Krasniqi, mbiemri më i përhapur në Kosovë

Të gjithë e dimë se mbiemri është pjesë e rëndësishme e identitetit tonë.

Por a e keni ditur se cilët janë mbiemrat më të përhapur në Kosovë?

Krasniqi, Gashi, Berisha, Morina, Shala, Bytyqi, Hasani, Kastrati, Kryeziu dhe Hoti dhe janë top dhjetë mbiemrat më të përdorur në Kosovë, përcjellë albinfo.ch.

Statitstikat e sjellura nga Buletini ekonomik tregojnë edhe numrin e njerëzve që bartin këta mbiemra.

Krasniqi – 58199 njerëz

Gashi – 57396 njerëz

Berisha – 43727 njerëz

Morina – 27222 njerëz

Shala – 25585 njerëz

Bytyqi – 18840 njerëz

Hasani – 13187 njerëz

Kastrati – 13015 njerëz

Kryeziu – 12882 njerëz

Hoti – 12709 njerëz

Dy fjalë për Adnan Merovcin, po të ishte gjallë Ibrahim Rugova kish me t’thanë: Hiqju shkrimit Merovc

Shkruan: Elida Buçpepaj

Adnan Merovci ka vendosur të ndryshojë profesion në kohën e pleqërisë, në atë fazë kur njeriu duhet të jetë i urtë, i drejtë dhe i vërtetë me veten dhe botën.

Adnan Merovci ka vendosur nga bodygurd të kthehet në person publik. Ka marrë shembull nga Skënder Hyseni që, nga përkthyes i Ibrahim Rugovës, u bë deputet e ministër.

Në Shqipëri e Kosovë sot bëhesh çka të duash, bëhesh (me)nder i kombit, veteran i luftës, shkrimtar e poet, kryetar partie e deputet, mjafton që të jesh sharllatan dhe analfabet!

Analfabetët urrejnë botën shqiptare, sepse kanë kompleksin e inferioritetit;

botën shqiptare e urrejnë edhe figurat e irnosura me skeletë nëpër dollapë gjatë periudhës të pushtimit dhe diktaturës.

Bota shqiptare sot në kulmin e revolucionit të informimit po dergjet nën terrin e dizinformacionit dhe manipulimeve. Këtë tragjedi e vuan historia, e shkuara dhe ajo bashkëkohore, historia e letërsisë, arti, kultura e gjithçka. E ndihmuar mjerisht nga mediat të cilat vendosin në qendër të vemendjes gjithkënd që paguan, ose gjithkënd që fiton rëndësi jo për vlerat individuale, integritetin, kapacitetin dhe aftësitësitë por si homo politicus.

Rasti i Adnan Merovcit është i veçantë, sepse ai ka qenë me të vërtetë bodyguardi i Ibrahim Rugovës dhe natyrisht i ka qendruar shumë pranë Liderit të Pavarësisë.

Kur i rri afër një njeriu si Rugova, të paktën do të duhej të kishte mësuar diçka prej figurës më të shkëlqyer që kanë patur shqiptarët këtë qindësh vjeçar.

Adnan Merovci të paktën do të duhej të respektonte njerëzit që i ka respektuar Rugova dhe, nëse i tekej të shkruante libra, do të duhej të respektonte të vërtetën.

Adnan Merovcin e ka kapur zelli i të shkruarit postmortum Ibrahim Rugovës, se ky zell do të duhej ta kapte që në gjallje.

Nuk kam ndër mend të lexoj librat e Adnan Merovcit, sepse, deri sa ka rrejtur një herë me shkrim, mund të rrejë deri në fund.

I referohem librit të tij të parë, ku Adnan Merovcki nuk shkruan asgjë për lidhjen e ngushtë që kishte Ibrahim Rugova me Skënder Buçpapajn, lidhje direkte e krijuar prej vitit 1991. Skënderi ishte njeriu i parë që e ka intervistuar Rugovën në Shqipëri dhe pastaj kjo lidhje është forcuar deri në fund të jetës të Rugovës.

Kanë mbetur ende dëshmitarë të gjallë që mund të vërtetojnë këtë gjë. Nuk e di nëse ua ka prerë kush gjuhën!

Përveç lidhjeve si intelektualë, si njerëz të letrave, Ibrahim Rugova bashkëpunoi shumë ngushtë gjatë periudhës kur Skënderi ishte në krye të RTSH. Ishte koha më e bukur për Rugovën kur vinte në shtetin amë me krahë. Të gjitha rrugët nga shkonte e vinte nëpër botë kalonin përmes Tiranës. Rugova e shijonte Tiranën. Në këtë kohë kishte një miqësi shumë të ngushtë me Sali Berishën. I shkonte në shtëpi, darka e dreka. E donte shumë Berishën deri në kohën që përkoi me largimin tonë për në Zvicër në pranverën e 1996, kur e braktisi Tiranën dhe nuk u kthye më kurrë kur u ndje me miqësi të thyer. Edhe për shkak të vdekjes që e ndërpreu jetën e tij në mes atëhere kur i duhej më shumë Kosovës.

Periudha 1991 deri 1995 kur Ibrahim Rugova forcoi bashkëpunimin me Skënderin lidhej  me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ishte koha kur ish-Jugosllavia po digjej në flakë, kishte plasur konflikti në Kroaci dhe Bosnje dhe Kosovës iu mbyll edhe një dritare e vetme informimi disa minutëshe nga radio Zagrebi por iu hap një portë e madhe në RTSH, me dy programe radiofonike të mbrëmjes, që drejtoheshin nga gazetarë të Kosovës dhe më vonë Programi Satelitor për diasporën, ndërkohë që lajmet për Kosovën ishin të përditëshme në RTSH.

Duke i dhënë shumë rëndësi informimit dhe mirëinformimit, çka kërkonte fuqizimin e këtyre mediumeve informative me siglën e Kosovës të inkorporuar në RTSH, Ibrahim Rugova shihte tek Skënderi një bashkëpunëtor shumë të rëndësishëm. Dhe nuk mund të flasësh për këto mediume pa përmendur aktorët ideatorë deri në realizimin e projektit, që sipas hierarkisë ishin Ibrahim Rugova bashkë me Qeverinë e Kosovës, Sali Berisha dhe Skënder Buçpapaj. Programet e përditëshme të lajmeve për Kosovën ku informohej për situatën nën pushtim, përgatitur nga gazetarët nga Kosova përmes radios dhe pastaj përmes satelitit në RTSH ishin një arritje shumë e madhe dhe Rugova fluturonte prej këtij suksesi.

Sa herë që Ibrahim Rugova do të vinte në Tiranë, edhe pasi projekti u realizua, ai do të vinte të takohej patjetër me Skënderin, do të na ftonte edhe tek vila 31 për darka. Rugova i vinte direkt në zyrë Skënderit. I pari që do të lajmëronte vizitën e tij ishte Adnan Merovci, Merovci hynte i pari, pastaj Rugova. Kam qenë e pranishme në shumë takime midis Rugoves dhe Skënderit. Një herë Rugova sa hyri në zyrë e uroi për interpelancën e një dite më parë të Skënderit, thirrur nga partia e Arben Imamit, Neritan Ceka e Spartak Ngjelës, pas denoncimit nga televizioni shqiptar i vizitës së tyre të turpëshme tek Milosheviçi në Beograd. “E ndoqa Skënder interpelancën nga shtëpia e Berishës”, i tha Skënderit në konfidencë.

Adnan Merovci e kryente shumë mirë detyrën si bodyguard, ai nuk qëndronte asnjëherë në zyrë gjatë takimeve që zhvillonte Rugova me Skënderin, apo tek Vila 31 kur Rugova vinte gjithmonë nga Prishtina me grupin e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Kur e larguan Skënderin nga RTSH më 1995 përmes një puçi tipik të stilit stalinist, Ibrahim Rugova u shqetësua. Ai u përpoq të ushtronte ndikimin e tij direkt por edhe përmes njerëzve të tij që kishin ndikim tek Berisha. Njeri prej tyre ishte Bujar Hoxha.

Takimi i parafundit që kemi patur me Rugovën ka qenë në Tiranë kur ai erdhi dhe e takoi Skënderin pas shkarkimit ndërsa Skënderi po përgatitej të linte zyrën.

U takuan si njerëz të letrave, si kolegë dhe miq të mirë. Aty ishte edhe Merovci edhe unë, Merovci si zakonisht jashtë zyrës, unë brënda. Dhe nuk e harroj kurrë, kur Rugova doli nga dera, Merovci për një moment u shkëput, hyri dhe duke i dhënë dorën Skënderit i tha “urime, më thanë se të kanë caktuar Ambasador në Beograd”, ndërsa Skënderi ia mohoi menjëherë.

Në takimet që Skënderi kishte me Ibrahim Rugovën dhe me gjithë elitën kulturore e politike të Kosovës “përfitoja” edhe unë si gazetare, duke raportuar apo marrë intervista. Rugovën e kam intervistuar disa herë.  Intervistën e fundit e bëmë në Tiranë tek Vila 31. Kjo intervistë u botua tek gazeta Republika  që drejtohej nga Ylli Rakipi e pastaj edhe nga komuniteti shqiptar në SHBA.

Në sallonin e madh të pritjes kishte shumë njerëz dhe për shkak të regjistrimit me manjetofon, Rugova dhe unë shkuam në një sallë tjetër. Natyrisht na shoqëronte Adnan Merovci. Apo jo Merovc. Por Merovci nuk ishte i pranishëm gjatë intervistës. Ai kryente detyrën e bodyguard-it jashtë sallës.

Ne mbajtëm lidhje të forta me Rugovën deri sa iku prej kësaj bote. Dhe Adnan Merovci e di, nëse nuk e di, kanë mbetur ca dëshmitarë të gjallë për ta pohuar këtë gjë.

Rugovën e kemi marrë në mbrojtje gjithmonë, sidomos tek Bota Sot në mënyrë frontale, duke u kërcënuar me jetë nga Hashim Thaçi e shokët e tij, sidomos kur marrja peng e Rugovës nga Milosheviçi u quajt nga segmenti kriminal i luftës si akt “tradhëtie”.

