Studenti kosovar që ndërton dorë robotike (VIDEO)

Studenti 24-vjeçar nga Prishtina, Endrit Toplica ka bërë një dorë robotike që mund të përdoret për personat me duar të amputuara.

Toplica pajisjet i ka blerë në dyqanet online jashtë vendit dhe dorën prej plastike e ka shtypur me një printer 3D.

Këtij studenti i janë dashur 6 muaj për të bërë një dorë të tillë.

“Dora robotike, në të ardhmen mund t’iu përshtatet njerëzve në vend të një proteze statike, e cila lëviz në ndikim të muskujve. Dora i ka pesë motorë brenda që bëjnë lëvizje lineare, lëvizje drejt, para dhe mbrapa. Kjo pajisje e vogël, lëvizjet e muskujve i shndërron në sinjale elektrike, ajo i dërgon përmes një pllake të vogël kontrolluese dhe brenda ka një algoritëm që të gjitha sinjalet elektrike i dërgon në lëvizje për secilin motor, varësisht si e ke menduar ti ta lëvizësh dorën, kjo i bën ato lëvizje”, thotë studenti Toplica.

Ai thotë se tash mund ta bëjë shumë më shpejt.

“Deri 90 për qind është masa e saktësisë dhe 10 për qind që mund të gabojë. Personi ka nevojë për testim dhe prova deri sa të dijë, të mësohet të punojë me të. Kjo dorë mund të shërbej si protezë dhe protezë shumë më e lirë dhe që ofron më shumë gjëra se sa protezat e zakonshme. Nëse ia vendos këtë dorë dhe pas pesë vjetëve normalisht, fëmijës pse personit i ndryshon madhësia e njërës dorë, lirisht të gjitha pjesët elektrike, motorët i ruan dhe vetë e printon një madhësi më të madhe dhe ia vendos të gjitha, për një kosto shumë më të ulët, pra nuk ke nevojë ta ndërron të gjithë protezën”, thotë ai.

Në Klinikën Ortopedike, rreth tre mijë persona në vit kërkojnë shërbime/proteza për njërën nga gjymtyrët e trupit. Vendosja e një dorë robotike mund të bëhet pa u konsultuar me ortopedin.

Në një të ardhme të afërt, Endriti thotë se mund të fillojë prodhimin e më shumë pajisjeve të tilla për ata që kanë nevojë. /REL/ KultPlus.com

Kraki: Sa duhet të jetë thellësia e injorancës tek ata që mendojnë se Zotit i flitet veç arabisht

Nga Nezir Kraki

N’luftë me injorancën kolektive
(A e urren Zoti gjuhën shqipe?)

PO! Mendoj që Shaqiri në aspektin fetar është injorant sepse nuk e kupton as praktikën e tij fetare dhe as fjalët arabisht që ia drejton adhuruesve të tij anglezë e botërorë. Për dallim nga Salah (arab nga Egjipti) që i drejtohet publikut në anglisht me respekt dhe motivim, Shaqiri e sheh të nevojshëm rikujtimin e etiketës së tij fetare edhe kur fiton ligen e kampionëve.

Se Shaqiri dhe shumë komita tjera injorantësh këtu në arenën gjigante të Mark Zuckerbergut, mendon se Zoti kupton veç arabisht se ashtu i ka thënë dikush. Unë jam nga ata që nuk janë bindur se Zoti e urren gjuhën shqipe dhe jam në përpjekje të përhershme për mirëmbajtjen, forcimin dhe respektimin e gjuhës sonë.

Për ata që kanë google dhe dy neurone në gjendje aktive në kafkë, mjaftojnë dy klikime për ta kuptuar që folës të gjuhës arabe sot janë diku rreth 400 milionë persona nga 7,8 miliardë sa mendohet se jetojnë në planetin Tokë. Tash sa duhet të jetë thellësia e injorancës tek ata që mendojnë se Zotit i flitet veç arabisht kur dihet që shumica absolute e pjesëtarëve të fesë islame nuk flasin arabisht dhe nuk janë arabë.

Pas publikimit tim mbrëmë, sikur u aktivizua liga e injorancës kolektive dhe u harrua liga e kampionëve. Endacakë të Zckerbergut dhe analistë e analiste të portaleve 6 mujore, zbriten në arenë me shpata n’dorë në mbrojtje të fesë që unë sipas trurit të tyre të ngrirë e kisha ofenduar kur kërkova përshëndetje SHQIP nga Shaqiri. Unë i kuptoj, prandaj i vajtoj çdo mëngjes dhe e di mjerimin intelektual në të cilin jetojnë të tillët. Janë të njëjtit që i denoncova para disa ditëve kur thash se e shihnin ramazanin si luftë dhe vitrinë fetare për foto.

E kam thënë edhe më herët që profili im nuk është klinikë psikiatrike as qendër edukimi intensiv për ata që “s’kanë pshtim”. Megjithatë unë me sa mundem, edhe kur jam duke përgatitë prezentim për konferencë shkencore, gjej kohë t’i përgjigjem secilit që i respekton minimalisht parimet e korrektësisë në debat.

Nuk jam i izoluar në 2km katror duke fol për Kashmir e për Kolumbi. Jam person i lirë, i formuar me mund dhe pa asnjë argatllëk ndaj bandave fetare apo politike. Emrin e kam Nezir, trashëgim të gjyshit por zemrën dhe mendjen i kam shqip të trashëguara nga 3 gjenerata atdhetarësh që janë vrarë e internuar që shqipja të flitej dhe të mësohej në trojet tona.

U bëtë ju tash komitat e injorancës kolektive të vini e të më tregoni se cilën gjuhë e flet Zoti e cilën duhet ta flas Shaqiri, prindërit e të cilit e kanë lënë Kosovën të shtypur nga ata që e urrenin shqipen.

Për portalet ushqyese të injorancës që e bënë lajm reagimin tim duke ia devijuar esencë, s’kam koment se niveli i tyre intelektual nuk e kupton as komentin tim.

Ju paça shqip,
nk . / KultPlus.com

Unkkatili do të mbajë koncertin e fundit në karrierën e tij në Mitrovicë

Reperi i njohur, Unikkatili, është i pëlqyera nga gjenerata të shumta që e preferojnë muzikën hip-hop.

Ai është aktiv duke sjell vazhdimisht këngë, të cilat priten gjithnjë mirë nga fansat e tij.

Unikkatili do të rikthehet sërish në Kosovë brenda pak muajve, për të mbajtur siç është thënë koncertin e tij të fundit në trojet shqiptare.

Mitrovica do të jetë qyteti nikoqir i këtij koncerti, gjersa data e rezervuar është 27 korrik 2019.

Ky koncert mendohet se do të shënojë fundin e karrierës së rap-artistit sa i përket koncerteve.

Kujtojmë që vitin e kaluar, i njëjti mbajti një koncert gjigant në Durrës ku nuk mungoi prezenca e mijëra adhuruesve të muzikës së tij. /Telegrafi/ KultPlus.com

Media franceze më 1932: Shqipëria, një vend ku futbolli po zhvillohet me hapa të shpejtë

Nga Aurenc Bebja

“L’Auto” ka botuar, të dielën e 5 qershorit 1932, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me zhvillimin dhe popullarizimin e futbollit në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

                                                             Futbolli në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ka filluar një kapitull të ri në historinë e futbollit shqiptar që nga pranimi i Shqipërisë në F.I.F.A.

Ajo që është bërë deri tani është rezultat vetëm i viteve të fundit, por është bërë punë e mirë, pasi gjatë kësaj periudhe të shkurtër, futbolli është popullarizuar në një mënyrë të konsiderueshme, shumë ekipe u formuan dhe u krijua një kampionat kombëtar.

Në 1930 dhe 31, Sportklub Tirana u shpall kampion i Shqipërisë para ekipeve të Korçës, Vlorës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit. Në vitin 1930, u krijua një kupë për ushtrinë nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe në vitin 1931 u krijua një kampionat shkollor.

