“Ktheju Tokës” e Jonida Maliqi vjen cover nga një grup djemsh nga Çekia (VIDEO)

Këtë vit në Festivalin e ’57 të këngës në RTSH, i cili u mbajt në Pallatin e Koncerteve në Tiranë, kënga fituese është përzgjedhur ajo e Jonida Maliqit, shkruan KultPlus.

Kënga e titulluar “Ktheju tokës” në këtë mënyrë ka fituar të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong 2019 në Izrael.

Këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision do të këndohet në gjuhën shqipe nga këngëtarja Jonida Maliqi.

Por si duket kjo këngë ka filluar të pëlqehet edhe jashtë vendeve shqipfolëse, e sidomos nga ata që e ndjekin çdo hapë të Eurovisionit. Këtë e dëshmon një cover i krijuar nga Alt3rn Music.

Alt3rn Music është një grup i krijuar prejtre miqve të mirë Alex, John dhe Anthony që kanë pasion muzikën. Ata janë nga Republika Çeke, por Alex ka lindur në Greqi.

Ky cover duket se është pëlqyer nga fansat të cilët edhe e kanë shpërndarë. KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=iQWNLc4eLT8

Fjalimi më emocionues i nënës gjakovare sot në protestë (VIDEO)

Sot nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës kanë protestuar kundër ardhjes së pelegrinëve të Serbisë në këtë territor.

Dihet se Serbia ka vrarë njerëz edhe në Gjakovë, i cili mbetet ndër qytetet më të prekura në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë video që transmeton emocion të madh, shihet një nënë gjakovare e cila flet për aktualitetin e dhimbshëm të Kosovës. / KultPlus.com

“Ylli e Hana” zbresin në këngën e Genc Prelvukajt (VIDEO)

Këngëtari i njohur Genc Prelvukaj, po vazhdon të sjell pa ndalur projekte të reja, ndërsa tashmë vec ka startuar vitin 2019 me një super këngë, shkruan KultPlus.

Me një melodi të lehtë dhe tejet të bukur, e ku shkrihen vargjet e mrekullueshme të shkruara nga vet artisti, kjo këngë padyshim që do të jetë një hit i radhës.

Kënga vjen e realizuar bashkë me videoklip e që në fokus ka artistin i cili i këndon dashurisë, e ku protagonistë të videos janë një qift shumë simpatik, Arblind Zymberi dhe Greta Hazyri.

Video e cila është e mbushur me emocione, është realizuar nga Black Fish Entertainment. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=G1-yzfUc6p4

Zjarri i dytë

Poezi nga Doruntina Baliu.

T’pata marrë si raki të lehtë
Pin, përbinë me një erë të ftohtë
E merr vesh veç fyti

Se vetëtima s’tkap dy herë
Edhe po të ra nuk dhemb njējtë
Vendimi asht i yti

Ska kush që e rrxon malin
Ka pas kenë veç ni zjarr
E kanë msue degët tymin

Pa mëngjesin, asnjë dëshmitar
Ban be dielli gjë s’ka parë
Nuk ta mbush kjo flakë synin

A e kjan uji çdo gur që e rreh?
Te njëtën formë kanë për rastësi
S’mbushet men gurgullima

Se ujit lulen që mçel el ndër këmbë
Kur ka nge me zgjedh ndër ngjyra
Se çka sjell janë gjethe të ima

Bora, shiu ka mbulue
S’kryjnë punë shpend’t me bajt selam
Frikë e zjarrit s’ka mbarue, ka djeg për s’pari
Dro s’ka pushue, a flakë të vjetra mban

A e dini sa të huaj jetojnë në Shqipëri?

Nuk janë vetëm shqiptarët që kërkojnë të jetojnë jashtë. Sipas të dhënave të publikuara nga portali “Our World in Data” janë rreth 57, 616 mijë të huaj që jetojnë në Shqipëri, bazuar kjo në të dhënat e Bankës Botërore. Prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune.

Prej vitit 2010 numri i të huajve në Shqipëri ka qenë në rritje. Në vitin 2010 sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.

Ndër arsyet kryesore të tërheqjes së të huajve në Shqipëri është kosto e lirë e jetesës. Për sa i përket lejeve të punës, italianët kanë numrin më të lartë. Së fundi Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar edhe për studentët italianë. Popullsia e dytë është ajo turke, pasur më pas nga kinezët.

