Publikohet raporti: Fëmijët që lexojnë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë

“Fëmijët që lexojnë për shkak se e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë; si dhe ata që lexojnë më shumë libra në vit kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë më të lartë emocionale”. Këto kanë qenë të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të Kosovës”, publikuar sot në ambientet e Qendrës “Libart”.

Për gjashtë muaj me radhë organizata ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), dhe Qendra për Afirmimin të të Rinjve (CSAY), kanë punuar në realizimin e këtij raporti hulumtues, të gjeturat e së cilit kontribuojnë në fushën e edukimit dhe psikologjisë.

Në fjalën e saj hyrëse, menaxherja e projektit Fatime Rrahmani, tregoi më gjerësisht për rrjedhën e projektit, arsyet dhe konceptet e tij si dhe punën e organizatave partnere. 

Rrahmani tha se pothuajse i tërë projekti është realizuar virtualisht për shkak të kushtëzimit nga pandemia COVID-19. Ndërsa tregoi se ky studim thekson rëndësinë që të lexuarit ka në zhvillimin mendor te fëmijët. Po ashtu, shtoi se studimi është valid dhe se, sipas saj, mund të përdoret për intervenime në fushën e psikologjisë dhe edukimit. Fatime Rrahmani ndër të tjera tha edhe se sipas të gjeturave motivi i brendshëm është faktori kyç për nxitjen e procesit të të lexuarit.

E për të treguar më shumë për metodologjinë, rezultatet, përfundimet e rekomandimet e raportit, foli Diar Hajrizi, hulumtues kryesor i projektit.

Hajrizi, the se pjesëmarrës në projekt kanë qenë rreth 980 nxënës të klasave 6-9 të moshave 10-15 vjeç, dhe hulumtimi është shtrirë në 68 shkolla të 20 komunave të Kosovës. 

Diar Hajrizi, po ashtu tregoi se ndër të tjera, më këtë hulumtim kanë synuar ta masin edhe se cilat lloje të leximit dhe zhanret të librit ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale. 

Për më tej, ai u shpreh se rezultatet tregojnë se fëmijët që lexojnë më shumë libra dhe janë të regjistruar në bibliotekë gëzojnë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë. 

 Nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), të cilët e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt, Dajana Berisha u shpreh se përkrahja e studimeve të tilla është e nevojshme pasi e ngrisin nivelin e raportit të shkencës, dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme në raport me tregun e punës. Berisha, gjithashtu shtoi se duhet të fokusohemi në të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Sipas saj, faza e parë është të nxënit në mosha të reja, faza e dytë formësimi dhe krijimi i identitetit dhe faza e tretë kontributi që pastaj ia dhurojmë shoqërisë. 

Për t’i komentuar të gjeturat nga prizmi psikologjik, e pranishme në panel ishte edhe psikologja Saranda Rexha.

Ajo tha se leximi duhet të promovohet si diçka që nxit kënaqësi dhe kjo duhet të fillojë nga mosha e hershme, më saktësisht para se të fillojnë procesin mësimor.  

Ndërsa, sociologu Roland Peraj, tregoi për trajtimin e fenomenit të lexueshmërisë nga këndvështrimi sociologjik.

Ai tha se janë disa faktorë që sipas tij e pengojnë nxitjen e procesit të leximit. Peraj theksoi se ndër ta, fakti kryesor është mungesa e kulturës së leximit, ndërsa aspekti historik, kurrikulat dhe infrastkruktura shkollore ndikojnë në uljen e nivelit të motivit për lexim. Ndërsa, sugjeroi të krijohet një strategji nacionale për lexim dhe të bëhet digjitalizimi i librave.

Nga audienca, Besnik Peci, psikolog dhe sociolog u shpreh se me këtë hulumtim janë vënë bazat e evidencës për rëndësinë e lexueshmërisë. Peci, njëherish psikolog i SOS Fshatrave të Kosovës, tha se prindërit dhe mësimdhënësit duhet t`i shpërblejnë dhe inkurajojnë fëmijët që lexojnë, dhe po ashtu, të krijojnë alternativa që leximi për fëmijët të jetë i këndshëm dhe jo i imponueshëm. 

Panelistët, po ashtu bënë më dije se përveç produkti kryesor të projektit që është raporti hulumtues, ditëve në vijim do të përurohet edhe skulptura që ngërthen trurin dhe librin, në faqet e së cilës do të gravohen rezultatet kryesore të raportit. 

Fatime Rrahmani, prezantoi edhe rekomandimet e dala nga projekti, disa prej të cilave janë: aplikimi i Biblioterapisë (seanca grupore me lexim të librave) nëpër shkolla, të hartohen më shumë hulumtime nga organizatat e shoqërisë civile dhe prindërit të investojnë në krijimin e këndeve me libra sipas preferencave të fëmijëve të tyre. 