Rugova erdhi na takoi në Zürich në redaksinë e Bota Sot. Na falenderoi dhe megjithëse personi i tij luftohej në mënyrë të poshtër nga segmentet kriminale të politikës, ai u fokusua tek rimëkëmbja e Kosovës, tek rikthimi, ringjallja, rindërtimi i shtëpive, tek Euro, tek shpresat për të ardhmen.

Largimi i parakohshëm nga jeta i Rugovës ishte dramë për Kosovën.

Sa për ne, kemi qenë Miq të Rugovës e rugovistë kemi mbetur, pa marrë parasysh se Adnan Merovci nga bodyguard pas dyerve ka vendosur të ndryshojë profesionin e të bëhet shkrimtar e publicist.

Po të ishte gjallë Rugova, do t’i thosh: “Ose shkruaj sikur duhet ose gëzo pensionin me nder Merovc”!

Ndërsa unë iu bie këmbanave të alarmit, për sharrllatanizmin dhe folklorizmin që ka pushtuar jetën dhe botën shqiptare në çdo qelizë të saj!

Nëse kanë mbetur vërtetë shqiptarë, duhet të bëhen bashkë për ta shpëtuar Shqipërinë e Kosovën nga hordhitë e injorancës dhe manipulimit që janë po aq të zeza sa diktatura dhe pushtimi!

Dy fjalë për Adnan Merovcin: Po të ishte gjallë Ibrahim Rugova kish me t’thanë: “Hiqju shkrimit Merovc

Treni që barti kosovarët gjatë luftës do të shndërrohet në muze

Tre vagonë s’u vunë në shërbim të qytetarëve, për 20 vjet rresht. Por, dy dekada më parë, përmes tyre pothuajse gjysmë milioni shqiptarë u nisën për në Bllacë, të detyruar nga forcat serbe.

Sot infrastruktura e vagonëve është e vjetëruar, e këto ulëse s’i shfrytëzoi më askush.

Por vagonët të drejtuar nga kjo lokomotivë këtë vit do të marrin edhe një herë një rrugë.

Në këtë prill destinacioni i tyre do të jetë i njëjtë, por jo edhe qëllimi.

Lokomotiva, bashkë me tre vagonë do të niset për në Bllacë, e kësisoj do të vihet gurthemeli i qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 99”, raporton T7, përcjell albinfo.ch.

 Këtë radhë do të jetë hera e fundit që ky tren merr këtë rrugë, pasi që nga 10 prilli e tutje ai do të qëndrojë në muze.

E nga Qeveria e Kosovës u kujdesën që imazhi i vagonëve të kujtojë përgjithmonë atë që iu ndodhi mbi 400.000 shqiptarëve, dy dekada më parë.

Jahja Lluka, nga Zyra e Kryeministrit, tregon se çka vijon pas shënimit të gurthemelit.

Veç të tjerash, do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi të asaj periudhe, në bashkëpunim me Maqedoninë.

Gjenerata digjitale

Poezi nga Erina Rrahmani për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë

Gjyshja: Më mëso or nip

Si ndizet paisja me çip?

Nipi: Emrin e ka ipad

Dhe ai ndizet vet

Gjyshja: Kur isha e vogël nëna më mësoi

Njeriu zuri dije për aq sa rroi

Nipi: Ço gishtin më tutje, kliko më tej

Veç se për një ditë dot nuk ta rrëfej

Gjyshja: Gjer te interneti e gjatë më qe kjo rrugë

Mos harro unë të mësova, si hahet me lugë!

Gjaku i zi

Poezi nga Ali Podrimja

Kafshën e ka zënë Gjaku
Gjaku na paska zënë bre
Kafshën

Po brisku more na ra në Dri
e Vala
ku e qiti

Si t’i bëhet memecllëkut
kur edhe Dheun
na mori ngryk mortja

Pa cofur Gomari
s’e shohim
Majën e Pashtrikut

Japonezi Hideki Murakami, shikuesi besnik i baletit të Kosovës

Nga qyteti i lindjes, atë e ndajnë 8 mijë e 911 kilometra në vijë ajrore. Por, inxhinieri i IT-së, Hideki Murakami, Prishtinën e ka shtëpi të dytë.

Teatri Kombëtar i Kosovës është vendi i preferuar i tij. Murakami është shikuesi më besnik i shfaqjeve të Baletit të Kosovës, raporton “Express” i KTV-së.

I ka parë të gjitha shfaqjet e kësaj trupe, përfshirë edhe reprizat.

E njeh mirë skenën kulturore të kryeqytetit dhe thotë se është i fascinuar me audiencat e reja në moshë.

Ai është shikuesi më besnik i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të gjitha shfaqjet e kësaj trupe i ka parë më shumë se një herë.

Hideki Murakami ndan përshtypjet për disa nga shfaqjet e preferuara të baletit. Balerinët kosovarë i ka përcjellë edhe në qytete të tjera.

Përveç shfaqjeve të Baletit, Hideki nuk mungon as në ngjarjet e muzikës klasike.

Gjuha universale e artit, nganjëherë nuk i bën punë për t’i kuptuar shfaqjet me motive shqiptare.

Hideki Murakami ka lindur në qytetin japonez Yamaguchi. Prej vitit 2012, jeton në Prishtinë.

Margarita Xhepa feston ditëlindjen në spital, ja kush i çon lule

Si për ironi të fatit, sot aktorja e madhe e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, mbush plot 85 vjeç, por është e detyruar të festojë në spital për arsye shëndetësore.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka vizituar në spital artisten e merituar, ku i ka dhuruar dhe një buqetë me lule dhe i ka uruar shërim të shpejtë.

“Shumë pranvera të tjera të lumtura për yllin e kinematografisë shqiptare, të papërsëritshmen, Margarita Xhepa.

I uroj shërim të shpejtë, besimplotë se do ta shohim sërish në skenë me të tjera role, që do t’i shtojnë freskinë buqetës së saj të jashtëzakonshme artistike”, shprehet Meta.

Aktorja Portman hap kurs aktrimi online

Aktorja e Hollywood-it, Natalie Portman vendosi të shfrytëzojë talentin e saj për të fituar ekstra.

Ajo kohët e fundit nisi kursin e saj online në faqen e internetit të MasterClass. Aktorja premtoi se pjesëmarrësit e saj të kursit do të paguajnë 90 dollarë në muaj, për të fituar përvojat e saj dhe njohuritë në fushën e aktrimit, regjisë dhe produksionit.

Natalie gjithashtu premtoi se do të zbulonte si të hulumtohen karakteret reale dhe fiktive, si punohet me regjisorët, duke ndërtuar një personalitet fizik, duke zgjedhur një zë dhe një dialekt për rolin në film dhe shumë gjëra shumë interesante nga karriera e saj e pasur.

“Me këtë kurs, unë mund të ndaj me ju përvojën që kam fituar si aktore për 25 vjet. Këto këshilla janë të rëndësishme për mua dhe unë kam parë se si i ndihmojnë të tjerët, “tha fituesja e çmimit Oscar nga viti 2010, transmeton KosovaPress.

Përveç kësaj për të qenë një aktor për gati 15 vjet në aktrime aktive, kjo aktore simpatike ka titullin e një psikologe të diplomuar në Universitetin prestigjioz të Harvardit. Gjatë paraqitjes së projektit të ri, aktorja pranoi se shpesh ndihej e frikësuar nga marrja e roleve të reja, duke shtuar se ajo ishte vërtet frymëzuese për të parë çdo rol si majën e karrierës, gjë që i bëri të dukshme rezultatet.

‘Më plak mërzitja që vetmia më sjell’

Vetmia

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen. / KultPlus.com

Sot feston datëlindjen Margarita Xhepa

Sot është datëlindja e aktores së madhe shqiptare, Margarita Xhepa. Ajo lindi indi më 2 prill 1932 në Lushnje të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Xhepa cilësohet si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.

Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: majlindën tek “majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit./ KultPlus.com

‘U ndava me prindërit kur isha 1 muajshe, nuk thirra dot kurrë mama’

Historia e pazakontë e Valbona Çoku Mirakës, ndarja me nënën e babain kur ishte vetëm 1 muajshe, internimi në Lushnje dhe më pas, ritakimi me babin pas 47 vitesh, percjell KultPlus.

Çdo mëngjes hidhte sytë tek fotografia e së ëmës e të atit dhe përsëriste shprehjen refren “Mjerë ju që jetoni pa mua”… ishte dhimbja e një fëmije mbetur jetim me nënë e baba gjallë. Valbona Çoku Miraka ishte vetëm 1 muajshe, kur i ati i saj, Mentor Çoku u arratis drejt Italisë, ndërsa e ëma u largua pak ditë më pas për kurim, ku mbeti përgjithmonë. Ajo nuk e pa kurrë më me sy foshnjën e saj që la në Tiranë tek e ëma.

“Unë kisha fotografinë e mamit dhe të babit. Çdo mëngjes, thosha: Mjerë ju, si jetoni pa mua. Nuk shikoja çfarë halli kisha vetë, si jetoja vetë. Sidomos, kur u bëra me fëmijë! Tani i kam dy fëmijë në Itali. Vajzën e vogël dhe djalin. Më shkulet zemra kur ikin ata. Mendoj, si kanë bërë prindërit e mi që s’më panë kurrë, nuk i thashë as “mama”, rrëfen Valbona.

Valbona do të rritej jetime nga daja i saj, deri sa të bëhej 16 vjeç, kur regjimi komunist vendos ta internojë vajzën e mitur. Është e pazakontë historia e Valbonës, është dhimbje e madhe jeta e saj. U nda nga prindërit foshnje. Mamanë nuk e pa më kurrë, ndërsa të atin e takoi pas 47 vitesh. Në kamp, u njoh e u martua me bashkëshortin Sokol Mirakën e u bë vetë nënë, por për prindërit e saj mbeti gjithmonë foshnje.

Më poshtë, kujto.al publikon një rrëfim të ndjerë të Valbona Mirakës, dhënë për Kristale Ivezaj për botimin e  AIDSSH-së, Kampi i Tepelenës.

