Sot është përvjetori i asaj që shumica e konsiderojnë arritjen më të madhe të shekullit 20.
Janë bërë 50 vjet që kur astronauti Neil Armstrong u bë njeriu i parë që shkeli mbi sipërfaqen e hënës. Astronauti tjetër Buzz Aldrin, shkeli pas tij pasi dolën nga sonda ateruese derisa astronauti tjetër, Michael Collins është sjellur rreth hënës në anijen kozmike Columbia.
Festimet që shënojnë këtë ditë janë planifikuar të ndodhin të shtunën përgjatë gjithë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shkelja e njeriut në hënë ka ndodhur të dielën e 20 korrikut të vitit 1969. /KultPlus.com
Në garën e dytë ndërkombëtare te Anibar shfaqen filma të cilat kryesisht e trajtojnë tjetërsimin, ngecjen e shoqërive në vese, traumat e jetës, stresin dhe depresionin dhe (fat)keqësitë. Pesë filmat që garojnë janë: “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit), Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage), “Natë e ëmbël” (Sweet Night), “Kojota” (Coyote) dhe Jeta24” (Life24).
Nuk ka asgjë me të lezetshme se sa koha e kaluar mes shokësh. Puna me ngarkesë domosdo ka nevojë për shkarkim. Filmi “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit) e regjisorëve, Frederic Siegel dhe Benjamin Morard, flet për punën dhe gjendjen psikologjike te një tekniku sateliti. Ai përballet me vetminë dhe punën me përgjegjësi. Duke e vërejtur tjetërsimin, pra faktin që është më shumë rob i punës së tij se sa i projeksioneve jashta saj, mendja e tij prodhon kaos, dhe ky kaos shkakton reaksion zinxhiror në hapësirë. Në botë ka të vetmuar dhe vetmitarë. Të parët e përjetojnë keq botën sepse përkundër se janë vetëm e përjetojnë veten si të tillë. Të dytët janë në harmoni me vetminë e tyre. Në të dyja rastet, tjetërsimi është një prej shkaktarëve.
Një kërkim në “Google” për ndonjë simptomë sëmundjeje sugjeron dhjetëra sëmundje tjera. Të jetosh vazhdimisht në pasiguri të të ardhurave, në rutinën e bezdisshme plot e përplot vese, dhjetëra sëmundje tjera janë buzë pragu. Regjisori Bruno Tondeur me “Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage) sjellë ikjet e zakonshme që bëjnë njerëzit si protestë ndaj realitetit të vrazhdë, dhe këtë e pasqyron përmes personazhit kryesor që është një djalosh që mendon se do të vdesë. Ai ka një punë, një banesë, depresionin dhe gjendjen e keqe fizike; me fjalë të tjera, shumë stres. Si shumë shoqëri moderne e post-moderne, ikja nga realiteti karakterizohet me konsumimin e drogërave, alkoolit, mbylljen në vetmi, shkëputjën nga realiteti. Për trembëdhjetë minuta ky animacion pasqyron të gjitha këto, dhe jo me pahir asocojnë me shumëkë.
“Natë e ëmbël” (Sweet Night) e regjisorës Lia Bertels shpërfaq nevojën që të theksohet e mira tek e keqja. Në qendër të këtij filmi është një ari që nuk po mund të bie në gjumin dimëror. Thuhet se arsyeja përse qëndrojmë zgjuar është kujtimi dhe pritja për diçka ose dikë. Ariu i filmit është në apati totale. Arsyeja e insomnisë së tij është një ëndërr e lënë në gjysmë. Një njeri (i pa takuar më herët) i shfaqet në ëndërr dhe nis të këndoj. Në momentin kur nis kënga ai zgjohet. Kjo për të ka kuptim depresiv: “mbase nuk i meritoj gjërat e bukura”. Në mes të kësaj katrahure, atij në ndihmë i vjen një majmun i bardhë i cili e shpie tek tezja e tij që ta hajë mjaltë magjike që e vë në gjumë. Në himalaje dhe në dimër, më në fund ariu e kupton se bëri mirë që nuk kishte fjetur deri atëherë. Gjëra më të bukura ndodhin kur jemi zgjuar.
Një familje kojotësh janë duke u ushqyer me prehen e tyre. Një llavë ujqish i dallon ata dhe në sulm e sipër e vrasin pothuajse tërë familjen dhe ua hanë prehen. Mbetet vetëm kojota mashkull. Në filmin “Kojota” (Coyote) të regjisorit Lorenz Wunderle, trajtohet mostejkalimi i traumës. Me gruan dhe fëmijët e vrarë kojota nuk mund t’i jap kuptim jetës. Ata janë çdokund. Dita e tij karakterizohet me kujtimin traumatik të tyre. I zhgënjyer nga emocionet njerëzore, ai përpiqet ta kalojë këtë gjendje, por ajo sa vjen e rëndohet. Ngecja në traumë shpie në rrugë qorre. Filmi “Kojota” na rrëfen këtë.
Një sulm me armë ndodh në një rrugë. Katër personazhe dalin nga vetura, por me t’u futu brenda ajo nuk ndezet. Që të shpëtojnë duhet të arratisen dhe ta hudhin veturën në erë. Bomba e hudhur merrë trajtë të një gjallese dhe përmes melankolisë pranon fundin e vet shkatërrues. Në proces e sipër ajo zbulon dhe liron një njeri të strehuar në bagazh. Filmi “Jeta24” (Life24) e regjisorit Kristjan Holm sipërfaqëson jetën e shthurrur të beqarit Einar Jernskjegg. Si i pandreqshëm që është, 24 orët e jetës së tij janë mjaft të përçudnuara. Ai me vullnet të lirë dhe pas një nate të egër futet në bagazhin të një veture të parkuar. Kjo veturë vidhet dhe hudhet në erë, por që beqari i pandreqshëm Einar e fiton lotarinë: jeta e tij shpëtohet nga një bombë. Nganjëherë moskokçarja ka simotër fatin e mirë.
