“Ejli”, poezia fituese e Orës së Madhe Letrare

Ejlli
(in memoriam Dom Mikelit)

Poezi e shkruar nga Erenestina Haili.

Thirre ejllin tând, kur dita përhimë t’kâ deshë,
bani zâ, se ejlli merr f’tyrën e nânës, bâbës, dheut.
Thirre ejllin tând, kur mushknía t’ka prè n’besë…
Ora pro nobis, ora pro nobis…

Nânë do të jèsë,
Bâbë do të jèsë,
Atdhe do të jèsë.

Bàni zâ ejllit, kur kâmbë e huej, t’shklet mbi koc,
mbi shpinë tanden kryqin kâ lânë shèj,
se lodin tand e mbledh n’ Graal t’fildishtë,
m’u ngíjë sofra e njerzúere e dëshmisë .

Ora pro nobis, Ora pro nobis!
Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.

E kur shkreptima t’rrâhin token nazike zhigâtun
e t’çilet porta nji bârrë dritë,
Ejlli difton krahët, ku rândesa yte, paditunie,
âsht bâ kryq e krane, prej dashnie.
Ora pro nobis, Ora pro nobis!

Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.
Ejlli yt!

Kënga e Rita Orës promovohet në “Times Square”

Këngëtarja nga Kosova që ka arritur të njihet ndërkombëtarisht, Rita Ora këto ditë ka publikuar këngën e saj më të re “Let you love me”, shkruan KultPlus.

Këtë këngë, këngëtarja e solli të vizualizuar edhe me klip, e ndërsa ka paralajmëruar publikimin e albumit të ri “Phoenix” më 23 nëntor.

“Let you love me”, e cila është kënga e parë e këtij albumi, është pritur jashtë mase mirë nga fansat e këngëtares. Në vetëm pesë minuta pas publikimit të klipit, kënga arriti mbi 100 mijë klikime në YouTube, e ndërsa është drejt milionëshit të parë.

Ka qenë platforma ‘Spotify’, ajo e cila ka vendosur ta promovojë këngën e artistes shqiptare në një nga ekranet më të mëdha të “Time Square”.

E lumtur për këtë fakt është shprehur edhe vet Ora, e cila ka falënderuar fansat e saj për mbështetjen që po ja japin në këngën e saj të re./ KultPlus.com

Erenestina Halili shpallet fituese e Orës së Madhe Letrare

Në manifestimin kulturor të “Dom Mikelit”, në Stubëll të Vitisë janë ndarë çmimet për poezitë më të mirë të Orës së Madhe Letrare. Në këtë manifestim lexuan mbi 24 krijues nga Tirana, Italia, Presheva, Kamenica, Prishtina, Vushtrria, Ferizaji, Gjilani, Vitia e vende të tjera shqiptare, ndërsa numri i konkurentëve ishte edhe më i madh, përcjellë KultPlus

Fituese e “Orës së Madhe Letrare” u shpall Erenestina Halili për poezinë më të mirë. Ajo ishte e ftuar në Akademinë shkencore, në nder të figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, së bashku me të ftuar të tjerë. Profesoresha, tha se është hera e parë që viziton Stubllën.

“Jam edhe e suprizuar, sepse shoh njerëz jo vetëm që jetojnë me histori e art, si dëshmi e gjallë e një historie ende të gjatë të Kosovës, siç është shkolla e parë shqipe, si dhe që është një pjesë e një historie shpirtërore përmes veprës së Dom Mikelit dhe një pjesë e një aktualiteti Evropian, përmes njerëzve, konkurseve dhe aktiviteteve tjera të shkencës apo të artit. Njerëzit njihen dhe zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar e njerëzor edhe përmes takimeve të tilla, në vende me kaq histori e aktualitet- tha Halili, duke grishur edhe një ftesë për ta vizituar Stubllën.

Sabit Rrustemi e Anton Guraqa janë fitues të vendit të dytë, ndërsa fituesit e vendit të tretë janë: Qibrije Demiri dhe Enfeleva Tafa nga Shqipëria. Në fund të këtij manifestimi kulturor, juria në fjalë i shpërbleu dy veprimtar librash, Prend Buzhalën me mirënjohje dhe Mendi Menxhiqin, po ashtu me nga një mirënjohje./ rajonipress

Sonte Shqipëria do të zgjedhë përfaqësuesin për në Junior Eurovision 2018

Gjashtëmbëdhjetë artistë do të marrin pjesë në skenë në Tiranë sonte me shpresën e përfaqësimit të vendit të tyre në garën e ardhshme të këngës në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Shqipëria debutoi për herë të parë në garën e Eurovizionit Junior në vitin 2012, dhe deri më sot kanë pasur 4 përfaqësime.

Më poshtë gjeni pjesëmarrësit në këtë garë.

Hera Hysi – “Melodi pranverore” (Spring melody)

Emmi Rushiti – “Mbremje feste (Celebration night)

Kristiana Veshaj – “Sot” (Today)

Efi Gjika – “Barby”

Jasmina Hoko – “Happy”

Sindi Goga – “Me tinguj fantazi” (With fantasy melody)

Iris Sula & Samanta Qoshku – “Çdo gjë do dashuri” (Everything needs love)

Era Rakipllai – “Panorama”

Merlin Xhai – “Bote e re” (New world)

Laura Boriçi – “Eshtë koha” (It’s time)

Iris Dollani – “Ylberi im” (My rainbow)

Sajana Kodheli – “Ylim” (My star)

Ana Kodra – “Prindër ju lutem” (Parent, please)

Melodian Mancala – “Enderroj” (I dream)

Speranca Bregasi – “Ditari” (Diary)

Uendi Goga – “Olellin dhe yjet i dua” (The sky and stars love)

“DELO.si”: Shqipëria vendi që nuk harrohet lehtë

Shumica e europianëve mendojnë gabimisht se oferta turistike është e dobët, ky është një paragjykim që e kanë edhe sllovenët.Por, shërbimet nuk janë të bezdisshme dhe as të ekzagjeruara shkruan “delo.si” në një reportazh që ia dedikon Shqipërisë.

Megjithatë, fluturimi nga Lubjana për në Tiranë zgjat rreth një orë dhe çmimet e biletave të avionëve janë të pranueshme edhe në mes të sezonit.

Rrugët nuk janë të këqija. Në disa zona më pak të zhvilluara, normalisht që rrugët nuk janë aq të mira, por nuk janë edhe aq keq sa mendohej. Nëse udhëton me makinë, duhet patur parasysh se shumica e qyteteve nuk kanë rrugë bypass, kështu që kur udhëton nëpër vend duhet të kalosh brenda qyteteve. Kjo e zgjat kohën e udhëtimit.

