Komuna e Prizrenit me kallëzime penale për ata që shkatërrojnë trashëgiminë

Makinat kanë zënë vend njëra pranë tjetrës, por vetëm një vit më parë në vendin afër qendrës historike në Prizren qëndronte shtëpia e familjes Myftiu, e cila besohet se ishte ndërtuar në shekullin e XIX. Ani pse ajo ishte pjesë e trashëgimisë kulturore u rrënua.

E për ketë rast dhe shumë të tjera të dëmtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, që nga viti 2018 e deri më tani janë ngritur disa kallëzime penale.

“Kemi pranuar gjatë vitit 2018, 14 kallëzime penale, kundër 29 personave, kemi ngritur 13 aktakuza gjatë vitit 2018, kundër 24 personave”.

Se Qendra Kulturore e Prizrenit po dëmtohet e thonë edhe në organizatën “Ec ma ndryshe”.

“Këto ndërtesa në momentin kur po rrënohen po shfrytëzohen për parkingje edhe shfrytëzohen për ndërtesa të reja, që normalisht është në kundërshtim edhe me ligjin në fuqi për Qendrën Historike të Prizrenit”, thonë ata.

Me rastin e evidentimit të shkatërrimit të objekteve kulturore është duke u marrë edhe Inspektorati i Trashëgimisë, në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka iniciuar shtatë procedura penale, për persona që kanë dëmtuar ose shkatërruar trashëgiminë kulturore, prej këtyre shtatëve numri më i madh i kallëzimeve penale është drejtuar tek regjioni i Prizrenit”.

Deri më tani Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dhënë 32 rekomandime për institucionet e Trashëgimisë kulturore, derisa ka thirrur të gjitha komunat e shtetit që të marrin masa të cilat ndikojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore./Klan Kosova / KultPlus.com

Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër, dyfishon katalogun online me vepra të rralla

Në kuadër të “Festës Ndërkombëtare të Librit”, në ambientet e Bibliotekës Publike ‘Marin Barleti’ në Shkodër, këtë fundjavë u hap ekspozita e librit të shtypur shoqëruar me versione të librit audio dhe digjital realizuar nga Violeta Volumi dhe Siditë Halluni.

Ishin të pranishëm figura të njohura të letërsisë në qytetin e Shkodrës.

Me këtë  rast u përurua hapja për publikun e pjesës së dytë të koleksionit on-line te veprave të rralla të kësaj biblioteke. Pas 10 viteve pune të pandërprerë, Biblioteka Shkoder numëron tashmë dhjetra mijë faqe të digjituara.

Në vijim të koleksionit të mëparshëm, katalogu i ri është një tjetër dhuratë që biblioteka i bën studiuesve e miqve të librit.

Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës është e para bibliotekë publike dhe ndër të parat në rang kombëtar që filloi procesin e digjitalizimit, të cilin shumë vende të botës e udhëheqin nga programe kombëtare shtetërore apo donatorë ndërkombëtar.

“Me dëshirën për ndryshim, rreth vitit 2007 filloi digjitalizimi, pavarësisht mungesave në teknikë. Arritën të përfundonim fillimisht koleksionin e njohur të françeskanëve, “Hylli i Dritës”, – thote drejtori i kësaj biblioteke, Gjovalin Çuni.

Po ashtu ekzemplarë të rrallë si ‘Meshari’ i Gjon Buzukut (kopje e origjinalit), ‘Doktrina Kristiane’ e Pjetër Budit (Origjinali), apo dorëshkrimi i ‘Lahuta e Malcisë’ e Fishtës janë tashmë onlinë qe prej 2010.

Qëllimi ishte ruajtja dhe promovimi i koleksioneve që për shumë arsye nuk lejoheshin të konsultoheshin nga publiku i gjërë; të reklamoheshin asetet e mjaft të pasura të bibliotekës, por edhe do të shtohej numri e frekuentuesve dhe përdoruesve duke i dhënë atyre kënaqësinë e përjetimit të burimit të konsultuar në të njëjtën mënyrë si origjinali.

Deri sot janë dixhitalizuar libra, revista, gazeta, harta, Albume dhe dorëshkrime gjithsej me shume se 55 mijë faqe. Në këtë katalog bëjnë pjesë koleksione të plota si ‘Hylli i Dritës’, ‘Kultura Islame’, ‘Fryma’, ‘Visaret e Kombit’, apo ‘Përlindja e Shqipënies’.

Katalogu i ri, i cili mund të gjendet në adresën bibliotekashkoder.com, përveç shfletimit ju jep mundësinë e shkarkimit të materialit dhe leximit offline./atsh/ KultPlus.com

Sonte në New York shpaloset historia e mikpritjes shqiptare ndaj hebrenjve

Alberina Haxhijaj

Shfaqja “Strehimi” është një bashkëpunim në mes të Teatrit ODA dhe Blessed Unrest. Premiera e shfaqjes do të jetë sonte në Baruch Performing Arts Centre në Manhattan në New York, shkruan KultPlus.

 “Strehim” (“Refuge”) përcjell një grua të re hebreje e cila fillon një udhëtim zbulimi në një fshat të largët shqiptar. Ajo zbulon të vërtetën e shpëtimit të familjes së saj dhe të atyre që rrezikuan gjithçka për t’iu siguruar strehim. Shfaqja është bazuar në ngjarje reale në të cilat mijëra refugjatë hebre të Luftës së Dytë Botërore u strehuan nga familjet në Shqipëri e Kosovë dhe vise tjera shqiptare. Megjithëse nën okupimin nazist, asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria, dhe Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.

Në një intervistë për KultPlus, Florent Mehmeti nga Teatri Oda theksoi se kjo është një histori shumë pak e njohur botërisht dhe teatri është një formë e duhur për të ndriçuar këtë histori unike.

