Komedia e zezë e jug-koreanit fiton “Palmën e Artë” në Kanë

Regjisori jug-korean, Bong Joon-ho, ka rrëmbyer çmimin e madh të Kanës, “Palmën e Artë”, me komedinë e tij të zezë “Parasite”.

Festivali i Filmit në Kanë i dha shkëlqim edhe të rinjve.

“Atlantics”, një tregim për migrantët nën regjinë e franko-senegalezes Mati Diop, fitoi çmimin e Dytë më të rëndësishëm të festivalit, transmeton Koha.net

Filmi, i bazuar në dokumentarin e saj të shkurtër të vitit 2009, ishte filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë.

Këta janë fituesit e festivalit të sivjetmë të Kanës.

Palme d’Or

“Parasite”, regjisori: Bong Joon-ho

Grand Prize

“Atlantics”, regjisorja: Mati Diop

Aktori më i mirë

Antonio Banderas; “Pain And Glory”

Çmimi i jurisë (TIE)

“Les Misérables”, regjisori: Ladj Ly

“Bacurau”, regjisorët: Kleber Mendonça Filho, Juliano Dornelles

Regjisori më i mirë

Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, “The Young Ahmed”

Aktorja më e mirë

Emily Beecham, “Little Joe”

Skenari më i mirë

Céline Sciamma, “Portrait Of A Lady On Fire”

Përmendja speciale

“It Must Be Heaven”, regjisorja: Elia Suleiman

Kamera më e mirë

“Our Mothers”, regjisori: Cesar Diaz

Palma e Artë për Filmin e Shkurtër

“The Distance Between Us And The Sky”, regjisori: Vasilis Kekatos

Përmendja speciale: “Monster God”, regjisorja: Agustina San Martin. / KultPlus.com

Pianistja austriake entuziazmoi publikun kosovar me veprat e Shumanit dhe të Shubertit

Në natën e dytë të festivalit Remusica performoi pianistja e shumë talentuar nga Austria, Mariam Vardzelashvili e cila shfaqi para publikut kosovar disa nga veprat më të veçanta të muzikës klasike.

Edhe vetë titulli i performances se saj tregon mesazhin që ka dashur të përçoj përmes tingujve të muzikës së përzgjedhur nga vetë ajo, “From Austria with Love” (Nga Austria me dashuri) ku kishte përzgjedhur veprat e kompozitorit austriak dhe dy veprat e kompozitorëve më më ndikim, Shumanit dhe Shubertit.

Sipas pianistes nuk ka kompozitor tjetër që e shfaq më mirë esencen e qytetit se sa Shumani, ku pjesët e fantazisë paraqesin pjesët më të rëndësishmë të kompozimit të tij, ku Vardzelashvili e luajti me shumë emocion dhe performance e saj u përcollë me duartrokitje të ngrohta.

“Ishte ndjenjë e veçantë, një pritje e ngrohtë dhe kënaqësi për të performuar. Ky festival është përfaqësues i muzikës moderne andaj unë kam provuar të performoj pjesët e gjata tradicionale me disa pjesë të shkurtëra bashkëkohore. Dhe kam zgjedhur kompozitor prej kah edhe vi unë kështu që kompozitorët janë austriak dhe muzika është austriake”, u prononcua për KultPlus pianistja austriake, Mariam Vardzelashvili.

Vepra e Shumanit e ka pasur edicionin e parë pas 20 vjetësh, ku kompozitori kishte vendosur të rishkruaj dhe pas vdekjes se tij është shfaqur një edicion po i kësaj vepre.

Pianistja kosovare Besa Luzha, është fasionuar nga performance e Marianes, e cila si pianiste thotë se i kupton sfidat të cilat i përjetoi ajo.

“Mariam është dashur ta ndërrojë krejt programin sepse ka qenë e paraparë të jetë një program duo me violin dhe mund ta marr me mend se për të ka qenë shumë e vështirë që në moment të fundit të ndërroj programin dhe të pergadisë diçka tjetër solo për ne. Ishte program i përzgjedhur, vepra moderne, një kompozitor nga vendi  saj dhe dy përfaqësues tipik të vepres austriake si Shubert dhe Shuman me dy vepra shumë serioze dhe bukur të interpretuara”, u shpreh Luzha./KultPlus.com

Çmimi “Azem Shkreli” për poetin austriak që punoi edhe për çështjen shqiptare

Çmimi kryesor i edicionit XVII të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli” në Pejë i është ndarë të premten poetit austriak nga Vjena, Helmuth A. Niederle.

Këshilli Organizativ i këtyre takimeve të sivjetme letrare, përzgjedhjen e Niederle për fitues të këtij çmimi kryesor të takimeve letrare “Azem Shkreli” e ka mbështetur në veprimtarinë e tij si përkrahës i madh i Kosovës dhe i letërsisë shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

“Çdo gjë e kemi në kujtesën e kohës. Ky është një personalitet botëror i letërsisë dhe është elitar. Ai si shkrimtar, antropolog, njëri i kulturës, humanist i madh, çfarë nuk ka bërë për integrimin e shqiptarëve në Vjenë, në kohën e paraluftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Ai dhe PEN International (Organizata Ndërkombëtare e Poetëve, Eseistëve dhe Shkrimtarëve) u kanë drejtuar rezoluta Kombeve të Bashkuara për njohjen e shtetit të Kosovës. Kur këto gjëra kanë ndodhur, ky ka qenë atje. Dokumentet flasin”, ka treguar Entela Kasi, kryetare e Këshillit Organizativ të këtyre takimeve, arsyen e dhënies së çmimit kryesor të takimeve poetit austriak Helmuth A. Niederle. Për çmimin e ndarë, me të cilin e shpërbleu Peja për atë që ka bërë për Kosovën, ai është shprehur i lumtur, por edhe i befasuar.

“Është një çmim i pabesueshëm për mua. Nuk kam llogaritur se do ta fitoj”, u shpreh ai për “Kohën Ditore” pasi mori çmimin. E në skenë pasi iu dorëzua çmimi nga drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, poeti nga Vjena foli si me vargje poetike, duke thënë se themeli i gjithçkaje është poezia./KultPlus.com

Sazet e jugut ngjiten në Amfiteatrin e Tiranës

Pas premierës së suksesshme në REJA FEST, “Saz’iso” vjen për të performuar duke na sjellë këngët që tregojnë për gëzimin, dhimbjen, dashurinë, humbjen, heroizmin dhe tragjedinë.

Mos mungoni në natën e paharrueshme në Amfiteatrin e Tiranës, më 25 Maj, 20:00! Në këtë skenë do të ngjiten këngëtarët e njohur përmetarë Donika Pecellari, Adriana Thanasi dhe Robert Tralo, muzikantët korçarë Telando Feto, Agron Nasi , Agron Murati dhe Aurel Qirjo, pa harruar multinstrumentistin Pëllumb Meta nga Tirana. SAZ’ISO.

Ky ansambël, i krijuar posaçërisht nga 3 miq të apasionuar të muzikës Shqiptare (gjermania Andrea Goertler, shqiptarja Edit Pula dhe amerikani Joe Boyd) vjen në skenë , pas shumë koncertesh dhe turnesh të suksesshme në Europë si premierë./KultPlus.com

Papa, arbëreshëve të Italisë: Ruajini traditat tuaja

Sot, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, u takuan me Papën më se 6000 pjesëmarrës në shtegtimin e arbëreshëve të Eparkisë së Ungros. Mirëseardhja e përzemërt e Françeskut.

I gëzuar për këtë pritje, po i drejtoj secilit nga ju mirëseardhjen time të përzemërt. Me rastin gazmor të këtij njëqindvjetori të Kushtetutës Apostolike Catholici fideles, përmes së cilës Papa Benedikti XV themelonte Eparkinë e Ungros, ju erdhët në Romë, me bariun tuaj, Imzot Donato Oliverio, për të dëshmuar para gjithë Kishës Katolike fenë e bashkimin e Bashkësisë suaj të dashur. Ju falënderoj për këtë vizitë e për dëshminë tuaj.

Njëqind vjet më parë, ndërsa bota ishte e copëtuar nga Lufta I Botërore, Paraardhësi im i Nderuar ia vuri mirë veshin historisë, kërkesave tuaja të ligjshme ashtu si dhe udhës suaj të guximshme shpirtërore, karakterizuar nga besnikëria ndaj traditave, pa marrë parasysh vështirësitë e vuajtjet. Papa e kishte shumë për zemër Kishën lindore dhe meditonte: “Çfarë duhet të bëj për t’iu përgjigjur më vendosmërisht nevojave dhe dinjitetit më të përshtatshëm të Kishës universale e Kishave të tjera të veçanta?”. Prandaj dekretoi që të themelohej kanonikisht e menjëherë, dioqeza e ritit grek në tokën e Kalabrisë. (Bula Catholici fideles – Besimtarët katolikë).

Kjo ngjarje e rëndësishme krijon mundësinë për ta falënderuar Zotin për atë që bëri në bashkësinë tuaj shekujt e fundit, me mirësinë e mëshirën e Tij. Prandaj ju ftoj ta jetoni këtë jubile jo aq si pikarritje, por si hov të ri e të gëzueshëm të impenjimit tuaj njerëzor e të udhës suaj të krishterë. Në këtë kuptim, është më e nevojshme se kurrë të thellohet njohja e së kaluarës e të kujtohet me mirënjohje, për të gjetur në të arsyet e shpresës e për të ecur së bashku drejt ardhmërisë që Zoti dëshiron të na e dhurojë.

Ju inkurajoj ta mirëprisni gjithnjë në zemrat tuaja e ndërmjet jush, dashurinë e Zotit, burim e shkak i gëzimit tonë, të merrni pjesë në Sakramentet, të jeni pranë çdo familjeje, t’i kushtoni vëmendje më të varfërve e më nevojtarëve, t’i shoqëroni breznitë e reja në sfidën e madhe edukative, që na përket të gjithëve: janë këto përmasat, në të cilat duhen ruajtur traditat tuaja, ashtu si edhe përkatësia ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Jeni të thirrur të jetoni si të kishterë, duke dëshmuar se dashuria është më e bukur se urrejtja; miqësia, më e bukur se armiqësia e se vëllazërimi ndërmjet të gjithëve, është shumë më i bukur se konflikti.

Lutja jonë e mirënjohja jonë sot i kushtohet edhe atyre, që gëzojnë me ne nga qielli. Të gjithë atyre, që ju transmetuan fenë me jetën e vet, akoma më përpara sesa me fjalë. Mendoj posaçërisht për ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, prindërit e gjyshërit, që ju paraprinë, i ruajtën besnikërisht e i përçuan pasuritë e traditës suaj të bukur. Ndiqeni shembullin e tyre, duke ua transemtuar breznive të reja këtë trashëgimi shpirtërore, që ju dallon.

Ju shoqëroftë në udhën tuaj të përditshme Nëna e Shenjtë e Zotit, Odegitria. Prijësja jonë! Ajo, shërbëtorja e bindur, që e pranoi fjalën e Zotit, ju bëftë gjithnjë më të bindur ndaj vullnetit të Atit e mjete bujare të planit të Tij të shëlbimit.

Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj edhe një herë për këtë vizitë e ju uroj përzemërsisht njëqindvjetorin tuaj. Duke ju kujtuar të luteni për mua, ju jap, me gjithë zemër bekimin, të cilin e shtrij me kënaqësi mbi familjet tuaja e mbi mbarë Eparkinë e Ungros./KultPlus.com

Hesht Enverushkë, unë jam shqiptar Kosove!

Nga Marin Mema

Unë jam shqiptar Kosove sepse stërgjyshërit e mi kanë dhënë shpirtin për ketë vend. Unë jam shqiptar kosove sepse stërgjyshërit e mij nuk shihnin kufij mes Shqiperisë. Unë jam shqiptar kosove sepse e kam njohur çdo element të masakrave të tmerrshme të bëra mbi vëllezërit e motrat e mija kosovare!

Unë jam shqiptar kosove sepse respektoj Haxhi Zeken, Hasan Prishtinen, Isen e madh, Azem e Shote Galicen, Sulejman Vokshin, Idriiz Seferin, Bedri Pejanin, Ahmet Deline, Shaqir Smaken e shumë të tjerë.

Ata janë heronjë për mua!! Ata kanë një gjak me mua!!! Unë jam shqiptar kosove sepse Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, luftuan për të njejtin flamur, sepse në shpirtin e tyre ishte i njejti vrull si burrat e qemoti !!!

Unë jam shqiptar Kosove sepse kurrë nuk do të pranoj që historinë të ma bëjë ndonje burracak Enver apo Enverush, sido u quajt, Albert , Hashim apo diçka tjeter.

Unë jam shqiptar kosove sepse gjaku nuk bëhët ujë, sepse gjakun edhe pse unë jam nga Kolonja e kam të njejtë me çdo shqiptar kosove !!

E ketë nuk e ndalon askush !! Nuk prishet e perçudnohet historia sepse disa tuafer ( me qëllim) duan të ngrenë pengesa e biles edhe”armë” moderne duke ndezur armiqësi mes të njejtit komb.!!

Nuk dua të di nëse ne pushtet është Edi apo Lulzimi (sepse për çeshtjen kombëtare nuk ka të majtë e të djathtë, nuk ka as flamuj politike), por atë që s’mundet ta ndalojë askush nga këta BURAT me një R është të qenit shqiptar, të menduarit bashkë, të ecurit bashkë, drejt një historie që do apo s’do Enverushi është e përbashkët !!

Historia nuk është loder, nuk është telekomande ku çdo kush mund të shtype stacionin që dëshiron, por është identitet, pasion, ndjenjë, është gjak, është e mbetet HISTORI !!

Ndaj shpesh është më mirë të heshtesh se të broçkullisesh !! Hesht Enverushke është më burrërore se të hollosh zërin e të bësh si burrë!

Ti nuk bëhësh kurrë burrë duke mohuar historinë !! Unë e kuptoj se të jesh pushtetar si këta, nuk të intereson identiteti kombëtar, por kjo s’do të thotë se ne, njerëzit e thjeshtë duhet të hapim rrugë, e të lejojmë këta pseudoshqiptarë të hapin gojë e të nxjerrin te vjella antikombetare !!

Historinë e bëjnë burrat e jo gjysmë burrat !! Unë jam shqiptar kosove dhe i tillë do të mbetem !!!

Ndaj Enverusherit dhe gjithë çeta pas tij duhet të kafshojnë gjuhën nëse nuk u pelqen, duhet ta bëjnë me zorr, sepse fatin e shqiptarëve të Kosovës nuk e vendos askush tjetër përveç historisë që ka drithëruar çdo shtëpi në atë tokë!!

I ndjeni klithmat ? I ndjeni vuajtjet ? po masakrat , vrasjet, ndyrsite , i ndjeni ???

E pra ato jane shpirtëra, shkuan për të qenë të lirë, e jo për tu drejtuar nga askush që për interesa personale shpik, mohon, hedh poshtë, shkel identitetin, siç po bëjnë ca nga pushtetaret xhepa plotë e shpirt të boshatisur !!!

Unë jam shqiptar kosove e ketë s’ma ndalon askush !! Historia është për burrat e jo për dallaveraxhinjtë!!/KultPlus.com

Naime Beqiraj u laurua me “Çmimin e lirisë” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli”

Poetja Naime Beqiraj u laurua me “Çmimin e lirisë” për poezinë “Republika” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.

“Çmimet letrare nuk të bëjnë poete më t’mirë; janë vetëm dëshmi që krijimtaria vlerësohet, e sidomos kur mbajnë sinonim lirinë – gjakimit shekullor të pejanëve për liri, kur mbajnë Azem Shkrelin emër, kur ndahet nga tri poete dhe profesoresha universitare: Ilire Zajmi, Entela Kasi e Vjollca Dibra. Falemnderit vasha!”, shkruan Beqirja në faqen e saj në Facebook.

Në vazhdim mund ta lexoni poezinë fituese:

REPUBLIKA

Të buta supet e saj
Të buta kalorëse
Për të bartur pesha të rënda

Të reja vitet e saj
Të reja shtalb
Për ta kaluar rolin e urtakes

Edhe dashurinë e ka të brishtë
E brishtë si thes me pupla
Për t’i luajtur të gjithë

E fortë krenaria, e fortë
E fortë deri në mëkat
Mos ta lejoj Atin të drejtësoj

E të qeshurën e bukur
Aq sa hirësia e Solomonit
Nuk mund t’i thotë, jo

I qartë fërkemi i saj
Fluturim plot
Sa me e hup lojën, vetës gola

Dhimbshëm humbja, humbja e saj
Por jo e qeshura prej mushkërive
Me to i kapërcen thepisjet

Kampione ecja e saj
E para del sa s’ia kalon kush
T’i kthejë dhuratat në armiq

I akullt inati, i akullt
Pik’ acar sa hakmarrja
Për t’rënë n’kurthë me vetën

I butë shikimi, i butë
Sa s’mund t’i rezistosh 
T’ia kthesh shpinën, jo besnikërinë

E këndshme e hedhura e saj
E para, e njëqindta, e mijëta
Për ta ushqyer gjarpërin me ambroz

Si erë e ka sundimin
Përditon ngopshëm mirë e bukur
E mandej i përmbys kupat e verës

E mrekullueshme hija
Mrekulli, dëshmi, ringjallje
Për t’i prirë të pabesët/KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon librin në Gjermani

Buxhovi – mysafir i takimeve letrare “Azem Shkreli” në Gjermani.

Në takimet e sivjeme letrate “Azem Shkreli”, që mbahen nesër (e diel) në Ennepetal të Gjermanisë, (“Haus Ennepetal”, Gasstrase – 10), shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi,.promovon librin historiografik “KOSOVA” I-V si dhe romanin “DOSJA B”.

Gjatë qendrimit disaditësh në Gjermani, autori do të ketë disa promovime të veprave të fundit në qytet gjermane./KultPlus.com

Ekspozitë me mbi 200 skica dhe vizatime të Da Vinçit në Londër

Leonardo da Vinçi njihet si një gjeni i gjithanshëm që ka kontribuuar në artet figurative, shkencë, arkitekturë, muzikë, inxhinieri dhe kartografi.

500 vjet pas vdekjes së tij Pallati mbretëror Buckingham në Londër hapi dje ekspozitën “Leonardo Da Vinçi: Një jetë në Skica” për të shpalosur një ndër talentet e gjeniut të Rilindjes Italiane. Kjo konsiderohet si ekspozita më e madhe e veprës së Da Vinçit në 65 vjet, pasi prezanton mbi 200 skica e vizatime nga koleksioni gjigand i monarkisë britanike me punime të Da Vinçit, përfshirë një portret të autorit që sapo është konfirmuar si vepër e tij.

Martin Clayton, specialist për skicat në Koleksionin Mbretëror, thotë se pas studimesh të hollësishme, akademikët e njohin sot Da Vinçin më mirë se kurrë dhe kuptojnë më së miri rrymat që ndikuan tek krijimtaria e tij. Ai ishte një individ i pakrahasueshëm, por gjithsesi nuk ishte një anomali, por një produkt i kohës ku jetoi, thotë specialisti.

Veprat e përfshira në ekspozitë janë marrë nga një koleksion me skica e vizatime që Da Vinçi i la nxënësit të tij, Francesco Melzi ditën që vdiq më 2 maj 1519 në Francë. Në 1670 ky katalog u mor në pronësi nga Mbreti Çarls II i Anglisë dhe që atëherë ka qenë pjesë e koleksionit mbretëror britanik.

Ekspozita do të vazhdojë deri më 13 tetor të këtij viti./KultPlus.com

Fjalët e qiririt

173 vite më parë, më 25 maj 1846 lindi në Frashër të Përmetit, Rilindasi, Atdhetari dhe Poeti i Madh i Kombit Shqiptar. Figurë qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai ishte dhe njeriu që shprehu aspiratat e popullit për liri e përparim.

Kultplus iu sjell një nga poezitë më të dashura të Naim Frashërit.

Fjalet E Qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar 
e jam duke përvëluar, 
që t’u ap pakëzë dritë, 
natënë t’ua bënj ditë. 


do të tretem, të kullohem, 
të digjem, të përvëlohem, 
që t’u ndrinj mir’ e të shihni, 
njëri-tjatërin të njihni. 


për ju do të rri të tretem, 
asnjë çikë të mos mbetem, 
të digjem e të qanj me lot, 
se dëshirën s’e duronj dot. 


unë zjarrit nuk i druhem 
dhe kurrë s’dua të shuhem, 
po të digjem me dëshirë, 
sa të munt t’u ndrinj më mirë. 


kur më shihni se jam tretur, 
mos pandehni se kam vdekur; 
jam i gjall’ e jam ndë jetë 
jam në dritët të vërtetë, 


unë jam në shpirtin tuaj, 
mos më kini për të huaj, 
m’është falurë durimi, 
andaj po digjem si trimi, 


se ma k’ënda t’u bënj mirë, 
të mos mbeti n’errësirë. 
jakëni rreth meje rrini, 
flisni, qeshni, hani, pini, 


në shpirt kam dashurinë, 
pa digjem për njerëzinë, 
lemëni të përvëlohem, 
nukë dua më të ftohem, 


dua ta djek trupn’ e kretë 
për atë zotn’ e vërtetë. 
me zjarr ta djek mushkërinë 
e të tretem për njerinë, 


bashkë me gëzimt të tija 
të vete te perëndia. 
unë dua njerëzinë, 
mirësin’ e urtësinë. 


në bëhi shokë me mua, 
në më doni si u dua, 
njëri-tjetërin në doni, 
të paudhë mos punoni. 


o zëmëra fluturake, 
qasju pakë kësaj flake! 
mase krahët t’i përvëlon, 
po dhe shpirtin ta shënjtëron. 


unë duke përvëluar, 
njerëzit i kam ndrituar. 
kam qënë mik me njerinë, 
andaj i di e më dinë. 


gjithë tuajt’ i kam parë, 
mëm’ e at’ e fis e farë, 
si tani gjithë i kam ndër mënt, 
që rrininë më këtë vënt. 


edhe sot nër ju ata shoh, 
se shpirtin e tyre ua njoh, 
dhe unë si ju jam ndruar 
e jam përzjer’ e ndryshuar, 


pa jam bërë shumë herë 
zjar e uj’ e balt’ e erë. 
jam një shkëndijë pej qielli 
dhe një drudhëzë pej dielli. 


edhe ndër qiej fluturonj, 
edhe brënda në det qëndronj, 
shumë herë fle në baltë, 
diku ndodhem dhe në mjaltë 


bënem qëngj e kec i pirë, 
lul’ e bar e gjeth i mbirë. 
dua shumë fjalë t’u them, 
po trëmbem mos i bënj ujem. 
e ku shkruhenë në kartë 
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?/KultPlus.com

‘Me liri kundër marres’ është motoja e festivalit FemArt i cili fillon se shpejti

Për herë të shtatë,  Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë).

Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’ (ang: Freedom vs Shame) duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime. Duke qenë të gjykuara dhe të turpëruara nga shoqëria patriarkale në vazhdimësi, moto e festivalit FemArt ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë gratë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale, raciale apo preferencave seksuale.

Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.

Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Grand Hapja e Festivalit FemArt 2019, do të bëhet në objektin shumë të vlerësuar para luftës në Kosovë, ku krerët më të mëdhenj të qeverisë së asaj kohe kanë gjetë shërbimin dhe akomodimin e klasit botëror, ndërsa tani i lënë pas dore, i shkatërruar, i përfolur si dhe bartës i historisë së trishtuar, i krimeve gjatë konfliktit në Kosovë, në Hotel Grand. Jo rastësisht festivali do të hapet në po këtë hotel, përmes ekspozitës shumë të veçantë të artistes së shquar, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018 – Eliza Hoxha, të titulluar “Bëhu fytyra ime” dhe më pas e përcjellur me performancën “E asaj…” nga artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci.

FemArt ka sjellë disa performanca dhe shfaqje teatrale që do të organizohen në lokacione të ndryshme, në Prishtinë. Në Teatrin Oda prezantohet Drag Mbretëreshat “Queendom” nga Hungaria, një performancë interseksionale e performancave bashkëkohore, teatrit fizik dhe performancave “drag”; Në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet performanca e një trupe artistësh “Etymos”, nga Italia, me një koreografi të veçantë, prodhim i kompanisë Motus; Regjisorja Arlinda Morina, prezanton performancën premierë “Kanuni i gruas”, produksion i Artpolis-it dhe performuar nga artistet profesioniste të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare; Ndërkaq performanca artistike e Uresa Ahmetit e quajtur “Vagina viktimë” përcjellur me Slam Poetry do të luhet në Teatrin ODA; Shfaqja teatrale e shumë pritur “Le Grand Cahier” nga Japonia, do të jepet në teatrin ODA, ku tema zhvillohet mbi binjakët të evakuar në shtëpinë e gjyshes gjatë luftës, e cila i abozon duke i përdorur si fuqi punëtore. Si i mbijetojnë makthit dhe si do të veprojnë kur ta takojnë babain e tyre?, do ta kuptojmë pasi ta përcjellim shfaqjen.

Nuk do të mungojë mbrëmja artistike tashmë tradicionale “Poezi për Fuqi” që do të mbahet në “Menza Ramiz Sadiku” me emra të shquar të poezisë feministe, autore shqiptare të njohura nga Greqia, Franca, Maqedonia Veriore, Shqipëria e Kosova duke u shoqëruar me muzikë të zgjedhur. Ndërkaq edhe Murali, poashtu tradicional në kuadër të festivalit, do të inaugurohet në Qendrën e Studentëve, me temën #Epathyer në bashkëpunim me MuralFest nga Ferizaji, që për temë do të ketë fuqizimin dhe promovimin e të Drejtave të Grave.   

Një ekspozitë shitëse e titulluar “Zambaku i Luginës”, e kuruar nga Njomëza Luci, do të organizohet në Teatrin Oda, ku do të prezantohen punimet e viktimave të trafikimit dhe viktimave potenciale të trafikimit, e gjithë kjo nën përcjelljen e muzikës të ekzekutuar nga Vala Mulliqi. Fjalë hyrëse do të ketë nga përfaqësues të BE-së.

Punëtoritë do të jenë të shumta dhe të ndryshme, nisur nga bendi portugez “Yemadas” që do të japin punëtori në rrugë “Bëhu ritmi”, për vallëzime dhe këndim afrikan, në sheshin e Prishtinës dhe në Fushë Kosovë; në Teatrin Oda do të mbahet punëtoria e dizajnit “Krijimi i posterave feminist” të udhëhequr nga Blerta Hoçia, Shqipëri dhe Silvia Basso, Itali; Do të pasojë pastaj prezantim nga Silvia Basso “Bisedë me Silvia Basso: Ilustrimi, gjuha dhe Inovacioni”; Masterklasë me Rina Zhubin në po ashtu në Teatrin Oda “Gratë në Wikipedia Shqip” + edit – a – thon, ku pjesëmarrëset do të informohen dhe trajnohen rreth redaktimit për të vendosur dhe përditësuar të dhëna në Wikipedia Shqip, me tema për gratë; dhe në ditën e pestë pjesëmarrësit/et e festivalit do të shkojnë në Etno fshati Kukaj, ku përmes “Kyçu + Angazhohu + Frymëzohu” do të diskutojnë, relaksohen dhe njëkohësisht të inspirohen me shkëmbimin e përvojave.

Edicioni i 7-të i festivalit FemArt do të përmbajë disa panele diskutimi me temat nga më të ndryshmet, si:  “Gratë artiste në vendimmarrje”; “Promovueset e reja të paqes nga rajoni ” e po ashtu edhe në kuadër të promovimit të librit të autores Vjollca Krasniqi, do të hapet paneli “Dialogu ndërgjenerata i aktivizmit feminist në ish-Jugosllavi”;  Ndërkaq konferenca me titull: #Epathyer / Vendi i gabuar, koha e gabuar – 20 vjet pas i përfshin dy panele që trajtojnë temën e të mbijetuarave të dhunës seksuale – 20 vjet pas, si dhe rolin e shtetit në njohjen dhe trajtimin e tyre. Konferenca e dytë #Epathyer/Shfuqizimi i marrës, do të trajtojë dhe prezantojë promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues të grave. Disa nga panelistet që do të kontribuojnë në diskutime janë: Feride Rushiti, Vjollca Krasniqi, Vjosa Berisha, Antigona Dajakaj, Besa Luzha, Dijana Milošević, Ilirjana Banjska, Arijana Qosaj Mustafa, Arta Bunjaku Agani, etj.

FemArt do të jetë i pasur me koncerte të larmishme ku gjeneratat e ndryshme do ta gjejnë veten dhe ti shijojnë mbrëmjet, si: në Teatrin ODA, nën tingujt e bukur të muzikës së këngëtares së talentuar LUCIBELA, që vjen nga Cabo-Verdean-e, të São Nicolau, (një nga ishujt Barlavento), e cila me ritmin dhe energjinë e pashterur do të këndojë në “Nderim të Cesaria Evora-së”; në natën e tretë të festivalit do të vallëzohet me tingujt hip-hop të formës alternative & techno, të performur nga artistja amerikane LiKWUiD, e paraprirë “warmup” nga  LILAC ndërsa Gërmia Finale do të përmbyllë edicionin e shtatë të festivalit FemArt,  me një koncert madhështor, në Amfiteatrin në Gërmi, ku për fillim ‘warmup’ do të performojnë Evolution Dance,më pastaj Marsela Çibukaj & Vitmar Basha do të performojnë këngët më të reja nga albumi i tyre dhe në fund mysafirët specialë, bendi “Yemadas” nga Portugalia.

Donatorët e festivalit FemArt janë: Bashkimi Europian, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA,  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, UNWOMEN, Cfd, Unë e Du Kosovën, IPKO Foundation, Koalicioni K10, Hotel International Prishtina.

Përkrahësit Institucional dhe medial: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, Teatri Oda, KultPlus./KultPlus.com

“Shqipëria në modë mes jetës së natës dhe plazheve si të Karaibeve”

Tetë plazhe ideale për ata që duan një përzierje mes diellit dhe kulturës, vetëm dy hapa larg Italisë, shkruan gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset.

”Shqipëria është destinacioni në zhvillim i Mesdheut për shkak të bukurisë së detit të saj dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimit. Një vend që ofron peizazhe me bukuri madhështore dhe shumë mikpritje.

Për italianët, ndër të tjera, Shqipëria është afër dhe mund të arrihet lehtë aty me traget nga Bari, Ankona ose Trieste me anije që ofrojnë të gjitha komoditetet. Këtu janë disa nga treguesit për plazhet e saj më të bukura për transparencën e ujit, për shërbimin dhe për natyrën që i rrethon ato.

Saranda dhe dëshira për jetën e natës – Pjesa më joshëse e bregdetit shqiptar, Saranda, është e famshme për jetën e natës. E vendosur në mes të Jonit dhe kodrave të ullinjve përballë ishullit të Korfuzit dhe pak kilometra nga Greqia, ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të arsyeshme, ngrënien në Kështjellën e Lëkurësit, eksplorimin e vendit arkeologjik të Butrintit, trashëgimi e UNESCO-s me mbetjet e qytetërimit të lashtë grek, një teatër që nga shekulli III para Krishtit dhe një bazilikë të hershme të krishterë.

Riviera e Ksamilit – në jug të Sarandës është një tjetër dhuratë e natyrës. Riviera e Ksamilit e konsideruar si perla e Jonit për shkak të bukurisë së saj, me pamje nga katër ishuj të vegjël, dy prej të cilëve mund të arrihen me anije dhe madje edhe duke notuar. Nuk është një vend për jetën e natës, por një zgjedhje perfekte për ata që duan të relaksohen duke parë shkëmbinjtë e pjerrët dhe shtratin e detit.

Stili i Karaibeve në plazhin e Jalës – Është një nga vendet më të bukura në bregun e Jonit, me rërë të bardhë dhe ujëra të pastra të rrethuara me shkëmbinj dhe bimësi të dendur me të gjitha aromat e Mesdheut. Ngjyrat ndryshojnë vazhdimisht dhe përzien me tonalitetet e detit, më të ftohta në agim dhe të ngjyrosura në portokalli në perëndim të diellit.

Pishat e Himarës – Të ecësh nëpër shëtitoren e Himarës është me të vërtetë interesante, me aromën e pishave dhe pamjen nga deti Jon. Plazhet janë me rërë dhe ujërat janë shumë të qarta. Është e mrekullueshme të zhytesh në detin kristal të Potamit ose Livadhit, Spillesë ose Llamanit.

Mes natyrës dhe historisë në Porto Palermo – Uji duket si mëndafsh blu para plazhit të Porto Palermos dhe ka një pamje të mahnitshme nga kështjella e ndërtuar në 1818 nga Ali Pashë Tepelena në ”eshtrat” e një kështjelle antike veneciane. Gjiri është aq i bukur saqë shpesh gjallërohet nga set-e kinematografike.

Gadishulli i Karaburunit – Një xhevahir i natyrës, Gadishulli i Karaburunit, i cili ofron pamje të jashtëzakonshme, së bashku me ishullin Sazan, është pjesë e Parkut Kombëtar Detar. Ndodhet pak kilometra larg Vlorës dhe është e rrethuar me bimësi, midis gjirit me detin kristal ndodhet dhe Shpella e Piratëve, duke përfshirë shpellën e Haxhi Aliut e cila i referohet emrit të udhëtarit që e ka përdorur atë si një strehë.

