Pirja e alkoolit ndihmon të flisni më mirë gjuhët e huaja, thonë studiuesit

Sipas një besimi popullor, alkooli përmirëson aftësinë e të folurit të gjuhëve të huaja.

Një studim i ri, publikuar në revistën “Psycopharmalogy”, ka ekzaminuar këtë koncept, duke saktësuar shkencërisht.

Hulumtuesit e Universitetit të Liverpoolit kanë testuar 50 pjesëmarrës gjermanë të cilët kishin konsumuar sasi të vogël alkooli. Pjesëmarrësit ishin studentë të ‘Maastricht University’, të cilët së fundmi kishin ndjekur një kurs për të mësuar gjuhën holandeze.

Njërit grup iu kërkua të pinin nga një krikëll birrë dhe një grupi tjetër iu kërkua të pinin nga një pije joalkoolike.

Të dy grupet më pas zhvilluan bisedë në holandisht me dy ekzaminues holandisht folës.

Në fund të eksperimentit, dy ekzaminues të tjerë, të cilët nuk e dinin se kush kishte pirë dhe kush jo, ata dëgjuan regjistrimet e bisedave dhe kanë përzgjedhur më të mirët, të cilët rezultuan të ishin ata që kishin konsumuar alkool.

“Studimi ynë tregon se konsumimi i alkoolit mund të ketë përfitime në prononcimin e një gjuhe të huaj, nëse personat që kanë konsumuar sasinë e alkoolit, e njohin gjuhën e huaj të cilën po flasin”, deklaroi doktoresha Inge Kersebergen, një nga autorët e studimit.

Shkencëtarët kanë theksuar se ka nevojë për kërkime të tjera për të thelluar studimin dhe se, për eksperimentin është përdorur një dozë e vogël alkooli, pasi nivele më të larta të tij mund të ndryshojnë funksionet njohëse dhe motorike, siç është kujtesa, vëmendja dhe reagimi në mënyrën e duhur./oranews /KultPlus.com

Zbulohet logoja e Eurovizonit të vitit 2019-të

Tashmë është zbuluar edhe logoja e Eurovizionit të vitit 2019-të që do të mbahet në Izrael, shkruan KultPlus.

“Guxo të ëndrrosh” (Dare do dream) është slogani i Eurovizionit ndërsa do të jetë Tel Avivi qyteti që do të mirëpresë këtë vit ngjarjen më të madhe muzikore në Evropë. Logoja e këtij festivali e publikuar këto ditë paraqet tre trekëndësha të cilat, kur bashkohen, shkëlqejnë së bashku për të krijuar një yll të artë.

Slogani dhe logoja janë krijuar nga dy agjencitë kryesore të Izraelit, Awesome Tel Aviv, e cila krijoi konceptin kreativ Dare to Dream dhe Studio Adam Feinberg (ST / AF) e cila krijoi logon.

Festivali do të mbahet në muajin maj 2019, me 14, 16 dhe 18 maj. Do të jetë hera e tretë që Izraeli e mirëpret organizimin e Eurovizionit, pas vitit 1979 dhe 1999.

Eurovizioni do të mbahet saktësisht në EXPO Tel Aviv – International Convention Centre./ KultPlus.com

Bëhen publike nominimet e Bafta Film Awards 2019

Është publikuar lista e plotë e të nominurave për çmimet British Academy Film Awards.

Nominimet u njoftuan në Londër sot (9 janar).

Ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do zhvillohet më 10 shkurt, transmeton oranews.

Best film

BlackkKlansman

The Favourite

Green Book

Roma

A Star Is Born

Outstanding British film

Beast

Bohemian Rhapsody

The Favourite

McQueen

Stan & Ollie

You Were Never Really Here

Leading actor

Bradley Cooper – A Star Is Born

Christian Bale – Vice

Rami Malek – Bohemian Rhapsody

Steve Coogan – Stan & Ollie

Viggo Mortensen – Green Book

Leading actress

Glenn Close The Wife

Lady Gaga – A Star Is Born

Melissa McCarthy – Can You Ever Forgive Me?

Olivia Colman – The Favourite

Viola Davis – Widows

Supporting actor

Adam Driver – BlackkKlansman

Mahershala Ali – Green Book

Richard E Grant

Sam Rockwell – Vice

Timothee Chalamet – Beautiful Boy

Supporting actress

Amy Adams – Vice

Claire Foy – First Man

Emma Stone – The Favourite

Margot Robbie – Mary Queen of Scots

Rachel Weisz – The Favourite

Director

Spike Lee – BlacKkKlansman

Paweł Pawlikowski – Cold War

Yorgos Lanthimos – The Favourite

Alfonso Cuaron – Roma

Bradley Cooper – A Star Is Born

EE Rising Star Award (voted for by the public)

Jessie Buckley

Cynthia Erivo

Barry Keoghan

Lakeith Stanfield

Letitia Wright

Outstanding debut by a British writer, director or producer

Apostasy – Daniel Kokotajlo (writer/director)

Beast – Michael Pearce (writer/director), Lauren Dark (producer)

A Cambodian Spring – Chris Kelly (writer/director/producer)

Pili – Leanne Welham (writer/director), Sophie Harman (producer)

Ray & Liz – Richard Billingham (writer/director), Jacqui Davies (producer)

Film not in the English language

Capernaum

Cold War

Dogman

Roma

Shoplifters

Documentary

Free Solo

McQueen

RBG

They Shall Not Grow Old

Three Identical Strangers

Animated film

Incredibles 2

Isle of Dogs

Spider-Man: Into The Spider-Verse

Original screenplay

Cold War

The Favourite

Green Book

Roma

Vice

Adapted screenplay

BlacKkKlansman

Can You Ever Forgive Me?

First Man

If Beale Street Could Talk

A Star Is Born

Original music

BlackkKlansman

If Beale Street Could Talk

Isle of Dogs

Mary Poppins Returns

A Star Is Born

Cinematography

Bohemian Rhapsody

Cold War

The Favourite

First Man

Roma

Costume design

The Ballad of Buster Scruggs

Bohemian Rhapsody

The Favourite

Mary Poppins Returns

Mary Queen of Scots

Editing

Bohemian Rhapsody

The Favourite

First Man

Roma

Vice

Production design

Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald

The Favourite

First Man

Mary Poppins Returns

Roma

Make-up and hair

Bohemian Rhapsody

The Favourite

Mary Queen of Scots

Stan & Ollie

Vice

Sound

Bohemian Rhapsody

First Man

Mission: Impossible – Fallout

A Quiet Place

A Star Is Born

Special visual effects

Avengers: Infinity War

Black Panther

Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald

First Man

Ready Player One

British short film

73 Cows

Bachelor

The Blue Door

The Field

Wale

British short animation

I’m OK

Marfa

Roughhouse

Outstanding contribution to British cinema

Stephen Woolley and Elizabeth Karlsen. /KultPlus.com

Bebe Rexha tallet me presidentin Trump përmes disa videove

Ajo siç duket nuk e pëlqen presidentin republikan që ka 2 vjet që është në krye të presidencës së Shteteve të Bashkuara.