“Bashkëpunimi jonë me Blessed Unrest gjithmonë ka qenë i koncentruar në traditën, historinë dhe kulturën shqiptare. Përderisa Besa si temë kryesore ka qenë baza e punës tonë të mëparshme në shfaqjen “Doruntina”, në këtë shfaqje ‘besa’ vjen në një formë tjetër, atë të mikpritjes shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve ndër shqiptarë duke i integruar ata në familjet shqiptare dhe shpesh duke iu dhënë edhe emra shqiptarë. Duke u inskenuar në New York si premierë botërore, “Strehim” flet fuqishëm përmes historisë për bashkëkohësinë, ku në botën e sotme kërkimi i strehimit dhe gjetja e strehimit janë shumë të pranishme në shumë vende të botës. Duke i shtuar këtu edhe elementet e kohës kur shqiptarët e Kosovës ishin të strehuar, 20 vjet më parë, e histori këto dhe elemente që do të jenë pjesë përbërëse e shfaqjes, ky projekt merr një kuptim shumë të thellë dhe vlera të shumta për t’u ndarë me publikun amerikan por edhe shqiptar në New York”, theksoi ai.

Mirëpo edhe pse një projekt mjaft premtues, ekipi prapa shfaqjes “Strehim” kanë hasur në vështirësi financiare për realizimin e këtij projekti dhe për realizimin e saj pati kërkuar edhe ndihmë.

Shfaqja është dy gjuhësore në të njëjtën kohë edhe anglisht edhe shqip dhe mund të kuptohet nga publiku anglishtfolës që nuk kupton shqip dhe anasjelltas.

Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Jessica Burr dhe Florent Mehmeti, teksti është realizuar nga Matt Opatrny, Florent Mehmeti dhe ansambli i aktorëve. Aktorët e kësaj shfaqje nga Teatri Oda janë: Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe Ilire Vinca ndërsa nga Blessed Unrest janë Nancy McArthur, Becca Schneider dhe Perri Yaniv. Muzika: Metropolitan Klezmer, featuring Ismail Butera, Debra Kreisberg, Eve Sicular. Për skenografi janë kujdesur Teddy Jefferson dhe Sonya Plenefisch ndërsa kostumet janë realizuar nga Caitlin Cisek. Ndriçimi nga Jay Ryan kurse dizajni i kolonës zanore Adrian Bridges./ KultPlus.com

Betimi i një burrneshe

Autore: Erëza Lajqi

(Dedikuar sakrificës së vajzës malësore për të mbrojtur “nderin” e familjes,
bazuar në një rrëfim të një burrëneshe kosovare)

Është në të shtatëdhjetat, këtë e tregojnë më së miri flokët e thinjura dhe rrudhat që i kanë mbuluar çdo cep të fytyrës. Ka lindur në një familje malësoresh, në një kohë kur lindja e një vajze konsiderohej jo shumë e mirëpritur.

Historia e saj është trishtuese dhe prekëse, mbase e pa besueshme për gjeneratat e reja që tani jetojnë në një kohë krejtësisht tjetër nga ajo e saj, në një botë të lirë ku vajza gëzon të paktën një të drejtë që ajo se gëzoi kurrë.

Gjithçka filloi pesëdhjetë vite më parë, në kohën e egër të ligjeve të Kanunit. E rëndë për të ishte tradita e pamëshirshme për të bërë një jetë pa dëshirën e saj. Në odën e burrave, nën dritat e kandilave, ku tymi i duhanit kishte mjegulluar trurin njerëzor, po thurej fati i një vajze të re.

Donin ta fejonin për një njeri shumë më të moshuar. Askush nuk e pyeste atë të gjorën që trupin e kishte rritur maleve, e lirë, duke pirë ujin e krojëve të kthjellëta, duke pushuar nën hijen e pishave ku mrizonte tufa qingjave, e duke dëgjuar fyellin e bariut që i ngjallte dashurinë rinore. Ajo, në të njëzetat e saj, frymonte e lirë, nën hijeshinë e Alpeve tona ku po aty mendja e saj ëndërronte të takonte një zemër djaloshare me të cilin do te thurte ëndërrat e jetës. Në odën plot tym ato ëndërra po mbyteshin.

Sapo e kuptoi se çka po zhvillohej në odën e burrave, bëri të hynte brenda por i mungonte guximi.

-Mos!- i tha nëna, çika nuk guxon me hy në odë të burrave se nuk asht zakon.
Bota e saj po rrokullisej, ëndërrat po i shëmbëshin dhe melodia e fyellit baritor po shtërronte. Edhe pse i kishte menduar të gjitha pasojat dhe e kishte ditur se sa i ashpër e ndëshkues është ligji i maleve, ajo kishte vendosur, nuk do ta lejonte, nuk donte dhe me vrap shtyu derën e odës dhe bërtiti:
-Nuk dua të martohem me këtë njeri, nuk pranoj. Përnjëherë, shumë shikime të zemëruara ju përplasën në fytyrë dhe ajo tashmë rrëzoi murin e fortë të kanunit që po ja shuante endërrat.

Të gjithë ju vërsulen mu si ato bishat e egra kur ndeshën me gjahun dhe shumë të rëndë ia shihte fundin kësaj pune.

“Do të vishesh në pantollona sepse në ato kohë ishin pantollonat simbol i burrërisë përndryshe na e ke borxh një gjak”, i kishin thënë ata.

Për të mos sakrifikuar familjen, ajo zgjodhi të sakrifikonte të ardhmën e saj. Që nga ajo natë, u betua të mos martohej asnjëherë dhe i dha vetës detyrë të sillej si burrë, e veshur si burrë, filloi ta mbysë brendësinë e saj femërore. Nga shpirti i njomë i një gruaje, filloi te kthehej në një burrë malësor, të egër dhe sundimtar.

Ajo harroi ndejat me çika dhe gjatë gjithë kohës ishte me meshkuj, në dasma e në morte. Flokët e gjatë e të zinj që dikur butësisht ia ledhatonte era, i shkurtonte dhe kokën e mbështillte me shallin e zi, ndizte cigaren dhe në odë pleqnonte tamam si një burrë. U bë krah i vëllëzerve në punët e rënda te pyllit.

Ajo jeton edhe sot, me supet mbi të cilat iu ngarkuan trishtime e dhimbje, jeton me plagën e hapur që e fshehu për kaq vite, është trupi i një gruaje i mbështjellur me rroba burri.

Sipas ligjeve kanunore, refuzimi i martesës nga ana e vajzës ndëshkohej ashpër dhe ajo nuk guxonte të martohej në një vend tjetër sepse martesa në këtë rast mund të sillte hakmarrjen me vrasje ( duhej të paguhej me gjak).

