Ndahet nga jeta senatori amerikan Richard Lugar, miku i Kosovës dhe shqiptarëve

Ish-senatori shumëvjeçar amerikan nga shteti i Indianës, Richard Lugar, i cili u kishte ndihmuar kosovarëve për t’u çliruar, ka ndërruar jetë të dielën. Ai ka vdekur në një qendër mjekësore në Virxhinia, në moshën 87-vjeçare.

Lugar ishte një prej zërave më të fuqishëm rreth politikës së jashtme amerikane.

Bashkë me John McCainin, Lugar ishte në pakicën republikane që përkrahu presidentin amerikan, Bill Clinton, në fushatën e NATO-s, të udhëhequr prej tij, për intervenim kundër Serbisë, për të shpëtuar popullin e Kosovës në pranverë të vitit 1999.

Kishte mbështetur, veç Kosovës, edhe përpjekjet për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, përpjekjet për të rrëzuar diktatorin filipinas, Ferdinand Marcos, dhe përpjekjet për të siguruar armët e shkatërrimit në masë të ish-Bashkimit Sovjetik.

Lugar ka vdekur pas komplikimeve nga polineuropatia demielinizuese inflamatore kronike, një çrregullim neurologjik, ka bërë të ditur Qendra Lugar, një organizatë jofitimprurëse nga Uashingtoni, e përqendruar në çarmatimin bërthamor, sigurinë e ushqimit dhe çështje të tjera rreth të cilave kishte punuar senatori në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Express/KultPlus.com

8 mijë delegatë nga e gjithë bota në Vancouver, Vasfije Krasniqi do të tregoje tmerret e luftës

Disa ditë para dëshmisë së saj në Kongresin Amerikan, mbi dhunën seksuale të ushtruar si mjet lufte gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, do të flasë në konferencën më të madhe globale Women Deliver që do të mbahet në Vankuver, Kanada.

Kjo konferencë ku priten të marrin pjesë rreth 8000 delegatë nga e gjithë bota, është organizuar në patronazhin e Kryeministrit Kanadez Justin Trudeau dhe zonjës Trudeau.

Falë mbështetjes së pakursyer së organizatorëve të konferencës dhe qeverisë kanadeze, jemi të lumtur që Vasfija do të ndajë historinë e saj dhe të 20 mijë grave të dhunuara në Kosovë gjatë luftës dhe do të motivojë gratë në të gjithë botën që të ndajnë historitë e tyre dhe të luftojnë stigmatizimin mbi dhunën seksuale./ KultPlus.com

“Oj zogo jelek me vija, a i ke pa shoqet e mija”

KultPlus ju sjellë një këngë të vjetër e cila këndohet nga këngëtarja Nazmie Hoxha, kënga titullohet “Oj Zogo Jelek Me Vija”.

Oj zogo,

Oj zogo jelek me vija,

A i ke pa shoqet e mija, a i ke pa.

A i ke pa shoqet e mija.

Tu’j çëndis o nder një hije,

Tu’j bo gati për nusërie.

Oj fëllënzë,

Oj fëllënzë, fëllënzë e malit,oj fëllënzë.

A i ke ba,

A i ke ba çorapet e djalit, a i ke ba.

A i ke ba çorapet e djalit.

I kam ba,

I kam ba i kam çëndis e, lule-lule i kam ujdise.

Hajde nuse,

Hajde nuse dalëngadalë,

Ka shumë kohë që të pres me ardh.

Hidhet vallja,

Hidhet vallja ore-ore,

Nusja jonë si lulë bore. / KultPlus

https://www.youtube.com/watch?v=V5JabuLzTqc

Ali Podrimja vajton vdekjen e Anton Çettës

Ali Podrimja

VAJI PËR TË ZONË

Anton Çettës

Mungon kodi
Shiriti i zi rreth Ylberit
Muri mungon në mes teje e Ujkut të Çalë

Për asgjë e kurrkushët
monedhë e shpuar Atdheu

Mungon liria jote
Udha e motshme e komitëve
Vrapi i atit të Gjergjelezalisë
Në hapësirën nevrike

Nëpër fjalë ngatërron Vdekja
se në pazar doli Atdheu

As për pesë para burrëria
Majë gishtërinjve
kush i pari ngritet 
të nëntëdhjetëenëntat i bën

Në mes gurëve të gjarpërinjëve
trupin Atdheut ia ha litari

a e qitën në dyzen, po pikën Kullës
Në besë e pren Mjeshtrin

Zogut magjik nga mugëtirat e dheut e fjalëve
ia mbledhim puplat
nën frëngji të përgjumura

Për të zonë
se ç’vajton kënga o i madhi Zot

Ulpianë, shtator, 1997

Zbulohen gjurmë dinozauri 200 milionë vjeçare

Kërkuesit kanë zbuluar një gjurmë të fosilizuar dinozauri që është rreth 200 milionë vjeçare, gjatë një ekspedite në Antarktidë.

“Zbulimi ishte një gjurmë në formën e dorës së një kafshe nga grupi i arkozaurëve”, tha të mërkurën Instituti Federal i Gjermanisë për Gjeoshkencat dhe Burimet Natyrore (BGR) në qytetin verior të Hanoverit.

Megjithatë, ende nuk dihet për çfarë lloji i dinozauri bëhet fjalë.

Kërkuesit e zbuluan gjurmën në janar të vitit 2016 në Heliuell Hills në veri të Viktoria Lend, por gjetjet e tyre u botuan tani në revistën “Polar Research”.

“Kocka dinozaurësh janë zbuluar më parë në veri të Viktoria Lend”, tha kryesuesi i ekspeditës Andreas Laeufer, por në veri, as edhe një dhëmb nuk është gjetur akoma.

“Ishte një gjë që nuk e prisnim”, tha ai për këtë zbulim.

Për më tepër, shkencëtarët kanë gjetur mbetje të fosilizuara të pyjeve rreth 1700 kilometra nga Poli i Jugut, transmeton ATSH.

