Nga “Prushi i bukurisë” tek hiri i “Syve të heshtjes”


– Pasthënie –
Shkruan: (Hamdi) Erjon Muça

Nuk është hera e parë që shkruaj për veprat e botuara, për punën letrare dhe shkencore të prof. Anton Nikë Berishës . Si të thuash, krijesa të lindura e të njohura edhe nga të tjerë dhe që një autor mundohet të thotë atë që ndoshta e kanë vënë re edhe shumë të tjerë.

Kësaj radhe do merrem me diçka të pabotuar të ardhur në duart e mia në formën e dorëshkrimit, krijesë që ende nuk e ka përjetuar dritën e botimit e unë duhet t’i paraqes lexuesit disa nga aspektet thelbësore të saj. Më të qenësishmet. E më të qenësishmet në këtë vepër, ashtu si në të gjithë punët e Anton Nikë Berishës, me të cilat jam marrë, janë forma dhe gjuha. Forma, kërkimi gjithnjë i skemave të reja, hera-herë edhe hibride, për t’i dhënë jetë një arti që nuk vjetrohet kurrë. Përpjekja të jetë gjithnjë modern, duke përdorur një gjuhë jo vetëm të pastër shqipe, por të mbushur me metafora të ndërtuara me mjeshtëri. Kështu thuhet në fillim të veprës së tij të njohur “Prushi i bukurisë ” (përsiatje poetike):
Përtej harrimit e pate djepin Bukuri.
Është një nga ato metafora që kur e lexon një herë zor se e harron. Vendoset në pafundësi një objekt me caqe të përcaktuara.
Kjo ndërlidhet me metaforën që përdoret në veprën tjetër të tij “Sytë e heshtjes” (si thashë ende në dorëshkrim):
me vrullin e gurrës që bunon

(Sytë e heshtjes, 3)

Përdorimi i fjalës bunon, që në fjalor paraqitet si buron, e meqë në këtë poemë autori shkruan për heshtjen, kjo të bën të mendosh heshtjen e lumit Buna, që nga lindja e tij në liqenin e Shkodrës dhe deri sa derdhet në detin Adriatik, shtegton pa gurgullime, me një qetësi thuajse medituese. Në krahun tjetër e paraqet, si në vizion, jetën njerëzore, që zë fill nga mitra e nënës, për të jetuar, mbi një shtrat jetësor të sheshtë pa gurgullime, në drejtim të vdekjes, por që, po sipas autorit, përdorimi nuk është vdekje; uji kthehet në avull e avulli sërish në ujë, për të rrebeshuar mbi liqenin e Shkodrës që i jep jetë Bunës, bunimit…
Sa i përket formës nuk dua t’ju paraqes mënyrën sonetike të ndërtimit (strofa katërmbëdhjetë vargjesh), por strukturën, molekulare, metaforike, të veprës “Sytë e Heshtjes”, që është një vepër e mirëfilltë poetike, megjithëse nuk është shkruar nga një poet, por nga një profesor, një shkencëtar, në rastin konkret, i fjalës. Në vend që ta vështroj, ta trajtoj si një teori filozofike, psikologjike, artistike, me të duhet të sillem si me një ekuacion matematik.
Në fakt dy veprat (“Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes”, të dyja përsiatje poetike) që përbëjnë këtë ekuacion, dhe që më tepër se nga frymëzimi janë shkruar duke përdorur logjikën shkencore, duke ndërthurur diturinë e një jete, me frymëzimet e një çasti, minutë, ore apo…
Një vepër që shkruhet e nxitur (e shtyrë) vetëm nga frymëzimi, ka në brendësi të saj revoltën, absurdin, anakronizmin, gjithçka mëdyshore që bren dhe përtypet shpejt nga shpirti njerëzor. Një vepër e tillë, poetike prej poeti, të godet shumë më shpejt.

Vepra si “Sytë e heshtjes”, ku këto mëdyshje personale ballafaqohen, ndërthurën e bashkëjetojnë edhe me mëdyshje të dijetarëve të tjerë, kërkon më tepër kohë, më tepër përqendrim nga ana e lexuesit, për t’u gjendur e për të komunikuar me çdo varg të saj.

Me “Sytë e heshtjes” dhe me atë që i paraprin, “Prushin e bukurisë” (nuk duhet trajtuar vepra “Sytë e heshtjes” pa u ndalur tek vepra e mësipërme), ndodh ajo që shumë studiues francezë thonë për veprën poetike të Stephan Malarme-së: “Malarme krijonte kështu në Francë nocionin e autorit të vështirë. Induktonte në art detyrshmërinë e sforcimit intelektual. Me këtë lartësonte gjendjen e lexuesit dhe me inteligjencë të admirueshme, në vend të madhështisë personale, zgjedhte mes njerëzve, atë numër të vogël ndjekësish që, në momentin kur e kishin kuptuar, nuk do të toleronin më poezi të papastra, të menjëhershme, dhe të pambrojtura!” (Paul Valéry parathënia e librit Jean Royére, Malarme, Paris Messein).

E them dhe e mbroj kudo se vepra “Sytë e heshtjes”, si edhe ajo që e paraprin, “Prushi i bukurisë”, nuk është për këdo, por vetëm për një elitë të zgjedhur lexuesish.
Në përgjithësi, në çdo vepër letrare, bindjet personale mund të mos ndahen me autorin, të mos pranohen nga të gjithë. Vepra letrare nuk përbën dhe nuk duhet të përbëjë një pamflet ideor. Unë vetë, thënë metaforikisht, jam në përplasje me të (me autorin e këtyre dy veprave), sa i përket bindjeve personale, (unë jam ateist, madje heretik), por kjo nuk më ndal aspak që të konstatoj mrekullinë e një krijese lindur nga flegrat e inteligjencës, kohës, me të cilën dua të nënkuptoj diturinë dhe heshtjen.

Njeriu duhet të jetë i lirë t’i këndojë gjithçkaje që e bën të ndihet i plotë, vetëm se kjo liri, në letërsi duhet t’u lejohet vetëm atyre që e ngrenë nivelin e artit; unë përulem përballë mënyrës se si këndohet dhe jo përballë argumentit. Gjuha poetike duhet vlerësuar dhe jo subjekti i një poezie.
Duket si paradoksale, por nuk është ashtu; mënyra jonë e komunikimit përbëhet nga fjalët, nga mendimet që përshkojnë qelizat e trurit, me shpejtësinë e dritës, përbëhen, ose të paktën formëzohen bazuar tek fjalët dhe, duam apo s’duam ne, ato janë kushtëzueset më të mëdha të jetëve njerëzore. Kështu, nëse një mendim jo të mirë e shprehim me fjalë të zgjedhura, arrijmë ta shesim më shtrenjtë nga ç’vlen, në të kundërt, mendimin e mirë të shprehur me fjalë të këqija nuk e përtypim dot as vetë. Kur përballemi me mendime të bukura të shprehur në mënyrë të mrekullueshme, më të mirëmenduar të mundshëm, nuk mbetet rrugë tjetër, pos se të ulesh dhe të mundohesh të shkruash po aq mirë.

Unë zgjodha t’ju flas, të shkruaj për formën dhe për gjuhën me të cilën janë qëndisur këto dy krijesa poetike, këto dy poema. Për artin e fjalës kjo ka më rëndësi. Me keqardhje e them se në vendin tonë, forma në letërsi, në veprën letrare ka marrë një rëndësi dytësore, thua se “Lulet e të Keqes” apo “Një stinë në ferr” bënë ndryshimin e madh në artin poetik nga përmbajtja e jo nga forma!
Në rrafshin struktural, pra, si në rrafshin mikro ashtu edhe në makro, ky lloj operacioni intelektual shërben si një “Duplice opostulazione” kërkesë e dyfishtë, nisur nga autori për lexuesin e tij, lidhjen me anë të artit poetik të intelektuales me shpirtëroren. Lidhjen mes të arsyeshmes dhe të hamendësuarës. Lidhjen mes gjuhës dhe mendimit.
Autori ynë hap një kllapë me poemën “Prushi bukurisë”, në brendësi të saj fut veten, njeriun dhe rrugëtimin evolutiv njerëzor, përfaqësuar nga Arti i fjalës, ndërsa e mbyll (ndoshta) kllapën me poemën e tjetër “Sytë e Heshtjes”, sinonim i meditimit, i arsyetimit, i kërkimit me forcën e qetësisë, zhbërjen e mëdyshjeve që brejnë ndërgjegjen e njeriut.
Veprat “Sytë e Heshtjes” dhe “Prushin e bukurisë” Anton Nikë Berisha i ka quajtur përsiatje poetike dhe unë jam i bindur se këtë e ka bërë jo i shtyrë nga një modesti e falsët, por pikërisht nga ajo që thashë më sipër “Duplice opostulazione”, që duke i lexuar përsiatjet e tij poetike, vetë lexuesi do të ndërmarrë një udhëtim poetik në përsiatjet e veta, personale, poetike, filozofike dhe psikologjike. Ndërsa unë dua t’i jap emërtimin që meritojnë “Poemat”.
Njeriu nisi rrugën e vet të evoluimit falë fjalës; ishte mënyra e komunikimit që e ndau atë nga bota shtazore, por evoluimin e vërtetë e përqafoi falë heshtjes; në qetësi ai rimendoi fjalët e thëna, të dëgjuara, të menduara. Në heshtje nisi t’i shkruajë ato fjalë, në pllaka balte, në papiruse e më pas në pergamenë e letër, për të thurur me to librat me të cilat trashëgon brez pas brezi përvojën e vet. Me anë të fjalëve, përqafuar nga heshtja, nisi të thurë lavde, këngë, e tregime; e fjala, falë heshtjes, nisi të mos ishte më thjeshtë, mjet komunikimi, por mbretëreshë e qenies njerëzore.
Në këto dy vepra, Berisha mundohet të na e sjellë të sublimuar lidhjen e pazhbëshme mes dy qenësive të jetës tonë dhe këtë e bën duke përdorur metafora të mrekullueshme sinestezike :
Reshje e buzëqeshur në ndërrim të stinëve
që vërshon me njomësinë e puthjeve
(Prushi i bukurisë, II)
Në poemën “Prushi i bukurisë” fjala i ngjet reshjeve, por jo siç jemi mësuar, rëndomë, ta etiketojmë, si e mugët, apo të dhunshme, por e buzëqeshur; në fakt është më pranë realitetit kjo lloj metafore se sa ato që përmenda unë, uji që bie me reshjet është jetë dhe gëzim për natyrën e s’ka si të jetë e mugët, e shurdhër. Këto reshje vërshojnë si të ishin puthje. Janë natyrale këto vargje, të thjeshta, në madhështinë e tyre, po pa u mbytur nga thirrjet e nxehta; duan që ti të dëgjosh me dëshirë e kënaqësi, e jo me përdhunën e ulërimës.
ujëvarë ndriçuese e vrushkujve
ngjizur dhe me penjtë e errësirës:
dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –
përshkuar nga drithërima rrezellitëse.
(Sytë e heshtjes, 1)
Në poemën “Sytë e Heshtjes” vargu mban të thuash po të njëjtën frekuencë tingëllimi, megjithëse sinestezia është shumë më e theksuar se sa më sipër. Ujëvarë ndriçuese; nuk shurdhon ujëvara që na sjell para syve Anton Nikë Berisha, por ndriçon, a thua se këtë vizion e ka marrë në një tjetër planet. Ajo është e lidhur dhe me penjtë e errësirës; errësira merr një tjetër dimension, duket sikur një qëndistar gjigand, çdo muzg nis e qëndis pëlhurën e vet. E kundërta e Penelopës ose është pikërisht ajo që në mes të natës ngrihet dhe shthur, por jo pëlhurën e vet […] E nuk ka se si të mos pësojë dallgëzime të vijueshme shpirti njerëzor, kur poema i flet nën zë, si të ishte dialog i dhomës së gjumit. E në fund vjen edhe drithërima rrezellitëse. Në katër vargje kemi të vendosura njëra pas tjetrës katër metafora të mrekullueshme dhe tre prej tyre sinestezike.

