Prelvukaj: Ti që zgjedh për konsum një produkt serb, të rrënohet çdo e drejtë për të manifestuar atdhedashurinë

Në vazhdimësi bëhet thirrje për bojkotimin e produkteve serbe dhe mbështetjen e produkteve vendore.

Bojkotimi i produkteve serbe është mënyra më e mirë se si shqiptarët mund ta parqesin anën e tyre patriotike.

Një thirrje të tillë për vetëdijesim e ka bërë edhe artisti Genc Prelvukaj i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e konsideron një njeri të ligë, shqiptarin që zgjedh të konsumoj një produkt serb.

Tutje Prelvukaj konsideron që një shqiptari i cili konsumon produkte serbe, i rrënohet çdo e drejtë për të manifestuar atdhedashurinë në gjëra të tjera.

Ky është postimi i plotë i Genc Prelvukaj:

Nuk e di sa njeri i ligë duhet të jesh, sa shqiptar i dobët dhe sa mungese patriotizmi duhet të kesh, kur para çdo lloj produkti kroat, gjerman, italian, anglez apo vendor, ti zgjedh për konsum një produkt serb.

Këtu të rrënohet çdo e drejtë për të manifestuar atdhedashurinë në gjëra tjera. Për çfarë arsye feston 28 Nentor e 17 Shkurt, pozon me shqiponjë në gjoks, viziton Krujë e Prekaz, apo vishesh kuq e zi në ndeshje, kur në nderim të atyre që ranë, u burgosën, helmuan, përndjekën dhe pushkatuan ti nuk bën një sakrificë aq minore, bojkotin ?

Dhe mos u ndikoni nga ata analistë apo portale që ju thonë se iniciativa të tilla nuk janë të dobishme, sepse lehtësisht mund të jenë importuesit e mallrave serbe sponzorët e bizneseve të tyre. Në fund të fundit edhe nëse dëmi kundrejt ekonomisë serbe përkthehet vetëm në 1%, e mira jonë është diku tjetër: tregojmë se kemi dinjitet dhe respekt për vetën. / KultPlus.com

Minatori, Mc Kresha e Lyricali, publikohet line-upi i plotë për BeerFest 22′

Për tre net radhazi, festivali BeerFest Kosova ka bërë bashkë një numër të madh artistësh, për të performuar nga afër në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.

Ditën e premte, më 19 gusht, kur edhe fillon nata e parë e festivalit do të përformojnë: Melinda Ademi, Lorè, David Dreshaj, Andi, Dj Angler, Dj Kronz dhe Nonejm.

Nata e dytë do të vazhdoj me përformancë të: Mc Kresha & Lyrical Son, Genc Prevlukaj, Blasta, Granit, Yon Idy, Jon Bela & The Moonage, Dj Biggby dhe Master of Mind.

Beerfest 22’ natën e tretë do ta ketë: Minatorin, Xuxin, Dj Caboo, Telikput, Solar Flare, Auron Deva dhe Redknot. /KultPlus.com

Posteri Total

“Ne ishim shqiptarë edhe atëherë kur plumbi të rrëmbente djalin e lumenjtë kullonin gjak”

Genc Prelvukaj është një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare.

Në këtë 28 Nëntor, jo të zakonshëm për shqiptarët ai ka krijuar disa vargje që emocionojnë dhe drithërojnë:

Ne ishim shqiptarë edhe atëherë

Kur të vetmin aleat kishim malet
Dhe këmisha na skuqej nga gjaku

Kur zia e bukës merrte jetë
E nga shtatë vëllëzër plakej një

Kur vdekja sillej përqark shtēpisë
Derisa shtëpitë griheshin nga zjarri

Kur foshnja rritej me vaj të nanës
E burrat lexonin mort në shpatull

Kur na helmonin krojet e kripën
Ditën që dasmorët vriteshin në pritë

Kur plumbi të rrëmbente djalin
E lumenjtë kullonin gjak
Kur shqiptar ishte vështirë të jesh. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj dhe Granit Ismajli publikojnë këngën ‘Maskë’ (VIDEO)

Genc Prelvukaj dhe Granit Ismajli për herë të dytë sjellin edhe një bashkëpunim. ‘Maskë’ është kënga e radhës e dy artistëve, e cila njëherit është edhe kënga e tetë e albumit Gentvis II të Prelvukajt, shkruan KultPlus.