Ky hulumtim është pjesë e projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Leximi, mënyra e vetme për të kaluar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhemi

Izolimi nëpër shtëpi din të kalojë në një monotoni të pashoq, kryesisht në mungesë të aktiviteteve të ndryshme.

Kjo gjendje më së miri mund të kalohet duke lexuar libra e duke parë filma të ndryshëm.

Në vijim, KultPlus ju sjell pesë libra në të cilët trajtohet kryesisht tema e epidemive të ndryshme.

1.Dekameroni nga Xhovani Bokaçio

2.Vrasjet në rrugën Morg nga nga Edgar Alan Poe

3.Shënimet e Gjon Nikollë Kazazait nga Jusuf Buxhovi

4.Murtaja nga Albert Kamy

5.Dashuria në kohërat e kolerës nga Gabriel Garsia Markes. / KultPlus.com

Pesë arsye pse duhet të lexoni para gjumit

Nuk do duhej të ishe befasi për ju fakti se leximi është i mirë për shëndetin tuaj, por a e dini pse? Siç duket, ekzistojnë një grumbull i dobive nëse lexoni para se të shkoni në shtrat për të fjetur. Nëse tashmë jeni duke e bërë këtë, jeni me fat. Nëse jo, atëherë ju rekomandojmë të filloni ta bëni këtë.

1. Do të flini më mirë

Leximi ju ndihmon për ta sjellur gjumin duke ua vendosur mendjen diku tjetër dhe në këtë mënyrë duke ua larguar fakusin nga problemet e jetës së përditshme. Është njësoj sikurse leximi i përrallave për fëmijët që shtrihen për të fjetur, shumicën e të cilëve gjumi i pushton në pjesën e fundit të tregimit! Por kjo nuk do të ishte shumë e pëlqyeshme nëse jeni në pjesën më të mirë të librit, sepse do i’u duhej të luftoni kundër gjumit për shkak të dëshirës për ta përfunduar atë kapitull.

2. Ju ndihmon ta reduktoni stresin

Një grup i studiuesve në Universitetin e Surrey ka gjetur se leximi para gjumit mund ta reduktoj stresin deri në 68%. Kjo është një peshë mjaftë e rëndë që do të largohet nga supet tuaja përmes zhytjes nëpër faqet e një libri!

3. Ju do të bëheni më paqësor

Mbajtja e televizionit ndezur përgjatë kohës sa jeni duke tentuar të flini, mund të ju mbajë zgjuar për një kohë edhe më të gjatë. Leximi është një mënyrë e mrekullueshme për ta rehatuar veten qetësisht për një natë me gjumë të mirë. Është shumë më i mirë për shëndetin tuaj të përgjithshëm.

4. Do të koncentroheni më mirë

Përderisa gjurmoni nëpër rrjetet sociale përpara gjumit, ju jeni duke bluar në mëndje shumë gjëra në të njejtën kohë, duke e bërë të vështirë të fokusoheni në diçka më specifike. Duke mos pasur pamje vizuale, gjatë leximit të librit ju jeni të detyruar të fokusoheni vetëm në një ngjarje. Në këtë mënyrë ju e trajnonin trurin tuaj të koncentrohet.

5. Do të bëheni më kreativ

Për shkak se leximi për trurin është sikur stërvitjet fizike për trupin, sa më shumë që lexoni ju do të filloni ti shihni gjërat në një mënyrë tjetër nga ajo e mëparshmja. Kjo gjithashtu ju dërgon në gjetjen e shtigjeve të reja për zgjidhjen e problemeve tuaja./filozofia.al / KultPlus.com

Leximi më i lehtë me platformën online “N’go e m’so”

N’go e M’so është një platformë online, e cila më vonë do të plotësohet edhe me një aplikacion për pajisjet e mençura, në të cilën njerëzit do të kenë qasje online në libra të lexuara me zë në gjuhën shqipe.

Duke e parë që zhvillimi i teknologjisë informative, që nga zbulimi i interneti deri të pajisjet e mençura, si telefonat, tabletat e kompjuterët dhe duke e parë që përdorimi i tyre tashmë është bërë përditshmëri, por edhe nevojë e domosdoshme për njerëzit në gjithë botën, duke mos përjashtuar as vendet ku jetojnë shqiptarët, menduam që krijimi i një librarie online, ku do të ofrojmë vepra të ndryshme nga autorët shqiptarë e të huaj për lexuesit, do të kishte një efekt shumë pozitive në edukim, rritje të lexueshmërisë, por edhe në ngritjen e vetëdijes shoqërore ndër shqiptarë.