Vlora dhe rrethinat – Vlora është porti i dytë më i madh në vend. Jo shumë larg nga Tirana dhe me pamje nga deti Adriatik, ofron plazhe të pajisura mirë, restorante shumë të veçanta dhe dyqane të modës. E përshtatshme për ata që kërkojnë një plazh të bukur, por jo shumë të izoluar nga konteksti social. Zhytjet janë të njohura në Gjirin e Vlorës, por mbi të gjitha, duke u drejtuar në zonën e bukur të Nartës, 14 kilometra larg, me Zvërnecin e famshëm që strehon Kishën e Shën Mërisë, një manastir ortodoks i shekullit XIII, i fshehur në mes të qiparisëve.

Dhërmi, plazhi me guralecë – Në jug të Vlorës gjendet plazhi i shkëlqyer i Dhërmiut, i vendosur në mes të Llogorasë dhe Sarandës. Pesë kilometra gurë të lëmuar dhe një det i ëmbël, i pasur me peshq. Për të lënë prapa zhurmën e turistëve mjafton thjesht të bëni për një çast një shëtitje të bukur në këmbë dhe ju do të gjendeni përballë lagunës blu me pak njerëz dhe pa asnjë ndërtesë të lartë”, përfundon gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset./KultPlus.com

Edicioni i 18-të i Festivalit ReMusica, një hapje e fuqishme nga Trio Elogio

Alberina Haxhijaj

Dhjetëra njerëz ju përgjigjën ftesës së edicionit të 18-të të Festivalit ReMusica, nën moton “Guxo të dashurosh”. Një moto e cila përmes muzikës kërkon që vëmendja të kthehet te dashuria dhe tek guximi për të reaguar ndaj pabarazive dhe padrejtësive. Ky edicion u hap mbrëmë, në sallën e mbushur plotë në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Hapjen e bëri trioja e njohur “Guitar Trio Elogio”, e përbërë nga instrumentistët Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, të udhëhequr nga kitaristi me famë botërore Petrit Çeku, shkruan KultPlus.

Këta tre mjeshtër të kitarës i kujtuan mbrëmë publikut se sa instrument specifik dhe i veçantë është kitara. Tingujt që krijonin, rrjedhin nga njëra kitarë në tjetrën duke krijuar në fund një rrjedhë të vetme, të fuqishme e të pastër muzikore, që vinte në pah zotësinë e këtyre instrumentistëve dhe potencialin e këtyre veprave edhe në një formacion të tillë. Mbrëmja filloi me një aranzhim të sonatës No, 8, të Mozartit të bërë nga kitaristi Petrit Çeku. Një aranzhim i cili ju mundëson këtyre tre kitaristëve të kenë një repertor më të pasur pasi që kompozime të tilla për kitare ka shumë pak. Vet instrumenti nuk mundëson shumë kombinime pasi që ka vetëm gjashtë tela. Mirëpo përtej kësaj ky aranzhim është i veçantë për kitaristin nga Prizreni edhe për arsye të tjera.

“Kjo sonatë e Mozartit është si një lloj ‘soundtrack’ i jetës sime, i rinisë dhe jam shumë i kënaqur që me trion po e luajmë nëpër koncerte, e sonte e patëm rastin edhe në Prishtinë”, theksoi Çeku për KultPlus.

E pas çdo vepre, ajo që binte në sy ishte puna dhe angazhimi që është kërkuar për të luajtur këto vepra në një formacion të tillë, e që vërehet edhe nga fakti se sa kohë u duhej instrumentet që të akordoheshin, në çdo pushim mes pjesëve.

“Kitara është instrument i rrallë në festivalet e muzikës në përgjithësi, ne e kemi një botë tonën që e kemi kriju vet, një mikro kozmos ku i kemi festivalet ekskluzivisht për kitare pasi që festivalet tjera nuk po na marrin aq shpesh. Mirëpo jam shumë i kënaqur që në festivalin ReMusica, DAM Festival, atë të muzikës kamertale, e në festivalet që krijojnë dhe mirëmbajnë kulturën në Prishtinë, kam qenë dhe kam luajtur disa herë. Kjo më kënaq pasi që në këtë mënyrë unë e kthej një porcion, një farë ndjenjë morale e obligim moral që kam ndaj tyre pasi që këto festivale mua më kanë ndihmu për tu njoftuar me botën e muzikë në vitet kur ende kam jetuar në Kosovë”, vazhdoi tutje kitaristi Çeku.

Këtij koncerti ju dha edhe një ngjyrim autokton përmes tri copëzave muzikore të shkurtra të kompozuara nga Rafet Rudi e që lidhen me folklorin. Kompozitori këto copëza i kishte shkruar gjatë viteve të 90-ta atëherë kur ishte fokusuar në kompozimin e copëzave të tilla të cilat në fakt ishin përpunim i këngëve të njohura shqipe. Mirëpo edhe pse të kompozuara vite me parë, këto pjesë nuk ishin luajtur derisa kitaristi Petrit Çeku kishte shfaqur interesim duke i bërë kështu të jetojnë përsëri.

Kopozitori Rafet Rudi ka treguar për KultPlus se pikërisht interesimi i Çekut ka bërë që ai para dy viteve të ju rikthehet këtyre pjesëve duke i adaptuar për Trio Guitar Elogio.

“Deri në 30 -40 vjetshin e fundit nuk ka pasur literaturë të mjaftueshme për kitarë e aq më pak për një formacion çfarë e pamë sonte. Nuk ka pasur as literaturë mbi të cilën në kompozitorët dikur të rinjë është dashur që të bazoheshim për dallim nga instrumentet tjera. Natyrisht nuk është lehtë të shkruash por unë një pjesë të madhe të krijimtarisë instrumentali pikërisht ia kam dedikuar instrumentit të kitarës. Në këto 40 vite kam shkruar një mori veprash, koncertesh e copëzash të tjera për këtë instrument falë bashkëpunimit që unë kam pasur me kitaristin tonë me famë të madhe Ehat Musa, e tash edhe me Petritin”, theksoi Rudi.

Kjo mbrëmje pati në fokus kitarën, mirëpo gjatë këtij edicioni të Festivalit ReMusica, publiku do të ketë mundësi që të dëgjojë edhe instrumente të tjera po kaq të veçanta. Pikërisht ky edicion ka në fokus tubën, instrument i cili nuk vihet shumë në pah, tregoi për KultPlus, drejtoresha e festivalit Donika Rudi.

“Gjithmonë mundohemi me i sjellë disa tema, ose instrumente të cilat nuk janë shumë të dëgjuara dhe tuba sivjet është në fokus. Si festival mundohemi të bëjmë një agjendë që i përshtatet vendit dhe agjendës kulturore e cila në fakt nuk ekziston, mirëpo që krijohet përmes festivale e organizimeve të ndryshme. Kështu që, në fokus gjithmonë e kemi pasur sjelljen e instrumenteve më pak të dëgjuara në vend”, theksoi Rudi.

Sonte në kuadër të Festivalit ReMusica duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të jetë violinistja Vira Zhuk dhe pianistja Mariam Vardzelashvilli./KultPlus.com

Entografi francez: Shqiptarët ishin njerëz më të bukur në Perandorinë Osmane

Bue Ami ka qenë etnograf, gjeolog dhe udhëtar francez, që ka shkruar për shumë shtete që ka vizituar, mes tyre edhe Shqipërinë e Turqinë, ndërsa në përshkrimin e tij për turqit, ai gjithashtu ka shkruar për shqiptarët atje, duke thënë se janë raca më e bukur në perandori.

Ami punoi për një kohë të gjatë në Vjenë. Bëri udhëtime të gjata në Evropë e në Ballkan dhe në Shqipëri në veçanti.

Veprat e tij kryesore me interes për çështjet shqiptare janë Turqia Evropiane në 4 vëllime dhe Përmledhje udhëtimesh në Turqinë Evropiane1854) në 2 vëllime.

Aty paraqet të dhëna për historinë politike e ekonomike të Shqipërisë, dhe për veçoritë e kulturës materiale e shpirtërore (organizimi shoqëror, banesa, veshjet; cilësitë morale etj.) Megjithëse jep disa vlerësime të diskutueshme, të dhënat e autorit kanë vlerë njohëse historike.

Në fushën e gjeologjisë, në veprën kryesere “Përshkrim gjeologjik i Turqisë Evropiane (Esquisse gëologique de la Turquie d’Europe, Paris 1840). ka përcaktuar depozitimet e kretakut, të paleogjenit e të neogjenit dhe, ndër të tjera, ka folur për vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termominerale të Dibrës e të Fushë-Krujës, si dhe për gjipset e Vlorës./KultPlus.com

Frida Kahlo:Dua t’ju jap gjithçka që nuk keni pasur kurrë, as nuk do ta dini se sa e mrekullueshme është të të duan

Frida Kahlo ishte një grua e mrekullueshme, jeta e saj ka qenë e gjitha mes artit dhe vuajtjes, por sot flasim për poezitë, frazat, aforizmat.

Jeta e saj u shënua nga sëmundje dhe një aksident i tmerrshëm, por forca e saj dhe dëshira e saj për dashuri e bënë atë një ikonë, arti i saj surreal i pikturës plot dhimbje njihet në mes të mijëra pikturave, fjalët e saj të forta, të vendosura dhe të pasionuara mund të jenë një pikë mbështetjeje për ata që kanë nevojë për forcë dhe vullnet.

Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të saj më të rëndësishme dhe më të fuqishme.

 “Këmbë, pse më duhen ato, kur kam krahë për të fluturuar?”

Frida kaloi shumë muaj në shtrat pas poliomelitit dhe më pas për shkak të aksidentit të saj, por asgjë nuk mund ta pengonte atë të fluturonte me krahët e imagjinatës së saj.

“Të mbjellësh një vuajtje është të rrezikosh ta lejosh atë që të gëlltisë, nga brenda”

Izolimi në dhimbjen tënde nuk të çon drejt asgjëje të mirë, dhe ajo e dinte, për këtë arsye ajo shfaqi dhimbjen e saj duke pikturuar dhe shkruar, një mënyrë për të lënë vuajtjet dhe për të mos lejuar që ato ta vinin përfund.

“Ankthi dhe dhimbja, kënaqësia dhe vdekja nuk janë asgjë tjetër veçse një proces që ekziston. Lufta revolucionare në këtë proces është një derë e hapur për inteligjencën “

Ajo e dinte mirë, nuk ka jetë pa vdekje, pasi nuk ka gëzim pa vuajtje … të gjitha janë procese të tranzicionit për të qenë në gjendje të jetosh plotësisht, të hapësh mendjen dhe të zhvillosh inteligjencën.

“Në fund të ditës, mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mund të mbajmë”

Kjo është e drejtë, në mbrëmje në ngrohtësinë e shtratit mund të reflektojmë dhe gjithmonë e gjejmë veten pak më të fortë se sa kishim menduar që të ishte e mundur. Ne jetojmë një ditë të tërë me mendimin se nuk jemi në gjendje ta bëjmë, por në fund e kuptojmë se edhe kësaj here ia kemi dalë.