“Kjo tregon se Antarktida nuk ka qenë kontinenti i akullt që ne njohim sot, para 200 milionë viteve”, theksoi Laeufer./ KultPlus.com

Restaurimi në Kishën e Ristozit nxjerr në dritë datën e ndërtimit

Kisha e Ristozit është një monument i trashëgimisë kulturore në fshatin Mborje të Korçës. Mbishkrimi në portën hyrëse të kësaj kishe pas restaurimit, tregon edhe datën e saktë të ndërtimit të saj. Bëhet fjalë për datën 13 nëntor 1389.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të zbuluar në hyrje të kishës: 

U ngrit (ndërtua) që nga themeli me përpjekje dhe mundim ky tempull hyjnor e i gjithënderuar i zotit tonë Jezu Krisht Jetëdhënës dhe u pikturua prej piktorit Peshkopit të gjithëhirshëm zotit Nimfon, në kohën e zotërimit tê Amiralit, vëllezërit e gjithëlumtur Sebastokratorë Jani dhe i gjithëlarti Despot Zoti Theodhori viti 6898 (=1389) Nëntor 13./vizionplus/ KultPlus.com

Kadare në librin: Mbi Krimin në Ballkan

Fraza e famshme e presidentit amerikan Clinton, të fitojmë luftën, por të mos humbim paqen, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqësisht, i saktë.

Krimi serb mbi shqiptarët: Njëzetmijë gra u përdhunuan anembanë Kosovës , mbi 800 fëmije nën moshën 5-vjeç u therën si berrat , mijëra djem, burra, gra, pleq  u masakruan, vranë , u dogjën  për së gjalli. Mbi një milion popull u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Mizori të papara në fytyrën e dheut iu bënë këtij populli martir.

Si një lajm i mirë, por tepër i pikëllueshëm, për t’u quajtur ashtu, midis padurimit të pritjes, një zë i ndryshëm, u ngrit për të dëshmuar atë që ngjante e padëshmueshme: dramën e grave në luftë. Nuk ishte ndonjë kor fantazmash, as zëra mistikë që kapërcenin të palejueshmen. Ishin ato vetë, u ngritën të dëshmonin, vajzat dhe gratë e Kosovës. Nëpërmjet librave dhe shkrimeve të Sanije Gashit, Flora Brovinës, Luljeta Selimit, Gordana lgric-it, Veprore Shehut e të tjerave, që për shkak të mosinformimit iu kërkohet ndjesë nuk po përmenden këtu, shpaloset tabloja, që e tremb dhe e spraps, atë që rrallë herë është trembur e sprapsur në këtë planet: rrëfimin botëror. Nuk ka asnjë teprim në këtë thënie. Aq më tepër që ajo  vjen nga një njeri i letrave, për të cilin nuk janë aq të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit. Është e lehtë të thuash se qysh nga hordhitë e Xhingis Hanit, e gjer në mbarim të shekullit XX, në Kosovë, ndoshta u arrit një nga kulmet e mizorisë njerëzore, asaj që përdhunimin e grave e kthente në mjet lufte. Kjo mizori, e njohur prej shekujsh, pësoi një risi, ashtu si makinat e tjera të luftës, topat, karrot e blinduara, bombardimet, gazi helmues, terrori dhe propaganda e tij. Të gjitha këto, në njëfarë mënyre njiheshin, por qëllimi kryesor i përdhunimit, nuk u kthye si kryesor i një doktrine: thyerjes morale të një populli. Jo  vetëm i grave, siç mund të merret në vështrim por në radhë të parë, i burrave. Jo vetëm për brezin që po e pësonte goditjen, por po aq për brezin e ardhshëm. Ishte një makinë  e llogaritur për veprim të gjatë  veprim të gjate, për kalendar ferri, ashtu siç janë afatet për shuarjen e një kombi. Ndaj ishte e rrallë si makinë dhe e paparë si lemeri. Dhe për të njëjtën arsye, e parrëfyeshme me format e njohura të artit: rrethet e ferrit dantesk, aktet e teatrit antik e të tjera të ngjajshme.Gjuhët kanë cilësinë, që  ngjan misterioze, të krijimit të fjalëve, jo vetëm për kohën e vet, por disa herë për të ardhmen. Shqipja e vjetër, si të parandjente një gjëmë të ardhme, për përdhunimin e femrës, krijoi fjalën dyfish të rëndë “shnjerëzim”. Me kalimin e kohës, rrjedhimisht zbehjen e tmerrit të dhunimit, fjala hijerëndë u tërhoq për t’ja lënë vendin një fjale më të re, më saktë, një kalku, siç ka ndodhur në shumë gjuhë  të sotme. Askush nuk mund ta mendonte se në mbarim të mijëvjeçarit, si për trill të fatit a pezmi per mënjanimin e parakohshëm, thelbi i fjalës së vjetër, do të rikthehej më kërcënues se kurrë.

“A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre?”, thërret një tjetër humanist.