‘Nder dhe kënaqësi me kanë musafir në albumin e Genc Prelvukaj’, ka theksuar Ismajli në publikimin e këngës në rrjetin social facebook.

Kënga është pëlqyer nga adhuruesit e të dy artistëve dhe u komentua shumë në rrjete sociale.

Bashkangjitur gjeni videon e këngës. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj sjell këngën “Hajde ti kthejmë”, shpalos një histori dashurie (VIDEO)

“Gentvs II” është albumi që këngëtari Genc Prelvukaj po e shpalos kohëve të fundit, shkruan KultPlus.

Vetëm një javë pas publikimit të këngës “Ditë e natë”, Prelvukaj sot ka sjell këngën “Hajde ti kthejmë” duke i shpalosur kështu publikut një histori dashurie.

Me tekst dhe muzikë të Prelvukajt, kënga vjen e shoqëruar me video ku na shfaqen pamje të një çifti në kohë të mira.

Për të dëgjuar këtë projekt të radhës të këngëtarit, po ju sjellim videon më poshtë. Përveç në YouTube, këngën e gjeni edhe në çdo platformë tjetër online. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj publikon këngën ‘Atje’ (VIDEO)

Genc Prelvukaj është një prej artistëve që vazhdon fuqishëm të jetë aktiv në skenën muzikore duke sjell kështu këngë të njëpasnjëshme për publikun. Këtë e dëshmon edhe projekti i tij më i ri i cili sapo është lansuar, shkruan KultPlus.

‘Atje’ mban titullin prodhimtaria muzikore, për instrumentalin e së cilës është përkujdesur Prelvukaj.

Kjo këngë është pjesë edhe e albumit të tij, Gentivs II, ndërsa po pëlqehet që në minutat e parë./ KultPlus.com

Prelvukaj: Ndërkohë që vendi shkatërrohet, ne vazhdojmë të votojmë për hatër

Nga Genc Prelvukaj

Situata pandemike na zbuloi dobësitë e shtetit, mungesën e kuadrit mjekësor, hapësirave për hospitalizim dhe varfërinë në ide për menaxhim të krizës.

Mungesa e reshjeve na krijon probleme me ujë. Një vit i thatë na spjegon qartë pasivitetin e mekanizmave shtetërorë te cilat as që e kanë pasur në rend dite ndonjëherë ndërtimin e një sistemi alternativ për furnizim.

Reshjet e medha tregojnë defektet në planifikim hapësinor, në çështjet e ndërtimit, në organizimin e ujêrave të zeza, mospunën mbi shtretërit e lumenjëve dhe cilësinë e dobët të punimeve rrugore.

Ndërkohë që vendi shkatërrohet, ne vazhdojmë të votojmë për hatër./ KultPlus.com

Genc Prelvukaj sjell “Apokalipsa”: Është hera e parë gjatë karrierës që shkruaj një temë si kjo

Albumi “Gentivs II” i këngëtarit Genc Prelvukaj po shpalos me radhë këngët e tj përbërëse, shkruan KultPlus.

“Apokalipsa” është projekti i radhës që Genci e ka sjell për publikun.

Një këngë krejt e veçantë, me një tekst të fuqishëm dhe shoqëruar me pamje rrëqethëse e përgatitur në Black Fish Entertainment.