Ndarja me prindërit

“Unë quhem Valbona Çoku. Jam vajza e Mentor Çokut. Babai im ka qenë shumë patriot, ka luftuar për bashkimin e Shqipërisë. Ai ishte nga Ohri, nip i Iliaz Dibrës, kryetar i Lidhjes së Prizrenit. Gjithë familja e tij, gjithë jetën e tyre, punuan, luftuan për këtë vend, që të ishte bashkë. Kur erdhi fundi, humbën edhe eshtrat e gjyshit, patrio i madh, që gjithë jetën e çoi nëpër internime, burgjeve të Turqisë, Serbisë, Maqedonisë. Në vitet 1943-1944, babai, Mentor Çoku ishte deputet i Ohrit dhe i Strugës.

Në ditët e fundit të 1944-ës, më saktë, fillimi i nëntorit 1944, babai u detyrua të largohej, nga ata të fundit që ikën nga Shqipëria, se i ikte koka. Kam qenë vetëm 1 muajshe. Nuk mund të na merrte tok me mamanë, sepse një bebe aq e vogël do i prishte punë tërë grupit që iku. Mamaja u bë keq; një grua e re, e bukur. Ikja e burrit e tronditi shumë, e përjetoi dhe u sëmur keq.

Ishin muajt e parë dhe akoma nuk kishin filluar ato gjërat e tmerrshme që ndodhën më pas. Një shok i saj i shkollës që studionte në Korfuz, e ndihmoi dhe i siguroi leje që të shkonte për kurim. Unë isha një muajshe dhe s’mund të më merrte. Më la me gjyshen dhe dajën. Mamaja shkoi dhe nuk dinte a do e takonte babain. U takuan. Më pas, u mbyllën rrugët e ata mbetën atje. Unë mbeta këtu, me një fëmijëri, me thënë të drejtën me halle, si të gjithë. Daja im ishte shumë i pasur, por ia morën të gjitha, deri te plaçkat e shtëpisë. Megjithatë, unë kisha përkëdheljen e gjyshes e të të gjithëve.

Internimi

Kur mbusha 16 vjeç, moshë madhore atëherë, sa kisha mbaruar vitin e 3-të të shkollës pedagogjike, një ditë më thonë: – Ti je internuar në Lushnje. Them, tani, po më ngatërrojnë me ndonjë tjetër, megjithëse e dija çështjen e prindërve, por nuk më shkonte mendja, si të rinj që lexonim dhe i ndiqnim pak këto punë e dija që ata, njerëzit shumë të rëndësishëm, mund të internohen, jo një kalama. Më prunë makinën te dera. Erdhën më morën vetëm fare. Vetëm se unë isha vajzë e vetme e babait tim! Ata nuk bënë asnjë fëmijë tjetër. Kështu që, unë mbeta gjithmonë vajza e tyre e vetme.

Pashë makinën te dera. Më morën, më çuan në Savër të Lushnjes. Një ndodhi e tmerrshme për mua. Fillova të bërtas, obobobo, o nëna ime. Pashë gjithë komshinjtë që u mblodhën. Më thotë ai që erdhi të më marrë: Mos thuaj, o nëna ime, se për mamanë e babanë po internohesh. Atëherë, thashë, nuk qenka gabim. Qenkam unë tamam ajo që… nejse, më çuan në Lushnje. Në momentin që më morën në makinë, isha te disa njerëzit tanë. Duhet të merrja dyshek e ku e di unë s’ia kisha idenë. Më thonë, po të çojmë në shtëpi te daja t’i marrësh. Unë, si fëmijë mendoj, t’i çoj te shtëpia e dajës do t’i tmerroj, prandaj u them, – jo, s’ka nevojë, se nuk e kisha idenë fare ku po shkoja. Më në fund, më çuan në Lushnje. Ndejta nja 2 ditë te një kushërira ime, derisa më erdhën nja dy tesha, një batanije, një dyshek. Më çuan në një kamp, në një fshat të Lushnjes. Në disa fshatra të Lushnjes, sektorë ferme, jo fshatra, kishin kampe internimi. Më çuan në këtë vend, ku ka qenë edhe babai im, më futën në një kazermë, ku çonin beqarët, pa familje. Familjet ishin në baraka, dikush një dhomë, dikush 2 dhoma. Ishte e tmerrshme. Vetëm fare. Baraka ishte mirë, po aty ishte një si magazinë e madhe, që kishte vetëm njerëz beqarë.

“Ajo ditë ka qene e tmerrshme”

Na bënin një apel në mëngjes edhe në darkë, një kapter, që banonte aty, se fshati banohej gjysma nga banorë vendas që punonin në fermë, e gjysma tjetër ishin baraka ku strehoheshin të internuarit. Po ky polic na bënte apelin edhe në darkë, a ishim prezent. Ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Në ato 2 ditë që ndejta në Lushnje, dikush nga njerëzit e mi, më sygjeroi një familje shumë të mirë, ishin të gjithë shumë të mirë, më thanë, do shkosh tek ata, mbase të mbajnë tek dhomat e tyre. Kisha shumë turp, por kur e pashë veten atje, u tmerrova, sa i thashë atij policit: A mund të shkoj te ajo familje? Atij i erdhi keq, se s’kishte parë, s’kishte ndodhur ndonjëherë, kurrë që një vajzë vetëm të internohej. Ishin nëna me fëmijë, se baballarët i kishin nëpër burgje, por vetëm fare, kurrë! Dhe me thotë: Nëse të mbajnë, shko. Shkova atje dhe u thashë: A mund të rri me juve? Ajo ishte një grua e moshuar, me tre vajza të mëdha në moshë. Ngaqë i ishte arratisur djali, i kishin sjellë aty. Më thotë, posi, ti do të rrish me ne.

Njerëzit kishin frikë nga arrestimet. Ishte një tmerr kur vinte xhipi i degës së brendshme dhe merrte personat. Sa herë u lirohej ndonjë birucë, vinin të arrestonin dikë tjetër. Në një familje arrestuan të zotin e saj. Mbeti vetëm e shoqja me vajzat e vogla. Pas 3 muajve, vjen prapë xhipi i degës, se do merrte ndonjë tjetër. Vajza e vogël e asaj familje shkon vrap tek e ëma dhe i thotë: – Mami erdhi xhipi, se kë do marri. Shyqyr, ne kemi shpëtuar, se babin e morën. Aq ishte tmerruar fëmija.

Lirimi në vitin 1990

Mendova, të blej një pasaportë të heq djalin, se djali 22 vjeç e do fillojë edhe ai me burgje. Akoma nuk na besohej që shpëtuam. Unë me djalin andej, lashë Sokolin me dy vajzat këtu… Nejse, kam shkuar ate natë.

Të dy, me djalin të ngrirë. Kur zbritëm, një gjë e çuditshme më ka ndodh. Në aeroport m’u duk errësirë, s’kishte drita. Fytyra e babit kishte një dritë për mua, pas 47 vjetëve, se baba më la 1 muajshe, unë e kisha parë veç në fotografi, e ishte gjëja e vetmja që unë pashë në gjithë atë grumbull njerëzish!

Mamaja kishte vdekur në 1988. Për dy vjet, nuk e takova dot. Nuk e pashë kurrë. Vdiq e depresuar për fëmijën e vetëm, jo vetëm që nuk e shikonte, por që e kishte në kamp, dhe duke menduar që ishte për faj të saj. Arriti një moment që nuk njihte më kërkënd, 75 vjeç, nuk ishte shumë e vjetër… Babai, për të larguar emocionet e veta, gjithë rrugën në makinë fliste e fliste, dhe unë thoja, po, ky është babi im që flet. Hyra në shtëpi. Ai ndali, hyra vetëm. Kishte vënë një fotografi të mamit përballë dhe një tufë me lule, me një letër “Mirëseerdhe, e zonja e shtëpisë”. Shtëpia m’u duk e errët, e errët. Të nesërmen në mëngjes, më solli gjithë kujtimet e saja. – Këto janë të tuat. Atëherë fillova ta shoh, sa i dashur qenka ky babai im. Shkuam në varreza, i them babit që të rrinte larg, se dëgjohej zëri, nuk e di deri ku…

Më kujtohet, një foto timen, 13 vjeçe, në baletin e shkollës, para internimit, ia kishim dërguar asokohe prindërve të mi në Itali. Unë i kisha vënë një shenjë vetes sime që të më dallonin. Babai më tregoi se prej kësaj fotografie, mamaja kishte ndenjur 3 javë në shtrat. I kish thënë: -Mendo, vajza jonë, ka venë shenjë të tregojë ku është, se ne nuk e njohim akoma. Dhe ishte sëmurur shumë keq. Unë si fëmijë doja t’u tregoja ku jam, por nuk imagjinoja dot atë efekt tek mamaja. Një fëmijë nuk është një mama!

Kalova ditë të mrekullueshme me babain. Pothuaj 80 vjeç, dhe në një formë të paparë: i mençur, i ditur, aktiv shumë. Kalova nja 5 vjet e gjysëm shumë të lumtura me të. Dhe më thoshte: Vali, ti je 1 vjeç për mua, sa herë kalonte viti, je 2 vjeç, 3 vjeç dhe kur unë bëra 5 vjeç, ai iku… Vdiq nga zemra, dhe u mbyll ajo histori e tij, histori e rrallë, e trishtueshme.

Intervista e realizuar nga Kristale Ivezaj. Marrë nga “Kampi i Tepelenës” Dëshmitë e të mbijetuarve, Volumi 1, Botim i AIDSSH-së./kujto.al

Si e vlerësonte Franc Kafka aktorin me prejardhje shqiptare Aleksandër Moisiun

Sot shënohet ditëlindja e aktorit të madh botëror me prejardhje shqiptare  Aleksandër Moisiut, shkrua KultPlus.

Veprimtaria e tij ishte e fokusuar në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të tij të njëpasnjëshme në aktrim ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës e Amerikës Veriore.

Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.

 Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .

Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të pa para ndonjëherë në skenat botërore.  

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun./ KultPlus.com

Synny Hill Festival po vjen, këto janë datat

Festivali i njohur Sunny Hill i cili vitin e kaluar shënoi edicionin e parë në Prishtinë, edhe këtë vit do ta shndërrojë Prishtinën në një arenë ku performojnë yjet e njohura botërore, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ishte emri i madh që vitin e kaluar u ngjit në skenën e vendosur në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Ajo për publikun këtu tha se do të kthehet sa herë që ia kërkojnë e theksoi disa herë gjatë performancës se është shumë falënderuese për përkrahjen që i kanë dhënë që nga kënga e saj e parë.