Ekipet shqiptare kanë luajtur tashmë kundër atyre franceze dhe angleze. Megjithatë, kundërshtarët e tyre të zakonshëm janë klubet italiane, jugosllave dhe greke.

Që prej dy vitesh funksionon një kurs arbitrash që ka dhënë rezultate të shkëlqyera.

https://www.darsiani.com/la-gazette/media-franceze-1932-shqiperia-nje-vend-ku-futbolli-po-zhvillohet-dhe-popullarizohet-me-hapa-te-shpejta/.

Khloe Kardashian bëhet partnerja e fansit në mbrëmjen e tij të maturës

Khloe Kardashian është një nga motrat më të njohura të familjes Kardashian-Jenner.

Së fundmi, ajo është bërë temë e mediave lidhur me një befasi të veçantë që i ka bërë një prej fanseve të saj më të zjarrtë.

Megjithëse e angazhuar në aktivitetet e saj të shumta, Khloe ka gjetur kohën që të bëhet partnerja e fnasit të saj, Narbeh, në mbrëmjen e tij të maturës.

Narbeh i cili ka përfunduar mësimet në “Hoover High School” në Glendale, CA, u shoqëruar në mbrëmje nga Khloe.

Ai njihet si një prej fansave të saj më të zjarrtë, teksa edhe në rrjetin social Instagram, ka një llogari të hapur me emrin, Narbeh Kardashian, i ndjekur nga rreth 236 mijë persona.

Kjo nuk është hera e parë që dyshja takohen, pasi Narbeh ka pasur rastin ta takojë idhullin e tij edhe në një eveniment, të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar.

Khloe gjithashtu më parë i ka dërguar edhe video-mesazhe për ditëlindje fansit të saj.

Fotografitë e maturës së Narbehit kanë bërë xhiron në mediat ndërkombëtare, dhe këtë datë, duket se ai nuk do ta heqë kurrë nga mendja. /Telegrafi/ KultPlus.com

Khloe Kardashian (Foto: Matt Winkelmeyer/Getty Images/Guliver)

Stoltenberg sot në Tiranë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot do ta vizitojë Shqipërinë.

Mësohet se Stoltenberg do të mbërrijë pas mesditë në aeroportin “Nënë Tereza”, ku do të pritet nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ndalesa e parë do të jetë në Kryeministri, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama, i shoqëruar me takim dypalësh dhe një konferencë të shkurtër për shtyp.

Me pas sekretari Stoltenberg do të zhvillojë një takim dypalësh në Presidencë. Pas këtij takimi, ai do të largohet nga Tirana për të udhëtuar drejt Maqedonisë. / KultPlus.com

Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri

Tashmë në lumin Vjosë mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Tepelenën në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj përveç ngjitjeve në mal, për të shijuar ujëvarat, kanionet, monumentet e natyrës, kalatë, objektet e kultit, ushqimin cilësor, mund të bëjnë edhe rafting.

Vjosa është një nga lumenjtë më të bukur, jo vetëm në Shqipëri, sa i përket pastërtisë, peizazhit përreth dhe gjallesave.

“Eksplorer Tepelena” është agjencia e parë turistike e sporteve ujore, që bëri të mundur prezantimin e saj në Javën e Ali Pashës.

“Një udhëtim mbi Vjosë, mund të jetë një eksperiencat më të bukura që keni provuar dhe kjo duhet patjetër në axhendën tuaj, kur vizitoni Tepelenën”, bën të ditur bashkia e Tepelenës.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Tepelena që lehtësisht identifikohet me emrin e Ali Pashës dhe dhjetëra veprave të shkëlqyera inxhinierike që u ndërtuan nën dominimin e tij ofron këtë vit disa bujtina, kanionet e Nivicës, mundësinë për aktivitete të aventurës, kala, rrënoja antike dhe eksplorimin e një hapësire të gjerë me tradita blegtorale. /atsh / KultPlus.com

Katërmbëdhjetë minuta refleksion

Nga: Mario Varga Llosa
Përktheu:Bajram Karapolli

Atë ditë, si çdo ditë tjetër në këto tri javët tona në Nju Jork, u ngrita në pesë të mëngjesit dhe, duke u përpjekur të mos zgjoj Patrician, shkova në sallon për të lexuar. Nata ende nuk ishte hapur dhe dritat e qiellgërvishtësve përreth dukeshin si të shqetësuara nga një tufë gjigande xixëllonjash që po pushtonin qytetin.

Pak a shumë, brenda një ore do të fillonte të agonte dhe, nëse qielli do të ishte i qëruar, dritat e para mëngjesi do t’i hidhte mbi lumin Hadson dhe Central Parkun plot pemë, të cilat vjeshta kishte filluar t’i lante në ar. Një pamje e bukur që dritaret e apartamentit ma dhurojnë çdo mëngjes (banojmë në katin dyzet e gjashtë).

E kisha planifikuar ditën me saktësi. Do të punoja nja dy orë për të përgatitur mësimin që do të jepja të hënën në Princeton, ku do të ilustroja temën me shembuj të marrë nga “Mbretëria e kësaj bote” e Aleho Karpentierit (Alejo Carpentier), gjysmë ore do të bëja ushtrime për shpinën, një orë do të shëtisja në Central Park, pastaj gazetat, mëngjesi, dushi dhe Public Library e Nju Jorkut, ku do të shkruaja “Guri i Provës” për EL PAIS mbi vetëvrasjen e Teilor Klementit, një studenti të ri në Universitetin e Rutgers, i cili u hodh nga ura Xhorxh Uashington, sepse dy shokë homofobë e kishin denoncuar si gej, duke shpërndarë në internet një video ku ai po puthej me një burrë.

Aty për aty, u përthitha nga magjia e “Mbretërisë së kësaj bote” dhe nga shpërfytyrimi mitik që proza e Karpentierit bën për përpjekjet e para të pavarësisë së Haitit. Tregimtari i gjithëdijshëm i historisë është një erudit dinak i fshehtë, libresk, barok dhe qëmtues që rrëfen deri në thellësi për ndjeshmërinë e skllavit Ti Noel, i cili beson tek Loat e Mëdhenj vudu, dhe që magjitë e kultit, si Makandal, kanë dhuntinë e likantropisë, domethënë, mund të të shndërrojnë, me dëshirë, në kafshë. Pothuaj kishte njëzet vjet që nuk e kisha rilexuar dhe forca bindëse e saj vazhdonte të ishte e parezistueshme.

Befas ndjeva prezencën e Patricias në sallon. Po më afrohej me telefonin në dorë dhe me një shprehje të fytyrës, që më trembi. “Ndonjë tragjedi familjare”, mendova. Kapa receptorin dhe brenda disa fishkëllimash, jehonash e gërvimash, si të vinin nga funddheu, dëgjova një zë të më fliste në anglisht. Në çastin që munda të dalloj fjalët “Akademia Suedeze” linja u ndërpre.

Mbetëm të heshtur, duke parë njeri-tjetrin, pa mundur të shkëmbejmë asnjë fjalë, derisa telefoni filloi të bjerë përsëri. Kësaj here zëri arriti i qartë. Zotëria nga ana tjetër e linjës tha se ishte sekretari i Akademisë Suedeze, se më ishte akorduar Nobeli letrar dhe se lajmi do të bëhej publik pas katërmbëdhjetë minutash. Do të mundja ta dëgjoja në televizion, në radio dhe në internet.

– Duhet të njoftojmë Alvaron, Gonzalon dhe Morganën, – tha Patricia.

– Më mirë të presim sa lajmi të bëhet zyrtar, – i thashë.

Dhe i kujtova se, disa vite të shkuara, në Romë, na kishin treguar shakanë e rëndë që disa miq (më mirë armiq) kishin bërë me Alberto Moravian, duke u hequr si funksionarë të Akademisë Suedeze dhe e kishin përgëzuar për çmimin e madh.