Gorica

Kostoja për një darkë të mirë për dy persona, me një pije, në një prej restoranteve më të mirë në Berat është 40 euro.

Në bregun e majtë të Osumit ndodhet një kodër, Gorica, ndërsa emri i qytetit të Beratit rrjedh nga sllavishtja e vjetër, nga fjala Beli Grad. Në të djathtë ndodhet Kalaja me një fortesë bizantine dhe një muze të jashtëzakonshëm në manastirin e Onufrit. Nga maja e kodrës është një pamje e jashtëzakonshme e qytetit dhe lumi që kalon mes dy kodrave. Në çdo gur të fortesës ndihet një atmosferë e veçantë. Një vend i tillë harrohet me vështirësi.

Gjirokastra

Në qytetin e dytë të UNESCO-s, Gjirokastra, rreth katër orë me makinë në drejtim të jugut, ndodhet një fortesë 336 metra e lartë që mban një muze me armë të vjetra. Në mur, ekspozohet me krenari një avion ushtarak amerikan, që në vitin 1957, për shkak të një defekti teknik, duhej të ulej pranë Tiranës.

Versioni i kësaj historie në gazetën shqiptare është shumë ndryshe, bëhej fjalë për një avion spiun të forcave imperialiste nga Perëndimi, që ushtria shqiptare e rrëzoi. Piloti ishte gjallë dhe më pas u la i lirë. Avioni ishte lënë si një trofe në anë të fortesës historike.

Çmime të ulëta dhe njerëz miqësor

Llogaraja është krejtësisht ndryshe nga Saranda dhe është vetëm 50 kilometra në veri të Dhërmiut. Dhomat këtu nuk janë të nxehta dhe shkohet nëpërmjet një rruge spektakolare që ngrihet rreth 1 000 metra mbi nivelin e detit. Guidat thonë se është mes më të rrezikshmeve në vend. Por, hija në hotelet në majë të kalimit dhe pemët në Parkun Kombëtar të Llogarasë, të paktën gjatë muajve të verës, shpërblejnë 20 minuta ankth.

Një pikë e mirë për të qëndruar është resorti turistik Llogara, që në kopshtin e tij të madh ka drerë që hanë nga duart e turistëve. Nga këtu mund të zgjidhni të bëni ecje të shkurtëra ose të gjata. Jeni me fat nëse takoni ndonjë. Shqiptarët nuk para bëjnë ecje në mal.

Ushqimi është i mirë në Shqipëri. Jo vetëm sepse ata dinë si të gatuajnë, por edhe sepse ushqimet e tyre nuk janë shumë të globalizuar kështu që për herë të parë mund të provohen vetëm këtu. /ata

“Shokët na përbuzin, mësuesja na rreh se jemi të varfër”

Ismail Shima është vetëm 39 vjeç, por jeta e ka mundur. Jeton në Kashar me bashkëshorten Flutura, e cila është e sëmurë dhe 3 djemtë. Gëzimi 13 vjeç, Arbeni 11 vjeç dhe Ergysi 8 vjeç. E vetmja e ardhur e tyre janë kanaçet. Ku shpesh herë Policia Bashkiake ia merr karrocën për t’i çuar në landfillin e Sharrës. Por, kjo do të thotë një ditë më shumë pa ngrënë bukë.

“Unë jetoj në mizëri. Marr një ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekë të vjetra. Por, edhe ajo më shkon për drita e ujë. Unë me të vërtetë që nuk kam shkollë e nuk di të shkruaj, por një punë për mua nuk e paska ky shtet?!

Unë jetoj me kanaçe dhe atë karrocë e kam punë. Të cilën policët Bashkiakë shpesh herë marrin. Madje fusin edhe ndonjë shqelm, ose ka pasur raste që më kanë tërhequr zvarrë. Vetëm sepse nuk doja t’ia jepja karrocën.

E si t’ia jap unë atë karrocë, po fëmijët e mi çfarë do hanë?! Të cilët kanë ndenjur me net të tëra pa ngrënë.”

Nuk ka prind në botë që ta marrë fëmijën e vetë dhe ta fusë me kokë nëpër kazanë të plehrave. Nuk kam ndonjë mbështetje tjetër unë, se nëse do të kisha edhe unë do ta lija fëmijën në shtëpi. Ai nuk ka kohë të mësojë, sepse sapo mbaron shkollën, vjen me mua e kthehemi në darkë vonë.”

Edhe pse shtëpia është në pronësi të Ismailit, të cilën ia ka lënë babi, ajo është në gjendje të shkatërruar. Pasi çfarë bie jashtë, hyn brenda. Dhe 39-vjeçari nuk ka mundësi për ta rregulluar.

“Dhoma mbushet plot me ujë dhe në dimër bën shumë ftohtë. Sidomos në darkë, pasi ne të tre mbulohemi me një batanije. Unë dua të na rregullohet shtëpia dhe të kemi krevate të reja, sepse të ato që flemë na dhembin kockat”, rrëfen me lot në sy Ergysi.

Gëzimi, djali i madh i familjes, prej moshës 6 vjeçare dilte në kazanë, për të marrë atë çka të tjerët hidhnin. Sepse nëse për dikë është mbeturinë, për këta fëmijë është luks.

“Nuk kam çfarë të bëj, më duhet të dal me babin. Mbi tre herë më kanë rënë të fikët në shkollë, pa ngrënë e pa pirë, si edhe mësuesja më gjuante pasi nuk bëja detyrat. Jo se nuk dua, por nuk kam kohë. Po ashtu edhe shokët më shajnë e më thonë ‘zhulanjos’. Mua më vjen shumë keq, edhe për babin sepse ai lodhet e mundohet çdo ditë të na gjejnë neve diçka për të ngrënë.”

Fëmijëria e tyre nuk është aspak si e të tjerëve, ata nuk i shijuan pushimet si shumë fëmijë të tjerë. Ata as nuk e njohin detin.

“Nuk kemi shkuar asnjëherë në plazh, nuk e dimë si është deti. Do të donim shumë ta njihnim, por nuk kemi mundësi’, thonë me zërin e mekur.

Mes dëshirës për t’u arsimuar dhe skamjes në të cilën jetojnë, për djemtë shkolla është kthyer në një ferr. Sepse të gjithë i përbuzin.