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 “përkthehet” në film

Përvjetori i Kryengritjes së Malësisë në Malin e Zi, u përkujtua me një film të metrazhit të shkurtër, i cili paraqet ngjarjet dhe personazhet historike të vitit 1911 të udhëhequr nga heroi kombëtar Dedë Gjo Luli.

Në kuadër të kësaj date historike, shqiptarët e Malësisë dhe të rajoneve të tjera në Mal të Zi, e përkujtojnë me manifestime të ndryshme këtë ngjarje të rëndësishme historike që i parapriu ngjarjeve të mëdha në Shqipëri.

Kryeministri i Holandës shkon te mbreti me biçikletë

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, me biçikletë ka shkuar deri të pallati mbretëror për të njoftuar mbretin Willem Alexander se është arritur marrëveshja për formimin e Qeverisë.

Ai u fotografua duke e parkuar biçikletën para pallatit dhe duke e lidhur, në mënyrë që mos t’ia vjedhë askush.

Fotografitë e Ruttes zgjuan një interesim tejet të madh në rrjetet sociale.

Shumë persona, të cilët shikuan fotografitë, ishin të habitur me faktin se kryeministri i një shteti lëvizë me biçikletë, e jo me ndonjë automjet luksoz.

Të tjerët bënë komente qesharake, me disa të cilët komentuan fotografinë në të cilën Rutte shihet duke lidhur biçikletën, përcjell Rtv21.

Shumë përdorues të rrjeteve sociale komentuan se Rutte kishte frikë se mbreti mund t’ia vidhte biçikletën.

Marrëveshja për formimin e Qeverisë së Holandës u arrit 208 ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Videoja e shqiptarit, hit në fb: Një peshk i tij kushton 1.5 milion franga

Ka njerëz që ndërtojnë pishina për fëmijët e tyre por ka edhe të tillë, si Hamëz Gashi që në një hapësirë prej 28 metrash katrorë ngrenë pishinë për peshqit e larmë të llojit të krapit “Koi”. Këtë e ka bërë ai në kopshtin e tij në Sutz të Kantnit të Bernë.

Të hënën në mbrëmje Hamza ka postuar në facebook videon ku shihet pishina në fjalë. Që atëherë, ajo është klikuar mbi 2 milionë herë ndërsa është shpërndarë më shumë se 19.000 herë, duke marrë mbi 13.000 komente.

“Ende nuk mund të besoj një gjë e tillë”, thotë  39 vjeçari për blick.ch.

Pasionin për peshqit e larmë ai e kultivon që prej 17 vietsh. “Si fëmijë kisha një akuarium me peshq të artë. Më vonë në një revistë kam hasur në llojin e krapit “Koi” dhe e kam marrë një të tillë për pishinën time. Atë e kam edhe tash”, thotë Hamëz Gashi, transmeton albinfo.ch. Por ndërkohë ai ka 21 peshq të këtij lloji. Para tri vitesh iu desh të shpërngulej pasi që pishina u bë ndërkohë e ngushtë dhe kështu më nevojitej një kopësht më i madh për ta vendosur atë.

Para dy vitesh ai filloi ndërtimin e një pishine me mure transparente. “Unë doja që peshqit t`i shikoja jo vetëm nga lart“. Me ndihmën e miqve ai ngriti një pishinë të gjatë 7, të gjerë 4 dhe të thellë 1.7 metra, e cila ka vend për 45.000 litra ujë.

Ndërsa për vete dhe familjen ai thotë se nuk do të ndërtojë pishinë, përcjell albinfo.ch. “Ne banojmë afër Liqenit të Bielit dhe shkojmë atje për të bërë banjë”, thotë shoferi, baba i dy fëmijëve.

Vjeshtën e kaluar 21 peshqit e tij u vendosën në “shtëpinë e tyre të re”. Më i madhi prej tyre është i gjatë 105 cm dhe peshon rreth 15 kg. Është femër dhe ka emrin Pamela. Të tjerët janë në mes 40 dhe 80 cm të gjatë. Ai i ka blerë ata nga tregtarë të ndryshëm në Gjermani, Luksemburg dhe Francë, të cilët i kanë sjellë nga Japonia.

Përveç tri orëve punë në ditë, këta peshq i kushtojnë z. Gashi edhe shumë para, transmeton albinfo.ch. Ai sqaron se Pamela kushton rreth 20.000 franga, ndërsa , siç e thotë: “unë e kam blerë me një çmim special prej më pak se 7.000 frangash”. Por Hamza thotë se njëri ndër peshqit e tij është më ekskluzivi: ai kushtion 1.5 milion franga!

Për ushqimin e tyre, energjinë elektrike dhe veterinarin, ai jep rreth 7.000 franga në vit. “Është një hobi i shtrenjtë, por unë i dua peshqit e mi më shumë se çdo gjë. Te ata unë gjej qetësinë pas një dite me stres”. Gashi thotë se jo vetëm i shikon peshqit. Ai edhe luan me ta. Ata e njohin dhe notojnë drejt tij për të marrë ushqimin nga dora e tij, transmeton albinfo.ch. “Unë i ledhatoj me shumë dëshirë. Janë shumë miqësorë.

Hamza është shumë i befasuar nga jehona që ka bërë videoja e tij. “Kur u zgjova të martën nga gjumi, kisha papritur mijëra mesazhe në postën time elektronike. Njerëzit ishin të fascinuar nga puna ime dhe më bënin komplimente”, tregon me kënaqësi.

Ai nuk mund ta sqarojë se si ndodhi që kaq shumë njerëz u bënë kurreshtarë për postimin e tij. “Disa miq të mi nga fb që kanë po ashtu peshq të tillë (Koi) e kanë shpërndarë videon dhe i kanë “bërë tag” të tjerët. Pastaj e gjithë kjo ka marrë disi hovin e saj dhe ka arritur deri në SHBA dhe në Kinë”.

Sigurisht, ai dëshiron që për fansat e tij të postojë pas pak javësh edhe një video tjetër.

I kontaktuar nga albinfo.ch, Hamez Gashi thotë se një peshk i llojit të tillë çfarë ka ai në pishinën e tij (krap Koi) i shitur në Japoni ka kushtuar 1.5 milion franga.