– Në qoftë se është e vërtetë, do të përmbysim shtëpinë, – pranoi Patricia. – Më mirë, ndërkohë, shko bëj një dush.

Por, në vend të shkoja për dush, mbeta në sallon duke kundruar, përmes qiellgërvishtësve, zbardhëllimet e para të mëngjesit njujorkez. Nëpër mend më erdhi shtëpia e rrugës Ladislao Kabrera, në Koçobamba, ku kalova fëmijërinë time, mu kujtua libri i Nerudës “Njëzet poema dashurie dhe një këngë dëshpërimi”, që ime më ma kishte ndaluar ta lexoja dhe që për këtë e kishte fshehur në komodinën e saj. Ishte libri im parë i ndaluar që kam lexuar. Mendova ata që do t’i gëzonte ky lajm, po të ishte i vërtetë.

M’u kujtua im gjysh Pedro, me hundën e madhe dhe me tullën që i shkëlqente, i cili shkruante vargje gazmore dhe sqaronte familjen “Për poetin të ngrënët është prozë”, kur unë nuk doja të haja ushqim. Kujtova tim ungj Luçon, në shtëpinë e të cilit, në Piura, e kalova vitin e fundit të kolegjit, atë vit të lumtur, duke shkruar artikuj, tregimthe dhe poema që i botoja, herë pas here, tek “Industria”.

Ai me këmbëngulje më nxiste të mos hiqja dorë për t’u bërë shkrimtar dhe, gati sikur fliste me vete, më siguronte se kush nuk ndjek prirjen e vet, tradhton vetveten dhe është i dënuar të jetë fatkeq. Kujtova atë vit të shfaqjes së parë të veprës time teatrale “Ikja e inkëve”, në Teatrin Varietete të Piuras, kur miku im Javier Silva, me një borie dhe me zë të lartë, e publikonte që nga çatia e një kamioni. Kujtova Ruth Rohasin e bukur, Vestalen robinjë tek vepra ime, të cilën e dashuroja në fshehtësi.

– Është një marrëzi të mendosh se kjo mund të jetë një shaka, – tha Patricia. – Së pari duhet të marrim në telefon fëmijët, Alvaron, Gonzalon dhe Morganën.

I morëm në telefon: Alvaron në Uashington, Gonzalon në Santo Domingo dhe Morganën në Lima. Mungonin ende shtatë minuta nga ora e shënuar. Dhe m’u kujtuan miqtë e adoleshencës Luço Loajaza e Abelardo Okendo dhe revista “Literatura”, nga e cila mezi nxorëm tre numra.

M’u kujtua manifesti ynë kundër dënimit me vdekje, homazhi për Cesar Moron, diskutimet tona të ashpra nëse Borhesi ishte më i madh se Sartri apo e kundërta. Unë isha për të dytin, ndërsa ata për të parin, dhe, sigurisht, ata kishin të drejtë. Pikërisht atëherë ata më vunë nofkën “Sartre i vogël guximtar”, që mua më pëlqente. Kujtova konkurrimin që bëra në “Revue Francaise” të vitit 1957, me tregimin

“Sfida”, fitorja e të cilit më siguroi një udhëtim në Paris, ku kalova një muaj në lumturi të plotë, duke banuar në Hotel Napoleon, kujtova se si këmbeva katër fjalë me Albert Kamynë e Maria Kasares tek dyert e një teatri, në Grandes Bulevardes, kujtova përpjekjet e mia të dëshpëruara dhe të pafrytshme për t’u pritur nga Sartri, qoftë edhe vetëm një minutë, sa për t’i parë fytyrën dhe për t’i shtrënguar dorën.

Kujtova vitin tim të parë në Madrid dhe mëdyshjet që pata, para se të vendosja për t’ia dërguar përmbledhjen me tregime “Shefat” Çmimit “Leopoldo Alas”, i krijuar nga një grup mjekësh në Barcelonë, me kryetar doktor Rokas dhe këshilltar poetin Enrike Badosa, falë të cilëve pata kënaqësinë e madhe të shoh të shtypur librin tim të parë.

Mendova se ç’fat i pabesueshëm paskësh qenë për jetën time, ai çast i vitit 1958, kur isha vetëm njëzet e dy vjeç, në atë pension madrilen të rrugës “Doktor Kastelo”, ku vendosa të ndjek këshillat e ungjit Luço për të mos u bërë avokat, por shkrimtar, dhe qysh atëherë, edhe sikur të mbetesha pa një dysh në xhep, do ta organizoja jetën në mënyrë të tillë që pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive të mia t’ia kushtoja letërsisë, se do të kërkoja një punë të tillë që të më linte kohë të lirë për të shkruar. Ishte një vendim pothuaj utopik, por më ndihmoi shumë, të paktën psikologjikisht, dhe besoj se, në vija të përgjithshme, e realizova gjatë viteve të mia në Paris, sepse punët në Shkollën Berlitz, në Agjencinë France Presse dhe në Radio Televizionin Francez, gjithmonë më linin pak orë në ditë për të lexuar dhe për të shkruar.

Mendova paradoksin e habitshëm për të marrë sa vlerësime, si ky (nëse lajmi vërtet nuk ishte një shaka me shije të keqe), për t’ia dedikuar jetën time një pune e cila më ka bërë të gëzohem pafundësisht, ku çdo libër ka qenë një aventurë plot me të papritura zbulimesh, iluzionesh dhe entuziazmesh, që gjithnjë kompensohen me rritje vështirësish, dhimbje koke, depresione dhe kapsllëk.

Mendova sa e mrekullueshme është jeta që ne njerëzit sajojmë, qyshkur endeshim gjysmëlakuriq dhe hanim njeri-tjetrin, për të thyer kufijtë e ngushtë të jetës së vërtetë dhe, përmes fiksionit, për të kaluar në një tjetër jetë më të pasur, më të ndjeshme, më të lirë.

Fiks në gjashtë të mëngjesit, radiot, televizioni dhe Interneti konfirmuan se lajmi ishte i vërtetë. Siç e parashikoi Patricia, shtëpia u kthye në një çmendinë, dhe prej atij çasti unë nuk mendova më asgjë e, gati-gati, ndërpreva frymëmarrjen. / KultPlus.com

Mbështetje letërsisë për fëmijë, Ministria e Kulturës shpall thirrjen për aplikime

Me rastin e 1 Qershorit, Ministria e Kulturës shpalli thirrjen për mbështetjen e krijimtarisë letrare, që këtë vit ia kushton letërsisë për fëmijë.

Duke prezantuar këtë nismë, Ministrja e Kulturës Elva Margariti ftoi të gjithë autorët të marrin pjesë.

“Me letërsi të mirë, ndërtojmë lexuesin e së ardhmes”, tha ajo.

Secili prej fituesve do të marrë 150 mijë lekë, ndërsa aplikimi fillon në datën 1 qershor dhe përfundon në datën 8 korrik 2019.

Shpallja e fituesve do të bëhet në 30 korrik 2019./ atsh/ KultPlus.com

Nezir Kraki porosi për Xherdan Shaqirin: Ke mjaft pasuri që ti blesh dy libra shqip

Nezir Kraki

Lajm i mirë që një shqipe me fitu ligen e kampioneve.

Lajmi do ishte edhe më i mirë sikur kjo shqipe ta falenderonte Zotin në shqipen e origjinës, në gjermanishten e strehimit apo në anglishten e fitimit.

Sinqerisht, pa asnjë qëllim me polemizu, mendoj që Shaqiri ka mjaft pasuri sa me ia ble vetit 2 libra shqip e pse jo me e financu një qendër ku mësohet shqipja në Zvicër.

Zoti nuk i do injorantët edhe kur ata flasin arabisht./KultPlus.com

‘Jam shqiptar e kosovar, zot e krenar, zot e bujar’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri. /KultPlus.com

Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që kjo poezi të recitohej në mbledhjen komemorative

“Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev, për të cilën Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që të recitohej në mbledhjen komemorative në Prishtinë.

