Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Amerikë, komedia “55 shades of gay” nga Kosova, do të shfaqet për 3 net me radhë në Bern, në teatrin Schlachthaus.
Shfaqja, e prodhuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, do të luhet në gjuhën shqipe, me titra në gjuhën gjermane, në datat 28, 29 dhe 30 mars (www.schlachthaus.ch).
Pas shfaqjes së tretë, me date 30 mars, do të mbahet edhe një koncert i këngëtares së njohur nga Kosova, Edona Reshitaj.
“55 shades of gay” është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Verona Koxhaj e Luan Durmishi (vokal).
Qendra Multimedia nga Prishtina që është konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante dhe më provokative nga Evropa Juglindore’, ka sjellur me shfaqjen ‘55 shades of gay’, një performancë argëtuese politike dhe provokative.
‘55 shades of gay’ është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.
Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao, menaxhere e skenës: Lendita Idrizi, ass. e regjisë: Verona Koxha, mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com
4 Marsi i vitit 1999 na kujton gëzimin dhe ankthin e madh, për atë çfarë do të ndodhte në Kosovë. Forcat e mëdha politike dhe ushtarake ndërkombëtare tashmë kishin marrë vendimin për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, me qëllimin e vetëm, ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve që po e bënte Millosheviqi me ushtrinë dhe paramilitarët e vet. Pas shumë përpjekjeve diplomatike, e vetmja zgjidhje për të ndalur ofensivat e Serbisë mbi popullin e Kosovës, ishte intervenimi ushtarak nga NATO-ja.
Në mërgimtarët e kemi përjetuar dyfishë qoftë gëzimin për fillimin e
bombardimeve, por poashtu edhe ankthin e vërtetë se çfarë do të ndodhte nga
hakmarrja serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Shumë prej nesh kemi pasur
familjet dhe farefisin në atë gjendje lufte e tmerri dhe jeta për ne në mërgim
ishte rënduar shumë.
Megjithatë, roli i mërgimtarëve kanë qenë shumë i rëndësishëm, sepse shumë
grupe të shqiptarëve, të organizuar në forma të ndryshme, kishin njoftuar dhe
kishin sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për krimet që po
ndodheshin në Kosovë. Në Suedi për shembull, shqiptarët kanë organizuar dhjetëra
protesta, shumë tubime e manifestime, të cilat kanë pasur synim të vetëm, që të
bëhej më shumë jehonë për çështjen e Kosovës.
Në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në Suedi, është shkruar
për ato zhvillime në hapësira të veçanta ku janë publikuar shumë dëshmi për
gjithë ato përpjekje që janë bërë. 91 shkrime e publikime të mediave suedeze
për Kosovën janë identifikuar dhe faktuar deri në librin e 9-të të librit
Thesar Kombëtar…Ndërkaq, në numrin e 8 janë botuar mbi 500 faqe me lista të kontributdhënësve
për fonde të ndryshme për Kosovën.
Ne mërgimtarët shqiptarë në Suedi i jemi mirënjohës në veçanti shtetit
suedez, që na siguroi strehë, ushqim, punë dhe jetë. Kështu ishim në gjendje të
ndihmonim, aq sa ishte e mundur, edhe njerëzit tanë në Kosovë, në kohërat më të
rënda që po kalonin.
Sot shqiptarët i janë mirënjohës NATO-s dhe aleatëve të saj përjetësisht.
Por, ajo histori nuk guxon të harrohet. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve
Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të shkruaj e të
ndriçojë edhe më tutje historinë nëpër të cilën ka kaluar
populli shqiptar bashkë me shumë miq tanë. Por, Shoqata jonë, inkurajon
edhe të tjerët, krijues e studiues të ndryshëm, të shkruajnë dhe të lënë gjurmë
për historinë e dhembshme që ka kaluar Kosova jonë.
Zoti e bekoftë NATO-n dhe aleatët e saj, Zoti i bekoftë SHBA dhe miq tjerë perendimorë, Zoti e bekoftë popullin shqiptar.
Hysen IBRAHMI,
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, 24 mars 2019. /KultPlus.com
Dio, është një djalë shqiptar i cili është bërë pjesë e “The Voice Kids” në Gjermani. 14 vjeçari me performancën e tij të parë në audicionet e fshehura, ka mahnitur jurinë. Ndërsa pas performancës ai është duartrokitur nga publiku ndërsa juria kanë hyrë në “luftë” se cili të marrë Dion në ekipin e tij, shkruan KultPlus.
Dio, një djalë shumë i talentuar dhe me një paraqitje të mrekullueshme në skenë, është cilësuar si një djalë argëtues dhe është vlerësuar për faktin se ai shkruan vetë këngët e tij. Kjo është arsyeja pse ai patjetër i takon fazës “The Voice Kids” dhe bindi audiencën dhe trajnerët me zërin e tij jashtëzakonisht të bukur gjatë interpretimit të këngës “People Ordinary” nga John Legend.
Voice Kids është shfaqja më e suksesshme e talentit në
Gjermani. Lena, Mark Forster dhe Stefanie Kloß, BossHoss janë anëtarët e jurisë
të cilët sapo e duan njërin nga zërat në
ekipin e tyre ata kthejnë ulëset e tyre dhe fillojnë me komentet.
E përzgjedhura e talentit shqiptar ishte Lena, e cila u
shpreh jashtëzakonisht e lumtur që Dio përzgjodhi atë si trajnere.
Mbetet të shihet rrugëtimi i Dios në këtë garë jashtëzakonisht të fortë të cilës Dio tashmë i ka hyrë fuqishëm. / KultPlus.com
Në numrin e sotëm të gazetës Franfkfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS), me rastin e 20 Vjetorit të Bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Beqë Cufaj, ka botuar shkrimin me titullin: “Kosova është Pjesë e Historisë së Gjermanisë”. Në vijim mund ta lexoni tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe:
Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung
Kosova është pjesë e Historisë së Gjermanisë
Para njëzet vitesh NATO filloi me sulmet ajrore kundër Serbisë. Një kthim prapa me shikimin përpara.
Nga Beqë Cufaj
Mbrëmjen e 23 Marsit të vitit 1999, në hapësirat e sallave të
konferencave të Bundestagut ishte parashikuar një diskutim mes deputetëve
gjermanë emrat e të cilëve nuk më kujtohen tashti dhe Sekretarit Shtetëror të
Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Wolfgang Ischinger. Pjesë e atij diskutimi
isha edhe unë, si gazetar dhe në një formë apo tjetrën edhe përfaqësues i
popullit tim i cili nuk kishte as shtet por as të ardhme. Kjo vlente edhe për
mua. Në Bonn punoja si gazetar i akredituar. Në të njejtën kohë, prindërit e mi
ishin refugjatë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, motra me fëmijët dhe
bashkëshortin e saj kishin nisur rrugën drejt Austrisë ndërsa vëllau ishte
luftëtar në njësitet e Komandantit të UÇK-së Daut Haradinajt, njërit prej
vëllezërve të Kryeministrit të tashëm të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt.
Kurrë nuk do ta harroj shikimin e Ischinger: diçka mes
keqardhjes por edhe një shprehjeje kurajoje. Të dy e dinim që atë natë do të
hapej kapitulli i edhe një lufte të re. Do të ishte lufta e fundit në
territorin e Europës, Kontinentit i cili prapa kishte shekullin më të
përgjakshëm të historisë së ekzistencës së vet. Dhe pjesë e kësaj lufte do të
ishin edhe gjermanët të cilët pas betimit për “Kurrë më Luftë” sërish
ishin pjesë e një lufte. Por për këtë më vonë.
Në mëngjesin e datës 24 Mars të vitit 1999 Europa u zgjua me
sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë dhe frika e tmerri ishin futur në dhomat
e çdo qytetari europian. Por kjo luftë nuk vinte as rastësisht e as befasisht.
Në fakt, lufta e Kosovës ishte përfundimi i një zinxhiri të gjatë të shkaqeve
dhe pasojave të një politike e cila fillet e saja i kishte qysh në pjesën e
dytë të viteve 80, saktësisht në vitin 1986 kur Akademia e Shkencave dhe Arteve
e Serbisë kishte hartuar Memorandumin e famshëm. Aparatçiku serb Slobodan
Milosheviq e nisi “betejën” e tij të parë nacionale duke ndërruar
petkun nga komunist në mbrojtës të të drejtave të popullit serb të Kosovës. Nga
koha e pushtuesve turq deri tek “kroato-slloveni” Tito serbët ishin
gjithnjë të shtypurit. Kështu propagonte Akademia serbe dhe i njejti ton
dëgjohej nga goja e demagogut serb.
Goditja që Milosheviqi me regjimin e ri i bëri Kosovës ishte e
tmerrshme dhe me pasoja afatgjata: heqja e autonomisë dhe përjashtimi i
shqiptarëve nga Shkollat, Universitetet, jeta publike, gazetat, televizionet e
burokracia dhe çdo gjë që kishte të bënte me ta, ngjalli rebelimin pasiv të
udhëhequr nga Shkrimtari dhe Presidenti i Parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Europa ishte e ballafaquar me problemet e veta dhe e kishte pothuajse të
pamundshme të merrej me periferinë e saj, Ballkanin. Ishin të shumta problemet
qendrore të saj duke filluar nga rrëzimi i perdes së hekurt dhe rënia e
blloqeve komuniste e deri tek bashkimi gjermano-gjerman.
Lufta dhjetëditore në Slloveni, vazhdimi i saj për katër vite në
Kroaci, tmerri për tre vite e gjysmë në Bosnje e Hercegovinë, të gjitha këto
zgjatën nga vitet 1991-1995 dhe shkaktuan vdekjen e 150.000 njerëzve. Mirëpo
Jugosllavia ende nuk kishte vdekur. Gjatë këtyre luftërave për masën e
konkursit shqiptarët vazhdonin të protestonin paqësisht. Ata mbijetonin si
refugjatë në Europë, mirëpo edhe duke e ngritur sistemin paralel të jetës në
Kosovë: arsim, media, kulturë. Në të njejtën kohë shpresonin dhe prisnin për
ndihmën e Perëndimit, në mënyrë që europianët dhe amerikanët ta ndalnin
sistemin vrastar të Milosheviqit. Politika e pritjes për të cilën angazhohej
Ibrahim Rugova zgjaste tashmë pothuajse një dekadë.