“Premierë Apokalipsa. Është hera e parë gjatë karrierës që shkruaj një temë si kjo. Ju ftoj ta dëgjoni deri në fund. Kjo këngë po ashtu është pjesë e albumit ‘Gentivs II’. E keni në YouTube”, ka shkruar Genci teksa ka shpërndarë këngën e ndjekësit e tij në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj: Liria mban vetëm emrin e popullit që nuk u nënshtrua kurrë

Ish këshilltari politik dhe këngëtari i njohur Genc Prelvukaj ka reaguar nëpërmjet një statusi për fushatën aktuale ‘’Liria ka emër’’, duke shprehur se kush mban emrin e lirisë sipas tij, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një shkrimit të gjatë, të nisur me ‘’Liria ka shumë emra’’, ai ka renditur përpjekjet shumëvjeçare të popullit shqiptar si rezistencë kombëtare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet, personalitetet, demonstratat studentore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë disa ngjarjet të cilat sipas tij mbajnë emrin e lirisë.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Prelvukajt:

Liria ka shumë emra

Liria mban emrin e atyre shqiptarëve ortodoksë e katolikë të cilët i mbijetuan tjetërsimit etnik gjatë njëmijë e pesqind viteve pushtim.

Liria mban emrin e atyre shqiptarëve të besimit islam që u rreshtuan në linjën e forcimit të ndjenjës kombëtare, mbrojtjes së identitetit dhe luftës për çlirim.

Liria mban emrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që edukoi kombëtarisht masa të gjëra popullore

Liria mban emrin e kryengritësve të 1910-tës, të Kaçanikut e Carralevës të cilët përmes luftës dhanë shembullin më të mirë se si duhet liria.

Liria mban emrin e Hasan Prishtinës dhe Komitetit shqiptar të Kosovës të cilët vepruan, ranë dhe u burgosen për çlirim të vendit.

Liria mban emrin e të gjithe të burgosurve, të vrarëve, të helmuarve, të plagosurve e të dëbuarve përgjatë sundimit të mbretërisë Jugosllave.

Liria mban emrin e Ballit Kombetar dhe Nacional Demokratikes Shqiptare.

Liria mban emrin e masakrës sëTivarit, masakrës së Previsë, mundimeve të Goli Otokut.

Liria mban emrin e demonstruesve të 1968-tës, dhe personaliteteve që shtynë hapjen e Universitetit të Prishtinës.

Liria mban emrin e demonstruesve të 1981-tës, 1989-tës, Grevës së Minatoreve, fëmijëve të helmuar, të larguarve nga puna dhe atyre që në çdo formë bojkotuan pushtetin serb

Liria mban emrin e atyre që falen gjaqet, Anton Çettës, profesorëve që punuan pa kompensim në shkollimin paralel.

Liria mban emrin e organizatave ilegale sikurse Lpk-ja, Lkçk-ja, mban emrin e Isuf Gervallës, Enver Hadrit dhe Kadri Zekës

Liria mban emrin e Ibrahim Rugovës me shokë dhe levizjes së tyre për afirmimin e çështjes së Kosovës në botë.

Liria mban emrin e diaspores shqiptare që loboi, financoi dhe ndihmoi rezistencen brenda vendit.

Liria mban emrin e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, Jasharajve, betejës së Kosharës, Junikut, Rahovecit, Llapushnikut, Pashtrikut, Llaushës e Llapashticës.

Liria mban emrin e Izbicës, Reçakut, Lybeniqit, Mejës, Krushës, të vrarëve e të zhdukurve

Kështu që :

Liria e Kosovës ndërlidhet me rezistencën e shkëlqyer të shqiptarëve gjatë shumë e shumë shekujve. Ndërlidhja e saj vetëm me disa individë përben synim politik dhe kësisoji është nëpërkëmbje e sakrificave të shumë brezave para nesh.

Liria mban vetëm emrin e popullit, një populli që nuk u nënshtrua kurrë. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj kurorëzon ditët e vjeshtës me baladën “Mungon” (VIDEO)

Genc Prelvukaj është një prej artistëve që vazhdon fuqishëm të jetë aktiv në skenën muzikore duke sjell kështu këngë të njëpasnjëshme për publikun. Këtë e dëshmon edhe projekti i tij më i ri i cili sapo është lansuar, duke u shënuar kështu si kënga e pestë me radhë që Prelvukaj sjell për vitin 2020, shkruan KultPlus.