Tregoi si përfundon filmi, rrahet keq nga disa persona që po prisnin të blinin bileta për kinema (FOTO)

Me të shikuar filmin në një kinema në Hong Kong të Kinës, një burrë ka dalë jashtë dhe ka treguar me zë se si përfundon ky film i ri.

Raportohet se ai e kishte përcjellë të shumëpriturin ‘Avengers: Endgame’ dhe pastaj zbuloi befasinë, para disa personave që po prisnin të blinin biletat, transmeton Telegrafi.

Imazhi që është shpërndarë, e tregon një të ri të ulur në dyshemenë e kinemasë, ndërsa anash ka shumë stërpika të gjakut. Atë e ka kontrolluar një mjek, i cili tha se i ka marrë lëndime të lehta në të gjithë trupin.

I lënduari në dyshemenë e kinemasë

Reagimi i të pranishmëve ndaj tij, është diskutuar gjatë në rrjetet sociale, ku është kërkuar që të mos tregohet për përfundimet e filmave, sepse humbet befasia e pritshme.

“Çështja e Kosovës” nga Mario Vargas Llosa


Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Kosova përballej me regjimin e egër serb, intelektualët e Perëndimit u ndanë në dy taborë: përkrahës të Kosovës dhe përkrahës të Serbisë. Mario Vargas Llosa ishte më i zëshmi ndër përkrahësit e çështjes së Kosovës, duke e akuzuar vazhdimisht regjimin e Millosheviqit për gjenocid ndaj popullatës kosovare dhe duke polemizuar me intelektualë të shumtë botërorë.

Në esetë që publikoi në mediat spanjolle e të cilat i përzgjodhi ekskluzivisht për botimin në gjuhën shqipe me titullin “Çështja e Kosovës”, Vargas Llosa shfaqet si një mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që ndërgjegjëson të huajt për përkrahjen e intervenimit të NATO-s në Kosovë. “Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë, dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe, shumica, jetën e tyre. Kjo bindje, shumë prej nesh na bën – jo pa frikë e dyshime – ta mbështesim ndërhyrjen”, thotë Vargas Llosa në esenë “Zjarrmitë pacifiste” të botuar në librin “Çështja e Kosovës”, të botuar këto ditë në gjuhën shqipe. Librit i prin një parathënie nga Prof. Dr. Blerim Latifi, i cili e analizon gjendjen e Kosovës së asaj kohe dhe qëndrimin e intelektualëve botërorë për çështjen e Kosovës. “Për disa, NATO kishte cenuar njërin nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, parimin e sovranitetit të shteteve. Kaq mjaftonte që sulmi mbi Jugosllavinë të shihej si një agresion brutal klasik dhe Millosheviqi si një luftëtar në mbrojtje të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Noam Chomsky, Alain Badiou, Peter Handke, Régis Debray, e ndonjë tjetër, ishin në mesin e intelektualëve që mbrojtën një pikëpamje të tillë, duke e shtuar me këtë listën e intelektualëve që autoritetin e tyre akademik e vunë në shërbim të shkatërruesve të lirisë njerëzore dhe, në të njëjtën kohë, u bënë edhe një çekiç më shumë në duart e rrënuesve të racionalizmit etik të iluminizmit. Në kundërshtim me ta, emra të tjerë shumë të njohur të filozofisë, letërsisë dhe artit perëndimor, zhvilluan pikëpamjen mbi drejtësinë dhe arsyeshmërinë e ndërhyrjes së NATO-s. Në mesin e tyre gjejmë emra të tillë si Jürgen Habermas, Günter Grass, BernardHenri Lévy, Jean Baudrillard, Edgar Morin, Václav Havel, Alain Finkielkraut, Zbigniew Brzezinski, e shumë e shumë të tjerë. E gjejmë, po ashtu, edhe Mario Vargas Llosa-n, shkrimtarin nobelist peruan”, thotë profesor Latifi në parathënien e tij.

Librin “Çështja e Kosovës” e ka përkthyer Orjela Stafasani, e njohur për përkthimet nga gjuha spanjolle dhe italiane.

Në Ditën e të Pagjeturve shprehet zhgënjimi me institucionet për fatin e mbi 1,600 personave

Edhe një herë tjetër janë përkulur para obeliskut, në kujtim të të pagjeturve.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, i kujtuan mbi 1,600 të pagjetur të vendit, e megjithëse nuk folën këtu, në rrjete sociale shkruan për këtë ditë.

Sipas presidentit Thaçi, të pagjeturit janë një plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare, e në anën tjetër, kryeministri Haradinaj u zotua se nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi për ta.

Por, me atë që është bërë deri tash, familjarët dhe përfaqësuesit e shoqatave të të pagjeturve, ndihen të zhgënjyer.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, që bëri homazhe po ashtu pranë obeliskut, tha se nuk do të ketë një marrëveshje me Serbinë, pa qartësimin e hapave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Me rastin e Ditës Kombëtare për personat e pagjetur, komunikatë ka dërguar edhe shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

“Familjet e personave të pagjetur mund të gjejnë ngushëllim vetëm atëherë kur e dinë fatin e të dashurve të tyre të pagjetur,” ka shkruar mes tjerash Papadopoulou, e cila ka ritheksuar vullnetin e misionit që të vazhdojnë ndihmën në procesin e identifikimit.

Festa në familjet me dy fe, historia e myslimanes që përgatit vezët e Pashkëve

Në 45 vite martesë Rolanda dhe Pandeli Suli nga Elbasani, kanë festuar pashkë, Krishtlindje, Bajram e Nevruz. Ajo u rrit në një familje me tradita myslimane ndërsa sot, jo vetëm bën vezët e kuqe, por shkon rregullisht në kishë.

Ndërsa Pandeliu feston Bajramin tashmë prej 45 vitesh.
“E festonim dhe e festojmë, e padiskutueshme dhe unë e uroj për bajramin e madh dhe bajramin e vogël, ajo merr masa për përgatitjen e bajramit. E festoj për respekt të bashkëshortes”, thotë Pandeliu.

Por si e pritën familjet bashkimin e dy të rinjve në atë kohë?

“Pse e fejove vajzën tek kaurrët, u mbaruan djemtë tonë qe e dhe tek kaurrët? E shikonin Pandin me një sy tjetër”, thotë ajo.