Kur prof. Anton Nikë Berisha më besoi dorëshkrimin e vet dhe unë u përballova me titullin, të them të drejtën nuk është se isha i bindur plotësisht tek plotshmëria poetike e këtij titulli, por duke e lexuar dhe rilexuar, e çdo herë duke gjetur diçka të re, të ndryshme nga ajo që kisha gjetur më parë, u binda, se ky titull është më se i plotë; duhen sytë e heshtjes për të ndjerë ngrohtësinë e këtyre vargjeve, thellësinë e këtyre metaforave. Shpirti, ose siç quhet tek Odiseja, psike, është diçka hipotetike, matematikisht jo e faktuar, e megjithatë ne ndiejmë në brendësinë tonë rrahje që nuk kanë të bëjnë as me zemrën e as me organe të tjera të faktuara. E rrahjet janë aq ritmike që sa në poezi marrin formën e dallgëve, për t’u shkërmoqur në drithërimë rrezellitëse, kur përplaset me brigjet shpirtërore.

Kur po shkruaj, mbështjell nga qetësia ime, mendoj se është pikërisht shpirti njerëzor që ndryhet mes kllapave të ngritura të këtij ekuacioni letrar. Njeriu është pjesë e operacioneve komplekse të ekuacionit, por përfundimi është shpirti, sepse përpos të gjitha fjalëve, e të gjithë heshtjes së një jete, apo më shumë, njerëzore, ne evoluuam vetëm falë asaj hipotetikes, që Homeri e quajti psike dhe ne vijojmë ta quajmë shpirt.
Vetëm hiri e di çdo të thotë të shkrumbohesh nga zjarri (Josif Alexandrović Brodskij).
Në titullin e punimit përmenda fjalën hi (hiri) si lidhëz ndërmjet titujve të veprave “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes”, sepse, siç thotë fraza e mësipërme del që Vetëm heshtja e di rëndësinë e fjalës. Fjalës së bukur, të zgjedhur me mundim dhe dituri.
Uturimë e përndritur je, vel i prushtë –
joshje e zbulimit që gjithnjë e ndërton
kështjellën e lumturisë e të përdëllimit
edhe kur na duket se çdo gjë vjen e shuhet;
kumtim prehës që i shpreh thellësitë
në syrin e agsholëve dritëshumë.

(Prushi i bukurisë, III)
Prushi i gjuhës të zgjedhur ka në brendësi nxehtësinë e flakëve që e përshkuan, ruan në sipërfaqe dritën që ato lanë, ndaj edhe hiri, në atë heshtjen e vet, e di se çdo të thotë të jesh përndezur një herë nga mrekullia e flakës fjalë. Fjalë të përditshme, nga ato që ne i përdorim, por që kur ndërthuren me forcën e diturisë dhe me urtësinë e poetikës, marrin vlera të pallogaritshme. Uturima është e përndritur; nuk dua t’ju lodh, por edhe këtu kemi të bëjmë me sinestezi poetike. Gjashtë vargje i vendosa këtu të plota për të risjellë në vëmendje jo vetëm bukurinë e një metafore (në fakt dy të bashkangjitura sepse edhe “vel i prushtë” është një metaforë e mrekullueshme, megjithëse jo sinestezike) të ndërtuar me meçuri por edhe me flakë poetike.
kur gjethet i blatohen puthjes së vdekjes
(Sytë e heshtjes, 3)
Hiri që pati zanafillë prushin poetik, na dhuron edhe vargje ngjethëse si ky i mësipërmi, ku gjethet nuk vdesin në përqafim balte, por i blatohen puthjes së vdekjes. Ndoshta ky insistimi im i tej zgjatur tek metaforat ju duket i tepruar, ndoshta i mërzitshëm, por unë nuk mund të mos e them. Unë i theksoj këto veçori për arsye se janë pikërisht këto që i mungojnë së tepërmi poezisë tonë. Ky është një lloj handikapi që letërsia soc-realiste la tek brezi që e përjetoi atë, e ky brez, dashje e padashje, po ia përcjell brezit tim; është si sëmundje ngjitëse. Poezia jonë ka figura letrare, por ato anojnë më tepër nga krahasimet se sa metaforat. Domosdo, metafora ishte vula e artit dekadent, hermetik dhe nuk mund të bashkëjetonte dot me artin soc-realist.
Unë me qëllim po shkruaj për mrekullinë e metaforës dhe rëndësinë e saj në artin e fjalës, përtej mërzitjes.
Je shkaku i puhive ledhatuese
që nxiten nga përfytyrime të ëmbla –
përkundje e lehtë në djepin e ëndrrave,
zgjim i serishëm i prushit të dashurisë.

(Prushi i bukurisë, X)

Me anë të këtij lloj ndërtimi, metaforik, të pëshpëritur, me fjalor e shprehje tejet melodioze, kalohet natyrshëm nga pohimet e ledhatueshme; paraqitje e një vizioni freskie, tek zgjimi i prushit të dashurisë.
Heshtja është puhizë e brishtë,
lot që rrëshqet mollëzave të faqeve
nga dhimbjet ndryrë pa asnjë dry:

(Sytë e heshtjes, 12)

E gjitha kjo është një lojë që luhet brenda shpirtit njerëzor; vetëm në brendësi të tij heshtja, si puhizë e brishtë, ndryn dhimbjet më të mëdha pa pasur nevojë për dry.
Sy i etur brenda dridhmave të zemrës
që gëlojnë nga vuajtjet dhe pësimet,
grishje e mendimeve me ngjyrime ylberi;
je palca e ajkës së vrojtimeve
në rrjedhë të kohëve dhe përtej tyre
që nuk i mbulon tisi i brymës as bora,
as shtresa e pluhurit që e pjell shkretëtira

(Prushi i bukurisë, XIII)
Këto vargje, përveçse kanë në brendësi një metaforë, më tepër përftuar nga erudicioni se sa nga frymëzimi (je palca e ajkës së vrojtimeve, nuk besoj se ka nevojë të zbërthehet, e vetmja gjë që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me të mirën e përftuar nga studimi), përforcojnë bindjen time, se gjithçka që buron nga këto vargje ka të bëjë me shpirtin. Vetëm shpirti mund të shohë plojën e vërtetë që ndodh brenda në qenie.
virtytet i mbroth
me butësinë hirplote të lindjes së vesës
kur njomësohet në syrin e agimit
të qiellit të qëndisur me paanësinë e yjeve
(Sytë e heshtjes, 19)
apo
si zhurim i mbishtresuar shkretëtire
(Sytë e heshtjes, 20)
Vetëm në shpirtin njerëzor jetojnë bashkë fjala dhe heshtja; njeriu flet edhe në heshtje (siç thuhet në Fjalën paraprake – Heshtja si qenësi jete, sidomos mendimet e Nënës Tereze për heshtjen). Shpirt njerëzor është i njëjtë si këto vargje: sy i agimit që njomëzohet nga lindja hirplotë e vesës, mbi një shkretëtirë me zhurime të mbishtresuara.
Heshtja është krymbi i dyshimit
që të vë në peshojën e ndërgjegjes:
të mbesësh ai që je e duhet të jesh
apo të luash hijen e vetes sate;
të fundosësh në rrjetën e mëdyshjeve
që i japin jetë plimit të vegimeve,
ose të notosh në konkretësinë e gjallimit,
të dashurosh dhe të jesh i dashuruar:
dhe në driza të vëresh lulëzimin e stinës
ose ëndrrën vrik ta këmbesh me zhgjëndrrën,
ndërsa dielli mbytet në mjegullnajë të pafund,
bëhet akull i nxehtë ose borë e përvëluar ,
si tenjë që velin e nuses të ruajtur në arkë
me zell të pashuar e bren pa reshtur.

(Sytë e heshtjes, 21)

Këtë njësi të poemës “Sytë e heshtjes” e solla të plotë ngaqë për mua ka përqendrimin më të madh të metaforave emotive . Meqenëse Anton Nikë Berisha ka shfrytëzuar një varg të Shekspirit e gjithë strofa cilësohet me një tonalitet të veçantë, me qenë a mos me qenë (të jesh ose të mos jesh); më njerëzorja mes ndjesive. Vetëm në heshtje shpirti njerëzor mbytet nga fjalët: duhet të jem vetvetja apo të luaj hijen e vetes sime. Po ashtu vetëm në heshtje njeriu me sytë e shpirtit arrin të shohë lulëzimin pranveror në driza…
Shpresoj të kem qenë i qartë në atë që thashë. Megjithatë, për një lexues të kujdesshëm, kjo që unë shkrova nuk ishte e nevojshme. Kjo mund t’i duhet vetë ndonjë lexuesi që nuk arrin vetë aty.