Mirëpo dalngadalë shqiptarët e ri, gjenerata e Hashim Thaçit dhe
Ramush Haradinajt, filluan ta humbasin durimin. Në Bonn pak a shumë kjo ishte
marrë vesh. Nuk do ta harroj kurrë, sesi Klaus Kinkel, Ministri i Jashtëm i
asaj kohe, në një Konferencë Donatorësh pas paqes njëvjeçare për Bosnjen e
Hercegovinën para gazetarëve paralajmëronte sesi Milosheviqi nuk do të ndalej
me luftën e Bosnjes, i pëlqeu kjo dikujt apo jo. Fjalët e folura të Kinkelit në
vitin 1997, do të dilnin të vërteta.
Gjatë gjithë këtij kapitulli të shkatërrimit të Jugosllavisë
kisha fatin të jetoja në Gjermani. Kështu që edhe sot e kësaj dite pas njëzet
vitesh kam mirëkuptim të plotë për atë se çfarë emocionesh Lufta e Kosovës
ngjallë në politikën por edhe në diskursin emocional në Gjermani.
Pas rënies nga pushteti të Përmendores Helmut Kohl në vitin 1998, ende në Bonn,
në nivelin federal në pushtet u vendos eksperimenti kuq-gjelbër, me Gerhard
Schröderin dhe Joschka Fischerin në krye. Pikërisht e majta gjermane për herë
të parë prej pas Luftës së Dytë Botërore- mirëpo këso radhe së bashku me
amerikanët, britanikët, francezët dhe italianët- do të futej në një luftë dhe
do niste me bombardimin e caqeve ajrore në Serbi dhe Kosovë. Kjo ndërmarrje, të
cilën Frank Schirrmacher në debatin e madh të hapur në Frankfurter Allgemeine
Zeitung (FAZ), do ta quante “Kryqëzata Perëndimore” kurse Jürgen
Habermas në “Die Zeit” do ta përkufizonte si tension mes
“Bestialitetit dhe Humanitetit”, ngjallte emocione të cilat edhe sot
e kësaj dite vibrojnë sa herë që përmendet fjala Kosovë dhe Luftë.
Sa herë që në Gjermani përmendet Kosova, secili mendon në luftë.
Mund të jetë që ky asociacion vjen edhe si pasojë e aliteracionit. Mund të jetë
pokështu që hapja e fronteve të reja të luftës në Afganistan, Irak dhe
gjithandej në botë e ka shkallëzuar kujtimin e luftës së Kosovës si një moment
kujtimi. Mirëpo edhe pas njëzet vitesh, në Berlin si atbotë në Bonn,
politikajë, gazetarë, qytetarë dhe ndërmarrës gjermanë më shtrojnë pyetjen me
frikë: a është e rrezikshme të udhëtohet në Kosovë?
Këtyre dy “K”-ve (Kosovo dhe Krieg) u janë shtuar edhe dy K të reja:
Kriza dhe Korrupcioni. Mirëpo në Kosovë nuk ka krizë dhe aq më pak luftë.
Korrupcion ka- por ky është sikurse në vendet tjera të rajonit të cilat duan të
bëhen pjesë e BE-së dhe aso që tashmë janë bërë pjesë e BE-së. Megjithkëtë
vetëm këtu, në Kosovë, lidhen ato dy “K”-të me një kompleks frike.
Edhe më shumë se 50.000 ushtarë të Bundeswehr-it dhe mijëra nëpunës gjermanë në
misione ndërkombëtare që kanë jetuar e punuar në Kosovë për krejt këto vite nuk
kanë mundur ta zgjidhin këtë nyje të lidhur në kokat e njerëzve në Gjermani.
As ne kosovarët nuk mund ta zgjidhim këtë nyje. Sepse lufta e
Kosovës, sado i dhembshëm që mund të jetë ky mendim, nuk është vetëm e Kosovës,
por edhe e historisë së Gjermanisë. Ja që Gjermania nuk don apo nuk mundet që
për këtë luftë ta gjejë një formulë të përbashkët, nuk po mundet ta sheh si të
kaluar por para së gjithash nuk po e pranon si pjesë të historisë së saj.
Nëse kjo është barriera që Gjermaninë e ndalon të bëjë atë që
tashmë është mëse e tejkaluar dhe përkrahë në liberalizimin e vizave? A është
kjo arsyeja pse Kosova si vendi i vetëm i Europës është izoluar nga bota? Apo
është ky shkaku pse Kosova kundër çdo evidence të mundshme në Gjermani është e
vendosur në listën e vendeve që paraqesin shkallë të lartë të rrezikshmërisë,
siç e thotë Ligji për shtetetet që paraqesin rrezik për Gjermaninë?
Njëzet vite pas luftës dhe njëmbëdhjetë vite pas shpalljes së
pavarësisë më shumë se 400.000 kosovarë janë pjesë e pashkëputshme e shoqërisë
gjermane- njerëz të vyeshëm, që punojnë fabrika të NRW, zejtari të Bavarisë, si
“italianë” në Berlin apo Hamburg… pa përmendur këtu fëmijët e tyre të
gjermanizuar, mijëra studentët, akademikët, sportistët e artistët. Të gjithë
këta njerëz kanë të afërm në Kosovë. Dhe si tatimpagues të devotshëm ata
vazhdojnë të privohen nga e drejta që të vizitohen prej familjarëve të tyre nga
Kosova.
Një kompleks i çuditshëm na çon tek përfundimi që askush më shumë se vet
qytetarët e Kosovës janë duke paguar çmimin edhe njëzet vjet pas përfundimit të
luftës prejse u hoqën qafe forcat Milosheviqit! A është kjo e drejtë? Jo. Dhe
kjo duhet të marrë fund. Kosova dhe banorët e saj- shqiptarë, serbë, romë dhe
të gjitha grupet tjera etnike- do të duhej që në Europën e vlerave demokratike
ta kenë vendin e tyre, thuhej atëbotë. Pse pra nuk po u ofrohet ajo karrigë?
Pas njëzet vitesh, në këtë besoj fort, ka ardhur koha, që Gjermania ta hedh një
shikim të ri dhe ta njeh: paqen, rezultatin dhe para së gjithash forcën e
jashtëzakonshme integruese të kësaj shoqërie. Kurse nëse doni të flasim edhe
njëherë për luftën: Urdhëroni!
*Beqë Cufaj (1970), i lindur në Deçan të Kosovës është shkrimtar kurse nga vera e vitit 2018 Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin. Teksti është botuar në Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAZ am Sonntag). / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës, në shenjë falënderimi në 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, në ndërtesën e saj ka vendosur një flamur gjigant të NATOS-s.
Në këtë përvjetor është kujtuar ndërhyrja e NATO-s si një veprim i ligjshëm
kundër krimeve të Serbisë që po i bënin në Kosovë drejt një populli të
pafajshëm.
Me këtë rast, edhe Haradinaj i ka shkruar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoleberg, duke thënë se Kosova gjithmonë do të jetë mirënjohëse ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s. /KultPlus.com
Me 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO, filloi bombardimet kundër forcave ushtarake e policore serbe, në qytetin e Suharekës, ndodhi një prej masakrave më të rënda në Kosovë.
Këtë ditë forcat serbe vranë 49 anëtarë të familjes
Berisha.
Ditën që ndodhën vrasjet, Gramoz Berisha ishte me
familjen e tij, kur policë serbë ia vranë babanë, Sedatin, vëllanë, Drilonin 13
vjeç, dhe motrën Dafinën që kishte mbushur 16 vjet.
“Ka pasur fëmijë shumë të vegjël, nëntë muajsh, që
kanë bërtitur gjatë gjithë kohës, që kanë qarë, kanë kërkuar ujë, por ata nuk
janë ndalur duke gjuajtur, deri në momentin që janë ndalur të gjithë zërat dhe
nuk ka pasur më britma, në lokal”, rrëfen Gramozi për Radion Evropa e Lirë.
Forcat policore serbe kishin shtënë me armë zjarri në
drejtim të grave dhe fëmijëve të familjes Berisha, të cilët i kishin ngujuar në
një lokal.
Shumica u vranë në vend nga plumbat dhe mjetet
eksplozive që u hodhën brenda lokalit që ishte përplot me njerëz. I ngujuar në
lokal ishte edhe Gramozi, atëherë vetëm 8 vjeç. Ai u plagos në njërin krah.
“Ashtu kanë vazhduar njëjtë, i kanë kapur një nga një
trupat. Kur ka ardhur radha te unë, jam frikësuar në fillim mos po më kapin për
këtë krahun e plagosur edhe kisha reaguar në moment, por më kanë kapur për
krahun tjetër, më kanë qit në lesë dhe më kanë gjuajtur në kamion. Përmbi mua
kanë gjuajtur trupa të tjerë”, thotë Gramozi.
Të mbuluar me trupa të vdekur
Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal,
forcat serbe, ngarkuan trupat në një kamion dhe i nisën në drejtim të
Prizrenit.
I rrethuar nga trupat e vdekur, Gramozi pa se nëna e
tij, Vjollca, dhe gruaja e një familjari, Shyhretja, ende ishin gjallë.
“Gjatë rrugës e kam dëgjuar një bisedë, mami me
Shyhreten duke folur, duke komunikuar mes vete, por unë prapë nuk kam guxuar ta
ngre kokën duke menduar që e kemi dikë në kamion edhe mund të merret vesh. Kam
qëndruar ashtu, pa lëvizur hiç. Gjatë rrugës, mami ma ka njohur jaknen që kam
qenë i mbuluar dhe ka thënë t’ia shoh bile për herë të fundit fytyrën. Kur më
ka kthyer kah vetja, unë i kam çelë sytë. Ka thënë: “Mozi, a je gjallë?”. I kam
thënë po. Ka thënë hajde me mamin kërcejmë prej kamionit se këta na shtinë në
ndonjë gropë dhe s’mund të dalim pastaj”, kujton Gramozi.
Gramozi, nëna e tij, Vjollca dhe familjarja tjetër,
Shyhretja arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të
mbijetuarit e vetëm.
Përgjatë këtyre 20 vjetëve, Gramozit nuk i është
larguar nga kujtesa momenti kur në kamion kishte mbetur ende një fëmijë i
gjallë.
“Afër meje e kam pasur një djalë në gjeneratë me mua,
Miratin, ai ka qenë gjallë edhe në kamion. Jemi munduar ta marrim bashkë me
mamin, i thamë: “Eja me ne të kërcejmë”. Ai filloi të bërtasë dhe tha: “Jo nuk
po dua, vetëm largoma këtë trupin”. Atij ia kishin qitë një trup përmbi, s’mund
të merrte frymë. “Veç largoma këtë se s’po dua. Po dua të shkoj me mamin”,
vazhdon Gramozi rrëfimin e tij.