Këngëtarja e famshme amerikane, por me prejardhje shqiptare, është tallur me presidentin Donald Trump, duke e xhiruar atë gjatë një fjalimi në televizion.

Derisa Trump po fliste në ekran, Rexha e ka xhiruar presidentin e saj, duke i vënë më pas filtrat e snapchat, nga ato më të famshmet.

Fillimisht Rexha ka lozur duke i vënë në fytyrë presidentit veshët dhe hundën e qenit, më pas një palë syze të animuara e plot filtra të tjerë. / KultPlus.com

Letër mikut që më tha “kam hequr dorë nga Teatri”

Nga Elma Doresi

E di atë ndjenjë, e njoh. Quhet pesimizëm dhe lodhje. Lodhje nga realiteti. Dhe ti e di mik se nga ai realitet jam lodhur shpesh dhe unë, por siç më ke ngritur, tani është rradha ime ta bëj. Dhe unë jam lodhur shpesh, jam mërzitur, jam acaruar dhe po mundohem shumë të mos e them dhe unë: Kam hequr dorë nga Teatri.

E di pse? Si ka thënë një mik i yni kritik e mban mënd? “E para mund të jetë rastësi, le të themi dhe e dyta, por tek e treta nuk ka më të bëjë as rastësia e asgjë përveç talentit”. Gjë që ti e ke mik, e di unë që kam qënë në krahun tënd dhe publiku përballë teje.

Pastaj ne nuk jemi nga ata që dorëzohen lehtë, kujtohu! Kujtohu se e sa barriera mik na dolën gjatë rrugës dhe kujtohu se si ja dolëm. Kujtohu për magjinë e Teatrit dhe se sot jemi aty ku jemi prej tij. Ndoshta jo me aq para sa mund të na falte një biznes, apo famë, por jemi të fortë, jemi ndryshe.

Në sajë të Teatrit i kemi mik. Ndoshta je zhgënjyer dhe zhgënjimi të çoj tek fjalia: hoqa dorë nga Teatri. Dhe unë si ty jam zhgënjyer, ti e di. Zhgënjehemi nga ato që u dhamë dorën, nga ata që pretendonim se ishin miqtë tanë dhe jo armiqtë.

Zhgënjehemi nga armiqtë që u veshën si miq. Po zhgënjimi është pjesë e jetës dhe ti e di. Mos më thuaj se nuk ke dëgjuar prindërit e tu të të thonë se “U zhgënjyem nga X/ Y u tregua mosmirënjohës/etj “.E megjithatë prindërit tanë nuk hoqën dorë duke ndihmuar njerëzit apo jo?!.

Pastaj nëse ti heq dorë më fal, po kush do rrijë aty?Ai që nuk di të lexojë? Ajo që nuk di tekst? Ai që nuk di ç’është marrëdhënia?Apo atyre që unë dhe ti u lodhëm shumë t’i mësonim se ç’është karakteri e se si duhet punuar me tekstin por që për dreq nuk e mësuan kurrë.

Nuk do të të le si ti nuk më le mua para 10 vitesh. Isha në lokal, sapo kisha mbaruar shkollën dhe ti erdhe. “Eja bëjmë një shfaqje. Ne na ke falas.”

Se si më dukej kjo fjali. Isha në kulmin tim të pesimizmit dhe e bindur se unë nuk do të bëhesha kurrë regjisore. Ju më bëtë! Me dëshirën, pasionin dhe të mos dorëzuarin. Po kur më erdhi projekti privat, të kujtohet? “Eja tani lëre lodhjen se do ta bëjmë, çohu. Njerëzit shklyhen për projekt privat ndërsa ti e ke gati dhe thua nuk mundem, çohu”. Dhe e realizuam! Dhe unë jam e lodhur mik, e mërzitur, e zhgënjyer, por nuk heq dorë nga Teatri, sepse e di që i duhem Teatrit dhe Teatri më duhet mua, si dhe ty. P.s. : Do të shihemi sërish në skenë, premtim ky!

Ambasadori i Rusisë viziton Beratin, bashkëpunim në fushën e turizmit

Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri, Aleksandër Karpushin.

Gjatë takimit u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, me fokus lidhjet në fushën e kulturës, arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve të studentëve.

Temat konkrete të diskutimeve ishin ngritja e një qendre për mësimin e gjuhës ruse, ofrimi i bursave të studimit për të rinjtë, organizimi i aktiviteteve kulturore të përbashkëta, si dhe mbështetje për bibliotekën e qytetit me publikime dhe libra të letërsisë ruse. Po kështu,  me rëndësi për takimin ishte edhe promocioni turistik i qytetit të Beratit në agjencitë turistike ruse.

Më pas, në mjediset e bibliotekës “Vexhi Buharaja” u organizua promovimi i librit “Metoda e mësimit të gjuhës ruse për shqiptaret”. z.tosku/j.p/ KultPlus.com


“Aurat e natës”, emfazë spirituale

Edona Marku.

Poetja amerikane Emily Dickinson i përshkruan ndjenjat që i vinë prej poezisë kësisoj: “Nëse lexoj një libër që më ngrin të gjithën, saqë asnjë zjarr të mos më ngrohë, di që është poezi“.
Zgjodha pikërisht këtë shprehje, sepse përçon mjaft qartë ndjesitë që të përshkojnë teksa lexon “Aurat e Natës” të Belfjore Qoses.

Në lëmin e poezive që përmban ky vëllim poetik përzgjodha poezinë me titull “Aurat e natës”, për faktin se të përcjell mijëra mendime, të cilat shpesh duke u ngatërruar me njëra-tjetrën, e bëjnë poezinë mjaft përsiatëse dhe i japin mundësinë lexuesit ta shohë në këndvështrime të ndryshme, të bëhet pjesë e saj. 
Nisur me përemrin vetor shumës “ne”, poezia përgjithësohet dhe të fton ta lexosh deri në fund atë duke ndierë veten në çdo varg e germë të saj. 
Gjatë fëmijërisë sime ndër librash psikologjie kam lexuar tek-tuk mbi aurat dhe në to thuhej se “ato përbëhen prej shtresash të ndryshme e ngjyrash të ndryshme, që varen nga përvojat njerëzore“. Pikërisht ky aspekt ndihet në brendinë e poezisë, ajo është e mbushur me ngjyra, përvoja e përjetime të fshehta njerëzore, të cilat nuk shfaqen në botën e jashtme, por qëndrojnë strukur në gjithsecilin prej nesh. Imazhet e vargjeve karakterizojnë ndjenjat e ndryshme humane si vetmia, trishtimi, ndërgjegjja, të qenit i vetëdijshëm etj.