Unë kam shkelur në gjak deri në gju
Dhe ëndrra më nuk kam.
Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerë
Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.
Unë jam i etshëm për ajër, qumësht
Dhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.
Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë
Dhe nuk kam ditur pse?
Vëllanë armik të madh e kam quajtur
Dhe jam sulur në errësirë përpara duke klithur
Dhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami
Fluturojnë në ferr.
Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjeban
Të dashurën grua ma përqafon
Se si vërshima pullazin ma shpartallon
Dhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.
Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumësht
Dhe pakëz vesë,
Vesë të bardhë mëngjesi
Të tjerat i paqit për nder.

Postim i Bajram Mjekut./KultPlus.com

Nga Zuckerberg, tek Jobs: Librat që u ndryshuan jetën, më të pasurve të botës

Jeni i ri, pa punë, pa drejtim. Me shkollën s’po dilni kund. Praktikisht asgjë në jetë s’po funksionon. Gjëkundi duhet të përplasesh, të gjesh frymëzim e rrugën që do të ndjekësh. Në të njëjtën situatë janë gjendur një herë edhe më të pasurit e botës, ata që ndryshuan shoqërinë me idetë e tyre.

Ata dolën nga kjo gjëndre kllapie përmes librave dhe më poshtë është një listë me disa nga personat më me ndikim në botë dhe veprat që u ndryshuan jetët.

Mark Zuckerberg – The New Jim Crow, Michelle Alexander

CEO i Facebook, Mark Zuckerberg u bë një mbështetës i fuqishëm i reformimit të sistemit gjyqësor pasi lexoi veprën e avokates së të drejtave civile, Michelle Alexander. Libri i saj flet për burgosjet në masë dhe se si kjo është rruga e gabuar për rehabilitimin e një shoqërie. Në një postim, në 2015, Zuckerberg tha se libri e frymëzoi të vizitonte burgun e San Quentin.

“Do të mësoj më tepër rreth kësaj çështjeje, por disa gjëra i kam të qarta që tani. Nuk mund të përfitojmë një shoqëri të drejtë duke burgosur shumicën. Sistemi i tanishëm nuk funksionon.”

Më pas, ai dhe gruaja e tij Dr. Priscilla Chan, dhuruan $6.5 milion për një projekt që nxjerr në pah padrejtësitë e sistemit gjyqësor.

Bill Gates – The Better Angels of Our Nature, Steven Pinker

Në një postim në Twitter në maj, Gates e quajti librin e mësipërm “librin më frymëzues që ka lexuar ndonjëherë”.

Vepra e Pinker shpjegon se dhuna është pakësuar me kalimin e kohës dhe kjo tregon se “bota po përmirësohet.

“Nuk do të thotë se po injorojmë problemet që kemi tani. Do të thotë që besojmë se mund të zgjidhen,” tha Gates.

Steve Jobs – Autobiography of a Yogi, Paramahansa Yogananda

Udhëtimi i Jobs-it në Indi para se të themelonte Apple është një detaj i rëndësishëm për të ardhmen e kompanisë që ai nisi.

Pas vdekjes së Jobs në 2011, miqve dhe familjarëve iu dha nga një kopje e “Autobiography of a Yogi”, shkruar nga një guru indian, i cili u prezantoi meditimin kulturave perëndimore..bota.al

Festivali “Mirëdita, dobar dan” shpërblen dokumentarin “Gratë shqiptare janë motrat tona”

Sonte është nata përbyllse e edicionit të 6-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan” dhe në kuadër te tij janë ndarë edhe dy çmime. Çmini është ndarë për dokumentarin “Gratë shqiptare janë motrat tona” dhe për Shtëpinë Botuese “Samizdat B92” për të cilët çmimin e pranoi Veran Matić.

Filmi dokumentar “Gratë shqiptare janë motrat tona”, është podhuar nga BIRN Kosova në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Vojvodinës dhe Forumin ZFD.


Dokumentari flet për marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve. Po ashtu ky dokumentar sjellë rrëfimet e nënave serbe, djemtë e të cilave ishin marrë me forcë nga shteti për të shkuar në luftën e Kosovës, protestat e ndryshme të Shoqërisë Civile në Beograd, komunikimet e ndryshme të grave serbe dhe shqiptare për t’u bërë bashkë dhe për të ndalur luftën, arrestimi i Flora Brovinës e deri tek ekspozita e Saranda Bogujevcit, e cila u prit me brohoritma./KultPlus.com

Shkencëtarja shqiptare që merret me studimin e inteligjencës artificiale

Shqiptarët tashmë e kanë dëshmuar veten nëpër fusha të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Një prej tyre është edhe Dr. Loina Prifti, e cila është hulumtuese në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM) në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të punës së saj, ajo merret edhe me studimin e inteligjencës artificiale.

Ajo është bashkautore e disa artikujve shkencorë, të cilët mund t’i lexoni duke klikuar https://dblp.org/pers/hd/p/Prifti:Loina

Promovimi i “KOSOVËS” I-V në Manhajm

Nën organizimin e Shoqatës humanitare “Dardania” të Manhajmit, sot u promovua “KOSOVA” I-V e Jusuf Buxhovit. 

Kryetari i Shaqatës “Dardania”, Naser Hoxha, tha se vepra e historianit Buxhovi vjen në ambientin e këtushëm të bashkësisë shqiptare në kuadër të përpjekjeve që të promovohen vlerat e rëndësishme shqiptare, që i shërbejnë emblemës së saj identitare në raport me atdheun por edhe Gjermaninë, ku jetojnë.

Historiani Buxhovi me këtë rast përkujtoi se identiteti shpirtëror dhe historik shqiptar me rrënjë në atikitet, doli në pah pikërisht nga historianët dhe gjuhëtarët gjermanë para katër shekujsh, me ç’rast, nga ana e tyre u njohtua opinioni shkencor dhe politik botëror rreth kësaj të vërtete që kërkohej të mbahej e fshehur. Sipas Buxhovit, gjermanët ishin të angazhuar edhe në çastet vendimtare në dobi të shtetndërtimit shqiptar si dhe në çlirimin e Kosovës dhe njohjen si shtet të pavarur.

Duke folur për këtë të arritur historike ndër më të mëdhatë e shqiptatizmit në këtë shekull, historiani Buxhovi tha se shteti Kosovës nuk po konsolidohet në përputhje me idealet e themeluesve të tij. Për këtë ai fjësoi klasën e papërgjegjshme politike të përkrahur nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar e interesuar që Kosova të mbetet poligon i krimit ndërkombëtar./KultPlus.com

Shqipëria nuk e dorëzoi Ana Frankun e saj, historia e pabesueshme e vajzës hebreje që i shpëtuan jetën shqiptarët

Kjo është historia e një vajze vjeneze. Scarlett Epstein. Ajo ishte 16 vjeçe atëherë. 

Kjo është historia e një vajze vjeneze. Scarlett Epstein. Ajo ishte 16 vjeçe atëherë. Ja çfarë kujton ajo për dritare.net:

“E gjitha nisi me pushtimin e Austrisë nga Hitleri, edhe pse në Vjenë unë isha rritur pa asnjë identitet çifut, nuk kisha qenë asnjëherë në ndonjë sinagogë dhe asnjëherë nuk kishim festuar në familje festat e hebrenjve, duke e konsideruar veten thjesht një vajzë vjeneze. Kur Hitleri erdhi, i nxori të gjitha vajzat nga shkollat e tyre dhe i dërgoi në një shkollë të përbashkët vetëm për hebrenjtë. Për mua ishte e tmerrshme që diçka e tillë po ndodhte. Më ngjante vetja si një kriminele për një krim që nuk e kisha kryer. Mbaj mend kur po zbrisja shkallët e shkollës dhe po mendoja se, nëse do të arrija të dilja nga Austria dhe nëse do të kisha mundësinë të martohesha e bëja fëmijë, do bëja të pamundurën që ata të kishin një identitet të fort hebre. Ishte viti 1938 dhe unë isha vetëm 16 vjeç. Në Vjenë më priste vetëm vdekja. Bashkë me nënën time arrita të gjej një vizë turistike për në Jugosllavi,  ku kishim disa të njohurit tanë. Kur 3 muajt e vizës mbaruan, autoritetet jugosllave nuk na lejuan të qëndrojmë më atje. Ata na e bënë të qartë se nuk mund të qëndronim as gjysmë ore më shumë. Por na shpjeguan gjithashtu se nëse do të mund të gjenim një shtet tjetër që do të na pranonte, nuk do të na shkaktonin asnjë problem, apo pengesë për të dalë nga Jugosllavia. Nëse nuk do të gjenim ndonjë shtet që të na mirëpriste ata do të na vendosnin nëpër trenat që shkonin në kufirin austriak dhe ne e dinim se çfarë do të na ndodhte nëse do të shkonim deri atje.