Edhe shqiptarët e Kosovës përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të emigrantëve në Shqipëri. Megjithatë numri i tyre në raport me vite më parë është më i ulët. Në vitin 2000, për shkak se në Kosovë vijonin trazirat e pas luftës për shkëputjen nga Serbia, shumë shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri. Prandaj viti 2000 shënon rekord të numrit të të huajve me rreth 77 mijë të huaj, raporton ‘monitor’.

Në rajon Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët emigrantësh. Numrin më të madhe e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë të huaj.

Bosnje Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë.

Në botë rekordin për numrin më të lartë të të huajve e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 46.6 milionë emigrantë.

Në vend të dytë për sa i përket numrit të emigrantëve është Gjermania. Nga të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2015, numri i emigrantëve atje ishte 12 milionë.

Vendi i tretë për numrin më të madh të emigrantëve është Rusia me 11.6 milionë emigrantë, pasuar nga Arabia Saudite me 10.1 milionë./ KultPlus.com

Vajza nga Dobratini i Podujevës, ftohet të luajë në filmat e Hollywood-it

Edona Hamza nga fshati Dobratin i Komunës së Podujevës, është përzgjedhur si aktore nga një agjent i Hollywood-it.

Edona, prej kohësh jeton në Kanada dhe ajo tashmë është në prag të jetë njëra ndër fytyrat e kinomatografisë Holliwoodiane.

Se ajo është përzgjedhur nga një agjent i Hollywood-it, i cili do ia menaxhojë karrierën e saj, e kanë bërë të ditur të afërmit e Edonës, përmes një postimi në Facebook.

“Pas një jave të gjatë trajnimi dhe audicioni, ne jemi krenar të njoftojmë se vajza jonë Edona Hamza u përzgjodh nga një agjent i Hollivudit nga departamenti i të rinjve të CTG. Ky agjent do ta përfaqësojë atë në karrierën e saj të re dhe emocionuese në moshë kaq të re në aktrim. Ne jemi shumë krenarë me aktoren tonë Edona. Udhëtimi i Edonës që sapo ka filluar nuk mund të presë për të parë se çfarë ka përpara për të. Duaje vajzën”, kanë shkruar të afërmit e saj, duke i bashkëngjitur edhe foton e mëposhtme:

Fat

Poezi nga Frederik Rreshpja.

Unë për fatin tim pikëllohem vetë
S’dua të pikëllohet kush për fatin tim,
Më ndjek pas Perëndia e Humbjes
Me mermerin e thyer në luftra pakuptim.

Mirëpo unë jam pagan i vjetër;
Pa këtë fat të keq nuk ndjehem mirë,
Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet
Kam dhe unë për prehje dhembjen time.

E çdo të preferoja tjetër përveç luftës
I ndjekur pas nga ky fat budalla?
Vërtet që kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha.

S’dua të trishtohet kush për fatin tim,
Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes:
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë

Ramiz Tafilaj merr Çmimin për Arritje Jetësore nga Presidenti Trump

Shtëpia e Bardhë po nderon Ramiz Tafilajn për punën e palodhshme për shqiptaro-amerikanët dhe për përkushtimin e tij për ta bërë botën vend më të mirë. Mërguar në Shtetet e Bashkuara më 1973, Tafilaj është veprimtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe Ballkan.

Ai ka sponsoruar mbi 100 studentë shqiptarë dhe nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve kanë banuar në shtëpinë e tij. Në fundvitet 1980, ai ua bëri të qartë Shteteve të Bashkuara domosdoshmërinë për ta përkrahur Kosovën dhe për të themeluar një parti demokratike, që sot është Lidhja Demokratike Kosovës. Tafilaj ka qenë kryetar i komitetit ndërkombëtar të Odës Ekonomike Northwest Houston, një organizatë e fuqishme që zhvillonte lidhje biznesi me Kosovën. Ai ka shërbyer dhe në borde drejtuese të shumë industrive, përfshirë shëndetësinë, bankat dhe arsimin.

Në letrën e tij, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi zotin Tafilaj për përkushtimin e tij për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.”