Ndjenja e vetmisë dhe e individualitetit, e cila dëshmohet edhe përmes ndërtimit të poezisë, është e fortë. Kemi të bëjmë me një poezi tepër medituese, me një gjuhë të re dhe origjinale, ku fjala shpesh bëhet simbol.
E kam lexuar këtë poezi si diçka ezoterike, mjaft shpirtërore e të thellë dhe kam kuptuar fuqinë e jashtëzakonshme poetike, me të cilën është ndërtuar çdo varg i saj.
Ndërthuren kaq natyrshëm magjia, alkimia, metafizika, e mistershmja dhe gnostikja. Teksa futesh në brendësi të poezisë vihet re prirja për të arritur bashkim apo njëjtësi me absoluten dhe hyjnoren. Mund ta përshkruajmë si një nevojë largimi prej botës reale për të arritur në një nivel më të lartë të vetëdijes.
Po t’i referohemi vargut

“Duke pritur dritën prej botëve të tjera/ 

na ka mbetur në fyt shpirti i natës”,

del në pah një dëshirë ekzistence e kombinuar me hidhërim shpirti, e këtë e tregon pikërisht kundërvënia dritë-natë.
 

Qytetërimet e lashta, me anë të metodave të tyre karakteristike janë munduar që në ato kohë, të hynin në labirintet shpirtërore e psikologjike të njeriut, në ato zonat më të thella dhe të fshehta të mendjes njerëzore. Gjithaq, poezia në fjalë nëse do e shikonim nga këndvështrimi parapsikologjik, heton anën subkoshiente të qenieve, atë pjesën e “errët” spirituale të njerëzimit.

Poetja udhëton brenda vetes për të zbuluar botën e madhe të shpirtit njerëzor, ndaj do e përkufizoja si një poezi “brendashpirtërore“. Ndoshta vetëm poeti mund të kuptojë atë që rri fshehur brenda nesh e ta përkthejë në vargje. 
Studiuesi A. Berisha teksa analizon poezinë “Zgjimi i një poeti“, të Camaj, ndër të tjera thotë që “poezia në fjalë shpreh gjakimin e njësimit të autorit me poezinë si krijim shpirtëror dhe si katarsë shpirtërore“, e pikërisht kjo ndodh edhe në “Aurat e natës“. Sikurse Orfeu zbret në Had për të sjellë përsëri Euridikën e tij, kësisoj edhe poetja zbret në “errësirë” për të kërkuar shpirtin njerëzor, e për ta sjellë në dritë me anë të vargjeve të saj.

Gjithaq, përgjatë vargjeve ndihet koncepti Dasein” i Heideggerit. Etimologjikisht ka të bëjë me “të qenit këtu dhe atje“, sikurse ndodh edhe në poezi, në të cilën kemi një gërshetim të marrëdhënies mes së brendshmes dhe së jashtmes, qenies dhe kohës. Heidegger e përdor konceptin “Dasein” për t’iu referuar përvojës së qenies. Pra, në poezi kemi në qendër njeriun, qenien që është e vetëdijshme që duhet të përballet me ndërgjegjen, të vërtetën, vdekjen dhe gjithashtu është në dijeni të përparësisë së botës, natyrës ndaj vetes.
“Ne, me aura të zeza mbi kokë” do të vazhdojmë të jemi në pritje të poezive të tilla, të cilat e pasurojnë letërsinë tonë rropatshëm, sikurse rropatshëm rrokullisen rrëketë / e shiut mbi aurat e zeza të natës”.

(Autorja është studente në Universitetin e Tiranës)./ KultPlus.com

E refuzuar në UP, mbaron universitetin elitar të Londrës

Përkundër përgatitjes së saj solide, Sevi Hasani nuk pranohet në Fakultetin Ekonomik të UP-së. Por ajo nuk dorëzohet. Në vitin 2011 regjistron drejtimin Ekonomi/Biznes në Westminster University në Londër, të cilin e mbaron me sukses.

Pas diplomimit në njërin nga top universitetet e Britanisë së Madhe, mes gëzimit dhe lehtësimit, e vetmja pyetje që i sillej në kokë Sevit në ato momente ishte pikërisht: “Çka tash?“ Diplomimi në Westminster ishte vetëm një pjesë e rrugëtimit të ferizajases Sevi Hasani, shkruan albinfo.ch.

Shkollën fillore dhe të mesme e kryen në Ferizaj, e më pas synon Universitetin e Prishtinës për të studiuar ekonominë. Edhe përkundër përgatitjes së saj ndër vite dhe punës në provim pranues, çuditërisht ajo nuk e gjen emrin e saj në mesin e studentëve të pranuar në Fakultetin Ekonomik.  Për shumë të rinj kjo është një situatë shumë dëshpëruese, por jo edhe për Sevin. Përkundrazi, ajo motivohet edhe më shumë.

Pa humbur kohë, merr rrugën për në Londër, fillimisht ndjek një kolegj dyvjeçar, ku e merr edhe bazën kryesore për të studiuar tutje. Në vitin 2011 regjistrohet në drejtimin Ekonomi Biznesi pranë Westminster University në Londër, përderisa me suksese të larta diplomon më 2014, duke marrë titullin Bachelor.

Nga Anglia, në Zvicër

Si një e re me diplomë nga një universitet me famë, edhe Sevi Hasani, si shumë të tjerë, tash kishte edhe pengesën tjetër, pra gjetjen e një vendi pune. Pasi që zhvendoset për një kohë në Zvicër, fillon aplikimin për punë në kompani që i përgjigjen profilit të saj.

“STOXX”, që është një kompani globale në ofrimin e indexeve, ishte një ndër caqet e Sevit. Por edhe pse në mungesë përvoje refuzohet, ajo insiston që të paktën t`i japin një rast dhe ta intervistojnë. Pas një interviste maratonike, e fiton fillimisht një praktikë 3 mujore, e cila shndërrohet më vonë në një vend pune me kontratë.

Gjatë dy vjetëve punë në STOXX (që tani është në pronësi të Deutsche Börse), Sevi bën aty punë të ndryshme si testuese dhe analiste e Indexit, e po ashtu edhe testuese e shumë platformave tjera të STOXX, duke akumuluar kështu një përvojë shume të çmueshme.

UBS dhe më tutje

Banka UBS, më e madhja në Zvicër dhe ndër më të mëdhatë në botë, ishte sfida e saj e radhës. Me dëshirën për të fituar përvojë në sferën bankare, ajo emërohet menaxhere e testeve (Test Manager), një përgjegjësi shumë e madhe kjo, pasi kishte të bënte me projekte gjigante.

Sfidat që kishte në UBS, nuk ishin të pakta, duke shtuar këtu edhe atë që shpesh shihej pak më ndryshe vetëm pse ishte femër e re, apo edhe e huaj. Por përballja me këto vetëm sa i jepte një shtysë më të madhe vullnetit të saj për të arritur më shumë. Kështu Sevi më pas kalon si menaxhere në menaxhim të pasurisë, një detyrë kjo edhe më sfiduese, punë të cilën e bëri për rreth një vit e gjysmë.