Kështu, isha aq e dëshpëruar sa nisa të shkoja nga një konsullatë në tjetrën në Zagreb, në përpjekje për të marrë një vizë, në mënyrë që të shkonim diku tjetër.

Shkova në konsullatën angleze, amerikane, franceze, zvicerane, tek të gjitha këto, por ne kishin pasaporta me një J të madhe të kuqe, e cila ishte një shenjë dalluese që tregonte se ne ishim refugjatë çifutë. Dhe asnjëra nga këto konsullata nuk na ofroi shërbim. Ishte diçka vërtetë dëshpëruese, por më pas më thanë “Pse nuk provon Ambasadën shqiptare?”. Të them të drejtën,në atë kohë, unë nuk e dija që ekzistonte një vend me emrin Shqipëri, por pasi shkova tek Ambasada shqiptare dhe ishte një kënaqësi e papritur, kur ata më ftuan të futesha brenda. Ata më futën brenda konsullatës, më lanë të takohesha me Konsullin dhe më pyetën se çfarë mund të bënin për ne. Unë i thashë “a mund të kem një vizë shqiptare?” dhe ai më tha “më jep pasaportën që t’ju japim vizë”. Dhe ashtu bëri, menjëherë. Duke i dhënë dorën njeri-tjetrit më tha “rrugë të mbarë dhe shijojeni qëndrimin tuaj në Shqipëri”. Pas kësaj, jugosllavët u sollën shumë keq me ne, sa donin të na dërgonin si të burgosur, por ne paguam një polic privat që të na çonte në Splitqë ishte një port dhe kështu ne hipëm në një anije që do të na çonte nga deti Adriatik drejt Durrësit ku qëndruam për 6 muaj.

Nuk ia kishim idenë se çfarë do të gjenim apo çfarë do të bënim në Shqipëri, por të paktën e dinim se kishim një vend se ku do të shkonim dhe që nga ai moment, kuptova se Shqipëria na shpëtoi jetën, pasi nëse nuk do të kishim ardhur në Shqipëri, jugosllavët do të na kishin kthyer në Austri dhe kështu që unë, ashtu si dhe Ana Frank, nuk do të ekzistonim më. Dhe që në ato momente, doja t’i thosha faleminderit Shqipërisë.

Kur erdhëm në Shqipëri gjetëm një grup hebrenjsh, 45-50 nga Gjermani, Austria etj., edhe ata mbaheshin financiarisht nga organizata ndërkombëtare hebreje me qendër në Amerikë të cilët dërgonin para për të jetuar,  për të gjitha grupet hebreje që ia kishin dalë të mbijetonin. Në fakt, personalisht them se ia kam kaluar jashtëzakonisht mirë në Shqipëri. Kështu nisa të miqësohesha me shumë shqiptare. Ato donin të dinin si ishte jeta në Austri pasi dihej që jetesa vjeneze ishte shumë e sofistikuar, ndërsa ato më mësuan shumë gjëra për Shqipërinë. Isha shumë e lumtur pasi nga një njeri i persekutuar, vetëm pse isha hebre, shkova në një vend ku më konsideronin miken e tyre. Vëllai im që jetonte në Angli arriti që të gjente për mua dhe mamanë viza për të shkuar atje. Kështu që ne u larguam nga Shqipëria përpara pushtimit nga italianët. Ishte fillimi i vitit 1939 dhe dukej qartë që shumë shpejt do të fillonte një luftë e madhe. Kështu që Anglia pranonte refugjatë që t’i përdorte për luftën, kur të vinte koha. E vetmja mënyrë për të shkuar në Angli ishte nëpërmjet linjës ajrore Air France pasi vetëm ajo funksiononte në Shqipëri. por kur shkova me pasaportën time në aeroport, aty ishte një J e madhe e kuqe që tregonte se unë isha hebre dhe ata më thanë se nuk mund të ndaloja në transit në Paris pasi isha refugjate çifute.  Unë i thashë “unë nuk dua të qëndroj në Francë, dua të shkoj në Angli” vazhdoja t’i thosha “vërtetë mendoni se dua të rri në Francë kur mund të shkoj fare mirë në Angli? Pasi të jeni të bindur se shteti juaj do të jetë i pari që do të pushtohet nga Hitleri?”. Unë nuk udhëtova dot për në Francë dhe Franca vërtetë u pushtua nga Hitleri. U ktheva në Durrës dhe i kërkova ndihmë një agjenti turistik që u bë miku im në Durrës. Ai më tha se në Napoli ishte një anije kargo që shkonte në Angli dhe kështu bëra, u nisa për në Napoli mirëpo kur mbërrita atje, më thanë se anija ishte vonuar 8 javë. Fillova të qaja pasi isha vetëm me nënën time dhe nuk njihja askënd, nuk dija çfarë të bëja. Kur dola nga agjencia e anijes pashë një agjenci tjetër italiane e cila edhe sot ekziston dhe mendova se kjo është një shenjë. Shkova dhe i kërkova se doja të shkoja në Angli. Me thanë se e vetmja mënyrë ishte nëpërmjet Gjermanisë, me linjën ajrorë KLM. Kështu bëra, u nisa për në Romë, Milano, Frankfurt. Kur mbërrita atje ishte momenti më i vështirë që kam përjetuar në jetën time. Përpara se të nisesha i shkrova një letër vëllait tim, pasi nuk e dija nëse do të mund ta takoja në Frankfurt dhe letrën ia dhashë stjuardesës. Për fatin tim, mbërrita në Angli.”

Scarlett Epstein tregon për dritare.net, se në Angli nisi të studionte ekonomi në Manchester University, por në vitin e dytë të shkollës u njoh me një profesor karizmatik të antropologjisë. Ai i mësoi dashurinë për antropologjinë dhe ajo i kushtoi jetën kësaj fushe. U bë shkencëtare, shkroi libra dhe u nderua me dhjetra çmime. Ajo është anëtare e urdhrit më të lartë të Perandorisë britanike ndërsa në vitin 2007 mori çmim si gruaja e vitit të Mbretërisë së Bashkuar.

Nuk e harroi kurrë premtimin që i kishte bërë vetes në shkallët e shkollës në Vjenë, se, nëse do të mbijetonte e do të martohej, fëmijët e saj do të kishin identitet të forte hebre. Scarlett Epstein është sot 87 vjeçe. Ishte 16 kur një vizë shqiptare i shpëtoi jetën. 72 vjet më pas u rikthye në Shqipëri. Për të falënderuar. Jo dikë në veçanti, erdhi për t’i falënderuar të gjithë, të falënderojë Shqipërinë.

“Dua të falënderoj shqiptarët dhe jo vetëm ata. Dua të falënderoj çdo njeri që më ndihmoi, që më ndihmoi të jetoj. Dua t’u them faleminderit. Këtë ëndërr kam pasur prej kohësh, të mund të kthehem këtu dhe të falënderoj. Jam 87 vjeçare dhe nuk e di edhe sa vite jetë kam, por mendova se është momenti më i përshtatshëm për t’u kthyer. Për mua, kjo është një ëndërr që u bë realitet.”