“Në shkollë nuk kemi asnjë shok, sepse nuk na duan dhe nuk na afrojnë fare. Më kanë shtyrë disa herë dhe unë i kam thënë mos më ngacmoni se jam gjynah. Kurse mësuesja prapë ma ka shkulur mua veshin, e më rreh mua. Mësuesja na lë të ulur në bankë vetëm, sepse jemi të varfër dhe nuk jemi si ata. Unë kam qejf të ulem me shokë, kurse ata nuk pranojnë. Prandaj edhe unë nuk duam të shkojmë në shkollë. Kemi turp. Ne nuk kemi lekë as për të blerë librat apo mjetet që na duhen.”

Ata nuk kanë dëshira të mëdha, as ëndrra për të ardhmen, këta fëmijë kërkojnë veç të hanë dhe t’i duan. Kaq mjafton që edhe ata të jenë të lumtur.

“Veç të hamë bukë”, me këtë fjalë largohemi nga familja Shima. Duke lënë pas sytë e tre djemve të cilët po humbasin çdo shpresë se nesër do të kenë një jetë më të mirë.

Burimi: TIRANA TODAY.

Dashuria

Poezi nga Lidja Dimkovska. Përktheu nga origjinali Daim Miftari.

Dashuria e parë është si autostradë
Me shirit të shpejtë dhe të ngadalshëm.
Pas tyre një hergele kuajsh tejkalojnë,
një kadillak me Only You në autaparlant.
Buzë të fryra, trup të fryrë, gjuhë të fryrë.
Ndërsa në fotografitë bardhë e zi
Asgjë nuk është në ngjyrë të zezë ose të bardhë.
Secila fytyrë ka anamnezën e vet,
secili burrë ka burrin ose gruan e vet.
Gjithçka e ke të qartë, por asgjë nuk kupton.
Nga shala shikon në trenin në largësi
dhe nuk e di a është yti tren con destino,
ose tren në të cilin vdekja bën llogaritë me jetën.

Dashuria e dytë është si tunel
i ndaluar për këmbësorë.
Ngjitesh nëpër mal,
gremisesh mes kaçubave dhe gurëve,
nën ty kalojnë automjetet 70 km. në orë,
lart bën vapë, mbathjet të shtrëngojnë,
balli të djersitet, të pikon kopsa nga këmisha.
Ec, ec, ndërsa rruga është vetëm në mes.
Kthehesh pas dhe përpara gojës së tunelit dërrmuar nga lodhja
ngren gishtin për transport. Të merr ajo.
Në tunel është errët. Përnjëherësh je ti ai që vozit.
Jashtë tunelit shikon – afër teje nuk rri ulur askush.
Ndërsa ulësja është e thellë dhe e ngrohtë.

Dashuria e fundit është si urë
me çarje mes dërrasave.
Nën to gurgullon ndonjë lum i huaj,
por ti nuk shikon teposhtë nga frika e lartësisë,
çdo hap e numëron nga dy herë,
pastaj e merr autobusin e fundit për në shtëpi
dhe madje para fundit të udhëtimit të gjatë
me këmbë të mpira zbulon një vend ku mund të mbështesësh thembrat.
Ndërsa në shtëpi – ajo e zgjatur në vaskë
qeshet me zë nën barrën e fëmijëve të tu.
Të gjitha të çarat ia di, por jo edhe të gjitha dërrasat.
Vetëm dëgjon si i shushurin uji
në të cilin noton, noton, prej fundi deri në fillim./ KultPlus.com

Kur Hysni Zela i këndonte Ibrahim Rugovës: Rugova, burrë i mençur edhe trim

Bashkëpunimi ndërmjet Vjollca Buqaj dhe Hysni Zela të cilët i kanë kushtuar këngë presidentit historik Ibrahim Rugova.

Kënga ka ritme folklorike, ndërsa është kompletuar edhe nga ana vizuale. Muzikën dhe orkestrimin e ka bërë Sajmir Çili, kurse tekstin e ka shkruar Jorgo Papingji. Videoklipi i është besuar produksionit D Production. / KultPlus.com

752 milionë njerëz në botë nuk dinë shkrim e lexim

752 milionë njerëz sot në botë nuk dinë shkrim e lexim. Lajm vërtetë i keq, nëse merret parasysh që numri i përgjithshëm i popullsisë botërore është rreth 7.3 miliardë, çka do të thotë që rreth 10% e tyre janë analfabetë.

Sipas të dhënave r nga UNESCO (organizata botërore e arsimit, kulturës dhe shkencës), 2/3 e tyre janë femra dhe 1/3 meshkuj. Numri më i madh i analfabetëve, afro 46%, ndodhet në Azinë juglindore, më pas 27% në Afrikën qendrore dhe jugore,9% në Azinë lindore, 8% në Amerikën e jugut, etj.

Ndërkohë, më e frikshëm është fakti, që 102.4 milion e numrit të përgjithshëm të analfabetëve, e përbëjnë të rinjtë deri në 22 vjeç./KultPlus.com

Roger Deakins në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar të Kinematografëve “Vëllezërit Manaki”

Edicioni i 39-të i një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Maqedoni – Festivali i Filmit Ndërkombëtar të Kinematografëve “Vëllezërit Manaki”, do sjellë drejtorin e fotografisë, Roger Deakins, shkruan KultPlus.

Roger Deakins do të jetë në festival të hënën më 24 shtator ku do të mbahet edhe një mastërklasë me të duke filluar nga ora 11:30 dhe hyrja do të jetë falas.

Roger Deakins Alexander, (i lindur më 24 maj 1949) është një kinematograf i njohur për punën e tij në filmat e vëllezërve Coen, Sam Mendes dhe Denis Villeneuve. Deakins është anëtar nderi i Shkollës Kombëtare të Filmit në Buckinghamshire. Në vitin 2013 ai mori një CBE në Buckingham Palace. Fitues i katër çmimeve BAFTA. Ai po ashtu ka marrë katërmbëdhjetë nominime dhe një fitore në Academy Award. Veprat e tij më të njohura përfshijnë The Shawshank Redemption, Fargo, Skyfall, Sicario,dhe Blade Runner 2049, kjo e fundit e cila soli atij çmimin e tij të parë në Academy Award. Ai po ashtu është edhe fitues i çmimit Oscar në vitin 2018.

Festivali i Filmit Ndërkombëtar të Kinematografëve “Vëllezërit Manaki” do të mbahet nga 22 deri më 29 shtator në Maqedoni./ KultPlus.com

Ishte koha e targave të zeza. Vajzat studente, përdhunoheshin dhe liheshin te dera e konviktit

Nga Rudina Xhunga.

