është bërë traditë që në Gjakovë cdo vit të jepet “Çmimi letrar Yllka Domi”, çmim ky i cili jepet për poeteshën me te mirë, pjesëmarrëse ne manifestimin letrar ne Mitingun e Poezisë qe mbahet për çdo vit në Gjakovë./KultPlus.com

Të hollat nga shitja e bluzave të Rita Orës shkojnë për bamirësi

“Qetësi para stuhisë! Këto bluza janë bërë enkas për vendin tim të mrekullueshem për në përvjetorin e Pavarësisë! Të gjitha të ardhurat do shkojnë për bamirësi. Kena me kall! Jemi kaq afër koncertit!”, shkruan Rita Ora.

Violinisti Klajdi Sahatçi dhe kitaristi Petrit Çeku, gërshetimi i bukur muzikor vjen në Prishtinë

Alberina Haxhiaj

Petrit Çeku dhe Klajdi Sahatçi kanë sjellë mbrëmë në Prishtinë një atmosferë të ngrohtë, me koncertin e tyre në kuadër të festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Violinisti Klajdi Sahatçi dhe kitaristi Petrit Çeku, kanë sjellë disa herë vepra së bashku, mirëpo bashkimi i tyre për herë të tretë në koncertin e organizuar nga Ambasada e Francës dhe Arda Rei, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, i dhuroi tingujt më të bukur këtij organizimi.

Klajdi solli një copë Shqipëri në Prishtinë përmes lëvizjeve të tij në violinë, kurse notat e tij të fuqishme tregonin se sa e fuqishme është edhe lidhja e tij me Kosovën. Në anën tjetër kitaristi Petrit Çeku dëshmoi përsëri aftësitë e tij para vendlindasve. Çeku i cili mësimet e para në kitarë i mori nga kitaristi Luan Sapunxhiu, nuk nguroi të shfaqte se emocionet më të veçanta ia dhurojnë bashkëkombësit e tij.

Klajdi Sahatçi në këtë koncert shfaqi gjithë dashurinë e tij për Kosovën, njëlloj siç kishte bërë në adoleshencën e tij. Ai duke qenë se ishte në Francë gjatë kohës kur në Kosovë ndodhi lufta dhe gjenocidi, ndihmoi refugjatët kosovarë të cilët gjetën strehë ne vendin ku Sahatçiu tashmë po hidhte edhe hapat e tij drejtë suksesit ndërkombëtar.

“Kam qenë në Francë kur kosovarët kanë ardhur atje si refugjatë, dhe më kujtohet edhe që kam mbledhur para për ‘Kryqin e Kuq’ për të ndihmuar kosovarët. Duke kujtuar këtë fazë mu kujtuan të gjithë këto gjëra në këtë përvjetor të Pavarësisë dhe u ndjeva shumë i lumtur që arrita të jap kontributin tim. Duke pasur edhe këto kujtime, dhimbjen dhe duke kujtuar ato që populli kosovar ka kaluar, jam i lumtur që pata mundësin që t’ju jap pak kënaqësi dhe pak gëzim njerëzve që ishin të pranishëm”, u shpreh violinisti për KultPlus.

Në këtë koncert erdhën vepra nga kompozitorët Niccolo Paganini, Bele Bartok, Thomas Simaku dhe Astor Piazzolla. Siç u shpreh edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, dhjetë vite mund të jenë pak për një vend të vjetër si vendi i tij, por nënkuptojnë shumë për një shtet të ri siç është Kosova.
Kurse pikërisht kjo e fundit ka shumë punë përpara. Violinisti Klajdi Sahatçi i cili do të rikthehet përsëri në Kosovë në kuadër të Chopin Piano Fest, shtoi se të gjithë duhet të ndihmojnë në zhvillimin e skenës kulturore.
“Në jetën kulturore në Kosovë dhe Shqipëri nuk diskutohet që ka përpjekje për të bërë gjëra sa më shumë, ndonjëherë më cilësore, ndonjëherë jo aq cilësore po e rëndësishme është që ka përpjekje. Mendoj që institucionet duhet të na ndihmojnë më shumë pasi që është punë buxheti por jo vetëm institucionet por edhe të tjerët, madje edhe biznesmenët kushdo që munden, të sensibilizohen për t’i dhënë më shumë jo vetëm muzikës klasike por artit në përgjithësi”, përfundoi ai.