Shqipëria nuk e dorëzoi Ana Frankun e saj. Ajo ishte 16 vjeçe atëherë.

3 vjet pasi mbajti premtimin që i dha vetes, Scarlett Epstein ndërroi jete ne Angli ne moshën 91 vjeçare. Dashurinë për vendin që i dha jetë për herë të dytë, Shqipërinë, nuk e mori me vete, por e shpërndau në dhjetra intervista për median e huaj dhe në librin autobiografik./dritare.net

Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, duhet të jeni në jetën e tyre sot

– Një fëmijë hyn në shtëpinë tuaj dhe bën aq zhurmë për njëzet vjet, e cila është e vështirë të durohet. Pastaj, largohet duke e lënë shtëpinë aq të heshtur sa që mendoni se do të çmendeni.

– Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta

– Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, DUHET të jeni në jetën e tyre sot!

– Një njeri me të vërtetë i pasur është ai që, fëmijët e të cilit vrapojnë në krahët e tij kur duart e tij janë bosh.

– Mos i mësoni fëmijës tuaj se si të bëhet i pasur. Mësoje se si të bëhet i lumtur … Pra, kur të rritet, ai do të njohë vlerën e gjërave, jo çmimin e tyre …

– Mendoj se na intereson më shumë të lëmë një planet më të mirë për fëmijët tanë sesa fëmijët më të mirë për planetin tonë.

– Një vajzë pesëvjeçare pyeti vëllain e saj më të madh: “Çfarë është dashuria?” Ai u përgjigj: “Dashuria është që ti të vjedhësh çokollatën time nga çanta ime dhe unë të vazhdoj ta vendos në të njëjtin vend …”

– Çdo baba duhet të kujtojë, se një ditë, djali i tij do të ndjekë shembullin e tij dhe jo këshillën e tij!

– Ju e kuptoni se fëmijët tuaj po rriten kur ata ndalojnë t’ju pyesin se nga kanë ardhur, dhe nuk pranojnë t’ju tregojnë se ku shkojnë.

– Pas çdo fëmije që beson në vetvete është një i rritur i cili e ka besuar më parë këtë.

– Një fëmijë ka nevojë për…
 një zemër të duruar për ta dëgjuar atë
 dhe jo një mendje të ndritshme për ta kritikuar atë
 për krahë të hapura që e pranojnë atë, 
 dhe jo sy të rreptë që i shohin gabimet e tij
 duart e sjellshme që e drejtojnë
 dhe jo një zë i fortë që e urdhëron.


– Fëmijët: Ju kaloni dy vitet e para të jetës duke i mësuar ata të ecin dhe të flasin. Pastaj kaloni 16 vitet e ardhshme duke u thënë atyre të ulen dhe ta qepin.

– Çdo fëmijë është një artist. Çështja është se si të mbetet një artist në rritje.

– Dhurata më e mirë që mund tu bëni fëmijëve tuaj, janë rrënjët e përgjegjësisë dhe krahët e pavarësisë.

– Fëmijët kanë nevojë më shumë për standarde se sa kritika.

– Mos harroni se fëmijët, martesat dhe lulet pasqyrojnë llojin e kujdesit që ata marrin.

– Kam kuptuar se mënyra më e mirë për tu dhënë këshilla fëmijëve tuaj, është për të zbuluar se çfarë është ajo që ata duan dhe pastaj të këshillosh ata të bëjnë.

– Ka disa gjëra që fëmijët nuk bën që t’i dinë, sepse sapo t’i mësojnë ato, nuk do të jenë më fëmijë.

– Fëmijët janë ende simbol i bashkëjetesës së përjetshme të dashurisë dhe detyrës.

– Tre gjëra i bëj mirë: punë, gabime dhe fëmijë.

– Bijtë besojnë në virtytin e nënave të tyre, dhe vajzat gjithashtu, por më pak.

– Një fëmijë të cilit nuk nuk i lejohet të respektojë prindërit e tij, nuk do të ketë respekt të vërtetë për asnjë.

– Vetëm fëmijët e dinë se çfarë ata janë duke kërkuar.

– Fëmijët nuk duhet të dëgjojë sharje, sepse vetëm në këtë mënyrë duke u rritur do të fitojnë dinjitetin.

– Fëmijët janë kureshtarë. Fëmijët vëzhgojnë milingonat ndërsa të rriturit i shkelin.

– Nuk kam takuar kurrë ndonjë që nuk kishte shumë fëmijë të zgjuar. Pyes veten se si humbet e gjithë kjo zgjuarsi në moshën e rritur.

– S’është vështirë të bëhesh baba, por vështirë është të jesh baba.

– Ashtu si në dashuri, edhe në marrëdhëniet e fëmijëve me prindërit, më i dobët është ai që do më shumë.

– Fëmija i parë është vazhdimësia e kukullës së fundit.

– Fëmijët janë gjykatësit tanë të ardhshëm.

– Pija që nuk të mërzitet kurrë është uji; fruti që nuk të mërzitet kurrë është fëmija.

– Shërbimi më i madh që mund t’u bëjë fëmijëve një baba është të dojë nënën e tyre.

– Fëmija është libër në të cilin lexojmë dhe në të cilin duhet shkruar.

– Jepini fëmijës më shumë liri: le të vrapojë, le të kërcejë, le të jetë i lirë, le të luajë dhe të argëtohet, le të mos jetë asnjëherë në qetësi.

– Babai duhet të jetë shok dhe person i besuar, e jo tiran i fëmijëve.

– Fëmijët njihen me fatkeqësitë përmes njerëzve.

– O, vite të lumtura. Kush nuk do edhe një herë të bëhet fëmijë!

– Fëmija është i vetmi që përjeton botën në mënyrë të vërtetë, të gjitha të tjerat janë artificiale.

– Rroba e shqyer korrigjohet, por fjalët e ashpra thyejnë zemrën e fëmijës.

– Grindjet e prindërve me fëmijët nuk është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhjen, por njohja e shkakut çon në një zgjidhje.

– Dashuria e vërtetë për fëmijën do të na tregojë se si t’i ndihmojmë ata me qetësi dhe dashuri, për t’u bërë njerëz të lumtur dhe të balancuar.

– Qëllimi më i madh në një botë që ndryshon vetëtimthi duhet të jetë përgatitja e fëmijëve në ndryshim.

– Gjëja më e këndshme që mund të na ndodhë është të dëgjojmë qeshjen e një fëmije.

– Të rriturit nuk e dinë se një fëmijë mund të japë një këshillë të mirë edhe në rastin më serioz.

– Shpirti shërohet kur jeni pranë fëmijëve.

– Si është e mundur, në aq pak kohë, që një fëmijë që i frikësohej errësirës të bëhet një adoleshent i cili dëshiron të qëndrojë gjithë natën jashtë?

– Nëse i vlerësojmë fëmijët tanë, duhet t’i adhurojmë prindërit e tyre.

– Kur prindërit bëjnë shumë për fëmijët e tyre, fëmijët nuk bëjnë shumë për veten e tyre. 


– Kur kupton më së fundi se babai juaj zakonisht kishte të drejtë, tashmë keni rritur një djalë i cili është i bindur se babai i tij zakonisht nuk ka të drejtë. 


– Askush nuk mund të dijë kuptimin e jetës, kuptimin e botës, derisa të ketë një fëmijë, dhe pastaj e gjithë bota ndryshon. Asgjë nuk mund të jetë ajo që ishte më parë.

Për një adoleshent, nuk ka asgjë më të bezdisshme në këtë botë sesa një prind.

Mosha e adoleshencës është faza e fundit e jetës që gëzon kur dëgjon se thirrja telefonike është për ju.

Një fëmijë, vetëm nëse ndihet mirë mund të mendojë si duhet.