Kur unë mbarova studimet e mia, ishin katër vitet e fillimit të tranzicionit shqiptar.

Juve që diplomoheni sot, nuk di t’ju them, nëse jeni në vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, ndërsa bota po kalon tranzicionin e saj, nga njeriu te teknologjia.

Është koha e parave të shpejta, makinave të shpejta, konsumit të shpejtë, rregullave pa rregulla.

Si orientohesh në këto kohë?

Nga brenda, jo nga jashtë. Pyetjet i bën vetë, përgjigjet i jep vetë.

Ti më dëgjon e mendon, se unë e kam të lehtë te flas, se e kalova. Çfarë kam të lehtë? Çfarë kalova?

As harroj, as kaloj dot, mbi çfarë kam parë dhe bërë.

Ajo kohë nuk zhduket nga memoria ime.

Nuk dija ç’do bëja me jetën time. Kisha frikë. Ishte koha e targave të zeza. Vajzat studente, përdhunoheshin dhe liheshin te dera e konviktit, apo hidheshin në rrugë.

Kisha frike nga frika ime. Dhe e sfidova. Duke treguar histori për frikërat tona, vrava friken time.

Shkova nëpër zyra redaksish në kërkim të një pune, të papaguar në fillim, pastaj me pagesa modeste.

Kujtoj veten pa para, por jo pa shpresë.

Shpresa nuk ka të bëjë me vitin kur lind , por me vitet e tua, adrenalinën natyrale të tyre.

Sepse mosha jote, mosha juaj është çelësi që hap çdo derë. Është e vetmja moshë që ka guxim të marrë dhe besim fëmije.

Përdori! Ti mbase nuk e di se i ke këto armë, por i ke.

Shoqëria të kthen në humbameno, në të kërrusur, në medioker, në intrigant, në të dëshpëruar me rregullat dhe parregullat e saj, kur kalojnë ca vite.

Vetëm tani mundesh të bësh çudinë që nuk pret dot për nesër.

Sikur ta dije çfarë vlere në ar ka mosha jote, çfarë guximi, çfarë besimi, çfarë mundësish, që o përdoren, o digjen.

Ke gjithë jetën para për t’u dorëzuar, po ke vetëm këtë çast për të sfiduar. Ky çast është tani.

Tani nuk i jep askujt llogari, veç vetes. Tani nuk mban përgjegjësi për askënd, veç për veten.

Tani ti nuk ke pasuri. Ti je vete pasuria. Përdore, investoje!

Mos shko të punosh në call center, mos shko të transportosh drogë, mos u bëj skllav, mos u bej mish për top!

Të pengon sistemi? Denoncoje sistemin! Bërtit! Ke zë, pse e hesht zërin tënd?

Bërtite zërin tënd, derisa të ketë veshë që dëgjojnë.

Nuk ka sistem që nuk ka frikë të rinjtë.

Mos fol me vete, mos fol për vete. Hyr në network.

Mos hyr në kafe të qash hallet, as Instagram të gënjesh hallet, bëhu grup të zgjidhesh hallet.

Grupin e kujt, me lider kë? Bëhu lider, bëje ti grupin tënd, ose zgjidhe ti liderin dhe grupin me probleme të ngjashme dhe dëshirë të njëjtë për t’i ndryshuar.

Kur shoh të rinj që mbushin kafenetë, kazinotë, lotot e dhe call center, kur i shoh të lëshuar dhe dorëzuar në pritje të një mundësie për të ikur, më vjen të bërtas.

Nga kush po ikën, nga vetja jote, nga jeta jote?

Bëhu i marre, jo i mjerë! Do të ta falin marrëzinë, por jo mjerimin.

Ju nuk jeni të mjerë, se ju ia dolët. Ia dolët të diplomoheni. Ka të tjerë që nuk e kanë bërë.

Pra ka të tjerë që e nisin me një minus, ju e keni nisur me plus.

Tundjani diplomën tuaj në fytyrë atij që ju thotë pija lëngun këtij kartoni.

Diploma ka për tjetrin, vlerën që ti i tregon se ka. Po shkove me nënshtrim e pa vetëbesim, si i tillë do trajtohesh.

Po të thanë: sa si puna jote, ka me diploma, thuaji: Unë vlej, diploma ime vlen, rinia ime vlen. Ti që me demotivon, e përzë, pa me trego pak diplomën tënde!

Nuk të duhet se ke bërë para? Po si i ke bërë?

Kur një njeri kërkon llogari për paratë e pista vërdallë, zëri i tij humbet. Por kur shumë zëra kërkojnë llogari për paratë, për mungesën e rregullave, për padrejtësinë sociale, nuk ka shans të mos ju dëgjohet zëri.

Ju nuk keni ç’humbisni po ngritët zërin. Por nuk keni ide sa humbisni , duke mos ngritur zërin.

Kërko të drejtën tënde, jo me inat se të takon, por me besim se ke për të dhënë.

Do japësh ëndrrat. Pa ëndrra nuk ka shpikje, nuk ka zhvillim, nuk ka ndryshim.

Unë e di, është e kotë ndonjëherë. Muri i sistemeve të ngritura pa pasur njeriun, në qendër, por paranë, është i padrejtë.

Unë vetë, shpeshherë, konformohem, nuk konfrontohem.

Edhe ti mund ta bësh një ditë. Por tani është koha jote, Nuk ke nevoje për mua dhe mesazhet e mia, ke nevojë për jehonën e zërit tënd. Kujton se je vetëm, ndërsa të tjerët mezi po presin të ikin?

Po bërtit njëherë, oeeeeee a ka si unë, të tjerë?

Dhe do ta shohësh sa ka si ti, që duan t’ia njohin vlerën kësaj diplome, kësaj jete, këtij vendi, që është yti.

Nuk ka lidhje a të do. Ti a e do vendin tënd?

Nuk ka lidhje sa të do jeta e fati yt. Ti a i do ato?

Mos pyet çfarë surprize do të të bëjë fati? Ti më thuaj si do e suprizosh fatin tënd, veten tënde, familjen tënde, të dashurën tënde dhe nesër fëmijën tënd.

Bëhu i marrë, jo i mjerë!

Nuk kanë asgjë më shumë se ty, ata që ia dalin, mjafton të vendosesh me veten, për çfarë ia dalin.

Poqe se t’ia dalësh për çunat këtu është të bëjnë paratë e shpejta e të ikin shpejt atje ku do shkojmë të gjithë, një ditë, kot më thirrët mua.