“Asgjë nuk vlen më shumë se qeshura”

Asgjë për të shtuar, nëse një grua që ka vuajtur kaq shumë thotë se qeshja është e vetmja gjë që ka vlerë, ashtu duhet të jetë.

“Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë”

Ajo e përjetoi këtë mbi veten e saj, rrezikoi jetën dhe doli fitimtare, ajo kishte defekte fizike të tmerrshme dhe megjithatë kishte aq shumë adhurues dhe shumë njerëz që e ndoqën … ajo ishte pa dyshim një grua shumë e fortë, ndoshta ishte falënderuese për ato prova që kishte kaluar në rini.

“Bukuria dhe shëmtia janë një mirazh, sepse të tjerët përfundojnë duke parë brendshmërinë tonë”

Frida sigurisht nuk mund të thuhet se ishte një grua e bukur sipas standardeve të tanishme, ajo kishte vetullat e mëdha, një këmbë më të vogël se tjetra, plagë në trupin e saj, por kushdo që e takoi ra në dashuri me të, sepse ajo ishte e bukur brenda, e aftë ta pohonte bukurinë e saj të brendshme më shumë se atë të jashtme … një shembull që duhet ndjekur.

“Dua t’ju jap gjithçka që nuk keni pasur kurrë, as nuk do ta dini se sa e mrekullueshme është të të duan”

Ajo ishte një grua shumë e pasionuar, gruaja e Diego Rivera gjithashtu kishte shumë adhurues, por ndër më të famshmit mund të kujtojmë revolucionarin rus Leon Trocki, poetin André Breton dhe fotografin Tina Modotti. Letrat më të apasionuara, megjithatë, ishin për dashnorin José Bartoli, një refugjat i artit spanjoll në Nju Jork, të cilin Frida e donte me pasion, rreth 100 faqe të shkruara me dorë nga Kahlo midis viteve 1946 dhe 1949.

Më poshtë është një ekstrakt i atyre letrave:

“Natën e kaluar u ndjeva sikur kaq shumë krahë më përshkuan të gjithën, sikur këshilla e gishtërinjve të tu kishte gojë që më puthnin lëkurën time. Atomet e trupit tim janë tuajat dhe dridhen së bashku në mënyrë që ta duam njëri-tjetrin. Unë dua të jetoj dhe të jem e fortë për të të dashur me gjithë butësinë që meriton, për të të dhënë gjithçka që është e mirë në mua, kështu që nuk do të ndjehesh vetëm. Ndihem që gjithmonë të kam dashur, që para se të lindje. Ndonjëherë ndjej që unë kam të lindur për veten time”

“Unë besoj se në dashuri nuk ka as inteligjencë, as marrëzi, dashuria është si një aromë, si një rrymë, si shiu. Ti e njeh, qiellin tim, ju bini si shi mbi mua dhe unë, si toka, ju pranoj”.

Fjalët e dashurisë së pasionuar dhe të butë në të njëjtën kohë, vetëm një grua si Frida Kahlo mund t’i shprehte në këtë mënyrë të fortë.

“Shpresoj se çlirimi është i lumtur dhe shpresoj se kurrë nuk do të kthehem”

Këto janë fjalët e saj të fundit të shkruara në ditarin e saj pak para vdekjes. Jeta e saj ishte një jetë e vështirë, por e plotë dhe madje në pikën e vdekjes donte të ishte e fortë dhe e vendosur./bota.al/KultPlus.com

“Shpirti i Ballkanit”, dy netë festë në Korçë

“Shpirti i Ballkanit” vjen për herë të parë në juglindje të vendit, në “Korca folk fest Balkan”. Festival që ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm tek artdashësit e këtij qyteti dhe jo vetëm.

Organizatorët e festivalit kanë menduar që Shpirtin e Ballkanit ta kenë për dy net në qytetin e Korçës. Në natën e parë sipas drejtores së Teatrit, Zamira Kita, folku ballkanik do të ngjitej në skenën e këtij teatri, ndërkohë që në natën e dytë ballkanasit do të performojnë në pazarin e vjetër të qytetit. Atje ku edhe për Kitën, përzjehet fort mirë folku, tradita me vlerat e trashëgimnisë kulturore.

Në natën e parë të “Shpirtit të Ballkanit” janë ngjitur në skenë trupat nga Bullgaria, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Trupa që sollën në skenë tabanin e valleve të tyre tradicionale. Valle të cilat por edhe muzika, në një pjesë të konsiderueshme ngjanin fort me njëra-tjetrën. Aq shumë sa të dukej se po shikoje valle maqedonase pa çka se në skenë ishin bullgarët apo nga trevat greke. Për muzikologun e njohur Pandi Bello, pak gjëra i ndajnë fqinjët me njëri-tjetrin, edhe në folk. Ndarje që bëhet më e vogël me afërsinë gjeografike të shteteve.

Të gjitha trupat në natën e dytë do të ngjiten në një skenë të madhe në sheshin e pazarit të vjetër. Aty ku do të ndahen edhe çmimet për grupin më të mirë, valltarin më të mirë dhe kostumografinë./KultPlus.com

E dhunuara gjatë luftës: Ma kanë vra burrin e vajzën, e dhunuan nënën, motrën, kunatën e vëllain

Lufta i prishi krejt

Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”

Ajo kishte jetë të lumtur. Ishte martuar me dashuri. Kishin dhe një vajzë. Gjithçka ishte perfekte deri në ditën kur hynë ata.

Atë ditë do t`ia vrisnin burrin dhe vajzën e vogël. Do të përjetonte dhunën seksuale, po jo vetëm atë…

Rrëfimi në vetën e parë:  Unë, nana, motra, kunata…

Lola

Na kemi qenë shumë fëmijë. Edhe jemi prej një familjes t’shkollume. Jemi tanë t’shkollumë. Meqenëse lufta na ka lanë pak si mbrapa, na ka hupë edhe dijen edhe shkollën, veç apet mirë jena. Na n’fëmijëri kemi pasë kushte të mira se babën e kena pas punëtor. I kena pas kushtet e mira, kena pas shkollën e mirë, kena pas prindërit e mirë, na kanë kuptu edhe meqenëse jemi kanë kallaballëk.

Kur i kom bo 18 vjet, m’ka ofru martesë nji mashkull. E kom njoftë edhe përpara, jemi kanë n’shkollë bashkë. Jemi kanë n’shkollën fillore bashkë edhe hajt shoq mas shoqit i kanë thanë vllaut, “Lolën dojna me e feju, Lolën e jujë!” Edhe qysh o kanë zakoni ktyneherë me msit edhe pse jemi kanë t’shkollumë, me msit. Tani u martova.

Gjashtë muaj kemi nejtë t’fejumë, menjihere jemi martu. Edhe kemi pasë nji jetë shumë t’mirë, shumë t’bukur e kemi pasë.

Kemi pasë dasmorë shumë edhe i kemi pasë afër shpijat. Sa shkojshim te dasmja, sa vishim prej kanagjegjit.

Tani mas tre muajve qashtu, mbeta shatëzanë. U gëzunë krejt. Edhe me kalimin e kohës qeshtu, linda vajzë. Çfarë gëzimi u bo se ata s’kishin pasë asnji fëmi nji kohë t’gjatë. Çfarë gëzimi, çfarë dreke…

Ti merre me mend, n’atë kohë me tupan m’kanë ardhë te spitali, u gëzunë krejt familja. Si kah ana jonë, si kah ana e burrit. U gëzunë, por ra lufta, na prishi gëzimin, na prishi jetën. M’i prishi krejt gjanat që i kom pasë n’jetë. Ma murrë ma t’dashtun që e pata, ma murrë çikën që e dashta… M’i murrë tanat.

Jemi kanë n’shpi t’u hangër darkë. S’kemi ditë gja veç kur thanë, “Hinën te kojshia policia. Hinën po i marrin tre që janë t’shkollumë”.

S’kemi ditë gja veç kur janë hi te na. E vrajtën burrin. Tani t’u e gju burrin e vrajtën edhe çikën. Mu m’murrën m’ngrehën zhag për flokësh… I kom pas flokët e gjata at’here. M’ngrehën, m’morën dhe m’çunë n’stacion t’policisë.

Edhe aty ka fillu njifar çmendurie e tyne. Edhe mas nji kohe tani, u çumë, mas katër orëve më lëshunë. Edhe ika, po tash kah me ja majtë, kah me shku. A e ki pa njerin si te nana që e gjanë mirë kërkun se gjan. Edhe fillova, ma, shkova te nana. Kur shkova krejt bijat ishin kanë aty. Tha, “Çka u bo? Çka je ti kështu e stresume?” Une njiherë nuk dojsha me kallxu çka u bo. Tha, “Çka krisi mori n’mahallën e juaj aty”, qeshtu qeshtu. Thashë,”Hiç kurrgjo!” N’atë moment m’ka ra t’ligët. U çu vllavi e ma hjeki t’ligët. Une tu ju kallxu kadale, kadale, kadale (psherëtinë). E s’kemi ditë gja veç kur jonë ardhë këtu te vllavi. Janë hi aty te vllavi, e na kanë marrë me bija. Nanën e kanë rrehë. Nanën para syve i kanë bo ç‘mos para syve t’vllavit, para syve t’tonë. Na thojshin, “Lutko moja” [Kukulla ime] “Kena me ia bo edhe juve qeshtu” n’serbisht. Na kanë ngarku n’kamion edhe na kanë çu tani… na kanë bajtë, herë anej e herë knej. Me kunatë, me halla, me teze, me çka jemi kanë aty, na kanë qitë n’kamion. Edhe na kanë çue…n’njifar vendi…

Na kanë marrë tani na kanë ngarku n’kamion. Kishin pasë aty nji shkollë, nji vend, ajo u duke m’u kanë si shkollë, por si stacion i policisë. Herë i thojshin kështu e herë ashtu. Kur na kanë marrë me rend. S’di sa veta jena kanë, si sot mu kujtohet, nji kallaballëk gra. Kur na kanë marrë me rend, tap, e tap, e tap… rend. Kush nuk dojke, e merrshin thikën e iu vërsulshin me thikë. Krejt trupin e kam thika, krejt trupin ma që s’mujsha me i përballu kurrgjafit. Kur menojsha çka kanë bo n’shpi e çka kanë bo n’stacion t’policisë, e kur i pajsha motrat, e kunatën, e tezen, e çikat e vllaznive, o thojsha, “Kanë me na mytë, ma mirë vrajëmni se që po na bani qito”. Aty, njani hike e tjetri dilke, njani hike e tjetri dilke…qeshtu. Edhe na kanë ngarku n’kamion, na kanë lidhë kambë e durë qashtu t’përgjakta, se krejt trupi gjak m’ka çelë. Hike ai, hike si i çmendur. Krejt, njani Jovan, i thojke tjetrit Jovan, e tjetrit Jovan…

Krejt me qat emër t’njëjtë. Kur jemi dalë prej atyshit, na kanë lidhë kambë edhe durë, na kanë qitë n’kamion, ka dy veta na kanë shti. Se na s’patëm ma takatë. Jena kanë pas ra në 70 killa.

Edhe na kanë hypë n’kamion me na çu për Zveçan. I thojnë njani tjetrit po thotë, “Kah? Kah?”, po thotë, “Për Zveçan!” Edhe une veç kom kqyrë qeshtu, e kom pa nji shishe.  Qitshin ujë, qitshin raki, edhe mo tash s’di çka jonë kanë do far shprica…tash une po di çka jon kanë ato… Po at’here nuk kemi ditë.