Pisa, nëntor – dhjetor 2017

Ministri Gashi shpreh ngushëllime familjes Vokrri: Kemi humbur një prej figurave më të rëndësishme

Ministri i i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.

Më poshtë ju sjellim telegramngushllimin e ministrit Gashi dërguar familjes Vokrri.

E nderuara familja Vokrri,

Lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, legjendës së futbollit shqiptar dhe personalitetit të madh, Fadil Vokrrit, e morëm të shtangur dhe të pikëlluar. Është shumë e vështirë dhe fjalët s’mund të përshkruajnë emocionin e ndjerë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne.

Ikja e hershme nga ne e Fadilit, është humbja më e madhe dhe më e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë e tij. Ne, kemi humbur si Kosovë një prej figurave të rëndësishme, nuk ka humbur vetëm Federata e Futbollit të Kosovës, e as sporti në Kosovë, por tërë shqiptarët anekënd Botës kanë humbur një legjendë, me të cilin jemi mishëruar dhe kemi gjetur veten tek ai kur shënonte gola e korrte fitore.

Figurat e këtilla sikurse Fadil Vokrri, i cili me angazhimin e tij ka depërtuar jo vetëm në hapësirat gjithëshqiptare por edhe në Evropë dhe Botë, shumë vende ëndërrojnë t’i kenë, kurse ne krenohemi që e kemi pasur, dhe me pietet dhe xhelozi do ta kujtojmë.

Ai, me angazhimin e tij, me një përkushtim të paepur ka bërë që emri i tij të jetë i gdhendur thellë në botën e futbollit duke tejkaluar dhe thyer çdo barrierë për të shndërruar veten në një yll që bota e futbollit do ta kujtojë dhe s’do ta harrojë kurrë.

Fjalët janë të varfra për ta shprehur dhimbjen dhe ngushëllimin. S’ka fjalë që e përshkruajnë një legjendë dhe pasur parasysh këtë si t’i themi lamtumirë një ylli. Ne edhe mund të pajtohemi me shuarjen e një ylli se s’kemi çfarë të bëjmë, por kurrë s’do të pranojmë që shkëlqimi i një ylli siç ka qenë Fadil Vokrri të shuhet e të humbasë. Kujtimi për të do të jetë përherë.

Ai me sukses ka udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës, duke kurorëzuar edhe në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, me anëtarësim në UEFA e FIFA.

Me kontributin e tij prej legjende, Fadili, ka bërë që të jetë i respektuar nga të gjithë përbrenda botës së futbollit dhe përtej saj. Fadili me punën e tij, si futbollist aktiv dhe më pas si kontribuues i madh në futbollin e Kosovës, ka bërë të të jetë i vlerësuar dhe fjala e tij të zë vend.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Fadil Vokrrit.

Kur Vokrri luante me legjendat (FOTO)

Fadil Vokrri ka shkëlqyer në fanellën e Prishtinës dhe ka qenë idhulli i kosovarëve, më pas me Partizanin ka mbërri mjata e futbollit jugosllav, kurse majën e kishte në Fenerbahçe, ekipin turk ku luajti me shumë emar të njohur.

Insport ju sjell pamjet nga takimi i Fenerbahçes me ekipin Vitoria Giumaraes në kuadër të garave të Kupës së UEFA-s, ku Vokrri shënon një prej golave për ekipin turk.

https://www.dailymotion.com/video/x3pxt4o

Portier i Fenerbahçes në këtë kohë Harald Toni Schumacher, dy herë nënkampion i botës me Gjermaninë dhe një prej më të mirëve në histori, kurse pjesë e ekipit ishin edhe Oguz Cetin e Erdi Demit dhe lojtarë të tjerë të mëdhenj turq.

Trajner ishte Guus Hiddink, fitues i Ligës së kampionëve më PSV-së dhe më pas trajner i kombëtares së Holandës dhe Chelseat.

Është ky një nga shembujt e madhështisë së futbollistit nga Podujeva, i cili më pas u bë Kryetar i FFK-së dhe ishte prijës edhe i proceseve të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës.

19 vjet nga kapitullimi i forcave serbe në Kosovë

Sot bëhen 19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kriminelit Sllobodan Millosheviqi.

Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37,200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Vdes legjenda e futbollit Fadil Vokrri

Ylli i futbollit kosovar Fadil Vokrri ka vdekur pas një sulmi në zemër.

Lajm tronditës për futbollin kosovar. Ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57-vjeçare. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express person i afërt me Vokrrin.

“Besohet të ketë qenë sulm në zemër, por jemi duke pritur raportin mjekësor…”.

Pazari i vjetër i Korçës ‘ndizet’ me muzikën tradicionale të sazeve (FOTO)

Mbi 100 artistë kanë ‘ndezur’ Pazarin e Vjetër të Korçës me muzikën tradicionale të sazeve.

Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve, Korçë 2018 vjen në edicionin e X-të të tij me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike dhe Bashkisë Korçë.

Festivali u çel dje nga banda e qytetit te Korçës tek “Mësonjëtorja” ne rrugën pedonale “Shën Gjergji”. Gjithashtu morën pjesë dhe grupet grupet e sazeve nga Berati – “Bilbilat e Vrionit”, Shoqata “Afërdita” nga Belshi, grupi i Vlorës dhe sazet e Kolonjës.

Tradita, veshjet dhe folklori jonë ishin të pranishme në këtë festival duke theksuar dhe një herë vlerën dhe promovimin e tyre si për qytetarët e Korçës por dhe për turistët e huaj.

Evente të tilla kanë një rëndësi të madhe dhe për brezin e ri pasi përçojnë traditën dhe vlerën e saj për tu ruajtur dhe për të qenë krenar./ ata

George Clooney nderohet me çmim karriere në “American Film Institute”

Ditën e djeshme George Clooney fitoi një nga çmimet më të rëndësishme në karrierën e tij si aktor nga ‘Instituti Amerikan i Filmit, shkruan KultPlus.

Në edicionin e 46 të çmimeve të “American Film Institute”, George Clooney dhe Amal Alamuddin erdhen së bashku.

“Nuk mendoja se do të merrja kaq shumë në jetë, – tha aktori 57-vjeçar, gjatë ceremonisë ku iu dorëzua çmimi – Kisha bindjen që po të ecja në profesion nuk do ta gjeja dot dashurinë e vërtetë”. “Pastaj takova Amalin”, shtoi ai.

Aktivitetet që sjellë sot Panairi i Librit

Panairi i Librit po vazhdon sot ditën e pestë të aktiviteteve në Prishtinë ndërsa po shënon edicionin e 20-të. Edhe sot adhuruesit e librit mund të drejtohen te stendat e shtëpive botuese dhe po ashtu të ndjekin aktivitetet e panairit.

Më poshtë ju sjellim agjendën e aktiviteteve:

Në orën 11:00
PROKULT PRESS
Fatmir Halimi, “Dy vdekjet e një jete”

Në orën 12:00
SHBK
TAJAR HATIPI NË 100-VJETORIN E LINDJES

Në orët: 12.30-13.30
Stenda BUZUKU
Nënshkrime nga
FRANÇOIS-HENRI DÉSÉRABLE, “NJËFARË Z. PIEKIELNY”

Në orën 13:00
ARTINI
Ilir Muharremi, “Psycho”

Në orën 14:00
VOREA UJKO
Promovimi i dy librave të autorit Bardhec Berisha

Në orën 15:00
Stenda PEMA
Nënshkrime nga Albatros Rexhaj, “Kthimi”

Në orën 16.00
Stenda BUZUKU
Nënshkrime nga Flutur Mustafa, “Andje”

Një burrë i dashuruar në Paris

Miranda Shehu-Xhilaga

Po lexoja diçka në lidhje me profesionin tim një ditë të zakonshme pune, kur papritur kolegu im, që sapo ishte kthyer nga pushimet, fut kokën në derë dhe më pyet: – Ty të pëlqen Parisi apo jo Miranda? Ngrita sytë dhe duke kuptuar që biseda ishte sjellë rreth Parisit mes kolegësh për disa minuta dhe buzëqeshur ia ktheva me pyetje: – Po ty? – Ah, sikur të mund të shkoja dy herë në vit! Nuk do t’i shmangesha aspak udhëtimit prej 22 orësh, – ma ktheu ai. John jeton në periferi të Melburnit.

Ai është një burrë i gjatë e i bëshëm, i thjeshtë e krenar, në të pesëdhjetat, me dy fëmijë dhe flet me një dialekt të rëndë vendas. Australia ka magjinë e vet, Melburni është një nga qytetet më të bukura metropolitane të botës por, natyrisht, John ka rënë në dashuri me Parisin! E kush nuk e vizitoi Parisin e nuk u dashurua me të! Në librin e tij Paris gjer në Hënë, autori amerikan, Adam Gopnick, do të shkruante: “Kam dashur të jetoj në Paris që kur isha 8 vjeç. Kisha shumë imazhe të atij qyteti në kokë dhe bile edhe një objekt që më vonë u bë një ikonë e dhomës sime …”. Fjalë që mund t’i kishte shkruar secili prej nesh. I kishim të gjithë në kokë imazhet e qytetit të dritave, të urave, të autorëve tanë të zemrës e të dashurisë.

Si Gopnik, edhe unë kisha një objekt të thjeshtë në një nga sirtarët e komodinës së vjetër: një kartolinë që kishte udhëtuar nga Parisi në Peshkopi në vitin 1976. Mbartte vlerën e një thesari të vërtetë, një shkëndijë që ndezi ëndrrën. Historia ime e dashurisë me Parisin ka filluar herët, që në ditët kur mësonim frëngjisht në qytetin e vogël verior. Orët tona të mësimit ishin kthyer tashmë në leksione magjepsëse rreth një qyteti për të cilin kishim lexuar vetëm në libra. Përpinim me sy çdo fjalë që dilte nga goja e mësuesit tonë të ri dhe imagjinonim sikur ishim atje. Do ta vizitoja Parisin për herë të parë në fillim të vitit 1993, gjatë kohës që ndiqja studimet pasuniversitare në jug të Francës.

Pas tetë orësh rrugë me makinë e mbajta frymën aty ku e mbajnë të gjithë turistët e huaj që shkojnë në Paris për herë të parë; në vendin ku të gjithë bëjnë një foto. E vetmja pyetje është të ngjitesh lart në kullë apo ta bësh foton në këmbët e saj. Të dyja? Sigurisht! Për tetë orë të tëra (sepse koha ishte e paktë) iu rashë pash më pash atyre rrugëve duke vizituar sigurisht Louvre, të parin muze në listën time të gjatë.