Unë nuk jam me shprehjen; Një ditë luan, më mirë se gjithë jetën dele.

Unë jam me besimin, bëhu njeri. Shijoje njeriun brenda teje, ndihmoje të dojë e ëndërrojë dhe jeta do jetë jotja, miqtë e mi, kudo ku e ndërtoni.

Unë dua vetëm t’ju lutem; bëjeni këtu! Këtu ku keni diplomën dhe rininë, familjen dhe fëmijërinë. Mos i braktisni se nuk janë pesha që ju ndalojnë fluturimin.

Këto janë krahë që ju ndihmojnë të fluturoni.

Ju dua shumë. Nuk ju njoh, por mezi po pres t’ju njohë gjithë bota.

* Ps. Ky ishte fjalimi i mbajtur nga Rudina Xhunga, në ceremoninë e diplomimit të studenteve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës./KultPlus.com

Liria është fustani im

Poezi nga Sibel Halimi

Sot ndihem e bukur
Se arrita t`i shoh drunjtë
E tokën e qëndisur nga vjeshta
Dritën e shtrirë në shtratin e qytetit të bronztë

Ecur këmbëzbathur
Çliruar nga detyrimi i të qëndruarit pingul në këmbë
E mbyllur në qetësinë e Kutisë së Pandorës

Sot jeta është veshur në kostumin ditor
E gjethet brosh i ngulur në gjoks

Sot ndihem e bukur
Ndjej fjalën teksa del nga goja e marrëzisë

E shkrimtarëve që ditën thurin lavde lirisë
E natën përsiatin dhe pjellin autoritetin
Si rreze hëne përplasur në dritare

Sot ndihem e bukur
Mbase pse do të ishte e kundërta
Liria është fustani im i preferuar …/ KultPlus.com

Kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit drejt trashëgimisë botërore

Ekspertët e misionit “Europa Nostra” shprehen entuziastë për vlerat që përfaqësojnë kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, duke sugjeruar përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.

Vlerësimi është bërë gjatë një takimi të misionit me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoreshën e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani. Ato pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit.

Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO./ BallkanWeb./ KultPlus.com

Misioni shqiptaro-gjerman zbulon një vendbanim antik në Divjakë

Një vendbanim antik që lulëzoi mes shekujve 6-3 para Lindjes së Krishtit po del në dritë në kodrën e Babunjës në Divjakë. Një mision shqiptaro-gjerman ka nxjerrë në dritë muret fortifikuese, banesa e rrugë, ndërsa po studion arsyet e braktisjes së menjëhershme të vendbanimit.

Rrënojat e një vendbanimi të lashtë po dalin në dritë në Babunjë të Divjakës. Arkeologë shqiptarë e gjermanë që po punojnë aty prej disa javësh kanë zbuluar në rreth 3 metra thellësi pjesë mureve fortifikuese , banesa e rrugë.

Projekti arkeologjik shqiptaro-gjerman për gërmime në vendbanimin antik të Babunjës (Bashkia Divjakë) është një bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik Tiranë dhe Freier University Berlin.

Qëllimi i këtij projekti është zbulimi i vendbanimit antik që gjendej në kodrën e Babunjës, datimi dhe njohja e evolucionit që ka pasur ky qytet antik. Aktualisht janë kryer gërmime ne murin rrethues dhe në një pjesë të qytetit.

Gjetjet e deritanishme dëshmojnë rëndësine që ka pasur ky qytet i fortifikuar në hapësirën që shtrihej mes Apollonisë dhe Durrësit, si dy qendrat më të mëdha urbane të zonës./a.a/j.p/a.t.a/ KultPlus.com

Sonte në Teatrin Ultra vjen premiera e shfaqjes “Kasapi”

Më tekst të Nicolas Billon e regji të Qazmedin Nuredini, më 22 shtator, Teatri Ultra në Kumanovë, sjellë premierën e shfaqjes “Kasapi”, shkruan KultPlus.

Drejtësia dhe hakmarrja janë temat që zbërthehen përmes kësaj shfaqje.

Në një stacion policie, në natën e krishtlindjeve në Toronto, gjendet një plak i rraskapitur, i cili ka të veshur një uniformë të çuditshme ushtarake dhe me një kapelë të babadimrit në kokë. Rreth qafës ka të varur një grep kasapi në të cilin është ngulur një kartelë biznesi…

Kasta e aktorëve që do ta jetësojnë këtë shfaqje përbëhet nga: Vebi Qerimi, Shkëlqim Islami, Fisnik Zeqiri dhe Rabije Alilovska.

Ass. Regjie është Sefedin Shabani ndërsa shfaqja është prodhim i Teatrit Ultra në Kumanovë. “Kasapi” me premierë të shtunën me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Linku i origjinës”, ekspozita personale e piktores Majlinda Kelmendi në Itali

Majlinda Kelmendi, piktorja e njohur shqiptare dhe njëkohësisht profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës hap nga ora 19:00 ekspozitën e saj personale në Galerinë Domus Romana, në Itali.

Ekspozita mbahet në Galerinë Domus Romana.

“Linku i origjinës” titullohet ekspozita e piktores Majlinda Kelmendi, e cila bart copëza të historisë. Piktorja në një intervistë për emisionin “Bon Bon” në rtv21, teksa foli për projektin në të cilin ka kohë që ka punuar, përmendi se në mesin e punimeve është një pikturë dhjetë metra, ndërsa tjerat janë nga gjashtë metra.

Kelmendi u shpreh tejet e emocionuar për ekspozimin e këtyre punimeve në Romë, që njihet si vend i artit dhe kulturës dhe ajo mendon se kjo ekspozitë do të përcjellë mesazh dhe të tregojë se arti jonë është i kohës, modern.

“Më ngacmon ideja që kemi në gjenet tona një vendosje të tillë të cilën e trashëgojmë dhe e zhvillojmë. Por edhe kushtet historike në të cilat rritemi dhe formohemi breza të tërë ndikojnë në gjenet tonat, në ndryshimin dhe formimin tonë. Pikerisht me këtë element përbëhet cikli im, të lidhjes time personale me historitë e mija”, u shpreh piktorja. Sipas saj, sado që të ecim e avancohemi, ai linku i rrjedhshmërisë duhet të vazhdojë./21Media / KultPlus.com

Zbardhja e tri dekadave të shqiptarëve në Maqedoni nëpërmjet 463 dokumenteve

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sikurse dihet, shqiptarët – të cilët nuk u lanë të ishin pjesë e shtetit amë, Shqipërisë – padrejtësisht, pa pëlqimin dhe pa pajtimin e tyre u gjenden në kuadër të krijaturës artificiale të ashtuquajtur Federata Jugosllave.