Sunny Hill Festival i cili udhëhiqet nga Dukagjin Lipa,  këtë vit vjen në fillim të gushtit. Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e gushtit janë datat kur publiku mund të përjetojë një festival të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë

“2/3/4  janë datat që do ta ndezin Prishtinën”, shkruhet në njoftimin zyrtar të festivalit./ KultPlus.com

Masakra e 2 prillit në Shkodër, zbulohen fotografitë e rralla

Më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën. Sot përkujtohet ajo që njihet ndryshe masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.

Këto pamje janë nga data 2 prill 1991, të protestës masive në Shkodër, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm.

Ato janë fiksuar nga fotografi Angjelin Nënshati, i cili nuk jeton më, por djemtë e tij, pasardhës në këtë profesion, i përcjellin për publikun.

Gjatë protestës para Komitetit të PPSH-së në Shkodër

Ditën e sotme, këto fotografi të rralla do të jenë të ekspozuara në ambientet e Këshillit të Qarkut në Shkodër. Ky 2 prill shënon 25-vjetorin nga ngjarja që shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.

Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave ndaj forcave policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur martirë të demokracisë.

Në këto fotografi tregohen qartë e me detaje se çfarë ndodhi më 2 prill, në qytetin e Shkodrës. Protestuesit mësynë godinën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe që andej hidhnin dokumentet nga dritaret në oborr.

IMG-20160401-WA0004

Disave prej tyre iu vu flaka, ndërsa të tjera u grisën e u shkelën me këmbë. Më pas dallohen turmat në sheshin kryesor, që sot mban emrin “2 Prilli”, aty ku mbetën të vrarë edhe 4 dëshmorët e demokracisë.

Makina të djegura, tym i zi që shpërthente nga disa anë të qendrës së Shkodrës e protestues të panumërt të mbledhur në shesh dhe që ngrinin dy gishtat lart.

Pas kaq vitesh, këto fotografi dalin në dritë si pjesë e historisë së viteve të para të demokracisë.

Katër viktimat e masakrës së 2 prillit, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku

Fotot e reja:

2-prill-3
2-prill-4
2-prill-5
2-prill-6
2-prill-7
2-prill-8
2-prill-9
2-prill
2-prill-1

Senad Nikshiqi

Sot është datëlindja e Aleksandër Moisiut

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879 në Triestë të Italisë. Ai  ishte aktor i njohur austriak me origjinë shqiptare, shkruan KultPlus.

Moisiu lindi në Triest të Italisë. I ati ishte shqiptar nga Kavaja dhe e ëma ishte arbëreshe. Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der ëeiße Heiland“), të Ëedekind-it (“Frühlings Erëachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”).

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Stili i tij i aktrimit llogaritej këtu si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik i Brecht-it apo i Piscator-it.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Ai vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.

Gruaja e tij Maria Moisiu ishte nga Vjena. Aleksander Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard (ndër të tjera i njohur me rolin e tij kryesor në serinë “ Komisar Rex”), shkruan voal.

Aleksandër Moisiu vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. /KultPlus.com

Përshkrimi i At Zef Pllumit për masakrën e Tivarit

Në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh, shkruan KultPlus.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleat e(amerikane-angleze-ruse)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Kjo tragjedi ka qenë në fokus të shumë shkrimtarëve dhe studiuesve.

Ndër ta ishte edhe kleriku, shkrimtari dhe  atdhetari i madh shqiptar  At’ Zef Pllumi. Këtë gjendje, ai e përshkruan në veprën e tij  të njohur “Rrno vetëm për me tregue” ku shpalosë tmerrin që kishte parë atë kohë tek popullsia shqiptare e Kosovës, në këtë vepër ai e përshkruan  edhe  fluksin e madh të  popullatës që kishte vërshuar në Shqipëri, ndërsa  kishte shtruar  pyetje se nga vinin gjithë ai popull.

Prej tyre vetëm njëri i ishte përgjigjur, e gjendjen e tij Pllumi e përshkruan se të molisur e në prag të vdekjes ndërsa u ishte drejtuar atyre me kërkesën për një copë bukë.  Me lutjen që niste me fjalën “Për iza të Zotit”, ai po kërkonte një copë bukë.

“Ndërkaq njani prej tyne pat guxim para vdekjes dhe na foli: “Për iza të Zotit a keni nji copë bukë!” A keni nji copë bukë?!… O sa tmerr! As na nuk kishim nji copë bukë: racioni për secilin ishte 300 gram. Edhe na ishim të unshem. Gjithë popullsia ishte unshëm. Shka të bajshim tashti? “Për iza të Zotit ma jepni nji copë bukë! Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë

Prej të gjithve filloi të ndijohej vetëm kjo fjalë që kalonte, kalonte… Kalonte në humnerë… Ato ushtofshin ndër veshë tonë njësoj si ato krismat e nji çekani që rreh gozhdat e arkivolit në bregun e vorrit.

– Prej kah vini ju?

– Prej Kosove.

– Tash nji javë dit që ecim pa pushue, pa bukë!… Kemi kalue gjithë ato male… male.

– A ishi të Xhaferr Devës?- i pyetëm.

– Jo,jo. Na jena e zeza e vedit” shkruan ai.

Po ashtu  në këtë pjesë të librit At Zef Plumbi  tutje shkruan se pas disa ditësh  e kuptuan se partizanët i kishin vrarë gjithë rininë kosovare.

“Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh në vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vra të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem trego: çfarë mëkati ka bâ ky popull që meritoi nji dënim kaq të randë”, përshkruan At Zef Pllumi , shkruan KultPlus.

At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi komunist i asaj kohe. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit fetare , ai u përpoq që t’i vejë arna kulturës dhe edukimit shqiptar që ishte lënë anash atë kohë.

Kjo pjesë e veprës është shkëputur nga Albin Mehmeti. /  KultPlus.com

Natasha Kandiq: I kam parë vetë krimet serbe në Kosovë

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, flet për bombardimet dhe luftën e Kosovës. Ajo ka qenë edhe vetë shpesh në Kosovë, në kohën e luftës.

„Pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pra me 25 mars në orët e para të mëngjesit, diku nga ora dy apo tre, ra zilja e telefonit”, kujton Natasha Kandiq. „Ishte Nekibe Kelmendi. Më tha se policia është futur në shtëpinë e tyre dhe ka marrë me vete burrin e saj Bajramin, një avokat shumë i njohur, dhe dy djemtë e tyre. Nuk e di çfarë të bëj. I them se është mirë që po punojnë linjat telefonike dhe nesër në mëngjes menjëherë duhet të shkojë në polici apo shërbimin sekret të shtetit dhe të kërkojë sqarime… Këtë bisedë nuk do ta harroj kurrë. Një ditë më pas kanë gjetur trupat e pajetë të Bajramit dhe dy djemve, pranë një pike të karburanteve, në dalje të Prishtinës. Policia thoshte se ka nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i një krimi, sepse këtu nuk ka pasur hetime, nuk ka pasur asgjë. Nekibe Kelmendi ka vdekur në vitin 2011 dhe kurrë nuk e ka kuptuar zyrtarisht se kush i ka vrarë burrin dhe dy djemtë e saj. Ka mbetur vetëm vajza e saj, e cila ende kërkon të vërtetën. Edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare po kërkojmë të vërtetën, por pa sukses.”

Natasha Kandiq ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ishte mysafirja e vetme nga Serbia në Kuvend, në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Themelimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

„Fondi për Drejtën Humanitare është themeluar në vitin 1992″, thotë Kandiq, “me qëllim dokumentimin e krimeve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi, atje ku jetojnë grupet etnike – shqiptarët në Kosovë dhe myslimanët në Sanxhak.”

Natasha Kandiq ka diplomuar në vitet 70-të në Fakultetin filosofik në Beograd, në sociologji. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka punuar në Shoqatën e Sindikatave, ndërsa në vitet 80-ta ka qenë bashkautore e librit “Nyja e Kosovës”, në të cilën kritikohen ashpër autoritetet serbe në Kosovë, për politikë dhune, pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet. Pas botimit të këtij libri, Kandiq e ka ndërprerë punën në sindikatë dhe ka filluar hulumtimet e opinionit publik. Në fund të vitit 1992 e ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare. Gjatë luftërave të viteve 90-të, Fondi ka mbledhur të dhënat për krimet e luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Këto dokumenta kanë qenë më pas ndër dëshmitë kryesore në proceset e Tribunalin e Hagës për krime lufe në ish-Jugosllavi.

Në Kosovë aktive prej vitit 1996

„Zyrën e parë në Prishtinë e kemi hapur në vitin 1996″, thotë Kandiq. “Aty kanë punuar së bashku shqiptarë dhe serbë. Detyra e tyre ka qenë mbledhja e të dhënave për gjendjen. Gjatë vitit 1997 kemi mbledhur të dhëna për ftesat masive të njerëzve në të ashtuquajtura biseda informative në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ka pasur kërcënime masive ndaj atyre që janë angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Atyre u është thënë se ky është terrorizëm dhe u është mohuar e drejta që me mjete paqësore të angazhohen për idetë e tyre politike.”

Kosova ishte lënë pasdore në kohën luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Lëvizja paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin, ka ofruar rezistencë paqësore gati një dekadë të tërë. Ata kanë organizuar edhe sistemet paralele të pavarura në shkolla dhe shëndetësi. Sistemi paralel ka funksionuar me vite. Në vitin 1997, në skenë është paraqitur edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe situata ka ndryshuar radikalisht. Në vitin 1998 kanë filluar konfliktet e armatosura mes forcave serbe dhe UÇK. Bashkësia ndërkombëtare, e cila me vite të tëra kishte injoruar lëvizjen paqësore të rezistencës, tani përpiqej të ndalte luftën. Në vitin 1999 janë mbajtur edhe negociata në Rambuje të Francës, por pala serbe nuk e ka nënshkruar marrëveshjen paqësore.