“Mungon” është balada më e re e artistit, që kurorëzon në mënyrën më të mirë këto ditë vjeshte.

Me një piano të bardhë skaj valëve të detit, Prelvukaj i këndon një dashurie të humbur e cila është kthyer në dhimbje.

Videoklipi i këngës është realizuar nga “Black Fish” , ndërsa kënga është realizuar nga vetë artisti.

Kujtojmë që Genci është duke shpalosur dalëngadalë albumin e tij “Gentivs II” pjesë e secilit është edhe kjo këngë.  / KultPlus.com

“Nëse duam ta gjykojmë vërtetë aktin terrorist të këtij shqiptari, atëherë duhet të merremi me thelbin e problemit”

Nga Genc Prelvukaj

Gjatë njëzet viteve të fundit kemi parë se si janë indoktrinuar një pjesë e të rinjëve nga shtresa e re e klerikëve të shkolluar në lindje. Radikalizmi i predikimeve të tyre ka dërguar një numër të madh shqiptarësh në lufta të huaja. Padyshim se asnjë nga ta nuk është bindur për ta marrë këtë veprim nga fakulteti, prindërit apo nga qëndrimi në bibliotekë.

Një klerik nga Maqedonia në predikimet e tij para masës kishte vlerësuar lartë figurën e O.B.Laden duke fyer njëkohësisht flamurin shqiptar. Një tjetër në Kosovë kishte fyer Nenë Terezën dhe Skënderbeun. Njerëz të helmuar nga ta kishin thyer edhe bustin e Shtjefën Gjeçovit. Ishin thyer edhe varrezat popullore në shumë qytete shqiptare dhe ky veprim nuk kishte ardhur vetvetiu.

Në të njëjtën kohë, një klerik i dyshimtë nga Prizreni kishte ligjëruar pa turp se shqiptarët nuk kishin banuar në Kosovë para ardhjes së osmanëve. Pothuajse të gjithë synonin shtrembërimin dhe distancimin e shqiptarëve nga vlerat perëndimore dhe ndërlidhjen e tyre me banalitetet lindore.

Predikues radikalë kanë instaluar edhe kulturën e mosdurimit fetar tek disa njerëz. Kjo shihet në komente publike ku njerëz të lajthitur nga ta kishin arsyetuar dhunën, vrasjet dhe aktet terroriste të njerëzve fe deklaruar si myslimanë nëpër botë.

Është fare e qartë. Kur kjo shtresë ka sulmuar interesat dhe historinë shqiptare padyshim që sulmojnë edhe shtetet tjera evropiane. Hipokrizia më e madhe e tutorëve të tyre është se pas rasteve të tilla dalin me deklarata sipërfaqësore gjoja në dënim të këtyre rasteve dhe qysh të nesërmen vazhdojnë me kurs të njëllojtë të ligjërimit.

Jemi shumë me fat se kjo shtresë nuk ka ardhur në vend para çlirimit. Shqiptarët e Kosovës do të zhdukeshin nga faqja e dheut nëse një koncept i tillë do të shpërndahej në vitet e nëntëdhjeta.

Shtetet shqiptare dhe shoqëria duhet ta godasë problemin në kokë. Përderisa ligjërues të tillë vazhdojnë punën e tyre lirisht, raste si akti terrorist në Vjenë, ose edhe ai i A.Ukës që kishte vrarë ushtarë amerikanë në Gjermani apo si L.Muhaxheri do të ketë edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Prelvukaj: Privatizimi ka normë, toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar

Ish kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha deklaroi para pak ditësh se pesëdhjetë hektarë tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP). Sipas analistëve, kjo tregon qartë se procesi i privatizimit në Kosovë, ka qenë një ndër proceset më të kriminalizuara.