Edhe brenda kësaj federate, shqiptarët, përveç se i ndanë në disa njësi federative, ata, për më keq, nuk konsideroheshin të barabartë me popujt e tjerë brenda kësaj federate, por mbetën të nëpërkëmbur, të diskriminuar e të shtypur, shkruan Sadik Mehmeti, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Konsideroheshin qytetarë të rendit të dytë. Kështu, shqiptarëve iu desh të bënin dhe vazhdojnë të bëjnë akoma dhe sot e kësaj dite – shumë investime, përpjekje, mund e sakrifica për të fituar të drejtat e tyre elementare të mohuara; u desh të kalonin vite e dekada që shqiptarët t’i arrinin ato që të tjerët nuk ua njohën dhe dhunshëm ua morën.

Njohja e vërtetë e këtij rrugëtimi kaq të gjatë dhe kaq të vështirë, pra edhe e shqiptarëve në Maqedoni, pas vitit 1944 e këndej, nuk mund të bëhet ndryshe përveç se me njohjen, grumbullimin, hulumtimin, analizimin dhe finalizimin me botim, të dokumenteve dhe dëshmive që i përshkruajnë ngjarjet, ndodhitë, proceset, kontributet dhe të bëmat e personaliteteve në ato vite dhe në atë të kaluar. Sepse, historia duhet të shkruhet ashtu siç vërtet ka qenë ajo, në mënyrë objektive, reale dhe vetëm përmes gjuhës së fakteve dhe argumenteve të shkruara.

Prandaj, vepra “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë – 1944-1974”, (Përmbledhje dokumentesh), vëll. I-VI, përgatitur nga Dr. Qerim Lita, në fakt, është një kontribut me vlerë për të zbardhur periudhën prej tri dekadash të kombit shqiptar në ish-Republikën Popullore (Socialiste) të Maqedonisë, përkatësisht midis harkut kohor 2 gusht 1944 – 25 shkurt 1974./koha.net/ KultPlus.com

“Mi ço fjalë nanës e i thuej se e kam dasht shumë…”, i riu që vdiq nga torturat e komunistëve

Nga Luljet Progni.

Çastet e fundit dhe amaneti i Filip Logorecit, lënë bashkëvuajtësit të tij të qelisë, Zef Staku. Historia tronditësë e gjimnazistit shkodran që humbi këmbë e duar nga torturat ç’njerzore në hetuesi e më pas dha shpirt në burgun e Shkodrës.

Kur në radio BBC dëgjohej zëri i Anton Logorcit, duke analizuar se si po shkeleshin të drejtat e njeriut në Shqipëri, i vëllai Filipi, po vuante të gjithë egërsinë e diktaturës komuniste nëpër birucat e burgut famëkeq të Shkodrës së viteteve të para të komunizmit

Filip Logoreci, ishte fëmija i shtatë i familjes Logorci në Shkodër. Sapo kishte përfunduar gjimnazin. Natyrisht kishte ëndrrat e tij për të vazhduar studimt e larta si fëmijët e tjerë të Logorecëve. Është ndër ndër familjet e spikatura në Shkodër e mbarë vendin, për traditën e dijes, kultures e patriotizmit. Por Filipi nuk do të mund ta vazhdonte traditën sepse regjimi kishte vendosur të lëshonte mbi të, të gjithë mllefin monstruoz për kundërshtarin e regjimit.

I vëllai i Filipit, Anton Logoreci, ishte në atë kohë drejtues i sektorit për Shqipërinë dhe Evropën Lindore në radio BBC, në Londër. Anton Logoreci ishte një ndër analistët më në zë të BBC në atë kohë dhe mjaft aktiv për ngjarjet që po ndodhnin në vëndet e kampit komunist. Natyrisht Shqipëria dhe regjimi komunist, zinin një vënd të rëndësishëm në analizat e tij. Sa më shumë fjalë lëshonte Anton Logoreci kundër regjimit komunist, aq më shumë ngushtoheshin hekurat nëpër kyçet e këmbëve dhe duarve të njoma të të vëllait gjimnazist, Filip Logorecit.

Janë katë vite të mundimshme nëpër birucat e burgut të Shkodrës, atje ku u torturuan e u vranë qindra kundërshtarë të regjimit komunist. E ka rrëfyer historinë e Filipit, bashkëvuajtësi i tij i burgut, Zef Staku, dhe na vjen përmes një artikulli të botuar në Shkodranews, nga pinjolli i i kësaj familje Pjetër Logoreci. Në këtë rrëfim, ka detaje shumë të dhimbshme të ditës së fundit të Filip Logorecit në burgun e Shkodrës.

Vakti i fundit

Familja e Filipit kishte sjellë disa ushqime dhe vshjmbathje sipas rregullores, pasi lejohej një herë në tre muaj që familjarët të mund të kujdeseshin për të burgosurin. Filipit nuk i lejohej takimi me familjen. E ëma Maria nuk e kishte parë qysh ditën kur e arrestuan dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte me të birin. Ashtu në heshtje e ëma e la atë çantë me ushqime e veshje për të birin dhe u largua zemërthyer. Pas pak gardiani i burgut u shfaq në qelinë ku ndodhej Filipi dhe shokët e tij…Me ulurima ai thirri në derën e qelisë: … Cili është Filipi?! … hajde të marrësh ushqimin që solli familja…!

Por Filipi nuk mund të çohej sepse ai nuk i kishte as duart, as njërën këmbë. Doktori i burgut kishte vendosur tia priste pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Për shkak të shtrëngimit të hekurave gjymtyrët e Filipit ishin gangrenizuar. Filipi jetonte si në ferr me dhimbje e rënkime. Bashkëvuajtësi i tij, Zef Staku, kujdesej çdo ditë për të duke u përpjekur ta ushqeje, ta lajë e ta ndërrojë me aq mundësi sa kishte.