Ditën e sulmit, forcat policore serbe vranë gjithsej
49 anëtarëve të familjes së ngushtë Berisha, 24 prej tyre ende mbesin të
pagjetur, në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina.
Dështimi i diplomacisë
Vrasja e familjes Berisha, ndodhi vetëm dy ditë pasi
aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO, filloi bombardimin e Serbisë.
E udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO
filloi sulmet kundër caqeve policore dhe ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi,
të akuzuar për vrasje masive dhe dëbim të shqiptarëve.
Para se të fillonin bombardimet e NATO-s, bashkësia
ndërkombëtare u mundua ta bindë ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, ta
nënshkruajë një marrëveshje për të arritur paqen.
Por, Millosheviqi refuzoi ta nënshkruante Marrëveshjen
e Rambujesë dhe forcat e tij të sigurisë vazhduan luftimet në Kosovë.
Millosheviqi thoshte se po i luftonte terroristët, siç
i quante ai, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vendet
perëndimore thanë se qëllimi i liderit serb ishte spastrimi etnik i Kosovës
përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive.
Një javë para fillimit të bombardimeve në qytetin e
Pejës, në rrethana lufte në jetë erdhi Flaka Muqriqi. Sot ajo është 20 –vjeçare
dhe beson se bombardimet e NATO-s kishin qëllim kryesor, ndaljen e gjenocidit
ndaj shqiptarëve.
“Mendoj se ka qenë një iniciativë e mirë e Amerikës
për ta ndihmuar Kosovën që në njëfarë forme të krijohet një stabilitet dhe
thjesht të përfundojë ai gjenocid që ka ndodhur në Kosovë, për arsye se ka qenë
e tmerrshme dhe besoj se kur Amerika e ka parë atë se çka po ndodh në Kosovë,
mendoj se e kanë parë të nevojshme të intervenohet që thjesht të mos vazhdojë
gjithë ajo luftë dhe të ketë pasoja edhe në aspektin material dhe në njerëz.
Mendoj që në aspektin material jemi rikthyer dhe jemi duke u zhvilluar, por
pasojat në njerëz dhe gjurmët që kanë mbetur në zemrat e nënave, nuk do të
rigjenerohen”, thotë Flaka.
Rreth 350 kilometra nga Prishtina, në Beograd, jeton
Tina Todoroviq, e cila kishte vetëm dyzet ditë, kur NATO filloi bombardimin e
qytetit të saj, Beogradin. Tina beson se NATO-ja nuk kishte nevojë të ndërhynte
dhe të bombardonte Serbinë.
“Nuk e kuptoj pse është dashur të vijë deri te kjo.
Nuk është shekulli i XV dhe se u duhej të përdornin armët. Mendoj që secili
shtet ka diplomatë të mjaftueshëm në mënyrë që të kombinohet diçka. Nuk është e
drejtë gjithashtu – unë së fundmi e kam kuptuar – që Amerika ka bazë në Kosovë,
gjë të cilën unë nuk e kam ditur fare. Nuk është fare e drejtë as ajo se si
sillen të gjithë lidhur me këtë çështje, për shembull, e pranojnë Kosovën. Ajo
është e jona, është shteti i parë serb. Si mundet që dikush ta marrë nga ne dhe
pastaj ata neve të na kritikojnë?”, thotë Tina.
Kur NATO filloi bombardimet, shumë diplomatë
perëndimorë thanë se Millosheviqi do të dorëzohej brenda tri ditësh, mirëpo kjo
nuk ndodhi.
Ushtria dhe Policia e Serbisë filloi të vrasë edhe më
shumë civilë në Kosovë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë 78 ditëve
sa zgjatën bombardimet e NATO-s forcat serbe vranë rreth 7,000 shqiptarë.
“Ku shkoni o njerëz?”
Kur bombardimet po ndodhnin, një grua nga Serbia
kishte shkuar në Kosovë.
Aktivistja nga Beogradi, Natasha Kandiq, një luftëtare
për respektimin e të drejtave të njeriut, beson se ekziston një shans për
gjeneratat e reja, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, që ta kuptojnë drejt të
vërtetën e luftës së vitit 1998-‘99.
“Unë, vërtet, ende ndiej të më përzihet dhe kurdo që i
kujtoj ato udhëtime të mia – e unë shpesh i kujtoj shkuarjet në Kosovë e pastaj
prej Kosovës, përmes Pejës për në Rozhajë dhe më pas kthimin në Beograd –
gjithmonë më paraqiten të njëjtat pamje. Në Kosovë ishte tmerrshëm, rrugët e
zbrazura, gjithkund ishin ushtria dhe policia. Miqtë që i vizitoja, ishin të
gjithë të mbyllur në shtëpitë e veta. Askush nuk guxonte të dilte nëpër rrugë.
Në vazhdimësi më kthehet pamja e njëjtë nga një shitore”.
“Rreshti për bukë dhe dikush e njeh se në rresht është
një shqiptare dhe fillon të bërtasë që të mos i jepet bukë. Shpeshherë kjo më
zgjon natën. Më kujtohen kolonat e njerëzve nëpër rrugë. Më kujtohet pamja kur
jam ndalur dhe i kam pyetur “Ku shkoni o njerëz”? Ata thonë’ po shkojmë, sepse
na duhet. Na kanë thënë të shkojmë për Shqipëri”. Asgjë… bartnin disa qese
plastike me vete. Unë ju them “Kthehuni nëpër shtëpitë e juaja”, dhe ata më
thonë “Nuk guxojmë të kthehemi, na është thënë të ikim”, thotë Kandiq, derisa
përshkruan kohën e luftës në Kosovë.
Kosova më 1999 dhe sot
Që nga lufta, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në
procese të ndryshme të bisedimeve me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Këto bisedime kanë pasur pak efekt në largimin e
paragjykimeve dhe urrejtjes ndërmjet të dyja vendeve.
Viti 2019 është përmendur nga Beogradi dhe Prishtina
si viti kur të dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje të përhershme për
normalizim të marrëdhënieve por të rinjtë në Kosovë dhe Serbi janë të gatshëm
të bashkëpunojnë, por besojnë se fillimisht duhet zgjidhur problemet politike
që ekzistojnë në mes të të dyja vendeve.
“Ne jemi shqiptarë, edhe ka njerëz të mirë, por ka
edhe njerëz, të mos i quaj të këqij, por ka edhe serbë që mund të jenë mirë.
Personalisht, ndoshta edhe unë kisha mundur të punoj me ta në një vend pune,
sepse jemi duke jetuar në një shtet demokratik edhe thjesht duam të jemi si ne,
si ata, që të kemi paqe dhe bashkëpunim mes vete”, thotë Flaka.
Tina që jeton në Beograd nuk ka qenë ndonjëherë në
Kosovë dhe nuk njeh ndonjë shqiptar.
“Nuk njoh ndonjë shqiptar. Por, njoh njerëz nga
Kosova. Nuk kam pasur paragjykime. Kur i kam parë për herë të parë, unë u pata
thënë ‘a është gjuha turke ajo që ju e mësoni paralelisht’ dhe ‘ a guxoj unë të
shkoj atje?’. Kjo nuk ka qenë kurrfarë urrejtje, por thjesht një ndjenjë e
natyrshme, që të mos shkoj atje”, thotë Tina.
Gjatë luftës së Kosovës, u vranë më shumë se 13 mijë e
500 persona. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, rreth 11 mijë janë
shqiptarë, e rreth 2 mijë e 200 serbë.
Viti 1999 ishte më i përgjakshmi pasi vetëm këtë vit u
vranë rreth 11 mijë persona. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli, ku u vranë më
shumë se 4 mijë veta.
Më 9 qershor 1999, në Kumanovë të Maqedonisë, aleanca
e NATO-s arriti marrëveshje me Serbinë për ndalje të bombardimeve ajrore dhe
Beogradi obligohej t’i largonte të gjitha trupat nga Kosova.
Pas largimit të forcave serbe, në Kosovë në disa raste kishte sulme hakmarrëse ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe dhe etnive tjera jo shumicë. /rel/ KultPlus.com
Qyteti u fundos në errësirë. Dritat u fikën. Alarmi ajror nisi
të ulërinte si të paralajmëronte fundin e botës. Kurrë më parë nuk e kisha
dëgjuar këtë sinjal, kurrë nuk kisha imagjinuar çfarë tingulli do të nxirrte
disa metra larg meje një aparat i tipit të borisë, prandaj më dridhen tingujt e
parë mu si korrenti kur ta përshkon befas trupin. Shkallët e pallateve nisën të
shungullonin nga vrapi i banorëve që mësynin në bodrume a në strehimore. Pastaj
u shua çdo zhurmë brenda apartamenteve. Qetësia bëhej edhe më torturuese, në
pritje të shpërthimeve. Koha nuk ecte. Prisnim me padurim aeroplanët. Trupi na
dridhej nga emocionet. Shikonim të mpirë në horizont, andej nga shpresonim se
do të paraqiteshin bombarduesit e parë.
Asnjëherë nuk e kam qartësuar, e dëgjuam më parë zhurmën e aeroplanëve apo i
pamë shkreptimat e predhave, sepse shkreptimat na hutuan, duke na shpërqendruar
nga aeroplanët që dëgjoheshin si zukamë e largët bletësh. Tensioni nervor na i
mpiu shqisat e të dëgjuarit, zhurmat e shkreptimave nuk i dëgjova as unë, nuk i
dëgjoi as shoku im, i cili pati të njëjtën ndjenjë të shurdhërisë. Kështu,
fillimi i bombardimeve e bëri copë e grimë errësirën e shurdhërinë. Vezullimet
e forta të shpërthimeve shkreptinin me ngjyrim të kuqërremtë në të përgjakur. Pak
çaste më vonë shpërthimet verbuese e dridhnin qytetin. Jehona e klithmat
ngjethëse të alarmit nuk dëgjoheshin më, të mbytura nga shpërthimet që
barteshin tej në horizont, ngriheshin në qiell, sikur donin të ktheheshin në
trajtën tjetër andej nga vinin predhat e mëdha të piketuara nga avionët.
Kur ra predha e parë në stacionin e policisë, në qendër të qytetit, zemra më
gufoi. Krisma që shungulloi pas flakës a gati njëkohësisht me flakën, më
shkarkoi nga një pjesë e mllefit për godinën famëkeqe. Gazavaji na mbërtheu të
dyve, shihnim njëri-tjetrin dhe qeshnim, qeshnim e qanim duke u gajasur.