Po, po thotë, “Po ju dhajmë me ju forcu se jeni pa hangër, pa pi” na kurrë hiç, hiç, hiç. Veç do ujë që na jepshin. Edhe kur e kishin bo atë punën e vet, na qitshin ujë n’gojë që na bike t’ligët t’u na maltretu. Edhe p’e nij, p’i thotë, tha, “N’qet kamion qekaq veta”, “N’qet kamion qekaq veta”. Kur kta na i qitën para meje, une n’fund. Une isha n’fund me motër, me kunatë, me dy çikat e tezës edhe kisha nji shishe qaty. Shishe gastare, e rakisë ish kanë. Thashë, “Qysh me ia bo me e thy qit shishe?” Tha, “Shuj mos e rrokat, se po na bojnë apet qysh na kanë bo ma herët!”. Thashë, “A e din qysh kom me rrakat, kur t’ja nisë kamioni me ecë, ata s’e dijnë çka po bohet përmas. Unë ko me e thy qit shishe!” Edhe i kom mshu me kambë. Mshoji me kambë, mshoji me kambë, mshoji me kambë, dikur zaher kur do Zoti me t’nihmu, njifar stami ata nxunën, unë i mshova shishës shumë edhe e çava shishën. E kom kapë kadale, kadale me kambë, kom afru te dora edha ia kom bo vetit ving, e ving, e ving… qe këtu ku i kam t’preme duart. Ving, e ving, e ving…shenjat e duarve…ia preva vetit duart. E ia preva vetit duart. E t’ia prejta tanave duart, kambët. Kambët e mija i harrova! Kambët e mija i harrova, thashë, “Kceni o gra!” “Jo s’guxojna, na shohin” Thashë, “A po doni me kcy e para? Mu m’vrafshin me automat, e nëse nuk më  vrasin, ju tani kceni mas meje”. Une kom kcy prej kamionit n’tokë edhe kom kqyrë a po kcejnë tjerat. Ja kom bo motrës edhe kunatës. Kanë kcy nja 100 metra larg, ajo 10 metra ajo… Edhe jom shku zhag. I kom kqyrë ku janë, i lypsha ku janë. Deri kush e din ku jom shku t’u i lypë tjerat, a ka ma tjera.

Kur thash, “Hajde palohem qaty te kqyrim çka po bohet!” Ishim në njifar katuni, s’di qysh i thojshin atij katuni, rrugës për Zveçan. Kur po nalem, qaty ishin kanë do vorre. Edhe shih po nalëm qaty te vorret, “Ishalla more Zot, Zoti na ndihmoftë.” S’kemi ditë gja veç kur o ardhë nji magjup me kerr me kali. Edhe thashë, “A bon…?“ “Çka u bo kështu me juve? Çka keni kështu?” Thash, “Na ka gjujtë NATO.” Tha, “jo, NATO hala s’ia ka nisë me gjujtë.” Thashë, “Erdhën NATO, na kanë çu na kanë pru qekah na kanë lanë”. Kur ka marrë magjupi, “Hajdeni këtu!”, tha, “Çka je ti?” “Unë turqelike”, i folsha tani ktyne turqisht, a din, mos me e marrë vesh ai kush jena. Edhe kur kena ra na qytetit tonë jena çkep tani kush kah ka mujtë se e kena pasë nji postbllok aty, edhe jena mshefë.

Jena shku drejt te shpija zhag. Kur jom shku ma se kom ditë vetën ku jam, hiç, hiç, hiç. A e ki pa, kur lodhet njeri, e tani kur ç‘lodhësh, tani t’rrokin ato simptomet. Veç kur e kom pa vetën n’neuropsikiatri.

Edhe e kom pa veten qaty edhe ma s’kom ditë gja as për vlla as për motër, as për kanë mbi këtë tokë.

Kena hjekë, kena hjekë, boll kena hjekë, tash hala me neve s’u bo kurrgjo. Jo ky po thotë kështu, jo ai tjetri po thotë kështu, jo ai tjetri po thotë ashtu… Po ishalla more Zot tash e mas po bohet mirë. Une e kom thanë qysh n’kohën e UNMIK-ut kur o kanë, për këto gra edhe këto nana, meqenëse jeta jem ka maru… Fëmi jo, kurrgjo jo, kom fol edhe për fëmijë të tyne, kom folë edhe për burrat e tyne, kom folë edhe për motrat e tyne edhe për krejt. Kom thanë, “Ishalla more Zot vjen nji ditë e mirë për neve”. Por nihere, dy herë, s’ka kurrgjo.

Edhe presidentja na ka ndihmu, na ka rehabilitu. Boll që kur e pajshim ata, kishim mbledhje ose nji diçka, kur e pajshim ata që na mbështet m’u duke që, a din se shpirti i çikës, shpirti burrit pushon. Thojsha, “More Zot qysh dul dikush me na mbështet neve”.

A e din qi n’fillim une vet,  n’fillim kur jom dalë i kom kallxu dy – tri vetave qeshtu, qeshtu. Ma bojshin me gisht, “Kqyre kjo”. Tash krejt na kanë mbështetë. Krejt tu na mbështetë. Kom unë edhe hala-hala sene t’tjera por tash m’kaloi edhe epilepsia. E s`muj me i qitë krejt, krejt, krejt nuk muj se s’un shkoj te shpija. Epilepsia, kambët, duart, n’tana anët. E tash po m’dukët që ma mirë jena, po na përkrahin. Na e kena marrë vetën pak a shumë, se nuk po shkojke jeta gjithë tu kajtë.

Motra me vdiq prej mërzie. Edhe ajo njëjtë si unë. Do vjet mas lufte vdiq. Kur i kanë bo mjekët operacion kanë thanë “çka kena gjetë na n’bark t’sajna, n’mitër t’sajna, menja s’ta… Çka s’kish pasë. E s`guxojshin me kallxu edhe me thanë qeshtu qeshtu shkijet ja kanë bo, se at’herë s’bojke me folë. Por, “s’pe dina prej çkafit, s’e dina prej çkafit!”…  E ka lanë çikën, 12 vjet tash i ka bo çika. Iu ka rritë çika duarve t’huja. E qetash ishalla more Zot shteti jonë p’i çelë sytë e po bon për këto gra diçka se jena lodhë ma.

Mas lufte, mas dy vjete mas lufte, po i bjen qashtu 2002, 2003, qashtu mos t’gabofsha se tash me data s’jom fort, veç dy vjet mas luftës, ja nisi barku, e barku po dhemb e, e dhemb. As n’tokë as n’qiell, “O çka u bo me mu, o çka u bo me mu?” E m’çon vllavi te mjeku. Kur m’çon tha, “jo kjo koka katastrofë n’mitër. Po kjo paska mish t’egër!” Tha, “E qysh?” Tha, “Ja osht me barrë t’vrame ja i ka ndodh diçka katastrofë”. Po ata s’e dishin fort se çka m’ka ndodhë mu. Kur jom hi e kom bo operacion, pasna pasë tumor mrena n’mitër edhe do far miomash po i thojshin atyne. Edhe kur m’kanë bo operacion, mas 24 orëve kur m’ka dalë kllapa, e ke ardhë doktori para meje. E ka marrë nji fletë letër, e po m’vetë mu, “Ku je kanë?” “Çka u bo? Qysh…?” Haaj mozomakeq qysh m’i kallxu ktina.

“Ti ki pas dhunë katastrofë diçka tu kanë bo ato sene. A t’ka bo vakia që je kanë shtatzane e je vra?” “O doktor leji këto sene se s’po du me t’kallxu çka ka ndodh. Se me t’kallxu unë ty, ti çohesh e i kallxon atij tjetrit, atij tjetrit, atij tjetrit”. Më njofti doktori, ma njofti burrin edhe tha po ma merr mendja çka paska ndodh.

Jena lodhë mos vet, se qe 17 vjet a 18 vjet p’i bojna. Ti merre me mend, nuk e kom ditë as datën as ditën. Kur m’vetke dikush datëlindjen.

Edhe nja, m’kanë marrë m’kanë qitë, masi që ma kanë vra burrin, m’kanë qitë në njifar karrike elektrike. Ma kanë hupë krejt memorjen që e kom pasë, kujtesën, shkollën, shkrimin, leximin. Unë deri qetash vonë s’kom ditë me e dhanë nji nënshkrim. “Qysh nuk e din ti? A e din kush je kanë ti?”

Katër orë n’polici. Njifar karrige, ma lidhën barkun. Thojke, “Gjaje ku asht Adem Demaçi!” “Po çka kam t’boj une me Adem Demaçin, çka kam t’baj une me…” Thojke, “A e din që ka UÇK diku?” Thojsha, “Une s’e di, qet emër prej juve e mësova” Edhe përnime nuk e kom ditë, seriozisht. Na n’qytet që jemi kanë s’jemi marrë … edhe s’kemi guxu na me folë diçka. Se e kom pasë burrin e shkollumë, vetë e shkollume, s’mujshim na me u mirrë me këto. Jo thojke UÇK, jo filani jo ku. Po thojke, “Kush osht Mziu?” Thojsha, “Kush osht more Mziu (zmija srb.)?” edhe mziu serbisht, gjarpni. Edhe këtu n’fyt, ka naltë, “Hajde kallxo kush o ky, kush o ai”. Une s’e dijsha asnji emër nuk e kom ditë, seriozisht, se kush janë, por qetash pe di. Domethanë krejt për Thaçin, Adem Demaçin mu m’maltretojshin. Se vllaznit une i kom pasë t’vogël. Ata s’e kanë ditë as çka osht kjo e as çka osht ajo. Sot vuajnë për mu thojnë, “Kuku çka ka hjekë”. A e dini se për pesë-gjashtë muaj une s’e kom ditë as e kujt jam. Kur m’ka pyet dikush n’neuropsikiatri, “E kujna je?”, “E kahit je?”, s’e kom ditë. Shtatë muaj ka zgjatë qekjo. Doktorët ma kanë pru vetëdijën tu m’folë, tu m’dhanë terapi. Unë kom pasë terapia t’forta se krejt e drogume, krejt jom kanë, n’durë, n’tana anët. Bile tash qysh m’thojke doktori, “Isha kanë e ç‘pume edhe n’lukth me shprica”, sipas fjalëve t’tyne. Po unë presidentës edhe Ferides kurrë nuk ia harroj. Ma kanë gjetë vendin e punës, ma kanë gjetë bile me u shkollu, me dalë, me ikë, me ardhë.

Antarët e familjës sot kanë dhimtë për mu, sot kanë dhimtë për mue. E dinë cka me ka ndodhë. Jo veç antarët e familjës, por edhe kojshia, rrethi, mu m’respektojnë, mu n’nerojnë. Nuk e kanë ditë bash fell, fell qysh o kanë, por për shkak t’burrit që ma kanë vra burrin edhe çikën, edhe sot e atë ditë unë jom metë pa fëmi, e jom metë pa kërkan hiç, ata m’mbështetin. Ata nuk e kanë ditë për shembull n’biografinë teme çka ka ndodhë, qysh o kanë, çka o kanë. Tek qetash m’kanë pa anej e knej, tek qetash po thojnë, “Ti e ki edhe nji histori t’msheftë”. Po këta, a din qysh, na deri t’jemi ardhë qetu s’kemi guxu me folë kërkun. Po këtu na kanë thanë se jesin mshefta, nuk t’përmendin, nuk asishne edhe e kemi pasë besimin edhe na kanë dhanë besimin edhe jemi shprehë. Kemi marrë terapi, e kemi bo neja, kemi keshë, kemi folë.