Fillimi i bombardimeve

Pas dështimit të bisedimeve në Rambuje, NATO filloi aksionin e bombardimeve me emrin „Operation Allied Force”, me 24 mars 1999. „Ditën e tretë pas fillimit të bombardimeve jam nisur për Kosovë. Nuk e kam ditur se çfarë po ndodh me bashkëpunëtorët tanë në Prishtinë. Ka qenë problem të shkosh në Kosovë, sepse nuk ka pasur mjete transporti. Kam marrë një taksi nga Beogradi deri në Bujanovc. Por taksia fillimisht është dashur të sigurojë benzinë, sepse në ato kohëra nuk ka pasur mjaft. Në Bujanovc mbërritëm disi, por nuk dija si të shkoj deri në Prishtinë. E pyeta taksistin të më çojë deri atje. Ai kishte shumë frikë, por kur i thashë se atje ka vetëm forca serbe, ai pranoi. Zyra jonë ishte thyer, kompjuterët ishin plaçkitur. I kam gjetur bashkëpunëtorët tanë nëpër shtëpi, të gjithë ishin tepër të frikësuar dhe nuk e dinin çfarë të bëjnë. U kam propozuar të shkojmë së bashku në Maqedoni, por ky u dëshmua si një plan i keq dhe nuk u realizua. Në Prishtinë ishte tmerr, në rrugë nuk kishte më shqiptarë. Kur kam shkuar të kërkoj një bashkëpunëtore të Fondit, para godinës së saj ishin mbledhur shumë njerëz. Policia i nxirrte me dhunë nga godina dhe i urdhëronte të shkojnë në drejtim të stacionit hekurudhor, e pastaj në Shqipëri. Pas katër ditësh në Prishtinë, katër shqiptarë dhe unë, me një taksi, jemi nisur për në Beograd. Taksisti ishte një njeri i mirë, ai e shihte se çfarë po bëjnë me shqiptarët. Nuk fliste shumë. E pyeta a është i gatshëm të transportojë katër shqiptarë për në Beograd, sepse duhet të kalojmë kontrollet policore? Le ta provojmë, tha ai. Kontrollin e parë kaluam pa problem. Në pikën e dytë na ndalën. Unë heshta, ndërsa shoferi i taksisë e pyeti policin, ku mund të gjej karburante, sepse nuk kam asnjë pikë? Polici u përqendrua tek pyetja dhe nuk na kontrolloi fare. Kaluam.”

Zgjatja e luftës

Strategët e NATO-s kishin planifikuar një luftë më të shpejtë. Ushtria dhe policia serbe nuk kanë bërë ndonjë rezistencë tepër të madhe ndaj bombardimeve të NATO-s, por janë fshehur mirë dhe kanë evituar humbjet e mëdha. Lufta u zgjat, ndërsa vuajtjet e popullit në Kosovë shtoheshin nga dita në ditë.

„Unë kam shkuar në Kosovë gati çdo dhjetë ditë”, kujton Natasha Kandiq. “Gjithmonë me të njëjtin taksist, i cili mësoi rrugën dhe njihte njerëzit në rrugë. Kam shkuar dhe kam kërkuar miqtë shqiptarë, kam shikuar a janë ende gjallë. Kam qenë në Prishtinë tek disa miq, kur erdhi lajmi për ndalimin e Fehmi Aganit, gruas së tij dhe djalit të tyre. Më lajmëruan se e kanë marrë, ndërsa një ditë më vonë është gjetur trupi i tij i pajetë. Agani është vrarë ndërkohë që Millosheviqi i lejoi Rugovës të dalë nga vendi. Fehmi Agani ka menduar se edhe ai duhet të dalë nga Kosova dhe t’i bashkohet Rugovës. E gjithë fuqia e Rugovës ka qenë në mençurinë e Fehmi Aganit. Vdekja e Aganit është një humbje tepër e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për tërë rajonin. Po të kishte mbetur gjallë ai, zhvillimet pozitive do të ishin më të shpejta dhe të gjitha do të ishin më ndryshe.”

Libri i kujtimeve në Kosovë

Në vitin 2015, Fondi ka botuar “Kosovske Knjige Pamćenja” (Librat e Kujtimeve në Kosovë). Synimi i këtij projekti ishte përcaktimi i numrit të saktë të viktimave në Kosovë. Koordinatore e projektit ishte Natasha Kandiq. Numri i të vrarëve në periudhën prej 1 janarit 1998 deri me 31 dhjetor 2000 është 13.535 persona. Prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2.197 serbë, ndëra 526 janë romë, boshnjakë, malazezë dhe të tjerë.

Fondi për të Drejtën Humantiare në Beogad dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë botuar në vitin 2014 listën e personave të vrarë si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Nga bombardimet kanë humbur jetën 754 persona, 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura. Ndër civilët janë 207 serbë dhe malazezë si dhe 219 shqiptarë civilë, 14 romë dhe 14 të nacionaliteteve të tjera. Ky burim thotë se janë vrarë 274 ushtarë dhe policë të ish-Jugosllavisë dhe 26 pjesëtarë të UÇK. Mbledhja e këtyre të dhënave ka filluar që në kohën e luftës.

„Mendoj se gati të gjithë do të reagonin si unë, po të shihnin këto kolona të refugjatëve, frikën dhe tmerrin që mbretëronte. Një ditë shkova për të blerë bukë në një dyqan në Prishtinë, në rend ishte një shqiptare. Dy serbe të tjera filluan të bërtisnin dhe nuk e lejuan të blejë bukë. Fillova edhe unë të bërtas kundër tyre… këto janë gjëra që nuk mund t’i harrosh. Në situata të këtilla e harron sigurinë personale, ajo më nuk është me rëndësi”, kujton Kandiq.

Udhëtimet e mija në Kosovë kanë qenë të tmerrshme, sepse kam parë edhe vet se çfarë po ndodhë. Shqiptarët kanë qenë në fillim të mbyllur në shtëpitë e tyre, nuk kanë guxuar të dalin në rrugë. Kam parë kolona të gjata refugjatësh, njerëz me qese në dorë, të humbur dhe pa orientim. Kur i pyesja ku po shkoni?, ata thoshin: Policia serbe na ka urdhëruar të shkojmë në Shqipëri. Njerëzit iknin në Shqipëri, ndërkohë që askush nuk i ndihmonte, nuk kishte asnjë organizatë të huaj humanitare atje.

U ktheva në Beograd dhe shihja njerëzit që rrinin nëpër kafene, shikonin drejt qiellit dhe flisnin për kinse padrejtësitë e mëdha që po i bëhen Serbisë me bombardime. Kurrë askush nuk më ka pyetur se çfarë po ndodh në Kosovë, si është gjendja atje! Më ka zemëruar tepër një letër e një grupi intelektualësh të organizuar nga Open Society, me të cilën kërkohet përfundimi i bombardimeve në Serbi. Më ka zemëruar ky fokusim tek vetvetja, pa kurrfarë interesimi për atë se çfarë u ndodhte të tjerëve, pa kurrfarë interesimi për ndalimin e veprimeve të policisë dhe ushtrisë, vrasjeve, djegieve dhe shkatërrimeve në Kosovë.”

“E vërteta” kombëtare

Pas përpjekjeve intensive diplomatike të trojkës së drejtuar nga presidenti finlandez, Marti Ahtisari, e ku ishin edhe diplomatët amerikaën dhe rusë Strob Talbot dhe Viktor Çernomirdin, në qershor të vitit 1999, Sllobodan Millosheviqi pranoi kushtet e NATO-s. Me 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja për tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosja e misionit paqësor KFOR në Kosovë. Lufa përfundoi ndërsa nga Kosova u largua një numër i madh i serbëve nga frika e hakmarrjes. Ata që kanë mbetur kanë jetuar në frikë nga mundësia e krimeve, të cilat kanë ndodhur kohë pas kohe edhe një vit më pas. Fondi ka mbledhur fakte edhe për këto krime.

„Ne shohim sot se në Serbi ekziston vetëm “një e vërtetë”, e vërteta kombëtare. Është krijuar edhe një komision për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s, me qëllim që të dëshmohet se Serbia ka qenë viktimë. Paraqiten shifra që nuk kanë lidhje me faktet dhe harrohet në tërësi përgjegjësia e forcave serbe për një numër të madh të njerëzve të vrarë atje”, thotë Kandiq. “Harrohet se pse dhe si erdhi deri tek ndërhyrja e NATO-s. Çfarë i ka paraprirë ndërhyrjes dhe cili ishte roli i Serbisë në këtë mes. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë një masë drastike, por mjeti i vetëm për të ndaluar ushtrinë dhe policinë serbe.”

Natasha Kandiq ka marrë një numër të madh vlerësimesh ndërkombëtare për punën e saj. Në vitin 2003 ka qenë edhe në listën e 36 heronjve evropianë, të botuar në revistën „Time”. Në vitin 2005 është shpallur qytetare nderi e Sarajevës dhe person i vitit në Bosnje-Hercegovinë, sipas revistës „Slobodna Bosna”. Me 2013 është nderuar me çmimin Hrant Dink në Turqi, ndërsa kongresmenët amerikanë Eliot Engel dhe Roger Viker e kanë propozuar Natasha Kandiqi në vitin 2018 edhe për çmimin Nobel për paqen/Zoran Solumun, DW.

Flutura Açka: Të zhbësh humbjen përmes letërsisë

“Dikush tjetër hyn në trupin tënd. Është shkrimtari”. Kështu e përshkruante John Fante kalimin nga një gjendje në tjetrën, teksa futej në botën e shkrimit, duke e parë trupin e tij si një kalim për në botën ku zotëron shkrimi. Procesi i shkrimit është po aq i ndërlikuar, mahnitës e torturues në të njëjtën kohë. Shkrimtarët japin përshkrime nga më të ndryshmet mbi atë çfarë shkakton të shkruarit në jetën e tyre. Flutura Açka, shkrimtare dhe poete ka mënyrën e saj të kalimit në laboratorin krijues. Më poshtë ajo vjen në një bisedë për Leteratura mbi joshjen e përhershme të shkrimit…

Si lind një libër në tryezën tënde të punës? A ka një moment kur e ndjen, se kjo është historia që duhet të shkruash?