E lodhur paksa nga angazhimi i tepërt në UBS, ku pothuajse i mungonte jeta private, ajo vendos të ndërrojë vendin e punës. Dhe, stacioni i radhës është kompania SIX Group. SIX Group, është kompani publike zvicerane që ofron shërbime financiare, e cila në mbarë Zvicrën ka bi 4000 të punësuar. Duke qenë se kishtë përvojë në një fushë të tillë, Sevi emërohet drejtpërdrejt si specialiste. Në këtë cilësi ajo bën testime të platformave të ndryshme tregtare, apo edhe testime të tatimeve, gjatë shitblerjes së aksioneve./albinfo.ch/ KultPlus.com

British Council dhe Galeria Kombëtare e Kosovës sjellin “Burrneshat”

Burrneshat, përkthimi tekstual i cili mund të gjendet në fjalor do të ishte “Virgjëresha e betuar”, duke iu referuar disa grave në Malet e Shqipërisë që jetojnë jetën e një mashkulli. Megjithatë, kjo fjalë ka një kuptim tjetër në Kosovë. Fjala është pak a shumë e përdorur si një kompliment për një grua që tregon vendosmëri, besueshmëri, forcë, tipare të personalitetit që supozohet se u atribuohen meshkujve. Dhe nuk derdhin lot.

Ngjajshëm me Burrneshat, mund të vëzhgojmë gratë artiste, të cilat /mes punës së tyre po luftojnë për të jetuar të vërtetën e tyre dhe t’i dëgjohet zëri i tyre. Artistet në Kosovë ishin dhe ende janë në një masë, shembuj tipik të diskriminimit gjinor. Kudo, megjithëse rreth dy shekuj më parë, gratë ishin lënë jashtë institucioneve kulturore dhe duhej të luftonin që të hynin në shkollat e artit, në muze dhe galeri që të vinin në pah. Gruaja e parë e Kosovës u diplomua në një shkollë të artit në vitet 70-ta, në një kohë kur krijimtaria e grave ishte ende e kufizuar në qëndisje dhe thurje.

Tani, gratë janë mësuese të artit, artiste dhe të punësuara në institucionet e artit në një nivel të kënaqshëm drejt barazisë. Kështu, krahasuar me vendet e rajonit, situata është pak a shumë e njëjtë: artistet më në fund po v në një ritëm jashtëzakonisht të vonuar, por të vendosur. Megjithatë, sa më shumë që ky fenomen social të shqyrtohet, aq më shumë pyetje ngriten. Një gjë që nuk mund të shmanget është: Pse ka kaq shumë mospërputhje në mes numrit të studenteve të artit dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive? Shifrat kanë rënie drastike, kur gratë artiste gjejnë veten duke bërë punë të tjera dhe ngritjen e familjeve. A është të qenit një artiste, kërkesë e madhe?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet që frymëzuan British Council dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës për të bashkëpunuar në një ekspozitë unike që do të ekspozohet në Prishtinë në janar. Kjo ekspozitë është pjesë e ekspozites “Perceptimet” si projekt rajonal i British Council, i cili diskuton çështjet kryesore sociale përmes artit dhe dialogut në mes artistëve. Burrneshat përmbanë një bashkëpunim të veçantë në mes artistëve britanikë dhe atyre kosovarë që eksplorojnë pozitën e grave në shoqëritë tona. Ekspozita do të hapet më 25 janar deri më 20 shkurt. / KultPlus.com

Ylli Rrapi, myslimani që e ndërtoi i vetëm një kishë në Pukë

Nga fillimi i këtij viti bëri bujë historia e një burri në Spanjë i cili kishte dedikuar gjithë jetën e tij për të ndërtuar një katedrale i vetëm. Ishte një histori përtej së zakonshmes që ia vlente për vëmendjen e medias botërore. Megjithatë, mua më bëri të kujtoj se një mjeshtër në moshë në fshatin tim ka përfunduar një kishë fillikat i vetëm por pa marrë (e pa pritur) vëmendje nga mediat.

Vendosa që kur të bëj vizitën e radhës në Kryezi të Pukës do të ndaloj e ti bëj respektet njeriut që ndërtoi një kishë me duart e veta. Në njëfarë mënyre isha edhe kurioz të kuptoj motivimin e tij për këtë vepër.

Ylli Rrapi, një burrë i vogël por shumë i fuqishëm, tashmë 86 vjeçar por ende plot energji, u paraqit tek vepra e tij një ditë vjeshte plot diell. Ishte i veshur bukur, me mustaqe e kapele siç i ka hije një zotërie të moshës së tij në këto anë dhe i qeshur si gjithmonë. Ylli është mjeshtër i përkryer – kryesisht mjeshtër i gurit por edhe me talente të tjera.

Përgjatë një karriere prej afro 70 vjetëve, ai ka ndërtuar më shumë së 100 shtëpia banimi. Kisha është një ndër projektet e tij fundit përgjatë kësaj karriere kur ai ishtë në moshën “e re” 82-vjecare. Unë e njoh shtrëngimin e fortë të dorës së tij që në fëmijëri dhe është mbresëlënëse që ajo dorë vazhdon të jetë po aq e fortë.

Me plot zell Ylli më tregoi rreth e rrotull objektit, sfidat përgjatë ndërtimit e detajet historike të kishës. Edhe pse është dashur të rindërtohët nga themelet, kisha i përmbahet traditës së ndërtimit të Shqipërisë së Naltë, por në veçanti ngjall kureshtje simbolika e saj.

Dritaret nga jashtë ndjekin stilin gotik me një kulm të mprehtë, kurse nga brënda dritaret janë në formën e harkut romak. Unë nuk jam specialist i fushës por më ngjason deri diku me kishën e vjetër të Vaut të Dejës, që shqiptarët mbase e njohin nga kartmonedha prej 10-mijë lekësh (të vjetra).

“Ka qenë një kishë këtu që ishte e shenjtë si për katolikët si për myslimanët e kësaj zone” shpjegon Ylli.

“Komunistat e shkatërruen bashkë me lisat e qarrat shekullor për të krijuar një dylym tokë më shumë për kooperativën”.

Mësoj që lisat e vjetër të qarrit konsideroheshin si monument kulture.

Thuhet që kisha e vjetër qëndronte aty që prej më shumë se 800 vjetësh. Relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637 e përshkruan këtë kapelë bashkë më lisat e mëdhenj. Yllit i është dashur të bëjë kompromis me shumë gjëra por në shumë detaje ai i ka qëndruar besnik historisë.

Me shumë kujdes ai i ka gjurmuar gurët e kishës së vjetër tashmë nëpër mure mbajtëse të arave përreth ose të varrosur në dhè nga dekadat duke i pastruar për ti vendosur në cakun që ju takon. Dritaret janë një shembull. Por gjëja më mbresëlënëse janë dy gurët e qoshes që mbajnë mbi shpatulla harkun sipër portës në hyrje të objektit. Njëri nga këto mbart shenjën e kryqit, tjetri mbart një “X”.

Ylli thotë që këta gurë “tregojnë sa e vjetër është [kisha]”. Pas pak hetimeve nëpër internet konfirmova që shenja “X” u përdorte në kishat e hershme bashkë me kryqin.