“Nuk gjete një nuse nga krahu jonë??? Me thënë të drejtën jo se u revoltuan, për të qenë i sinqertë, por patën një farë pakënaqësie në vetvete”, tha Pandeliu.

Në familjen Suli gjen Bibël e Kuran ndërsa të dyja kulturat fetare ngjizen edhe tek fëmijët.

Në familjen Suli festat fetare nuk u ndalën asnjëherë, madje as në kohën e diktaturës. Për 45 vite në këtë shtëpi, nusja myslimane ngjyroste aq bukur vezët e kuqe të pashkës.

“Pavarësisht se nuk lejohej unë këtu gjeta një ambient që bëheshin festat, pa zhurmë, edhe unë isha në punë dhe mundoheshim kur ishin vezët. Nane më janë bërë duart e kuqe, si do vete? Mundoheshim t’i lanim me uthull e limontos të hiqej ngjyra e kuqe se stë besonte njeri pastaj”, thotë ajo.

“Me ligj ishte hequr feja, por nuk mund të çrrënjosësh një bindje shekullore, mijëvjeçare, me 30 apo 40 vjet. megjithëse u hoq me shkresë, në shpirt nuk u hoq asnjëherë”, thotë Pandeliu.

Djali i çiftit mban emrin e gjyshit të tij, mbesa mban emrin e Rolandës, duket se traditat ortodokse kanë fituar disi terren në familjen Suli, ndërsa respekti dhe vlerat kanë mbetur të njëjta për të dyja fetë.

Studentja e parë nga Kosova në kolegjin më prestigjioz në Florida

Donika Zeka është edhe një kosovare tjetër, e cila po ia ‘zbardh’ fytyrën Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo është e vetmja studente nga Kosova që ka arritur të jetë pjesë e kolegjit me prestigjioz në Florida, ‘Rollins’, pjesë e së cilës ajo po arrin shumë suksese.

24-vjeçarja nga Gjakova në një bisedë për Indeksonline ka treguar për fillimin e rrugëtimit të saj akademik dhe anëtarësimit në shoqëri ndërkombëtare të njohura si “Phi Theta Kappa Honor Society’ dhe “National Society of Leadership and Success”, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, ajo për shkak të sukseseve ka arritur të jetë në listën e bursave presidenciale që iu jepen vetëm studentëve me arritje më të lartë akademike për shkak të notave më të larta.

“Rrugëtimi im akademik në US startoi në vitin 2015 në Valencia Community College, ku aty mora diplomën për “Associate in General Arts” me GPA 4.0 (qe e konvertuar në vlerën numerike të mesatares në Kosovë i bie 10.0). Për shkak të përformancës së lartë akademike mora ftesë të bëhem për dy vjet anëtare e nderit e ‘Phi Theta Kappa’, që është shoqëri nderi ndëkombëtare e kolegjeve dyvjeçare dhe programeve akademike për studentët. Përpos anëtarësimit tim në Phi theta Kappa, kisha marrë po ashtu ftesën të bëhem anëtare e ‘National Society of Leadership and Success’ (Shoqëri Kombëtare e lidershipit dhe suksesit” që është më e madhja në vend, ku studentët selektohen nga kolegjet duke u bazuar në të arritura akademike dhe potencialin udhëheqës”, ka thënë Zeka.

Përveç anëtarësimit në këto dy shoqëri prestigjioze, ajo arriti të fitojë bursën presidenciale (Presidencial scholarship), që jepet duke u bazuar në performacën akademike.

Për shkak të arritjeve akademike të studentes nga Kosova, ajo u pranua nga kolegji më i njohur në Florida dhe që për vitin 2018 është renditur si kolegji më i mirë.

Bëhet fjalë për ‘Rollins College’, ku Zeka është studentja e parë nga Kosova që ka arritur të pranohet.

“Pas anëtarësimit tim në këto dy shoqëri, pata privilegjin të fitojë bursën presidenciale (Presidential Scholarship), që dhurohet në bazë të performancës akademike, nga Rollins College, i cili është kolegji më i vjetër i njohur në Florida dhe po ashtu në vitin 2017- 2018 është renditur si kolegji më i mirë në Florida nga ‘College Consensuses’ i renditur në bazë të shkollës dhe rishikimit të arritjes së studentëve”, ka thënë tutje ajo.

Par dy vjetëve ajo filloi studimet në Rollins, ku pretendon të diplomojë në semestrin vjeshtor në këtë vit. E reja nga Kosova ka treguar se për shkak të mesatares së notave në çdo semestër ka qenë pjesë e ‘Dean’s list and President’s list’, Listave të Presidentit / Dekanit.

Studentët vendosën në këtë listë nëse kanë notë mesatare prej 3.5 e më lart.

“Rrjedhimisht në vitin 2017 vijova studimet në Rollins College, për ‘Menaxhim të biznesit’, ku pretendoj të diplomoj në semestrin vjeshtor në 2019-ën. Qysh nga startimi i studimeve të mia si studente ndërkombëtare në US kam qenë në çdo semester e caktuar në  ‘Dean’s list and President’s list. Ky dallim i jepet studentëve që kanë përfunduar një minimum prej gjashtëmbëdhjetë (16) orëve të semestrave të cilët kanë fituar mesataren e notave (grade GPA) nga 3.5 deri te 4.0. Por aspekti më i rëndësishëm për mua ka qenë kur kam marrë informacionin nga Rollins College se jam studentja e parë nga Republika e Kosovës që jam pranuar dhe vijoj studimet në këtë kolegj”, ka përfunduar ajo.

Studentja nga Gjakova për herë të parë ka vizituar Amerikën si turiste në verën e vitit 2011. Ndërsa, në vitin 2015 ajo mori vizë studentore, ku edhe nisi studimet në Amerikë.

Familja e saj jeton në Kosovë, ndërsa ajo bashkë me motrën po qëndron atje.

Atdhetari tetovar që hyri në Shtëpinë e Bardhë

Ismail Arsllani

“Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku kemi dhënë shumë raporte të hollësishme për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi”, kishte thënë gjatë një bisede, veprimtari tetovar në SHBA, Jusuf Azemi.