Libri im nis në mendjen time, puna në tryezën e punës është më shumë një proces mekanik, materializues. Kam tekste që nuk e mbërritën ndërkohën e tryezës së punës, por kurrë nuk ka ndodhur e kundërta. Nëse arkitekturën e rrëfimit që do të bëj, e kam ndërtuar mirë në mendje, e kam shumë të lehtë te letra, te ekrani. Aty, në procesin e magjes mentale, ndonjëherë më ndodh ta mbaj gjatë, aq gjatë sa më kthehet në një plagë që më cëmbis.

Kështu e kam, për shembull, një rrëfim për ngjarjet e viteve 1913-1914, kam nevojë të izolohem e ta shkruaj sepse më ka barrësuar me vite. Për shkak të kësaj gjendjeje, të nevojës për të shkruar, si të jetë një shtypje nga rrallimi i ajrit në një lartësi të caktuar, unë ndiej një shmangie nga rutina e ditëve të mia të zakonshme. Thjesht, kam nevojë të mendoj. Dhe që të mendosh, do të thotë të harxhosh sa më pak kohë me tjerrakohë që të konsumojnë fjalët, pra mendimet. Në gjendje të tillë, gati prej amoku, zë e takoj më pak njerëz, edhe pse në përgjithësi rri me pak njerëz, pasi balancën mes së folurës dhe të menduarit e kam të anuar nga kjo e dyta. Kështu ka qenë gjithë jetën time. Kur skeleti i veprës është gati, të parën gjë që bëj, është titulli, pasi titullin e shoh si epiqendrën që ma mban endjen rrotull saj. Gjatë kësaj kohe rri shpesh nëpër kafene të zhurmshme, bare që shohin mbi peizazhe që më ofrojnë hapësirë. Murmurima mund të duket e padurueshme, por unë, prej atij përqendrimi të lartë që më ndodh në historinë time – në fragmentet që dua të shkruaj, më së shumti mbi blloqe shënimet që mbushin skeletin e historisë sime – nuk e dëgjoj fare ç’ndodh rreth meje, një mur qelqi më ndan nga rrethoja ime, i shoh, por nuk e ndjej çfarë ndodh rreth meje. Si të jem në një botë tjetër, në atë botën paralele, që vetëm letërsia ka fatin dhe bujarinë të të çojë. Unë punoj me skema, njëlloj si ato formulat e kimisë, asisoj që personazhet të mos më mbesin në ajër, historitë të pambyllura dhe ajo çfarë dua të them të më mbetet e mangët. Mundimin e kam derisa nevoja për rrëfimin të kthehet në histori e rrëfyeshme, pjesa tjetër është punë, punë, punë. Për romanet e gjata, siç janë disa nga veprat e mia, pa një vetmi të plotë dhe pa punë e disiplinë, nuk mund t’ia dalësh.

I beson muzës, asaj që orvatet si një puhizë dhe të përfshin menjëherë, apo gjithçka është mënyrë… disiplinë?

Pa muzë nuk flitet për letërsi, as për artet në përgjithësi. A mund të bëhet poezi pa muzë? Nuk e di, nuk e besoj. Kam dëgjuar një herë një poet holandez që shpjegonte procesin e shkrimit të një poezie, sikur të qe ndërtimi i një ngrehine, që i merrte orë dhe ditë. M’u duk një gjë shumë luksoze, por edhe ai vetë një dikush me pretendime bjerraditëse nga mënyra se si e përshkruante procesin e shkrimit të një poezie, si e detyronte veten ta shkruante poezinë. Nuk e kuptoj se si mund ta detyrosh veten të shkruash poezi?! Pa muzë?! Madje as prozën nuk mund ta shkruash pa muzë, por ndryshe nga poezia, proza kërkon disiplinë, veçanërisht proza e gjatë. Dhe jo vetëm këtë, por kërkon lexime në anë mbi temën që shqyrton, kërkime, analiza, mbajtje shënimesh, redaktime e ri redaktime, aq shumë punë. Për të shkruar një roman pesëqind faqesh, unë shkruaj përreth pesëmijë faqe, po të mendosh gjithçka që shkruaj e shënoj mbi romanin dhe që nuk përfshihet në roman. Kjo pasi dy-tri nga romanet e mi janë në formë sagash dhe kanë minihistorira të përfshira në vetë historinë e romanit, pra romanthe më vete, që ndonjëherë në formën e intertekstit siç janë, të duhet t’i trajtosh si tekste më vete. Poezinë mund ta quash një puhizë që të përfshin njëherësh, ndonjëherë aq shpejt sa rrëmeti i saj nuk pret të hapësh kompjuterin, por ta hedhësh shpejt e shpejt në një fletë të bardhë – së paku kështu e shkruaj unë poezinë – ndërsa proza është një stinë e tërë e ngarkuar me gjithfarë moti. Proza, përveç muzës, imagjinatës, kulturës, ndjenjës akute për të rrëfyer, kërkon disiplinë, vetmi, por edhe fuqi mentale e fizike. Të paktën unë kështu e kam, arsye edhe pse pasi botoj një vepër, veçmas të gjatë, jam një qenie me imunitet të cenuar, prej bjerrjes së gjithsejtë që më ndodh.

Jeni tani në këtë gjendje, e përfshirë në një libër të ri?

Po, jam duke shkruar, nuk jam e përfshirë tërësisht, pasi jam në kurthin e disa teksteve që më kanë joshur, por jam në punë e sipër, në kërkim të disiplinës dhe të përqendrimit që më janë anuar nga arsye të jetës sime. Jam e përfshirë në disa libra të rinj, që kanë secili ngutínë të marrin radhën e parë. Ato janë të vetmet lëndina të epërme ku mund të gjej sadopak lumturi nga tani e tutje.

Mund të zbuloni diçka rreth asaj që po shkruani?

Po, kam një tekst mbi marrëdhënien nënë-bir, jo një rrëfim thjesht epistolar, por një rrugëtim nëpër hapësirën transhedentale të këtij raporti pas humbjes, një eko shpirtërore e kujtesës dhe e sublimimit që vjen nga kërkimi dhe mospranimi i përjetshëm. Kam shumëçka të them nga përvoja ime e pazakontë, me pikëllimin përtej dhimbjes, me zinë e patjetërsueshme, unike. Nuk e di a do t’ia dal dot, nëse nuk do t’ia dal, fragmente të saj do të mbeten në arkivën time si barabitje për ta zhbërë humbjen dhe mumifikuar kujtesën, bashkë me pelinin dhe dritën, hirin dhe vlesën që të lenë fatalitetet në jetën reale, e që nuk ia shmang dot jetës tënde letrare. Por po shkruaj edhe një roman të shkurtër, në të cilin, ndryshe nga natyra e rrëfimit tim, shoh elementë surrealistë. Të shkruarit tanë, në fund të fundit, është një formë eksperimentimi i vazhdueshëm, i zbulimit të skutave tona, i komunikimit tonë me vetveten. Komunikimi me publikun pas kësaj është thjesht pasojë e trembjes së frikës së komunikimit me veten.

Si ndryshon dita juaj gjatë kohës që shkruani një libër? A ndikon kjo në jetën e shkrimtarit?

Kur jam duke shkruar një libër, përpiqem që ditën time t’ia nënshtroj një rutine, sigurisht nuk e kam luksin të jem gjithë ditën shkrimtare, por vendos të rri më gjatë në Holandë: jo zile telefoni, jo kafene, por shumë kafe. Kam pagjumësi të skajshme dhe pjesën më të madhe të kohës shkruaj natën. Ditën e rishkruaj ose e redaktoj tekstin e shkruar nga nata. Pra, të shkruaj, të hedh tekstin bruto, është ankthi im, pasi, siç thotë J. Picoult, ti nuk mund të redaktosh një fletë të bardhë. Por edhe eci shumë, veçmas nën shi dhe e ndiej se pas shtatë a tetë kilometrash, kam po atë freski mentale si të jem në të gdhirë të ditës. Klishetë mbi vuajtjen e shkrimtarit gjatë procesit të krijimit, më duken qesharake, vuajtjet nuk e inspirojnë shkrimtarin, ato e rrënojnë, ia thërrmojnë edhe durimin për të ndenjur në këmbë. Shkrimtari ka nevojë për komoditetin elementar – kohën – pastaj edhe për të tjerat. Një nga problemet më të mëdha të shkrimtarëve shqiptarë, është mungesa e kohës për të qenë shkrimtarë, pasi u duhet të mbijetojnë. Nuk mund të shkruash libra me kohën që të mbetet nga dita, por dita duhet t’i nënshtrohet të qenit tënd shkrimtar. Mua më rrëmben keq teksti, dhe qysh prej vitit 2009, pas botimit të “Ku je?” ku rrëmbimi – për shkak mbase të temës që lidhej drejtpërsëdrejti me kujtimet e mia nga qyteti i lindjes – që më ndodhi të ishte gati fatal, gjithnjë e më shume jam distante, sepse fundja krimi është imitimi, edhe pse i ngjan aq shumë reales.

E le shkrimin të të rrëmbejë apo vendos afate?

I jap kohën e vet, nuk nxitoj pasi prirem te përkryerja, që të mos më çojë në pendesa. Një kufi diku ia vë veprës, por kjo nuk më brengos. Ngaqë edhe shkruaj shpejt e me një frymë. Po t’i lexosh romanet e mi, e ndjen këtë, ti hyn në ritmin e rrëfimit tim, me të njëjtën shpejtësi, madje-madje e ndjen me intensitetin e një filmi. Ma kanë thënë shumë lexues këtë. Librin që kam ne dorë do të doja ta kisha të botuar nga mesi i vjeshtës, që do të thotë deri në fund të verës ta kem të shkruar dhe të redaktuar dhe gati për rifiniturat, që mua më duan kohë. Por edhe po të mos jetë, ka stinë mjaftueshëm për vepra të mira dhe shkrimtarë të kujdesshëm. Unë dua të jem e tillë, ose jam e tillë.  /Gazeta Liberale

Ndërtesa 320 metra e lartë do të ndërtohet në Danimarkë

Një ndërtesë mbi 320 metra e lartë do të ndërtohet në Danimarkë, konkretisht në Brande, një qytet prej 7,000 banorësh.

Kjo kullë, e projektuar nga studioja arkitekturore “Dorte Mandrup”, nuk do të jetë vetëm ndërtesa më e lartë në Danimarkë, por më e larta në Evropën Perëndimore.