Koncerti u shoqërua me duartrokitje dhe bëri që dy instrumentistët të ktheheshin edhe një herë në skenë për të falënderuar publikun.
“Jam shumë i kënaqur që e pata këtë hapësirë që të jem prezent gjatë 10-të vjetorit të Kosovës ashtu siç isha shumë i kënaqur që para disa viteve isha prezent në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, mendoj që duhet të gjithë ta shohim këtë festë me pozitivitet më të madh. Klajdi Sahatçiu është një muzikant i klasës së parë, një artist që ka një kompetencë të jashtëzakonshme dhe e merr vëmendjen e të gjithëve, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që të bashkëpunoj më të. Unë gjithmonë e shfrytëzoj rastin që nga këto koncerte të marr mësim nga ai”, u shpreh Çeku për KultPlus.

Kitaristi Petrit Çeku i cili me tingujt e tij që buronin nga kitara e ndërtuesit Ross Gutmeier mori në një udhëtim të bukur muzikor të pranishmit në këtë koncert, theksoi se veprat artistike janë ato që e mbajnë kulturë, e një vendi gjallë ndër vite.

Vitet kur Kitaristi Petrit Çeku ka qenë në Kosovë, e që kanë qenë disa vite pas luftës, kanë pasur ndikim mbi kitaristin i cili bëri thirrje që idetë artistike të cilat kanë qenë frytdhënëse në Kosovë të përkrahen më shumë.
“Puna që e kanë bo festivalet e muzikës klasike, si ReMusica, DAM-i, Festivali i Muzikës Kamertale dhe të tjerë është diçka e jashtëzakonshme dhe që ka ndikuar në mua posaçërisht. Madje disa ministri të kulturës nuk munden ta bëjnë një punë kaq të frytshme sa bëjnë këto festivale në Kosovë. Mirëpo po e shoh që fatkeqësisht nuk e kanë përkrahjen e duhur . Ajo që kisha dashur që të apeloj në Kosovë është që të mbështetet vazhdimi i një ideje që ka qenë frytdhënëse gjatë viteve. Prandaj një festival i cili që 15-të vite ka krijuar gjëra jashtëzakonisht të rëndësishme duhet të mbështetet dhe duhet të jetë prioritet pasi prapa qëndron një rezultat i jashtëzakonshëm dhe përpara do të jetë një sukses edhe më i madh nëse mbështetja vazhdon. Kjo vlen edhe për Filharmoninë e Kosovës e cila po bën një punë shumë të mirë. Unë gjithmonë me shumë kënaqësi edhe po i përcjellë koncertet kur po jam në Prishtinë, dhe ajo që na nevojitet është salla koncertale”, u shpreh ai për KultPlus. / KultPlus.com

“Xixëllonjat” i këndojnë Pavarësisë së Kosovës

Në sheshin “Zahir Pajazit” sot për nder 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është ngjitur për të kënduar edhe grupi artistik për fëmijë” Xixëllonjat”, shkruan KultPlus.

Grupi artistik i fëmijëve “Xixëllonjat” i cili këtë vit do të festojë 20-vjetorin e themelimit, këndoi para publikut këngë të ndryshme, e disa prej tyre kushtuar edhe Kosovës. KultPlus ju sjellë fotografi dhe video nga kjo përformancë e fëmijëve.

“Na lejoni ne të flasim, do këndojmë nuk do bërtasim, ne fëmijët mirë e dijmë si ta gëzojmë pavarësinë”, ishin vargjet që kumbuan sot në shesh , pikërisht nga fëmijët e grupi artistik ”Xixëllonjat”, nën dirigjimin e Drita Rudit.
“O moj lule kuqe, mu në mes të drurit kush ta ka dhuruar ngjyrën e flamurit, o moj lule kuqe mu në mes të drurit kush ta ka dhuruar ngjyrën e flamurit. Ngjyrën e flamurit na e fali bota e jonë se në mes të drurit rritem unë gjithmonë”, vazhdonin tutje të këndonin të vegjlit nga grupi artistik për fëmijë “xixëllonjat”

“Jam një çikë çapkënë, e dua këngën shumë, nga shoqet e mia thonë nuk ka si unë, nga ëndërrat e mia njërën do të veçojë, këngën tonë kombëtare shumë e fantazoj, njërën ja thash mamit, folëm, biseduam, pastaj erdhi babi oh sa u gëzua, u vendos kjo punë, shpejt do të konkurrosh, ti je këngëtare, të gjithë do i gëzosh”, vazhdoi tutje kënga tjetër.