E si duket, pikërisht për këtë çështje ka reaguar edhe Genc Prelvukaj. Sipas tij toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar sepse blerja ka një çmim dhe rregull.

“Privatizimi ka normë. Toka është rrëmbyer dhe kontrabanduar. Nuk është blerë sepse blerja ka një çmim dhe një rregull. Ajo është vjedhur nga njerëz të cilët janë aq hipokritë sa që vazhdojnë të bluajnë për patriotizmin dhe disa prej tyre edhe mbi vlerat e luftës.

Për fat të keq, kjo është vetëm një kartë e hapur. Mund të imagjinohet çfarë kanë bërë njerëz të këtij soji me fabrikat, ndërmarrjet dhe çdo pasuri tjetër shtetërore. Për ta kurorëzuar idiotësinë e tyre vazhdojnë të kërkojnë votë në premtim të zhvillimit të vendit”, shkruan Prelvukaj.

 Tutje ai kritikon edhe shoqërinë e organet e drejtësisë që nuk po ndërmarrin asgjë në këtë aspekt.

“Për një gjë duhet tua japim dorën : na kanë studiuar mirë. Janë të vetëdijshëm që ne përveç ndonjë statusi në rrjetet sociale nuk lëvizim më shumë. Kështu pleqërojnë të qetë së bashku me hajdutërinë e tyre.

Ne vazhdojmë të mbajmë kokën ulur. Ndërsa organet e drejtësisë që supozohet ti fillonin hetimet mbi këtë çështje janë në gjumë. Dyshoj që janë të qelbur vetë dhe hisenikë në këtë proces. Nuk ka arsye tjetër për mosveprim.” / KultPlus.com

“Disa shqiptarë analfabetë marrin guxim të kontestojnë shkencën botërore, duke thënë që virusi nuk ekziston”

Virusi Covid-19 ka përfshirë gjithë botën e rastet me fatalitet janë të shumta. Por ka njerëz që nuk e besojnë ekzistencën e virusit, shkruan KultPlus.

Në vendin tonë, numri i atyre që nuk e besojnë ekzistencën e virusit nuk është i pakët, e si rezultat i kësaj vërehet shtimi i rasteve të të infektuarve. Vetëm ditën e djeshme, në Republikën e Kosovën kanë rezultuar 276 raste pozitive me Covid-19 e që numri total për momentin ka arritur në 7413 raste, ndërsa raste aktive janë 3201 dhe 185 vdekje.

Fytyrat publike të vendit tonë janë angazhuar që të ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje nga virusi, por ka edhe nga ata që e kanë bërë të kundërtën duke u shprehur që “virusi nuk ekziston”.

Sot, përmes rrjetit të tij social Facebook, ka reaguar edhe këngëtari Genc Prelvukaj i cili shprehet i befasuar se si ka njerëz që marrin guximin të kontestojnë të gjithë shkencën botërore duke thënë se virusi nuk ekziston.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Shqiptaret me dy shtete te dobeta , me ekonomi per faqe te zeze, deri para 70 viteve 99% analfabete, me sistem arsimor te tmerrshem dhe me deficit shkencetaresh, deri vone fanatike e radikale, marrin guximin te kontestojne te gjithe shkencen boterore duke thene qe virusi nuk ekziston. Idiotesia e tyre shkon deri aty saqe me diploma te dyshimta ose pa to, te edukuar keq por me vetebesim deri ne mangesi mendore, kujtojne qe kane zberthyer komplote e konspiracione globale. / KultPlus.com

Propozimi i Gencit: Do ta paguajmë taksën e rrugës, por paratë dërgoni për rindërtim të shtëpive të shkatërruara

Genc Prelvukaj ka një thirrje për qeverinë e Shqipërisë së i përket taksës së Rrugës së Kombit që kosovarët duhet ta paguajnë për të hyrë në shtetin shqiptar.