Shpërthimet “e kërpudhave” të kuqërremta e ndiqnin njëra-tjetrën. Errësira
bëhej më e thellë, kur vdirrej drita e kuqërremtë. Nuk pipëtinte frymë
njeriu.
Duke e ndjekur hartën e shpërthimeve në horizont, nisëm të hamendësonim cakun:
– Kjo është depoja e municionit, – më tha shoku im, kur shpërtheu bomba e
parë.
– Ua! – lëshova tingull të pakontrolluar. Pastaj e mbylla gojën si i zënë në
faj.
Disa minuta më vonë ishim të sigurt se po digjej qendra stërvitore e policisë.
Nga aty vinin policët e trajnuar që na dërmonin në çdo demonstrim pakënaqësie,
nga ajo qendër shpërndaheshin trupat ushtarake që e masakronin popullatën deri
para disa ditësh. Nga gjoksi më dilte ndonjë shfrim mllefi me pamjet që i
shikoja.
Shpërthimet shtriheshin drejt veriut, duke e kaluar pikëvështrimin tonë dhe
njohuritë që kishim për caqet e goditura.
– Duhet të jetë ndonjë depo armësh përtej kufirit, në Serbi, – më thoshte ai i
sigurt, megjithëse as unë dhe as ai nuk merrnim vesh nga gjeografia.
Në pushimet në mes të shpërthimeve dëgjohej frymëmarrja e rënduar e një
rezervisti, me hapat e ngathtë të vrapit që ushtonte trotuareve. I zënë në
befasi nga bombardimet e furishme, i frikësuar nga e papritura, i vetëm në
rrugën e gjerë, ai kërkonte strehim. E shikonim nga lart, vraponte si në filmat
e animuar: i ngathtë e i frikësuar, me gojën që e hapte si peshku dhe me njërën
dorë në gjoks sikur donte ta ndihmonte ajrin të futej brenda në kraharor. Asnjë
derë nuk i afronte mikpritje, asnjë dritare nuk u hap t’i tregonte se më afër e
kishte strehimoren aty pranë sesa vrapin e pafund që ua cingëriste nervat
banorëve prapa perdeve të mbyllura nga errësimi i urdhëruar.
Fragment nga romani ” Boritë e Apokalipsit”. / KultPlus.com
Puka është kthyer në qendër atraksioni turistik ku natyra e mrekullueshme dhe ndërhyrjet në infrastrukturë e kanë shndërruar në një vend që jo vetëm ia vlen ta vizitosh, por edhe të kalosh pushimet. Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me bukurinë e peizazhit pukjan.
“Me këto pamje të transformimit të Pukës nga një zonë e braktisur për vite të tëra, në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, tha Kryeministri Rama.
Ndër investimet e kryera në Pukë janë rivitalizimi i shëtitores së qytetit, një investim prej 2.2 miliard lekë që përfshin rivitalizimin e sheshit “Tërbuni” atë pranë urgjencës dhe Hotel Turizmit, ndriçimin dhe shëtitoren në mesin e dy shesheve.
Po kështu është bërë i mundur dhe rikonstruksioni me sistem kapot i fasadave të ndërtesave që përfshin zonën e rivitalizuar.
Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra, për të përballuar më tej ditët e lodhshme të punës dhe zhurmat e qyteteve të mëdha. Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta.
Vendi parë për t’u eksploruar është liqeni i qytetit, i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.
Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizimit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit. / KultPlus.com
Shqipëria është shnëdrruar shumë shpejt në një destinacion veror popullor, falë bregdetit mahnitës dhe plazheve të bukura që janë disa prej faktorëve madhorë që qëndrojnë pas rritjes në shifra të turistëve që vijnë, shkruan “Swedish Nomad” në një artikull që ia kushton plazheve në vendin tonë.
“Në Rivierën Shqiptare ka shumë vende të bukura dhe për t’i bërë planifikimet më të lehta, më poshtë vijojnë 15 plazhet më të bukura në Shqipëri që duhen vizituar në 2019”, thekson portali suedez që i kushtohet udhëtimeve.
Plazhi i Gjipesë
Një prej xhevahireve të fshehura të Shqipërisë dhe me siguri një plazh përallor. Vizitorët mund të shkojnë atje me varkë ose makinë, megjithatë, atyre që përdorin automjete do ju duhet të ecin një pjesë të rrugës deri sa të dalin në plazh.
Plazhi është i rrethuar nga shkëmbin të lartë, që të japin ndjesinë se ndodhesh në një ishull të shkretë dhe jo në një plazh normal.
Uji në Plazhin e Gjipesë është kristal i pastër dhe ka ngjyra të kaltra të mrekullueshme. Aventurierët mund të gjejnë gjithashtu disa plazhe të vogla përgjatë vijës bregdetare si dhe shpella.
Gjiri i Gramës
Një prej vendeve më të bukura për të vizituar në Shqipëri, Gjiri i Gramës është një vend i mrekullueshëm për të kaluar ditën buzë detit dhe është pranë Vlorës.
Aty preferohet të shkohet me varkë, megjithatë, alpinistët mund të shijojnë një ecje shtatë orë të gjatë. Lejohet edhe kampingu, por sigurohuni të merrni me vete ujë, ushqime dhe produkte të nevojshme të tjera sepse Gjiri i Gramës është i izoluar dhe nuk ka shërbime.
Plazhi i Dhërmiut
Dhërmiu është i njohur për jetën e natës gjatë verës dhe shtëpitë tradicionale prej guri. Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë skandinavë kanë ardhur deri këtu dhe është një vend sa i bukur edhe i kursyer nga turmat e turistëve në raport me destinacione të tjera në Shqipëri.
Drimadhë
Shumë pranë më Dhërmiun, vizitorët mund të shijojnë një palzh edhe më të izoluar dhe më pak të populluar, Plazhin e Drimadhës.
Plazhi i Livadhit
Nëse po viziton Himarën, atëherë nuk duhet të humbasësh Plazhin e Livadhit, që ndodhet shumë pranë.
Plazhi i Livadhit është një prej më të gjatëve në këtë rajon dhe është bërë i famshëm për ujin e tij ngjryë blu të errët si dhe pemët e ullirit që e rrethojnë.
Borsh
I konsideruar si një prej plazheve më të gjatë në Detin Jonë, Borshi është i famshëm për ujërat e kaltër dhe pastërtinë e plazheve.
Plazhi është shtatë kilometra i gjatë dhe ende është i paprekur nga turizmi masiv.
Plazhi i Lukovës
Plazhi i Lukovës është një prej plazheve më të famshme përgjat Rivierës dhe vërtetë është një prej plazheve më të bukur në shqipëri.
Ai rrethohet nga gjelbërimi dhe uji i detit është kristal i pastër dhe me ngjyrë të kaltër.
Plazhi Pulëbardha
Një plazh i vogël dhe i bukur mes Sarabës dhe Ksamilit. Ai ndodhet në veri të Ksamilit.
Plazhi Mango
Një plazh popullor në Sarandë që ka të gjitha karakteristikat që ju duhen për të kaluar pushime të shkëlqyera. Saranda është gjithashtu një vend fantastik nga ku të eksplorosh Jugun e Shqipërisë dhe aty ka qindra hotele dhe restorante të fashave të ndryshme të çmimeve.
Plazhi Paqyrta
Një xhevahir i fshehur në pjesën më të madhe të vitit, ky plazh në muajin gusht shndërrohet në një nga vendet më të populluara. Plazhi Pasqyrat është shumë i njohur në zonë dhe ndodhet në veri të Ksamilit.
Ksamil
Në fakt në Ksamil ka disa plazhe, pra nuk do jetë një problem për të gjetur një vend të mirë këtu.
Megjithatë, Ksamili është vërtetë një parajsë në Europë, për pasojë në korrik dhe gusht është i mbushur plot me njerëz njësoj si destinacionet popullore në rajonin e Mesdheut.
Koha më e mirë për të vizituar këtë zonë është në maj ose fillim të qershorit, por mund të shkoni edhe pasi kalon vera në shtator.
Plazhi i Palasës
Një plazh natyror me ngjyrë magjpsëse të ujit. Plazhi i Palasës ndodhet në veri të Himarës dhe Plazhit të Drimadhës, si dhe vazhdon të jetë i paprekur duke mos pasur shumë godina dhe zhvillim përreth.
Durrës
Durrësi është një prej destinacioneve më popullore në vend dhe një prej plazheve më të zhvilluara në Shqipëri.
Durrësi është vetëm 40 minuta me makinë larg kryeqytetit të Shqipërisë, pra përveç turizmit ndërkombëtar, ai është gjithashtu popullor edhe për shqiptarët gjatë verës. Këtu do të gjeni gjithçka ju duhet për të kaluar pushime të këndëshme në buzë të detit.
Plazhi i Jalës
Jala është një tjetër plazh popullor në Shqipëri, veçanërisht gjatë verës. Ky destinacion shumë turistik ndodhet mes Dhërmiut dhe Himarës.
Rana e Hedhun
Një prej plazheve më unike në Shqipëri, tek Rana e Hedhun ndodhen disa duan rëre gjigante që ndodhen në anë të malit.
Ky plazh ndodhet pranë Shëngjinit dhe është rreth një orë e gjysmë larg Tiranës me makinë. Falë një rruge relativisht të re, Rana e Hedhun është lehtësisht e aksesueshme. /G.S/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. / KultPlus.com
Zjarri që ka përfshi gjatë ditës së djeshme dhe të sotme një pjesë të maleve të Deçanit, në orët e mbrëmjes ka marrë përmasa më të mëdha.
Në një apel shef i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë në Prishtinë, Shkodran Imeraj, drejtuar Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar që të merren masat e domosdoshme që të ndalen flaket e zjarrit që të mos dëmtohet nga zjarri lokaliteti arkeologjik “Kulla e Qelisë”.
“Kulla e Qelisë” është një vendbanim i antikës së vonë dhe mesjetës së hershme, e ku ruhet pjesa më e rëndësishëm e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Deçanit dhe rrethinës.
Njoftimi i plotë i Imerat:
Apel Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës
Dje dhe sot gjatë ditës, një pjese e pyllit në afërsi të Manastirit të Deçanit është duke u djegur. Sonte, në orët e para të mbrëmjes, flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe drejtimi i zjarri ka marrë kahje nga lokaliteti arkeologjik “Kulla e Qelisë”.
I beje apel Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin masat e duhura, që të mos dëmtohet lokaliteti arkeologjik “Kulla e Qelisë’, i cili është një vendbanim i antikës së vonë dhe mesjetës së hershme, e ku ruhet pjesa ma e rëndësishëm e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Deçanit dhe rrethinës.