Drita Rudi, themeluese e grupit “Xixëllonja”, ka thënë për KultPlus se ndihet mirë që puna e saj po prezantohet në ngjarjet më të rëndësishme shtetërore. “Puna dhe përkushtimi ynë me Xixëllonjat ka bërë që prezantohemi në ngjarjet më të rëndësishme, por një meritë të madhe kanë edhe xixat e vogla, të cilat janë të rregullta me provat e tyre, e padyshim nuk mungon më pas edhe suksesi”, ka thënë Rudi. /KultPlus.com

Rita Ora: Gjithmonë e kam përmendur faktin se jam shqiptare (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Rita Ora, përgjatë konferencës së saj të mbajtur në Prishtinë me rastin e koncertit të saj, që do ta mbaj sonte për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka treguar për emocionet e saj për këtë koncert, e cila e ka vlerësuar si një koncert më të veçantë, karshi koncerteve të tjera që i mban në katër anët e botës, shkruan KultPlus.

Ajo, për të treguar për rrënjët e saj, përgjatë konferencës ka bërë edhe simbolin e shqiponjës.

Gjithashtu ajo ka përmendë se në të gjitha koncertet e specifikon faktin se është shqiptare.

Kurse ajo ka kujtuar se në fillim ishte këngëtarja e vetme shqiptare në tregun ndërkombëtarë, kurse tashti ka përmendur edhe Dua Lipën dhe Bebe Rexhën./ KultPlus.com

Rita Ora e bën shqiponjën me duar, në mes të Prishtinës

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka uruar për përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës derisa ka dhënë mesazh se “sa më të bashkuar që jemi, aq më të mëdhenj bëhemi”

Krijuesja e shumë hiteve botërore ka thënë se koncerti i saj do të fillojë në orën 22:00 ndërsa koncerti është bërë ashtu siç ka kërkuar ekipi i saj.

“Fillimisht urime pavarësia. Jam e lumtur që jam këtu. Kam vendosur që ta sjell gjithë ekipin në Prishtinë sepse do të bëjmë njërin prej koncerteve më të mira ndonjëherë. Jam shumë e lumtur që jam këtu. E di se jemi vend i vogël, por është i bukur. Është vetëm fillimi i një udhëtimi të mrekullueshëm”, ka thënë Rita Ora në konferencën për media.

“Po të kisha një mesazh, do të ishte: e keni një shans për ta prezantuar veten dhe të njiheni. Të jeni së bashku dhe të ftoni njerëzit. Sepse sa më shumë që jemi, më të mëdhenj bëhemi”, ka shtuar ajo.

“Bëni çfarë të mundeni dhe qëndroni bashkë për ta prezantuar Kosovën”.

Rita Ora: Nuk kam qenë asnjëherë më nervoze se sot

Rita Ora sonte do të sjellë koncertin më të mirë ndonjëherë në Kosovë.

Kështu tha ajo vetë sot në konferencën për media, para koncertit të saj sonte në kryeqytet.

“Dua ti bëj njerëzit të lumtur, sot është dita e festës dhe jam nervoze për këtë paraqitje. Kur kam nisur të këndoj kam qenë ndër të vetmet këngëtare shqiptare. Sot është Bebe Rexha, Dua Lipa dhe emra të tjerë që kanë arritur famën, dhe kjo më bën të ndihem mirë” ka thënë mes tjerash Rita sot në konferencë.

Ajo sonte do të ngjitet në Prishtinë në koncertin e saj, pas orës 22:00.

Në konferencë ajo ka uruar Pavarësinë e Kosovës, dhe ka thënë se është e lumtur që në këtë ditë gjendet në Kosovë.

“Kur vjen nga një vend i vogël, duhet ta dish se me anë të muzikës mund të kesh efekt. Për mua ka qenë udhëtim i gjatë e i lodhshëm por sonte vendi më i mirë për mua është Kosova, dhe mund të isha kudo tjetër por jam këtu” ka treguar Rita në këtë konferencë.
Rita gjatë konferencës e ka bërë shqiponjën – simbolin kombëtar, me duart e saj, ndërsa nuk ka preferuar të flasë më shumë se dhjetë minuta, sa ishte edhe koha e pyetjeve.
Ajo thotë se kurrë nuk thotë kurrë, prandaj një bashkëpunim në të ardhmen i Ritës, Duas dhe Bebe Rexhës, nuk është një ide e keqe. / KultPlus.com

Foto: Valerie Plesch / Twitter

Elvana Gjata uron për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Këngëtarja Elvana Gjata ka uruar për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

“Ne Shqiptarëve, jeta na ka mësuar që gjithmonë të bëhemi NJË.. Gëzuar Kosovë, e lirë dhe e pavarur. Qofshim gjithmonë krahë për krahë njëri tjetrit”, ka uruar Elvana Gjata.