Pas suksesit dhe vëmendjes që Jonida Maliqi mori gjatë Festivalit Europian veçanërisht për fuqinë vokale dhe si këngëtarja me zërin më të mirë dhe të kënduarin më të saktë, vlerësimet vijojnë për të.
Jonida është nominuar nga Eurovision NI Awards 2019 në kategorinë Zëri më i Mirë Live. Në këtë edicion të katërt, një juri ekspertësh ka vlerësuar artistët dhe këngët që morën pjesë në Eurovision 2019, duke i ndarë në 19 kategori të ndryshme.
Më pas është publiku që vendos fituesit në secilën kategori. Eventi do të mbahet më 5 tetor 2019 në Belfast, Irlandën e Veriut. Vitin e kaluar mes fituesve ishin Eugent Bushpepa si zëri më i mirë live, Eleni Foureira si artistja më e mirë femër, grupi më i mirë Madame Monsieur, kënga më e mirë “Fuego”, etj. /Eurovision Albania/ KultPlus.com
Është e pamundur të shkosh në një vend të Evropës, madje dhe të botës dhe të mos gjesh shqiptarë. Diku të vendosur rishtazi dhe diku me rrënje thellë në histori, duke krijuar edhe komunitetin e tyre. I tillë është edhe Mandrica, një fshat në Bullgari, i cili është themeluar nga shqiptarët në vitin 1636.
Ditët e fundit ky fshat është vizituar nga Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, Donika Hoxha dhe Edon Cana. Ata kanë takuar zonjat shqipfolëse të fshatit dhe bisedojnë në gjuhën shqipe. Mandrica është një fshat në kufirin jugor të Bullgarisë pjesë e rrethit të Ivajlovgradit, provinca Haskovo. Është një nder të rrallët fshatra shqiptarë në Bullgari.
Popullsia e këtij fshati në vitin 2006 ishte 75 banorë. Mandrica është vendosur në bregun e djathtë të lumit Bella Reka në pikën më lindore të maleve Rodope 15 kilometra në jug të Ivajlovgradit dhe dy kilometra larg lumit Lluda Reka, i cili njëkohësisht formon vijën kufitare bullgaro-greke.
Historia e fshatit shqiptar
Fshati Mandricë u krijua më 1636 nga disa barinj ortodoksë shqiptarë që furnizonin ushtrinë otomane me produkte qumështi. Ata u lejuan të merrnin një copë tokë dhe të mos pagonin taksa. Pjesa më e madhe e shqiptarëve erdhën në shekullin XVIII nga rrethinat e Korçës dhe në shekullin XIX nga rajoni i Sulit që ndodhet në Greqinë e sotme. Banorët i ruajtën veshjet kombëtare suljote deri në shekullin e 19-të kur fustanella u zëvendësua nga pantallonat thrakiane, ndërsa veshjet e grave u ruajtën deri në kohën e emigrimit në masë në Greqi.
Në shekullin e 19-të Mandrica ishte një qytet i vogël shqiptarësh në kazanë e Dimotkës. Në vitin 1873 ishte një vendbanim me 250 shtëpi, me rreth 1080 banorë shqiptarë. Në 1908 burimet greke e quanin popullsinë prej 3500 banorësh si “grekë shqipfolës shumica e të cilëve fliste edhe greqisht”. Profesionet kryesore ishin rritja e mëndafshit, kultivimi i duhanit, artizanati dhe tregtia. Fshati kishte tre institucione arsimore greke: një shkollë për djem, një shkollë për vajza dhe një kopësht fëmijësh. /KultPlus.com
Në pamje të parë kjo tablo të krijon një impakt drithërues të asaj ndeshjeje epike, e cila edhe pse e krijuar pothuajse nga asgjëja, ka arritur të vendosë bazat e forta të një dëshmimi historik, të një momenti kapërcyell, ku ajo që triumfon është forca e kurajës dhe vetëmohimit të një gruaje, të një martireje në atë që ajo beson.
Tabloja kompozicionale, “Maro Konda”, e realizuar nga piktori dhe ilustruesi korçar Lazar Taçi, në fund të viteve ’80-të, është një prej atyre përfytyrimeve krijuese, të cilat rreken të shpërfaqin përmes imazhit, shprehshmërisë artistike, një etapë të caktuar, një moment historik që koha dhe kujtesa, gati sa nuk e kishin shpërbëtë tërësisht. E parë në një rrafsh estetik, “Maro Konda”, dallon për dinamizëm dhe shprehi të theksuar të aktit të trimërisë së gruas labe, në përleshje të pabarabartë me jeniçerët osman. Është një ndeshje finale në një akt sublim sakrifikimi. Sytë e shastisur të jeniçerit në përpjekjen e dështuar nga ky sulm vetëvrasës i Maros, piktori i ka përcjellë me tone dramatike. Ai vrull në tatpjetën e pjerrët të humbëtirës të kësaj zemërluaneshe është një fokus që artisti e ka plazmuar me një tërësi komponentësh rrëfyes. Gati gati ajo i ngjet një shqiponje e cila vërsulet përbindëshit që rrezikon të vegjlit e saj. Hidhet furishëm mbi kërcënimin si mbi vdekjen që e përjetësoi akti.