Në vitin 1993 ishte mbajtur Kongresi i Ballit Kombëtar në Tiranë, ku Hafëz Jusuf Azemi ishte nderuar që ta hap tubimin. Ky ishte rast, për herë të parë pas pesë dekadash të kthehej edhe në vendlindjen e tij në Dobrosht të Tetovës, duke kaluar kufirin e Qafë Thënës pa asnjë problem. Në fshatin e lindjes, atij i ishte organizuar një pritje madhështore. Më vonë do të vijë edhe disa herë, si në vitin 2002, në cilësinë e të deleguarit të Ballit Kombëtar, për t’i përcjellë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por edhe dy herë të tjera gjatë vitit 2005.
Ai, me gjithë shokët e tij, si veprimtarë e patriotë shqiptarë në mërgim, gjithnjë kanë qenë në shënjestër të shërbimeve sekrete jugosllave, të cilat edhe kanë ndërmarrë masa ekzekutimi. “Kanë bërë disa atentate kundër veprimtarëve tanë, që ende nuk mund t’i zbardhim haptazi”, thotë ai, duke shtuar se UDB-a e Shkupit kishte dërguar një person për ekzekutime, por shpejt ishte zbuluar nga organet amerikane, të cilat e kishin depërtuar për në Beograd. “Sa herë që vinim në Evropë, kishim mbikëqyrjen e policëve të shteteve ku qëndronim, siç ishte rasti gjatë një qëndrimi në Austri, ku mbahej një konferencë ndërkombëtare”, kujton ato ditë ky atdhetar, i cili bashkë me shokë kishte marrë pjesë në mbi 50 konferenca të ndryshme ndërkombëtare, ku kishin raportuar për situatën e rëndë të shqiptarëve në këto troje.


Në të kaluarën, Hafëz Jusuf Azemi nga Dobroshti i Tetovës, me një bagazh jete të rëndë, por aktive edhe në moshën 85 vjeçe (më 2005, kur kemi zhvilluar bisedën), nga të cilët 60 i ka kaluar si mërgimtar në Amerikë, ishte njëri nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes së Ballit Kombëtar, duke qenë patriot dhe atdhetar, ka ushtruar një veprimtari të devotshme për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në mërgim, për t’u kthyer në vendlindje pas pesë dekadash. Ai kishte ndalesë kthimi në vendlindje nga regjimi komunist, për t’i parë prindërit, familjen dhe farefisin. Megjithatë, atdhetari dhe ballisti i njohur do të vijë në Dobrosht, për herë të parë në vitin 1993, në fshatin e tij që kishte pësuar mjaft nga sistemi monist në të kaluarën, vetëm pse ky veprimtar patriot kishte prejardhjen nga kjo anë. Kur erdhi e gjeti të gjallë babanë plak 100 vjeç, por me shëndet të brishtë dhe të verbër. Ky i fundit u çmallë vetëm me zërin e të birit, të cilin s’e kishte parë pesëdhjetë vjet.
Pas ardhjes së parë, Jusuf Azemi kishte rastisur edhe disa herë të tjera në Maqedoni, pasi që më nuk e ndiqnin shërbimet sekrete të sigurisë, si njeri që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën antikomuniste dhe anti-jugosllave dhe që ishte njëri nga të kyçurit e parë në lëvizjen e Ballit Kombëtar. Ai vazhdimisht ishte nën kërcënimet e UDB-së jugosllave, e cila kishte tentuar ta izolojë dhe eliminojë fizikisht, ndërsa në njërin nga këto tentime kishte pësuar vëllai i tij Dauti, sepse vrasësit kishin sulmuar gabimisht, shfleton kujtimet për këto ngjarje dramatike, Jusuf Azemi, gjatë vizitës së fundit të tij në vitin 2005.


Vuajtjet e tij fillojnë që nga ditët e Monopolit famëkeq të Tetovës, ku në nëntor të vitit 1944 u grumbulluan nga njësitë partizane disa mijë shqiptarë, për të cilët përgatitej një skenar i tmerrshëm. “Ato ditë nëntori na kanë marrë nga fshati Dobrosht, bashkë me 650 fshatarë të tjerë, për të na mbyllur në këtë kamp përqendrimi të Tetovës, ku bënin roje partizanë maqedonas të Brigadës së 12-të”, thotë Azemi, duke shtuar se aty kishin qëndruar 15 ditë të vështira, me keqtrajtime, rrahje dhe ekzekutime.
Nën përcjelljen e forcave të armatosura, një grup shqiptarësh nga Monopoli dërgohet në Shkup, duke përjetuar të gjitha tmerret e një rruge të vështirë, për të vazhduar për në Katllanovë, Veles, deri në Vallandovë, ku gjatë rrugës popullata sllave u ishte kërcënuar me ofendime “Ballistë!”, “Xhemovistë!” etj., vetëm pse kishin në trup veshje kombëtare shqiptare. Destinimi ishte për në Greqi, por në qytetin Kirkis, afër kufirit me Bullgarinë, ishin dorëzuar dhe kishin mbetur aty 3 muaj. Më pastaj, do të vazhdojnë për në Selanik dhe Athinë, prej nga bashkë me disa të tjerë transportohen në Itali, për të qëndruar në kampin “Santa Marija de Lauka”. Në fillim të vitit 1948 transferohen për në Siri, ku kanë mbetur deri më 1952. Këtu kishte pasur përpjekje që shqiptarët të përfshihen në luftën civile mes palestinezëve dhe çifutëve, por Mithat Frashëri nuk kishte lejuar një gjë të tillë. Jusuf Azemi aty do të regjistrohet në Medresenë e Lartë të Shamit, ndërsa më vonë me ndërmjetësimin e ambasadave angleze e amerikane, në gusht të vitit 1952, i mundësohet që të shkojë në Amerikë. Në Nju-Jork e pritnin shokët, që kishin mbërritur më parë nga kampet e Italisë. Më vonë, bashkë me vëllanë Dautin ishin vendosur në Çikago, ku kishin hapur një gjellëtore.
Në vendlindje, qysh si i ri, Jusuf Azemi kishte dhënë betimin për Ballin Kombëtar
në lokalet e shkollës së fshatit. Në atë kohë ka pasur dy çeta të Ballit Kombëtar, të cilave u ka prirë Xhemë Gostivari. Një çetë i ka takuar Aqif Mustafës nga Dobroshti, i cili vritet në luftë bashkë me disa të tjerë. Në Tetovë ka vepruar Komiteti i Ballit Kombëtar, në krye me Hafëz Xhemil Efendiun. “Aktivitetin e Ballit Kombëtar e kemi vazhduar edhe në Amerikë, pas vitit 1959, kur kemi fituar të drejtën për udhëtime jashtë shtetit”, kujton Azemi.
Ky aktivitet kishte filluar edhe më herët, që nga viti 1953, me një ligj të veçantë të Senatit dhe Kongresit amerikan. Veprimi në organizatë ishte zgjeruar mjaft, sidomos në kohën e kryetarit Nikson, kur kishte filluar bashkëpunimi me presidentin, me senatorët dhe kongresistët amerikanë. “Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë, ku kemi dhënë shumë raporte konstruktive për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi”, nënvizon në fund, Jusuf Azemi.