Në një vënd si Shqipëria ku historia pak respekt gjen, të bëhet zemra mal kur sheh që këto detaje të rëndësishme nuk i shpëtojnë syrit të mjeshtrit.

Ylli më shpjegon që kjo kishë e dedikuar Shën Prendës [Venera, Veneranda] ka një vend të veçantë në këto anë sepse këtu vinin e luteshin njerëz që kishin probleme me lindjen e fëmijëve, përfshi edhe myslimanët.

E pyeta se cfarë e motivoi atë për t’i hyrë kësaj pune me gjithë ato shpenzime. Ylli shpjegon që “ky monument u prish nga regjimi [komunist]. E kam ndërtuar që ta gëzojnë brezat që vijnë, këtu e 800 vjet të tjera”.

Qartazi, Ylli e ka bërë gjithë këtë punë për t’i rikthyer komunitetit diçka që më parë i ishte privuar nga diktatura – mbase besimi ka një rol dytësor këtu. Më duket se Ylli ndërtoi këtë ‘tempull’ për të sjellë njerëzit së bashku, nëpërmes sharmit mistik e historisë së cilës nuk i njihet pikë-nisja.

I shtrëngova dorën e fortë edhe një herë këtij burri të vogël por punë-madh e shpirt-madh. Ndjehem i frymëzuar nga ky njeri që ndërtoi një monument për lirinë e ri-fituar, një tempull për komunitetin – në moshën 82-vjecare. Akti i Yllit është një gjest altruizmi komunitar i pashoq. Sikur më shumë njerëz nëpër botë të ishin si ai!

(E marrë nga Tema dhe Shkodër.info)

Shqiptarja që para një shekulli në vend të pajës dërgoi një piano

Në shekullin e kaluar e ndoshta edhe më larg, ishte obligim që vajza që martohej të sjelltë pajë te burri. Kjo lloj dhurate përfshinte veshje solemne, qëndisje, ari, stoli, ndonjëherë edhe para. Nusja, pos bukurisë vlerësohej edhe për pajën qe sjelltë. Shpesh paja e sajë ekspozohej dhe mysafirtë me ditë të tëra kishin rast ta vlerësonin e komentonin këtë pasuri të sjellë . Këto dhurata e punëdore simbolizonin edhe pasurinë e vajzës të trashëguar nga prindërit, pas ndarjes fizike nga familja. Mirëpo, në të vërtetë kjo as përafërsisht nuk mbulonte pasurinë e cila sipas kodeve të sotme do të i takonte vajzës si pjesëtare e barabartë më vëllezërit në pasurinë familjare.

Për pajën qe sjelltë nusja, në fshat e qytet flitej me javë e muaj. Një vajzë shqiptare ka shkaktuar komente rreth pajës së sajë, jo disa muaj, por disa dekada. Ishte kjo Nevreze Frashëri, e bija e poetit të famshëm Naim Frashërit e cila solli një pajë, jo të zakonshme për kohën. Rreth vitit 1890 Nevrezëja u martua me Xhafer Luarasin, si pjesë të pajës ajo solli edhe një piano. Ishte ajo kohë, kur tërë Shqipëria mund të ketë pasur 4-5 piano, kurse femra pianiste ishte gati e panjohur në këtë vend. Kjo pajë-piano, ishte befasi e madhe për atë kohë, ndaj mbeti e shënuar në gazetat e atyre viteve, por edhe në biografinë familjare të Frasherlinjëve.

Në fotografinë e më poshtë shihen vëllezërit Sami e Naim Frashëri (në këmbë) me familjet, fotografuar në Stamboll rreth vitit 1882. Vajza pianiste e ardhshme, është në anën e majtë në prehrin e bashkëshortes së Naim Frashërit i cili qëndron në këmbë në anën e djathë pranë Samiut.

Naim Frashëri kishte dy vajza. Vajza e parë me emrin Nerqeze i vdesë herët, tre vjeçare, në vitin 1881. Poeti e vajton atë në vjershën “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”. Vajza e dytë “pianistja” me emrin Nevreze i lind në Stamboll. Ajo rritet dhe edukohet me një kulturë të gjerë, fliste arabisht, frëngjishte, shqip e turqisht, udhëtonte nëpër Evropë dhe kishte dashuri për arte, sidomos – muzikë.

Sado që ajo bëri bujë me pianon e sajë, duket se muzika as pianoja nuk e ndihmuan në këtë martesë të hershme. Pas tri vitesh ajo u nda nga bashkëshorti Luarasi për shkak të kundërshtimeve që kishte me zakonet e rregullat e familjes së tij, të cilat i dukeshin prapa kohës. Duket se edhe familja e Xhafer Luarasit nuk pajtohej me sjelljet dhe kulturën e natyrën e hapur të nuses, e cila ishte rritur në një familje moderne intelektualësh, për kohën.

Pianistja Nevreze, tani vejushë e re, nuk dëshpërohet nga kjo ndarje. Disa vite më vonë martohet në Stamboll me Shain Kolonjën, atdhetarin veprimtarin e publicistin i cili, një kohë ishte edhe deputet i Korçës në Parlamentin Osman dhe anëtarë i Komisionit të Gjuhës të Kongresit të Manastirit. Pianoja e saj, mbeti shembull e pjesë e historisë së familjes Frashëri, por nuk dihet çfarë ndodhi me të dhe me dashurinë e pianistes për muzikën./ Albumi Akordet e Kosovës/ KultPlus.com

Kampi i Aushvicit shënon rekord të vizitorëve

Kampi i Përqendrimit Birkenau/Aushvic në Poloni vitin e kaluar është vizituar nga 2.15 milion vizitorë, rekord ky në këtë lokacion.

Mbi 400 mijë vizitorë janë regjistruar nga Polonia, mbi 218 mijë nga Britania, 116 mijë italianë, 95 mijë spanjollë, 76 mijë nga Gjermania dhe 65 mijë nga Izraeli, në mesin e të dhënave tjera që tregojnë se Kampi i tmerrshëm i kohës së Holokaustit tërheqë ende pas vetes publikun dhe emocionet e fuqishme.

27 milionë klikime ka marrë uebsajti i Aushvicit online.

Kampi i Aushvicit në vitin 1974 u fut në listën e trashëgimisë në UNESCO ndërsa sot funksionon edhe si një muze dhe hapësirë ku mësohet më shumë për Holokaustin dhe viktimat e tij, shkruan KultPlus.

Nga viti 1940 deri në 1945 të paktën 1,1 milion persona kanë vdekur në Auschwitz-Birkenau, 960.000 prej të cilëve burra gra e fëmijë hebrenj të shpërngulur nga vendet e Evropës së pushtuar nga nazistët. 75 mijë polakë, 21 mijë ciganë dhe 15 mijë sovjetikë u vranë gjithashtu në këtë kamp. / KultPlus.com

Misteri i lutjeve

Poezi nga Luljeta Lleshanaku.