Z. Tafilaj u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan në lidhje me politikën amerikane në rajon.

“Në emër të një Kombi mirënjohës, ju falënderoj për shërbimit tuaj jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerkanë dhe atyre që më së shumti kishin nevojë… Keni siguruar vazhdimësinë e përkushtimit të pashoq të Amerikës për të përmirësuar jetët e të tjerëve,” shkroi kryetari Trump.

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) është shpërblimi më i lartë për vullentarët në Shtetet e Bashkuara.

I pyetur për arritjet e tij më të mëdha, veprimtari shqiptaro-amerikan tha: “Jam më së shumti krenar për tre fëmijët e mi — që punojnë si ndërmarrës, nënkryetar banke dhe drejtore e një shoqate jofitimprurëse — si dhe për nëntë nipërit e mbesat e mi më të mrekullueshëm.”

Ramiz Tafilaj lindi dhe u rrit në Deçan të Kosovës. Tani është kreu i kompanisë Progressive Chemical Technologies në Houston dhe pronar i shtëpisë botuese Jalifat Publishing, e cila ka botuar historinë disavëllimëshe “Kosova” shqip dhe anglisht./E.Dujaka

Shqiptarët në SHBA me aksion për grumbullim të fondeve për vendosjen e monumentit të Skënderbeut në Prizren

Shqiptarët e Amerikës tani e një shekull janë shquar për dhënien e kontributeve kombëtare duke filluar me aksionet për njohjen e çështjes shqiptare në Amerikë, duke iu përgjigjur aksioneve të shumta kombëtare tash e më shumë se një shekull qoftë në aspektin humanitar, ushtarak, politik, kulturor, fetar dhe shumë aksione të tjera.

Nuk është rastësi se aksionit të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” të parët t’iu përgjigjen shqiptarët e Amerikës të cilët në mënyrë konkrete e filluan aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për dërgimin e Skënderbeut në Prizren.

Ky aksion u fillua falë koordinatorit të shoqatës “Trojet e Arbrit” Tomë Mrijaj, i cili për pesëmbëdhjetë vjet me radhë është shtyllë e fortë e organizimit shqiptar në Amerikë, si dhe dy veprimtarëve kombëtarë, Pashk Maksuti dhe Gjergj Paloka, të cilët janë të autorizuarit e shoqatës “Trojet e Arbrit” për grumbullimin e mjeteve për monumentin e Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Prizren si dhe muzeut historik mesjetar në Kalanë e Prizrenit, me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Me t’u hapur aksioni, kemi njëzet donatorët e parë shqiptarë nga Amerika që iu përgjigjën thirrjes së shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ për të përkrahur këto dy iniciativa kombëtare ku do të bëhet edhe hapi i duhur për vendosjen në vend të një pjese të historisë sonë e cila fatkeqësisht dhe qëllimisht është lanë e mjegulluar”, shkruan mediumi i mërgatës shqiptare në Francë, “Press Independent”.

Image

Donatorët që i përgjigjur thirrjes së shoqatës “Trojet e Arbrit” janë: Zef Berisha, Pashk Maksuti, Andre Tonaj, Luigj Perlleshi, Paulin Gjini, Pashk Berisha, Prend Qeta, Sejlon Lala, Gjin Berisha, Dukagjin Mrijaj, Margon Mrijaj, Nikollë Mrijaj, Gjergj Paloka Fran Qota, Toni Boga, Mhill Gjura, Marjan Cubi, Pashk Bytyqi, Zef Dushi, Artan Maksuti.

Këta janë emrat e parë dhe kësaj iniciative, ndërsa pritet që t’i bashkëngjitën edhe shumë shqiptarë të tjerë nga të gjitha skajet e Amerikës.

“Në emër të Shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ i falënderojmë donatorët e parë nga Amerika, kurse opinionin e gjerë gjithëshqiptarë e njoftojmë se janari dhe shkurti i vitit 2019 do të jenë muajt e marrjes edhe të aksioneve të tjera nëpër vende të Evropës. Kah mesi i janarit do të fillojmë me dy takime në Zvicër, për të vazhduar aksionet më pas edhe në Gjermani, Kroaci, Francë, Çeki, Itali, Suedi dhe shtete të tjera të Evropës. Mërgata shqiptare gjithmonë ka qenë krahë i djathtë i realizimit të projekteve shqiptare tash e me shumë se një shekull. Urojmë që kjo mërgatë mos të lodhet por të vazhdon që t’i përkrahë këto dy iniciativa për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Dhe për fund ju bëjmë thirrje të gjitha organizimeve shqiptare në diasporë pa dallime krahinore, rajonale apo fetare, të gjitha shoqatave, klubeve dhe biznesmenëve të ndryshëm shqiptarë që me mundësitë që kanë ta përkrahin këtë aksion kombëtar”, thuhet në deklaratën e shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Shoqata thekson se vendosja e një guri në ndërtimin e kështjellës me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tregon qartë se gjeni dhe shpirti shqiptar është i pamposhtur dhe do të jetojë shekuj me radhë në Trojet Arbërore si dhe te diaspora e madhe atdhetare shqiptare.