Dëmtimi që mund të pësoj ky lokalitet arkeologjik nga zjarri, do të jenë të pa riparueshme.
Lokaliteti “Kulla e Qelisë”, është një lokalitet i rëndësisë së veçantë, i cili është me i vjetër se sa Manastiri i Deçanit, dhe si një lokalitete me vlera të veçanta historike, shteti duhet të ndërmarrë masat e duhura që të mos dëmtohet nga zjarri. / KultPlus.com
Sot mbushen 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.
Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se
ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të
Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe
kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së
Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit.
Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si
“ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve
nga represioni i forcave serbe.
Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.
Debati për ndërhyrjen e trupave të
NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas
krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës.
Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të
krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur
mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në
Ukrainë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga
Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja
në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga
SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në
Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran
dhe bashkimin e tij me Rusinë.
Bilanci i sulmeve
Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.
Nga bombardimet janë vrarë, sipas
vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë
shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë
goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona
të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.
Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve
të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të
Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë
humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të
zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se
860.000 kosovarë.
Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. / KultPlus.com
Erich Maria Remarque (fragment nga romani, “Thuamë se më dashuron”)
E dashura ime, mora prej teje një letër që më ka lumturuar.
Në të thuhet çdo gjë që një njeri mund t’i thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund të m’i thuash. Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund të shkojnë këtu fare pak. E prapë se prapë çdo herë çuditem pa masë dhe jo për gjë, por nga fakti që në një kohë të rrëmujës së madhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqni dorë nga këto kërkime, u bashkuan kokërr për kokërr.
Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund të mbajë brenda zemra ime. Është e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë të rëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kërkoja, u zhytën në harresë.
E ç’mund të jetë më i mrekullueshëm se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa, çfarë mund të lumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.
Si ka mundësi që për mua çdo gjë që ekziston në këtë botë, ndriçohet nga këto rreze, të një ndjenjësi e të pafund! Sa larg e pa vlerë duket tani shkëlqimi i rremë i aventurave, shqetësimet, prirja fëminore për të prishur, shpenzim të parave pa kriter e harresë.
Nuk dua të harroj më, por të kujtoj që të mbledh sa me shumë për ne të dy.
Ti je kupë, je zemër e hapur për të tjerët, ti që je gjithmonë e gatshme. Unë të dua dhe çdo gjë tek unë rritet e turret prapë drejt teje.
Era fryn e lëkund kallinjtë që fëshfërijnë si krahë të mëdhenj. Përqafomë fort e dashur, përqafomë, sepse nganjëherë më kaplon frika nga gjerësia e plotësia e ndjenjave, aq të reja janë ato për mua. Mund të mendosh se malli i ngarkuar është më i rëndë se vetë anija dhe se tani po i çon era në det të hapur.
Kjo është një frikë e kotë dhe në përgjithësi nuk është fare frikë, vetëm se është grumbulluar aq shumë dashuri, saqë mbrëmjeve më erren sytë e çdo gjë mbulohet me hije; ja pra, sa shumë përulem e gjunjëzohem para asaj që ndiej.
Kjo është pjekuria e stinës së verës që ka mbjellë lulëzimin, megjithëse askush nuk ka mbjellë asgjë, kjo është një verë me bimë të egra e një dashuri e harlisur, një lule e bukur dhe e fortë e jetës, lule që ka qëndruar shumë kohë e vetmuar…/telegrafi/ KultPlus.com
Në ditën kur fushata e famshme e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe që po kryenin gjenocid në Kosovë, ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, po u shpjegonte amerikanëve pse kjo fushatë ishte e domosdoshme.
Në një fjalim që tani gjendet online, më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, raporton KOHA.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.
Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.
“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton. (koha.mk)/ KultPlus.com
“Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por shkrin shpejt”.
“Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj nuk mund ta zërë askush”.
“Çdo mbretëreshe ka madhështinë e saj, por madhështia e nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës”.
“Nënë është fjala më e bukur në buzët e njerëzimit”.
“Nuk gjen në botë jastëk më të mirë se sa prehëri i nënës, e as trëndafil më të bukur sesa thellësia e shpirtit të saj”.
“Në këtë botë egoiste, vetëm nëna dëshiron të të shohë gjithmonë të lumtur”.
“Një nënë shikon gjithçka, flet pak, sakrifikon çdo gjë , ankohet pak, jep shumë dhe pret pak. Gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e saj të jenë të lumtur”.
“Gjithçka që është e bukur te njeriu, është krijuar prej rrezeve të diellit dhe prej qumështit të nënës, dhe kjo na mbush me dashuri, përjetësisht…”.
“Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të ndritura ose të errta”.
“Nëntë muaj je ushqyer nga gjaku i saj, ke marrë frymë nga oksigjeni i saj. Në hapat e para të jetës je mbajtur nga duart e saj… Mundohu që pjesën tjetër të jetës të bëhesh shkaku i lumturisë së saj…”./bota.al/ KultPlus.com
Nga: William Faulkner (fjalimi i tij më 1950, pasi pranon Çmimin Nobel për Letërsi). Përktheu: Granit Zela.
E ndiej se ky çmim nuk m’u dha mua si njeri, por veprës sime, veprës së një jete blatuar shpirtit njerëzor që vuan në agoni, jo për lavdi, aq më pak për pasuri, por për të krijuar prej thelbit të shpirtit njerëzor diçka që s’ka qenë kurrë më parë. Pra, më përket mua, vetëm në kuptimin e besimit. S’ka për të qenë e vështirë që paratë të shkojnë aty ku duhet, siç dhe e meriton përmbushja e qëllimit dhe domethënia e tyre qysh në krye të herës. Të njëjtën gjë dua të bëj edhe me këtë çast bujëplotë, ta shfrytëzoj me përgjegjësi, si një faltore, nga ku zëri im dëgjohet prej vajzave dhe djemve që i blatohen të njëjtit ankth dhe robëtimi, mes tyre padyshim është edhe ai që një ditë do të jetë këtu ku jam unë.
Tragjedia jonë sot është frika fizike e të gjithëve, në të gjithë botën, dhe na ka pushtuar prej kaq shumë kohësh sa jemi mësuar me të. Nuk bën më kush pyetjen se çfarë e trazon shpirtin. Por vetëm një dhe vetëm një: Kur do të hidhem në erë? Është kjo arsyeja pse djemtë dhe vajzat që shkruajnë sot, kanë harruar çfarë e trazon zemrën njerëzore që lufton me veten, çka dhe lind letërsi të madhe, sepse veç për ato ia vlen të shkruash, veç për këtë ia vlen vuajtja në agoni.
Duhet t’i mësoj edhe një herë të gjitha këto. Ta mësoj vetë se në themel të gjithçkaje është të pasurit frikë, dhe me ta mësuar vetë këtë, ka për ta harruar përgjithmonë, dhe s’do ketë vend në punishten e tij të shkrimit për asgjë tjetër përveç besimeve dhe të vërtetave të lashta të zemrës, për ato të vërteta të lashta dhe të përbotshme pa të cilat çdo rrëfim është i përkohshëm dhe jetëshkurtër: për dashurinë dhe nderin, mëshirën dhe krenarinë, dhembshurinë dhe sakrificën. Po nuk e bëri këtë, është i mallkuar. Nuk shkruan për dashurinë po për epshin, për disfatat ku humbësi s’humbet asgjë me vlerë, për fitoret pa shpresë, dhe më e keqja e të gjithave, pa mëshirë, pa dhembshuri. Brengat e tij, nuk e prekin mbarënjerëzoren, prandaj s’të brengosin. Të shkruarit nuk buron nga zemra, por nga thembra.
Derisa t’i mësoj edhe një herë këto, do të shkruaj si ai që gjallon mes njerëzve por rri dhe vështron fundin e njeriut. Unë nuk e pranoj fundin e njeriut. Është e lehtë të thuash se njeriu është i pavdekshëm thjesht sepse do të durojë, se kur të jetë dëgjuar boria e fundit e botëmbarimit dhe të jetë shuar shkundullima e shkëmbit të fundit në rrokullimë në atë mbrëmje të mbrame të përflakur që fiket, edhe atëherë, do të dëgjohet ende një kumbim: ai i zërit të tij të mezindjeshëm, të pashtershëm, që ende flet. Nuk e pranoj këtë. Besoj se njeriu jo vetëm do të durojë, por do të ngadhënjejë.
Është i pavdekshëm, jo sepse ndër të gjitha krijesat, vetëm zëri i tij është i pashtershëm, por sepse ka frymë, shpirt të aftë për dhembshuri, sakrificë dhe durim. Detyra e poetit, e shkrimtarit, është të shkruajë për to. Është e drejta e tij e veçantë ta ndihmojë njeriun të durojë duke ia çuar zemrën peshë, duke i kujtuar guximin, nderin, shpresën, krenarinë, dhembshurinë, mëshirën dhe sakrificën, të cilat kanë qenë lavdia e së shkuarës së tij. Zëri i poetit nuk duhet të jetë thjesht dëshmi e njeriut, sepse mundet me qenë gur themeli, kolonë kua ai mbështetet që të durojë dhe të ngadhënjejë./ Telegrafi/ KultPlus.com
KUJTIMI YT më hodhi këtë natë në thellësinë e brengave pa fund… (Ah, ëndërr’ e kaltër u këput në mes!…) Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë, por shteg’n e blertë nuk e gjen gjëkund, ndaj VEZULLON çdo mbrëmje… çdo mëngjes!…
Pranverë 1972
* * *
Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë si det me dallgë shpirti me ballada Më djeg kjo flak` e dashuris’ së parë Dhe dritë hedh tani mbi tri dekada.
Pranverë 1972
* * *
Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë. Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë! Veç . . . në s’ju çeli edhe kjo pranverë . . . Për jetë jini tharë. . . ah, për jetë!
Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar, shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi, me ata që ka përbri.
E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në TV. Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që e mbrojtën, që e deshën. William Wallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve, mikesha jonë franceze, Miriam Gaume.
Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa deshmitarë.
E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan e pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë, e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet. S’ ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s’mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtér. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë, qysh se i hynë kësaj rruge.
Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë. Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë.
24 mars
Gjithë ditën ka rënë telefoni. Mund të kem dhënë mbi dhjetë intervista. Një pjesë jashtë Francës.