Fillesa e veprës vjen nga një revistë e kohës, ku i kërkohet të bërë ilustrimin e një tregimi. “Në atë kohë punoja tek revista “Pionieri”, kujton krijuesi, jo vetëm për këtë figurë, për të gjithë figurat e mesjetës, por edhe për figurat e nacionalçlirimtare, shumë prej tyre detyroheshim t’i sajonim, sepse nuk ekzistonte materiali fotografik. Nuk kishte asnjë të dhënë vizuale mbi heroinën dhe e gjitha gjithë figura e saj është fantazi e piktorit. Dihej se ishte nuse nga fshati Fterë, shprehet piktori. U mundova të gjeja nëpër enciklopedi të ndryshme veshjet turke të asaj kohe. Personazhi është Maro Konda, trime labe. Jetoi në fillim të shekullit XVI. U martua në Çorraj. Në vitin 1537, në mbrojtje të luftëtarëve çorrjotë, sakrifikoi veten duke hedhur në greminë një numër jeniçerësh turq, së bashku me veten e saj. Ngjarja zhvillohet në Çorraj të Labërisë, ku në shekullin XVI u dyndën taboret osmane për ndëshkim. Burrat u fshehën nëpër shpella, maleve përreth. Osmanet zunë burimet e ujit. Një ditë aty u pa Maro Konda, që donte t’u dërgonte ujë burrave. Pamundësia për ta përmbushur misionin e gruas, nuk mund të gjunjëzonte zemrën e saj, e cila do të hidhej në një përleshje epike, në një vërshim të përbindshëm. Dhe në këto rrethana të sendërtuara dhe të mëtuara në trajtën e një krijimi, lindi Maro Konda. Erdhi prej atje ku shkrepat ruanin ende në kujtese atë vërshim të pandalshwm drejt lartwsimi nw heroizwm. Nëpërmet kësaj nuk u lindi vetëm ajo grua e rrallë për nga trimëria dhe guximi, për nga sublimja e sakrificës, u end për të mos u shuar kurrë ,ajo ngjarje, ato regëtima jo shumë të qarta, por të vërteta, që kishin mundur të mbërrinin deri në thellësi të kohës, si në një përpjekje për të sfiduar mbi asgjësimin.
Bëmen e kësaj historie populli e përjetësuar në vargje, në ato vargje, të cilat janë thelbi i gjithë asaj historie, i atij akti të pashoq të trimëreshës, i asaj gruaje sakrifikuese. Gojë më gojë, e brez më brez mbërriti deri në mosharrim ajo shkrepëtimë e vetëtimshme e shembullit që gjunjëzon çdo përfytyrim dhe lartëson çdo epje krijuese.
Populli i këndoi: “Bijë Fterre, nuse Çorre, Djalin më të mirë more, Po ç’e do, nuk e gëzove, Nga shkëminjtë u lëshove, Turqitë prapa ç’i more, S’more një, po di taborre…”
Lazar Taçin ia ka dalë që faktin historik, për të cilin nuk kishte njohje fare apo thjesht një vizion të vakët, ta shndërrojë në fakt artistik, duke dhënë një kompozim me vlerë. Në një farë kuptimi kompozimi kthehet në një lloj indentikiti shprehës i ndodhisë, duke të bindur vizualisht për vërtetësinë e saj.
Cili është Lazar Taçi? Lazar Taçi u lind në qytetin e Korçës në vitin 1942 në një familje të kthyer në vitin 1938 nga një migrim i gjatë në Odessa, Rusi. Në vitet 1954-1960, Taçi ka studiuar në Shkollën e Arteve të Tiranës, ndërsa në vitet 1961-1966 zhvillon studime në Akademinë e Arteve në Tiranë. Duke punuar fillimisht si mësues vizatimi, pas arrestimit të nënës së tij, për arsye politike, për një periudhë prej 12 vjetësh (1967-1979) janë privuar nga mundësia për të marrë pjesë në aktivitetet e artistike të vendit, dhe kjo e detyroi atë të kushtonte ilustrimit. Rezultati i shumë viteve në këtë zhanër janë qindra ilustrime të revistave të fëmijëve dhe të rriturve, dhjetëra libra. Në vitin 2000 u zgjodh për IBBYl Honor List. Pjesëmarrës katër herë në Bienalen në Bratislavë BIB (1997, 1999, 2001, 2003). Krijuesi i shtatë filatelive 1990-2007.
Sfida krijuese e Lazar Taçit, natyrisht që nuk u përfaqësua vetëm me punën “Maro Konda”. Ai ka një galeri të pasur punësh, ku spikat një lloj uniteti dhe veçantie krijuese. Si peizazhet ashtu edhe personazhet që la në galerinë e tij, janë punë që pasurojnë njohjen tonë me këtë artisti. Nga punët e tij mund të kujtojmë; “Dëshmorët e ambasadës” 1951, “Qyteti i bekuar i Krujës”, “Vjeshtë e vonë në Gjirokastër”, “Marina”, “Mulliri i vjetër në Drenovë”, “Edith Durham, një mike e shqiptarëve”, “Voskopoja” 2007, “Rebelimi në ferr”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, “Hetimi”-triptik, “Apassionata”, etj. Personazhet historike, episodet dhe ngjarjet, shquhen për një vërtetësi dhe gjallëri, për dinamizëm dhe shprehi koloristike. Peizazhet karakterizohen nga një shtirje e qëllimtë për të përmbushur sa më me plotësi atë çfarë ai sheh dhe kumton. /Albert Vataj/ KultPlus.com
Sopranoja Inva Mula dhe violinisti Florian Vlashi do të interpretojnë në festivalet respektive, që ata organizojnë këto ditë në Korçë dhe Durrës.
Dy artistët e njohur shqiptarë, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë e kanë në Francë dhe në Spanjë, do të jenë protagonistë me koncertet e tyre në Bienalen e Muzikës Klasike Durrës dhe në Festivalin MIK në Korçë.
Jo vetëm kolegë, por edhe miq, Mula dhe Vlashi, që të dy bij artistësh mjaft të njohur, kanë shprehur prej kohësh edhe konsideratat e tyre më të mira për aktivitetet artistike në Durrës dhe Korçë.
“Bravo Florian, të jam shumë mirënjohëse për çka bën ti dhe familja jote për artin dhe mbi të gjitha për vendin, i cili ka shumë nevojë për energjinë dhe talentin tënd”, shkruan Inva Mula për Bienalen që ka startuar në vitin 2003, duke uruar “që ky festival të ketë jetëgjatësinë dhe dhe të shndërrohet në pikë referimi për të gjithë artdashësit dhe artistët kudo qofshin”.
Florian Vlashi ndjehet i nderuar që sopranoja do të hapë edicionin e radhës së Bienales më 1 gusht. Ai shkruan se “Inva është një rast unik në artin shqiptar, sepse rrallë, shumë rrallë takon njerëz që kanë brenda vetes në një përmasë të habitshme talentin, kulturën, mirësinë, inteligjencën, shqiptarizmën, personalitetin, elegancën, rezistencën, bukurinë”.