Më pezmatoi fakti që nuk bëja dot asnjë foto, nuk lejohej (kisha një aparat që ma kishte dërguar motra ime Lida, nga Gjermania), megjithatë kjo nuk ma uli dozën e ngazëllimit që provova. Por është interesant fakti që isha aty, aq pranë gjithçkaje, e akoma nuk më besohej se këmbët e mia ecnin në rrugët e atij qyteti. Ecja në ajër!

Dhe në atë çast kuptova përse vizitorë nga e gjithë bota thonë se kanë një marrëdhënie dashurie me qytetin. Do ta vizitoja përsëri Parisin pesë vjet më vonë, rrugës nga Melburni për në Tiranë. Me mikeshën time të ngushtë Blertën do të shkonim përsëri në Louvre, do të shëtisnim në Champs Elysées; do të shkonim në Musée d’Orsay, do t’u binim gjerë e gjatë rrugëve të Montparnasse e do të provonim të gjitha delikatesat e kuzhinës franceze. Dhjetë vjet më vonë do të punoja për disa muaj në Institut de Biologie Moléculaire et Cellulaire në Strasburg e do ta vizitoja përsëri, pothuajse çdo vit, këtë qytet të ëndrrave e dëshirave, artit e kulturës, sharmit të pashoq. Por ç’bën një turist në Paris pasi ka vizituar Tour Eiffel, Arc de Triomphe, Musée de Louvre, Notre-Dame de Paris, Moulin Rouge, Jardins de Tuileries, Jardin de Luxemburg, Musée Rodin e të tjera, që ka bërë një shëtitje në Champs Elysées e një foto te Harku i Triumfit?

Ato që në anglisht quhen land marks nuk janë veçse “fiziku” i këtij qyteti, kostumi i tij prej cohe të shtrenjtë; ajo çka gjendet nën këtë kostum është një thesar për mendjen e shpirtin, kënaqësinë e syrit e të zemrës, Parisi i vërtetë i kulturës e artit që të sjell përsëri e përsëri aty. Sa më shumë e viziton, aq më shumë dëshiron t’i rikthehesh, e befas kupton se një dëshirë e zjarrtë të digjet në gji: të jesh pjesë e këtij qyteti. Magjia ka ndodhur tashmë. E kur kjo ndodh, si në çdo marrëdhënie, fillon të mendosh për mundësi të tjera për t’u “takuar”, gërmon më thellë në jetën e tij, rrekesh të njihesh më nga afër me të.

Rrugët mbajnë emrat e autorëve të zemrës së ditëve të rinisë, në varrezat e famshme prehen titanët e letrave, mendimit e pikturës, (vetëm në Paris ndodh të shkosh për një vizitë në varreza e të ngazëllehesh!). Kafenetë gëlojnë nga zërat e piktorëve më të mëdhenj të kohërave, ata janë aty, pas paletave të tyre varur në mure si relikte të shtrenjta. Pothuajse çdo gjë është e mundur këtu … Hireve të këtij qyteti iu kanë kënduar të gjithë poetët e botës.

Mund të qëndrosh me javë e muaj të tërë aty e çdo ditë të zbulosh diçka të re. Një “bonus” i shtuar është se në Paris jeton një komunitet i shkëlqyer shqiptarësh e mes tyre ca nga miqtë mi më të mirë, të rinj e të vjetër. Është mëkat të vij në Paris e të mos pi një kafe a një gotë verë me Luanin dhe Anilën, të rigjendemi me Aurorën, të qesh me zë me Lirinë në një restorant të vogël në një qoshe jo larg Invalides, të vizitoj Blertën, Aleksandrin e djemtë, e të pi një kafe gourmande me Fulvian. Atë natë të 28 marsit të vitit 2017 do të merrja pjesë në mbrëmjen e organizuar enkas për diskutimet rreth librit Zotërit kishin të drejtë të Leon Rey, ku do të takoja Luanin, djalin e vajzën e arkeologut Rey, Geraldine e Jean-Gabriel, dhe do të takoja Etlevën, Anilën e më pas Axelin.

Të nesërmen, do të kisha fatin të ecja nëpër rrugicat më të bukura të Parisit për pak kohë me Luanin e të dëgjoja nga goja e tij histori të shumta të poetëve e artistëve më të mëdhenj të kohës që njëherë e një kohë e thërrisnin këtë qytet “shtëpi”. Ata aty i kishin mbyllur sytë. Ai i njeh këto rrugë përmendësh, i di historitë e këtyre rrugicave e banorëve të tyre të talentuar me detaje dhe ti e ndjek tek flet me atë zë të qetë, e thua me vete: si ka mundësi që truri i njeriut të mund të strehojë kaq shumë njohuri. Një kujtesë e hekurt! Nga bulevardi Saint Germain vazhdojmë në Rue de Seine e pastaj në Rue des Beaux Arts. Nga La Palette te hotel d’Alsace ose L’Hotel, siç njihet sot, ku kanë jetuar Oscar Wilde dhe Jorge Luis Borges. – Oscar Wilde ka vdekur aty, – thotë Luani, – i pamundur të paguajë edhe dhomën e tij. Kur vinte në Paris, Borges rrinte vetëm këtu. Hyjmë në holl, ku ai më tregon arkitekturën interesante të këtij hoteli.

Personeli i hotelit është mësuar me vizitorët që kalojnë aty pari e fusin kokën të shuajnë kërshërinë. Kafenë e pimë në Café Procope, që gjendet në rrugën e Komedisë së vjetër, kafeneja më e vjetër e Parisit dhe e botës, vend ku takoheshin disa nga filozofët e krijuesit më të mëdhenj të kohës. “Edhe Benjamin Franklin e ka frekuentuar këtë kafe”, më thotë Luani. Rrugës për te Jardins des Tuileries apo Kopshtet e Mbretëreshës,

Luani do të më tregonte për fundin e tmerrshëm të Voltaire dhe ndërtesën në të cilën ka vdekur, sesi kisha katolike nuk pranoi ta varroste dhe sesi do të duhej ta vishnin me kostum e ta ulnin në një karrocë si të ishte i gjallë për ta transportuar fshehurazi larg, në një kishë fshati, ku do të kalonte momentet e fundit para varrimit. Jardins des Tuileries janë zbukuruar me skulpturat e artistit Aristide Maillol, me hiret e modeles së tij besnike, Dina, mikja e ngushtë që e shoqëroi gjatë viteve të fundit të jetës së tij; një mrekulli për syrin e shpirtin.

Plot 4 orë e 6 km në këmbë! Edhe një ushtrim fizik i këndshëm për trupin! Kur vij në Paris, qëndroj gjithnjë në një nga hotelet sharmante të Montparnasse, në mënyrë që të jem afër këtyre relikteve të famshme që jo vetëm i kanë qëndruar kohës, por janë bërë pikëtakimet e dashamirësve parisianë në të gjithë botën. Këtë vit, bëra përsëri turistin e mirëfilltë me motrat e mia Lidën dhe Edën, dhe pastaj vizitova shtëpinë muze të Bourdelle në 18 Rue Antoine Bourdelle, në Parisin XV, si dhe varret e Charles Baudelaire apo Jean Paul Sartre et Simone De Beauvoir.

Si grua që jam, gjeta gjithashtu pak kohë të vizitoj Le Grand Musée du Parfum në Rue du Faubourg Saint-Honoré, një mrekulli arkitekturale e shekullit XIX, një eksperiencë e veçantë për shqisën e nuhatjes e shpirtin, një udhëtim interesant përmes historisë e shkencës së krijimit të parfumeve. Preludi i kësaj vizite ishte mbrëmja e mrekullueshme poetike mes miqsh organizuar nga mikesha ime e vjetër Liri. Lili, siç e thërras unë, lexoi edhe një nga poezitë e mia atë natë, një poezi e shkurtër, të cilën e kisha shkruar mëngjesin e ditës së parë që u gdhiva në Paris; një mbrëmje që do të mbetet përgjithnjë një kujtim i bukur në kujtesën time, mes vizitave të mia të kaluara e të ardhshme në qytetin tim të zemrës.

Në të vërtetë, udhëtimi im i fundit në Paris nuk ishte ky që sapo përmenda më lart, por ai të cilin ndërmora kur po lexoja Mbresa parisiane. Ç’dhuratë e vyer për mua; nga një “e dashuruar” me qytetin te tjetri. Nëse doni të dini për marrëdhëniet e këtij qyteti me njerëzit, kujtimet, baret e famshme madje edhe jetën seksuale, mund të lexoni Brenda një perle, Shëtitësi apo Parisi ynë, skica kujtimesh të autorit amerikan Edmund White. Nëse dëshironi të zbuloni marrëdhëniet e këtij qyteti me kulinarinë, lexoni Jeta e ëmbël në Paris e David Lebovitz (një nga kuzhinierët më të famshëm, bloger e autor që jeton në Parisin 11), e nëse doni të dini për jetën e përditshme të borgjezisë parisiane drejtohuni te Paris gjer në Hënë, të Adam Gopnik (më 1995-n, The New Yorker e dërgoi atë me punë në Paris të shkruante për Paris Journal.

Pas kthimit në New York ai do t’i përmblidhte shkrimet e tij rreth jetës në këtë qytet të botës dhe libri i tij do të ishte bestselleri i vitit). Por nëse doni të zhyteni në pasurinë e vërtetë të këtij qyteti, atë çka ai i ofron shpirtit njerëzor, të ecni në kthinat e qoshet e tij, të përjetoni historinë e marrëdhëniet e tij me figurat letraro-artistike të dy shekujve, si dhe ku kanë lindur disa nga veprat me të lexuara e të cituara në botë, ku kanë lindur e vdekur titanët e mendimit filozofik francez e më gjerë, atëherë merrni në duar Mbresa parisiane.

Është një histori dashurie, një ftesë, një grishje, e cila përmes detajesh marramendëse, forcës, thellësisë e saktësisë së fjalës, përcjell disa nga faktet më të rëndësishme artistike, letrare e kulturore të kohës, copëza të artit e kulturës që gjallon e rreh në zemrën e këtij qyteti. Është një “guidë” kulturore e historike, një shëtitje e këndshme, një gosti e bollshme të marra së bashku, servirur me përkushtim e finesë, ashtu siç di vetëm Luan Rama.