Isha duke dhënë intervistë të drejtpërdrejtë në TV-in shqiptar, programi satelitor, që shihet nga gjithë diaspora, si edhe në Kosovë, kur spikerja, pas një ndërprerjeje në zë, thirri: “Filloi”. Pastaj m’u drejtua: “Zoti Kadare, sapo mbërriti lajmi se bombat e para ranë në Serbi. Cili është reagimi juaj?” Një grimë kohe nuk fola. Pastaj, pa u menduar, u përgjigja: “Kjo nuk më jep ndonjë gëzim. Nuk është mirë kur bombardohet një vend. Kam shpresuar gjer këtë çast për një zgjidhje tjetër”. Nuk më kujtohet mirë vazhdimi i intervistës. Kur mbaroi,ndjeva njëfarë shqetësimi: mos nuk ishte mire ajo përgjigje e atypëratyshme për bombat e para? Mos ishte shkurajuese, sidomos për shqiptarët në Kosovë? Fill pas intervistës, siç më ka ndodhur shpesh, pata disa telefonata nga Tirana. Intervista ishte pëlqyer. Të gjithë miqve që më telefonuan u bëra pyetjen lidhur me atë “pjesën delikate”. Më siguruan se askujt nuk i bëri përshtypje të keqe, përkundrazi, njerëzit mendonin, përgjithësisht, ashtu. Kërkova një mik kosovar në Gjermani, për t’i kërkuar mendimin. Ai e kishte dëgjuar intervistën dhe me tha të njëjtën gjë. Madje, shtoi se në Kosovë njerëzit ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun e kësaj pune dhe s’kishin ndonjë ngazëllim që Serbia do të shkatërrohej. Bashkë me qetësinë ndjeva nderim për popullin që i përkas. Mungesa e histerisë kombëtariste, që po vihet re kohët e fundit, nuk është e rastit…
Pjesë nga: Ditari i Kadaresë “Ra ky mort e u pamë” / topkadare/ KultPlus.com
Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, Publikohet raport-informacioni i 17 marsit të vitit 1973 për Enverin, Mehmetin dhe Hysniun lidhur me Estradën e Tiranës, i hartuar nga funksionari i lartë i Komitetit Qendror, Enver Halili, i cili informon rreth atyre që ndodhnin dhe thuheshin aty ku mes të tjerash shkruhet: “Nga diskutimet autokritike me partishmëri të aktorëve të njohur, Skënder Sallaku, Plasari, Shehu, Bukri, Sojli, etj, deri tek kritikat dhe akuzat e ashpra ndaj këngëtares së famshme që ishte bërë objekt diskutimi edhe te kolegët”?!
Dokumenti që po publikojmë në këto kapitull të librit i përket datës 17 mars të vitit 1973 ku funksionari i lartë i Komitetit Qëndror të PPSH-së Enver Halili, informon Enver Hoxhën mbi një mbledhje që është zhvilluar me kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni.
MBI DISKUTIMIN E FJALIMEVE TE SHOKUT ENVER, NE ORGANIZATEN BAZE DHE KOLEKTIVIN E ESTRADES PROFESIONISTE TIRANE
Analiza për problemet që trajton shoku Enver në dy fjalimet e fundit u bë mirë si në organizatë ashtu dhe në kolektiv. Komunistët dhe mjaft pjestarë të kolektivit të cilët diskutuan, ishin përgatit serjozisht dhe me frymmën e kritikës dhe autokritikës ngritën mjaft probleme në mënyrë të veçantë për veten e tyre dhe për të tjerët. Në organizatë bazë diskutuan pa përjashtim të gjithë komunistët, kurse në kolektiv mbi 15 vetë.
Në fillim, në organizatën bazë, diskutimet u përqëndruan më shumë në një drejtim, në atë të shijeve dhe modës, por me ndërhyrjet që u bënë, morrën rrugë më të drejtë, ndërsa në kolektiv orientimi për t’i parë problemet në gjerësinë e tyre u bë më parë dhe kjo ndihmoj për mbarëvajtjen e punës. Në tërësi diskutimet, me ndonjë përjashtim, trajtuan problemin e ndikimeve të huaja të ideologjisë borgjeze revizioniste në përmabjtje dhe formën e punës në skenë, si dhe për sjelljen e kulturuar, shijet estetike dhe modën.
“NE ESTRADE KANE DEPERTUAR FORMA DHE NDIKIME TE HUAJA”1 of 3
Gjatë zhvillimit të mbledhjes doli se në përgjithësi ka pasur një preokupacion nga organizata bazë dhe disa punonjës pa parti për t’i parë dhe trajtuar drejtë disa probleme si të përmbajtjes dhe të formës së çfaqjeve, ashtu dhe për sjelljen e kulturuar në jetë, shijet ideoestetike dhe modën. Tek këto të dytat rezulton se ndonjëherë është ndalë organizata bazë dhe drejtoria e institucionit sidomos këto dy vitet e fundit me emërimin si drejtor të të shokut Dhimitër Gjoni. Megjithë këtë shokët dhe shoqet që folën, me syrin kritik, ngritën dhe vunë në dukje mjaft çfaqje dhe ndikime të ideologjisë së huaj, kapitalise dhe revizioniste në art, që kanë depërtuar në forma të ndryshme e nga ndonjë person i veçantë edhe në spektaklet e tyre sidomos në muzikë, dekor dhe paraqitje.
Disa nga ndikimet e huaja që kanë depërtuar në trupën e Estradës
-Nga një herë të prirë për të siguruar “suksesin”, pa marrë parasysh misionin e ngarkuar, rolin e estradës si revist folëse edukative, nga udhëheqja dhe më shpesh nga regjia dhe ndonjë aktor i kanë kushtuar rëndësi humorit për humor, pa përmbajtje. Në këtë drejtim u sollën mjaft shëmbuj të realizuar në premierë të ndryshme. Ky fenomen i theksuar ka qenë intermexo dhe parodi, ndonjë nuancë ka pasur dhe në skeçe.
“VAÇJA NUK VJEN TRE MUAJ NE PUNE DHE I PAGUHET RROGA”
-Për të “rritë” vlerën e premierës, për të pasë shumë “sukses”, me dashje kanë vënë një numër të madh këngë të huaja nga njëherë pa ditë dhe përmbajtjen. Përveç “arsyeve”, të sipërpërmëndura tek disa ka ekzistuar edhe predispozicioni e dëshira për të vënë ose kënduar këto këngë. Në një premierë, nga 15 këngë shqiptare që iu afruan për të zgjedhur 1 ose 2 këngëtares, Vaçe Zela nuk pranoi asnjë, dhe isnsistoj të këndoj një të huaja spanjolle, mbas diksutimit me të, drejtuesit u thyen dhe u bë ashtu ashtu siç deshi ajo. Ky debat u bë me Vaçen edhe për një premierë tjetër, por me të drejtë nuk u morr parasysh kërkesa e saj.
Vazhdimisht ka mbajt dhe mban qëndrim kapriçioz, mospërfillës dhe arrogant karshi organizatës bazë, drejtorisë dhe kolektivit, ka mbi tre muaj që nuk paraqitet fare në punë pa asnjë arsye. Nga drejtoria dhe kolektivi janë bërë përpjekje për ta ndihmuar por më kot. Komiteti Ekzekutiv i rrethit është në dijeni të këtyre qëndrimeve të saj por megjithatë ka porositë drejtorinë që t’i paguaj rrogën sikur ajo të ishte në punë. Organizata bazë dhe kolektivi nuk janë dakord me këtë qëndrim.
“SKENDER SALLAKU: E KEMI EDUKUAR KEQ SPEKTATORIN ME MUZIKE TE HUAJ”
-Të udhëhequr nga arsyetime të gabuara ideologjikisht, se gjoja muzika e huaj e sidomos ajo ritmike i pëlqen rinisë, ishte bërë zakon në Cirk dhe Estradë, nga regjizori, (Bujar Kapexhiu, shënimi ynë. D.K), ndonjë krijues dhe aktor, shoqërimi i parodive e ndonjë skeçi kryesisht me muzikë ritmike të huaj. Në diskutimin e tij kandidati partisë, artisti Skënder Sallaku në mes të tjerave tha: “Ne kemi edukuar keq spektatorët e sidomos rininë duke vënë në parodi muzikën e huaj, bile është zgjedhura jo më eksituesja, jemi entuziasmuar nga duartrokitjet të cilat zakonisht fillonin sa dëgjoheshin notat e para të muzikës dhe aq bënte për përmbajtjen e tekstet i cili në më të shumtën e rasteve nuk dëgjohej fare”. Kujtim Shehu, aktor dhe krijues në Estradë tha: “Kur kishim ndonjë skeç të dobët, me qëllim për ta bërë të suksesëshëm, i futnim melodi të huaj, në gabime të tilla në ndonjë rast kam vënë dhe unë, por tani e kuptoj se duke dashur të vëmë vetulla, kemi nxjerrë sytë”.
Dardan Noka Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i Festivali DAM, në një intervistë për KultPlus, në prag të edicionit të katërmbëdhjetë ka biseduar për programin e veçantë që kanë këtë vit, për vështirësitë që kanë kaluar dhe për lajmin e mirë që kanë marrë. Festivali DAM edhe këtë vit vazhdon rrugëtimin e tij duke sjellë një program të pasur për gjashtë ditë dhe net.
Alberina Haxhijaj
KultPlus:
Kanë mbetur edhe disa ditë deri në edicionin e radhës të Festival DAM, çfarë
mund të presim nga ky edicion?
Dardan
Noka Selimaj: Ky edicion do jetë i ngjeshur me
ligjërata, punëtori, koncerte dhe Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në
Prishtinë që sivjet shënon edicionin e parë dhe mendojmë ta organizojmë çdo dy
vjet. Në këtë garë çmimi kryesor është “Rreqebulli i Argjendte” i
punuar nga Leke Berisha. Ky do jetë simboli i garës dhe gjithmonë do të punohet
nga artizanët e Kosovës. Kjo për të promovuar filigranin por edhe Rreqebullin
si specie në zhdukje e që përveç tjerash jeton edhe në një pjesë të territorit
të Kosovës. Qëllim është krijimi i një
programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit
perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe
institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.