Sipas instrumentistit durrsak, “Inva është një diamant i mirëfilltë dhe, si të gjithë sistemet kristaline ka shumë faqe, të cilat janë në një harmoni të përkryer me njëra-tjetrën. Dhe kur aty hyn pak dritë, ajo shndërrohet në një magji”.
Florian Vlashi do të ngjitet në skenën e teatrit “A Z Çajupi” të Korçës më 25 korrik i shoqëruar nga pianistja Fjorda Veizaj dhe do të interpretojë Sonatën “Espanola” nga Joaquin Turina, si dhe “Valle spanjolle” nga Enrique Granados. Mbrëmja e dytë e Festivalit MIK që organizohet nga Inva Mula i dedikohet muzikës spanjolle dhe Floriani së bashku me artistet Etleva Shemai dhe Juliana Laskaj do të vijojë interpretimin në Pazarin e vjetër të qytetit me Flamenco “Bordoneo”.
Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupin instrumental “Shekulli i XX” një javë më vonë do të jenë në Durrës për të çelur edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.
Bienale NMK këtë vit i dedikohet binomit “Muzika dhe vena” – tha Florian Vlashi, duke shtuar se koncertet do të organizohen nga 1-7 gusht në hotel “Adriatiku”.
Një nga xhamitë më të hershme në botë, e ndërtuar rreth 1,200 vjet më parë, është zbuluar nga arkeologët në shkretëtirën Negev të Izraelit.
Mbetjet, që datojnë nga shekujt VII-VIII, u gjetën në qytetin beduin të Rahatit. Autoriteti i Antikitete të Izraelit thotë se xhamia u zbulua gjatë ndërtimeve në zonë.
Drejtuesit e gërmimeve, Jon Seligman dhe Shahar Zur, thanë se xhamia është “zbulim i rrallë kudo në botë”. Ndërtesa ishte e formë drejtkëndore, kishte vendin e imamit dhe ishte e kthyer drejt Mekës (vend i shenjtë islam).
“Këto karakteristika janë prova për qëllimin që ishte përdorur kjo ndërtesë”, ka thënë Seligman.
Pesë ditë radhazi, pesëmbëdhjetë nxënës kanë qenë pjesë e aktiviteteve për zhvillimin e mendimit kritik.
Ushtrime të ndryshme kanë nxitur avancimin e të menduarit të tyre.
Atyre u janë shërbyer shembuj se si të argumentohet me fakte dhe si të mbrohen nga informacionet të cilave u ekspozohen.
Pesëmbëdhjetë të rinj nga Kaçaniku janë bërë pjesë e kampit veror të organizuar nga “BoneVet”, si pjesë e programit “BRICK”, të mbështetur nga CDF-ja.
Aktivitetet kanë përfshirë edhe lojëra të cilat kanë bërë që nxënësit të njihen më shumë mes vete.
Ata tashmë kanë krijuar një rreth të ri shoqëror, pasi që programi BRICK si i tillë synon socializmin e nxënësve nga shkolla të ndryshme.
“Sistemi arsimor dhe gjendja e tij në Kosovë”, ka qenë tema mbi të cilën këta të rinj kanë mbajtur një diskutim, ndërsa janë ndarë në dy anë, duke mbrojtur qëndrime të kundërta.
Pika kryesore ku është mbështetur debati, ka qenë përdorimi i fakteve.
Nxënësit thonë se kanë përfituar shumë gjatë këtyre pesë ditëve, sa i përket të menduarit kritik dhe mënyrës së diskutimit.
Ariana Çaka nga “BoneVet” në Kaçanik thotë se e kanë mirëpritur këtë bashkëpunim që të rinjtë e kësaj komune të përfitojnë nga trajnime të tilla.
Kampi veror do të vazhdojë edhe për dy javë, ndërsa aktivitetet e javës në vazhdim do të jetë të orientuara rreth mendimit kreativ.
Nxënësit, pasi të kenë përfituar nga këto dy shtylla të të menduarit, do të vendosin në praktikë njohuritë e tyre në dizajnimin dhe zbatimin e një projekti.
Të rinjtë e Kaçanikut, pas përfundimit të kampit njëjavor për mendimin kritik, janë shpërblyer me certifikata.
Programi “BRICK” është i fokusuar te të rinjtë dhe ka për synim zhvillimin e tyre në fusha të ndryshme. /Koha ditore/ KultPlus.com
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Prifest 2019, Bujar Alimani regjisori i “Delegacioni” që u shfaq në këtë festival filmi, foli rreth projektit të rradhës. Bëhet fjalë për një film që ka në qendër burrneshat, një fenomen autentik shqiptar.
Duke pasur parasysh se burrneshat gjenden në Shqipërinë e Veriut, kasta e aktorëve do të përbëhet kryesisht nga folës të gegërishtes. Sipas Alimanit, kjo do t’i japë filmit origjinalitet dhe do të përcjellë kulturën e këtij rajoni te shikuesit.
Audicionet ishin të hapura në Shqipëri dhe Kosovë dhe përzgjedhja e aktorëve është bërë tashmë. Çun Lajqi, Astrit Kabashi, Aurita Agushi, Gresa Pallaska, Fatlume Bunjaku, Andi Bajgora, Lum Veseli, Blerta Surroi dhe Alban Ukaj do të aktrojnë përkrah Viktor Zhustit, Lulzim Zeqës, Gëzim Rudit dhe Nik Xhelilajt. Ky i fundit, sipas Alimanit ka një rol kryesor. /KultPlus.com
Në të vërtetë nuk filloi kurrë Por ishte kaq e vërtetë në zemrën time Pastaj ti fole e me the: Nëse je kaq gazmor Pse je i vetmuar këtë natë? Nëse jeni kaq i mençur Pse je i vetmuar këtë natë? Nëse jeni kaq i këndshëm, Pse jeni vetëm këtë natë? Nëse qenkeni kaq i bukur Atëherë pse po flini vetëm sonte? Sepse sot është siç çdo natë tjetër Ja pse jeni vetëm sonte! Me triumfin e imazhit tuaj Teksa ata rrinë në krahët e njëri-tjetrit
Dua Lipa së shpejti do të rikthehet në Kosovë. Në datat dy, tre dhe katër gusht do të mbahet festivali ndërkombëtar, “Sunny Hill Festival”, në Kosovë. Në mesin e shumë emrave të njohur, që do të marrin pjesë në festival, është dhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa.