Vajzat dhe gratë e shnjerëzuara pushonin së qeni krijesa njerëzore për të dy palët: për përdhunuesit, por edhe për vetët. Qysh në ketë pikë, këto krijesa, ndaheshin nga personazhet e njohura të rrëfimit tradicional. Por ndarja do të shkonte edhe më tej. pas aktit të dhunimit, në vend të ngushëllimit e të kujdesit, ato do të përjetonin shkretëtirë tjetër, të pa njohur, të palogjikshme, sikur të kishin kaluar në anën tjetër të  pasqyrës, atje ku nuk ka më asgjë të kësaj bote.“Unë jetoj e vdekur dhe më marrin për të gjallë”, rrëfen njëra prej tyre. “Ne jemi morali dhe pamorali i Kosovës”, thotë një tjetër. Dhe shton se midis të gjallëve ato ndihen të vdekura. Është një ndarje që nuk ngjan me asgjë, e në radhë të parë, me vetë ndarjen. Zërat e tyre janë më të pakuptueshme se ato të fantazmave. Sipas një humanisti, kanë prekur fundin e ferrit dhe po ashtu, kulmoren e qiellit. Janë në mesin e asaj që  mund të quhet njëfarë bimorti (dyvdekje) e tyre, dhe s’kërkojnë gjë tjetër, veçse që, pas ikjes së shpirtit, t’i lënë të qeta, për të kryer gjysmën e dytë të ikjes, atë të trupit. “A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre?”, thërret një tjetër humanist. Natyrisht, është përgjigja. Dhe e keqja s’mbaron me kaq. Moskuptimi ynë, në të dy anët e pasqyrës, vazhdon. Sepse, jo vetëm hapësira, por as koha s’është më si më parë. Ne do të kthehemi e do të rikthehemi te drama shumë herë, edhe atëherë, kur vullneti ynë do japë shenjat e lodhjes. Edhe atëherë kur fjala “mjaft” do të dëgjohet si lutje a si kërcënim. S’ka patur fund për atë torturë. Dhe fundet dhe fillimet kanë qenë të përziera. Dhe prologu dhe epilogu dhe pas tyre gjithçka. Dhunshëm, po të jetë nevoja, do ta çojmë përfytyrimin tonë te tryezat, sipër të cilave, vajzat dhe gratë e lidhura prisnin shnjerëzimin. Skenat ndodhnin shpesh në klasat e shkollave, ku në dërrasën e zezë ishin ende gjurmët e shkumësit, pas mësimit të fundit. Dhe përbri tyre, burrat dhe djemtë dhe adoleshentët e lidhur, që do shihnin me detyrim “përdhunimin e vajzave të tyre, të grave, të motrave, të nënave  dhe prapë të motrave të shikuara prej vëllezërve, prej burrave të rinj,  të vajzave prej prindërve, prapë prej adoleshentëve, të fejuarave, të kunatave, të  çikave të  axhës, dhe prapë vajzave, e kështu pa fund, përdhunim ushtarësh dhe midis tyre, tallja, po ti paske qenë e virgjër, bukuroshe, por unë do të marr për grua, të të çoj në Beograd, ha, ha,ha dhe prapë përdhunim, dhe aty këtu, një krismë plumbi, që pritej si dhuratë e shtrenjtë e si shpëtim./topkadare.com/ KultPlus.com

Përditshmëria e refugjatëve kosovarë në Kukës në fokusin e fotografes spanjolle

KultPlus ju sjell një seri fotosh të bëra nga fotografja  Cristina Garcia Rodero, në të cilën shihen refugjatët kosovarë gjatë viti 1999.

Rodero ka lindur në Puertollano të Spanjës, në vitin 1949. Ajo studioi pikturë në Universitetin Complutense të Madridit.  Në vendin e saj në Spanjë ajo është ndër fotografët dokumentarë më të famshëm. Rodero fotografon këmbënguljen e traditave rurale në kohët moderne, siç janë ritet fetare dhe festat në Spanjë.

Gjatë viti 1999, fotografja Cristina Garcia Rodero qëndroi në Kukës ku fotografoi jetën e refugjatëve nga Kosova dhe sfidat e tyre të përditshme gjatë atyre ditëve./ KultPlus.com

Pavarësisht investimeve të vogla, Kosova vend atraktiv për turistët

Kosova vazhdon të mbetet vend atraktiv për turistët. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Doganës, janë shënuar më shumë se 700 mijë vizita, me 138 nacionalitete të ndryshme që kanë hyrë në Kosovë. Turizmi malor vazhdon të jetë më atraktiv.

Kosova ka një sipërfaqe prej më shumë se 10 mijë kilometrash katrorë, dhe posedon rreth një mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar dhe zhvilluar turizmin.

Ndonëse janë shënuar rritje vizitash, Kosova mbetet ende vendi i fundit në rajon sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, ku sipas profesionistëve të kësaj fushe, thuhet se më pak se 100 mijë euro investohen brenda vitit për këtë sektor, derisa vendet e rajonit, sipas tyre, shpenzojnë miliona euro për turizmin.

Dren Zatriqi, ekspert i turizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i turistëve që vizitojnë Kosovën janë nga Evropa Qendrore apo gjermano-folësit, si dhe nga grupet e Azisë e që janë pjesë të grupeve Ballkanike, ku edhe Kosova po hyn në këtë grup.

“Edhe këtë vit presim trend të rritjes së turistëve. Kryesisht turistët vijnë nga Evropa Qendrore, Azia, por edhe nga vendet e Ballkanit. Kosova është bërë atraktive, sidomos për këtë grup të turistëve. Për turizëm jemi vend me buxhetin më të ulët në rajon, pra diku rreth 100 mijë euro investohen nga shteti në vit për turizëm, derisa vendet tjera kanë me miliona euro investime. Ne, definitivisht, kemi nevojë për përmirësim të shërbimeve dhe atraksioneve për dallim me shtetet në rajon”, vlerëson Zatriqi./ KultPlus.com

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

Chopin Piano Fest dhe Filharmonia e Kosovës bashkohen për një përmbyllje të fuqishme të edicionit të 10-të

Ashtu siç është bërë traditë mbyllja e festivalit Chopin Piano Fest do të bëhet së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Dy mysafirët e veçantë të koncertit i cili do të mbahet sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të rinisë, do të jenë dirigjenti Stefan Vladar dhe tenori Josif Gjipali, shkruan KultPlus.

Në Konferencën e mbajtur për media, drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, u shpreh falënderues ndaj festivalit i cili për këtë koncert solli dy muzikantë shumë të veçantë.

“Bëhet fjalë për tenorin shqiptar me famë botërore Josif Gjipali i cili do të prezantohet me dy arie, me orkestrën tonë dhe me dirigjentin Stefan Vladar i cili njëkohësisht paraqitet edhe në rolin e pianistit. Vladar, na ka lënë shumë përshtypje me punën e tij disa ditore me orkestrën e Filharmonis së Kosovës. Kemi koncertin për piano numër tre të kompozitorit Betthoven, më pas tenori Josif Gjipali do të realizojë me orkestrën tonë dy arie të Puccinit dhe në pjesën e dytë të koncertit do të ndjekim simfoninë numër 5 të kompozitorit Tchaikovsky”, tregoi Baki Jashari.   

Koncertin e natës së sotme e konsideroi të mbarë edhe pianisti e dirigjenti nga Austria Stefan Vladar. Ai tregoi për punën që ka bërë së bashku me orkestrën gjatë këtyre ditëve për të sjellë me të mirën e tyre dhe për t’i dhuruar Chopin-it një mbyllje të denjë për këtë vit jubilar.

“Vitin e kaluar erdha këtu në Chopin Piano Fest për të luajtur në piano, luajtëm së bashku me gruan time pianisten. Na pëlqeu shumë edhe pse për një kohë të shkurtër, na pëlqeu mikpritja, njerëzit, festivali dhe biseduam për një mundësi që të vijmë përsëri. Ishte kënaqësi ta pranoj ftesën e Filharmonisë për të punuar me anëtarët e Filharmonisë me një mënyrë pak më ndryshe sesa jam mësuar të punoj. Jam shumë i kënaqur që ata ishin shumë të hapur ndaj kësaj qasje të dhe jam i sigurt që do të jetë një koncert i bukur. Publiku do të kënaqet sepse muzika që kemi zgjedhur do të prek zemrat dhe do dhurojë emocione”, u shpreh dirigjenti Stefan Vladar.

Drejtoresha artistike e festivalit “Chopin Piano Fest” Lejla Pula, tha se edhe orkestra por edhe publiku që do jetë i pranishëm sonte në natën e fundit të festivalit, do marrin energji dhe impulse të reja nga dirigjentët e huaj që sonte janë mysafir të festivalit.

“Kjo traditë ka qenë e bukur dhe e kemi mbështetur gjithmonë artistë të rijnë me rastin 10-të vjetorit të këtij festivali jam e lumtur që maestro dhe pianisti me famë botërore dhe dirigjent i shkëlqyeshëm, Stefan Vladar, do i kemi në mesin tonë. E falënderoj maestron që është shok me ne pasi që orkestra merr një energji pozitive dhe impulse të reja nga dirigjentët shumë të njohur, jam e lumtur për këtë gjë dhe besoj që publiku do ta shijoj jashtë mase”, tha Pula.   

 Ndërsa drejtoresha organizative, Besa Luzha, tha se artistët janë një komunitet i përbashkët që synim kanë ti ofrojnë publikut vlera të mirëfillta artistike. 

“Ftojmë edhe institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi të ketë mbështetje në përkrahjen e talenteve të rinj sepse jemi një komuniteti i përbashkët që synim e kemi me i ofru publikut vlera të mirëfillta artistike”, tha Luzha.

Festivali “Chopin Piano Fest” sonte përmbyllë edicionin e dhjetë me radhë. /Frosina Byqmeti / KultPlus.com

Mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë duke u larguar nga Varshava për në Riga

Nga Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të dielën e 16 korrikut 1939, në ballinë, fotografinë e rrallë të sovranëve shqiptarë, gjatë largimit të tyre nga kryeqyteti polak për në atë letonez, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë janë në Riga


Sovranët e Shqipërisë dhe motra e mbretit gjatë largimit nga Varshava për në Riga – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“E dinim se mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë do të largoheshin shumë shpejt nga kryeqyteti letonez në drejtim të Stokholmit. Por mbretëresha ndihej pak e sëmurë, kështu nisja u shty për nesër të hënën.”

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/excelsior-1939-mbreti-zog-dhe-mbreteresha-geraldine-duke-u-larguar-nga-varshava-per-ne-riga-foto-ekskluzive/.

“Në moshën pesëdhjetë vjeçare secili ka fytyrën që meriton”

George Orwell ishte një novelist, eseist, gazetar dhe kritik anglez. Ai ishte një njeri i fortë i cili shkroi për disa tema kryesore që lidhen me pikëpamjet politike dhe lëvizjet e kohës së tij.

Romanet e tij më të njohura janë Animal Farm dhe Nineteen Eighty-Four.

Puna e Orwell kishte një ndikim të madh në kulturën popullore dhe politike. Orwellian, i cili përshkruan një situatë, ide, apo gjendje shoqërore të identifikuar si destruktive për mirëqenien e një shoqërie të lirë dhe të hapur.

New York Times rendit Owell të dytin në listën e “50 shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945” dhe në 2016, ndërsa  një statujë e tij është vendosur përpara  BBC-së në Londër.

Orwell kishte një ndjenjë të lartë morale dhe respekt për drejtësinë.

Ja thëniet më të njohura të tij:

“Në një kohë mashtrimi kur tregohet e vërteta është një akt revolucionar.”

“Mënyra më efektive e tyre për të shkatërruar njerëzit është të mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre.”

“Kush e kontrollon të kaluarën kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën.“

“Nëse liria do të thotë asgjë për dikë,  kjo do të thotë e drejta për t’u treguar njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.“

“Përballë dhimbjes nuk ka heronj.“

“Fuqia është në grisjen e mendjeve njerëzore në copa dhe bashkimin e tyre përsëri në forma të reja të zgjedhjes suaj.“

“Thelbi i të qënit njerëzor është se njeriu nuk kërkon përsosmëri.“

“Zgjedhja për njerëzimin qëndron midis lirisë dhe lumturisë dhe për shumicën e madhe të njerëzimit, lumturia është më e mirë.“

“Realiteti ekziston në mendjen e njeriut dhe askund tjetër.“

“Njerëzit flenë në mënyrë paqësore në shtretërit e tyre natën vetëm sepse janë të gatshëm ta bëjnë këtë në emër të tyre.“

“Në tërësi qeniet njerëzore duan të jenë të mira, por jo shumë të mira dhe jo mjaft të mira  gjatë gjithë kohës.“

“Ne e dimë se askush nuk e merr pushtetin me qëllim të heqjes dorë prej saj.“

“Nëse doni të mbani një sekret, duhet ta fshihni atë nga vetja.“

“Politikanët, mashtruesit, hajdutët dhe tradhtarët nuk janë viktima, por bashkëpunëtorë.”. / KultPlus.com

Parajsa natyrore e Syrit të Kaltër, destinacioni i preferuar i të rinjve

Aksioni i nisur për pastrimin e Syrit të Kaltër në Sarandë po rikthen këtë destinacion turistik në një vend të pastër dhe me standardet e duhura, për të pritur më shumë turistë në sezonin e ri veror.

Këtë fundjavë të rinjtë vullnetarë të Eco Volis kanë zgjedhur të shijojnë fundjavën në këtë park natyror, i cili pas përfundimit të aksionit të parë të pastrimit, ku janë bërë heqjet e mbetjeve inerte, mbjellja e pemëve, si dhe shtimi i koshave për hedhjen e mbeturinave, i kanë kthyer kësaj pike të rëndësishme turistike pamjen e merituar.

Të rinjtë kanë shijuar bukuritë e këtij peizazhi të mrekullueshëm duke bërë kanoe në ujërat e kristalta, si dhe duke shëtitur me biçikleta në zonën e mbushur plot me gjelbërim.

“Pas nisjes së punës për rehabilitimin e Syrit të Kaltër, vullnetarët e Eco Volis i kërkojnë qytetarëve të mbrojnë Parkun Kombëtar, duke promovuar bukuritë përrallore të kësaj embleme të turizmit shqiptar”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. / KultPlus.com

“Originals”, publikohet albumi i Prince pas ndarjes nga jeta

Pas më shumë se tre vjetësh nga ndarja nga jeta e Prince, vjen lajmi për daljen e albumit të dytë të tij pas atij me titull “Piano & a Microphone 1983”, marrë nga arkivi i tij.

Më 7 qershor do dalë në platformën online Tidal, albumi “Original”, me 15 këngë të shkruara për artistë të tjerë, në versione të pa dëgjuara më parë, përveç këngës së famshme “Nothing compares 2 U”, e bërë e njohur nga Sinead O’Connor, por e publikuar edhe nga autori i këngës. Më 21 qershor, vepra do publikohet edhe nga Warner Bros.

Mes këngëve të përzgjedhura, janë  “Manic Mondays”, e cila u kthye në sukses nga grupi femëror “The Bangles”, kënga  “The Glamorous Life” e “Noon Rendezvous”, të dhuruara për t’u kënduar nga  Sheila E., nxënësja e Prince.

Lista e këngëve përfshin “Baby, You’re a Trip”, një tjetër vepër e interpretuar nga shoqet e tij të jetës dhe muzikës, Jill Jones./atsh/ KultPlus.com

Emine Farka, zonja që gërmoi dheun me duar në mes të natës




Vajza e vetme e familjes Farka, drita e syve për tre vëllezërit. Tradita tironase e do që vëllai pas motrës të bëi jo vetëm shumë, por ta kulloi motrën me 1001 të mira. Kështu Emineja midis tre çunave Farka jo vetëm që e donin dhe “llastonin,” por e mbështetën të shkollohej. Ibrahimi dhe Xhemali ushqyen tek motra e tyre dashurinë kombëtare, por mbi të gjitha bluajtën tek ajo ndjenjat e një femre bashkohore. Ata donin që e motra mos tu ndahej kohës së emancipimit.

Znj. Emine Farka lindi më 1910 në Tiranë plot 3 vjet mbas lindjes së vëllait të madh Ibrahimit. Ibrahimi do të bëhej NënToger i Mbretërisë me studimet e kryera në Romë. Ardhja e saj në jetë mbas 3 vjetëve u prit me hare dhe shumë dashuri nga gjiri familjar. Mëpastaj do të lindte Xhemali, i cili u bë një gazetar i arrirë ndaç në shtypin e shkruar shqiptarë, ndaç në gazetarinë fonike si gazetar për radion “Zëri i Amerikës” në Egjipt, edhe “Radio Bari” në Itali. Ndërsa vëllai vogël, Hasan Farka, u prek fort nga lufta e klasave kështu nuk mundi ta vazhdoi rrugën e gazetarisë dhe të artit që e kishte fort për zemër. Disa shkrime të Hasanit janë botuar në gazetat e kohës para komuniste.

Emine Farka2
Të fejuar vitet ’30 – Tiranë.

Ata që e njojtën Eminen e tregonin shumë të urtë dhe tepër miqsore. Shkollën fillore dhe 8 vjeçare do t’i kryente në qytetin e lindjes. Ishin vite të lumtura ku mbizotëronte qetësia dhe harmonia fëminore. Ndër të parat femra në Shqipëri që ndoqi studimet pranë Institutit Amerikan Harry Fultz në Tiranë, ku dhe do të fokusohej mësëshumti në degën e bukur të ekonomisë. Instituti Amerikan asikohe ofronte dhe klasa për amvisë, synimi ishte gjithë tek fryma perendimore e të qenurit amvise ndërthurur bukur me traditat e vajzës shqiptare. Në këto klasa Emineja shkëlqeu. Gjatë viteve studentore u njoh me Abas Deliallisin. Sikur ta dinte Emineja që ekonomia e shkollës do t’i shërbente për tek dera e burrit, të cilët ndër të tjera ishin tregtarë të njohur të kohës. Deliallisët ishin një derë e madhe patriotësh, por nga të tillë rrënjë rridhte dhe Emineja. Babai i Eminesë, zotni Hamdi Farka, ka punuar si avokat, prokurorë dhe drejtor finance në Tiranë. Më 26 nandor (brymuur – siç i kanë pas thëne tironsit nandorit) 1912 Hamdi Farka ishte mbështetës i zellshëm në ngritjen e flamurit në Tiranë. Bashkimi i Eminesë me Abazin solli një martesë të shëndoshë, edhe pse i shoqi do t’i dënohej me 18 vite burg. Ata e deshtën dhe nuk e lëshuan kurrë njëri tjetrin.

Fati e desht, ose më mirë të them, fati i zi e desht që në pushtet erdhën njerëz që jetonin duke marrë gjak dhe jetë të pafajshme. Pushtetarë, të cilët e tjetërsuan një komb dhe e bënë të spiunonte vëllai vëllanë. Besa shqiptarit shkoi e mori lumi bashk me njëriun e ri komunist që ndërtoi Byroja me kompani. Ardhja e komunizmit do ta gjente Eminen në moshën 34 vjeçare të bërë nënë tashmë. Emines do t’i pushkatonin dritën e syve Xhemalin, vëllain e qeshur dhe plot jetë. Shakaxhiun që mbante gjallë fisin me humorin e tij të hollë. E pushkatuan dhe nuk i treguan se ku ia kishin groposur trupin e pajetë. Në fshehtësi të plotë Emineja e mori vesh se ishin pushkatuar një grup intelektualësh tek fusha ku më pas u ndërtua “Uzina Dinamo”. Mori vëllanë e vogël Hasanin, brenda natës u mbulua me një çarçaf të vjetër dhe shkoi me thonj e duke gërmuar dheun për të gjetur vëllanë. Thonjtë ju bënë gjak, sytë i kishte plagë nga të qarat, zemrën e kishte gurë nga dhimbja, ama Xhemalin nuk e gjeti dot. Sot e kësaj dite djaloshi bukurosh gazetar është pa varr. Vëllai i madh Ibrahimi i arratisur, vëllai tjetër i pushkatuar, burri në burg… prandaj nuk e teproj kur them se Emines i takon t’i them “burrneshë”. Sakrificat e saja janë të një dimensioni gjigand. Shpirti ia di asaj gruaja si i rriti fëmitë e saj, gjithashtu si arriti t’i bënte njerëz me vlera larg të keqes kolektive. Edhe pse Emineja ka 35 vite që ka vdekur mbesa Zenita përmallohet shumë kur flet për hallën. Uroj shumë që me ketë blog modest t’i kem falur dashuri Zenitës, edhe çdo te afërmi të zonjës Emine (Farka) Deliallisi.

Emine Farka3
Screen Shot 2019-04-02 at 5.03.17 PM
Gazetari dhe studiuesi Xhemal Farka, i pushkatuar dhe ende pa varr.



Nga Marsida T. Najdeni

Gazeta amerikane: Një reportazh për krimet serbe në Gjakovë nga CBS

60 Mintues është revista e lajmeve më e shikuara në Amerikë, që transmetohet në televizionin CBS. Gazetari i mirënjohur amerikan Scott Pelley, kishte realizuar një reportazh për krimet serbe në Gjakovë, shkruan FMimages.net

Kur NATO filloi bombardimet mbi Jugosllavinë, askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte brenda Kosovës. Kishte rrëfime për masakra, por vendi ishte izoluar dhe mbretëronte terri informativ. Tani ka një provë gjithnjë në rritje se terrori ishte më i keq se që mendohej. Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës po përpiqet të ngritë një akuzë kundër Presidentit serb Slobodan Millosheviç. Kjo tingëllon si një rast për FBI-në dhe pikërisht këtë e bëri gjykata. Kosova tani është hetimi më i madh i vrasjeve në histori të FBI-së. – kështu e fillon reportazhin  në 60 Minutes, gazetari Scott Pelley.

Dhe kjo është skena e krimit, vendi ku FBI ka fousuar hetimin e saj. Qyteti i Gjakovës, apo ajo çfarë ka mbetur prej tij, ka qenë një komunitet më 70,000 mijë banor.

Pothuajse të gjithë shqiptarët përjetuan një fushatë tre mujore terrori të vrasjeve nga policia dhe ushtria serbe.

Sot refugjatët që kanë ikur po kthehen në shtëpi, por ky është një qytet që ata nuk e njohin më. Ky është një vend ku të gjithë kanë humbur dikë.

Në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, serbët filluan spastrimin e Gjakovës. Këtu policia serbe dogji qendrën e vjetër të qytetit, duke djegur dyqanet dhe shtëpitë e shqiptarëve kosovarë. Shqiptarët që ishin fshehur në bodrumet e tyre u nxorën zvarrë në rrugë dhe u ekzekutuan. Të tjerë u dogjën të gjallë.

Sot qyteti i Gjakovës është shndërruar në një varr masiv. Çdo ditë, gjatë gjithë ditës, familjet vijnë për të gjetur të vdekurit. Në varrezat, ata tërheqin trupa të panjohur nga toka, një nga një, duke kërkuar për një motër, një nënë, një baba, një mik. Nasmi Hoxha po kërkon vëllain e tij më të vogël.

Për më shumë shikojeni reportazhin e plotë të sjellur ekskluzivisht nga FM Images Albania:

https://www.youtube.com/watch?time_continue=81&v=8BNw1d3hneQ

Konica vdiq i vetëm, me 15 dollarë në xhep

Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj.

Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë.

Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në gardërobën e tij kishte ndonjë dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.

Ishte e hënë, ora 5:00 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale.

Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat.

Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr.

Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh.

Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh.

Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk dukej dhe aq keq.

Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”.

Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit.

Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8:00, Charlotte shkoi ta shohë përsëri.

Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën.

Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij.

Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral.

Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 centë në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra.

Oden tha se do të bëhej vetë garant.

Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë.

Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë.

Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur.

Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane.

Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Certifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste.

Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta.

Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllain, Mehmetin.

Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditshme me Ann Corion.

Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin.

Washington Post përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington.

Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti.

Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur.

Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar.

Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë.

Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara.

Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.” /Marrë nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington, botim i dytë/

Rrëfime tronditëse për krimet ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Emisioni “Gjurmë shqiptare” sjell rrëfime tronditësve të shqiptarëve të mbijetuar në Çamëri. 

Shumë shtëpi në Çamëri janë të boshta, të braktisura, si dëshmitare të kohëve të shkuara kur aty jetonin  shqiptarët. Në një pjesë, pas masakrave të vitit 1944, u vendosën banorë të rinj grekë, të tjerat janë vënë nën pushtetin e bimësisë e kohës që pavarësisht gjithçkaje nuk ka mundur t’i zhdukë plotësisht.

“Trupat e Napolon Zervës u derdhën mbi zonën e Çamërisë. Krimet ishin të përbindshme, aq sa është e vështirë t’i përshkruash. Padyshim më mirë se kushdo këtë mund ta bëjnë vetëm ata që  panë e prekën me sytë e duart e tyre në mënyrë të drejtpërdrejte të gjitha këto barbari. Ndaj si kurrë me parë historinë, faktet, të dhënat, emocionet që mbajnë përbrenda do ti tregojnë ata vetë, të mbijetuarit e masakrave të tmerrshme në Çamëri”, njofton Marin Mema.

“Edhe e morën nënën time edhe e torturuan me shufra hekuri”, tregon e mashura.

“Kuptoni vete se çfarë mund të kenë bërë ata aty, në atë shtëpinë me gratë edhe vajzat, me gratë e reja dhe vajzat…”,  tregon Nexhat Mergjyshi

“Tetë veta kanë vdekur nga shtëpia jonë, jo nga fisi…”, rrëfehet një tjetër e moshuar.

“Edhe ngarkuam rrobat, edhe ne fëmijëve na vunë në samar. Kupton  që arritëm”, shprehet një tjetër e moshuar.

“Ndoshta kanë punuar që të bëheshim grek, ne nuk ndërruam dot fenë, nuk ndërruam dot traditat tona shqiptare e ku ta di unë”, tha Nexhat Mergjyshi.

Këto histori i tregojnë të mbijetuarit e 1944-ës. Për më shumë, shikojeni të plotë videon e dokumentarit të gazetarit Marin Mema, edhe me titra në anglisht, “Dëshmitë e gjalla të Çamërisë”. /TCH/

“Once upon a time in Hollywood”, DiCaprio e Pitt vijojnë punën për xhirimin e filmit

“Entertainment Weekly” publikoi foton ekskluzive të protagonistëve kryesorë të “Once upon a time in Hollywood”, i nënti film i drejtuar nga Quentin Tarantino, ku Leonardo DiCaprio e Brad Pitt shfaqen në banakun e një lokali.

Filmi i Tarantinos është një ndër më të priturit e 2019-s dhe pritet të projektohet më 26 korrik, transmeton tch.

Kasti i pasur i aktorëve të filmit, i cili nuk do të prezantohet në Cannes, përfshin edhe Margot Robbie, Al Pacino, Emile Hirsch, Damian Lewis, Mike Moh e Dakota Fanning.

Ky do të jetë dhe filmi i fundit ku do të shfaqet Luke Perry, i cili u nda nga jeta pak javë më parë, në moshën 52-vjeçare. / KultPlus.com

Manifestimi mbarëkombëtar ‘Dita e Plisit’ shënon edicionin e gjashtë

Manifestimi mbarëkombëtar ‘Dita e Plisit’ ka vite që shënohet në Zym të Hasit, ndërsa këtë vit vjen me edicionin e gjashtë me radhë, shkruan KultPlus.

Gjatë këtij edicioni do të flitet për karakteristika e plisit të bardh, do të këndohen këngë, thuhen barcoleta e anektoda popullore dhe recitohen poezi të cilat i janë kushtuar plisit.

Ajo që bie në sy gjatë kësaj dite, është se të pranishmit në këtë ceremoni mbajnë të vendosur në kokë plisa të bardhë.

Plisi quhet mbulesa e bardhë prej leshi të cilën pellazgët, Ilirët e më vonë shqiptarët e përdorën për ta mbuluar kokën. Quhet plis sepse është e krijuar prej leshit të deles së bardhë. 

Plisi është simbol dhe mbulesë tradicionale e kokës ndër shqiptarët.

Ko ngjarje tashmë tradicionale, do të mbahet më datë 30 prill duke filluar nga ora 11:00 në Zym të Hasit. / KultPlus.com

Artisti Agim Salihu, ekspozon në ‘China International Graphic Biennial 2019’

China Printmaking Museum Guanlan, organizon për të shtatën herë, Bienalin Internacional të grafikës e cila mbahet çdo dy vite në, Shenzhen – Kinë, përcjellë KultPlus.

Në këtë edicion të shtatë kanë konkurruar mbi 3000 artistë nga mbarë bota me 5475 punime.

Për të ekspozuar në këtë bienale, juria, e përbërë nga 13 anëtarë, ka punuar në dy faza të veçanta dhe ka përzgjedhur 300 artist nga mbarë bota, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova Agim Salihu.

China International Graphic Biennial Guanlan – Shenzhen, është ngjarje që fitoi përkrahje të madhe nga artistët anembanë botës. Bienalja krijoi një mjedis të zëshëm për komunikim ndërkombëtarë, dhe shkëmbimet akademike të grafikes artistike në botë. Si një ekspozitë e përhershme, China Printmaking Museum, ofron një hapësirë të klasit të parë për përzgjedhjen dhe prezantimin e artistëve ndërkombëtarë në Bienale. Me përkrahjen dhe pjesëmarrjen e artistëve nga e mbarë bota, China International Graphic Biennial Guanlan, krijon shumë mrekulli dhe e shkruan një kapitull të ri të grafikes bashkëkohore botërore.