Në familjen time lutjet bëheshin fshehtas 
me zë të ulët, 
me një hundë të skuqur nën jorgan, 
gati mërmëritnin, 
me një psherëtimë në fillim dhe fund të hollë,
e te paster si nje garze. 
Përreth shtëpisë, 
kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur ato të drunjtat, 
të mbështetura gjithë vitin pas murit, 
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave. 
Në vend të engjejve, 
hipnin e zbritnin burra që vuanin nga shiatiku. 
Luteshin duke u shikuar sy më sy me të, 
si në një marrëveshje kryezotësh 
duke kërkuar nje shtyrje afati „Zot, me jep forcë..!”, 
e asgjë më shumë, se ishin pasardhësit e Esaut, 
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit, 
-bekimin e shpatës 
Në shtëpinë time lutja ishte një dobësi, 
që nuk përflitej kurrë, si të bërit dashuri 
dhe njësoj si të bërit dashuri pasohej nga nata e frikshme e trupit./ KultPlus.com

Kurrë nuk është vonë të realizosh ëndrrat

Reperja e famshme amerikane, Cardi B, u detyrua të largohej nga shkolla dhe të hiqte dorë nga ëndrra e saj për tu bërë mësuese historie, për shkak të pamundësisë ekonomike.

Por reperja zbuloi se nuk ka hequr dorë nga qëllimi i saj për tu kthyer në shkollë.

“Ndoshta më vonë do kem mundësinë të shkoj në shkollë. Nuk është kurrë vonë për të realizuar ëndrrat tuaja. Ndonjëherë është thjesht duke krijuar atmosferën e duhur dhe kushtet për të arritur atë që do”, është shprehur 26-vjeçarja.

Cardi B, emri i vërtetë i së cilës është Belcalis Almanzar, hoqi dorë nga shkollimi për tu bërë striptiste me kohë të plotë që të mbulonte shpenzimet e jetesës.

Por reperja fitoi famë pasi videot e saj rreth jetës si striptiste u bënë virale. Ajo u bë pjesë e një Reality Show, “Love & Hip Hop: New York” në vitin 2015.

Vitin e kaluar, hiti i saj “Bodak Yellow” kryesoi tabelat amerikane dhe albumi i parë i saj “Invasion of Privacy” debutoi në vendin e parë.

Tani ajo është nënë e një vajze, Kulture Kiari Cephus, të cilën e ka me ish-bashkëshortin, reperin Offset./oranews/ KultPlus.com

Katër libra për t’i lexuar gjatë muajit janar

Dita e tetë e janarit, por aspak vonë të nisim një libër.

Viti 2019-të mund të jetë një tjetër vit i mbushur me libra, me lexime dhe me ikje nëpër realitete të ndryshme të cilat gjithmonë do ta pasurojnë mendjen tonë, fantazinë tonë, e do të na kursejnë prej aktiviteteve tjera që nuk na duhen.

Për këtë janar, KultPlus po propozon të nisni e të lexoni njërin nga këta libra. Për juve që jeni më të shpejtë, pse jo, lexoni të gjithë këta libra në janarin e ftohtë të 2019-tës. Vit i ri, por shprehia e leximit, le të mbetet e vjetra.

TRI BIJAT E EVËS – ELIF SHAFAK

I vendosur mes Stambollit dhe Oksfordit, nga vitet 1980 deri në ditët e sotme, “Tri bijat e Evës” është një rrëfim i ndjerë besimi dhe miqësie, tradite dhe modernizmi, dashurie dhe tradhtie të papritur. Perisë, një nënë dhe shtëpiake e pasur turke, gjatë rrugës për në një darkë në një vilë buzë detit në Stamboll, i grabitet çanta nga një lypës. Ndërsa lufton për t’ia rimarrë, nga çanta bie një fotografi e vjetër, ku duken tri vajza dhe profesori i tyre i universitetit. Një relike nga e shkuara dhe një dashuri që Peria përpiqet me dëshpërim ta harrojë. Fotografia e kthen Perinë në Universitetin e Oksfordit, kur ishte nëntëmbëdhjetë vjeç dhe doli për herë të parë jashtë vendit. Te profesori i saj mahnitës dhe rebel, te seminari mbi Zotin që i ndryshoi jetën.

DJALLI KOMIK – ZIJA ÇELA

Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. “Djalli komik” është, ndoshta, më i ngjeshuri në korpusin e Zija Çelës. Por, paradoksalisht, duke qenë më kompakti, është edhe më i shtriri si intensitet emocional e figurativ, më simboliku dhe njëkohësisht më realisti. Është roman i shkruar me vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë. 

QYTETI BRI LUMIT – V.S NAIPAUL

Libri është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t’u shkolluar e më pas për t’u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardëick. “Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

ARBËRIT E JONIT – PËLLUMB XHUFI

Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë. Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Studiuesi Pëllumb Xhufi e ka hulumtuar këtë kohë, dhe ka përmbledhur një libër që duhet ta lexoni këtë vit, e pse jo ta nisni qysh tash, në janar.

Një nudo shqiptare e vitit 1938

Me duart e vendosur në kokë, dhe sytë e përhumbur diku, nudoja në tablonë e Sadik Kacelit mbart gjithë misterin e së bukurës. E realizuar në vitin 1938, kur artisti ishte vetëm 26 vjeç, kjo është një nga nudot më të bukura në historinë e nudos shqiptare. Vajza që pozon është shqiptare. Gjatë kohës së studimeve në Francë, Kaceli ka realizuar një sërë nudosh me laps.

Silueta femrash që tashmë janë pjesë e koleksionit të çmuar të familjes. Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë. Në vitet 1932 – 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë.

Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe së bashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje. Më 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote.

Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës.

Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish. Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë./gazeta-shqip.com/ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së nis vitin artistik me mjeshtrin Oleg Arapi

Orkestra Simfonike e RTSH e nis këtë vit artistik me koncertin e datës 11 janar, që do të zhvillohet në skenën e Universitetit të Arteve.

Me një program të pasur muzikor koncerti vjen nën dirigjimin e mjeshtrit të njohur Oleg Arapi. Në programin muzikor janë vepra të autorëve si Beethoven, Martinu, Brahms, dhe solistë janë Zamir Kabo në piano, Lena Neudauer në violinë, Leonhard Roczek në violonçel.

Mjeshtri Oleg Arapi ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj. Ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli , Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelën Perandorake në Shën-Petersburg.

Ka drejtuar koncerte me Orkestra Filharmonike: në Poloni, Moskë,  Ukrainë, Ecuador, Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh.

Repertori i Dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në 29 Prill 2014 vuri në skenë Premierën Botërore të Operës “La cartomante” të kompozitorit Italian Salvatore Valente. Në Prill 2013, dekorohet nga Akademia Internacionale “Imperiali” e Italisë, me medaljen “Ylli i Artë”./A.T.SH/ KultPlus.com

Sa libra do t’i lexoni gjatë vitit 2019?

Goodreads është një faqe simpatike e cila kontrollon se sa lexojnë njerëzit, dhe është platformë ku mund të mbani evidencë të librave që lexoni.