Ajo me anë të një statusi në Instagram është shprehur mjaft e lumtur që për të dytin vit radhazi do të jetë pjesë e këtij festivali në Kosovë.
“E ngazëllyer për vitin e dytë të ‘Sunny Hill Festival’ në Prishtinë,Kosovë. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e të gjithë miqve dhe familjarëve tonë që kanë punuar pa pushim që kjo të ndodhte për ju. Unë mezi po pres të jem aty … fillon numërimi mbrapsht!!! ”, – shkruan Dua Lipa. /KultPlus.com
Faik Konica mbetet një intelektual i papërsëritshëm edhe në ditët e sotme. Një njeri mendjendritur jo vetëm si politikan por edhe si publicist e shkrimtar që pasuroj mendimin letrar shqiptar.
KultPlus sjell vetëm disa prej shprehjeve më të bukura të Faik Konicës:
Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”
“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.”
“Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.”
Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.
Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.
Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.
Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.
Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirëinformuar. Në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.
Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.
Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.
Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme.
Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.
Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.
Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.
Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.
Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!
Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.
Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.
Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.
Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.
Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.
Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.
Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.
Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.
Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.
Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.
Nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.
Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh. / KultPlus.com
Pak pas lansimit nëpër kinema të filmit të fundit të Quentin Tarantinos, “Once upon a Time in Hollywood”, temë e mediave sërish është premtimi i regjisorit të famshëm se do të pensionohet kur e përfundon filmin e tij të dhjetë! Nëse ky plan realizohet, cili do të jetë filmi i tij i radhës? Pjesë të shkrimit të gazetarit Zach Vasquez, të publikuar në Guardian, Telegrafi sjell më poshtë.
Që nga citi 2017, Tarantino ka folur për një film në kuadër të serisë “Star Trek”, që do të jetë në bashkëpunim me producentin JJ Abrams dhe shtëpinë kinematografike “Paramount Studios”. Në një intervistë dhënë së fundi, e shprehu sërish interesimin e tij për këtë projekt, si dhe përkushtimin për t’u larguar nga regjia.
Vet ideja për një film të tij në hapësirë, me anijen kozmike “Starship Enterprise”, po intrigon adhuruesit duke shtuar spekulimet se nuk do ta përmbush limitin e imponuar për filmin e dhjetë.
“Mendoj se e kam një shteg dhe ideja ishte të hedh një shteg në të. Kjo do të jetë… Uh, besoj që ‘Star Trek’ nuk llogaritet, por mund ta bëj… Do të ishte filmi i fundit. Por, nuk e di nëse do ta bëjë. Mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Përkundër interpretimeve të ndryshme të fjalëve të tij, duket se filmi i fundit i tij si regjisor mund të jetë “Star Trek”. Por, këtu është një detaj akoma më i çuditshëm që e bën këtë ide të paimagjinueshme: askush nuk pret të shoh një “StarTrek” të vlerësuar me R (nuk lejohet për persona nën 17-vjeç, pa përcjelljen e të rriturve – v.j.) e aq më pak nga një prej regjisorëve më kontrovers! Çudia këtu është edhe fakti se Mark L. Smith, i cili ishte bashkë-skenarist i filmit “The Revenant”, është angazhuar për këtë punë. E, nëse gjërat vazhdojnë siç kanë nisur, kjo është hera e parë që Tarantino po e bën një film të fantashkencës e po ashtu të parin që nuk e ka shkruar.
Filmi i tij i fundit, “Once Upon a Time in Hollywood”, duket të jetë filmi i tij më personal deri sot, si dhe shprehja më e pastër e interesave dhe obsesioneve të tij: filmi dhe televizioni; vendlindja e tij, Los Anxhelesi; kryqëzimi i historisë së Amerikës dhe mitologjisë; dhe, zanati i aktrimit! Ndoshta Tarantino synon që ky film të jetë deklarata e tij e fundit personale si regjisor, për të dal pastaj në pension me film të buxhetit të madh.
Sigurisht, çdo spekulim duhet të marrë parasysh historinë e projekteve që Tarantino ka nisur e që nuk janë realizuar: vazhdimi i filmave “Reservoir Dogs” dhe “Pulp Fiction”; adaptimi i veprës ë Elmore Leonardit, “Forty Lashes Less One”; biopiku për John Brownin; vazhdimi i filmit “Inglourious Basterds” i quajtur “Killer Crow”; dhe, natyrisht, pjesa e fundit e trilogjisë “Kill Bill”. Po ashtu, “Star Trek” nuk është rasti i parë i një serie filmike ku përmendet emri i tij. Më herët është përmendur p.sh. adaptimi i romanit “Casino Royale” të Ian Flemingut, me Pierce Brosnanin në rolin e James Bondit. Ndërkaq, është përmendur një herë edhe bashkëpunimi me shtëpinë botuese “Marvel” për një version të superheroit “The Silver Surfer”.
Ajo që dihet tash është se… çfarëdo që zgjedh për filmin e dhjetë dhe të fundit, kjo nuk do të thotë se vendimi mund të jetë përfundimtar. P.sh. Steven Soderbergh u tërhoq nga regjia më 2013, për t’u rikthyer katër vjet më vonë. /Telegrafi/KultPlus.com
Mandatory Credit: Photo by Anthony Harvey/Shutterstock (10242889dk)
Quentin Tarantino
‘Once Upon A Time in Hollywood’ photocall, 72nd Cannes Film Festival, France – 22 May 2019
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se artistët mirëpresin projektin e ri të Kampusit të Universitetit të Arteve duke sjellë fjalët e kompozitorit të njohur, Aleksandër Peçi.