Ky publikim i vyer e i denjë për çdo bibliotekë, iu bashkëngjitet Përballë tablosë dhe Parisi letrar të këtij autori, duke formuar kështu një trilogji të përkorë, në gjuhën tonë të bukur. Bon Appetit! .

(gazeta-Shqip.com)

Adem Gashi shpallet “Autori i vitit” për Letërsinë shqipe, Ardian Haxhaj merr “Çmimin për roman”

Shoqata Botuese e Kosovës ka ndarë çmimet e edicionit të 20-të të Panairit të Librit që po mbahet keto ditë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Autori i vitit”, sa i përket letërsisë shqipe, është shpallur Adem Gashi për veprën “Drenusha e trembur dimrash”, botuar nga Armagedoni, Prishtinë ndërsa sa i përket letërsisë së huaj, ky çmimi i ka takuar francezit François-Henri Désérable për veprën, “Njëfarë Z. Piekyelny” , botuar në shqip nga shtëpia botuese “Buzuku”.

Çmimi për poezi shkoi për Majlinda Nana Rama me librin “Lulet e egra”, botuar nga Vatra, Shkup ndërsa Çmimi për kritikë/ estetikë/ publicistikë shkoi për Ardian Vehbiun me librin “Fjalë për fjalë”, botuar nga Cabej, Tiranë.

Me Çmimin për vepër të vecantë u shpërblye Ermira Xhomaqi me romanin “Përtej harrimit, botuar nga Institutit i Studimeve të Krimeve dhe të Pasoja të Komunizmit, Tiranë. Çmimi për stendën më të vizituar i takoj Shtëpitë botuese “Artinit, Prishtinë”. Me Me Çmimin “Përkthyesi i vitit 2018” u shpërblye Mal Berisha me librin “Benjamin Disrael“Naltësimi i Iskanderit” (Botuar nga Koha, Prishtinë) dhe Engjëllushe Shqarri me librin e Madeleine Albright “Të fuqishmit dhe i plotfuqishme”, botuar nga Fan Noli, Tiranë. Çmimi për letërsinë për fëmijë e mori Viktor Canosinaj me librin “Djali që shikonte detin”, botuar nga Dyrrah, Durrës. Cun Lajci e mori Çmimin Special “Për katër vepra të botuara brenda dy panaireve (2017-2018)./ KultPlus.com

Këto 10 gjëra do t’ju ndodhin, kur filloni të lexoni më shumë

1.Do të gjeni një shteg të sigurt për të shpëtuar

Kur jeta bëhet e vështirë, dërrmuese, ose thjeshtë e mërzitshme, nuk është nevoja të gjeni prehje tek droga dhe alkooli. Kursejini paratë… Merrni një kartë biblioteke, ose filloni të shkarkoni disa prej atyre mijëra librave që ofrohen falas. Humbisni në një tregim. Humbisni në një botë tjetër. Është e mbartshme: është shtegu juaj personal i shpëtimit, kur duket se gjërat janë vërtetë shumë të ngarkuara.

2.Do të kuptoni se keni një familje

Dakord, keni prindër dhe ndoshta motra e vëllezër, dhe një mori hallash e xhaxhallarësh, tezesh e dajash, si dhe kushërinj, gjyshër e kështu me radhë. Ose ndoshta jo. Ndoshta ndiheni i vetmuar në botë, i braktisur. Nëse jeni jetim në kuptimin e vërtetë të fjalës, ose ndiheni si i tillë, nëse nuk përputheni fare me familjen që keni, duke u bërë një lexuesi rregullt, ju gjeni një mënyrë për të gjetur familjen me të cilën mund të përputheni. Është një familje mbarëbotërore, totalisht e hapur dhe me të vërtetë e jashtëzakonshme. Është familja e lexuesve. E të apasionuarve pas librave. E atyre që ndihen të varur nga letërsia. Bibliofilët. Bëhuni një prej tyre, dhe do keni një familje të zgjeruar e të kudondodhur.

3.Bëheni pjesë e një bisede globale, të përjetshme

Librat janë rruga me të cilën e shkuara komunikon me ne. Dhe librat janë rruga që ne komunikojmë, përmes kulturave dhe kufijve kombëtarë, përmes linjave shoqërore dhe ndarjeve klasore. Librat na lejojnë të hyjmë në jetët dhe botën e secilit, në një mënyrë krejt të rezervuar, por tre dimensionale.

4.Do të mësoni të flisni bukur

Leximi është rruga më pa mundime për të përmirësuar fjalorin tuaj, shqiptimin dhe aftësitë gramatikore. Lexoni më shumë, dhe do të keni mundësi të qeshni nën zë, kur shokët tuaj postojnë statuse të përditësuara në Facebook, me gabime skandaloze. Ju mund të korrigjoni përdorimin e gabuar që u bëjnë ata fjalëve të zakonshme. Mund të jeni “tirani” gramatikor, që keni ëndërruar gjithmonë të jeni.

5.Mezi do të presësh radhët, pushimet, sallat e pritjes

Kjo mund të jetë, në fakt, pika më e madhe e kthesës në jetën tuaj. Në vend që të trokasësh këmbën me padurim, duke bërë uf e puf apo të tregosh inatin dhe zemërimin në një mënyrë të papranueshme shoqërore, ti mundet thjesht… të lexosh. Kujtdo libri që i je futur momentalisht, duhet ta marrësh me vete, në xhepin ose në portofolin tënd. Nxirre dhe ke gjetur zbavitjen, shoqërinë, dhe stimulin intelektual. Të gjitha në një “paketë të lëvizshme”. Leximi të krijon mundësinë të jesh i lumtur në çdo kohë, kudo. Është superfuqi për të cilën gjithsecili ka nevojë.

6.Do të bëhesh një njeri më i këndshëm

Ti ndoshta nuk do t’ia dish që të bëhesh njeri më i këndshëm, por njerëzit në jetën tënde duan. Leximi të lejon të provosh emocionet e dikujt tjetër, gjë që të bën automatikisht të ndjeshëm ndaj atyre që të rrethojnë. Ndoshta nuk keni qenë asnjëherë viktimë e racizmit, abuzimit, ose varfërisë. Ndoshta ti nuk e di sesi ndihet dikush që ofron dashuri dhe nuk e merr mbrapsht. Ndoshta ty të duket më e lehtë të kritikosh, sesa të simpatizosh. Leximi nuk do të t’i shuajë krejt paragjykimet, por do të të ndihmojë shumë që t’i reduktosh. Dhe nxito, për të qenë më i ndjeshëm ndaj të tjerëve. Sepse kur ti jeton jetën e të tjerëve përmes librave, fillon të shohësh jetët e atyre që të rrethojnë. Jetë për të cilat nuk di asgjë, shkruan bota.al

7.Do të mësosh gjëra të reja

Edhe nëse gjithçka që ti lexon është trillim, mund të mësosh shumë rreth influencave kulturore, marrëdhënieve, historisë, frikës, psikologjisë njerëzore, shprehjeve të ndryshme të shpirtërores, efektet e luftës, mënyrat sesi robotët të pushtojnë botën, dhe se si superheronjtë ia dalin t’i mbajnë të pastra pelerinat e tyre. I gjithi informacion shumë i dobishëm. Do më shumë? Futu artit të bazuar në realen, biografive, historisë. Shmang librat për ngjarjet e momentit. Lexo histori në vend të kësaj; ti do të mësosh më shumë rreth ngjarjeve aktuale, duke lexuar për ato historike. Rend pas librave që fillojnë me: “Si të…”. Kujtime. Shkencë. Eksplorim.

8.Do të zbulosh se ishe më “budalla” se sa e kishe menduar

Përpara se të nisje leximin, ti mendoje se kishe një mëndje mjaft të hapur, apo jo? Mendoje se dije shumë, se ti kishe një perspektivë të zgjeruar për jetën, dhe një ide shumë të saktë për botën dhe mënyrën si funksiononin gjërat. Dhe pastaj ti fillove të lexosh. Ndoshta ata pak libra të parë nuk ishin ndonjë gjë e madhe. Ata ndoshta të mbajtën ty të sigurt në zonën tënde të rehatisë. Por sapo një tjetër pjesëtar i familjes së madhe të lexuesve të dha një rekomandim, ndjeve se skajet e mendjes tënde filluan të çahen e hapen paksa. Një dritëz të vogël nisi të depërtonte brenda dhe fillove të shihje pjesën e brendshme të mendjes tënde ashtu siç ishte në të vërtetë: e errët, me pluhur, dhe e mbushur plot hamendësime. Ti vazhdove të lexosh, dhe sa më shumë lexoje, aq më shumë ato të çarat filluan të hapen. Një nga një, ato hamendësime rrëshqitën dhe shkanë jashtë të çarave. Drita rritej. Ajri pastrohej. Fillove të populloje mendjen me gjëra të ndryshme: imazhe, biseda, perceptime, kuptime, të dhëna. Poezi. Fragmente jetësh të cilat nuk i ke jetuar, por që i provove përmes një libri. Emocione që nuk të përkisnin ty, por që i ndjeve po aq fuqishëm. Gjëra të vërteta, nga bota reale, në vend të atij rafti të vjetër të hamendësimeve dhe shpresave të kota.