Madje, çdo fillimvit mund të caktoni një sfidë dhe garë për veten tuaj, me numrin që e caktoni për librat e lexuar. Ka njerëz që lexojnë 50 libra, ka të tjerë që lexojnë 15 libra, por Goodreads do t`ju bëjë ‘presion’ që ta mbani fjalën e dhënë në fund të vitit.

Kësisoj, të gjithë librat në Goodreads kanë edhe vlerësimin e njerëzve që i lexojnë, ose me pikë ose me komente.

Dhe pasi jemi në janar, njerëzit nga mbarë bota kanë caktuar numrin e tyre të planifikuar, i cili kuptohet që mund të ndryshojë. Megjithatë, përpos Goodreads, njerëzit mund të vendosin edhe vet se çka do të lexojnë dhe sa libra në secilin muaj të këtij viti do t’i shfletojnë, qoftë në letër apo me anë të platformave si Kindle apo librit elektronik.

KultPlus po e pyet lexuesin e saj, sa libra do të lexoni ju këtë vit, dhe cilin libër e keni nisur tanimë, cili është fillimi i mbarë për ju në këtë vit në aspektin e leximit të librave?

Leximi duhet të jetë prioritet, e thotë edhe shkenca

Më shumë se 25% e amerikanëve të rritur e kanë pranuar se nuk e kanë lexuar as edhe një pjesë të vetme të një libri gjatë vitit të kaluar. Kështu thonë statistikat që vijnë nga ”Pew Research Center”.

Nëse jeni në mesin e atyre njerëzve që nuk lexojnë fare, atëherë më poshtë do t’ju sjellim shkencën që e mbështet idenë se leximi është gjëja më e mirë për ju në shumë aspekte të ndryshme.

Leximi i librave triller ju ndihmon të jeni më mendje hapur dhe më kreativë.

Sipas hulumtimeve të kryera nga Universiteti i Torontos, pjesëmarrësit e studimit të cilët kishin lexuar histori të shkurta fiktive kishin rezultuar të jenë shumë më mendje hapur sesa lexuesit e eseve.

Autorët kishin thënë se, përderisa leximi i libravejo triller u mundëson studentëve të mësojnë mbi një çështje të caktuar, mund të mos u ndihmojë gjithmonë të mendojnë rreth saj.

Personat që lexojnë libra jetojnë më gjatë.

Të paktën kështu thonë hulumtuesit e universitetit Yale të cilët kishin studiuar 3,635 persona më të vjetër se 50 vjeç dhe kishin zbuluar se ata që lexojnë libra 30 minuta në ditë jetojnë mesatarisht 23 muaj më gjatë sesa lexuesit e revistave ose se ata që nuk lexojnë fare.

Siç duket, praktika e leximit të librave krijon angazhim konjitiv që përmirëson shumë gjëra, përfshirë fjalorin, aftësitë e mendimit dhe përqendrimin. Gjithashtu ndikon edhe në inteligjencë emocionale, perceptim social, etj.

Leximi i 50 librave në vit është diçka që shumë lehtë arrihet. Ndonëse leximi i një libri në javë mund t’ju duket si e pamundur, faktikisht është diçka që shumë lehtë mund ta bëjnë edhe personat me agjendën më të ngarkuar. /a.a/ KultPlus.com

Frankland: Mosha është vetëm një punë numrash


Doktori William Frankland, lindur me 19 Mars 1912, është një ekspert e mirënjohur i alergjive dhe i mbijetuari i fundit ende i gjallë midis ushtarëve britanike të burgosur nga Japonezët në kampet e Luftës së Dytë Botërore.

Ai njihet sot si Sfiduesi ndaj Vdekjes dhe është një histori e gjallë e afirmimit të jetës. Pas moshës 100 vjeçare ai ka botuar tre studime shkencore dhe ka në dorë të katërtin, për ta botuar këtë vit, sidomos mbi imunitetin që trupat po krijojnë ndaj penicilinës. 

Mosha është vetëm një punë numrash, thotë Doktori Frankland. /KultPlus.com

Portali hungarez, detaje retro mbi martesën e mbretit Zog me konteshën Geraldine

Portali hungarez “index.hu”, ka publikuar një artikull retrospektivë mbi martesën e Mbretit Zog me konteshën hungareze Geraldine Apponyi, me titullin “Shkëlqim amerikan, dashuri shqiptaro-hungareze nga 1938-a”.

Ambasada e Shqipërisë në Hungari thekson se në artikull nënvizohet se, martesa mes mbretit shqiptar Zog dhe konteshës Geraldine Apponyi ishte sensacioni i viteve përpara Luftës së II-të Botërore.

Kërkimi i aleatëve politikë të dy vendeve të vogla u kurorëzua me një dashuri që zgjati më pas edhe në mërgim. Arkivi historik Fortepan zbulon pjesë nga martesa mbretërore nga fotografi i panjohur zyrtarisht më parë: fotoreporteri i periodikes hungareze të kohës “Színházi Élet” (shqip: “Jeta Teatrore”).

Periodikja ka dërguar ekskluzivisht në Tiranë fotoreporterin Henrik László, që të ndjekë zhvillimet me këtë rast. Kurse publikimi është kryer më pas në dy materiale të veçanta të revistës në pranverë 1938 nga gazetari Böske Guthy.

Artikulli gjendet në linkun e mëposhtëm: https://index.hu/fortepan/2019/01/06/amerikai_glamour_alban-magyar_l_amour_1938-bol/?fbclid=IwAR1vPYHP_uNSyjrFjo83OmQilS-1LL_eXg1v5G8DcCVQEutYS0GA-We9Ujg

Forbes: Si po i shndërron Shqipëria bunkerët e braktisur në biznese

 Revista e njohur “Forbes” i kushton një reportazh bunkerëve në Shqipëri dhe përpjekjeve të ndryshme arkitekturore për t’i kthyer ato në shërbim të turizmit dhe të komunitetit.

”Zonat rurale të Shqipërisë dhe luginat nëpër male janë të mbushura me mijëra bunkerë të vegjël prej betoni. Këta bunkerë u ndërtuan nga viti 1960 deri në 1980, gjatë sundimit komunist të Enver Hoxhës.

Në fakt, Shqipëria ka pasur një histori të trazuar të pasluftës duke u armiqësuar me të gjithë aleatët e saj potencialë për tre dekada, në fillim jugosllavët, më pas sovjetikët dhe në fund kinezët, në një seri çarjesh diplomatike dhe ideologjike.

Duke iu trembur një pushtimi nga Jugosllavia, Greqia, NATO-ja, madje edhe nga ish-aleati Bashkimi Sovjetik, Hoxha ishte i bindur se në vend që t’i besonte taktikave të partizanëve që çliruan Shqipërinë gjatë LIIB, ai duhej të mbronte të gjithë vendin njëkohësisht. Për pasojë Hoxha aplikoi politikën e “bunkerizimit” që u aplikua me ndërtimin e mijërave bunkerëve në të gjithë vendin.