#kosova10🇽🇰

A post shared by Elvana Gjata (@elvanagjataaaa) on

#kosova10🇽🇰

A post shared by Elvana Gjata (@elvanagjataaaa) on

Rita Ora: Kjo natë do të mbahet mend gjatë (FOTO)

Rita Ora, ylli ndërkombëtar çaste më parë ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kure tani është sistemuar edhe në Hotelin “Swiss Diamond”, ku pritet të dal pas pak në një konferencë për media, shkruan KultPlus.

Ajo ka postuar disa pamje të skenës ku do të performojë ndërsa ka shkruar “ Kjo natë do të mbahet mend gjatë”. Ajo po ashtu ka postuar edhe fotografitë e ushqimeve tradicionale, ku ka shkruar “ Yumm, pite, fli, manitja. Kam ardhur në shtëpi”.

Rita Ora sot do të ngjitet në skenën e sheshit “Skënderbeu”, ku do të performojë për festimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. /KultPlus.com

Historia e Himnit të Kosovës (VIDEO)

Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Rezultat i konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Himni është pa tekst, i krijuar në formatin instrumental simfonik. Himni u realizua në 11 Qershor 2008 dhe u përzgjodh me votim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 72 vota për dhe 5 kundër.

Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.

Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.

“Himni shtetëror” i Republikës së Kosovës është një ndër himnet më të reja në botë, krahas himnit të shtetit të Sudanit të Jugut, i cili u kompozua në vitin 2010 dhe u pranua zyrtarisht më 9 korrik 2011.

Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime. Pikërisht në këtë 10-të vjetor autori Mendi Mengjiqi ka dhënë të drejtën që të sjellët himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:

O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë.
/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=HxWbbLgCXCI&feature=youtu.be

Muhamer Ibrahimi: Gjeneratat më të vjetra e kanë vështirë të krijojnë lidhje emocionale ndaj simboleve të reja, gjeneratat e reja e kanë përqafuar tanimë flamurin

Sarandë Selimi

Kaltër, verdhë e bardh. Tri ngjyra që nga 17 shkurti i vitit 2008-të, u bënë ngjyrat identifikuese të shtetit më të ri në botë Kosovës. Tri ngjyra, që na dhanë emocion, lot e krenari tash 10 vjet valëvitën në Flamurin e Republikës së Kosovës.

Konkursi për simbolet e Republikës së Kosovës, ishte hapur në qershor të vitit 2007. Por krijuesi i Flamurit, Muhamer Ibrahimi, kishte nisur qysh moti të mendojë se si do të dukeshin simbolet e shtetit të Kosovës.

Pas 10 vitesh, Muhamer Ibrahimi vjen në një rrëfim për KultPlus, duke treguar disa detaje ta pathëna deri më tani.

“Emocionet padyshim që janë çdo herë të forta, e më të forta bëhen gjatë festave dhe kur valëvitet dhe ngrihet në fitore. Në këtë 10 vjetor jubilar në këtë atmosferë festive emocionet janë edhe më të mëdha. Më gëzon fakti se ky 10-vjetor ka një atmosferë më të dukshme festive se vitet e kaluara”, ka thënë fillimisht Ibrahimi për KultPlus.

Konkursi i shpallur në vitin 2007-të, kishte disa kritere të cilat padyshim që e kishin kufizuar shumë Muhamerin e poashtu edhe dizajnerët e tjerë të cilët kishin aplikuar.

“Konkursi për simbolet e shtetit të Kosovës është organizuar nga institucionet e Kosovës e ka shpallur Ekipi i Unitetit, ka qenë i publikuar në mediet e shkruara dhe elektronike në qershor të vitit 2007. Konkursi i publikuar ka qenë me disa kritere që nuk duhet t’i përngjajë flamujve të shteteve tjera, flamujve të ndonjë partie politike, nuk duhet të përdorim simbole si shqiponje, nuk duhet të përdorim kombinime të ngjyrave të flamujve kuq e zi ose trengjyrëshe sllave apo të ndonjë etniteti tjetër. Konkursi si i tillë me kushtëzime padyshim se na ka kufizuar edhe hapësirën, përdorimin e ngjyrave dhe kombinimeve të mundshme të elementeve që do të mund të përdornim për të qenë sa më shumë kreativ”, është shprehur ai.