E veçanta e kësaj biblioteke online është se ne, për adhuruesit e leximit do të sjellim libra në formatin audio, pra me zë, çka e bënë leximin (dëgjimin) e tyre shumë me të lehtë dhe me të thjeshtë.

Marrë parasysh dinamiken jetësore që kanë njerëzit sot, më shumë angazhime, duke filluar nga puna e përditshme, udhëtimet e ndryshme, familja, fëmijët e shumë çka tjetër, ndikon jo pak që leximit t’i mbetët pak e hiç kohë.

Një nismë e tillë përveç atyre që zgjedhin të dëgjojnë në kufjet e tyre apo gjatë vozitjes, do të ishte ndihmesë shumë e madhe edhe për ata që për çfarëdo arsye, e kanë të pamundur leximin.

Konsiderojmë që posedimi i librave në gjuhën shqipe në formatin audio, është një lehtësim edhe për diasporën që të qëndrojnë afër gjuhës amtare.

Po ashtu, pjesë e platformës mendohet të jenë edhe librat apo lekturat obligative shkollore për nxënësit e të gjitha cikleve.

Këtu mendohet të përfshihen edhe librat për nxënësit e minoriteteve, përfshi këtu serbisht, turqisht dhe anglisht.

Prandaj, ne mendojmë se posedimi i një platforme të tillë në telefonin tuaj do të ndihmonte që qasja në literaturë të jetë shumë më e lehtë dhe më e thjeshtë, pavarësisht se ku ndodhesh dhe çfarë jeni duke bërë.

Qëllimi ynë është që qytetarët shqiptarë ku do që ndodhën të lexojnë e mësojnë sa më shumë sepse vetëm me dituri gjërat edhe mund të na ecin për së mbari.

Ne ftojmë të gjithë të interesuarit, që të propozojnë libra që mendojnë që duhet të jenë në listën e “N’go e M’so”.
Për të gjithë juve që keni dëshirë të kontribuoni duke lexuar titujt tuaj të preferuar, mund të na shkruajnë përmes faqes ne Facebook N’go e M’so apo edhe email-it ngoemso@gmail.com. /KultPlus.com

Sipas një studimi, vajzat lexojnë më shumë se djemtë

Vajzat nuk dinë matematikë. Djemtë nuk lexojnë.

Këto stereotipe negative forcohen jo vetëm nga mësuesit dhe prindërit, por dhe nga vetë nxënësit, tregon studimi.

“Studimi ynë mund të jetë i pari që heton si besimet stereotipike të nxënësve rreth leximit te djemtë ndikojnë realisht tek ata,” tha bashkëautori Jan Retelsdorf, një psikolog në universitetin e Hamburg-ut, Gjermani.

“Ne e pamë rezultatin e stereotipeve në klasa dhe jo në laborator,” shton ai.

Studimi i publikuar në gazetën Child Development zbuloi se vajzat përfitonin nga besimi i nxënësve të tjerë se ato kishin më shumë prirje drejt librave. Kjo ama krijoi një vetëbesim shumë të ulët te djemtë.

Sipas studimit, është pikërisht ky stereotip i pabazë që nxit vajzat të lexojnë më shumë dhe djemtë të ndihen më larg librave. /KultPlus.com

Leximi mbron shëndetin e trurit

Leximi dhe shkrimi mbrojnë shëndetin e trurit pasi njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë kanë gati tre herë rrezik për t’u çmendur, sipas një studimi të Jennifer Manly, nga universiteti ”Columbia Vagelos College”, botuar në revistën “Neurology”.

Studimi përfshiu rreth 1 000 individë me një moshë mesatare 77 vjeç, përfshirë 237 analfabetë.

Në fillim të studimit, 35% e analfabetëve rezultuan se kishin shenja çmendurie ndaj 18% të atyre që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pas rreth katër vitesh, numri i analfabetëve me çmenduri u rrit në 48% ndaj 27% të atyre që dinin të lexonin dhe shkruanin.

Ekspertët kanë vlerësuar se analfabetët kanë një rrezik pothuajse tre herë më shumë për t’u çmendur se të tjerët, me kushte të barabarta siç janë mosha, seksi, statusi socio-ekonomik dhe shëndeti kardiovaskular.

“Të jesh në gjendje të lexosh dhe të shkruash lejon njerëzit të ndërmarrin më shumë aktivitete që përfshijnë burime mendore, të tilla si leximi i gazetës ose ndihmesa ndaj nipërve dhe mbesave me detyrat e shtëpisë”, tha Manly.

“Puna jonë siguron prova të reja që leximi dhe shkrimi mund të jenë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit të trurit”, përfundoi ajo./atsh / KultPlus.com