Serbët bllokojnë një furrë shqiptare në Beograd, thonë “harmonia është disfatë e djallit”

Një grumbull serbësh, pasditen e së shtunës kanë bllokuar një furrë, pronë e shqiptarëve në Borçë të Beogradit.

Me letra që mbajnë hartën e Kosovës nën flamurin serb është mbushur vitrina e këtij lokale, në pjesën e saj të jashtme.

Aty po bëhet thirrje se “harmonia është disfatë e djallit”.

“Sapo është bllokuar furra e shqiptarëve në Borçë, për të shkak të propagandimit të Shqipërisë së Madhe. Stop prodhimeve shqiptare në Serbi”, përcjell Koha.net tekstin e një përshkrimi në një faqe në Instagram, që ka postuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes. “Harmonia është disfatë e djallit”, thuhet më tej aty.

Ky postim ka marrë dhjetëra mesazhe përkrahëse nga serbët e tjerë.

Swift thyen rekord me këngën e re, merr 10 milionë klikime për dy orë

Para dy ditësh, këngëtarja e njohur Taylor Swift publikoi projektin e ri muzikor të titulluar “Me!” që rezultoi një sukses i madh.

Aktualisht kënga numëron më shumë se 67 milionë klikime, por hyri në histori që në orët e para të publikimit.

Për herë të parë në YouTube, një video merr më shumë se 10 milionë klikime në vetëm dy orë.

Fabula e këngës është në lidhje me partnerin e këngëtares, i cili “nuk do të gjejë tjetër si ajo”.

“Është një këngë për përqafimin e individualitetit dhe zotërimin e saj”, ka thënë Swift./oranews

Libri i kuzhinierit Bledar Kola në Amazon, promovohet “Mullixhiu”

“Die neue albanische Küche: Mediterran, Modern, Mullixhiu” është libri me autorët Bledar Kola  e  Ursula Heinzelmann e me fotografi të Manuel Krug i cili është përfshirë në faqen gjigande Amazon, ku në të njëjtën kohë edhe promovohet restauranti i kuzhinierit shqiptar Bledar Kola, i cili mbanë emrin “Mullixhiu”, shkruan KultPlus.

Ky libër që ka cmimin prej 25 eurove dhe përfshinë 70 receta të kuzhinës, shoqërohet edhe me një artikull promovues për restaurantin “Mullixhiu”, i cili rëndësi të madhe u jep ushqimeve bio. /KultPlus.com

Do ta shohësh

Edward Stachura

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do të shohësh natë në mes të ditës
Qiellin e zi në vend të yjeve
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do ta shohësh fytyrën tënde të huaj,
Do të shohësh sa të mëdhenj janë sytë e frikës
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

E të gjithë elementët,
Të gjithë, do të të mallkojnë :
Do të ishte më mirë për ty
Të zhdukesh pa asnjë lajm !

Pushteti jugosllav ia dëboi bashkëshortin Katarina Josipit, Kati më pas nuk u martua kurrë

Frrok Kristaj

Ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Pjetër Hilën, emigrant që konsiderohej në atë kohë, Shkodra.

Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë.

Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Shkodër. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit./KultPlus.com

Chicago Tribune (1920): Presidenti Wilson thekson se Shtetet e Bashkuara duhet të konsultohen për zgjidhjen e kufijve shqiptarë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 27 Prill 2019

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 22 shkurtit 1920, në ballinë, shkrimin e medias amerikane “Chicago Tribune” në lidhje me reagimin e presidentit amerikan, Woodrow Wilson, për çështjen e kufijve shqiptarë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Presidenti Wilson refuzon ende Paktin e Londrës

Uashington, 21 shkurt.

Shkresa e re e Presidentit lidhur me çështjen e Adriatikut kërkon zgjidhjen e problemit në bazë të marrëveshjes së dhjetorit të kaluar. Ajo e hedh poshtë kategorikisht Paktin e Londrës, por e lë derën të hapur për një kompromis.

Presidenti vuri në dukje se nuk ishte konsultuar për marrëveshjen e arritur në janar, të cilën ai nuk do ta kishte pranuar nëse do t’i kishin kërkuar mendimin i tij.

Presidenti proteston në veçanti kundër dhënies së territorit të Volosës në favor të Italisë. Ai mendon se të gjitha pyetjet në lidhje me fatin e ardhshëm të Dalmacisë duhet të zgjidhen nëpërmjet rrugës diplomatike; ai thekson më tej se Shtetet e Bashkuara duhet të konsultohen për zgjidhjen e kufijve shqiptarë. (Chicago Tribune.)/ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/chicago-tribune-1920-presidenti-wilson-thekson-se-shtetet-e-bashkuara-duhet-te-konsultohen-per-zgjidhjen-e-kufijve-shqiptare/?fbclid=IwAR0RYgn-kSiDjsBrndWxMjAxuUD73EKBvIPyfVpQ7KoFRpvR5cnX-gd-HFg

Në qytet kur bie shi…

KultPlus ju sjellë këngën “qyteti” nga këngëtari dhe aktori Kushtrim Hoxha. Tekstin e kësaj këngë e ka bërë vet hoxha ndërsa aranzhimin Visar Kuqi.