Gjatë këtyre dy ditëve është diskutuar me të madhe problemi për pagesën e taksës së ‘Rrugës së Kombit’, që Shqipëria ia ka vënë Kosovës për t’i dhënë të drejtën për të hyrë në shtetin shqiptar.

E me rastin e tërmeteve dhe ndihmës së madhe që njerëzit nga Kosova po dërgojë në Shqipëri, shumë banorë, si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, po mendojnë se është e padrejtë që ata të paguajnë edhe këto ditë kur po shkojnë për qëllime humanitare.

Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk pajtohet që kjo taksë të hiqet.

Producenti Genc Prelvukaj ka bërë një status në lidhje me këtë, duke dhënë një ide që po përkrahet nga shumë njerëz.

Prelvukaj në statusin e tij thotë: “Nje thirrje per shtetin shqiptar“:

“Taksen e Rruges se Kombit, qe e paguajne qytetaret e Republikes se Shqiperise dhe Shqiptaret e Kosoves, nese nuk e largoni teresisht, atehere te pakten kalojeni ne nje fond per rindertimin e shtepive te shkaterruara. Jo vetem nje dite e nje jave por deri ne rindertimin e plote. Jo nje pjese nga pagesa por teresisht. Ne mundemi me ndonje grope ne rruge, mundemi edhe neper tunel pa drita, mundemi edhe me nje korsi, sepse kemi udhetuar me qindra here edhe nga rruga e vjeter permes bjeshkeve nga Fushe Arrezi dhe sna ka gjetur gje, por njerezit nuk munden pa kulm mbi koke. Express/ KultPlus.com

Njerezit nuk munden nen rrenoja.

Plus dimri eshte ne prag.

Genc Prelvukaj e Aurela Gaçe publikojnë “Adrenalinë” (VIDEO)

Genc Prelvukaj dhe Aurela Gaçe kanë bashkuar forcat për të sjell një hit veror me titull “Adrenalinë”, shkruan KultPlus.

Kënga është realizuar nga vetë Prelvukaj i cili gjithashtu është përkujdesur edhe për tekstin e këngës.

Ajo është incizuar në “Black Fish Studios & United Records”. Ndërsa videoklipin e ka realizuar “Black Fish Entertainment”.

Kënga ka marrë kritika të mira menjëherë pas lansimit dhe pritet të jetë një hit veror. Përndryshe të dy artistët ndara tashmë kanë rezervuar data të shumta për koncerte verore në vende të ndryshme edhe jashtë Kosovës ku do të keni rastin t’i përcjellni e t’i dëgjoni këngët e tyre me performanca të shkëlqyera gjë për të cilën edhe njihen të dy artistët në fjalë. / KultPlus.com

Genc Prelvukaj zgjedhet drejtor i Shoqatës për të Drejtat e Autorit

Artisti i njohur Genc Prelvukaj, përpos angazhimit të tij në muzikë ku po vazhdon suksesshëm me prurjet e reja, ai tashmë është ngarkuar edhe më një detyrë të re të cilën e ka marrë me shumë përkushtim, shkruan KultPlus.

Genc Prelvukaj është emëruar drejtor i shoqatës APIK.

APIK është shoqatë për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën e muzikës. Kjo shoqatë përfaqëson autorët, prodhuesit , interpretuesit e Kosovës.

APIK është licencuar nga Zyra për të Drejtat e Autorit  në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Për këtë post të ri të Prelvukajt, ka njoftuar ish- drejtori i kësaj shoqate, Florent Boshnajku, i cili i ka dëshiruar suksese Gencit.

“Sot me vendim unanim nga bordi i shoqatës APIK është zgjedhur udhëheqësi i ri i shoqatës, Z.Genc Prelvukaj. I urojme shume suksese ne vazhdimin e rrugës për mbrojtjen e drejtës se autorit ne vendin tone”, ka shkruar në Facebook, kompozitori Florent Boshnjaku.