Rrugëtimit të 14-të të festivalit i janë
bashkangjitur ansambli Oerknal, formacion lider në promovimin e muzikës
bashkëkohore, solistë e orkestra prestigjioze Evropiane Olivier Doise, Eric
Lacrouts, Laurent Verney dhe Vlorent Xhafaj, pianisti Romain Nosbaum, Zala
Kravos e konsideruar një yll në ngritje dhe ndër talentet e rrallë të momentit,
artistja e Steinway-it Olga Zado, dirigjenti polak Szymon Makowski dhe
Quartteto di Cremona, ansambli më i mirë i gjeneratës së tyre që nga themelimi
(2000). Padyshim që në këto 6 ditë e net të festivalit vazhdojmë me promovimin
dhe paraqitjen për herë të parë të artistëve të rinj vendor, ndër ta edhe
ansambli tashmë i konsoliduar sFOURzando të cilët po rriten artistikisht duke
parakaluar nëpër edicione të ndryshme të festivalit. Në skenën e dytë të festivalit
do shëtisim nëpër gamë të gjerë stilesh muzikore nga ajo folklorike e deri tek
ritmet e muzikës elektronike përmes performancave të Nezafete Shalës, grupit
zviceran Die Die Be, dyshes Rene van Munster dhe CS, Oda Halitit e jo vetëm.
Ky edicion do të jetë një edicion me shumë vepra premierë, madje edhe premiera botërore. Instrumentistët pjesëmarrës janë përzgjedhur me kujdes dhe jemi shumë të lumtur që çdo mbrëmje do kemi mundësinë të dëgjojmë interpretime absolutisht të nivelit botëror.
KultPlus:
Secili edicion që kemi lënë pas ka pasur vulën e tij, me cilën do të
karakterizohet ky vit?
Dardan
Noka Selimaj: Ky edicion fokus ka Ballkanin. Kjo edhe
për faktin se pjesë të tij e kemi bërë Garën Ballkanike. Anda Kryeziu, Damjan
Jovicin, Angel Spiroski, Nemanja Radivojevic dhe Ylli Daklani janë finalistët e
konkursit në të cilin kemi pranuar një numër të konsiderueshëm aplikimesh dhe
jemi të lumtur që në finale kemi pesë kompozitorë që absolutisht do jenë befasi
për dëgjuesin dhe publikun kosovar. Në përgjithësi edhe jashtë garës kemi
programuar vepra të kompozitorëve të Ballkanit, rajon nga i cili ende është
vështirë të depërtohet.
KultPlus:
DAM Festival në nisje të edicionit të 14-të ka fituar edhe etiketën EFFE Label
si festival i dalluar i arteve për cilësi. Çfarë nënkupton kjo për festivalin?
Dardan Noka Selimaj: Kjo vulë iu jepet festivaleve pas vlerësimit të bërë nga ekspert ndërkombëtar në botën e festivaleve. Për tu kualifikuar për etiketën EFFE, një festival duhet të përmbush së paku 7 nga 10 standarde të cilësisë. Festivali DAM ndër vite ka prezantuar konsistencë në programin artistik, ka mbështetur zhvillimin artistik të shumë muzikantëve dhe artistëve përmes rezidencave të organizuara, ka mbështetur ide të reja kreative dhe eksperimentale dhe projekte kërkimore artistike. Me aktivitetin e tij festivali është vlerësuar për kontributin në rrafshin lokal e njëkohësisht ka shërbyer si platformë për rrjetëzim me organizata dhe festivale në Evropë. Pavarësisht vështirësive ka arritur të shpërfaq konsistencë dhe stabilitet në zhvillimin e aktiviteteve dhe ka qenë i përfshirë në mbështetjen e kauzave nga të drejtat e njeriut deri te integrimi i grupeve të margjinalizuara në jetën kulturore të vendit, dhe jo më pak e rëndësishme, shtyllë qendrore ka pasur dhe vazhdon ta ketë programin edukativ me organizimin e akademive verore, programeve artistike rezidente, punëtorive që e bëjnë një prej vlerave të çmueshme për komunitetin e muzikantëve dhe jo vetëm.
KultPlus:
Kanë kaluar katërmbëdhjetë vite që kur u mbajt edicioni i parë, sa ka qenë i
vështirë ky rrugëtim?
Dardan Noka Selimaj: Ka pasur batica dhe zbatica. Më pëlqen se këtë vit po e ndjejë më shumë se asnjëherë në pesë vitet e fundit energjinë e një gjenerate të re të muzikantëve në Kosovë të cilët janë duke punuar fort për paraqitjen e tyre. Më kujtohet elani dhe entuziazmi i fillimeve të festivalit, prandaj jam shumë optimist. Ndoshta mund të jem nostalgjik mirëpo jo, e besoj se jam objektiv. Gjenerata dhe fryma e re gjithmonë është shpëtimi i këtij vendi, edhe në kulturë. Më vjen keq që nuk ka ndryshuar shumë çka sa i përket ambienteve ku e zhvillojmë aktivitetin, ndonëse kjo shpesh herë mund të shërbejë për gjetje të reja megjithatë është koha që të mendohet më seriozisht për sallën e re por edhe renovimin e hapësirave ekzistuese.
KultPlus:
Çdo vit arrini që të sjellni një program të pasur me muzikant vendor por edhe
ndërkombëtarë. Çfarë ju shtyn që të vazhdoni edhe me tutje?
Dardan Noka Selimaj: Ndoshta vështirësitë me të cilat ballafaqohemi… rruga sfiduese për të krijuar diçka. Po të ishte e kollajshme ndoshta nuk të merreshim me këtë punë. Shpesh na pyesin pse e vazhdoni? Përgjigja është e thjeshtë kur shohim prapa ndikimin që ka pasur dhe vazhdon të ketë tek skena e kulturës në vend e sidomos kur për punën tonë dëgjojmë nga muzikantë e organizator festivalesh nga SHBA – ja deri në Japoni, konsiderojmë se po bëjmë diçka të mirë. Nëse puna që bëjmë ne por edhe shumë festivale të tjera është shtysë se duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë vendin e një vend që beson në demokraci medoemos duhet të besoj në kulturën dhe ta mbështes atë. Nëse nuk do të ekzistonin festivalet dhe ngjarjet kulturore, salla e koncerteve nuk do ishte temë.
KultPlus:
Festivalet janë një pasuri kulturore e Kosovës. Ku zë vend DAM-i dhe sa është i
rëndësishëm ky festival për Kosovën? Po, për institucionet?
Dardan
Noka Selimaj: Festivalet natyrisht e plotësojnë madje
edhe janë bartëset kryesore të mozaikut kulturor të Kosovës. Për institucionet
besoj se është i rëndësishëm por nuk është mjaftueshëm, duhet mbështetur ende
më shumë. Potenciali i festivaleve mund të shfrytëzohet më shumë sidomos për
një vend në zhvillim si Kosova.
KultPlus: Jemi mësuar që të DAM-i të na befasojë me përzgjedhjen e lokacioneve të cilat mbrapa vetës shpesh herë kanë bartur edhe një mesazh. Përmes festivalit keni theksuar edhe nevojën e Prishtinës për të pasur një sallë koncertale e cila akoma mungon. Në mungesë të saj, sivjet në çfarë hapësira do të mbahet Festivali DAM?
Dardan Noka Selimaj: Këtë vit ngjarjet do zhvillohen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe disa të tjera në MENZA Ramiz Sadiku dhe Fondacioni 17. Jemi kthyer tek Salla e Kuqe, por ama instalacioni që do shërbejë edhe si skenografia e skenës kryesore të festivalit e punuar nga Vesa Gashi do jetë impresive. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën dhe kreativitetin e Vesës. Ndoshta është hera e parë që nuk kemi ndërhy në asnjë pikë. E falënderojë jashtëzakonisht për përkushtimin dhe ndihmën që i ka dhënë festivalit./KultPlus.com
Kosova është duke u prezantuar për herë të parë sivjet me stendë në Panairin e Librit në Leipzig. Ky panair njihet edhe si Panairi i Autorëve dhe Evropës Lindore dhe Juglindore është edhe pse me përmasa më i vogël sesa në Frankfurt është në fokus të jetës kulturore gjermane dhe europiane çdo pranverë.
KultPlus ka biseduar me Samir Hoxhën,
këshilltarin politik të ministrit Kujtim Gashi. Hoxha ka treguar se ai së
bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës Beçë Cufaj, gjatë qëndrimit të
tyre në Gjermani kanë takuar edhe Drejtorin e Panairit të Librit në Leipzig, Oliver
Zile.
“E falënderova z. Oliver Zille për ofrimin e
mundësisë për vendit tonë për të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig me
autorët dhe stendën e posaçme. Po ashtu në emër të Ministrit Gashi e kam ftuar
z. Zile për vizitë në Kosovë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm,
me theks të veçantë për të diskutuar edhe për hapat përfundimtar drejt
anëtarësimit zyrtar të Kosovës në TRDUKI”, ka treguar ai për KultPlus.
Hoxha po ashtu ka thënë se drejtori i Panairit ka theksuar se ai dhe ekipi i tij drejtues edhe në të ardhmen do të bëjnë çdo gjë për të ndihmuar praninë e vlerave kulturore të Kosovës në këtë Panair.
“Paraqitja e Kosovës sivjet nuk është e rastësishme por nga ky vit, vendi ynë do ta shndërrojë në traditë pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë Panair të rëndësishëm të Librit ku sidomos autorët luajnë një rol të rëndësishëm me prezantimet e tyre”, ka theksuar Hoxha për KultPlus.
Me rreth 200.000 vizitorë dhe 3000 botues nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës, sivjet Kosova është risia e këtij Panairi. Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e cila në stendën e saj do të prezantojë botimet më të reja nga Republika e Kosovës./ KultPlus.com
Shkrimtarja angleze, Onjali Q. Raúf, ka fituar çmimin “Waterstones” për libra për fëmijë me romanin e saj debutues, të cilin e shkroi në periudhën e shërimit pas operacionit që ia shpëtoi jetën.
Raúf është themeluese e organizatës bamirëse “Making Herstory”, e cila lufton trafikimin dhe skllavërimin e grave. Pas operimit që iu bë, asaj iu tha se kishte vetëm edhe tre javë jetë. Ndërhyrje të tjera kirurgjike më të vona e më të mëdha ia shpëtuan jetën, por e detyruan Raúfin të kalonte tre muaj duke u shëruar me regjim shtrati, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Gjatë asaj kohe, gjithçka që ajo mund të mendonte ishin gratë që ajo kishte takuar gjatë punës në kampet e refugjatëve në Calais dhe Dunkirk. Një numër i madh i tyre ishin shtatzëna ose me dhimbje. Një grua siriane, Zainab, kishte lindur një djalë që e quajti Raehan.
“Papritmas ky titull, ‘The Boy at the Back of the Class’ u fut në kokën time”, thotë Raúf, fituesja e çmimit të themeluar më 2012 nga rrjeti anglez i shitjes së librave.