Prindërit shpesh flasin për brezin e ri sikur të mos kishin të bënin me të.

“Asgjë nuk është më e dashur për një baba se sa vajza e tij.”

“Gjëja më e rëndësishme që prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre është se si të përparojnë pa ata.” 

Nëse prindërit kanë të drejtë të kenë fëmijë, dhe fëmijët kanë të drejtë të kenë prindër.

“Të gjithë të mëdhenjtë dikur ishin fëmijë … por vetëm pak prej tyre e mbajnë mend.”

Nuk ka nevojë më të madhe për fëmijërinë sesa mbrojtja prindërore.

Kur një baba i jep djalit, qeshin të dy. Kur një djalë i jep babait, qajnë të dy.

Të gjithë fëmijët, përveç meje, rriten.

Fëmijët fillojnë të duan prindërit e tyre, pas një kohe i gjykojnë, dhe rrallë, nëse ndonjëherë, i falin.

Fëmijët janë pasuri e njeriut të varfër.

Për të kuptuar dashurinë e prindërve tuaj, bëni fëmijët tuaj.

I drejti e mëson fëmijën të tregojë të vërtetën gjatë gjithë jetës së tij.

Kini kujdes këtë thënie proverbiale: Fëmijët dhe të çmendurit tregojnë të vërtetën. Përfundimi: Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur nuk e thonë kurrë atë.

“Mirësia e babait është më e lartë se mali, dashamirësia e nënës është më e thellë se deti”.

Një divorc nuk është i mirë, por nuk është dhe tragjedi.
Tragjedi është të rrish në një martesë fatkeqe dhe të kalosh tek femijët tuaj mesazhin e gabuar sa i përket dashurisë dhe familjes.


Fëmija më i thjeshtë që shkon në shkollë sot është i njohur me të dhënat për të cilat do të jepte jetën e tij Arkimedi.

Çdo fëmijë na sjell një mesazh se Perëndia nuk është zhgënjyer ende nga njeriu.

Anaharsis kur u pyet se për çfarë arsye nuk bën fëmijë, ai tha: Sepse i dua fëmijët.

Fëmija juaj nuk është prona juaj. Do ta konstatoni më së voni kur të përpiqeni ta shisni.

Gjëja më e vështirë që të rinjtë duhet të përballen sot është të mësojnë mënyra të mira pa i parë ato.

Fëmija i parë i çdo gruaje është vazhdimi kukullës së fundit të saj,

Jetim nuk është vetëm një fëmijë që nuk ka një prind, por edhe një që nuk ka interesin e prindit.

Për fat të keq, nuk mund të bëhemi më si fëmijët. Por, në vend të kësaj, ne duhet të kujdesemi që fëmijët të bëhen si ne.

Kur fëmija i parë qau për herë të parë, të qeshurit u nda në një milion copa, dhe të gjithë kërcenin afër. Ky ishte fillimi i zanave.

Që të bëhen njerëz të mirë, fëmijët tuaj, shpenzoni dy herë më shumë para për ta dhe dy herë më shumë kohë.

Për fëmijët, dashuria është sinonim me kohën që u kushtoni.

Asnjë fëmijë nuk lind me një libër në krahë. Është detyrë e familjes ta vendosë librin në krahët e fëmijës.

Deri në moshën pesë vjeç, fëmijën tuaj ta keni si mbret, deri në të pesëmbëdhjetat si një shërbëtor, pas të pesëmbëdhjetave, si mikun tuaj.

Mos i burgosni fëmijët me dijen tuaj, sepse në kohë të tjera ata kanë lindur

Një nënë dikur i tha djaloshit të saj të vogël se Perëndia i bën njerëzit të mirë. Dhe ai u përgjigj: “Unë e di për Perëndinë, por ndihmojnë shumë dhe nënat”

Çdo brez thotë se sakrifikon jetën e tij për fëmijët. Përfundimisht, cili brez do të jetojë?

Të pasurit nuk kanë fëmijë, vetëm trashëgimtarë.

Prindërit u mësojnë fëmijëve të flasin, fëmijët u mësojnë prindërve të tyre heshtjen.

Tejkalimi i mbi-mbrojtjes prindërore është një lloj tjetër abuzimi.

Closeup portrait sad depressed, stressed, thoughtful, senior, old woman, gloomy, worried, covering her face, isolated black background. Human face expressions, emotion, feelings, reaction, attitude





Gashi: Nuk ka ndryshime të teksteve shkollore me këtë klasë politike të Serbisë e Kosovës

Alberina Haxhijaj

Sot në ditën e katërt të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” në Beograd është bërë promovimi i librit “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruan KultPlus.

Ky publikim jep një pasqyrë të periudhave më të rëndësishme në historinë e Kosovës, që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, dhe se si ato paraqiten në tekstet e historisë së vendeve të lartpërmendura. Librat e historisë së këtyre pesë vendeve, të miratuara nga ministritë përkatëse për arsim, shërbyen si burim themelor për krahasimin e ngjashmërive dhe dallimeve të paraqitura aty, duke theksuar se ku shfaqen gabime në secilën prej tyre.

“Karakteristika e parë është se të dy palët i prezantojnë vetëm krimet e palës tjetër dhe jo krimet të cilat i kanë bërë vet. Edhe kur i prezantojnë këto krime të palës tjetër çdo herë i ekzagjerojnë, i hiperbolizojnë dhe e përdorin një gjuhë tepër të rëndë sidomos duke e pasur parasysh se me këto tekste mësojnë fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme”, theksoi Gashi.

Ai tha se po ashtu nuk flitet as për bashkëpunimin që kanë pasur këta dy popuj gjatë luftërave të ndryshme ndër vite duke përfshirë këtu edhe atë kundër Perandorisë Osmane.

“Ndoshta është me rëndësi me e përmendë këtu se në tekstet në Kosovë e Serbi nuk përmendet askund se babai i heroit të shqiptarëve – Skënderbeut, ka qenë i martuar me një grua të një dere të njohur serbe, Vojsava Brankoviq. Nuk përmendet as që fëmijëve të tij ai ju ka lënë emra ortodoksë dhe nuk përmendet që motra e tij, Mara, ka qenë e martuar me Stefan Cernojevic, ose që djali i tij Gjoni ka qenë i martuar me çikën e tretë të një despoti serb”, theksoi Gashi.

Sa i përket përmirësimit të gjendjes nëpër tekste shkollore ai u shpreh se këto tekste nuk mund të ndryshohen përderisa e njëjta klasë politike është në pushtet.

“Nuk mundet me pas ndryshime të teksteve mësimore të historisë përderisa dy vendet si Kosova edhe Serbia udhëhiqen prej këtyre njerëzve momentalisht në pushtet. Përderisa Serbia udhëhiqet prej Aleksandër Vuqiqit që ka qenë një prej pjesëtarëve me të rëndësishëm të Partisë Radikale Serbe, nuk mundemi me pritë tekste tjera përveç kësi tekste që nxisin urrejtje e eliminojnë frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit në mes të të dy popujve. Në të njetën kohë nuk mundemi me prit tekste të tjera mësimore të historisë për shkollat fillore e të mesme në Kosovë përderisa ajo udhëhiqet nga Hashim Thaqi, për të cilin siç thotë raporti i Dick Martit flitet për përfshirjen e tij në krime të tmerrshme. Njëjtë përmendim edhe Ramush Haradinajn apo Kadri Veselin, për këtë të fundit sipas raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare thuhet se e ka udhëhequr për 10 vite një organizatë kriminale” tregoi sot në Beograd Gashi.

Publikimi i këtij libri sipas autorit ka për qëllim që në mënyrë indirekte të tregojë marrëdhëniet midis qeverive të pesë vendeve dhe mesazhin që u dërgojnë brezave të ardhshëm. Gjithashtu, libri përpiqet të vëzhgojë në mënyrë të qartë dhe faktike pretendimet shpesh kontradiktore të popujve në Kosovë.