9.Do të jesh më shumë krijues

Ndërsa e mbush mendjen tënde me material të freskët nga të gjithë këta libra, diçka e mrekullueshme fillon të ndodhë. Mendja jote zgjohet. Krijimtaria ka të bëjë me gjetjen e lidhjeve. Njerëzit krijues në jetë, ata që ne i admirojmë për zotësinë e tyre, janë ata të cilët mund t’i bëjnë ato lidhje me të vërtetë mirë. Ata kanë një fond të gjerë njohurish. Ata e lënë poezinë të depërtojë në shkencë, lënë besimin dhe historinë të ecin bashkë. Leximi të ndihmon të mbushësh mendjen tënde nga sa më shumë burime që dëshiron, dhe pastaj ta lësh të gjithë atë gjë të bukur të trazohet e të përzihet, në mënyrën që ti vetë dëshiron, shkruan bota.al

10.Do të bëhesh më shumë imagjinues dhe më pak i frikësuar nga të qenurit i çuditshëm

Kur lexon libra të cilat janë produkt i imagjinatës së dikujt tjetër, ti fillon t’i besosh vetë imagjinatës tënde, dhe ta përdorësh atë. Çfarë ideje madhështore! Ta përdorësh atë copë tru, në të gjithë potencialin e vet “të çmendur”. Leximi do të ndihmojë ta bësh atë. Nëse ti e ndien se mendja jote është e çuditshme, fillo të lexosh. Pas disa rendjeve përmes botës së surealizmit ose trillit shkencor, ti do të ndihesh si njeriu më normal në botë. Kush janë këta njerëz të çmendur, të cilët dalin me këto ide fantastike të çuditshme? Sigurisht, ti do të duash të lexosh më shumë. Dhe atëherë vetë imagjinata jote do të fillojë të bluajë çfarë ti ke lexuar, në jetën reale, do t’i shtosh në koleksionin tënd unik të informacionit, eksperiencë, edukim, dhe personalitet/portalb

Babai i gjashtë fëmijëve që bëri për vete për pak ditë 22 milionë njerëz (VIDEO)

Michael Ketterer sfidoi vetën në America’s Got Talent, dhe kur u ngjit në skenë ishte mjaftë nervoz, shkruan KultPlus.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe gjashtë fëmijët e tyre, ai ka mahnitë audiencën me zërin e tij të thellë, dhe pikërisht ky interpretim ka bërë që njëri nga trajnerët, Simon Cowell ka shtypë butonin për Golden Buzzer.

KultPlus ju sjellë performancën e tij që bëri audeincën edhe të qajë./KultPlus.com

Kam fjetur me armikun tim

Dokumente fotografike nga arestimi i grave që u akuzuan se kishin marrëdhënie seksuale me pushtuesit gjermanë në Europë. Ka mijëra foto me skena festive nga çlirimi i Francës në vitin 1944. Në mesin e këtyre fotografive të lumtura megjithatë, ka disa skena shumë tronditëse. Këto janë fotografi që tregojnë se çfarë i priste gratë që u akuzuan nga bashkatdhetarët e tyre për bashkëpunim me armikun. Tipike është imazhi i një gruaje me kokën e rruar që mban në krahë fëmijë e saj,(Foto 1) fryt i marrëdhënieve intime me një ushtar gjerman.

Në Europë kjo praktikë daton në Mesjetë me Visigotët. Gjatë Mesjetës, denigrimi i grave ishte shumë i zakonshëm në rastet e kurorëshkeljes. Rruajtja e kokës si një metodë poshtërimi dhe ndëshkimi u kthye në shekullin e 20-të. Kur trupat franceze pushtuan Rhinelandin në vitin 1923, gjermanet kishin hyrë në marrëdhënie me ushtarët francezë pësuan poshtërim publik dhe përfundonin me kokat e rruhura.

Pra, nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhanë urdhër se gjermanet që akuzoheshin për marrëdhënie me burra jashtë të ashtuquajturës “racë ariane”, prsh me të burgosurit e huaj të cilët punonin në punë të rënda, do ndëshkohen publikisht me të njëjtën mënyrë.Në foton e dytë, anëtarët e rezistencës franceze po dërgojnë dy gra të akuzuara për bashkëpunim me pushtuesit në burgun lokal. Para se të shkonin atje, duhej të kalonin testin e rruajtjes së kokës. Vëzhgoni se si prekin shfaqen gra të arrestuara gjysmë të shveshura dhe me kokat të rruara.29 gusht 1944. Në foton e tretë një grua franceze me uniformë gjermane. Pantallonat ndoshta nuk i bënë. Ishte e zakonshme që të vishnin uniformat e oficerëve gjermanë partnerë të tyre.

Gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore arritën të pushtojnë pjesën më të madhe të Europës. Kur luftimet përfunduan dhe u vendosën në territoret e pushtuara, kërkuan gra të disponueshme. Kjo përfundimisht doli të jetë jo shumë e vështirë. Në foton e katërt një tjetër bashkëpunëtore e gjermanëve diku në Francë. Fotografia u gjend në duart e një të burgosuri gjerman, rob lufte. Në foton e pestë gjermanë shkëmbejnë rrobat me të dashurat e tyre franceze dhe bëjnë “gallatë” .

Zakonisht fotot e vajzave që bashkëpunuan me gjermanët gjendeshin në trupat e vdekur të dashnorëve të tyre gjermanët në kampet e përqendrimit. Askush nuk e di se nga erdhi fotografia e ardhshme,(Nr 6) e cila fillimisht iu atribua të dashurës së një oficeri gjerman. Gruaja e re shfaqet me kapele dhe veshje SS të Divizionit të Tretë të NS Panzer që kishte emblemë kafkën (Division Totenkopf). Vajza me kurorën. Vishte uniformën e SS të kampeve famëkeqe të përqendrimit. A ishte e dashur apo thjesht vishte uniformën e babait të saj oficer? Uniformat me emblemën e kafkës visheshin nga rojet në kampet e përqendrimit veprimi i të cilëve ishte i njohur.

Gratë mund të shërbenin në këto njësi vetëm si asistente dhe natyrisht nuk mbanin uniforma të SS. Hulumtimi rreth kësaj foto tenton të përfundojë se ndoshta është veshja e babait të saj. Megjithatë, dihet se ushtarët gjermanë për ndonjë arsye e gjenin interesante të vishnin pushtuesit me uniformat e tyre. Vini re se imazhi është prerë në mënyrë që të mos tregojë këmbët që mund të kenë qenë të zhveshura. Ndoshta kjo është një vajzë e pafajshme. Një vajzë e re me kapele të SS (Foto 7) Një ushtar gjerman jashtë shërbimit “relaksohet” në pishinë me të dashurën e tij (Foto 8). Disa oficerë gjermanë kishin zakon të thirrnin dashnoret franceze në bazë, në shkelje të rregulloreve ushtarake. Gjermanët pushtuan të gjitha qytetet europiane dhe u vendosën atje për një kohë të gjatë. Në këto zona u regjistruan incidente të grave që patën lidhje dashurie met pushtuesit kryesisht me qëllim. Si justifikim zakonisht paraqisnin “mungesën” e burrave, pasi shumë francezë ishin të burgosur të gjermanëve ose kishin ikur në male, ose zhvillonin aktivitetet e rezistencës. Shoqëri me sfond Kullën Eifel (Foto 9) Kjo foto është marrë në Montelimar, Francë, 29 gusht, 1944 (Foto 10) Në foto shihet një franceze që ndëshkohet publikisht sepse kishte marëdhënie me një ushtar gjerman. Mbrapa një tjetër vajzë është duke pritur rradhën e saj. Ishte një prostitutë që u shërbente ushtarëve gjermanë.

As ajo nuk i shpëtojë ndëshkimit. Qytetarët francezë i rruajnë kokën publikisht. Në foto të ndryshme duket se janë gratë ato që kënaqen më shumë me dënimin e bashkëpunëreve. Në rrugët e qytetit Brignoles, (Foto 11) qytetarë të egërsuar, ndëshkojnë publikisht një grua të dyshuar si bashkëpunëtore e gjermanëve. Gratë shprehin ndjenjat e tyre sapo gjermanët largohen nga vendi i tyre. Nuk kishte dallim midis grave dhe burrave. Tradhëtarët ndëshkoheshin pavarësisht gjinisë. Nga: Ngjarje nga Historia Botërore.

Të dielën hapet edicioni i pestë i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, këtë të diele do të hap edicionin e pestë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, shkruan KultPlus.


Në kuadër të këtij manifestimi kulturor do të zhvillohen këto veprimtari:

Shënimi i 140 – vjetorit të Lidhjes së Prizrenit;

Ndarja e Çmimit Kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2018; dhe

Programi artistik.

Hapja solemne do të bëhet më 10 qershor 2018, në orën 12:00, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës (Qendra për kulturë në Tetovë)./ KultPlus.com

“Profeti nga Praga”- I ringjalluri


(Musa Ramadani: “Profeti nga Praga”, “Mapo”, Tiranë, 2017)

Shkruan: Valjeta Rexhaj

Ringjallja apo rikthimi, kujtimet, ndërgjegjja, premtimet, shpresa, vendlindja, dashuria, rinia, fantazmat, të gjitha këto të bashkuara në një padyshim në mënyrën më të mirë, nga Musa Ramadani na paraqesin figurën e plotë të të famshmit, shkrimtarit të rikthyer nga amshueshmëria – Kafkës.

Vepra e përbërë nga një parakaptinë : lajm-shpall-ftesa, nga një paskaptinë : mbi-gur-shkrimi si dhe nga dy pjesë, e realizuar në formë të rrëfimit, ku pjesa më e madhe realizohet kryesisht si dialog pa lënë anash ca monologje, na shfaqet si vepër e cila na sjell biografinë e Kafkës si autor, si njeri dhe lidhjet e personazheve me autorin ose letërsinë në formën më të arrirë të artit.

Qysh në fillim të veprës na del rikthimi i autorit dhe ritakimi me shokun më të ngushtë të jetës Max Brodin. Maxi e njeh mikun, por meqenëse ai kishte kohë që nuk jetonte, aludon që njeri i ri mund të jetë djali i tij, fati i të cilit ishte një vdekje që në moshën 7 vjeçare krejt papritmas sipas asaj që kishte treguar Greta Blouch në letrën dërguar mikut të saj nga Izraeli, në të cilën nuk thuhej emri i babait, por sipas letërmarrësit i cili ishte i vetmi dëshmitar, atësinë ajo ia m’veshte Kafkës. Greta e gjorë ishte zhdukur në kampin nazist dhe dyshimi për vdekjen e djalit vazhdonte të ekzistonte.

Maxi si mik i dikurshëm i të ringjallurit, akt të cilin nuk e beson, na del jo vetëm si mik, por edhe si njeri artdashës, sepse ishte ky që dorëshkrimet e Kafkës, të cilat autori kishte dhënë urdhër të zhdukeshin, premtim që nuk e realizoi bëri që Kafka të jetë sot njëri nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore.

Musa Ramadani përmes këtij libri arrin të gërshetojë të vërtetën, legjendën, religjionin, fantastiken deri në çmitizimin e tyre, siç është besa e shqiptarit, besimi religjioz dhe simboliken e urës në artin letrar.

Vepra “Procesi” me të cilën u njoh ishte titulli të cilin ja la Maxi bashkë me ca rregullime aty këtu dhe e hodhi veprën në botim pa mëdyshjen që po tradhëtonte besën që dikur kishte dhënë.