“Filipi nuk mund të ngrihet, zotni komandant”, u dëgjua zëri i Zef Stakut përtej hekurave, “ai asht shumë i smurë e ka ra në kllapi prej ethesh…”. Kapterri hodhi mbi çimento tasat e ushqimit duke mallkuar Filipin, Lekën e gjithë të tjerët…

Zef Staku, e mori çantën me ushqime që nënë Marija kishte dërguar për Filipin dhe u përpoq ti jepje një lugë me lëng mishi. Por Filipi ishte shumë i sëmurë e nuk mund të hante as të pinte. Në qeli ishin 13 veta. Askush nuk bzante në respekt të orëve të fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në qeli vazhdon heshtja. Filipi është në grahmat e fundit por po përpiqej të belbëzojë disa fjalë. Zefi arrin të kuptojë përmes belbëzimesh: … Zef, … nanës, mi ço fjalë nanës…, … i thuej që e kam dasht shumë… nanës…Zef”

Prej së largu u dëgjuan këmbanat e kishës, ndërsa Zefi përshperiste lutjen e fundit për shpirtin e Filipit. Pas pak orësh dëgjohet përtej hekurave edhe britma e nanës Mari. /Kujto.al/ KultPlus.com

E dehun jam, kambët s’më mbajnë

Nga Nexhmije Pagarusha.

E dehun jam kambët s’më mbajnë
Po më mundon nji dashuni
Tash për çdo natë pi raki edhe venë
Gjithkënd që e helmojnë por mu po më ngushëllon
Ti mundesh me m’shpëtu të lutem m’ndihmo
Se jetën ma helmoj ky sharap sharap
Çdo gotë po t’shoh t’përqafuem me te
Si s’pate pak mëshirë
Me m’lanë në kohë ma t’mirë
Kur t’gjitha ty ti dhashë
Prej kah kjo pabesi
Se puthjet haram m’i ke ba

Kambët s’më mbajnë sa fort kam pi
Dru se po vdes pa dashuni
Tash për çdo natë pi raki edhe venë
Gjithkënd që e helmojnë por mu po më ngushëllon
Ti mundesh me m’shpëtu të lutem m’ndihmo
Se jetën ma helmoj ky sharap sharap
Çdo gotë po t’shoh t’përqafuem me te
Si s’pate pak mëshirë
Me m’lanë në kohë ma t’mirë
Kur t’gjitha ty ti dhashë
Prej kah kjo pabesi
Se puthjet haram m’i ke ba

E dejun jam kambët s’më mbajnë
po më mundon një dashuni
o o
oh sa fort kam pi
kambët s’më mbajnë
O sa e dejun qenkam lodh për jetë
Jo jo hala do’t pi
Jo o sa e dejun jam
Kambët s’më mbajnë./ KultPlus.com

Të uroj kohë …

Elli Michler

Nuk të uroj një dhuratë çfarëdo,
të uroj thjesht atë që shumë veta nuk e kanë.
Të uroj kohë, për t’u argëtuar dhe për të qeshur;
nëse do ta përdorësh mirë, mund të fitosh diçka.

Të uroj kohë, për të vepruar dhe për të menduar,
jo vetëm për veten tënde, por edhe për t’ia dhuruar të tjerëve.
Të uroj kohë, jo për të nxituar e për të vrapuar,
por kohë për të qenë i lumtur.

Të uroj kohë, jo vetëm për ta kaluar,
unë të uroj kohë për të pushuar,
kohë për t’u habitur dhe kohë për të besuar
e jo thjesht për ta parë në orë.

Të uroj kohë për të numëruar yjet
dhe kohë për t’u rritur, për t’u pjekur.
Të uroj kohë për të shpresuar përsëri dhe për të dashuruar.
Nuk ka kuptim të kapesh pas së shkuarës.

Të uroj kohë për të gjetur veten,
për të jetuar çdo ditë, çdo orë si një dhuratë.
Të uroj kohë edhe për të falur.
Të uroj të kesh kohë, kohë për jetën.

Arsimtari e rrah brutalisht nxënësin në klasë (VIDEO)

Rrahja e nxënësve nga mësimdhënësit, nëpër shkolla, vazhdon të jetë përditshmëri. Jo më larg se sot, një e tillë ka ndodhur në një nga shkollat e Preshevës.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale shihet se si një arsimtar rrah nxënësin në klasë.

Kjo ngjarjes është filmuar nga nxënësit e klasës me telefon.

Sipas përshkrimit kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Leran të komunës së Preshevës.

Rrëfimi frymëzues i regjisores kosovare e cila luftoi me leukeminë

Që nga muaji mars i këtij viti ajo është ballafaquar me një sëmundje aspak të lehtë, por Arlinda Morina, regjisore filmash, për asnjë moment nuk është dorëzuar.

Artistja që të gjithë e njohim me emrin Liki e që karakterizohet për energjinë dhe talentin e dashurinë ndaj filmit, artit në përgjithësi, ka vuajtur nga sëmundja e leukemisë (leukemia plasma cell).

“Lajmin për llojin e sëmundjes fillimisht ma kanë fshehur familjarët, sigurisht nga frika se si do të reagoj. Por unë si regjisore që jam, në baza të lojës që u luajke ndaj meje kuptova që kisha diçka të rëndë si sëmundje.

Me konsultimin mes vete, shoqëria dhe familja vendosën të më tregojnë, ndërsa vendosën që këtë ta bëjnë përmes vëllait tim të madh, i cili ofrohet e më zë të butë më thotë:

Nuk e ke sëmundjen e lehtë, është pak më shumë se grip. E shikova dhe asgjë nuk i thashë. Ai më tregoi se kisha leukeminë, për një moment çdo gjë në shikimin dhe dëgjimin tim filloi të jetë më e ngadaltë. Ai tutje më tha se duhet të trajtojmë me kimioterapi. Ndërsa unë mora forcën dhe ia ktheva: A kemi kushte për këtë terapi, ai më tha po me plot siguri. Unë ja dhashë dorën dhe i premtova që do ta përballoj kimioterapinë. Thjeshtë fillova ta marr me ‘humor’, dhe sëmundjes ia shkurtova emrin, ia lashë ‘LEO’”, rrëfen ajo.

Sëmundja përveç që e ka bërë të fortë shpirtërisht, ia ka ndryshuar edhe jetën. Ndërsa tregon se përkrahja më e madhe për të ka qenë familja e saj.

“Jeta ime ka ndryshuar shumë. I kam larguar gjërat e dëmshmë për mua, nisur nga ushqimi, pijet e deri tek njerëzit. I kam hapur sytë më shumë dhe e jetoj jetën vetëm për vete. Familja ime më ka përkrahur me krejt shpirtin dhe mundësitë materiale. Shoqëria më ka motivuar me çdo fjalë me çdo gjë që ka pasur mundësi. I jam shumë falenderuese që nuk kanë kursyer asgjë për mua”.