Ndërsa vetë Prelvukaj është shprehur se me nderin e drejtimit të saj, vjen edhe një rrugë e mundimshme, e gjatë, plot stres dhe shumë lodhje. Por ai beson fuqishëm që me mbështetjen e secilit përbrenda komunitetit artistik, gjërat mund t’i shtyjnë edhe më tej në aspektin pozitiv.

Postimi i plotë i Gencit:

Te nderuar autorë, prodhues dhe interpretë

“Para pak ditesh bordi i Shoqates per menaxhim kolektiv të së drejtës së autorit : APIK, më ka besuar detyrën e pozitës së parë në ekzekutiv. Me pajtueshmëri të plotë të tyre, jam zgjedhur drejtor i shoqatës së vetme në vend që vihet në shërbim të autorëve, prodhuesve dhe interpreteve, e njohur dhe e licensuar nga organet shtetërore. Paralelisht me nderin e drejtimit të saj, vjen edhe një rruge e mundimshme, e gjatë, plot stres dhe shumë lodhje. Megjithatë duke besuar në mbështetjën e secilit përbrenda komunitetit artistik, gjërat mund ti shtyjmë edhe më tej në aspektin pozitiv.
Shoqata “APIK” është drejtuar në kohën e saj më të vështirë, nga themelimi dhe deri sot, përreth shtatë viteve nga Florent Boshnjaku, puntor i madh dhe njeri i mirë me shumë vullnet, për ti dhënë kësaj cështje drejtimin e duhur. Është bërë shumë pavarësisht pengesave, problemeve, diskutimeve të shumta me cdo organ shtetëror apo subjekt juridik shfrytëzues i punës së autorëve, interpretëve dhe producentëve, punë e mbrojtur sipas ligjit në fuqi.
Antarët e rregjistruar në “APIK” e kanë pasur gjithnjë parasysh rrugën e gjatë dhe të vështirë deri në realizimin e plotë synimeve mbi bazën e të cilës është themeluar shoqata. Në fazën ku ndodhet “APIK” tani, na pret një punë e vështirë, me shumë ngarkesë duke filluar me zgjerimin e ekzekutivit deri te fillimi i mbledhjës së detyrimeve ekonomike që transmetuesit e cfarëdo lloji, kanë ndaj komunitetit që “Apik” përfaqëson. Në këtë kontekst ftoj të gjithë autorët, prodhuesit dhe interpretët në vend, të qëndrojnë në mbështetje të “APIK”-ut , sepse me një ndërlidhje të tillë synimet dhe të mirat e përbashkëta do të jenë shumë më afer. 
Ju faleminderit”, ka shkruar Genci.

Kujtojmë që Prelvukaj për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në politikë dhe kishte punuar në Ministrinë e Kulturës ku kishte dhënë gjithë kontributin e tij për miratimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 Përmes postit të ri, si drejtor i APIK, Prelvukaj do të dëshmoj tutje për angazhimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të autorit në Kosovë. / KultPlus.com

“Ma para thehet bjeshka se besa”

Atdheu është më tepër se çdo fjalë e thënë për të, është përtej çdo përkufizimi, përtej çdo tingulli e fjale. Atdheu është një dashuri e bashkëdyzuar me vuajtje, dhimbje e mall. Janë të shumtë ata që në mënyra të ndryshme kanë dhënë shumë për atdheun, e dashurinë për të ka edhe  prej atyre që e kanë përkufizuar me dhënien e jetës, gjënë më të çmuar që ka njeriu.

Për këtë dashuri, për këto rrënjë, për këtë histori, për këtë gjuhë për këtë flamur, për këta heronj, artisti Genc Prelvukaj ka shkruar një tekst rrëqethës e të cilit ja ka bashkangjitur edhe tingujt e muzikës për ta kompletuar në mënyrë përfekte.

Ai vendosi të shkruaj për vendin e të parëve të tij, për të shpalosur historinë që ngërthen në vete Plava dhe Gucia.