“Projekti i kampusit Universiteti i Arteve duket si një ëndërr kaq e bukur, kaq e mrekullueshme, kaq e jashtëzakonshme, saqë duam të dalim sa më shpejt nga kjo ëndërr, e ta shohim realisht, ta ndjejmë realisht, të emocionohemi realisht nga tingujt që do ta përshkojnë këtë hapësirë gjigante rrethore të një karuseli gjigant që ka kampusi”, – tha Peçi.
Sipas tij, kjo formë karuseli i jep ndjesinë e formës së veprës së tij “Carousel structure CD Made in USA New York production”.
“Unë e imagjinoj bukur shumë e sa do doja ta shkruaja një vepër të re me një strukturë carousele për inaugurimin e kampusit, ku të hyjnë në një vizion eliptiko-rrethor tingujt e epokave klasike dhe ato moderne. Kjo ide e arkitektit përputhet me idenë time që një konservator, përveçse duhet të konservojë traditën botërore e shqiptare, duhet të jetë edhe një iluminator për të ndriçuar epokat që vijnë. Dhe këtë dinë ta bëjnë vetëm artistët vizionarë”, – përfundoi kompozitori Peçi.
Një ditë më parë, u prezantua projekti i kampusit të Universitetit të Arteve.
Ngritja e kampusit të ri do të ofrojë ambiente të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, jo vetëm një sallë historike shfaqjesh të rikonstruktuar, por edhe salla të reja, që do t’i shërbejnë jo vetëm procesit studimor, por do të shtojnë hapësirat performuese për të gjithë artistët.
Gjithçka në jetën e poetit lirik, Frederik Rreshpja, nisi si një psherëtimë e zëshme përkoreje në qytetin e Shkodrës 79-vite më parë, më 19 korrik 1940. Erdhi në jetë si një amanet dhe përfundoi si një anatemë.
I ngjizur me dashuri dhe forcë besimi katolik, kurmi i këtij njeriu do të ecte në të zakonshmen, deri kur një shkreptimë fatkeqe dashurie e goditi në zemër duke i thyer shpirtin.
Gjithçka në jetën e tij do të ndryshonte kur ai do të ishte ende i ri. Një zjarr dashurie që shpërtheu si një vullkan do të bëhej për këto vullnete të stuhishme ndjenjash të hyjshme, një ferr, ndoshta pikërisht ai për të cilin Dante mëton në “Komedinë Hyjnore”. Pati një trashëgimtar, të cilit nuk i’a ktheu asnjë Odiese. Lënda tragjike e jetësores që mëtoi, e ngjeshi këtë magmë, duke e ngurtësuar në humusin e fateve tragjike, në dëshmimin e ngjizur me dhimbje dhe trishtim.
Frederik Rreshpja erdhi për të mbetur një zë kushtrues në lirikë, një përjashtim në lëndën e ngjizjes, një vetvete e tallazuar trazimesh në jetë. Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës dhe në mirënjohjen e gjeneratave, se sa ai. Jetoi gjithnjë në tehun e rrezikut dhe kumtoi në poezi thelbin tragjik. Jetoi me dhimbjen dhe absurdin, gjithëçmosin, si në një marrëdhënie të vetme ekzistimi, deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, e atë kurm të drobitur nga hekat dhe vetmia.
Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e nuk e ndali luftën përkundër asgjëje. Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues.
Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të fatit dhe vetmisë që e cytin si një zë nimfash, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbërritur gjithnjë në një tokë të pashkelur. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë mbi supet i rëndon një gurë i stërmadh që vetëm rritet. Në tokën që gjithnjë rrëshqet për nën këmbë ai është një Ante.
Vitet e një stine të ndëshkimi, mohimi, harrimi dhe mospërfillje do ta përndjekin këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë, si të vetmin armik që duke i thyer zemrën, ai i theu enën e fatit, copëzat e së cilës i shpojnë këmbët e çjerrin qiellin. Gjithqysh ai ishte këtu. Është ende këtu në mungim.
Pavarësisht nëse ai deshi, apo dikush u përpoq ta anatemonte duke e martirizuar, ai u bë ndër zërat më dëshmues të kohës. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force, që mëson të ndërtojë vetveten, duke u përleshur gjithmonë dhe me gjithçka. Në tehun e vetëtimava ai e ka mprehur mendimin, në tharmin e zemërimit të tokës, në llavën e vullkanit, ai ka ngjyrë penën, për të dëshmuar atë që i duhej brezit për të bërë atë që bënte më mirë, për të qenë poet. Ai është në zërin dhe zemrën e secilit prej nesh që jeton në vetminë e tij, që ndjen pulsin e e betejave të tij që janë edhe tonat. Ai la një testament dhe një shpirt. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik. /KultPlus.com
Vetëm 1.4% e aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë janë nën mbrojtje të përhershme.
Sipas gjetjeve të KDI-së, ka pasur raste kur asetet e trashëgimisë kulturore shpesh janë gjetur në tregun e zi, sidomos në Gjermani, raporton KTV.
Në Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji, këtë të mërkurë, u diskutua për zbatimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe u tha se institucionet e vendit vazhdojnë të mos kenë qasje në disa prej objekteve që janë pjesë e Kishës Ortodokse Serbe.
Por, zyrtarë të Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, thanë se sa herë që kanë pasur probleme me Kishën Ortodokse, i kanë adresuar ato.
Pos kësaj, problem është edhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore në pronat private.
Ndërsa, anëtarët e këshillit të Trashëgimisë Kulturore kanë thënë se Ministria e Kulturës, kundërligjshëm po merret me hartimin dhe njëkohësisht zbatimin e projekteve.
Në këtë diskutim u përmend se si trashëgimia kulturore dhe asetet e saj nuk po përdoren për përfitime ekonomike.
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin “Nobel” për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija /KultPlus.com
Honore
de Balzak, ishte njëri nga
shkrimtarët më të mëdhenj
të gjysmës së parë të shekullit 19. Ai lindi në Turs më 20 maj të
vitit 1799. Studioi për
oratori dhe letërsi në
Vendome, aty dhe e nxjerri në pah
talentin e madh për letërsi.