‘Provokimet e përvjetshme serbe nuk janë “pelegrinazh”, ekstremistët nuk janë “pelegrin딑

Shkruan: Shqiptar Oseku

Pfff, ani kur thonë ”pelegrinët serbë”…

Pelegrin~i/ë: ai/ata që shkojnë në kohë të caktuar rituale në një *vend të shenjtë*, haxhi~u,nj. Pelegrinazh, në fenë muslimane pra haxhillëk.

Kur përdorim termet ”pelegrinë” e ”pelegrinazh”, ”haxhillëk”, për provokimin e përvjetshëm të ekstremistëve serbë në Gjakovë. Ne vetë me gojën tonë quajmë Gjakovën (!) vend të shenjtë të Serbisë. Ja pra sa kafshore e lehtë jemi ne, edhe sot e kësaj dite.

Nuk është e rastit pse shteti serb organizon provokime të përvjetshme pikërisht në Gjakovë. E para e punës, për arsye të revidimit të historisë. Provokimet e rregullta atje janë pjesë e narrativit serb për luftën, ku viktima do shfaqur si kriminel dhe anasjelltas, krimineli — Serbia dhe kontigjenti i serbëve lokalë — si viktimë. Beogradi e di se kur arrin ta revidojë historinë, shemb argumentin madhor, atë moral, për shkëputje të Kosovës nga Serbia.

E dyta, për arsye gjeografike. Komuna e Gjakovës puqet me Tropojë, Nikaj-Mertur, e Bajram Curr. Nëse atje qenka vend i shenjtë për serbët, imagjino ti vetë se c’qenkan enklavat veriore në kufi me Serbinë: viset ku pushtetin de facto ende e ushtron shteti serb.

E treta, për konsum të brendshëm. Projektimi i ndikimit serb me kilometra larg Serbisë, në zemër të kufirit të vjetër ndërshqiptar, konfirmon potencën e cdo qeverie serbe. Ai ringjall aleancën e shtetit me agjentët e nacionalizmit, kishën serbe dhe shoqatat e serbëve kosovarë në Serbi. Si dhe validon në mënyrë rituale koncensusin publik për armikun tradicional, ”barbarët nga jugu”, shqiptarët, gjakovarët… Për ca kohë, shoqëria serbe gjen paqe e kohezion në urrejtje të përbashkët për Tjetrin.

Për këto tri arsye, e sidomos për arsyen e tretë, këto provokime nuk ka gjasë të zhduken vetvetiu. Po nuk i bëmë zap ne, ato biles do të forcohen, sa më shumë që të këndellet shteti serb.

Por këto provokime vdiren, nëse kujtohet tê veprojë shteti i Kosovës. Në radhë të parë, të veprojë me polici kufitare: Kosova duhet t’i ndalë provokimet, e t’i kthejë mbrapsht ekstremistët që në kufi. Skandal për skandal, është më e mencur — biles mund të jetë edhe e vyeshme!— që ky skandal të ndodhë çdo vit në kufi me Serbinë, e jo në zemër të shqiptarisë.

Njëherit, shteti i Kosovês duhet të veprojë juridikisht, duke nisur hetim special të krimeve të luftës në Gjakovë. Hetimi duhet tê përfshijë edhe sjelljen e kishës serbe. Para se tê kthehen mbrapsht nê kufi, ekstremistët duhet të merren në pyetje nga një ushtri hetuesish. Edhe shoferët duhet të intervistohen, e autobusët e kompanisë që transportojnë provokatorët të konfiskohen e të zbërthehen imtësisht.

Nëse hetimet zgjasin (e hetimet për krime lufte janë të ndërlikuara) ka mundësi që ekstremistët serbë të humbin ditë pune, e kompanitë të pësojnë humbje kontratash. Kjo ua ngrit atyre koston e provokimeve, e i orienton gradualisht drejt sjelljesh më konstruktive.