Besa është akti më i lartë i yni, andaj ajo duhet mbajtur i gjallë apo i vdekur qofsh. Edhe këtu vdekja nuk e ndalon mbajtjen e saj, për të na rikthyer edhe një herë te mitologjia jonë, Konstandini i legjendës dhe te mbajtja e besës së tij. Prapë një i ringjallur apo i rikthyer nga vdekja një Konstandin i quajtur Kafkë i cili i kthehet motrës Oltës pas 40 viteve, ashtu siç edhe i kishte premtuar.

Max Brodi nuk e mban fjalën e dhënë sepse ai nuk ishte as korsikan, as irlandez, as shqiptar…

“Vetëm ata e mbakan fjalën e dhënë, hebreu s’qenkërka besnik?”

“-Po të isha si ata, dorëshkrimet e tua do të bëheshin pluhur e hi”

Maxi përmendi besën duke pasur parasysh shqiptarin.

Dialogu mes autorit e mikut të tij, e jep pjesën e jetës, veprës, dashurisë dhe famës së Kafkës, dhe konflikti paraqitet në nivelin më të lartë kur Kafka kërkon llogari dhe e gjykon se nga e kishte marrë lejen e botimit të veprave për të cilat kishte dhënë urdhër të zhdukeshin. Përballë një tradhtie të cilën Kafka ia mvesh Maxit, qëndron një vlerë e cila nuk bënte të zhdukej sipas Maxit.

“- Po ama i dija vlerat e tua, s’mund ta privoja botën nga arti.”

“- Nuk e mohoj që drama ime jetësore ishte thjeshtë metafizike!”

“- Po veç mos harro qenia jote posedonte një forcë mesianike!”

“- Sidoqoftë, botimi i veprave post mortem është akt tradhëtie!”

“- Akt tradhëtie do të ishte djegia e dorëshkrimeve, megjithatë.

Krahasimi i Franzit me Mesian, Moisiun na risjell autorin si profet, profet në mënyrën e ringjalljes dhe risjelljes në jetë pas 41 vitesh së vdekjes, por i cili nuk na sjell besimin si religjion por besimin në letërsi si art i bukur dhe shkrimin si formë e lutjes.

Figura e femrës dhe sfidat e dashurisë dalin përmes një mori personazhesh femra duke filluar nga Felice Baueri tregtare si dashuria e pare e autorit, vazhdimin me Jasenkën, Gretën për të përfunduar me një besimtare të quajtur Dora Diamant.

Dora si besimtare, si femër e fuqishme arrin të thyej parimin e mosmartesës nga ana e Kafkës, duke përfunduar i martuar me të deri në momentet e jetës. Nuk e beson veten si Kafkë, pasi dashurohet në atë masë.

Diku ka mesi kemi takimin mes të atit dhe birit i cili shoqërohet me një përqafim miqësisht ose letrarisht në mes të të riut K dhe të vjetrit Z.K. Ajo që mbeti enigmë e që ndryshon komplet nga legjenda është pikërisht ky përqafim, sepse në historinë e saj i gjalli asnjëherë nuk arriti të përqafohej me të vdekurin e rikthyer ose ndoshta kjo është një porosi e autorit, që kërkon që çmitizimi të sjellet në format e krijimit të letërsisë.

Fantastikja si shprehje në veprat e folklorit na del edhe te Musa Ramadani, për të kuptuar lidhjen e ndikimin e autorëve me të kaluarën. Ura si simbol i mëhershëm na vjen si urë ku statujat e njerëzve, të qenëve e kaprojve në të kishin diçka fantastike, misterioze ata flisnin e komunikonin duke ndodhur që nganjëherë shprehnin edhe ndjenjat me një gjuhë çuditëse.

Epitafi i vendosur në varrin e tij sikur na e shpjegon tërë punën e shkrimit e të fames së Kafkës.

“ Të shkruash është një gjumë më i rëndë se vetë vdekja.” Si personazhi J.K gërryen tërë shkrimin në varrin e tij sepse gjeniu anonim i tillë duhet të jetë përjetë.

(Autorja është student në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën, “ Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për here të parë.)

Të martën në Pejë hapet panairi i Librit “Peja 2018”

Biblioteka “Azem Shkreli”, në kuadër të Drejtoratit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Pejë, organizon edicionin e 5-të të Panairit të Librit “Peja 2018”, nga data 12-16 qershor 2018 në Qendër të qytetit të Pejës, shkruan KultPlus.

Në këtë panair pritet të marrin pjesë rreth 17 shtëpi botuese ku të gjithë dashamirët e librit do ta kenë mundësinë që të furnizohen me libra cilësor dhe ta pasurojnë bibliotekën e tyre.

Këtë vit në kuadër të këtij panairit do të ketë edhe aktivitete te tjera si promovimet e librave “Pesha e mendimit dhe e fjalës” e autorit Ali R. Berisha dhe “Portret pa kornizë” e autorit Ali M. Lajqi.

Panairin pritet që ta vizitojnë nxënësit e shkollave të ndryshme të komunës në mënyrë që të mësojnë me shumë për rendësin e librit, ndërsa si çdo vit përveç nxënësve pritet që këtë panair ta vizitojnë edhe studentë, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike.

Panairi “Peja 2018 “ do të qëndroi i hapur në qendër të qytetit të Pejës nga data 12 deri më 16 qershor dhe përkon me ditën e Çlirimit të Pejës./ KultPlus.com

Komuna e Prizrenit synon rikthimin e kalldërmit në të gjitha rrugët e Qendrës Historike të qytetit

Komuna e Prizrenit është duke punuar në rrugët e Qendrës Historike të qyteti ku po sanon dëmtimet qe janë bërë në këto rrugë, ndërsa nuk mohon mundësinë që të gjitha rrugët e kësaj pjesë të qyteti të shtrohen me kalldrëmë, shkruan KultPlus.

Komuna e Prizrenit përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se rrugët në Qendrën Historike të qytetit, janë në gjendje të mjerueshme prandaj në këto rrugë janë duke u zhvilluar punimet.

“Kalldërmet e rrugëve në Qendrën Historike të qytetit, janë në gjendje të mjerueshme. Gjatë punimeve në të kaluarën, kalldërmet nuk janë kthyer në vendin e vet, janë dëmtuar, ose nuk janë rivendosur si më parë. Nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Publike, në këtë rrugë jemi duke vazhduar punët në trotuare dhe pas përfundimit të intervenimeve në trotuare do të vazhdojmë me sanimin e kubëzave në rrugë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi tregon tutje se është duke u menduar që të gjitha rrugët e kësaj pjesë të qyteti të shtrohen me kalldrëmë edhe pse një investim i tillë do i kushtojë komunës.

“Në të ardhmen mendojmë për rikthimin e kalldërmit në të gjitha rrugët e Qendrës Historike të qytetit. Ndonëse është projekt i kushtueshëm, për vizitorët e qytetit të Prizrenit kalldërmi është “guri” identifikues ku shtrihet qyteti i vjetër i Prizrenit”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Dua Lipa performon në natën e parë të “Sunny Hill”, çmimet e biletës nga 35 deri në 75 euro

Me mijëra njerëz do të vijnë nga Europa për ta ndjekur Festivalin “Sunny Hill” i cili do të mbahet gjatë gushtit në Prishtinë, duke e shndërruar këtë festival në fokus edhe të mediave botërore, shkruan KultPlus.

Në një konferencë për media është bërë e ditur që ky festival do të mbahet në Hapsirën e Germisë në data 10-11 dhe 12 gusht, ndërsa do të sjellin 72 orë plot aktivitete.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares Dua Lipa thotë se ka qenë një rrugë shumë e gjatë për ta sjellë një Festivali si “Sunny Hill” në Prishtinë. Ai ka treguar se 25% e fondeve nga festivali do të shkojnë për fondacionin “Sunny Hill Foundation”.

“Shpresoj që me mundin që jemi duke e bërë do ta sjellim një festival i cili do t’i sjellë përfitime Kosovës në ngritjen e imazhit dhe pasi që do të mbahet në kryeqytet do të kemi shumë musafirë të Europes që do ta vizitojnë vendin tonë, kryeqytetin dhe pjesën tjetër të festivalit”, tregoi Lipa.

Ai tha se ky festival do të ketë edhe performues lokal, ndërsa natën e parë do të perfromoj Dua Lipa dhe Stanaj. Ai tha se në këtë festival do të performojnë edhe Grace Carter Action Bronson, Cold Train. Këngëtaret lokal që do të performojnë janë Ledri dhe Mc Kresha.

Visar Breznica tha se biletat do të shiten online të cilat do të publikohen shumë shpejt në web faqen e festivalit ndërsa të tjerët mun dtë pajisen me bileta përmes partneeëve lokal dhe regjional të festivaleve.

Lipa ka theksuar se fushata zhvillohet nga agjensioni “Republika” ndërsa Komuna e Prishtinës është mbështetëse e Festivalit.

Visar Breznica tha se çmimet me të lira janë 35 euro që do të jetë një numër i limituar të biletave, andaj duhet të ndiqen të gjtha kanalet e Festivalit.

“Më pas do të kalojmë në fazën e çmimeve 55 euro dhe të gjitha biletat janë tre ditore për gjithë festivalin dhe në fund çmimi i rregullt i biletës do të jetë 75 euro”, tregoi Breznica./ KultPlus.com

Era Istrefi bën historinë (FOTO)

Era Istrefi, këngëtarja e njohur nga Kosova është vetëm 24 vjeçare ndërsa ka arritur të jetë zëri i kampionatit botëror përkrah emrave të njohur botëror, shkruan KultPlus.

Era Istrefi e lindur dhe e rritur në Prishtinë, është shquar gjithnjë për stilin e saj të veçantë. Depërtimi i saj në skenën muzikore shqiptare edhe ka sjellë një frymë të re artistike kur ajo u shfaq së pari me këngën “Mani për Money” në vitin 2013. Pasuar nga këngë të tjera që u mirëpriten si “E dehun”, “ A po don”, “13”, “Njo si ti” e deri tek kënga “Bonbon” që e ngriti karrierën e Era Istrefit në një nivel tjetër. Kjo këngë cilësohet si vulë e suksesit të këngëtares Istrefi, e cila është edhe autore e shumë këngëve të saj.


Kënga “Bonbon”, bëri që Era Istrefi të cilësohej si një miksim i dy këngëtareve të njohura Rihanna e Sia. Pas këtij suksesi, ajo lidhi kontratë me shtëpitë e mëdha diskografike amerikane Sony Music Entertainment dhe Ultra Music në shkurt 2016. Më datë 24 Shkurt 2017, Era Istrefi publikon videoklipin “Redrum”, në bashkëpunim me Felix Snow, ndërsa më datë 29 Shtator 2017, Era Istrefi publikon videoklipin “No I Love Yous”, në bashkëpunim me French Montana dhe së fundmi ajo ka publikuar dy këngë të reja “Orgami” dhe “Prison”.

Megjithatë, Era Istrefi arriti edhe një herë të kap vëmendjen e botës duke qenë pjesë e himnit të kampionatit botëror, përkrah Will Smith e Nicky Jam. Ky sukses e fut Era Istrefin në mesin e artistëve më të njohura si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.

Babai i Eres ishte gazetar dhe quhej Nezir Istrefi, ndërsa nëna e saj ka qenë dikur këngëtare dhe quhet Suzana Tahirsylaj. Ka një vëlla të vogël qe quhet Bledi dhe dy motra Nita dhe Nora Istrefi, e cila është po ashtu këngëtare dhe ka ndikuar në hapat e parë të karrierës muzikore të Era Istrefit. / KultPlus.com

Ministri Gashi viziton Qendrën Kinematografike të Kosovës

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në takimin me drejtorin e QKK-se Arben Zharku shprehur përkushtimin e Ministrisë në mbështetjen edhe më të madhe ndaj kinematografisë vendore, shkruan KultPlus.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen aktuale të kinematografisë, hartimin e ligjit të ri të kinematografisë bashk edhe me lehtësirat financiare.

Ministri uroi për sukseset ndërkombëtare që po i sjell filmi Kosovës dhe u zotua që rritja buxhetore ndaj Qendra Kinematografike këtë vitë të jetë 1 milion euro, buxhet i cili pritet të ketë rritje edhe më tshumë në vitet në vijim.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i bëjë Kosova që sa më parë të bëhet pjesë e programit Media pas anëtarësimit në Evropën Kreative./ KultPlus.com

Vizitoret e Panairit të librit ankohen për temperaturat e larta, Zeneli e vlerëson problem periferik

Më të hyrë në Pallatin e Rinisë dhe Kulturës ku edhe tradicionalisht mbahet Panairi i Librit i cili këtë vit shënon edicionin e 20-të, vizitorët përveç librave dhe aktiviteteve të shumta po përballen edhe më nxehtësinë që e ka kapluar hapësirën e panairit, shkruan KultPlus.

Nxehtësia dhe mungesa e klimës, në hapësirën e Pallatit të Rinisë, ku mbahen aktivitete të shumta kulturore duke përshirë festivale të ndryshme të muzikës dhe filmit por edhe ku mbanë koncertet Filharmonia e Kosovës, është vërejtur më së shumti gjatë këtyre ditëve sa po mbahet edicioni i 20-të i Panairit të Librit.

E vizitorët të cilët po vizitojnë panairin nuk lënë pa komentuar edhe mungesën e klimës dhe nxehtësinë që po mbizotëron. Rina Kelmendi e cila në duar mbanë libra që i ka blerë në panair e vlerëson mbajtjen e panairit si ngjarjen më të rëndësishme dedikuar librit, gjersa kritikon kushtet në të cilat shtëpitë botuese po shesin librat.

“Punonjësit e shtëpive botuese të cilët janë mbledhur këtu e që po shesin librat nuk e di sesi po arrijnë të qëndrojë gjatë gjithë ditës. Unë kam pothuajse një orë që po bredh rreth panairit pasi që librat këtu janë më lirë dhe po ndihem e ngulfatur. Ajri është shumë i rëndë dhe klimat e vendosura vende- vende nuk po vërehet fare”, tha ajo për KultPlus.

Sipas shkrimtarit Ag Apolloni, i cili ka komentuar mbi kushtet e panairit në një postim në Facebook, ai thotë se mungesa e klimës e ka kthyer panairin në një saunë.

“Ministria e Kulturës dhe Komuna kanë dhënë pare për organizimin e panairit, por organizatorët kanë menduar më shumë, pasi e kanë kthyer Pallatin e Rinisë në një saune (përveç pjesës ku shesin vetë), ku njerëzit vijnë për t’u nxirë. Turp për organizatorët! Turp për Ministrinë dhe Komunën që nuk kujdesen çka po financojnë? Turp për botuesit që nuk protestojnë! Turp për mediat që nuk e raportojnë këtë gjendje të panairit!”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se duhet kërkuar falje blerësve që përkundër këtyre kushteve po interesohen për librat.

“Të gjithë së bashku duhet t’u kërkojnë falje blerësve (lexuesve), të cilët, edhe në këto kushte të tmerrshme (me klimë saharaje), po vijnë pas librit. Ju që vini në Panair, bleni ujë në qytet, se në hyrje të panairit e keni shishen me çmim trefish më të shtrenjtë”, përfundon postimi i tij.

Ndërsa sipas Anëtarit të Bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, organizatorët e panairit kanë blerë pajisje shtesë për të rregulluar gjendjen, mirëpo sipas tyre ky nuk është problem themelor.

“Ashtu siç e dini Pallati i Rinisë i takon Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ky nuk është objekt të cilin e mirëmbajnë organizatorët e Panairit të Librit. Ne vetëm e kemi marrë objektin me qira dhe kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Është shumë e padrejtë të na fajësojnë neve si organizatorë. Ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi blerë edhe pajisje shtesë të cilat janë shtuar. Duhet që të kuptohet se temperaturat janë të larta dhe vetëm për momentin kemi më shumë se 500 veta në Panair. Nuk mendoj që duhet të merremi më këto gjëra periferike, është absurde”, tha ai për KultPlus.

Për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Sopranoja Ermonela Jaho propozohet si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO, dhe gatishmërinë e saj, për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s, shkruan KultPlus.

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencë dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Pikërisht në Paris ajo prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO si dhe shfaqi gatishmërinë e sopranos për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s.

Kumbaro theksoi se do të ishte në nderin e Organizatës që të angazhojë një grua dhe një artiste të këtij niveli për të punuar e ndikuar që kultura të mbetet urë komunikimi mes të rinjve në mbarë botën dhe të luajë rolin që i takon në paqen dhe emancipimin e shoqërive në botë./ KultPlus.com

UNESCO e vlerëson Shqipërinë si model të zhvillimit të trashëgimisë, diskutohet edhe për Kosovën

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, e cila është shprehur se UNESCO e vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit. Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, shkruan KultPlus.

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencë dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Kumbaro shprehu mbështetjen e Qeverisë për vizionin e ri për Transformimin Strategjik të UNESCO-s, dhe falënderoi organizatën për bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo diskutoi me znj. Azoulay për rrugët dhe mjetet për ta shtrirë më tej këtë bashkëpunim.
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, shprehu mbështetjen e organizatës për programet e edukimit në art dhe trashëgimi, që po zbaton Shqipëria , duke vënë theksin se “Rinia dhe Kultura janë shtyllat e rëndësishme të organizatës së UNESCO-s”.

“Vlerësojmë shkëlqyeshëm punën dhe rezultatet e Shqipërisë në mbrojtjen, konservimin, restaurimin dhe sensibilizimin e trashëgimisë, me synimin e qartë për t’i dhënë zhvillim turizmit kulturor, përmes politikave të qarta në trashëgiminë kulturore. UNESCO vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit duke theksuar se ai duhet treguar për të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.

Në takimin me Azoulay, Ministrja Kumbaro preku edhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke vënë theksin se ajo duhet parë si një temë e kulturës universale, e ndarë nga politika dhe garantoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin rajonal dhe rolin emancipues të kulturës në këtë drejtim.
“Ne mbështesim kontributin kulturor të Kosovës, krahas të gjitha vendeve të tjera, në UNESCO, si në një familje të madhe kulturore ku secili është pjesë e mozaikut të kësaj hapësire pa kufi, ku sidomos të rinjtë duhet të jenë prioritet. Kjo nuk duhet parë si akt politik për të sfiduar ndokënd, por vetëm si nevojë e natyrshme për t’i dhënë kulturës, arsimit, shkencës dhe rinisë në Kosovë të njëjtat mundësi për bashkëpunim dhe ndërveprim si në vendet e tjera të rajonit dhe botës”, theksoi Kumbaro gjersa ftoi drejtoreshën e UNESCO-s Azoulay për vizitë në Shqipëri me rastin e një konference të nivelit të lartë në festimet e 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatë.

Në ditët e qëndrimit në Paris, Kumbaro zhvilloi një takim pune me Metchtild Rossler, Drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, ku u diskutua për zhvillimet pozitive në fushën e trashëgimisë në dy qytetet Gjirokastër dhe Berat dhe në Parkun e Butrintit.
“Jo vetëm keni plotësuar kërkesat e UNESCO-s, por njëkohësisht jeni një nga shembujt pozitivë të modelit të zhvillimit, që përkon me synimet e kësaj organizate, që synon ruajtje, mbrojtje, sensibilizim dhe zhvillim gtë trashëgimisë botërore” u shpreh ajo.

Rossler vlerësoi hapat në zhvillim të Shqipërisë, që shënuan suksesshëm me miratimin e ligjit për trashëgiminë dhe muzetë, hapat pozitive në ndërtimin e katër muzeve të rinj bashkëkohorë, si dhe strategjinë për të sensibilizuar të gjithë aktorët shoqërorë për rëndësinë e trashëgimisë përmes programeve të edukimit dhe partneriteteve me pushtetin vendor dhe sektorin privat. / KultPlus.com

Nesër fillon Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”

Me organizmin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, nesër në Prishtinë fillon festivali dyditor ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, shkruan KultPlus.

Ky manifestim nis në orën 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe hapet me sesionin letrar “Muza e Skënderbeut si frymëzim letrar”, ku do të paraqiten pesë kumtesa nga studiues të letërsisë nga Prishtina dhe Tirana, pastaj do të bëhen disa përurime të veprave letrare, si dhe do mbahet ora letrare “Lira magjike”.

“Drini poetik” do të vazhdoj edhe të dielën (më 10.06.2018) me “Ora e Lidhjes” në Prizren, që mbahet nën shenjën e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të ketë edhe një aktivitet të përbashkët mes Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.

Festivali ndërkombëtar i poezisë sivjet mbahet nën patronin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe shënon edicion e 9-të me radhë. Këtë vit festivali “Drini poetik” mbahet nën shenjën e 140- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit./ KultPlus.com