“Unë nuk mund të mos mendoj për Raehanin dhe sapo mjekët thanë se isha në rregull për t’u ulur përsëri, fillova të shkruaj. Libri Ishte shkruar për shtatë apo tetë javë”.
Romani tregon historinë e një refugjati nëntëvjeçar të quajtur Ahmet, i cili ka ikur nga lufta në Siri. Kur fëmijët në klasën e tij e kuptojnë se ai është i ndarë nga familja e tij, ata përgatisin një plan për ta ndihmuar. Sipas blerëses së romaneve të çmimit “Waterstones”, libri fitues është një lloj zhanri klasik i së ardhmes që tregon shumë mirë se çfarë tregimesh mund të arrihen.
“Rauf ka shoshitur atë që se çfarë do të thotë të jesh person i sinqertë dhe pozitiv në një histori që shkëlqen me dashamirësi, humor dhe kuriozitet”, ka thënë Martin. “Personazhet e saj dalin nga libri me një buzëqeshje të ngrohtë, të formuar plotësisht si model për jetën e përditshme, të gatshëm për t’u futur në një aventurë ambicioze që është edhe argëtuese dhe jashtëzakonisht e mahnitshme. Librat e fëmijëve kanë një sërë temash të vështira për t’ua përcjellë lexuesve të rinj, dhe Rauf e përqafon këtë me një qasje optimiste”.
Romani u shpall fitues i përgjithshëm i çmimit për librat e fëmijëve me vlerë prej 5 mijë sterlina (5.835 euro) përpara fituesve të kategorive, si libri i Tomi Adeyemi, “The Children of Blood nad Bone”, që ka fituar çmimin për roman për të rritur dhe “The Girls” i Lauren Ace and Jenny Løvlie, që fitoi çmimin për libër të ilustruar.
Raúf ia kushton librin djaloshit Raehan,. “Foshnja e Calais dhe miliona fëmijë refugjatë anembanë botës kanë nevojë për një shtëpi të sigurt dhe të dashur”. Por ajo ka kohë që nuk e ka parë atë.
“Për fat të keq kam humbur kontaktet me ata ditën që takova Raehanin”, ka thënë ajo. “Kur ishim duke e lënë ne pamë policinë që po vinte për të prishur kampin. Kam pasur numrin e telefonit të Zainab dhe u përpoqa ta telefonoja në një tjetër ditë, por nuk ia dola, prandaj nuk e di se ku janë, apo nëse janë mirë. Ai tani është dy vjeç e gjysmë”.
Rauf tani po shkruan një tjetër roman, “The Star Out My Window”, që trajton temën e dhunës në familje nëpërmjet një vajze që shkon në kërkim të një ylli “për shkaqe të trishtuara”. Por fokusi i saj kryesor është bamirësia dhe kampet e refugjatëve, ku ajo vazhdon të punojë në kohën e saj të lirë. “Është shumë sureale, sepse jeta ime e vërtetë kundrejt jetës sime të librit janë botë të ndryshme”, ka thënë ajo. “Po shoh njerëz që janë të shqetësuar, të trafikuar, po përpiqem të merrem me gjëra të rasteve emergjente dhe pastaj në këtë botë tjetër ke shampanjë e gjëra të tjera. Fitimi i këtij çmimi është njëfarë qershie me të vërtetë masive mbi një tortë mahnitëse”, ka thënë autorja./koha.net/ KultPus.com
Këngëtarja e njohur Elina Duni ka fituar dje një çmim të rëndësishëm ku është shpërblyer për albumin e saj “Partir”, shkruan KultPlus.
Duni është shpërblyer me çmimin “Albumi më i
mirë ndërkombëtar për vitin 2019” në Bruksel në “Klara Awards” . Këtë lajm e ka
bërë të ditur vet këngëtarja e cila është shprehur lumtur dhe i ka falënderuar të gjithë që e
kanë ndihmuar në këtë rrugëtim.
Albumi “Partir” ka disa këngë brenda tij, përfshirë “Amara Terra Mia”, “Vaj si Kenka” – një këngë tradicionale shqipe nga Maqedonia, “Meu Amor”, “Vishnja” dhe melodi të tjera të bukura që rrjedhin prej zërit të veçantë të Elinës.
Elina Duni mbetet ndër zërat më të mirë
shqiptarë në botën e muzikës jazz. Ajo ka qenë disa herë me koncerte edhe në
Prishtinë.
‘Partir’ është projekti i radhës i cili e sjellë Elinën edhe më afër shqiptarëve dhe kulturës e muzikës shqipe, pasi brenda albumit janë përfshirë këngë të trevave të ndryshme shqiptare. / KultPlus.com
Këngëtari Armend Rexhepagiqi këtë të hënë do të jetë pjesë e një emisioni televiziv në Klan Kosova.
Së fundmi i rikthyer në bashkëpunimin me këngëtaren “Tuna”,
për një version tjetër të këngës “Harrova”, por edhe si bashkëpunëtor i Tunës
dhe Elvana Gjatës.
Në një episod të shkurtër të emisionit që po vjen, Armendi
tregon pak prej arsyeve pse ai është zhdukur prej skenës muzikore për një kohë
të gjatë.
“Nëse je njeri normal ngopesh nga skena. Nëse dëshiron tërë kohës të të adhurojnë, atëherë nuk ngopesh kurrë” tregon Armendi në këtë intervistë.
Armendi mbetet ndër këngëtarët më të mirë shqiptarë i cili për vite me radhë nuk ka publikuar asnjë këngë të tijën personale, por vetëm ka bashkëpunuar në projekte muzikore të këngëtarëve tjerë. / KultPlus.com
( Hapja e ekspozitës: E mërkurë, 27 mars 2019, ora 20:00 )
Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë ka kënaqësinë të prezantojë Everlast, ekspozitë me artistin Lek M.Gjeloshi, kuruar nga Vala Osmani.
Ky është bashkëpunimi i parë i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë me Lek M.Gjeloshin.
Everlast është ekspozitë e cila eksplorohet nëpërmes video instalacionit shumëkanalësh specifik për vendndodhjen, që bazohet në serinë e punëve monokromatike, i bërë gati për rrugëtim nëpër hapësirën e Klubit të Boksit.
Ekspozita zhvilloi një produkcion të ri të punëve dhe një proces sfidues për artistin i cili kërkon hapësirën specifike për të theksu punën e tij. Monokromatika, e bardha dhe e zeza në punët e Lekës, i heq ngjyrat e realitetit për të krijuar hapësirë për një tonalitet shpirtëror mes soditësit dhe fragmentit të soditur, e hulumtuar vizavi me “efektet tjetërsuese të hapësirave në limb” (Forbes 2018).
Everlast çliron imazhe nga kujtesa e afërme dhe e largët, duke këmbëngulur në një ngjyrë të vetme si formë e fundme e paraqitjes, me bokserin si personazh dhe me fuqinë e pafundme të (pa)njohur të pranuar nga hapësira, me artistin i cili qëllimisht eksploron referenca rrethanore dhe kinematografike për të ndërtuar tregime. Gjashtë tregimet, me personazhet e vizatuara gjatë natës, që përsillen në hapësirë, lëvizin ngadalë ose përpiqen të lëvizin, duke sfiduar, duke e përballur, duke ngritur kurthe, për të ndjellur shikuesin. Të zhveshura nga ngjyrat për të luajtur në këtë vendndodhje specifike, akoma me shtresat e ngjyrave ekzistuese të cilat shënjojnë histori dhe kohë, Klubi i Boksit mirëpret vizatimet e Everlast dhe personazhet e saj, ku: Ringu i boksit është prap i dukshëm. Bokseri në vetmi, godet në zbrazëti. Maca lëvizë brenda dhe jashte. Era. Tingulli. Nusja. Boksieri i lodhur që bën dush, shkujdesur shtrëngon një shkop bejsbolli. Trupi duke qëndruar në vaskë. Gratë mitologjike që shikojnë njëra tjetrën, mbi trupin e boksierit.
Përsonazhet e Everlast, të ekspozuar në një hapësirë të përjetshme, ringjallen në të, në mënyrë që të mund të vdesin përsëri. Boksieri dhe personazhet e tjera magjepsëse janë aty për të përsëritur, për të zhvendosur, për të shtyrë kufinjtë e ngjashmërisë dhe të hapësirës (Sturtevant 2007). Në kulturën popullore, termi ‘Everlast’ është sinonim i boksit ndonëse kompania e filloi punën si fabrikë për prodhimin e kostumeve të notit në Bronx (SHBA) në vitin 1910. Në web faqen e kompanisë, shkruhet që shtatëmbëdhjetë vjeçari Jacob Golomb, filloi të prodhonte kostume për të cilat ai garantonte një kohëzgjatje njëvjetore.
Ky titull e pozicionon artistin në një raport të mistershme me të kaluarën e hapësirës së Klubit të Boksit dhe me historitë që provokojnë vizatimet e tija. Hapësira aktivizohet, gjithnjë në marrëdhënie me përmbajtjen e veprimeve të njohura e të panjohura.
Lek M.Gjeloshi (1987, Shkodër, Albania) studioi Arte Vizuale në Akademinë e Arteve të Firences, në Itali (2010). Praktika e tij artistike fokusohet në përpunimin e një intensiteti të veçantë që çliron mungesa e një objekti të paracaktuar kërkimor.
Ndër ekspozitat personale, përmendim: “Sleepwalkers” në Galerinë Zeta (Tiranë, 2018); “All my colours turn to clouds” në Villa Romana (Firence, 2016); “Off-cells” në Galerinë e Arteve të Shkodrës (Shkodër, 2016). Në vitin 2016 u shpall fitues i çmimit “Ardhje” për artistët e rinj, organizuar nga TICA – Tirana Institute of Contemporary Art në Shqipëri. Në 2015-ën ishte fitues i çmimit “Idromeno”. Ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash kolektive që nga viti 2007, si: “Ex Gratia”, kuruar nga Adrian Paci dhe Rischa Paterlini në Collezione Iannaccone (Milano, 2018); “A time for dreams”, kuruar nga David Elliott në Muzeun e Artit Modern Moskë (Moskë, 2014); “Fuori Posto”, “Nuovo Cinema Masaccio” dhe “Lontano da dove?”, kuruar Pier Luigi Tazzi në Casa Masaccio dhe në Fondacionin Lanfranco Baldi (Firence, 2014, 2013, 2012). Në vitin 2018 ishte artist në rezidencë në Residency Unlimited, New York.
EVERLAST e artistit Lek M. Gjeloshi u mbështet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG.