Muzeu italian mund të zbulojë misterin e flokëve të Leonardo da Vinçit

Një muze italian thotë se ka në plan të kryejë testet e ADN-së në një bllok flokësh që beson se mund të kenë qenë të artistit të rilindjes, Leonardo da Vinçi.

Megjithatë, disa ekspertë kanë hedhur dyshime mbi këtë, duke thënë se flokët me siguri nuk i përkasin mjeshtrit italian, ndërsa testimi i besueshëm i ADN-së mund të jetë i pamundur.

Skepticizmi i ekspertëve lidhet me atë se Leonardo da Vinçit nuk i dihet nëna, nuk ka lanë asnjë trashëgimtar si dhe varri i tij është shkatërruar njëherë.

Alessandro Vezzosi, drejtori i muzeut “Leonardo da Vinçi” tha se filli i flokëve u mblodh nga një komision mbretëror që ishte angazhuar më 1863 për të gjetur ndonjë gjë të da Vinçit.

Testimi duhet gjithashtu të jetë në gjendje të provojë nëse mbetjet e identifikuara në Francë në vitin 1863 me të vërtetë i përkisnin da Vinçit.

“Ajo që është e rëndësishme është të mos e marrim për të vërtetë një rezultat përpara se të përfundojë testimi shkencor”, tha Vezzosi./KultPlus.com

Dileri i parë shqiptar në Amerikë bëhët subjekt romani

Një trafikant droge shqiptar, i mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arrestohet në Francën e vitit 1940. Shkrimtari i madh belg, Zhorzh Simenon (Georges Simenon), njohur më së shumti si babai i “Komisarit Megre”, një pjesë së jetës së tij ja ka kushtuar shkrimit të një novele që ka në qendër shqiptarët.

Shkrimtari që njihet për subjektet policeske, vendos në qytetin bregdetar francez Sherburg (Cherbourg) para gati 80 vjetësh, një histori të habitshme; dy pleq të vetmuar shqiptarë, që presin në port shfaqjen e djalit të vetëm, që jetonte në Shtetet e Bashkuara. Por kur djali mbërrin, policia e arreston si trafikant heroine…

Dy pleqtë, ai si skërfyell dhe ajo, e shkurtër dhe e shëndoshë, mbërritën në Sherburg me tren, sigurisht me bileta të klasit të tretë, shkruan abcnews.al. U vendosën në hotelin “Dy kontinentet”. Kishin më shumë bagazhe, sesa dhjetë udhëtarë të marrë së bashku. Bagazhe të varfra, trasta, valixhe të vjetra me lëkurë cjapi, pa harruar edhe një copë të madhe proshutë derri, që e varën menjëherë diku në dhomë.

Të gjitha përpjekjet për të kuptuar gjuhën e tyre rezultuan boshe. Madje, edhe pasaportat e tyre të lerosura lexoheshin me mjaft vështirësi. Më në fund, u arrit të zbulohej se ata ishin shqiptarë. Jarko, një jugosllav i punësuar si zhytës, bisedoi gjatë me ta. Por, a mori vesh ndonjë fjalë që dilte nga goja e tyre? E gjitha që mund të thoshte ai dhe kuptohej lehtësisht se ia mbyste kot, ishte fakti se ata prisnin dikë. Djalin e tyre? Do të mbërrinte nga Nju Jorku me tragetin “Ile-de-France”.

Për momentin, ata ishin të vetmuar dhe nuk kishin ndonjë njeri që të përkujdesej për ta. Dhe kështu, për tri javë rresht, sapo zbardhte drita, ata shkonin në port për të pritur një traget, herë gjerman, herë italian. Më pas ktheheshin në hotel duke njoftuar, sigurisht me shenja të dëshpëruara mohuese, se personi që prisnin, edhe atë radhë nuk mbërriti. Pjesën tjetër të ditës, gruaja e kalonte e zhytur në kolltukun e hollit të hotelit, ndërsa burri digjte një duhan me aromë të çuditshme në llullën e tij të gjatë e të skalitur.

Meqë çifti i pleqve nuk kishte paguar ende asnjë nga faturat e fjetjes dhe të ushqimit, pronarët e hotelit i kërkuan ndihmë policisë. Komisarit iu desh t’i shfletonte pasaportat kushedi sesa herë, por në fund nuk kuptoi asgjë. Dhe meqë në Sherburg nuk ka konsullatë të Shqipërisë, të gjithëve u vajti mendja t’i kërkonin ndihmë kapitenit Rej, një marinari tashmë në pension, por që e hiqte veten se merrte vesh nga të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Kur erdhi ky, plaku hapi një portofol të lashtë me kënde prej bakri dhe nxori një copë letër. Ishte një çek dhjetë mijë dollarësh, shoqëruar edhe me një letër të djalit të tyre, Gjon Fulki. U kishte shkruar prindërve të tij që nga Nju Jorku, ku jetonte dhe ku kishte bërë para të madhe. Çekun ua kishte dërguar prindërve të tij, për t’u mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin në Sherburg. Aty, ai do të vinte për t’i takuar dhe për t’i marrë në Amerikë, ku u kishte blerë një shtëpi në mal, që ata të kalonin pensionin si zotërinj.

Por në bankë, drejtori i tha troç shqiptarit plak, se nuk mund ta pranonte çekun e Nju Jorkut. Djali i tij kishte harruar të kryente një formalitet të vogël. Mungonte një hollësi. Jarko i shoqëroi dy pleqtë në hotel.Për të mos rrezikuar humbjen e gjithçkaje, pronarët pranuan që t’i mbanin edhe një natë tjetër. Fundja, nesër do të mbërrinte trageti “Paris”. Dhe nëse djali i tyre nuk do të ishte edhe aty, çiftit plak do t’u jepnin duart.

Të nesërmen, të dy pleqtë vrapuan për në mol. Në bordin e “Paris-it”, personeli i shërbimit ndodhej në lëvizje të pandërprerë dhe disa zotërinj vendosnin vula, që u jepnin udhëtarëve të drejtën për të zbritur në tokë. Papritmas u dëgjuan britma gëzimi nga të dy palët. Hamalli i hotelit “Dy kontinentet” fërkoi sytë nga habia. Të dy pleqtë, fare pranë urëzës së tragetit, kërcenin pupthi në një delir të vërtetë.

Makthi mori fund! Gjoni mbërriti! Një Gjon me pamje të jashtëzakonshme: fytyrëzbehtë, qimezi dhe i veshur “shik”.Ua la në dorë pasaportën dy burrave që shkëmbyen aty për aty shikimet dhe i kërkuan që të priste një çast. Më pas, e ftuan që të shkonte në barin e tragetit, ku e prisnin dy burra të tjerë, të cilët i bënë të ditur se ishte i arrestuar.

Tek zbriste nga trageti, Gjoni ishte me pranga në duar. Të shoqëruar nga dy burrat e drejtuan te një veturë. U dëgjua zhurma e derës që mbyllej dhe vetura u nis. Të dy pleqtë u kthyen në hotel, ku pak më vonë mbërriti numri i ri i “Farit të Sherburit”. Në faqe të parë, fotografia e Gjonit dhe një titull i madh anonçues: “Një gjah i bollshëm”.

Në artikull saktësohej se policia kishte mundur të arrestonte një ndër trafikantët kryesorë të heroinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pronarja e “Dy kontinenteve” urdhëroi hamallin që t’i nxirrte në rrugë bagazhet e dy pleqve. Por burrit të saj filloi t’i punojë mendja.

“Një trafikant heroine… Këta tipa kanë mbrojtje dhe mbështetje lart… Edhe çeku dhjetë mijë dollarë ishte sigurisht i saktë… Xhanëm shpenzimet e këtyre dy pleqve nuk janë dhe aq të mëdha…”. Një buzëqeshje u përvijua në buzët e tij.

Ndërkohë dy pleqtë ndodheshin tashmë në trotuar dhe nuk po e kuptonin se ç’lajm tjetër të hidhur po vinte t’u kumtonte pronari. Ky i fundit u kërkoi ndjesë dhe i luti që të riktheheshin në hotel. “Ishte thjesht një keqkuptim”. E shoqëroi çiftin e pleqve në sallën e ngrënies, e cila po bëhej gati të mbyllej. Që nga aty i briti gruas së tij:

-Zhermenë! Shtro tryezën për Zotin dhe Zonjën Fulki!…

Botuar më 16 maj 1940, në faqen 8, të numrit 601 të së përjavshmes pariziene “Gringoire”.

Fatos Kongoli: Sëmundja e të shkruarit doli më e fortë se ajo për jetën

E kishte lënë në mes kohë më parë për shkak të problemeve shëndetësore që kaloi.

Kishte menduar se nuk do ti kthehej kurrë.

Por për Fatos Kongolin doli se i shkruari është një semundje më e fortë dhe romanin “Gënjeshtarë të Vegjël” e prezantoi në edicionin e 6 të Panairit të Librit në Fier.

Kongoli: Mendoja se nuk do ti kthehesha asnjëherë të shkruarit mirëpo doli që të shkruarit për mua doli një sëmundje shumë më e egër sesa sëmundjes që i shpëtova.

Aty shpalos me mjeshtri realitetin e sotëm shqiptar.

Aplini, një 12 vjeçar i ardhur nga një zonë rurale në kryeqytet. është në qendër të historisë.

Por kush janë gënjeshtarët e vengjël?

Këtë përgjigje do ta marrin vetëm ata që do të lexojnë librin.

Kongoli: Mos më pyesni për përmbajtjen. Kush të bëhet kureshtar të shkojë dhe të marrë librin dhe ta lexojë. Nuk dëshiroj të shpjegoj librat e mi.

Romani i Mjeshtrit Kongoli mori vlerësimët më të larta në panarin e Fierit ku u paraqitën mbi 5000 tituj librash, 1200 nga të cilët të rinj.

Botohet ditari “origjinal” i Ana Frankut

“Ditari i Ana Frankut” konsiderohet një nga veprat letrare më personale dhe përfaqësuese të shekullit të 20-të.

75 vite nga shkrimi i saj, një botim i ri pretendon të përcjellë te lexuesit atë çfarë autorja, Anëlis Mari Frank, kishte dashur të shkruante prej fillimit.

Libri me titull “E dashur Kiti” është përgatitur nga Lorin Nusbaum, e njohura dhe bashkëkohësja e autores 15-vjeçare.

“Ditari që të gjithë ne kemi lexuar nga viti 1947 ka qenë një një amalgamë referencash marrë nga ditari i Anës dhe libri i babait të saj, Frenkut. Po të kishte jetuar më gjatë, Ana nuk do të kishte lejuar askënd që t’ia ngacmonte variantin origjinal. Besoj se ky botim çon në vend amanetin e saj,”-tha Nussbaum.

E mbijetuara e Holokaustit tregoi gjatë prezantimit të librit në Berlin, se me Anën njihej familjarisht kur të dyja jetonin në Amsterdam në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk kemi qenë mikesha të ngushta por familjet tona takoheshin. Në vjeshtën e vitit 1941 kemi inskenuar në shtëpinë time një dramë me titullin ‘Princesha me Hundë’. Ana luajti rolin e princeshës, ndërsa unë regjisoren,”- shtoi Nussbaum.

Libri i 91-vjeçares Nusbaum u botua këtë të shtunë njëkohësisht në Gjermani, Austri dhe Zvicër.

Data u zgjodh për të përkuar me 11 majin e vitit 1944, kur në ditar Frank kishte hedhur dëshirën që në të ardhmen të botonte një novelë me titullin “Aneksi Sekret”, bazuar në shënimet e saj.

Vepra origjinale u shkrua në fshehtësi gjatë kohës së gjenocidit nazist kur shkrimtarja e re Ana Frank ishte vetëm 13 vjeçe, përpara se ajo të internohej në një kamp përqendrimi në Gjermani, ku ajo edhe vdiq dy vite më vonë./KultPlus.com

Kur Lasgush Poradeci ishte takuar me katër kosovarë

U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”. Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.

Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.
Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik.

Kjo është prova gjenerale e Jonida Maliqit në Eurovizion (VIDEO)

Jonida Maliqi ka realizuar sot provën e dytë dhe gjenerale në skenën e Eurovizionit.

Si duket performanca e saj ka ecur mirë dhe ajo po kritikohet pozitivisht për këtë paraqitje skenike. Sot plot shtete kanë provat e fundit para se të ngjiten në garën e madhe.

Jonida përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion me ‘Ktheju tokës’. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=P0lToVjUzDM

Mevlan Shanaj: Kombit tonë i mungon ndershmëria

“Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera”.

Mevlan Shanaj erdhi fiks në orar, i relaksuar dhe spontan. Ka ruajtur sharmin e dikurshëm, stilin. E kishim lënë për një intervistë, tek restorant ‘Amici MIEI’ në Tiranë. Intervista nuk kishte sesi të mos ishte dhe mbi filmin, por me një artist të përmasave të tilla mund të flasësh për shumë gjëra. Preferoj të mos ndalem tek karriera.

Kush nuk e njeh Mevlan Shanaj? Por a e di publiku se çfarë mendon Artisti për realitetin e sotëm? Le të fillojmë me vetë njeriun, pastaj tek marrëdhënia e sinqertë mes njerëzve, guximi i intelektualit. Le të flasim për qytetarin, për krizën kombëtare, pse jo dhe për politikën. Në dhe për politikën, por hë për hë ta lemë pak jashtë.

Takimi herët me filmin të jep mundësinë të zbulosh njeriun, ta duash të bukurën dhe të kuptosh e kritikosh me një sy objektiv realitetin ku jeton. Mevlani nuk i thotë rëndë kritikat e tij, nuk e përplas në fytyrë hipokrizinë, por nuk e pranon atë. Mbron një parim të vetin: krijimin e një marrëdhënieje të sinqertë me tjetrin.

Toleranca: “Nuk e kam njohur kurrë xhelozinë apo cinizmin brenda vetes”, tregon Mevlan Shanaj. “Edhe humbjen e kam pranuar me sportivitet krejt normalisht. Kjo mesa duket ka ndikuar pozitivisht tek unë. Tjetër gjë ambicia. Kam dashur ta bëj punën time sa më mirë dhe kam investuar maksimalisht tek ajo. Nga ana tjetër kam menduar se në këtë botë ka vend për cilindo për t’u shprehur”, tha ai.

Takimi i parë me filmin: “Isha student dhe me thirrën për një provë. Kisha një rol të mirë në film. Dikush më pa dhe më ftoi. Provimi është rastësi, më tej duhet të përpiqesh për të arritur atë që do. Duhet të kërkosh më shumë. Në jetën time nuk kam qenë asnjëherë i kënaqur me atë që kam arritur, dhe kam kërkuar më tepër. Por më duhet të them se takimi me televizionin më ka hapur një botë të re. Aty kam eksploruar gjithçka. Isha i ri dhe doja të kapja majat. Kam filluar me gjëra më të thjeshta, më pas kam kaluar tek shoë dhe spektaklet.”

Madhështia: Vetëm puna e bën të madh një artist. Karakteri i fortë bën njeriun. Mevlan Shanaj vlerëson jashtëzakonisht shumë karakterin e njeriut dhe kulturën e tij, si tek meshkujt por sidomos tek femrat. “Një karakter i fortë di të ecë para dhe të kapërcejë situatat që nuk janë të favorshme. Por kultura është e domosdoshme në çdo profesion që zgjedh apo fushë të jetës. Pastaj duhet të insistosh, pa të nuk shkon askund.

Morali dhe kultura: Mevlan Shanaj urren hipokrizinë dhe servilizmin. Por nuk e godas, thjesht e lë të kalojë. Toleron shumë, e thotë dhe vetë, dhe ka një parim. Krijimi i marrëdhënieve të sinqerta me të tjerët. Kombit tonë i mungon ndershmëria. Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera.

A kemi artistë të mëdhenj të ardhshëm? “Artisti shfaqet në produksion. Në rrafshin e kinemasë është një djalë që po ecën, Xhelili. Në Shqipëri nuk kemi talente të pikasur. Në kohën tonë kishte role dhe ngarkesa. Ndërsa sot nuk ka prodhim, ose janë të limituara nuk janë shumë. “

Kriza kombëtare dhe morali: “Kriza kombëtare ka influencuar kudo. Shoqëria kombëtare po kalon krizë në të gjitha profesionet. Shqipëria dhe shqiptarët kanë krizë morale. Shikoje si përbaltet njeriu i politikës, që e kanë zgjedhur vetë njerëzit ti përfaqësojë. Arti ka buxhet minimal. Kinemaja është ekonomi e zhvilluar, jo vetëm talent. E keqja është se shqiptarët nuk arrijnë të imponohen askund. As në zgjedhje”, thotë ai.

I përkëdhelur nga fati? Po. Publiku e do artin, dhe atij i janë hapur dyert kudo.

Vendi me komod? Me nipin e mbesën. Kur jam me ta jam njeriu me komod në jetë.

Çfarë do e ribënit? Ika nga mjekësia për në art. Besoj se nuk duhet ta lija.

Radio apo Tv? Mevlan Shanaj pranon se ka një marrëdhënie shumë të mirë me muzikën, dhe radion. Televizionin më pak. Thotë se ky i fundit është diktator. Të jep informacion pasiv.

Teatër apo film? Preferon lirinë që i jep teatri. Është më fisnik dhe tolerant. Do filmat me karakter psikologjik, por nuk i ndjek serialet. I quan “abuzime” me karakter financiar, jo kulturor. “Është abuzuar skajshëm me shqiptarët. Nga këto telefilma nuk përfitojnë asnjë kulturë.

Marrëdhënia me politikën: Çdo veprim që bëhet në Shqipëri nga politika është në kundërshtim më parimet e Europës në çdo vend. Janë veprime të patretshme. Europa nuk i pranon. Ajo nuk pranon një parlament ku hynë kriminelët dhe hajdutët. Ajo nuk pranon 4000 njerëz në kërkim që nuk i gjen dot policia. Pse ndodhi që parlamenti holandez tha ‘Jo’? Nuk është problem i drogës, por i mentalitetit të shqiptarit. Vunë re që shqiptarët vrasin. Shqiptarët për pak të marrin jetën.

Zgjidhja është të shohim brenda vetes. Nëse nuk e kërkojmë brenda vetes por e hedhim tek tjetri fajin nuk do të ia dalim asnjëherë. Dikur thonin “ekonomia jonë është më e larta” etj etj. Ishte koha e diktaturës. Pra mos shikimi i vetes me sy kritik na ka dhënë këto rezultate. Ne nuk e dimë ku është bota. Me thuaj një fushë që e dimë. Jemi të distancuar nga të gjitha fushat. Edhe në familje femra është pronë. Në botë është partnere. Fenomeni shqiptar është i dhimbshëm, prandaj duhet të punojmë për këtë.

Një recetë e shkurtër, koncentrat i eksperiencës së viteve të kaluara pranë realitetit shqiptar më art, me vërtetësi. Nuk ka sesi të mos ngresh zërin. Është koha, mbi të gjithë e artistit, intelektualit, qytetarit të thjeshtë. Tek e fundit janë qytetarët ata janë prekur më shumë se kushdo nga tranzicioni i gjatë shqiptar. Tani duhet të dëbojmë frikën dhe të ndërtojmë duke mësuar mbi të gjitha nga njohja e vetvetes, asaj që ishim, dhe asaj që duam të jemi. Një model më i mirë ekziston për këdo. Le të kemi kurajën ta ndjekim sot. /Marrë nga aktoretshqiptare.info/

Kamarieri shqiptar lajm në mediet botërore, kthen afro gjysmë milioni dollarë që i kishte gjetur

Në Manhatan të New York ka ndodhë një mrekulli, dhe këtë gjest e ka bërë pikërisht Armando Markaj, i cili punon në një nga restaurantet e Manhatan, shkruajnë mediet e huaja, përcjellë KultPlus.

Një grua kishte harruar cekun në vlerë afër gjysmë milion dollarë, dhe Markaj përderisa pastronte tavolinën kishte gjetur këtë cek. Sipas Daily News, ai kishte vrapuar që ta arrinte gruan, por ajo tashmë kishte shkuar.

Megjithatë ai ka gjetyr mënyrën se si të gjejë pronaren e këtyre mjeteve, të cilat edhe i janë dorëzuar.

Për më shumë mund ta lexoni shkrimin origjinal në  

https://www.nydailynews.com/new-york/ny-woman-loses-half-million-dollars-waiter-gives-it-back-20190510-ep3wqz5dp5emfb2d6cf4uctkue-story.html?fbclid=IwAR24OUlADwYsLedgMYILxeYSvTSYyAe2HRHbD_rUiPvAwgtMxSPFDmQteig./KultPlus.com

Mblidhen rreth 24 mijë franga në mbrëmjen bamirëse “Shpëto jetë” në Cyrih

Është përmbyllur me shumë sukses ngjarja bamirëse “Shpëto Jetë” e cila u mbajt për të tretën herë me radhë më 10 Maj 2019 në Hotelin Marriott në Cyrih, Zvicër, me të cilin rast performoi sopranoja Learta Jakupi, dhe bendi nga Prishtina ‘String String’ .

Përmes një komunikate, thuhet se mbrëmja bamirëse e organizuar nga Action for Mothers and Children dhe bashkë-organizatorët Dr.med. Agron Abrashi, Prof. Dr. med. Dr. h. c. Omer Dzemali, si dhe Sevdail Tahiri u mbajt me qëllimin e ngritjes së fondeve nga Diaspora për uljen e shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.

Përfaqësuesja e Solidar Suisse, Syzane Baja, në një fjalë rasti tregoi për bashkëpunimin e mirë mes organizatave dhe lëvdoi punën e AMC-së duke bërë thirrje që sa më shumë të ndihmohet misioni dhe puna e fondacionit humanitar, shkruan telegrafi.

Gjatë mbrëmjes shumë personalitete të shquara dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktein tre-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i qetë, të cilit i kontribuuan, kompania angleze e syzeve të punuara nga druri Campbell Marson, punime argjile nga “Dhe by Granita”, fotosesion nga Rromir Imami, fotografi nga Barbara Burri, si dhe u Kosova Wine me prodhimet të verës.

“Ishte një privilegj i jashtëzakonshëm që ishim në mesin e kaq shumë filantropëve të Diasporës sonë në Cyrih. Së bashku festuam sukseset dhe arritjet e viteve të kaluara, ndërsa ngritëm fonde të cilat do të mundësojnë furnizimin me pajisje mjekësore dhe medikamente, zgjerimin e programit të skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës si dhe zgjerimin e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas, ‘Klasat për Nëna‘ në Kosovë”, u shpreh Janine Mehmeti, Menaxhere në AMC. /KultPlus.com

Shtëpia

Warsan Shire

askush nuk e braktis shtëpinë

nga shtëpia ik vetëm kur ajo është goja e peshkaqenit

ti vrapon drejt kufijve

vetëm kur e sheh

të gjithë qytetin duke vrapuar.

fqinjët e tu duke vrapuar më shpejt

se ti, djali me të cilin ke shkuar në shkollë

që të puthi ty të trullosur mbrapa

fabrikës së vjetër të kanaqeve

mban armën më të madhe se trupi i tij,

ti e braktis shtëpinë

vetëm kur shtëpia nuk të lë ty të rrish.

askush nuk e braktis shtëpinë, nga ajo ik vetëm kur shtëpia

të ndjek ty, zjarri poshtë këmbëve,

gjaku i nxehtë në barkun tënd.

nuk është diçka që ke menduar ta

bësh, dhe kur e bëre –

ti e barte himnin në përshpëritjen tënde

duke pritur në banjon e aeroportit

të grisësh pasaportin dhe ta përbish atë,

në secilën kafshatë me gojën plot letër ta bësh të qartë që

ti nuk do të kthehesh mbrapa.

ti duhet të kuptosh,

askush nuk e fut femijën në anije

përpos atëherë kur uji është më i sigurt se toka.

kush do të pëlqente me i kalu ditët

dhe netët në barkun e kamionit

përpos atëherë kur miljet e udhëtuara

nënkuptojnë diçka më shumë se sa udhëtimi.

askush nuk do të pëlqente të zvarritej poshtë telit,

të hajë dajak derisa të braktis edhe hija jote

e të len të dhunuar, pastaj i fundosur, rrasesh në fundin

e anijes sepse je më i zi, shitesh,

vuan nga uria, qëllohesh në kufi si një kafshë e sëmurë,

të mëshirojnë, humb emrin tënd, humb familjën tënde,

që ta bësh kampin e refugjatëve shtëpi për një vit ose dy ose dhjetë,

i zhveshur dhe i kontrolluar, të gjesh burg çdo kund

dhe nese mbijeton të drejtohen nga ana tjetër me

shkoni në shtëpi zezakë, refugjatë

imigrantë të ndytë, azil kërkues

që po e thithni qumështin e vendit tonë,

të zinj, me duart e tyre kërkuese,

me kundërmim të çuditshëm, të egër-

shikoni çka i kanë bërë vendit të tyre,

a thua çka do t’i bëjnë tonit?

shikimet poshtruese në rrugë

më të buta se një gjymtyrë e këputur,

nënçmimi i përditshëm

më i durueshëm se katërmbëdhjetë burrat

që duken si babai yt, në mes

këmbëve, fyerjet që më lehtë kapërdihen

se rrënojat, se sa trupi i fëmijës tënd

I coptuar- harroje krenarinë tash

mbijetesa është më e rëndsishme.

dua të shkoj në shtëpi, por shtëpia është goja e peshkaqenit

shtëpia është tytë pushke

dhe askush nuk e braktis shtëpinë

përpos kur shtëpia të ndjek në breg

përpos kur shtëpia të thotë të

lësh mbrapa edhe atë çka nuk mundesh

edhe nëse është njeri.

askush nuk e braktis shtëpinë përpos kur shtëpia

është një zë i drithëruar në veshin tënd që thotë

shko, vrapo tash, unë nuk e di më cka

jam.

Në mediat perendimore titujt rreth refugjatve janë gjithmonë presente. Toni i lajmeve mund të ndryshoj nga keqardhje për vuajtjet e tyre deri të frika sesi ardhja e tyre do të ndikoj në shtetet perendimore. Akoma rrallë refugjatët marrin pjesë në diskutimin e përqendruar rreth tyre. Në poezinë e Britanezës Somali Warsan Shire, “Shtëpia”, ajo korigjonë këtë përjashtim dhe jep një platformë zëri një refugjati. Oratorja e poezisë përfshinë debate për gjendjen e refugjatve të pambrojtur por mendjemprehtë, “ti duhet të kuptosh, askush nuk e fut femijën në anije përpos atëherë kur uji është më i sigurt se toka.” Këtu ballafaqonë sy me sy refugjatin me lexuesin. Sidoqoftë, shumica e poezisë përdor vetën e dytë “ti” të shtyej lexuesin të jetoj në trupin e refugjatit në të cilin dhuna e luftës është shkaktuar—rreziku i kalimive të kufirit, uria, kampe të refugjatve. Në këtë test të durimit, ndjeshmëria për të tjerët është fituar. Poezia mund të ketë një ndikim të vecantë për lexuesit Kosovar të cilët kanë përjetuar një ankth të ngjajshëm. “Shtëpia” mund të bëhet një mënyrë e përpunimeve të kujtimeve dhe të aplikoj ilacin e ndjeshmëris ndaj vetvetës.

***

“ti vrapon drejt kufijve

vetëm kur e sheh

të gjithë qytetin duke vrapuar.

fqinjët e tu duke vrapuar më shpejt

se ti”

            Djali tha që ai po bënte një foto. Gratë mbrenda prokolicës së traktorit kishin shikimin e largët. Disa ishin të vjetra dhe disa të reja me shamitë e bardha dhe të shtrënguara poshtë qafës. E disa fëmijë ishin indiferentë dhe nuk po u interesonte fare, por luanin me kukullat e tyre, apo hanin bukën e thatë që nanat e tyre e ruanin. Femijët e tjerë shfaqnin një buzqeshje të druajtur, krenar që po dilnin në foto.

            Prokolica mjaft e madhe përdorej për dru dhe thëngjill. Ne ishim rreth 25 veta të cunguar. Një burrë nga ana jonë voziste traktorin dhe disa të tjerë përpara kontrollonin sigurinë e rrugës. Mbi kokat tona shtrihej mbulesa e llastukut të zi që na mbronte nga shiu dhe që traktori të dukej i zakonshëm. Dita e parë ishte një lojë msheftas që neve fëmijët të lagjës na bënte të ngjeshur me njëri- tjetrin. Dita e dytë brejtja e urisë erdhi. Nënat tona kishin lëshuar shtëpinë me vrap. Tani fytyrat e tyre ishin të tendosura. Ankth. Ne kafshuam krahët e nënave dhe shkulnim flokët e tyre. Dhe klithnim. Secila klithje udhëtonte në rreth, fuqizohej edhe më shumë. Me errësirën ne u bëmë rrëmuje klithjeje. Një thes dukej. Njëra nga gratë ushqente tre fëmijët e saj me gurabit. Nuk kishte ndonjë “ejani”, ose “merrni ndonjë’’. Ne përbindëshat primitiv pështyjmë “Mami edhe une dua!”ne qamë zitin brenda saj. Ajo dorzon gurabitë.

***

Gjatë luftës të Kosovës, më shumë se gjysma e popullësisë ishin refugjatë ose persona të zhvendosur brenda vendit. Megjithëse disa nga të rinjtë e sotëm nuk e përjetuan këtë eksod vetvetiu ose janë shumë të rinj për ta kujtuar atë, historitë rreth ikjes së luftës janë thënë aq shpesh nga anëtarët e familjes më të vjetër saqë ata janë rrënjosur thellë në psikozat e brezave të ardhshëm. Hulumtimet e fundit kanë konfirmuar se trauma dhe efektet e saj psikologjike mund të transferohen nga një brez në tjetrin. Nga hallat e mia, kam dëgjuar shumë herë për atë udhëtim të tmerrshëm. Kam pasur ankth për këtë. Pra, edhe pse nuk isha atje, në këtë ritregim, unë e futa vetën në këtë storie. Ndërsa po lexoja poezinë e Shire-së, vargu, “fqinjët e tu duke vrapuar më shpejt se ti“, ngjallën kujtimin e tregimit për mua dhe një imazh të një popullësie që garonte për të ikur nga vendi. Kur lufta shpërthen, aktivizohen instinktet e mbijetesës dhe natyra njerëzore bëhet poseduese, dhe madje konkurruese, sidomos në kujdesin e fëmijëve. Ndërkohë që nënat e tjera të tërbuara nuk kishin planifikuar përpara, një grua kishte paketuar një thes të gurabisë. Ishte e vështirë për të që të ndante kur vaktet e ardhshme për fëmijët e saj ishin të pasigurta. E kisha dëgjuar për herë të parë këtë histori si një fëmijë i vogël dhe isha e përhumbur nga implikimet morale. Kjo luajti dhe rigjallëronte duke shkaktuar shqetësim për vite me rradhë në mendjen time. Kur kohët e fundit kam artikuluar historinë nga perspektiva ime dhe e kam ndarë atë me miqtë dhe familjen, ajo humbi një pjesë të fuqisë së saj mbi mua. Nga ana tjetër, fitoja një ndjenjë të fuqizimit nga ndërtimi i tregimit nga këndvështrimi im.

***

dua të shkoj në shtëpi, por shtëpia është goja e peshkaqenit

shtëpia është tytë pushke

dhe askush nuk e braktis shtëpinë

përpos kur shtëpia të ndjek në breg

përpos kur shtëpia të thotë të

lësh mbrapa edhe atë çka nuk mundesh

            Dielli nuk depërtonte në përrockën që rrjedhte në luginë. Malët na rrethonin dhe na mbronin. Ajri që vinte nga malet dhe pasurohej në perrocke na bënte neve të frymojmë më lehtë. Batanijet ishin të shtrira në pjesën e tokës të thatë. Tenxheret, thikat, baterit, shishet, shkrepset, xhemperat, leckat ishin nga gjërat që kishim në torbat tona. Ishte hera e dytë që dikush nga gratë duhet të shkonte në shtëpi të gatuante bukë. Ishte radha e hallës dhe unë e luta shumë që të më merrte të ushqeja qenin e shtëpisë. Qeni me siguri ishte i uritur ashtu isha edhe unë.

            Halla shoshiste miellin me shpejtësi. Muskujt e krahve shtrëngoheshin kur ngjeshte brumin. Shikoja nga afër llambën e ngjitur në murë me formën e dardhës. Nëna herë pas herë pastronte pasqyrën e vogël mbrapa saj kështu që drita të reflekonte më e madhe. Aty afër ishte e varur fotografia e gjyshit. Ai vishte këmishën e tij të zakonshme. Nga buzët nuk buzqështe por sytë e tij buzqëshnin. Ata takonin sytë e mi dhe me ftonin për bashkëbisedim. Shikimi im u zhvendos në hapsirat ndërmjet drunjëve të tavanit ku shihej kulmi i themelit të shtëpisë. Kur mysafirët vinin ata komentonin se sa i çuditshëm dukej, me të vërtet ashtu ishte. Një e shtënë pushke. Halla me kapi krahun dhe ne ikëm nga dera e mbrampe në anën e kundërt të rrugës. Ajo më tërhiqte me forcë nga dora, këmbët e mia të shkurta kërcenin të arrinin ritmin e saj. Nga distanca dëgjohej britma e qenit. Doja të kthehesha por halla vazhdonte të më udhëhiqte para. Një e shtenë më shumë. Qeni lëshoj një britmë të zbeht.

***

Një ide e gabuar e përhapur është se refugjatët i braktisin vendet e tyre për një jetë më luksoze diku tjetër. Është thelbësore që ne të kuptojmë se shumica e refugjatëve largohen nga shtëpia, sepse është bërë vendpushimi i fundit. Oratorja kërkon të kuptuarit nga lexuesit, “dua të shkoj në shtëpi, por shtëpia është goja e peshkaqenit shtëpia është tytë pushke”. Historia e mësipërme bazohet në një kujtesë tjetër nga hallat e mia. Ata pa frymë më treguan, me frikë dhe humor të përdredhur, se si ata mezi shpëtuan nga një konfrontim. Në versionin tim, unë ikë me hallën time dorë për dore, duke luftuar për të zënë hapat e saj, por e sigurt nën udheheqjen e saj. Unë përpiqem të ilustroj edhe shenjtëroren e shtëpisë, pavarësisht nga papërsoshmëritë e saj: një llambë e vjetër e gazit, një çati e varfur, një gjysh i cili duhet ta fshehë gëzimin e tij. Në kulturën shqiptare, shtëpia është e shenjtë; një proverb shqiptare thotë, “Shpija para se me qenë e Shqiptarit, asht e Zotit”. Pas luftës, kjo vlerë u demonstrua. Shumë u kthyen, edhe pse shtëpitë e tyre u dogjën, të papunë, dhe qeverisja ishte e pasigurt. Ata u udhëhoqën nga shpresa për të rindërtuar jetesën e tyre, vendin e tyre, shtëpinë e tyre.

***

imigrantë të ndytë, azil kërkues

që po e thithni qumështin e vendit tonë,

të zinj, me duart e tyre kërkuese,

me kundërmim të çuditshëm, të egër –

shikoni çka i kanë bëre vendit të tyre,

a thua çka do t’i bëjnë tonit?

            Ishim mësuar me rrugicat plot me lloq dhe të pashtruara. Ne nuk kishim ecur në një rrugë të këtij lloji.  Kaq të depërtueshme dhe me guralec të vegjël që shkelqejnë. Na tërhoqi në aventurat e saj. Shtëpitë dhe oborret në këtë rrugë ishin shumë intersante, të vogla dhe gati të ngjitura. Në njërin prej oborreve takuam një plakë e cila jetonte pa femijë, pa nipa e mbesa, krejtësisht e vetme. Herën e parë kur e pamë unë po mbaja dorën e Egzonit dhe ajo qëndronte më lart në balkon. Ajo kishte flokë zeber, të zeza me vija të bardha. Nga veshja, nuk mund të vendosje nëse vishte taman një fustan apo vetëm një bluzë të gjatë. Këmbët e saj shfaqte deri te gjunjt dhe ishin të holla dhe të lëmuara. Gishtat të ngjyrosur të përshtatur në sandale petit. Ajo me një buzëqeshje elegante na ftoi neve. Plaka filloi të fliste atë gjuhë misterioze dhe melodike. Paniku na kapi, ne i rrudhëm sytë duke provuar të gjenim kuptimin atyre fjalëve. Fatkeqsisht ajo diktoi mos të kuptuarit në heshtjen tonë. Ritimi i saj u ngadalsua dhe pakënaqsia tregohej në fytyrën e saj. Me ngurrim, ajo hyri brenda.  Përsëri doli. Tanimë kishte dy portokalla të mëdhenj. Nga ballkoni ajo shtriu dorën, shkëputi shikimin, dhe na hodhi ato neve.    

            Ne nuk ishim të uritur. Por shpesh ktheheshim në oborrin e saj. Kishte dicka rreth portokajve, një ngyrë të ndezur, secili më i madh se sa dy grushte tona së bashku. Dhe mënyra sesi ajo na jepte, na dukej sa qesharke, aq e cuditshme, dhe na bënte të ndiheshim të turpruar. Pas katër, pesë here nuk i shijoja më. Unë fillova ta formoj një mburojë të vetëdijes dhe vetë-ruajtjes. Kur Egzoni me kërkoi të shkonim përseri, unë i bertita me inat, “Boll më! Prej tash kemi me nejt brenda!”

***

Kjo storie e fundit është e imja. Në takimin tonë të parë me plakën vëllai im dhe unë u trajtuam me dashamirësi, derisa kuptoi se ne nuk merrnin vesh gjuhën e saj. Këto përjetime nuk do t’i ofroheshin fare një refugjati i cili ishte një race tjetër. Identiteti i tyre i huaj është menjëherë dhe vazhdimisht i dukshëm. Kosovarët mund të kenë probleme të kuptojnë aspektin racor të përvojës së oratorës në “Shtëpia” – “të drejtohen nga ana tjetër me shkoni në shtëpi zezakë”. Kjo mungesë mirëkuptimi është e dukshme si në mbulimin e mediave kombëtare ashtu edhe në bisedat përbrenda shtëpisë në Kosovë. Nganjëherë dështojmë të shprehim dhembshuri për refugjatët nga pjesët e tjera të botës me një ngjyrë të ndryshme të lëkurës. Kosovarët duhet të përmbahen nga përdorimi i fjalëve si “i egër” ose “i pacivilizuar” për të përshkruar refugjatët. Këto fjalë funksionojnë për të çnjerëzuar ata.

Gjatë një aventure të mëparshme, vëllai im dhe unë duke bredhur shkuam në një shkollë. Ne donim të mësonim me fëmijët e tjerë të moshës tonë. Një mësuese na pa në korridor dhe na ftoj në klasën e saj. Ajo shpejt kuptoi se ne nuk merrnin vesh gjuhën e saj. Por na lejoi të uleshim dhe na dha fletore dhe lapsa. Megjithëse nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte pikërisht, ndjeshmëria e mësuesës tek ne u shfaq dhe na bëri të mendonim se i përkisnim. Empatia kërkon imagjinatë të përvojave të të tjerëve, njerëz nga kultura të ndryshme, me ngjyra të ndryshme të lëkurës dhe që flasin gjuhë të ndryshme.

Fund

Poezinë e përktheu: Mirjeta Shehu & Valeriana Dema
Tregimet dhe analiza nga: Mirjeta Shehu me Valeriana Dema-n

* Faleminderim të veçantë profesoreshës Lindita Tahiri për mbështetjën për esen./filozofia.al/KultPlus.com

Njeriu kur dashuron ka synim sundimin e plotë të tjetrit ngase nuk dëshiron me askënd të ndaj “pronën”

Shkruan: Arian Musa

Vetëflijimi, shtyllën kryesore e ka “dashurinë” si dashuri e pastër platonike – aty ku përfundon çdo interes personal. Dashuria platonike dhe altruizmi lidhen shumë ngushtë me njëra tjetrën, me një fjalë, sapo e ke rrënuar njërën me të rrënohet edhe tjetra! Ndoshta një vëzhgim më i përafërt i dashurisë, duke e zhveshur nga gjithë ato stoli zbukuruese që bëhen nga dëshira për tu mashtruar, do ta cyt natyrën e brendshme të kësaj ndjenje?

Me shumë gjasë kjo do të ndodh, nëse do të pranojmë thellësinë e vëzhgimit të rrënjëve të dashurisë së pari nga Arthur Schopenhauer, e që në këtë vij, e vazhdon më vonë filozofi pasionant Friedrich Nietzsche, duke e quar trajtimin e saj edhe më tutje.

Schopenhauer na thotë se dashuria nuk është platonike, e madje nuk është edhe personale, ngase aty nuk realizohemi ne si individ, por është vullneti i species që bartë tek ne tërheqjen ndaj seksit të kundërt si mundësi riprodhimi. Ajo bindja jonë që na vije kinse e kemi gjetur personin e duhur është veçse një “kalkulim” i vet vullnetit të species që kërkon vazhdimin në mënyrën më të mirë të mundshme të species. Ndërsa duke shkuar tutje me Nietzschen, dashuria kuptohet vetëm si një dëshirim i rritjes së forcës sonë të egos apo siç e emëron ai – vullneti për fuqi; pra gjithçka manifestohet tek egoizmi jonë. Me Nietzschen do të përmbyset i gjithë iluzioni i dashurisë platonike; se kinse dashuria na qenka një vendtakim përtej egoizmit.

Tek vepra “Shkenca e gëzuar dhe idilet e Mesinës” Nietzsche kur flet për dashurinë, na thotë se, edhe pse epshi dhe dashuria, kur thuhen, secila fjalë na bëjnë të ndihemi ndryshe, ato megjithatë vijnë nga i njëjti instinkt. Dashuria për të është dinamika e dëshirës së rritjes së forcës se vullnetit e shoqëruar me dëshirën për “pronësim”. Dëshira për dinamizëm na nxit drejt vetive të reja dhe manifestohet si dëshirë për pronësi qoftë në rrafshin e njohjes apo raportin me njerëzit apo gjërat. Kjo është edhe arsyeja se pse jemi gjithmonë të tërhequr nga ndryshimi dhe e reja. Nietzsche vëren këtu me plot të drejtë, ngase “mos ndryshimi” është armiku jonë më i madh duke kthyer gjithçka në monotoni dhe mërzi. Ai thotë se edhe peizazhin më të bukur pasi ta kemi jetuar me kënaqësi për disa muaj nuk do ta dashurojmë më, ajo që do të kërkojmë do të jetë një vend tjetër.

Pra, ajo që e bënë të na humbë dashurinë për këto vende të jetuara është “siguria” e pronësimit që nuk na fikson më në humbjen e saj. Në këtë raport të sigurt, me të drejtë, kuptohet se humb dinamika e pasioneve duke u kthyer në një raport të heshtur që nuk ka më çka për tu dëshiruar. Prandaj, pasi të jenë bërë për ne “të heshtura” gjërat, do fillojmë ti konsiderojmë si të vjetra duke mos iu kushtuar më interes të veçantë.

Ndodh shpesh që ajo që ndjejmë për vendet e jetuara më parë në të kaluarën është njëfarë nostalgjie. Më ka rastisur personalisht që pasi kam krijuar një shkëputje nga e kaluara, me dëshirën për diçka të re, pas një kohe të caktuar kam ndjerë mall dhe nostalgji për atë vend dhe e gjitha kjo më ka ardhur, kur e kam ndjerë zbehjen e posedimit të atij vendi që më është kthyer edhe në gjysmë harresë.

Ndoshta në këtë pikë mund të ketë edhe dromca të nihilizmit të Schopenhauerit, e që, e përkthyer në këndvështrimin nitzschean si dëshirë e zbritjes së egos. Më vonë nga Frojdi kjo dëshirë e zbritjes së egos shihet si instinkti i vdekjes e për Nietzschen as më shumë as më pak sesa kalbëzim i vullnetit. Pra sipas këndvështrimit nitzschean mund të themi se gjithçka lidhet me rritjen apo zvogëlimin e egoizmit, edhe pse mund të duket kaq e pa denjë kjo gjë, nga mënyra e se si jemi mësuar ti shohim gjërat.

Është e dukshme fare se gjithçka që nuk e ndez këtë dinamik të pasioneve do të kthehet në monotoni dekadente që shkakton atrofizim të kënaqësisë së dëshirimit. Prandaj vetëm dinamizmi i pasioneve hap gjithmonë shtigje të reja, në dëshirën e vazhdueshme të tensioneve të cilat kërkojnë për tu kaluar. Vetëm nga kjo ngjallet dëshirimi për çdo gjë që sjellë jeta, qoftë edhe aty tek dashuria mes dy sekseve, ku edhe aty, është dëshira e madhe për pronësi të shpirtit dhe trupit.

Njeriu kur dashuron ka synim sundimin e plotë të tjetrit ngase nuk dëshiron me askënd të ndaj “pronën”. Madje do të zemërohej secili nëse do të kuptonte se nuk i ka pronësuar të gjithë shpirtin, por i ka mbetur ca hapësirë për dikë tjetër. Dhe ndonjëherë pas arritjes së qëllimit të zaptimit të shpirtit, do përjashtohet e gjithë bota që konsiderohet e ftoftë në krahasim me ngrohtësinë dhe lumturinë që do ta ndjejë vetëm tek prona që posedon si një të mirë të paçmuar. Pronë, e cila me ngrohtësinë e saj mund ta qojë edhe në flijim për hir të këtij posedimi. Sa për tu habitur është se si është parë dashuria deri më sot – si përjashtim i egoizmit apo thënë më bukur nga vetë Nietzsches:

“Në të vërtetë ne do të ngelemi të habitur që ky epsh i egër zotërimi dhe kjo padrejtësi për dashurinë seksuale të jetë lartësuar dhe hyjnizuar aq shumë, siç ka ndodhur në të gjitha kohërat, dhe se madje nga kjo dashuri ka dalë koncepti i dashurisë si kundërvënie e egoizmit, ndërsa, ndoshta, është pikërisht shprehja më e paskrupullt e vetë egoizmit.”

Këta lakmitarë të zotërimit gjithmonë kanë qenë këtu, siç thotë Nietzsche, të shtyrë nga ky “demon i dalldisur” (një demon i shpikur athinas), por që, në t’vërtet gjithmonë ka qen Erosi në të gjitha rastet. Edhe pse, jo gjithmonë është vërejtur ngase disa nga këta kanë ditur mirë ti zbukurojnë lakmitë e tyre egoiste me glorifikime hyjnore.

Personi që krijon, ai, rrit gjithmonë egon e tij dhe vetëm kështu ai do të jetë i dëshiruar gjithnjë, sepse pronësomi i atij shpirti do të jetë i sfidueshëm duke zhvilluar gjithmonë dinamikë. Ky dinamizëm jep luftë të përhershme për pronësi të reja që qon në rritje të fuqisë që aq shumë është prezente. Dhe atëherë kur luhet në kufijtë më të lartë të dëshirimit lakmitar mes dy njerëzve fillon diçka edhe më e madhe. Se çka është kjo “diçka më e madhe”, na e thotë me një gjuhë poetike vet Nietzsche:

“Po, ka aty-këtu mbi tokë, një lloj persekutimi të dashurisë ku ajo dëshirë e zjarrtë lakmitare që kanë dy njerëz për njëri-tjetrin i hap rrugën një dëshire dhe një epshi të ri, një etjeje të përbashkët më të madhe për një ideal që ngrihet mbi ta: por kush e njeh këtë dashuri, kush e ka jetuar thellë? Emri i saj i vërtetë është armiqësi.”

“Vetëm një grua”: Historia e një “vrasjeje për nder”

Filmi i kushtohet gjermano-turkes Hatun Aynur Sürücü, e cila më 2005 në Berlin ra viktimë e një të ashtuqujture “vrasje për nder”. Dorasi ishte vëllai i saj. Në filmin “Vetëm një grua” e vrara tregon historinë e saj.

“Unë isha një vrasje për nder” dhe “ky deng nën këtë qefin jam unë” – me shprehje të tilla filmi “Vetëm një grua” rrëfen në mënyrë precize dhe direkt historinë e Hatun Aynur Sürücü, e cila më 2005 në Berlin u ekzekutua në rrugë nga i vëllai.

Kush është Hatun Aynur Sürücü?

Aynur u lind më 17 janar 1982 në Berlin, bijë e prindërve kurdë të besimit suni. Ata vijnë nga provinca turke Erzurum në Lindje të Anadollit. Vajza është një ndër nëntë fëmijët në familje. Ajo rritet në Berlin-Kreuzberg dhe ndjek gjimnazin. Në moshën 16 vjeç familja e heq atë nga shkolla dhe e marton me një kushëri në Turqi. Burri është i dhunshëm. Aynur kkthehet shtatzënë në Berlin. Në fillim ajo jeton në familjen e saj, por dëshira për të vendosur vet për jetën e saj bëhet gjithnjë e më e fortë.

Pavarësisht rezistencës së familjes së saj, ajo largohet me të birin dhe jeton fillimisht në një strehimore grash e më pas në një banesë më vete. Ajo kërkon ndihmë prej psikoterapistëve, heq shaminë e kokës, rifillon shkollën e ndërprerë dhe nis kursin e kualifikimit profesional si elektroinstaluese. Të gjitha këto i bën me vullnetin e saj.

Në moshën 23 vjeç ajo është në prag të marrjes së provimit të kualifikimit. Më pas do të shpërngulet për në Freiburg dhe të përfundojë atje maturën në shkollën profesionale. Por nuk arrin ta realizojë këtë. Më 7 shkurt 2005 njëri prej vëllezërve e vret me tre plumba në kokë në mes të rrugës, në stacionin e autobusit Berlin-Tempelhof. Kjo vrasje ndezi debatin mbi martesat me detyrim dhe botëkuptimin e familjeve myslimane në Gjermani.

“Bëhet fjalë për vetëvendosje”

Katërmbëdhjetë vjet pas vrasjes regjisorja Sherry Hormann sjell në kinema historinë e Hatun Aynur Sürücü. “Ideja erdhi, sepse unë e konsideroj mjaft tronditëse këtë histori”, thotë Hormann gjatë premierës së filmit në Berlin. “Pas kaq shumë vitesh kjo histori duhet rrëfyer, sepse ajo po e ndryshon kaq shumë shoqërinë tonë, aq sa ne gjithnjë e më shumë lëvizim brenda gardheve.”

Në fillim të filmit personazhet flasin mes tyre turqisht. “Aha, ju nuk na kuptoni ne”, vëren protagonistja dhe pastaj ata e kthejnë në gjermanisht bisedën. A i drejtohet filmi kryesisht publikut gjermanofon? “Kjo temë na prek të gjithëve”, thotë Hormann. “Bëhet fjalë për të drejtën e vetëvendosjes. Bëhet fjalë për të drejtën e vetëvendosjes së gruas. Bëhet fjalë për vetëvendosjen tonë edhe si njerëz.”

“Aynur zhvillonte një luftë, që e bëjnë shumë gra”

Filmi është prodhuar nga gazetarja e njohur dhe moderatorja televizive Sandra Maischberger. “Për këtë rast janë prodhuar kryesisht filma dokumentarë. Në to fjalën e marrin kryesisht burrat, që jetojnë. Pra vrasësit, vëllezërit,” thotë Maischberger. Me filmin synohet t’i jepet një zë Aynurit. “Sepse ajo zhvillonte një luftë, që edhe sot është aktuale dhe e bëjnë shumë gra. Ndoshta jo me një fund dramatik, por ato luftojnë kundër dominancës mashkullore dhe për vetëvendosje.” Për mua më e mira do të ishte, thotë Maischberger, nëse të gjithë njerëzit, që jetojnë në Gjermani, do ta ndjenin veten si një komunitet, të mbajnë përgjegjësi për njeri-tjetrin dhe të respketojnë rregullat e tjetrit.

Filmi konstrukton regjistrimet dhe fotografitë e Aynurit real dhe vazhdon të ndjekë stilin e dokumentarit. Muzika hip-hop e Aynurit shoqëron filmimet e çastit të babait të sëmurë e të mbingarkuar në xhami. Filmi skicon, se sa të pashpirt janë disa pjesëtarë të familjes – edhe motrat – se si ato e trajtojnë Aynurin e çlirët, që do të shkëputet nga familja e saj. Filmi u shmanget klisheve si “bota e lirë perëndimore kundër botës fanatike myslimane”, dhe përcjell edhe një akuzë ndaj drejtësisë, që dënon vetëm vëllain e vogël, i cili kryen vrasjen dhe e pranon akuzën duke llogaritur me një dënim të ulët.

T’i jepet një zë Aynurit

“Vetëm një grua” nuk synon të shtjellojë situatën psiqike apo sociale të një familjeje, por vendos në qendër vetëm Aynurin dhe zërin e saj. Ka një efekt shumë të madh diskrepanca mes zërit pa emocion të së vdekurës dhe historisë që ajo rrëfen.

“Të rrëfesh tërësisht nga perspektiva e një të vdekure, kjo ishte një sfidë”, thotë aktorja Almila Bagriacik. “Nëse dikush vdes, shumë njerëz kanë një mendim për të, se si ka qenë dhe si ka vdekur. Por vet personi nuk mund të thotë më gjë për këtë.”/DW/KultPlus.com

Shqipëria dërgon historinë e minierës dhe rrugëtimin e kromit në Bienalen e Venecias

Alberina Haxhijaj

Presidenti i Bienales së Venecias Paolo Baratta dhe kuratori i saj Ralph Rugoff këtë vit për edicionin e 58-të të Bienales kanë vendosur si titull të saj shprehjen kineze “Jetofsh në kohëra interesante”.

Kjo ka bërë që të gjithë pavijonet të cilat janë paraqitur të kenë lidhshmëri me temën e cila provokon idenë për të sfiduar kohën, por mund të konsiderohet edhe si një ftesë për të parë gjithmonë dhe për të shqyrtuar rrjedhën e ngjarjeve njerëzore në kompleksitetin e tyre. Mirëpo Pavijoni i Shqipërisë “Maybe the cosmos is not so extra ordinary” apo në shqip “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”  i realizuar nga artisti Driant Zeneli, e që është hapur sot në Bienale, ka ardhur si një përgjigje ndaj këtij titulli. Kur është fjala për kohën, vepra e realizuar nga Zeneli nuk dëshiron që të flas as për të kaluarën e as për të ardhmen, ajo fokusohet tek e tashmja.

Gjithë kjo erdhi përmes një trajtimi metaforik pasi që “Maybe the cosmos is not so extraordinary”, një video-instalacion skulpturor, në fakt në fokus të tij ka pesë fëmijë dhe sferën kozmike. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit. Projekt i artistit Driant Zeneli, kuruar nga Alicia Knock sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. Artisti Driant Zeneli tregoi për KultPlus se përfaqësimi i Shqipërisë në ngjarjen më të madhe të artit pamore, për të është një përgjegjësi e bukur.

“Është një përgjegjësi e bukur dhe kjo përgjegjësi ndahet me shumë miq të cilët kanë punuar më shumë se një vit me e sjellë këtë vepër e që titullohet ‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’. Mund të them se vepra ka lindur nga një bashkëpunim i jashtëzakonshëm i shume personave dhe pikërisht një nga gjanat kryesore që ka kjo vepër është se ju dedikohet njerëzve të cilët punojnë çdo ditë brenda në minierë dhe nxjerrin mineralet e kromit dhe na e sjellin neve në të përditshmen tonë që ta përdorim. ”, tha ai.

<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fkultpluscom%2Fvideos%2F611494672593936%2F&show_text=0&width=560″ width=”560″ height=”311″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowTransparency=”true” allowFullScreen=”true”></iframe>

Vepra e Zenelit bazohet në një projekt shumëdiciplinar emërtuar “Beneath a surface there is just another surface”, i cili nisi në vitin 2015 në Metalurgjikë, një kompleks industrial dystopian, në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela fanatastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas.

“Titulli lind si një lloj përgjigje e kësaj thënies kineze e që është edhe tema e Bienales. Vepra nuk dëshiron me fol as për të kaluarën as për të ardhmen po për të tashmen. Vepra kërkon me fol për këta pesë fëmijë që e gjejnë një sferë kozmike në një fabrikë dhe pas kësaj fillojnë udhëtimin e tyre drejt trupit të një mali ku do të fshehin sferën kozmike. Në realitet është e gjithë historia e kromit dhe udhëtimi i tij nëpër vende të ndryshme”, theksoi Zeneli për KultPlus.

Pavijoni i Shqipërisë i zë vend afër pavijoneve të shteteve si Madagascar, Latvia, Malta, Philippines. Lidhshmëria e tematikave që shtjellojnë këto pavijone dhe të tjerat në këtë hapësirë, sipas Zenelit thekson se në kontekstin global të gjitha vendet kanë të njëjtat probleme dhe ajo që mbetet e rëndësishme është një bashkëjetesë e mirë.

“Në një kontekst global sot përjetojmë si të mirën si të keqen pra gjithë gjërat bashkë, këtu e kemi nda hapësirën me shtetet e tjera dhe kur e sheh në fund të fundit kemi të gjithë të njëjtat probleme, të njëjtat çështja, kështu që sot jetojmë në një hapësirë të vogël globale por ne duhet t’i ndajmë këto hapësira bashkë dhe të mendojmë si me bashkëjetua”, tha ai.

Pavijoni i Shqipërisë i cili është hapur të premten do të mund të vizitohet që nga nesër e deri më 24 nëntor, datë kjo që shënon edhe mbylljen e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias. Po ashtu nesër, më 11 maj do të bëhet edhe ndarja e çmimeve në kuadër të Bienales./KultPlus.com

Mendoj se ende më dashuron, por ne nuk mund t’i ikim faktit se unë nuk të mjaftoj ty

Mendoj se ende më dashuron, por ne nuk mund t’i ikim faktit se unë nuk të mjaftoj ty. E kam ditur se kjo do të ndodh, prandaj nuk të fajësojë ty që ke rënë në dashuri me dikë tjetër.

Nuk jam as i nervozuar. Duhej të isha, por nuk jam. Unë vetëm ndjej dhimbje, shumë dhimbje. Kam menduar se mund ta imagjinoja se sa shumë mund të dhemb kjo, por paskam qenë gabim.

– Haruki Murakami

Rita Orën mund ta shihni edhe në këtë projekt

U publikua filmi  ‘Detective Pikachu’ Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora përveç sukseseve të shumta në muzikë, së fundmi ka luajtur edhe rolin e aktores.

Rita Ora luan në filmin që porsa është publikuar ‘Detective Pikachu’. Lajmin për publikimin e filmit, në të cilin Rita e luan rolin e Dr Laurent e bëri të ditur vetë këngëtarja. Rita përmes një postimi në instagram u shpreh shumë krenare, që ka luajtuar në këtë film, shkruan RTV 21.

“Filmi ‘Detective Pikachu’ është publikuar! Këtu mund të shikoni paraprakisht pak nga karakteri im Dr Laurent. Shumë krenare me gjithë kastin dhe skuadrën. Faleminderit Rob Letterman që na lejuar mua dhe Kygon të krijojmë këtë film dhe të jemi pjesë e tij. Bota e Pokemonit me ju. U publikua në secilin teater”, shkroi Rita krahas disa imazheve../KultPlus.com

Çast lamtumire

Poezi nga Mitrush Kuteli

Pra, bir, mos qaj: ky është ligji i qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!/KultPlus.com

Përurohet libri “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”

Nën organizimin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan dhe Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan, e përkrahur nga zyra e kryetarit të kësaj komune, sot është bërë përurimi i librit “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”, i autorit Dr.Islam Lauka,  ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.

Në këtë përurim, para të pranishmëve një fjalë rasti e ka mbajtur edhe autori, i cili ka bërë falënderime për organizimin e përurimit të librit.

Po ashtu sot në Deçan, gjatë përurimit të librit të Islam Laukës, është nderuar me dekoratën e Kryetarit të Nderit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, profesori i njohur i historisë, Selim Lokaj.

Kosova, në mesin e dhjetë Pavijoneve më të mira në Bienalen e Venedikut

Paivilioni i Kosovës i prezantuar nga artisti Alban Muja, në Bienalen e Venedikut në edicionin e sivjetshëm është pritur jashtëzakonisht mirë dhe është vlerësuar lartë duke u rënditur edhe në mesin e dhjetë pavijonëve më të mira.

Mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e artit bashkëkohor mbarëbotërorë mund të jetë duke i vizituar pavijonet kombëtarë të Bienales së Venedikut.

Duke prezantuar “Zëra të shumtë,” siç tha presidenti i Bienales Paolo Baratta në konferencen e së mërkurës, këto hapësira janë fusha pjellore për artistët që të adresojnë gjendjen aktuale të vendeve të tyre dhe të botës në përgjithësi. Dhe në Bienalen e Venedikut të 58-të ketë vitë, së bashku me ekspozitën e Ralph Rugoff, “May you Live in Interesting times” (Të jetoni në kohërat interesante), artistët dërgojnë mesazhe bindëse tek qeveritë e tyre, duke inkurajuar komunitetin dhe duke treguar tregime të freskta që krijojnë empatinë.

Këto janë dhjetë pavijonet më dinamike dhe më magjepsëse në Arsenali dhe Gjardini sipas vlerësimit të publikuar nga Artsy.net.

Australia; Polonia; Shba, Brazili, Gana, Franca, India, Zvicer, Filipine, Kosova./KultPlus.com

Liqeni Artificial me ngjyra, “shtrohet” qilimi me motive popullore

Përpos gjelbërimit dhe ajrit të pastër, kodrat e Liqenit Artificial ofrojnë edhe një hapësirë plot ngjyra për vizitorët. Pas qilimit të parë dekorativ që tërhoqi jo pak vëmendjen e qytetarëve, shkallët e digës së liqenit janë “veshur” me një tjetër dekor plot ngjyra.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri së bashku me Dekor Tirana dhe stafin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, kanë lyer qilimin me motive folklorike tek shkallët që zbresin nga diga e liqenit deri tek një prej rrugëve hyrëse në park.

“1001 ngjyrat e Tiranës! Edhe këtë vit, Peace Corps Albania bashkë me ekipet e parqeve dhe dekorit, shtruan qilimin me motive popullore te shkallët e digës!”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në rrjetin social “Facebook”, teksa sjell edhe foto nga puna fantastike e të rinjve.

Ata gjithashtu kryen dhe një aksion pastrimi përreth kësaj zone, pasi është një ndër vendet që vizitohet shumë nga qytetarët e gjithë grupmoshave, si dhe është edhe “mushkëria e kryeqytetit”.

Komediani amerikan Fredie Starr gjendet i vdekur në shtëpi

Këngëtari, aktori dhe komediani i preferuar i publikut u nda nga jeta ditën e sotme. Ai u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Costa Del Sol, në Spanjë.

Vdekja e tij u konfirmua përmes një postimi në Facebook ku shkruhej:

“Jam menaxheri i Freddie. Ju konfirmoj se aktori është ndarë nga jeta. R.I.P komedianit më të mirë të të gjitha kohërave,”- konfirmohej kështu lajmi i vdekjes së tij, por nuk dihet shkaku i vdekjes së tij.

Trupi i tij raportohet se u zbulua nga kujdestari në banesën e tij në Mijas.

“Kujdestari i tij e gjeti të vdekur në karrigen e tij rreth orës 15:50. Policia mbërriti në vendngjarje dhe trupi i tij u mor me ambulancë,”-u shpreh një fqinj për BBC.

Starr u bë i famshëm në fillim të viteve 1970, pasi u shfaq në emisionin televiziv ‘Talent Opportunity Knocks’. Ai luajti në disa programe të tjera televizive në vitet ’90, ku njohu famë botërore me rolin e tij në “Freddie Starr ate my hamster” në vitin 1986.

Në vitin 2012, ai u akuzua për abuzim seksual, por nuk u arrestua./KultPlus.com

Kujt i dedikohet dhe nga kush u frymëzuan vargjet e poezisë “Në mundsh”?

“NË MUNDSH…” poezia e britanikut Rudyard Kipling është padyshim poezia më e famshme që ka rrokur interesimin e lexuesve në mbarë rruzullin.

Ajo është ndoshta poezia më e përkthyer dhe interesimi i saj ka qenë që nga tekst i plotë dhe i pjesshëm i disa këngëve të famshme, i disa interpretimeve skenike, filmave, gjithashtu dhe i skalitur me shkronja të arat në fasadat e institucioneve shtetëtore, etj.

Kjo poezi është shkruar në vitit 1895 dhe publikuar më 1910. Në kuptimsinë fillimore ajo duket si një letërkëshillë atërore e autorit për të birin. Por vetë Kipling ka pohuar se frymëzimi i tij poetik për këtë krijim ishte revolucionari, Leander Starr Jameson, i cili udhëheqi lëvizjen “Raid Jameson” në periudhën dhjetor 1895 – Janar 1896, kundër Republikës Transvaal për të përmbysur Qeverinë e Boer Paul Kruger.

Fatkeqësisht kjo lëvizje dështoi dhe ai e desh ta paguante shtrenjtë. Kujtojmë se Leander Starr Jameson i përkiste sërë së lartë londineze dhe karriera, prestigji, nderi dhe integriteti i tij do të dëmtoheshin seriozish.

Kjo poezi është një emblem e artit të periudhës viktoriane dhe piket e rëndësishme e poezis botërore. Për kërshërinë e lexuesit shqiptar ka ardhur me shqipërimin e më të mëdhenjve, Fan Noli, Vedat Kokona dhe shumë të tjerë, por më e parapëlqyera është ajo e Robert Shvarc.