Honore ishte frekuentues i rregullt i salloneve, dhe shumë i pasionuar
si pas jetës mondane ashtu dhe pas grave fisnike të oborreve të ndryshme, të cilat
i përshtateshin më së miri. Megjithëse ishte vazhdimisht i persekutuar nga
njerëz të cilëve u detyrohej para, Balzaku për një farë kohë arriti të
realizonte ëndrrën e tij për të qenë njëri i pasur.
Balzaku dominon gjithë shekullin e XIX. Gazetar,
industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet,
figurë brilante e një shoqërie së cilës ai përfundon duke iu imponuar, Balzak
përzihet me “fëmijën e shekullit” duke kontribuar në krijimin e një miti : një
burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtar, i plagosur
nga kontradiktat e jetës moderne. Në qoftë se Balzaku shpallte dy të vërtetat e
tij, fronin dhe altarin, Hygo dallonte tek ai një shkrimtar revolucionar ;
ndërsa bashkëkohësit e tij e merrnin për realist, Bodleri e përshëndete si një
vizionar të mrekullueshëm. Vepra e tij përshkohet nga tensione dinamike dhe
kritike. Ajo jeton : Është ky kompleksitet i pabesueshëm që e bën “Komedinë
njerëzore” vepër madhore me përmasa botërore.
Veprat më të rëndësishme të
Balzakut
“Xha Gorio”, “Evgjeni Grande”,
“Fajdexhiu”, “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve”,
“Iluzionet e humbura”, etj…
Balzaku është i njohur edhe për shumë thënie me
vlerë për shoqërinë, jetën, dashurinë…
KultPlus jua sjellë disa prej tyre:
“Zemra e
një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e së cilës do të gjesh faljen”.
“Vetmia
është e këndshme, por secili ka nevojë për dikë që t’ia thotë këtë gjë”.
“Gjithë lumturia varet nga kurajoja dhe puna”.
“Është absurde të mendosh se si dikush nuk
mund ta dojë një femër përgjatë gjithë jetës. Është njësoj si të mendosh se një
artist i mirë ka nevojë për disa violinë që të ekzekutojë një melodi”.
“Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të
ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të
bukura”.
“Asgjë nuk është më e keqe në shoqëri kur ekziston besimi nga
një shok se është superior ndaj tjetrit”.
“Të lexuarit na sjell miq të panjohur”.
“E gjithë lumturia varet nga kurajoja dhe puna”. /KultPlus.com
13 filma të punuar nga studentët dhe të vlerësuar si filmat më të mirë të shkurtër të animuar nga shkolla e filmit “Animation Workshop”, u shfaqën dje në Kinemanë ‘’Jusuf Gërvalle”, në kuadër të edicionit të dhjetë të Anibar.
Filmat u prodhuan nga studentët e shkollës së filmit “The Animation Workshop/ VIA University Collage”, në Danimark. Përmes animacionit filmat preken tema aktuale në shoqërinë e sotme si racizmi, tabuja, riciklimi; mbrojtja e ambientit, etj.
Këta filma u pritën mirë edhe nga pjesëmarrës në festival që paten mundësi t’i shikojnë. Antik Doli, pjesëmarrës tha se filmat kanë qenë unik, dhe kanë shfaqur fuqi dhe ndikim.
“Secili prej filmave ka qenë unik në stil, mesazh dhe realizim. Gjithçka ka pas fuqi edhe ndikim tek shikuesit duke filluar nga animacioni tek audio”. Dafina Vokrri, një pjesëmarrëse tjetër për filmat tha se secili ka pasur rendësin dhe mesazhin e vet. ‘Më pëlqeu idea e organizimit, tu e pas parasysh se secili film i shfaqur e pati rëndësinë dhe mesazhin e vet. “
Po ashtu, ajo shtoi se për të kuptuar filmat e animuar kërkon vëmendje të madhe, por megjithatë ajo japin kënaqësi të jashtëzakonshme. “Ndonëse nevojitet koncentrim për të zgjidhur enigmat e dhëna, këta filma sjellin kënaqësi të jashtëzakonshme dhe udhëzime mbi jetën, dëshirat, pengesat.”
“Best of Animation Workshop” po shfaqën në kuadër të Anibar, që u hap me 15 korrik dhe vazhdon deri më 21 korrik 2019, në Pejë
Bota ka përjetuar qershorin më të nxehtë në histori muajin e kaluar, me temperaturë mesatare prej 16.4 gradësh Celsius.
Administrata e Oqeanisë dhe Atmosferës e Shteteve të Bashkuara tha se temperatura mesatare globale ka qenë më e nxehtë se mesatarja e shekullit 20. Sipas saj, të nxehtit ka qenë më i përqendruar në Evropë, Rusi, Kanada dhe Amerikë Jugore.
Agjencia amerikane e lëshoi raportin në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një valë të rrezikshme të të nxehtit ndërkaq Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA paralajmëroi se dhjetëra miliona njerëz do të preken nga nxehtësia e tepërt në ditët e ardhshme, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 43.3 gradë Celsius.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se temperatura rekord do të vazhdojë si rezultat i ndryshimeve klimatike. /KultPlus.com
Regjimi komunist i cili shtirej se është demokratik është plaga më e madhe e Shqipërisë, periudha që la në ngecje shoqërinë dhe vrau njerëz të pafajshëm, burrat e ‘dobtë’ i bëri robër dhe vajzat e bukura e intelektuale i shndërroi në të pamoralshme, shkruan KultPlus.
Kjo është tematika e filmit ‘Delegacioni’ me
regjinë e Bujar Alimanit i cili u shfaq para publikut kosovar në kuadër të
PriFestit.
Me skenar nga Artan Minollari dhe regji të
Bujar Alimanit, filmi “Delegacioni” tregon historinë e një të burgosuri politik
i cili hiqet nga burgu që t’i takojë të deleguarit e jashtëm të cilët do t’i
ofrojnë Shqipërisë mundësinë për anëtarësim në rrjetet e politikës evropiane.