Arlinda qysh prej kur e ka kuptuar sëmundjen, nuk e ka fshehur aspak atë, madje ajo çdo ditë në rrjete sociale ndan imazhe e thënie motivuese, shkruan Indeksonline.

“Të keqën fillimisht duhet ta pranosh, ndalesh e thua; unë vuaj nga ky problem. Në momentin që e pranon vjen forca nga brenda trupit tënd që fillon të luftojë. Mesazhi im është se jeta është një lojë që mbaron sikur të gjitha lojërat e tjera, prandaj mundohu të jesh lojtar profesionist që të marrësh një çmim meritor“, thotë ajo.

….

Dhe… Arlinda ia doli. Vetëm para pak orësh ajo ka shkruar: “Analiza e biopsisë me doli mirë s’kam ma LEO më duket e mbyta, faliminderit Zotit, familjes sime, shoqërisë dhe doktorëve e motrave medicionale për kujdesin që më kanë ba, ja dola luftës me Leon.”

‘Takimet Muzikore të Dy Botëve’ nisin edicionin e 12 në Kalanë e Gjirokastrës

Grupi polifonik “Ergjëria” dhe artisti i njohur slloven Marko Hatlak çelën edicionin e XII të festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” në kalanë e Gjirokastrës.

Për 12 vjet rresht shoqata “Argjiro”, që organizon festivalin po vazhdon të promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore, duke ndërthurur muzikën klasike dhe atë tradicionale. Drejtoresha artistike e festivalit Ilda Mara bën me dije se “Takimet Muzikore…” këtë vit do të udhëtojnë nga 21 shtatori deri në 10 tetor, nga kalaja e Gjirokastrës, në Shkodër, në Vlorë e në Tiranë. Edicioni i 12 i festivalit “Takimet Muzikore të dy Botëve” organizohet këtë vit nën ombrellën e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. Janë pesë koncerte, pesë vende që mbartin histori presin artistë nga skenat më të famshme evropiane dhe asaj vendase. Ndalesa e parë ishte kalaja e Gjirokastrës me koncertin aty ku tradita takohet me klasiken. Drejtoresha e shoqatës “Argjiro” Ilda Mara thekson se sllogani këtë vit do të jetë: trashëgimia jonë, aty ku e kaluara takon të ardhmen. “Festivali “Takimet Muzikore të Dy Botëve” ka krijuar një traditë, dhe prej 12 vjetësh ne promovojnë vlerat dhe trashëgiminë tonë kulturore. Ne synojmë të ndërgjegjësojmë brezat për historinë tonë dhe atë të Evropës, traditën dhe kulturën e secilit dhe forcimin e përkatësisë në një hapësirë më të madhe si ajo evropiane. Trashëgimia kulturore na lejon ne të kuptojmë të shkuarën dhe të hedhim sytë nga e ardhmja”, shprehet Ilda Mara. Me ndalesën e parë në kalanë e Gjirokastrës, në një atmosferë të ngrohtë muzikore u prezantuan këngët më të mira gjirokastrite dhe ato labe, të përzgjedhura me mjeshtri nga grupi polifonik “Ergjëria”.

Artistët në “Takimet Muzikore të Dy Botëve”

Grupi “Ergjëria” është grup artistësh i njohur. Mbas vitit 1995 grupi i Gjirokastrës u nda në dy, “Ergjëria” dhe “Argjiro”. Grupi “Ergjëria” nga 2006 në vazhdim, duhet thënë se me gjithë ndërrimet e herë pas hershme të pjesëtarëve, është një nga më të konsoliduarit të polifonisë gjirokastrite dhe këngës labe në përgjithësi,dhe qëndron në majat e polifonisë shqiptare. Me dinjitet ka përfaqësuar këngën labe në të gjitha aktivitetet, që ka marrë pjesë si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Disa nga shtetet që ka dhënë koncerte grupi “Ergjëria” janë Greqia, Danimarka, Suedia, Izraeli etj. Artisti slloven Hatlak për pesëmbëdhjetë vjet ka performuar solo në koncerte, dhe ka ndarë skenën me shumë artistët të njohur si solo, ansamble, orkestra dhe dirigjentë, të cilët e kanë çuar në qasjen e tij unike dhe të padiskutueshme. Zhanret muzikore që ai lëvron janë – tango, etno, barok dhe kontemporane. Pas diplomimit në Konservatorin e Muzikës dhe Baletit të Ljubljanës, ai vazhdoi studimet e tij në Gjermani – në fillim në Weimar dhe më vonë në Wurzburg ku mbaroi studimet pasuniversitare nën kujdesin e profesorit të njohur Stefan Hussong. Projektet me të cilat merret po aktualisht janë Marko Hatlak Solo, Stefan Milenkovich dhe Marko Hatlak Tatar, Marko Hatlak & Funtango, duetin Marko Hatlak – Karmen Pecar Koritnik, Kapobanda, klasa muzikore për fëmijë nga Bach në Tango. Koncerte të rëndësishme në të shkuarën, përmendim në 2014 ka performuar në Young Euro Classic Festival në Admiralspalast, Berlin. Po në vitin 2014 ka zhvilluar ture muzikore në SHBA dhe Kanada, shumë koncerte dhe klasa solo në Toronto, Ottawa, Uashington, Indianapolis. Koncerti i dytë i festivalit do të jetë në Shkodër, në Qendrën Arka, më datë 29 Shtator, ora 19 :00, për të vijuar më tej me koncerte në qytetin e Vlorës si dhe Tiranën.

Katër fytyra publike në përkrahje të Fushatës për Mjedis në Kosovë

Aktori Vedat Bajrami, bllogerja Rita Saraçi, notuesi Lum Zhaveli dhe alpinistja Arineta Mula janë katër personazhet të cilat do të jenë fytyra të Fushatës për Mjedisin, e cila do të nisë të hënën në Kosovë.

Organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian, Fushata do të nisë në Prishtinë për të vazhduar edhe në qytetet tjera, derisa personazhet publike do të ndihmojnë në katër fushat kryesore të Fushatës, shkruan KultPlus.

Fushata do të fokusohet në ujë, ajër, energji dhe në menaxhim të mbeturinave. Katër personazhet do të përkujdesen të ndajnë përvojën e tyre me audiencën në Kosovë, për tregimet e suksesit në fushat ku ata veprojnë dhe ku mbrojtja e ambientit për një jetë më të shëndetshme ka shumë rëndësi.

Kjo është fushata e dytë pas asaj për arsim cilësor e cila u zhvillua nga muaji maj deri në qershor.

Fushata do të hapet me 24 shtator, në ora 10:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com