Në mundsh

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!

– Rudyard Kipling /KultPlus.com

Rita e Kygo këndojnë në emisionin ‘The Tonight Show’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ishte e pranishme në emisionin e famshëm të Jimmy Fallon.

Rita, së bashku me këngëtarin Kygo kanë kënduar këngën e tyre më të re ‘Carry On” në skenën e emisionit The Tonight Show dhe Goodmorning America. “Carry On”, transmeton albinfo.ch.

Në intervistën për këtë emision, Rita Ora tregoi dhe përvojën e saj në mbrëmjen e madhe të “Met Gala”.

Çifti më pas shndërroi skenën e moderatorit Jimmy Fallon në një studio muzikore përmes këngës Carry On, që është kolonë zanore e filmit “Detective Pikachu”, një film i frymëzuar nga Pokemon./KultPlus.com

https://youtu.be/AffqJMqgMw4

Lum Lumi

Poezi nga: Ali Podrimja

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapësirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë më shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi./KultPlus.com

Kadare: Migjeni, “djalli me 3 brirë”

Rilindasit krijuan kështu mitin e Shqipërisë “zonjë të rëndë”, të fyer, e të shqiptarëve kombi i zgjedhur por që në jetën e të cilëve kishte ndodhur një katastrofë: pushtimi osman. Kjo katastrofë duhej ndrequr me çdo kusht. Gjithë aksioni i rilindasve mund të përmblidhej kështu me dy fjalë: riparimi i një katastrofe.

Ai riparim do të bëhej në shekullin XX, por siç ndodh gjithmonë me ëndrrat e ëndërruara tepër gjatë, duke qenë vërtetë shekull i pavarësisë, ai do të ishte njëkohësisht shekulli i zhgënjimit të madh.

Në historinë mijëvjeçare të shqiptarëve ai është shekulli më i pasur në ngjarje, më i ndërlikuari e më dramatiku. Për letërsinë shqipe, ai është “shekulli i artë”.

Migjeni erdhi në letërsi pikërisht në këtë shekull…

Në rininë e tij të parë Migjeni duhej të kishte pasur një njohje disi të mjegullt të të gjithë kësaj. Në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër ai kreu vetëm shkollën fillore, për t’u larguar në moshën dymbëdhjetëvjeçare jashtë shtetit, në Jugosllavi, ku do të kryente, në fillim në Tivar e pastaj në Manastir, shkollën e mesme e seminarin fetar ortodoks.

Në shkollë të huaj, ku nuk dëgjohej gjuha shqipe e nuk përmendej as Shqipëria e as shqiptarët, Milloshit të vogël i duhej t’i vinin si përmes një tymtaje ato që kishte mësuar në fëmini për vendin e tij: portretet hijerëndë të princëve mesjetarë, poetët e mëdhenj, rrëfimet, ritet.

Edhe në Shkodër, Milloshi kishte qenë një fëmijë jo fort i shoqërueshëm. Më tepër se prej karakterit të tij kjo qe shkaktuar prej një rrethane të veçantë: prej fesë së familjes së tij. Shkodra ishte qyteti më i përçarë shqiptar në punë feje. I ndarë si me thikë midis katolikëve dhe myslimanëve, ai shkumëzonte nga pasionet e të dyja palëve kundër njëra-tjetrës. Tingujt e kambanave acaronin gjithë ditën veshët e myslimanëve, ashtu si zërat e hoxhallarëve ato të katolikëve. Një traditë e tërë urrejtjeje, e mjaftueshme të ushqente breza të tërë njerëzorë, mbahej gjallë me të gjitha mjetet: libra, revista, shoqata, procesione, thashetheme, përdhosje vendesh të shenjta, grindje, vrasje e gjer te masakra që shmangeshin me vështirësi.

Midis këtyre dy deteve armiqësore, në qytet jetonte një minoritet i paktë (jo më shumë se njëqind familje), të një feje të tretë: ortodokse. Familja e Migjenit, ndonëse jetonte në pjesën katolike të Shkodrës, i përkiste këtij ishulli.

Kuptohej që Milloshi i vogël, tek i cili nuk ngjiste dot urrejtja e asnjë pale kundër palës tjetër, i paaftë për të ulëritur në njërin klan kundër tjetrit, kishte mbetur më shumë i vetmuar se me shokë.

Kjo ndjesi vetmie do t’i shtohej më tepër në Jugosllavi për arsyen tashmë të thjeshtë se ai mbante brenda tij një botë krejtësisht të huaj e të panjohur për të mos thënë të padashur për nxënësit sllavë: botën shqiptare.

Mësimet bëheshin në serbokroatisht, më vonë do të mësonte greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten e rusishten, por gjuhën e vet, atë me të cilën do të lidhej në jetë të jetëve gjithë qenia e tij, ishte i detyruar ta mbante në trurin e tij, në vetmi të plotë. Bashkë me gjuhën mbante të gjitha shkëndijimet, që në vend t’i zbeheshin, përndriteshin edhe më shumë nga largësia, malli dhe sidomos pamundësia.

Por të gjitha këto u rritën në një shkallë të re gjatë pesë vjetëve të studimeve të tij fetare në seminar. Mund të thuhet pa e tepruar se kjo ishte një antishkollë e vërtetë për të. Në vend të devotshmërisë ndaj fesë ajo do t’i nxiste përçmimin ndaj saj, në vend të përvuajtjes, krenarinë, në vend të mospërfilljes për gëzimet e jetës, etjen për to, madje në skajshmërinë e tyre, atje ku feja sfidohej më vdekshëm: mëkatin, erotizmin gjer në incest, etj, etj.

“Mos u lut për mua, se dua pash më pash ti bij ferrit”, shkruan në një nga vjershat e tij. Për mendësinë e një fetari Milloshi i ri, në mos ishte vetë djalli i veshur me rrobe seminaristi, kishte bërë së paku një pakt me djallin për t’u joshur (tani për tani), nga gjithçka e ndaluar, makabre, shkatërrimtare.

Ai përfytyron gjëra të tmerrshme: fusha që në vend të gurit pjellin tyta të hekurta topash, uraganë që thyejnë statuja idhujsh, varre, gurët e të cilëve lartësohen gjer në qiell, popuj të tërë që llahtarisen ndër këmbët e hapura të një përbindëshi, kufoma fëmijësh që propozohen të dhurohen si shtatore, shtatore që pjellin fëmijë, etj, etj. Çdo gjë që mungon, gjithçka e ndaluar, e mallkuar, e shpallur jashtë ligjit dhe moralit bëhet e afërt për shpirtin e tij.

Kështu duhet t’i ketë lindur edhe dashuria për letërsinë atje në seminarin e mërzitshëm sllav, si dashuri për atë që mungon. Dhe është e kuptueshme se ndërsa letërsia atje mungonte, përgjithësisht për letërsinë shqipe as që mund të bëhej fjalë. Përsëri , si përmes një velloje ëndrrash, ndoshta këtë herë më e dendur se ajo e Tivarit, do t’i kenë ardhur fytyrat e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë, ashtu siç mund t’i kishte parë në librat e shkollës në fëmininë e tij.

Fytyrat e tyre të çuditshme, me rrudha kërcënuese, me sy delirantë që dukej sikur përherë kërkonin të të besonin një kumt misterioz, disa herë kishin mbi supe zhgunin e thjeshtë të murgut, por shpesh ishin mbështjellë me rrobën e sundimtarit, me pelerinë peshkopi, xhube rektori, grada armë ose frak diplomati. Kështu i kishin edhe fatet disa herë të jashtëzakonshëm, të pabesueshëm.

Ja njëri prej tyre, një bashkëqytetar i tij, autor i një prej poemave të letrësisë shqipe, i vjershës së bukur, aq të pikëllueshme, aq lirike, “O moj Shqipni, e mjera shqipni”, të gjithë vocërrakët e Shqipërisë e mësonin përmendësh në shkollë, pasi kishte botuar shkrime anglisht në Londër dhe pasi kishte botuar romanin e tij të vetëm të shkruar në frëngjisht në një shtëpi botuese të Parisit, kishte ndërruar fenë katolike në myslimane, kishte braktisur letërsinë për karrierën dhe qe emërëuar prej sulltanit turk si guvernator i Libani.

Dhe kështu kishte vazhduar të jetonte me dy emra, një katolik dhe një mysliman, me dy fama, atë të poetit në vendine  tij e atë të diktatorit në vendin tjetër, së fundi me dy fate pas vdekjes: i glorifikuar te shqiptarët si rilindas, i zi te libanezët si tiran.

Sa të largët, të huaj e mizorisht të fuqishëm duhet t’i jenë dukur Migjenit këta shkrimtarë, fytyrat e të cilëve në orët e mërzitshme të mësimeve fetare duhej t’i përziheshin me ato të personazheve biblike. Por, i dukeshin ose jo të tillë, e joshnin ose e tromaksnin, ai do të hynte në radhën e tyre, në atë urdhër të rreptë e të zymtë që kërkonte ndoshta flijime më shumë se çdo urdhër fetar.

Kështu Milloshi e mbaroi seminarin si një antiseminarist. Ai po dilte nga porta e tij për t’i kthyer shpinën përgjithmonë klerit dhe zhgunit priftëror. Për sytë e një fetari të devotshëm, Migjeni dilte nga seminari ortodoks sllav si një djall me tre brirë. Ai ishte dezertor i fesë. Ai donte të bëhej shkrimtar. Ishin tri akuza të mjaftueshme për ta vënë në kryq.

(Nga libri “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”)