“Do të jetë një pikë referimi që vendos Brande në hartë”, tha Anders Krogh Vogdrup, kreu i ndërtimeve, pasi këshilli vendor votoi projektin muajin e kaluar, transmeton ‘Scan’.

Në këtë qytet, peizazhi përreth është aq i sheshtë sa që kulla do të jetë e dukshme nga 60 km larg, përcjell albinfo.ch.

“Është e vështirë për të gjetur ndonjë qytetar që është kundër kullës. Të gjithë mendojnë se kjo është një ide fantastike, dhe unë gjithashtu “, shprehet Morten Dickmann, gazetar i gazetës lokale. “Mediat daneze të mediave u përpoqën të gjenin dikë që kundërshtonte, por ata nuk mund të gjenin askënd”, thekson ai. / KultPlus.com

Nuk është e natyrshme të vdesësh!


Më tepër sesa refleksion mbi vdekjen, më pak sesa recension mbi”Muri”-n e Sartrit

Shkruan: Nuhi Sadiku

Prolog

Nuk është e thënë të vdesësh që ta ndjesh ftohtësinë e papërshkrueshme të saj, nganjëherë mjafton mendimi për të dhe fillojnë të dridhurat.

Mendimi për vdekjen mund të mos jetë fare racional (ta zëmë: mendimi se do të vdesësh në dyluftim me një jashtëtokësor), mirëpo edhe duke e ditur këtë fakt, është tepër vështirë t’i ikim emocionit katapultues, sa për të mos thënë e pamundur.

Duhet të jesh mendimtar i rryer (shkrimtar, filozof, psikanalist, sociolog) që vdekjes t’ia shohësh anën tjetër të medaljes.
Prandaj, shumë kryevepra letrare e filozofike e trajtuan atë kryekëput si subjekt.

Mirëpo, jo rrallëherë, duhet të gjurmojmë më thellë: mos ndoshta arsyeja që njeriu është i prirur t’i frikësohet vdekjes është mënyra sesi do ta përjetojë atë (çfarë paradoksi linguistik: ta përjetojë vdekjen!).

Sa për ilustrim: nuk është e njëjtë një vdekje e natyrshme me kokë në jastëk, me një vetvrasje siç bëri Ernest Hemingway, i cili pasi u lodh prej problemeve shëndetësore dhe psikike, vendosi t’i jep fund jetës apo siç i ndodhi poetit italian Cesare Pavesse, i cili pasi u lodh nga dashuria enorme ndaj një dame dhe refuzimi i kësaj të fundit, hyri në hotel – shkroi poezinë “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu” – dhe u përshendet nga jeta.

Prandaj, nuk është e thënë të vdesësh që ta ndjesh ftohtësinë e papërshkrueshme të saj, nganjëherë mjafton të lexosh për të dhe fillojnë të dridhurat, mjafton ta lexosh “Muri”-n e Sartrit…

Muri që nuk shtyhet me gjoks

Është e vështirë të jesh i rrethuar nga mure, por të luftosh qenien të dalë nga muri, sidomos kur e di që të pret vdekja. Të vjen të ulurosh. Të vjen të pështyesh. Të vjen të vjellësh. Të vjen të ikësh prej vetes. Të vjen ta shtyesh murin me gjoks, mirëpo ky s’lëviz. Asgjë nuk lëviz, përveç kohës që duket sikur fluturon. Ekzekutimi po afrohet…

Përmbledhur me një paragraf ky do të ishte syzheu i tregimit “Muri” nga Sartre. Ky tregim përveç që na rrëfehet në vetën e parë, trajton një temë po kaq personale, vdekjen.
Tregimi nis e përfundon në burg. Në fakt nis në burg, e përfundon në oborr të burgut. Sikur Sartri të dëshirojë ta bëjë të qartë ekzistencializmin e tij dhe luftën për liri. Oborri simbolizon lirinë që vjen krejtësisht papritur.

Personazhet e këtij tregimi i ndjekë faji pa faj. Rrëfyer me një linjë të kthjellët, Sartri ka arritur që këtyre personazheve t’u atribuojë cilësitë e njerëzve jo të zakonshëm.

Gardiani i burgut është anti-njeriu, është polici i moralit që mban rregull dhe paragjykon.

Mjeku belg është ana njerëzore e regjimit dhe lajmësi i porosive të fundit nga të dënuarit me vdekje.

E këta të fundit, janë tragjikja njerëzore: aktivistë politikë, të përndjekur nga regjimi që Sartri në këtë tregim e identifikon në mënyrë aksiomatike.

Mirëpo, asnjëri nga këta nuk është pika kyçe e tregimit. Gjithçka rrotullohet rreth Ramon Grisë: udhëheqës i lëvizjes politike, kundër falangistëve të cilët iu vunë në shërbim gjeneralit Franko.
Përmes Ramon Grisë, Sartri i jep doza misterioze tregimit. Deri në fund nuk dihet se kush është Ramon Gri dhe cili do të jetë fati i ti?

A do të ketë Pablo Ibieta guximin, vendosmërinë, konsistencën dhe kurajon që të mos e tregojë vendndodhjen e Ramon Grisë? Do ta mësoni veç në fund të tregimit.

Sistemimi satirik i Sartrit

Tregimi “Muri” është ireverzibil. Asnjëherë ngjarja nuk kthehet pas. Madje, është tregim segmentar, e trajton veç një periudhë të caktuar të ngjarjes.

Tregimi fillon me fjalinë: “Na shtynë në një sallë të madhe të bardhë dhe unë zura të picërroja sytë, se m’i ngacmonte drita”.
Ndërkaq, mbyllet kësisoji: “M’u bë tym gjithçka dhe e pashë veten të ulur përtokë: po qeshja aq fort sa m’u mbushën sytë me lot”.

Pra, Sartri nuk niset me narracion përshkrues të ngjarjes, mirëpo kërcen drejt e në mes të saj. Tregimit të Sartrit, nuk i dihet filli. Madje, nuk mund t’i parashikohet as fundi.
Sartri, sikur dëshiron të thotë: Kaq mjafton të dini!

Nuk është e natyrshme të vdesësh

Jean-Paul Sartre është ekzistencialist. Kjo dihet botërisht! Mirëpo, ekzistencializmi i tij është kryekëput humanizëm. Prandaj, tregimi kohë – pas – kohe sinjifikon humanizmin brenda personazheve.
Diçka tjetër që i karakterizon këto personazhe, është stresi para-traumatik që u shkakton ideja që do të vdesin. Vdekja! Assesi ta pranojnë atë!

Një parafrazim i Pablo Ibietës do të ishte ky: Pse me vdekë? Asnjë jetë nuk ka vlerë më shumë sesa jeta ime!
Nuk është e natyrshme të vdesësh! – do të thoshte ai.

Ndoshta, kjo do të ishte hera e parë që ata do të njoftonin Unin e tyre.

Madje, kur Tomi (protagonisti tjetër) e pyet Pablon, se a ka ndonjë porosi për Konçën (e dashura e Pablo-së, personazh ndihmës), Pablo do të fliste me veten:

Deri edhe mbrëmë do ta kisha këputur njërin krah me sopatë, veç ta shihja edhe pesë minuta. Por tani nuk kisha dëshirë ta shihja, nuk kisha më ç’t’i thosha. Bile as ta shtrëngoja ndër krahë nuk do të doja: kisha ndot nga trupi im, sepse ai qe murrëtyer i tëri e kullonte djersë dhe nuk qeshë fort i sigurtë se nuk do të kisha ndot nga i saji.

Konça do të qante kur të merrte vesh për vdekjen time, për muaj me radhë asaj do t’i bëhej jeta varr. Por, gjithsesi, ai që do të vdiste qeshë unë.
Sillja ndërmend ata sytë e saj të butë, bukuroshë. Kur më vështronte, diçka e saj kalonte tek unë. Po mendova se tani kishte marrë fund gjithçka: po të më vështronte ajo tani, ai vështrim do t’i mbetej brenda syve, nuk do të kalonte deri tek unë.
Qeshë vetëm”.

Karakteri kundër – konvencional

Një tregim me syzhe tërësisht politik, nuk mund të jetë konvencional, as konformist. Këtë Sartri e bën të qartë qysh në fillim kur të burgosurve nuk u pëlqen mjeku. E shohin si antagonist, njeri të regjimit. Ndoshta, nuk dëshirojnë të kenë lidhje fare me regjimin i cili do t’ua merr jetën.

Karakteri anti – konformist i protagonistëve bëhet më se i qartë, kur atyre fillon t’u qarkullojë në mendje edhe ideja se tanimë është tepruar me pritjen.

Le të bëhet çka të bëhet e le të marrë fund gjithçka!
Pikërisht, anti – konformisti i protagonistëve, do t’i shërbejë atyre që të vdesin pa u nënshtruar dhe ta çojnë deri në fund misionin e tyre kundër regjimit.

Sartri, dëshiron që nëpërmjet këtij tregimi të përçojë mesazhin e mosfrikës ndaj pushteti, më tepër se kaq, mosnevojës ndaj pushtetit.

Kundër – konvencionaliteti e bën këtë tregim të veçantë për nga narracioni, përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të temës.

Epilog – e pavetëdishmja fatale

(Pyetje retorike për lexuesin: a nuk e pyetët veten se ç’u bë me Ramon Grinë !?).

Një gjë që duhet të dihet: Pablo Ibieta nuk vritet, mbahet edhe më tutje në burg për t’u marrë edhe njëherë në pyetje me shpresën që do të tregojë vendndodhjen e Ramon Grisë.
Kësisoji, ajo që e shquan përmbylljen e këtij tregimi është e pavetëdishmja fatale. Me idenë për t’u tallur me hetuesinë, Pablo u thotë një vendndodhje të rreme sipasj tij.

Shih ironinë e Sartrit: pikërisht aty do të gjendet i shumëkërkuari Ramon Gri, i cili do të vritet pas rezistencës së gjatë kundrejt policisë.

Kumti i lajmit te Pablo Ibieta, do të arrijë përmes Garsias, një lajmësi bukëpjesës, në oborr të burgu sepse sipas tij: “regjimi arreston gjithkënd që nuk mendon si vetja e tyre”.