Pas kësaj, vjen rrëfimi rrëqethës i Muhamer Ibrahimit. Ai në studion e tij kishte punuar gjithsej 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë. Muhamer Ibrahimi, është kontaktuar vetëm në fillim të shkurtit, duke i thënë nga Ekipi i Hartimit të simboleve të shtetit që të shkojë në një takim, ku aty i është kumtuar lajmi se është finalist, por vetëm kaq. Më 17 Shkurt 2008, Muhamer Ibrahimi kishte parë flamurin e krijuar nga ai duke u shpalosur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Edhe para shpalljes së konkursit kam menduar në vete disa ide, disa koncepte se si do të dukej flamuri i vendit, por pas shpalljes së konkursit shumëçka është qartësuar sa i përket konceptit të mundshëm të flamurit. Në studion time të dizajnit ku punoja atë kohë fillova punën në dizajnet me kritere sipas konkursit të publikuar. Gjithsej punova 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë, dizajnet e shtypura në letër sipas kërkesës në konkurs i dërgova ditën e fundit të konkursit në zarf të mbyllur dhe me shifër pa emra mbiemra apo ndonjë informatë tjetër personale, në zarfe ka qenë i shkruar vetëm kodi i konkurruesit. Në fillimin e shkurtit 2008 kam pasur një telefonatë nga Ekipi i hartimit të simboleve të shtetit dhe më është kërkuar të jem prezent në takim, më është kumtuar se jam njeri ndër finalistët. Më janë kërkuar punimet në CD dhe është kërkuar që të mos publikojmë informacione në media. Dhe më 17 shkurt flamuri është shpalosur në Kuvendin e Kosovës në momentin pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.

SONY DSC

Ndërkohë, Muhamer Ibrahimi tregoi për KultPlus se cili ka qenë momenti më emocionues për të gjatë këtyre 10 viteve.

“Momente interesante dhe më krenare kur flamuri është ngritur triumfues në Moskë kur xhudistja jonë Majlinda Kelmendi na ka bërë krenar të gjithëve. Në ato momente emocionet kanë qenë të papërshkrueshme”, pohoi ai, duke vazhduar të komentojë deklaratat e tij të më hershme, kur pati thënë se e dinë që jo të gjithë do ta duan flamurin.

“Po gjatë disa intervistave më herët e kam thënë së nuk do ta duan flamurin të gjithë, dihet se çfarë kemi kaluar dhe çfarë kemi përjetuar me flamurin kombëtar, ndjenjat aq të forta kemi pasur me flamurin kombëtar. Të kalohet në një flamur me dukje krejt tjetër me ngjyra krejt tjera, duke ditur lidhjen emocionale aq e madhe me flamurin kombëtar e kam ditur që nuk do të jetë lehtë i pranueshëm të një mase. Gjeneratat më të vjetra e kanë shumë më vështirë që të krijojnë lidhje emocionale ndaj simboleve të reja, por gjeneratat e reja tanimë flamurin e kanë përqafuar dhe janë duke u rritur me të edhe emocionalisht. Ndërsa sa i përket minoritetit serb ky fakt është i ditur se ata nuk do ta pranojnë çfarëdo simboli që do ta përfaqësonte shtetin e pavarur”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.

Ai krejt në fund të këtij rrëfimi, ka thënë se ndjehet shumë krenarë që propozimi i tij ka fituar në një konkurrencë aq të madhe me mbi 1mijë propozime.

“Krenarë kur e shohë duke u valëvitur i barabartë me flamujt e shteteve të tjera dhe krenar kur ngrihet triumfues”, përfundoi Muhamer Ibrahimi./ KultPlus.com

Rita Ora flet shumë pak para koncertit të sotëm (VIDEO)

Rita Ora mezi e ka hapur xhamin e veturës e cila barti pasi ajo ateroi në Aeroportin e Prishtinës.

Rita ka folur për mediet por shumë pak, pasi pas disa orësh ajo do të jetë e pranishme edhe në konferencë për media.

Rita erdhi në Prishtinë (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora tashmë ka shkelur në tokën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka ardhur në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. Ajo nuk deshi të dalë para medieve që të marrin ndonjë pamje ose të prononcohet, por që ajo erdhi dhe pas më pak se dy orësh, Rita do të paraqitet në një konferencë për medie.

Rita ka ardhur në Kosovë për të festuar së bashku me vendasit e saj dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në orën 15:00, Rita pritet të dal në një konferencë për media kurse nga ora 20:00 pritet të filloj koncerti, në të cilin ajo do të interpretoj./ KultPlus.com

Pamje nga atmosfera festive e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës (FOTO)

Sot sheshet e Prishtinës janë mbushur përplot me njerëz që me flamuj e muzikë po e shijojnë atmosferën festive të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

KultPlus ka shkrepur disa fotografi nga kjo atmosferë që po mbretëron sot në kryeqytet./ KultPlus.com