Ky është suksesi i radhës i artistit Agim Salihu pas suksesit në, Tokyo International Graphic Trienial, në vitin 2018 dhe 2015, ku veprat e tij janë në koleksionin e veprave kulminante në, Tama Art Museum Tokyo – Japoni, Adogi Tailer Fort Museum Cadaques, Barcelona etj. Gjatë tre viteve të fundit, Agim Salihu, është shpërblyer katër herë me çmimet e jurisë në ekspozita ndërkombëtare. / KultPlus.com

Pianistet Fatjona Maliqi dhe Anila Aliu në mesin e tetë artistëve që solli Chopin në natën e 16-të

Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, u krijua një natë magjepse me kombinimin e tri instrumenteve, pianos, violinës dhe violës. Pianistja Fatjona Maliqi u shoqërua me violinë nga Andreas Illgner dhe Olja Kataran ndërsa tingujt e violës erdhën përmes violinistes Rebekka Zachner dhe violinistit Marton Bereznai, shkruan KultPlus.

Mirëpo përpara se artistët e lartpërmendur të sjellin një program mjaft të pasur, publiku pati mundësin që të udhëtoj nëpër vepra të kompozitorëve të njohur si Chopin përmes lojës së pianistes Anila Aliu.

Aliu e cila e filloi këtë mbrëmje është fituese e vitit të kaluar. Ajo në edicionin e kaluar rrëmbeu çmimin special të festivalit Chopin Piano Fest. Ky çmim ju mundëson artistëve të ri që të perfomojnë në Gjermani dhe ka ardhur si iniciative e pianistes Ardita Statovci. Anila Aliu për KultPlus potencoi rëndësinë që ka për të një përfaqësim i denjë i vendlindjes së saj edhe në Evropë.

“Ishte një natë jashtëzakonisht e mirë, natyrisht mbas shumë performancave që i kam pasur edhe jashtë vendit  kryesisht në Evropë, ndihem më së miri kur performoj para publikut tim shqiptar. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, synimi im kryesor është që ta përfaqësojë Kosovën, vendin tim në Evropë dhe më gjerë”, u shpreh Anila Aliu. 

Pas pianistes Aliu, në skenë erdhi pianisti Arda Mustafouglu i cili solli kompozitorin Prokofjev.  Mustafouglu edhe pse i ri në moshë (lindi në Shkup në vitin 2002) ka arritur që të rrëmbeje çmime të rëndësishme në Maqedoni, Turqi, Gjermani dhe Belgjikë. Pas tij pianisti nga Shqipëria, Enea Kapxhiu solli kompozitorin Rachmaninov.

Kapxhiu pas interpretimit të tij në piano tregoi për KultPlus së është i lumtur që u interpretoi në Prishtinë në kuadër të festivalit i cili me vite ka pritur emra të njohur të muzikës klasike, e veçanërisht pianistë që kanë lënë gjurmë.

“Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe ajo ngrohtësi të jep më të mirën tënde që të vazhdosh më tutje. Unë u ndjeva jashtëzakonisht i emocionuar, veprën e kam punuar me pedagogen time Merita Rexha. Organizatorët e festivalit Chopin Piano Fest janë duke e bërë një punë të mirë dhe Prishtinës po i sjellin muzikantë të nivelit botërorë të cilën unë personalisht i çmojë shumë”, tha Kapxhiu.

Në anën tjetër ajka e kësaj mbrëmje, bashkëpunimi i pianistes kosovare me grupin SON d’AIX sollën kompozitorin Frédéric François Chopin, i cili është edhe epiqendra e festivalit. Pianistja e Kosovës Fatjona Maliqi,  e cila është duke studiuar në Gjermani, u shpreh se Chopin Piano Fest çdo herë i jep emocione të papërshkrueshme.

“Ndjehem mirë që në këtë mbrëmje do të shoqërohem nga artistë të mrekullueshëm. Falënderoj organizatorët e festivalit për thirrjen dhe për mundësinë që po ju japin studentëve”, theksoi ajo.

Këtë mbrëmje e cila solli tetë artistë dhe një program të pasur muzikorë e vlerësoi lartë, pianistja dhe profesoresha Valbona Pula Petrovci. Ajo u shpreh se është veçantia që sjellë festivali çdo natë që po e mbanë interesimin e publikut gjatë gjithë këtij muaji sa po zgjatë festivali.

“Si çdo mbrëmje tjetër organizimi ka qenë në nivel. Përkundër faktit që kjo është nata e gjashtëmbëdhjetë, interesimi ka qenë në nivel të duhur, publiku mendoj se ka qenë mjaft i kënaqur me të gjitha performancat edhe kjo sonte ishte një nga mbrëmjet më të mira, e cila i dhuroj publikut me të vërtet një kënaqësi të veçantë”, tha për KultPlus Petrovci.

Sonte mbrëma me fillim nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë së bashku me Filharmoninë e Kosovës do të shënohet mbyllja e edicionit të 10-të ku do të performojnë pianistët Stefan Vladar dhe Josif Gjipalo. / Frosina Byqmeti/ KultPlus.com

Piktura e nënshkruar nga Mandela, së shpejti në ankand në ShBA

Një tablo e thjeshtë, e pikturuar nga ish-presidenti afrikano-jugor, Nelson Mandela që përfaqëson derën e qelisë në Robben Island aty ku ai u burgos për 18 vite, pritet të dalë në ankand në fillim të majit në qytetin e Nju Jorkut.

Vlera e pikturës me titullin “The Cell Door, Robben Island”, e cila u realizua në 2002 nga fituesi i Çmimit Nobel, është paraqitur mes 60000 dhe 90000 dollarë nga shtëpia e ankandeve Bonhams.

Vepra do të dalë në ankand të enjten e ardhshme, si pjesë e një ankandi të artit bashkëkohor afrikan. Kjo është një nga pikturat e rralla që Mandela ruajti deri në momentin e vdekjes në 2013.

Për kontributin e tij, Mandela u nderua me cmimin Nobel për Paqe në vitin 1993, bashkë me Frederik Willem de Klerk. / KultPlus.com