M’u bë tym gjithçka dhe e pashë veten të ulur përtokë: po qeshja aq fort sa m’u mbushën sytë me lot” – përmbyll gjithçka Pablo Ibieta.

Epilog më të mirë sesa kjo fjali as që mund të ketë!/virtualsophists

Kjo tokë ende mbanë aromë gjaku të freskët

Viti 1999 në historinë shqiptare shënon apokalipsin e një kombi, kjo pranverë në 20 vjetorin e saj, në vend të aromës së luleve, solli para neve aromën e gjakut të njomë, ndërsa vendin e shiut e zurën përsëri lotët e nënave.

Nga ky 20 vjetor i masakrave gjenocidit dhe eksodit të këtij populli liridashës, kuptuam që dhimbja qenka ende e gjallë mes nesh, që klithmat dhe thirrjet e të masakruarve ende bëjnë jehonë, që na shpon zemrat dhe na bënë  ta mendojmë , që koha nuk paska kaluar, që gjithçka paskan ndodhur dje, në sytë e botës, një populli iu dhunua liria dhe ju ç’njerëzua dinjiteti.

Për një shekull rresht, krimet, gjenocidi dhe shpërnguljet ndaj popullit shqiptar, nuk ndaluan madje ishin të projektuara mirë deri në detalin e fundit, se si të shfarosej një popull.

Ilia Garashanini është ideatori themeltar i nacionalizmit serb. Garashanini u bë ministër i princit të ri serb, Aleksander Karagjorgjeviq i cili e zëvendësoi Mihajl Obrenoviqin.Karagjorgjeviqi i krijoi hapësirë Garashaninit për zhvillimin e projektit politik për Serbinë e Madhe. Garashanini, në mënyrë të fshehtë, ia dërgoi projektin e vet Karagjorgjeviqit, i cili e përkrahu pa rezervë.

Garashanini, me “Naçertanie” fillonte me shpartallimin e Perandorisë Osmane dhe vazhdonte me shkatërrimin e Austro-Hungarisë, të cilën e konsideronte armike të përhershme dhe shumë të rrezikshme se sa Perandorinë Osmane.

Grashanini shkoi edhe më larg dhe vizatoi edhe hartën territoriale në të cilën duhej të shtrihej Serbia e Madhe. Interes parësor i Grashaninit ishin tokat nën sundimin Osman, e që kishin sadopak popullsi serbe. Për të, Shqipëria ishte shumë e rëndësishme, sepse politika për Serbinë e Madhe kishte nevojë për dalje në det. Kjo i duhej për të pasur mundësi të papenguar për tregti të pakufizuar me Austro-Hungarinë.

Në atë kohë, Serbia e kishte pas vetës “nënën Rusi” dhe kjo ndikonte shumë në politikat e saj. Por Garashanini nuk dëshironte që të gjitha të jenë në duar të Rusisë, prandaj nxiste bashkëpunimin edhe me shtete të tjera që kishin peshë, siç ishte Franca.

Shumë shpejt, “Naçertanie” u bë platform politike e nacionalizmit serb. Me ardhjen në pushtet të Partisë Radikale Serbe, të drejtuar nga Nikolla Pashiqi, ajo e pranoi “Naçertanien” e Garashininit si program politik bazë për Monarkinë Serbe. Që nga ardhja e Nikolla Pashiqit në pushtet, në vitin 1878, e deri në fund të pushtetit të tij, më 1903, ai i qëndroi besnik akademikut Garashanin dhe mësimeve nga “Naçertanie”.

Dhjetë programe serbe për shfarosjen e shqiptarëve:

1844- Ilia Garashanini përpilon Naçertanie- Projektin e madh për shfarosjen e shqiptarëve;

1881- Programi për depërtimit në det;

1920- Programi i likuidimit të shqiptarëve;

1937- Elaborati i Çubriloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë dhe terror;

1939-Programi i Ivo Andriqit për shpërnguljen  e shqiptarëve me dhunë;

1941-Programi i Moleviqit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1942-Programi i Drazha Mihajloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1944-Elaborati II i Çubriloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë dhe me terror;

1950-Programi për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1986-Memorandumi i Akademisë Serbe për Kosovën serbe.

Të gjitha këto sikur nuk mjaftuan, dhe askush nuk mund ta studioj një popull si serbët të cilët e kanë në gjak urrejtjen, të cilët ishin shkaktar të Dy Luftërave Botërore, dhe as sot nuk ka asnjë kërkim falje publike dhe ndërshtetërore, për masakrën e Prekazit, masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, masakrën e Rezallës, masakrën e Dubravës, masakrën e Krushës së Madhe, masakën e Rugovës së Hasit, masakrën e Studimes, e shumë e shumë masakra të tjera ku nuk kursyen as foshnjet, as pleqtë e as gratë shtatzëna.

Ende figurojnë të zhdukur 1647 persona nga lufta e fundit dhe shteti serb nuk jep përgjegjësi për këto viktima. Shtyllat e shtetit tonë janë varret e të rënëve për lirinë, është kontributi i gjithë atyre gjeneratave të cilat nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e këtij shteti.

Janë lotët e nënave të cilat mbetën të vetme, duke ja falur fëmijët kësaj Kosove martire, e cila është fryma e Shqiptarisë.

Respekti, nderimi dhe amaneti i gjithë atyre brezave që flijuan vetveten që kombi ynë mos të shuhet, do bie në vend, vetëm atëherë kur ky shtet do forcohet duke ja kthyer dinjitetin çdo shqiptari.

Kemi luftuar me shekuj sepse nuk lejuam të jetojmë në robëri si skllevër, tash është koha që t’i realizojmë andrrat tona në Kosovën e lirë dhe të pavarur. / KultPlus.com

Nga Jahja Lluka

Arti i Shuk Oranit në TriBeCa të Nju Jorkut

Vetëm pak kohë më parë “Wall Street Journal” shkruante për një skenë të re të artit bashkëkohor në Lower Manhattan. Nëse para 40 viteve SoHo ishte “Hot Spot”-i i ri artistik, tash po paraqiten gjithnjë më shumë iniciativa të tilla në TriBeCa.

Kështu, për fillimin e kohës verore atje po hapet ekspozita “Equinox”, në 7 Franklin Place, e kuratuar nga Shane Townley, Cathy Condon dhe Alekjandro Don nga “New York Art Foundation”. Në këtë ekspozitë prezantohen vepra të zgjedhura  të artistëve multimedialë, në mesin e të cilëve dhe Shuk Orani, Evan Sebastian Lagache, Alou Dia, Kevin Champeny, Patti Samper dhe Katerina Ganchak.

Këta artistë, në pozicionet e tyre eksperimentojnë me koncepte dhe tema që lidhen me rilindjen dhe ripërtëritjen, duke drejtuar me këtë rast vëmendjen nga potenciali i artit, që t`u shërbejë njerëzve në ciklet e tyre të ndryshme jetësore, si burim relaksues dhe rigjenerues.

Hapja e ekspozitës bëhet më datë 4 prill në ora 18:00, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më datë më 29 prill 2019, nga e hëna deri të dielën, nga ora 12:00 deri në orën 17:00, në New York Art, 7 Franklin Place, New York, NY 10013. / albinfo / KutlPlus.com

Tri gra arkitekte bashkohen për ekspozitën e fotografisë, “Poetika e hapësirës”

Tri arkitekte gra kanë bashkuar forcat për të sjellë një ekspozitë ndryshe këtë javë në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Eliza Hoxha, Zana L. Sokoli dhe Arta Bytyqi do të sjellin ekspozitën fotografike të  titulluar “Poetic of space” apo “Poetika e hapësirës”.

Çfarë përvoja na krijojnë mjediset e ndërtuara arkitektonike? Sa e ndikojnë ato perceptimin dhe formësimin tonë estetik dhe shoqëror? Cilat janë përgjigjet personale dhe emocionale të ndërtesave dhe si vijnë ato në prozë, poezi, këngë apo fotografi?, janë këto pyetjet të cilat do të shpalosin përgjigjet përmes artit të këtyre tri arkitekteve në një natë të përbashkët.

Duke e ditur se hapësirat arkitektonike nuk janë diskurse dhe ato mund të lexohen e përjetohen komplet ndryshe ngase janë shkruar apo ideuar nga 3 arkitekte gra të cilat sjellin imazhe e copëza arkitekture në fotografi nga kontekste të ndryshme të cilat ndonjëherë nuk lexohen çartë se nga vijnë dhe kujt i shërbejnë, porse mund të lexohen nga të tjerët në mënyrë individuale dhe mund të nxisin imagjinatën për mjedise të personalizuara dhe associative.

Kjo ekspozitë  e kuruar nga Eliza Hoxha, zhvillohet në kuadër të European Union Kosovo dhe do të mbahet më datë 5 prill në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në ora 18:00. / KultPlus.com

Kosova shënon Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit të Autizmit

Në kuadër të 2 prillit, Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit të Autizmit, janë shënuar aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë. Organizata “Asociacioni Nacional i Autizmit Kosovë” ka realizuar një organizim për shënimin e kësaj dite në përkrahje të personave me spektrin e autizmit ku janë mbajtur aktiviteteve sensibilizuese në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ngjarje e cila është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e cili e konsideroi këtë si ngjarje të veçantë sepse organizohet për njerëz me aftësi të veçanta.

“Këta fëmijë me vizatimet e tyre shprehen talentin e tyre të veçantë përmes pikturave të cilat i ekspozuan në sheshin e Prishtinës. Jam shumë i lumtur që si ministri kemi mbështetur edhe këtë aktivitet dhe projektet e kësaj natyre”, u shpreh ministri Gashi.

“Si institucion do të përkrahim gjithmonë aktivitete të kësaj natyre, ashtu që të rrisim ndërgjegjen dhe të edukohemi më tutje si shoqëri për autizmin dhe si të ballafaqohemi me të. Është detyrë e jona që personat e prekur nga çrregullimi i spektrit të autizmit t’i mbështesim dhe t’i kuptojmë dhe t’i ndihmojmë edhe familjet e tyre në çfarëdo forme”, tha ministri.

Aktiviteti u shoqërua me grumbullimin e fondeve për të plotësuar nevojat e fëmijëve me autizëm, njëkohësisht u realizuan edhe performanca artistike nga artistë të ri. / KultPlus.com