Por para së gjithash, ne duhet të reshtim së foluri shqip gjuhën e Serbisë. Provokimet e përvjetshme serbe nuk janê ”pelegrinazh”. Ekstremistët nuk janê ”pelegrinë”.

Nuk është se Jeshua i Nazaretit lindi në Gjakovë, as se kisha serbe në Gjakovë ishte strehë e mëshirës së Zotit. Ajo ishte strehë e kriminelëve të luftës. Klerikë urrejtës aty bekonin me timjan policët, ushtarët, e kontingjentin e serbëve lokalë të cilët kryenin krime kundra njerëzimit.

Mjaft normalizuat gjuhën e errët të Serbisë! Ekstremistët serbë nuk jane te ndryshem nga ata protestantë që organizojnë çdo qershor provokime në Irlandë. E pra atje të gjitha qeveritë, edhe ajo britanike, i quajnë troc: ekstremistë.

Çfarë ”pelegrinazhi” i mutit. Në Gjakovë nuk vijnë ”pelegrinë” të Krishtit, po ekstremistë serbë. Është koha e fundit që t’i quajmë me emrin e vet të saktë.

“Shqiptarët janë vrarë me njëri – tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë”

“-Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjese e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikes se shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht qe ka qef edhe ta përdorë. Po perse mund te përdoret më mirë pushka?

-Për te vrare njerëz.- tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njeri – tjetrin kur nuk kane pasur me kë të luftojnë.. Ata ne lufte i shtyn instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre. Ne paqe ata trullosen si gjarpri në stinën e dimrit. Vetëm në luft e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe bëjnë dem më shumë seç duhet.”

“Më thanë se sonte në klub ti pyete veçanërisht për të. Siç duket, ke kohë që e kërkon dhe nuk e gjen dot. Po përse ke pyetur dhe e ke kërkuar aq shumë atë kolonel të zi? Mos vallë e ke pasur mikun tënd? Me siguri e ke pasur mik, përderisa e kërkon kaq shumë. Gjithë mbrëmjen nuk lanë njeri pa pyetur në fshat, sepse të gjithë e dinë që ai dergjet në dhé diku këtu rrotull, por asnjerit nuk ia merr mendja ku ndodhet ai. Do ikësh pa e marrë mikun tënd, mikun tënd të zi që më sterrosi jetën. Të ikësh sa më parë, sepse edhe ti je i mallkuar si ai. Tani rri urtë si një qengj dhe të qesh buza tek shikon se si kërcejnë njerëzia, por unë e di se ç’ke në mendje.

Ti mendon se si do të vijë dita që të sulesh në anët tona me ushtri dhe të na djegësh e të na pjekësh e të na vrasësh siç bënë shokët e tu. Nuk duhej të vije në këtë dasmë. Të të dridheshin gjunjët kur të niseshe për këtu. Së paku për hirin tim, të mua plakës së shushatur, të mua gjëmëzezës. Po ç’bëhet kështu? Ti po ngrihesh në valle? Ti guxon të ngrihesh në valle? Po vë buzën në gaz! Po ngrihesh! Dhe njerëzit të pranojnë! Daleni! Ç’bëni kështu! Kjo është e tepërt! Gjynah nga zoti!”

|Gjenerali i ushtrisë së vdekur-Ismail Kadare|/ filozofia.al

99 vjetori i lindjes së aktorit të madh Sandër Prosi

Sot 99 vite më parë, më 6 janar 1920 u lind në Shkodër, Sandër Prosi, ndër personalitetet më të rëndësishme të artit skenik shqiptar.

Rolet e tij janë gravura e qëndisur me fije shpirti.

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali s’mund të përsëriten më, por ne jemi të pasur pasi Sandër Prosi na i ka skalitur në dublat e filmave këto figura.

Kinematografia shqiptare pa shumësinë e personazheve të Prosit, pa lojën e tij do të kishte mangët një nga gurët e mozaikut të saj përfaqësues.

Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël, sepse kumbimi i atij timbri do të betet një melodi adhurimi.