A e dini që unë kur jom ardhë këtu, m’u dukshin qata lisa qatje që janë ushtarë. I thojsha kunatës, “O Zot hekëm prej ktushit dej t’hiqën ushtarët!” “Jo mori ushtarë, çka je t’u thanë? Policë, jo!” Thojsha, “Qeta policë” “Jooo!”

A besoni që t’u i kqyrë ia ngjitsha edhe kapelën, ashtu i fokusojsha. Isha t’u dalë me këto shoqet. “S’po dal prej ktyshit me ata” “Pse?” Thojsha, “Kqyri ku janë ata.” Lisat m’u dukshin që janë ata. Kemi dalë, i kemi prekë, “Qe kurgjo, lis osht ky”. Përnjiherë tani m’ka rrokë ajo kriza, ajo mërzija, ajo nervoza. Çohna natën e veç sillna nëpër sobë. Më se shumti m’rrokë ditëlindjen kur e ka çika… (qan). E lypi nëpër sobë…

Këta të shpisë ia nisin me m’fol. Më thonë që nuk jam as e mrama as e para. Kujtoje atë nanën n’Gjakovë, kujtoje nanën gjakovare që sa i ka pasë e o metë vetun. Ti te qajo duhesh me i çu mend që, a po e sheh edhe ajo mend osht. Po ti duhesh me dalë, e me shku, e me ardhë e kënaqu me to, ti kënaqu me neve. Na jena nji familje, hala nuk e kena lëshu qysh jena kanë përpara. Për shembull vllavi jem kurrë djalin e vetë se qet n’prehën pa ardhë te une.

Një ditë pi thotë vllau nanës. ”Du me e nda grunë!” Tha, “Jo, jo! E çka po kallxon se çka t’kanë bo n’burg t’Sfërkovnicës ty? E çka na ki kallxu ti neve? Kur je ardh a e din qysh je kanë përmbrapa? Prej zorrës t’trashë që t’kanë dhunu shkijet?”, vllavit tem i tha nana.

“Edhe ktyne, edhe këto me zor.”

Tha vllau “Nuk po muj ma nanë mu përmbajtë kur po m’bjen n’men se ma ka pasë shkavi gruan. Unë nuk po muj me e përballu”.

“Djali jem, duhet me e përballu! Kqyri motrat edhe grunë. E me ta kallxu edhe nji punë!” Tha, “Çka?” Tha, “S’ta kallxoj kurrë për jetë”.

 At’herë vëllau e kuptoi që edhe nana u kanë e dhunume. Edhe u çu, ia nisi po kanë e na kapi tanave n’grykë. E tha nana, “nuk bon! Qysh t’u kish dukë ty me ta lanë motrën burri”.

Tani burri i kësaj motrës tjetër e la motrën mas do kohe. Katër fëmi, e sot e asaj dite so kërkun (qan).

Çka na kanë bo ata neve edhe ishalla Zoti ia u kthen atyne. Edhe, para do dite hypa n’autobus me shku me një qytet tjetër.

Edhe pe shoh nji serbe, u ungjë aty, e kish veshë uniformën e policisë t’Kosovës.

Edhe thashë, “O more Zot, ama Zot forcën e mos te boj qetu hallakamë”. Tu ra shahadet, e tu ra shahadet, ma hjeki Zoti, e ma kujtoj. Thashë, “Kqyre kjo, na kanë pre, na kanë gri. Çikat tona jesin me shkollë, pa punë, pa kurrgjo.” Ajo folke sa mujke serbisht. Mu ka sjellë njihere n’mend. Nji gru e ka hetu, “Zojë a po t’vjen munim a?” Thashë, “Po valla!” “A t’i thom shoferit ta çelë dritaren?” “Jo!”, thashë, “Thuj shoferit, nale krejt”, se thashë mo s’po muj pa folë kështu ma mirë po zhdrypi. Qe zhdrypa menjihere por m’diktoi ajo që diçka pata unë. E qeshtu, u nal ajo gru me mu, që sot me e pa, nuk e njoh, ajo tjetra që tha “Ta çeli dritaren se s’je mirë”.

U nal me mu, “Hajde hypim n’tjetrin e shkojna dyjat bashkë se ti nuk je mirë. A je bo operacion a çka ki?” Thashë, “Po, nuk jam mirë” “More a je shtatëzane?” Thashë, “Qashtu diçka”, se si e frytë pak. Tha, “Jo valla ko me nejt me ty se… Çka pate allahile çka pate?” Thashë, “Kurgjo!” Tha,”Vallahi pate, qajo gruja që folke serbisht, qajo policja, ty t’vrajti diçka” “Eh mori bijë me t’kallxu diçka” Tha, “Çka?” Thashë, “Guhën e tyne hiç sun po bohna me ta” Tha, “Pse?” Thashë, “Ma kanë vra burrin e çikën para syve, ma kurrë n’jetë s’ia u fali, kurrë. Veç ku t’jom kom me kallxu e kom me folë e kom me ju thanë edhe tjera grave çunu e folni për veti se çka na kanë bo ata neve”. Po edhe çudi e madhe është që mas sa vjetve asnja mos me u nxanë.

Edhe menjiherë mas lufte, menjiherë, n’kohën e UNMIK-ut m’kapi çka, çka, qysh, i kom kallxu kështu-kështu krejt i kom kallxu, krejt, jo veç për veti por për tetanat çka ju ka ndodhë. Deri vonë, a din, se tash m’u kanë hupë edhe ftyrat se gjinja kanë ndryshu. Jon kanë ma t’reja e tash t’moshume. E tash veç kur po m’lajmrohen vetë kështu shoq mas shoqi. E qeshtu…

Me gratë tjera që na ka ndodh bashkë shpesh e diskutojna. Edhe kur e diskutojmë, e hjekim fëminë prej atyshit, mos me e marrë vesh fëmija. Qeshtu, qeshtu.

Dhjetë herë kom tentu me e mytë vetën. A e din qysh i kallxojke Zoti nanës?! Vijke, “A je këtu?” “Po!” “Ma herët ku ke, a ke te bunari?” Dhjetë herë jom munu me ra n’bunar, por Zoti i ka kallxu nanës tem. “Mos ke ti te bunari ma herët?” “Jo!”. A shkojsha te bunari me ra, thojsha se çka mu m’vyn jeta me jetu. Kur e nisha zanin e nanës u kthejsha, “O çka s’je ti” U çu vllavi, e msheli atë bunar. Dilsha natën e kajsha të bunari. Pikshin lotët atje poshtë. Thojsha po e laj bunarin me lotë e neser kom me ardhë m’u gjujtë n’bunar. Po zani i nanës m’nalke.

Tani ia nisën me m’kontrollu. S’di sa m’kanë lidhë mos m’u çu natën, mos me dalë natën. Une veç u çojsha, e kqyrsha vetën, “Kush m’ka lidhë!”…

 E tash po m’dhimën, çikat e motrës e t’vllaznive. Kur e shoh gjeneratën e çikës. Tash e t’ish kanë, kish nejtë me mue kish… Po çka me bo. Nji gru ma bojke, “Zoti ka thanë qashtu” Thashë, “Nuk ka thanë Zoti po shkavi ka thanë. Se Zoti ma ka falë me jetu me ta, e shkavi ma ka marrë”… Apet jeta po dufke mu vazhdu qeshtu.

Duhet krejt me dalë me folë me e ngritë zanin për vetëveten. Qysh na qe 16 vjet tu ju thanë, “Dilni folni, dilni folni, për jetën e jujë, për senin që ja kanë bo! Pse me ua lanë atyne”.

Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD

Në bashkëpunim me: KRCT

Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women.

Fotografia e përdorur është vetëm ilustrim dhe nuk ka lidhshmëri me rrëfimin./KultPlus.com

Individi brenda një kaosi shpirtëror

Ardit Çalaj

Jusuf Buxhovi: “Dushkaja”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2018)

“Dushkaja” një roman mjaft kompleks ku brenda vetes ngërthen tematika të ndryshme dhe shpërfaq ide të shumta që ndërlidhen qoftë me individin, me unin e tij, por edhe me realitetin, dhimbjen  e jetën si përjetim.

Romani portretizon individin e humbur brenda një boteje imagjinative ku dukshëm shpërfaq: luftën, vuajtjen, vrasjen, armikun, kombin, nacionalen e implikimin e dhunës. Romani përbën një botë konfliktore, ku individi bashkëbisedon me vetveten, me alteregon e tij, ku në aspektin ideor i jep fuqi edhe më të madhe romanit.

Ekzsiton një luftë mes karakterit njeri dhe preokupimit të tij të brendshëm, konkretisht zërit të dytë të tij.

Dushkaja në aspektin etimologjik del si pyll, ndërsa dushku nënkuptonnjë lloj druri të lartë.  Pra, titulli i romanit në kontekst figurativ mund të trajtojë një përgjithësim të jetës, dhimbjes, vuajtjes e të brengës. Gjithçka dhe çdogjë në atë pyll jetësor, shpreh një vuajtje të kahmotshme dhe ende ekzistuese. Fuqishëm krijohet një simbiozë mes dhimbjes, përhershmërisë dhe universalitetit të saj. Jeta në “ Dushkajë” synonte çlirimin, fundin e masakrës makabre dhe shpresën për një të ardhme ideale.

Në aspektin filozofik përçohet ideja e vullnetit të lirë. Gjithnjë mes një errësire gotike dhe në një rrugë të pakthimtë, karakteri ynë sheh shpresë, rrugëdalje e zgjidhje.

“ Bota nuk mund të lirohet nga vrasësit, tha Piktori, por Dushkaja ime e harruar, e kapluar nga therra e murriza, po…”

Në qendër të  rrëfimit është Piktori dhe Zëri dhe nëse këta dy i shohim si personazhe, atëherë është mjaft interesante mënyra se si përshkruhen ata, me probleme, me thyerje, me kriza dhe me mënyra se si i qasen ata shoqërisë duke shpërfytyruar një tablo të saj prej nga bëhet demaskimi i njerëzve e i shoqërisë si totalitet.

I pari shpreh jetesën e aktualitetin, ndërsa i dyti shpreh troç irealitetn, mendimin e botën fiktive. Mënyra se si dialogojnë këta dy protagonistë t’lë të nënkuptosh se evidentohet njeriu si qenie dyanësore, ku në njërën anë është ai që zgjedh të jetë dhe në tjetrën ai që ëndërron të jetë.

Romani shihet në premisë morale, psikologjike e filozofike, ku pretendon të shpreh ide e shqetësim. Psikologjia ndërlidhet me parimet frojdiane, ku e brendshmja si brengë reflekton edhe në realcionin e protagonistëve tanë, njëri si konkretësi ndërsa tjetri si imagjinatë e si iluzion.

Që në fillim të romanit vërehet revoltimi i Piktorit në raport me mendimet e të “huajit”, duke vazhduar deri në fund të romanit me po të njejtin ritëm.