Jelena Krstiq, aktiviste nga organizata Helsinki Committee for Human Rights, theksoi se tekstet shkollore në Serbi nuk i përfshijë shumicën e ngjarjeve që kanë ndodhur në 98-99. Kjo sipas saj ka ndikuar që njerëzit të mbesin të painformuar.

“Unë për luftën në Kosovë mësova vetëm me vonë pas vitit 2007 kur isha 20 vjeçare pasi që nuk dija asnjë gjë dhe vetëm atëherë i mora vesh ato që kanë ndodhur në Kosovë pasi që nuk mi mësoi askush këto gjëra. Ndoshta jam një nga qytetaret e Serbisë e cila për shqiptarët dhe për Kosovën nuk kam ditur shumë, nuk i kam ditur gjërat që më vonë do të më ndihmonin që të kem marrëdhënie me të mira”, theksoi ajo.

Ajo u shpreh se lufta e fundit në Kosovë tregohet vetëm përmes bombardimeve të vitit 1999, pasi atëherë ato bombardime kanë lënë dëmtime të mëdha dhe tregohen vetëm vuajtjet e serbëve. Krstiq theksoi se nuk tregohet epilogu se çfarë ka sjellë tek lufta.

“Mendoj që të rinjtë dalin të hutuar edhe pas shkollimit pasi nuk dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe nuk është e çuditshme se kemi të rinj pak më të rritur të cilët këmbëngulin që Kosova është pjesë e Serbisë”, theksoi ajo.

Stefan Milosavljevic, student dhe aktivist nga organizata Ëoman in Black në Serbi i cili ka lindur në Kosovë theksoi gjuhën e ashpër që përdorin serbët ndaj shqiptarëve, duke potencuar edhe atë të përdorur gjatë protestave që kanë shoqëruar këtë edicion të 6-të të festivalit në dy ditët e tij të para.

Sidomos ai vuri theksin te këngët që kanë kënduar serbët gjatë protestave, por edhe te deklara e bërë nga kryeministrja e Serbisë ditëve të fundit.

“Ajo që tha kryeministrja Ana Brnabic ‘Njerëzit e malit’, ja pra kjo është e pranishme në libra dhe në diskursin politik-mediatik”, theksoi ai.

Autori Shkelzen Gashi ka përfunduar BA në shkencat politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer master në universitete në Bosnjë dhe Sarajevë. Gashi ka publikuar botime të shumta, libra dhe artikuj rreth historisë së Kosovës./ KultPlus.com

1 Qershori i fëmijëve të Migjenit: “A po na blen bukë?”

Albin Kurti / Facebook

1 Qershori i fëmijëve të Migjenit: “A po na blen bukë?”

Gjithçka dukej normale.

Fëmijë të shumtë vraponin plot gaz e hare. Këndi i lojërave në parkun e kryeqytetit vlonte. Edhe të rriturit e paktë ishin bërë shend e verë. Ndoshta ngapak u mirreshin mendtë.

Dëgjoja emrin e vajzës sime që e thërrisnin të tjerë fëmijë. Dhe zërin e saj që thërriste fëmijë të tjerë. Gjithçka dukej më mirë se normale.

Nuk isha kush isha. Isha prindi i vajzës sime. Ashtu më shikonin. Ashtu ndjehesha…

Si për një shtyllë ajo tash mbahej për këmbën time. Edhe të tjerë fëmijë që dihasnin u ndalën rrotull nesh. Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë me ngjyra. Ishin pesë, njëra u largua tutje.

“A po na blen bukë?” Nuk isha i sigurt çka dëgjova. Ndoshta pse s’e besova menjëherë. Fytyrën time e pashë te pyetja që m’u përsërit. “A po na blen bukë?”.

Një bukë, kos, tri domate, gjashtë karrota, dhjetë salçice. Gjithsej: 3 euro e 40 centë.

Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët. Papunësia është individuale, varfëria është familjare. Fëmijët e familjeve të varfëra e bartin PANhajninë mbi supet e tyre të brishta.

Nga Bashkimi Evropian, privimi material, apo skamja, definohet si një situatë ku një individ nuk mund të përballojë të paktën katër prej këtyre në vijim: të paguaj qira, fatura apo këste të kredisë, ta mbajë shtëpinë ngrohtë, të mbuloj shpenzime të papritura, të ha mish apo peshk çdo dy ditë, një pushim njëjavor jashtë, ta ketë një veturë, makinë larëse, TV me ngjyra apo telefon.

Aq shumë fëmijë janë të varfër, të privuar nga rritja, që mbijetojnë në skamje.

Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë që nuk u shihet ngjyra nga pluhuri do ta hanë botën.

Asgjë nuk është normale.

Bekim Fehmiu luan rolin e një romi në filmin ‘Mbledhësit e puplave’

Në filmin e vitit 1967 – “Mbledhësi i Puplave”, aktori shqiptar Bekim Fehmiu luante rolin e një romi.

Dhe këto ditë, kur në Kosovë rikthehen debatet mbi racizmin ndaj romëve, duhet ta kujtojmë performancën e aktorit me përmasa botërore, i cili për më tepër sot ka edhe ditën e lindjes. Ai lindi më 1 qershor 1936 në Sarajevë.

Filmi 94 minutësh tregom mbi jetën e ciganëve dhe romëve në Jugosllavi, ndërsa krahas Bekimit – në rolin e Beli Pora Perjar, luan edhe Olivera Katarina e Bata Zhivojinoviq.

Në film ka edhe aktorë që e flasim gjuhën rome dhe që i përkasin komunitetit rom.

Titulli origjinal i filmit është ‘Skupljaci Perja’, ndërsa në anglisht ‘I even met happy gypsies’, me regji nga Aleksandar Petroviq.

Filmi u nominua në kategorinë “Academy Award for Best Foreign Language Film” dhe “Golden Globe Award for Best Foreign Language Film”. / KultPlus.com

‘Grueja don veç me ecë ndër njerëz si njeri, pa e vrarë, pa e shkelmu’

Entela Tabaku

Grueja ndër ne ka vetëm dy vende:
– ose e çojmë në qiell, këtë hyjni, i projektojmë në të tana virtytet dhe vlerat e kësaj bote si shufra të arta të një kafazi që rrin varë në ideale të pamunduna që ia marrin frymën.
– ose e hedhim përdhé, këtë hore, i projektojmë në të tana dështimet dhe zhgënjimet e kësaj bote si kamxhikë që i rrinë mbi krye gati me e qëllu dhe me ia marrë frymën.

Grueja asht njeri dhe don veç me ecë ndër njerëz si njeri, me kambët në tokë, me vlerat dhe gabimet e veta. Pa e varë (për flokësh) në qiell, pa e shkelmu (për vdekje) rrugësh.
Me e dashtë dhe me e shpëtu një gru ndër ne nuk don me thanë me e çu në qiell, i vjen dita dhe veç bjen ma randshëm. Don me thanë me e lanë me ecë në punën e vet. Secilën për vedin e vet, për jetën e vet. Si njeri.

‘…fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë…’

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.

Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.

Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.

Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë.

Kjo është logoja e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë

Në kuadër të manifestimeve për njëzetvjetorin e Çlirimit të Kosovës, të shtunën është prezantuar logoja e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, raporton TV Arta.

Kjo logo përmban numrin 20, bashkë me simbolin e pëllumbit, që është simbol i paqes. Ndërsa si slogan është përzgjedhur fjalia “Për lirinë tonë”, që është shkruar në tri gjuhët zyrtare të Kosovës e që është si falënderim për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Udhëheqësi i Ekipit zbatues për realizimin e agjendave shtetërore, Fehmi Mehmeti, deklaroi se përgatitjet janë në fazën finale dhe aktivitetet kryesore do të mbahen më 12 dhe 13 qershor.

Më 12 qershor do të mbahet edhe një tubim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, ku do të marrin pjesë edhe krerët e vendit dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu, do të përurohet edhe busti i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.