Ndjej se era lehtë po fryn
Shikoj si lulet çelin
Ndjej atmosferën e çuditshme
Ndjej atmosferën e mërzitshme
Ndjej atmosferën e çuditshme

Këtë qytet ku unë e ti jetojmë
Tani dhe era, era lehte po fryn
Pikat e shiut në fytyrë i ndjej
Në këtë qytet

Ref…
N’qytet ku bie shi, dritat ndalen
N’qytet kur bie shi, mendoj për ty
N’qytet ku bie shi, lagemi unë e ti

N’qytet kur bie shi, atmosfera e çuditshme
N’qytet kur bie shi, kafja e vogël punon
N’qytet kur bie shi, unë e ti puthemi
Jetojmë dhe duhemi në qytetin tonë./ KultPlus.com

Krahasim i citateve presidenciale të ish-presidentit Rugova e Thaçit, nga Abdixhiku

Me shumë akuza e kundërakuza u mbajt dje Komisioni Hetimor për shtetasit turq, ku u parapa të intervistohet presidenti Hashim Thaçi, por s’e tha asnjë fjalë rreth dëbimit të tyre, përkundrazi, merrte në pyetje anëtarët e kryetarin e Komisionit.

Ndër tjerash, presidenti ka përdorur edhe një fjalor i cili më pas, u komentua edhe në opinionin publik.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku me ironi e ka krahasuar një citat të presidentit aktual, me presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, që e kishte thënë 30 vjet më parë.

“Citate Presidenciale për gjeneratat që vijnë”, shkruan Abdixhiku.

Krahasimet që bëri Abdixhiku:

– Prill 1989: “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë” ~ Ibrahim Rugova, President i parë i Republikës së Kosovës. Doktor i letërsisë, nxënës i Barthes, anëtar nderi i Universitetit të Parisit.

– Prill 2019: “Unë ta shti gishtin te huna” ~ Hashim Thaçi. Gjarpni./koha.net/ KultPlus.com

Të hënën në TKK shënohen 50 vite nga vdekja e Katarina Josipit

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 29 prill duke filluar nga ora 12:00  do të shënohen 50-të vite nga kalimi në amshim i aktores së njohur shqiptare Katarina Josipi-Kati, shkruan KultPlus.

Në këtë ditë kushtuar Katit, kori i grave “Nexhmije Pagarusha”  nga Prishtina do të interpretojnë një këngë të Nexhmijes, e cila karrierën e kishte filluar me Katarinën si aktore, kurse aktorët që kanë interpretuar me Katarina Josipin, e të cilët ende janë në jetë, Leze Qena, Adem Mikullovci, Dibran Tahiri, Selman Lokaj, Safete Rogova, Igballe Qena e Ajshe Ramadani do të evokojnë kujtime për Katin.

Në kuadër të këtij evenimenti kulturor bëhet edhe promovimi i monografisë së Frrok Kristajt “Kati – ikona e teatrit shqiptar”, që u botua vitin e kaluar, kurse sivjet Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptar këtë vepër e shpalli monograf më të suksesshme të vitit. Për këtë monografi do të flet shkrimtari dhe kritiku tashmë i mirënjohur Pren Buzhala.

Më pastaj organizatori do të laureojë me nga një plaketë aktorët që kanë interpretuar me Katin si dhe organizatorët e këtij evenimenti kulturor. Në fund, anëtarët e Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi do të prezantohen me një program të shkurtër kulturo-artistik ”. Ndërsa ditën e martë, më 30 prill, në orën 10, në Zym të Hasit, atje nga vinte Katarina Josipi, por edhe atje ku u varros, do të vendosen lule të freskëta mbi varrin e Katarina Josipit.

Këtë event kulturor e organizon Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Katarina Josipi jetoi gjithsej 46 vjet, prej të cilave 21 i kaloi në dërrasat e skenës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

E nesërmja mund të mos na niset nesër

Edona Haliti

Kur krifa e netëve e kjanë t’uj knue Ditën 
që kurrë nuk u nis. E uturijnë kangët e nanës 
n’ prag
e k’noj t’u e kajtë ditën se t’ deshta

Asht shkurtue n’zemër Koha
tana udhtë m’ janë zgatë
e (s) do me marue kjo Vjeshtë

Kur Netëve t’ Rrëfimit nis Thirrja e Mbramjës
e nij prapë zanin e nanës t’uj thurr sonatë për andrrën teme.

Nis e nemitem për ditët që vijnë :

I numroj gjith k’to tik – take akrepash mureve
si dikur rruzat që shkrepnin syve tu
po s’ të shoh ma.

E venitun shuhem.

N’ shpirtin tan’ si Trinom janë lidhë tana gjanat
makthi t’ fle syve
vetmia t’ fluskon gjakut.

Jeta mbi agime vnerë 
t’ vjellë.

Di t’ vret bash n’ asht ky Zhumhur i Pritjes
kur ma s’ ki as gërhamë për me ngue.

E nesmërja mund t’ mos na niset Nesër

Ç’t’i baj duhmës së mallit? 
Si ta shtrydhë, ta përpij, ta shujë, si ?

Se t’ deshta. 
e t’i përkunda vrragët e zemrës si durtë e nanës.

Prej hanës ilaç bana
t’i putha vujtjet n’ ballë
por(s) ta shujta (dot) zhurin që pate.

A h 
T i

Saherë drejtë meje u nise e s’ arrite k’tu
k u r r ë

Ki me nemit për Ditët që do t’ vijnë 
n’ A-mulli M-akute 
ku U-lurijnë A-ndrrat

Sa e dhimbshme asht’ për me u thanë 
se NE, 
t’ P-rangosur n’ A-vujt e N-etëve prej E-re
kemi me mbetë sall me u kujtue …/ KultPlus.com

Ana de Armas është “Bond Girl” në filmin e ri të James Bondit

Ana de Armas do të jetë “Bond Girl” në kapitullin e ri të sagës “James Bond”.

Armas ka lindur në Santa Cruz de Norte të Kubës në vitin 1988 dhe ky është një rol i rëndësishëm për të kurorëzuar një karrierë gjithmonë e në rritje të saj në Hollywood.

Ana u rrit në Havana dhe në moshën 15-vjeçare hyri në shkollën e artit Escuela National de Arte ku ra menjëherë në sy, aq sa në moshën 18-vjeçare arriti të fitonte rolin e saj të parë në filmin “Una rosa de Francia”.

Një “Bond Girl” është një vajzë e cila dashurohet nga James Bond, ose është ndihmëse në aksionet e tij./tch/KultPlus.com