Lufta e tillë shtjellon edhe idetë antike të projektuara në roman, atë platoniane e atë aristoteliane.  E para ka të bëjë me deformimin apo shtrembërimin e asaj që merret nga realiteti e trajtohet në vepër, ide kjo e shpalosur nga Zëri, kurse e dyta projektohet nga Piktori, çka ka të bëjë me lirinë e krijimit, me fantazinë, me artistiken e me formimin e një efekti estetik.

“ Edhe pse krijimtaria  shfrytëzon idetë, pamjet shoqërore dhe politike dhe faktet madje, ajo merret me imazhe, ku nënkuptohen pyetjet, me dilema të fshehura ose të hapura, krejt një dhe assesi me qendrime…”

Sa i përket ndërtimit strukturor, romani është i ndarë në disa pjesë të titulluara me orë, konkretisht bëhet një lloj rrëfimi prej orës tetë të natës deri në orën katër të natës. Topika e rrëfmit konsiderohet dhoma  e mbushur me piktura, ndërsa ngjarja zhvillohet në një periudhë disa orëshe. Tik – taku i orës shpreh një botë sado të errët e të mjeruar, por edhe të lëvizshme e dinamike.

Rrëfimtari qëndron në kohën e tashme, ndërsa imagjinata e tij bën shëtitje në kohë të ndryshme. E kaluara identifikohet me kujtime, e tashmja me ngrysje e me dhimbje si dhe e ardhmja me shpresë e me një idealitet të synuar.

Vetë loja e cicmicit që luajnë protagonistët tanë, të shpie drejt një imagjinimi e një fantazie prej nga ndeshen, luftojnë e goditen dy ide të kundërta. Loja e tillë del si e imponuar që shpreh izolim dhe urrejtje tek Piktori ynë.

Zëri bën presion të vazhdueshëm në psikën e Piktorit, ndërsa Piktori sado që goditet nga një krizë psikike, ai nuk dorëzohet, lufton me idenë idealiste e të drejtë të mendjes së tij deri në fund të romanit. Ekziston njëfarë kontradikte mes dy pikëpamjeve të ndryshme, ku“ i ftuari” i mbrëmjes ka tendencë të “shkatërrimit” të heroit tonë.

Me një theks të veçantë potencohet historia si përgjithësim ku determinohet robëria, lufta, vrasja, pushtimi e dhuna, nga të cilat rrjedh: mjerimi, ligësia, cinizmi, egoizmi, negativiteti e hipokrizimi.

Romani ka një pikënisje reale që ndërlidhet me historicizmin e me faktet si ndodhi.  Në një mënyrë koha e hedh hijen e vet mbi vepër dhe krijohen situata të tilla me problematika jetësore.

Me zhvillimin e lojës në roman, realiteti merr diskurs imagjinar dhe krijon simbolika të ndryshme që mundësojnë laramaninë e qasjeve në tekst.

Evidentohet kalueshmëria prej diskursit real në atë letrar, artistik e estetik. Binomi i dy botësh elaborohet në romanin në fjalë, ku bota reale gërshetohet me atë fiktive dhe krijohet metafora e “izolimit” me praninë e koloriteve, vijave, hijeve, brushave e nuancave të ndryshme që secila prej tyre posedon një veçanti që aludon një katrahurë shpirtërore, psikologjike e shoqërore.

Autori, tekstin e ka kthyer në alegori dhe ka krijuar mundësi të një leximi simbolik, ku kërkon tipin e lexuesit model. Tërë tekstin e përshkon një rrugë e imagjinuar në mënyrë artistike e lineara, ku përfitojmë kuptime të reja e konotacione dhe intepretime të ndryshme që shndërrohen në shenja e që përcjellin kumtime të fshehta./KultPlus.com

Shtëpia e Kadaresë kthehet në muze, pret vizitorët

Apartamenti në Tiranë i kolosit të letrave Ismail Kadare, ku jetoi për 15 vjet është kthyer ne muze. Për Erion Veliajn ky është një hap i rëndësishme për t’i dhënë vlerësim nje figure emblematike, me qellim qe shtëpia e tij te kthehet ne destinacion për turistet.

Pallati ku jetoi edhe Dritero Agolli, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë, që i është besuar arkitektit Maks Velo. Erion Veliaj premtoi se shume shpejt edhe shtëpia e Dritero Agollit do të kthehet në muze.

Muzeu i Ismail Kadaresë ne Tirane është i hapur nga e shtuna për te gjithë vizitore./vizionplus/KultPlus.com

Reagojnë fansat e Ariana Grandes, të pakënaqur me statujën prej dylli në Londër

Fansat e këngëtares Areiana Grande janë ndarë shumë të zhgënjyer nga statuja e saj e re prej dylli në muzeun “Madame Tussaud’s” të Londrës.

Ditë më parë, kompania që realizoi statujën prej dylli përi të ditura fotografitë e saj, dhe reagimet e fansave ishin të menjëhershme.

“Nuk kemi gjë kundër, por është me të vërtetë e keqe”, shkruante një komentues.

“Ariana nuk duket aspak si Ariana në këtë figurë”, ishte komenti i një tjetër përdoruesi në rrjetet sociale.

Ariana Grande (Foto: Mike Coppola/Getty Images/Guliver)

Ndërkohë, figura prej dylli e Ariana Grandes do të jetë e disponueshme për vizitorët për plot pesë javë që nga tani.

Kujtojmë që në po të njëjtin muze, muaj më parë është prezantuar edhe figura prej dylli e artistes shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. /Telegrafi/KultPlus.com

“Chelsea Flower Show”, spektakli i luleve në Londër tërheq 150 mijë vizitorë

“Chelsea Flower Show”, ekspozita më prestigjioze dhe më e famshme e luleve në botë, po tërheq me mijëra vizitorë çdo ditë, që nga hapja e saj të martën, me një vizitë të vetë mbretëreshës Elizabeth II.

Një traditë e nisur që në vitin 1913, spektakli i Chelseat vazhdon të jetë shumë tërheqës dhe magjepsës.

Këtë vit, kopshtet i bëjnë homazh fshatit në Yorkshire. Në këtë hapësirë të gjelbër ka një pyll të vogël të sjellë nga princesha Kate Middleton, që siç thotë ajo është frymëzuar nga kujtimet e saj të fëmijërisë, është një vend për të qëndruar larg botës, për të luajtur, mësuar e zbuluar, si dhe për të krijuar kujtime të posaçme familjare.

Vetëm të shtunën e kaluar, 150 mijë vetë e vizituan ekspozitën. Ajo do të qëndrojë e hapur deri në fundjavë. /a.a/ /a.g/A.T.SH/KultPlus.com

Rita Ora pushton “The O2 Arena” të Londrës, interpreton si akrobate në ajër

Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora, ka mbajtur së fundmi një koncert gjigant në Londër.

Ajo ka performuar në “The O2 Arena”, për mijëra adhuruesit në qytetin e saj ku u rrit.

Rita ka interpretuar live të gjitha këngët e saj nga albumi më i ri “Phoenix”, të cilin ajo e lansoi në nëntor të vitit të kaluar.

Për performancën e saj të veçantë, këngëtarja shqiptare kishte realizuar përgatitjet prej disa ditësh me balerinët e saj.

Në një nga videot e publikuara në rrjetet sociale, shfaqet momenti kur me ndihmën e mjeteve skenike, Rita duket sikur interpreton në ajër. /Telegrafi/KultPlus.com

https://youtu.be/79_QBJTu2TA

Hasan Prishtina më 1927: Përderisa përndiqen shqiptarët, nuk do të ketë “vëllazëri ballkanike”

“La Liberté” ka botuar të premten e 8 korrikut 1927, në faqen e tretë, intervistën e Hasan Bej Prishtinës, dhënë asokohe gazetës “La Transalpine”. Patrioti dhe intelektuali shqiptar ndër tjera ka shprehur mendimin e tij për reagimin e kundërshtarit politik dhe personal të tij, Ahmet Zogut, ndaj Jugosllavisë. Artikulli është si më poshtë.

Incidenti (arrestimi i përkthyesit të legatës jugosllave në Tiranë, Vuk Gjurashkoviq, për çështje spiunazhi) midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë është zgjidhur përfundimisht. Megjithatë, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy qeverive nuk do të jetë aq i shpejtë sa mund të ishte shpresuar. Në të vërtetë, përfaqësuesit e të dy vendeve do të zëvendësohen dhe ardhja e tyre në destinacion duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, konsiderohet se do të zgjasë dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë përpara se të rifillojnë përfundimisht marrëdhëniet diplomatike.

Një prej emigrantëve politikë më eminentë shqiptarë, Hasan Bej Prishtina, ish-President i Këshillit të Shqipërisë, kundërshtar politik dhe personal i Ahmet Zogut, bëri deklarata të rëndësishme për shtypin:

“A është e vërtetë”, e pyetën z. Hasan Bej, “se Shqipëria përbën një rrezik për Evropën”?

“Ky lajm është përhapur nga disa gazeta në Beograd. Por, për të kuptuar se kjo është vetëm një zhurmë tendencioze, duhet të kujtojmë se këto gazeta filluan të flasin për rrezikun vetëm ditën kur Shqipëria u bë e pavarur nga politika e Beogradit. Unë jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme.

“Dhe çfarë mendoni për formulën që përsëritet kaq shpesh: Ballkani për popujt e Ballkanit?”, e pyetën sërish Hasan beun.

“Kjo është një formulë e shkëlqyer, me kusht që vetë Ballkani të fillojë të japë shembullin. Për shembull, si mund të flitet për ‘vëllazërim’ mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, nëse Beogradi vazhdon politikën e tij të përndjekjeve kundër shqiptare? Z. Ferat Draga, deputet nga Kosova, u dënua me 20 vjet burg sepse… ai donte të mbronte të drejtat e shqiptarëve. Mund të ju japim një listë të gjatë persekutimesh kundër shqiptarëve… Në këto kushte, si të arrihet një ‘vëllazëri ballkanike’”? /Darsiani/

Kosova e ka si destinacion të parë turistik Shqipërinë, ndërsa Shqipëria e ka Kosovën të tretën si preferencë

Shqipëria është në prag të hapjes së sezonit turistik veror. Ndërkohë që shtetasit e huaj që preferojnë ta vizitojnë Shqipërinë, për vitin 2018, janë shtetasit nga Kosova.

Vizitorët nga Kosova që hyjnë në Shqipëri përbejnë 35 për qind të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj që kanë vizituar këtë vend për vitin 2018, duke e renditur Shqipërinë si preferencën e parë për ta vizituar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkohë që shqiptarët nga Shqipëria kanë si preferencë të parë Greqinë, dhe Kosovën si preferencë të tretë.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ka hartuar një publikim të veçantë për treguesit kryesorë mbi turizmin në Shqipëri. Në bazë të këtij publikimi, shqiptarët nga Shqipëria kanë si destinacion të parë Greqinë me 40% të numrit të turistëve nga Shqipëria, Italinë të dytën me 17%, ndërsa Kosovën të tretën me 13%. Ndërsa për netët e qëndrimit Kosova është e fundit me 1.5 net qëndrimi për vizitorët nga Shqipëria./KultPlus.com