Ekspozita e Florie Lule Bajraktari në fokusin e mediave suedeze

Artistja e njohur shqiptare nga Kosova që jeton dhe vepron në Ljungbyt të Suedisë ka pasur të hapur ekspozitën e saj artistike në Ljungby Arena nga fundi i muajit të kaluar e deri në javën e parë të këtij muaji.

Kjo ekspozitë ka bërë bujë në mediat e atij rrethi ku jeton dhe më gjerë, jo vetëm për faktin se pikturat kishin vlera të larta artistike, por edhe se njëkohësisht mesazhi i tyre sensibilizonte të drejtat e grave, shkruan DritarjaOnline.

Piktorja Bajraktari thotë se ekspozita është përpiluar nga Shoqata Artistike e Ljungbyt në bashkëpunim me Drejtorinë e kulturës dhe veprimtarive të kohës së lirë, Komuna e Ljungbyt.

Florie Lule Bajraktari nëpërmes të këtyre pikturave nudo ka paraqitur realitetin aktual të të drejtave të grave, duke dhënë mesazhe të forta në mbrojtjen e të drejtave të tyre, ku në thelb të secilës pikturë ka paraqitur imazhe të qarta të identitetit të saj të atdhedashurisë. /DritarjaOnline/

Shqiptarja, berberja më e mirë për meshkuj në Zvicër

Në qytetin Sion të Zvicrës, biznes familjar zhvillon çifti bashkëshortor Saliu nga Prilepi i Maqedonisë. Demirali Saliu dhe bashkëshortja e tij Jesma kanë një sallon për prerjen e flokëve, karakteristik për shumëçka, shkruan Lajm.tv.

Bashkëshortja Jesma Saliu është ndoshta femra e vetme shqiptare berbere për meshkuj. Por jo vetëm kaq. Ajo është ndër berberet më të mira në Zvicër, kurse ka fituar në shumë gara edhe në Evropë.

Lajm.tv ka zhvilluar një vizitë te ta, ku kemi konstatuar se zanatin e berberit Jesma nuk e ka vetëm profesion, por edhe pasion. Gjatë tërë kohës që punon është e disponuar dhe e buzëqeshur.

“Këtë zanat e kam marrë nga babai të cilin e kam berber. Mua më ka pëlqyer ky zanat dhe kam filluar të punoj te babai. Ka 15 vite që e punoj këtë zanat.Unë jam nga Maqedonia, më saktë nga Zhitosha e Prilepit”, tha për Lajm.tv, berberja Jesma Saliu.

Si është dashuruar Jesma te ky këtë profesion që nuk është karakteristik për femra, e aq më pak për femrat shqiptare? në intervistën e saj për Lajm.Tv rrëfen se zanatin e berberit e ka trashëguar nga babai i saj, i cili ka qenë berberi i parë në Sion.

Edhe pse babai ka qenë kundër që bija e tij të trashëgojë këtë zanat, Jesma ka qenë këmbëngulëse. Pas pensionimit të babait, ajo me bashkëshortin e menaxhon biznesin.



6 janari, ditëlindja e Fan Stilian Nolit

6 janari shënon ditën kur lindi Theofan Stilian Noli, në vitin 1882.

Diplomat, shkrimtar, politikan, përkthyes, dikur edhe kryeministër i Shqipërisë, Fan Noli lindi në İbriktepe të Turqisë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe evropianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. / KultPlus.com

Protestuesit gjakovarë: Jemi kundër kriminelëve që nën petkun e pelegrinëve vijnë në Gjakovë

Qytetarë të shumtë të Gjakovës janë duke protestuar sot në qytetin e tyre, siç kanë thënë ata “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”.

Protestuesi Kasim Qerkezi tha se ka humbur 5 familjarë, e ndër ta edhe djalin e tij 18 vjeç.

“Nuk jemi kundër festës, çdo vit do të protestojmë për familjarët tanë ende të pagjetur”.

Ai tha se 4 prej familjareve që i janë vrarë ende nuk janë gjetur.

Sebahate Doli, tha se do protestojnë “sepse na kanë bërë shkrumb e hi”.

Qytetarët e Gjakovës të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, janë duke protestuar sot në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për protestë nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës./ Kallxo.com

Llogoraja mbulohet nga dëbora, e vizitojnë qindra qytetarë

Llogoraja është shndërruar në një destinacion turistik prej kohësh, ndërsa në këto ditë të ftohta dimri, për dëborën që e ka mbuluar.

Qytetarë të ndryshëm nga Vlora, por edhe qytete të tjera shqiptare, kanë shfrytëzuar këtë fundjavë, për të qenë pranë detit, malit dhe dëborës në të njëjtën kohë.

“Nuk ka rënë asnjë herë dëborë kaq e madhe në Llogora. Ka zbardhur të gjithë vendin. Më erdhën kalamajtë për Krishtlindje dhe Vitin e ri dhe sot kemi ardhur këtu, vetëm për dëborën”, shprehet një qytetare.

“Jemi nga Vlora dhe vijmë shpesh këtu. Në fakt nuk e kemi parë asnjëherë këtë trashësi dëbore në Llogora”, shprehet një tjetër qytetare.

Rruga për në Llogora është e hapur tërësisht dhe e kalueshme edhe pa zinxhirë, ndërsa moti i ftohtë pritet të mbajë dëborën të pashkrirë edhe për disa ditë të tjera.

Nis protesta në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë

Qytetarët e Gjakovës kanë nisur protestën qysh në orën 08:00 të mëngjesit, në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për këtë protestë të sotme, nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës.

Kjo ishte paraprakisht thirrja për protestë:

Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta. Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare. Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen ditën e diel, me datën 6 janar, tek rruga “Mbretëresha Teutë,” nga ora 8:00 në mëngjes. Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë. Gjakova NUK harron!Gjakova kërkon drejtësi!/ koha.net

Bregdeti i Jugut nën petkun e dëborës

Temperaturat e ulta të fillimit të janarit kanë sjellë surpriza të cilat nuk janë parë ndoshta prej një shekulli në bregdet.

Dëbora ka mbështjellë me petkun e saj vendet e mahnitshme bregdetare jugore si Piqeras,  Lukovë, Vuno dhe Dhërmi të cilat duken si vende sureale nën bardhësinë e dëborës.

Këto destinacione turistike verore tashmë në stinën e dimrit janë akoma më atraktive për vizitorët pasi është një fenomen i rrallë në vendin tonë që zonat bregdetare jugore të zbardhen nga dëbora, shkruan ata.

Peizazhi në këto destinacione turistike tashmë është një atraksion i mahnitshëm për t’u eksploruar pasi bardhësia e dëborës e ndërthurur me ujrat e kristalta dhe guralecët e bardhë të krijon një panoramë unike dhe të papërsëritshme.

Stina e dimrit në këto vende zbutet duke u ndërthurur me bukuritë dhe bregdetin i cili në bardhësinë e dëborës duket i mrekullueshëm dhe i veçantë. 

Kushtuar ty…

Nga Eugena Gjoka.

Ti më dhe një zhgënjim,
Unë do të të jap një kryevepër,
Nëse guxove të më vësh si çmim
vuajtjen,
Unë si mundesi të lë ty përpjekjen.

Dhimbjen që kam do e hedh në fjalë,
Të gjithë trishtimimin në fjali,
Mbase do të të krijoj një strofë,
Me pak mund ndoshta do të kushtoj një
poezi.

S’të mbetet vend nga të endesh,
Mes shkronjash do të të shuaj,
Ditëzi , mendoj se je fatlum,
Si askush tjetër do jesh I përshkruar!

Kur një ditë rastësisht mbi timen poezi
do ndalesh,
Emocionet zemren do lëkundin,
Në kujtime të hershme do përplasesh,
Do kërkosh mes përfeksionit të gërmave
të mia rrugën.

Poetët janë ata që vuajnë më pate
thënë njëherë,
Tani këtë ndjenjë po mundohem të zgjoj
në ty,
Po pres të shkruash dicka të bukur,
Diçka të ndjerë, që kur ta lexoj të më
kujtohesh pikërisht ti!/filozofia.al/ KultPlus.com

Sondazhi i fundit i Gallup: 46 % e të rinjve duan të ikin nga Kosova

Sondazhi i fundit i Gallup, i cili është kryer në 152 shtete të botës, ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e katërt, si shteti me 60 për qind të popullatës (rinisë) që duan të largohen nga vendi, e ndjekur nga Kosova me 46 %. Sondazhi është kryer në mes të viteve 2015 dhe 2017.

Vendet me dëshirë pak më të lartë për të migruar janë Haiti (63%), Liberia (66%) dhe Sierra Leone (71%). Kur Gallup kreu studimin, Sierra Leone dhe Liberia ishin në mes të shpërthimit të Ebola.