Parimi ishte që, në vend që të mbështetej në një ushtri profesioniste, çdo shqiptar duhej të merrte armët dhe të strehohej në bunkerin më të afërt në rast pushtimi. Por sigurisht, pushtimi nuk erdhi kurrë dhe kostot e ndërtimit të bunkerëve ishin një harxhim i burimeve të Shqipërisë, si në aspektin e të mirave materiale dhe të orëve të punës për të planifikuar, ndërtuar dhe trajnuar për përdorimin e bunkerëve.

Bunkerët u braktisën pas rënies së shtetit komunist dhe shumë sot janë vetëm relike. Por duke parë sasinë e tyre, shumë shqiptarë i kanë kthyer ato në prona të patundshme gjatë këtyre dekadave. Keq Marku Djetroshan, një artist që bën tatuazhe e ka kthyer një bunker në Shkodër në një sallon për tatuazhe.

Shumë bunkerë të tjerë janë bërë pjesë e jetës së qyteteve duke u shndërruar piceri, bare madje edhe hostele. Përdorimi i tyre ka tërhequr interesin e shumë arkitektëve shqiptarë dhe të huaj. Saimir Kristo, profesor i arkitekturës dhe zëvendësdekan në universitetin POLIS në Tiranë ka qenë pjesë e ekipit në projektin ambicioz “Bed & Bunker”.

Një projekt kërkimi mes universitetit POLIS dhe FH-Mainz në Gjermani “Bed & Bunker” bashkoi profesorë dhe studentë nga të dyja institucionet që punuan për të ridizenjuar bunkerët ekzistuese në hostele, me krevate dhe mëngjes për turistët.

“Shqipëria është një vend i bukur… bunkerët mund të shërbejnë për të akomoduar turistët. Ata mund të kryejnë funksione të ndryshme si të jenë muze të vogla apo hapësira ekspozimesh. Mundësitë janë të pafundme”, thotë Saimiri.

“Potenciali ekonomik i bunkerëve të papërdorur për mendimin tim është i pafund. Jo vetëm për qëllimin që të kthejnë bunkerët në hapësira funksionale të përdorura nga individët, por për shkak të numrit të tyre të lartë, ato përfaqësojnë vlera të tjera për Shqipërinë në aspektin ndërkombëtar”, thekson ai.

Arkitekti shqiptaro-kanadez Elian Stefa është pjesë e një projekti të ngjashëm si “Bed & Bunker”, që titullohet “Concrete Mushrooms” (Kërpudha Betoni), që prezanton propozime konceptuale dhe guidë për konvertimin e bunkerëve të braktisur.

Rritja e projekteve për ribunkerizimin i drejtohet krejtësisht turizmit, që është një histori suksesi në Shqipëri në vitet e fundit. Duke njohur një rritje eksponenciale në fillim të kësaj dekade dhe me vazhdimin e një rritje të konsiderueshme edhe sot, ”natyra pjellore” e bunkerëve të Shqipërisë do të thotë se ekzistojnë infrastruktura lehtësisht të përshtatshme në të gjitha destinacionet tërheqëse natyrore të vendit.

Megjithatë, vazhdimësia e skemave të tilla në shkallë të gjerë është vënë në dyshim. Mes përplasjeve që nga fundi i sundimit komunist dhe kriza e vitit 1997 që erdhi për shkak të skemës shkatërrimtare dhe të pa kontrolluar të piramidave, shumë bunkerë shqiptarë janë shkatërruar.

Pavarësisht kësaj, profesor Kristo është optimist për të ardhmen e ruajtjes dhe zhvillimit të bunkerëve.

“Është për të ardhur keq që disa prej tyre janë shkatërruar kryesisht për t’u shitur për skrap nga individë të ndryshëm. Duhet të merren masa për t’i mbrojtur, individualizuar dhe për të filluar plane për t’i ripërdorur ato. Bunkerët janë struktura kontroverse për shkak të asaj që përfaqësonin në të kaluarën. Megjithatë, kemi arritur t’i kthejmë ish-simbole të luftës dhe mbylljes së Shqipërisë në simbole të paqes dhe mikpritjes”, thekson ai.

Që prej prillit 2016, “Bunk’Art”, një ish-bunker i ngritur nga Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, është kthyer në një muze bashkëkohor arti dhe historie ku priten ekspozime dhe është një nga pikat më interesante në Tiranë”, përfundon ”Forbes”./ Nga Rebecca Banoviç /G.S/ a.jor.

Viti 2019 shpallet vit i NATO-s në Kosovë

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur vitin 2019 -vit të NATO-s në Kosovë.

Në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën.

Më 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën.

“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /Telegrafi/ KultPlus.com


REDO vlerësohet për barazi gjinore nga “AIGA Eye on Design”


Sipas hulumtimit të bërë nga “AIGA Eye on Design” mbi përfaqësimin e femrave dhe meshkujve folës në konferencat më të rëndesishme të dizajnit, REDO renditet në një prej vendeve të para që tregon barazi të plotë gjinore në mes të folësve femra dhe mashkuj. 

REDO, ngjarja vjetore e dizajnit grafik që mbahet në Prishtinë, perpos që është në lista të ngjarjeve kryesore të dizajnit që duhet të vizitohet, tani është edhe në listen e konferencave që paraqet në mënyrë të barabartë, folësit mashkuj dhe femra. Ky fakt është me rëndësi sepse shumica e konferencave të karakterit të njejtë, ende janë shumë mbrapa sa i përket përfaqësimit të barabartë të folësve të gjinisë femërore dhe mashkullore.

Hulumtimi I kryer nga AIGA Eye on Design ve në pikëpamje dallimet drastike që konferencat më të rëndesishme mbi dizajnin, bëjne me numrin e folësve femra dhe mashkuj. Rezultatet e këtij hulumtimi kanë shkaktuar debate të ashpra rreth diskriminimit gjinor që bëhen në konferencat më të rëndësishme të dizajnit. Brno Biennale në Republikën e Çekisë, që njihej dikur si ngjarja më e rëndesishme e dizajnit, kishte më pak se 2 nga 12 folës te gjinisë femërore – diçka qe ka shtyrë shumë pjesëmarrës të bojkotojnë këtë ngjarje.

Gjatë 3 ditëve të konferencës, REDO sjell mbi 300 studente, profesorë nga univeristet më me influence në diciplinat e dizajnit grafik dhe arteve vizeuele nga e gjithë bota, duke kontribuar direkt në ekonominë dhe turizmin e qytetit të Prishtinës.

AIGA Eye on Design publikohet nga AIGA (Instituti Amerikan i Arteve Grafike), organizatën më prestigjioze në botë mbi dizajnin grafik, me bazë në Amerikë.  

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët, artistet vizuel, dhe artëdashësit nga e gjithë bota për të kontribuar në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhepraktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

Edicioni 9 do te mbahet nga 11-13 tetor, 2019.

Linku per artikullin origjinal –
https://eyeondesign.aiga.org/gender-equality-at-design-conferences-by-the-numbers/