“Vendi i Origjinës” e ka quajtur këtë dedikim duke prekur kështu zemrat e shumë shqiptarëve e duke bërë që të lëvizin eshtrat e atyre që emri ju kumbon në këngë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj këngë:

“Vendi i Origjinës”

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

I ulun n`Sarajet e Ali Pashes

Me sy t`mrrolun drejt shkambit t`vajzës

Ku rrijnë malsortë n`krye t`venit

Skifterat e Vuklit e ujtë e Kelmendit

Ku lahuta bjen n`çdo shkrep

Jom unë djali juaj prej n`djep

Ky është vendi i origjinës

Ku pret shpata e Selman Fakut e Pulec Himes

Shqiponjat e ulin terrin

Malet e thrrasin prap Jakup Ferrin

Ku nihet zilja e ogiçit

I njomë gjaku n`fushat e Nokshiqit

Ku flasin edhe gurrat e shterruna

Fjalë  kanë edhe kullat e djeguna

Prej Rugovës deri n`maje t`Shalës

Toka mban erën e gjakut t`Gjon Bales

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

Sa plagë kanë rrjedhë n`Limin dinak

Sa burra me gjak ka pa orli plak

Sa plumi n`krah e n`trup t`Shqiptarvet

Shekuj me luftë për giuhën e t`parvet

Ky është vendi i Hasan Gjekës

Ku burrat shkojnë me kangë drejt dekës

Me faqe t`bardhë plot me nerë

Pushkë e trimni për secilën derë

Me rrudha n`ballë kundër robnisë

Luftarë e dasmorë me flamur n`shtizë

N`kuvende kur mbledhën

E knojnë n`lahutë Isuf Kamer Çelën

Nure Kurtin me burrat që ranë

Qe vdekjen kurrë me frikë nuk e panë

Ky është vendi i t`parve të mi

Ku gjithçka e gjallë rrjedh kuq e zi

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

N`sofrën e Plavës nën malet e zeza

Ma para thehet bjeshka se besa

Ku vlen nderi e dashnia e zotit

Prej liqenit deri te burrat e Hotit

Jom si votra që ndezet Janarit

Si fjala e urtë e Bajraktarit

Si plaga e randë n`trup t`ushtarit

Jom unë që se prej n`besë tokën e t`parit

I knojnë shqip nën votër

Fmisë në djep nana me motër

Tokë e trimnisë e jo drojës

Vend i Ismajl Nikocit e Agan Kojës

Si kështjellë me bedena

Tokë e shqiponjës me dy krena

Sot me varrë e sy nga Shqipnia

Fund me nerë nga Plava e Gusia

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ON5iLErRaUg

“Ylli e Hana” zbresin në këngën e Genc Prelvukajt (VIDEO)

Këngëtari i njohur Genc Prelvukaj, po vazhdon të sjell pa ndalur projekte të reja, ndërsa tashmë vec ka startuar vitin 2019 me një super këngë, shkruan KultPlus.

Me një melodi të lehtë dhe tejet të bukur, e ku shkrihen vargjet e mrekullueshme të shkruara nga vet artisti, kjo këngë padyshim që do të jetë një hit i radhës.

Kënga vjen e realizuar bashkë me videoklip e që në fokus ka artistin i cili i këndon dashurisë, e ku protagonistë të videos janë një qift shumë simpatik, Arblind Zymberi dhe Greta Hazyri.

Video e cila është e mbushur me emocione, është realizuar nga Black Fish Entertainment. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=G1-yzfUc6p4

“Shi bie në Tiranë” nga Fitnete Tuda, vjen e përpunuar nga Eni Koci feat. Genc Prelvukaj (VIDEO)

Sapo është publikuar kënga “Shi bie në Tiranë”, këngë kjo e kënduar shumë vite më parë nga këngëtarja Fitnete Tuda, shkruan KultPlus.

Verzioni i ri është sjellë nga Eni Koci feat. Genc Prelvukaj. Për më shumë mund ta përcillni në video./KultPlus.com