Ndërkaq, Siria e shkatërruar nga lufta renditet në vendin e 12 (46%), e ndjekur nga Kosova (46%).

Sipas Gallup, mesatarja mbarëbotërore e njerëzve që duan të emigrojnë vlerësohet në 15%, pak më e lartë se mesatarja mes viteve 2013 dhe 2016.
Dëshira e shqiptarëve për të migruar është katër herë më e lartë se mesatarja botërore, transmeton Telegrafi.

Sipas analizës, Shqipëria duket të jetë ndër vendet që vuajnë nga luftërat, konfliktet, uria dhe fatkeqësitë e tjera.

Sondazhe të ngjashme kanë treguar dëshirën gjithnjë e më të lartë për shqiptarët në vitet e fundit për të braktisur vendin e tyre.

Përkundër që këto  analiza janë të dobishme për politikën shqiptare, që të marrë hapa konkret, Qeveria nuk ka treguar ndonjë plan për të luftuar trendin dhe nivelet e jashtëzakonshme të pakënaqësisë së njerëzve me situatën e vendit të tyre.

Ku qëndron Kosova?

Sondazhi i njëjtë i Gallup e vë Kosovën dhe Shqipërinë në krye të indeksit të “nxjerrjes së trurit” në Europë, i cili mat nivelin e të rinjve, të arsimuar shumë, të cilët dëshirojnë të largohen nga vendi pa plan të kthehen.

Sipas sondazhit, në Kosovë, 42% e të rriturve të arsimuar të lartë dhe në Shqipëri 32% e tyre do të largoheshin përgjithmonë nga vendet e tyre.

Kosova është gjithashtu e treta në botë sipas indeksit të ikjes së të arsimuarve, pas Sierra Leone (78%) dhe Sirisë (44%)./ gazetaexpress.com/ KultPlus.com

Çfarë është lumturia?

Lumturia, sipas Paulo Coelho-s.

“Çfarë është lumturia?”. Kjo pyetje nuk më ka munduar prej kohësh, pikërisht sepse nuk di se si t’i përgjigjem. Disa njerëz duken të lumtur, thjesht sepse nuk mendojnë për lumturinë. Disa të tjerë bëjnë plane: “Do të martohem, do të bëhem me shtëpi, do të bëj dy fëmijë etj”. Për aq kohë sa mendime të tilla fluturojnë në mendjen e tyre, ata nuk mendojnë thellë, por thjesht ecin përpara në jetë. Ata punojnë për të blerë diçka të shtrenjtë, ndoshta dhe një makinë “Ferrari” dhe mendojnë se kuptimi i jetës qëndron pikërisht atje. Për ta, lumturia ka kuptimin e blerjes së diçkaje të shtrenjtë, por sërish, në sytë e tyre ka një trishtim, për të cilin as ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm.

Unë nuk e di, nëse të gjithë janë të trishtuar. Ajo që di, është se njerëzit janë gjithmonë të zënë duke punuar me orare të zgjatura, duke u kujdesur për fëmijët, për bashkëshortin/en, duke u marrë me karrierën, me shkollën, me atë çfarë do të bëjnë të nesërmen, me ato çfarë do të blejnë nesër, apo me çdo gjë tjetër që nuk do t’i bëjë të duken inferiorë ndaj të tjerëve.

Disa njerëz më kanë thënë: “Jam i/e trishtuar”.

Shumë të tjerë më kanë thënë: “Jam mirë, kam arritur të siguroj çdo gjë që dëshiroja në jetë”.

Dhe unë i pyes: “Çfarë të bën ty të lumtur?”

Ata përgjigjen: “Unë kam gjithçka që çdokush ëndërron të ketë: një familje, një shtëpi, një punë dhe shëndet të mirë”.

Pastaj unë këmbëngul: “Kështu që kuptimi i jetës është puna, familja, fëmijët që do të rriten dhe do të largohen prej teje, një bashkëshort/e që do të bëhet me kalimin e kohës një mik/mikeshë për ty. Dhe një ditë do të heqësh dorë edhe nga puna. Çfarë do të bësh kur të ndodhë diçka e tillë?”.

Ata nuk përgjigjen, por ndërrojnë temë… / bota.al/ KultPlus.com