Në një kohë kur e mira dhe e keqja janë ndarë si me thikë, shokët e partisë
duhet të bashkëpunojnë me “të keqen” për të mirën e vendit.
Filmi jep këndvështrimin e të burgosurit, në
kuptimin e të burgosurit politik dhe të burgosurit të normës komuniste të asaj
kohe. I regjistruar në zona malore, filmi ofron mundësi që shumë personazhe
dytësore të futen brenda narratives dhe të shtojnë një copë të re informacioni.
Sidomos paraqitja e dy mësuesve nga Tirana, të cilat zbulojnë dinamikën dhe
thelbin e inatit të oficerit përgjegjës, i cili në bisedë e sipër me vajzat u
thotë “Unë vajzën time e kam përjashtuar lëre më surratit tuaj”.
“Ky projekt nuk dihej se a do të punohej, por është një projekt filmik që tregon një periudhë të rëndësishme të epokës të Shqipërisë, por nga ana tjetër pasuron vlera statistike shumë të spikatura”, ka thënë regjisori i filmit Bujar Alimani.
“Ka një përplasje dhe një lloj gjetje shumë
interesante të Minarollit, që e bënë këtë film të duket si komedi e zezë por në
thelb ka një mesazh shumë njerëzorë duke treguar të kaluarën e Shqipërisë”, ka
sqaruar gjithashtu regjisori.
Pjesë e trupës së këtij filmi kanë qenë aktorë
të njohur si: Viktor Zhusti në rolin e Leos, Ndriçim Gjepa në rolin e shokut
Spiro, Xhevdet Ferri në rolin e Asllanit, kurse Richard Sammel ka luajtur rolin
e të deleguarit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Në role të tjera kanë qenë:
Ermir Topi, Armend Smajli, Gani Morina, Tristan Halilaj, Kasem Hoxha.
Ky është bashkëpunimi i radhës midis
Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo mbështetje regjisorin Alimani e ka bërë të
ndjehet i privilegjuar, meqë projektet filmike paguhen me taksa të qytetarëve
ndërsa borxhi i artistëve është që të realizojnë filma të mirë, siç është
vlerësuar ‘Delegacioni’.
‘Për të bërë film për atë periudhë historike
ishte tejet e vështirë, të gjesh sot rrugët, ndërtesat, gjithçka është dekoruar
dhe punuar. Kemi kërkuar edhe në zonat më të largëta të Shqipërisë, ku mund të
ketë mbetur diçka nga ajo kohë, megjithatë ka qenë një punë e vështirë’,
shprehet Alimani.
Mirëpo i pyetur se si ka arritur që në gjithë
filmin të mbajë një qetësi dhe përmes saj të komunikoj shkëlqyeshëm me
publikun, Bujari Alimani tregon se “qetësinë dhe gjatësinë e kuadrit e kam
përdorur sepse është e pamundur që në
momentin kur e kyç kamerën të mos e zgjedhësh qetësinë dhe të trajtosh
personazhin me hetuesi. Të gjithë në ato momente hetojnë, hetojnë ndjenjën, të
gjithë mendojnë për atë periudhë. Kështu që mendoj që ajo qetësi është aq e
shenjtë sa që jep i forcë filmit”.
Në rolin e të burgosurit politik është aktori
Viktor Zhusti i cili këtë rol e luan me një heshtje që ka esencë dhe mesazh siç
e thekson ai ‘nëse nuk e kupton heshtjen time atëherë nuk mund ta kuptosh as
fjalën.’
‘Ky personazh kryesor i filmit nuk ishte një hero ishte një njeri që e bën akoma më të dhimbshme atë presionin dhe shantazhin që bëhej ndaj tij. Ky nuk bënte asgjë të jashtëligjshme, ai ishte një pedagog dhe krimi i vetëm i tij ishte që ishte intelektual. U dënua sepse iu kishte folur studentëve jashtë atyre parullave, paragrafëve politike. Ky njeri jeton brenda dhimbjes së tij andaj është i heshtur, nuk ia thotë asnjë njëriu’, rrëfen Zhusti.
Vështirësia e të qenit intelektual dhe misioni
i shenjtë që bënin ata në një sistem të tillë të egër, përveç personazhit kryesor
përçohet edhe përmes dy personazheve mësuese, ku njërën prej tyre e luan mjaft
mirë aktorja kosovare Fatlume Bunjaku.
‘Edhe mësueset ishin brum i atij sistemi, por
nuk pajtohen më të dhe synonin ta ndryshojnë atë. Kjo vërehet edhe nga dialogu
i shkurtë që kanë në film. Ato janë nga qyteti
por detyrohen të shkojnë dhe të punojnë në fshat për të sjellur
krejtësisht një frymë të re’, rrëfehet për rolin e saj, Bunjaku.
“Filmi zgjatë 77 minuta dhe ka qenë fitues i festivalit të Varshavës”, ka treguar për audiencën organizatorja e Prifest Vjosa Berisha./KultPlus.com
Vetëm pak orë më parë u publikua traileri i filmit të titulluar “Cats” (Macet), i cili mezi pritej nga publiku. Për çudinë e të gjithëve, ndjekësit në rrjet betohen se s’kanë parë gjë më të tmerrshme, pavarsisht milionave të investuara në të.
Një mori artistësh të famshëm pjesëmarrës në film si Taylor Swift, James Corden, Jennifer Hudson, Idris Elba, Jason Derulo, Judi Dench nuk arritën ta bënin trailerin tërheqës për sytë e publikit, që shpresonte se ai do të ishte filmi i vitit.
Ishte Taylor Swift, aktorja kryesore, ajo që publikoi në profilin e saj në Instagram trailerin por ndjekësit e kanë detytuar të bllokojë komentet për shkak të gjërave që kishin shkruar.
Madje, në “Twitter” kanë nisur të bëhen ‘meme’ me trailerin, i cili duket se është kthyer në kryefjalën e ditës.
“Nëse dikush dëshiron të kalojë një mankth sonte, le të shikojë trailerin e “The Cats”, ndërshkimi ynë për filtrat e snapchatit.”, shkruhet në një nga memet më të ripostuara. /KultPlus.com