Eja të vdesim, e dashur, shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti, a s’e dëgjove në TV si kryelajm? Eja të vdesim, e dashur, s’ka rëndësi në rron si rob a zot, arkivoli është gati, dy metra vend gjithashtu, makinë e funeralit, kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu. Eja të vdesim, e dashur, ç’na duhet kjo jetë, e rëndësishme është të vdesësh si zotni; mbylle TV-në, të vdesim qysh tani.
“Excelsior” ka botuar, të shtunën e 3 dhjetorit 1938, në faqen n°8, fotografinë e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë, pas largimit të tyre nga ceremonia e inagurimit të një stacioni radiofonik në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Buzëqeshje mbretërore
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Zogu dhe mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë inaguruan, në Tiranë — me rastin e 26 vjetorit të pavarësisë shqiptare — një stacion radiofonik para të cilit mbretëresha e re mbajti një fjalim.
Ja çifti mbretëror duke u larguar nga stacioni pas ceremonisë.”
Filmi komedi i regjisorit Reinhold Schünzel, ka shënuar 80 vjetori ne lansimit që nga hera e parë që është shikuar në Los Angelos, shkruan KultPlus.
Ky është një nga filmat më të hershëm që romantizon lidhjet
brenda punës dhe vendosë një referencë për të gijthë filmat që do të realizohen
në vitet e ardhshme.
Historia e dashurisë mes sekretaares dhe shefit të saj
kthehet në komedi duke synuar të arrihet deri te një moralitet amerikan mes dy
luftërave botërore.
Në këtë film rolin kryesor e mban aktorja amrikan Ruth Hussey, e cila ishte nominuar nga Akademia për çmimin Oscar në filmin “The Philadelphia Story”./KultPlus.com
Ky është një përkthim i pjesshëm nga libri ‘A record of eastern travel’ (Një shënim nga udhëtimi në Lindje) i autorit Aubrey Herbert, mikut më të madh të shqiptarëve, i cili në këtë vepër paraqitet me poseudonimin e tij Ben Kendim. Libri është botuar në vitin 1923 dhe kjo pjesë paraqet një shënim të shkurtër të historisë shqiptare që mbërthen periudhën e kohës otomane e deri në pavarësi. Në mënyrë interesante, shkrimi është thjeshtësuar më qëllim që të lexohet dhe kuptohet nga publiku i gjerë britanik.
Shqipëria
‘Ne nuk duam rrugë në vendin tonë për shkak se rrugët çojnë në okupim, eksploatim dhe në humbje të trashëgimisë sonë’, thanë shqiptarët.
‘Shumë mirë’, tha Stambolli, ‘nuk do të keni rrugë’.
‘Ne nuk duam as shërbim ushtarak për shkak se ne të gjithë kemi lindur të lirë, pa marrë parasysh a jemi katolikë, ortodoksë apo myslimanë’, thanë shqiptarët me vendosmëri të madhe.
Edhe me këtë kërkesë Porta u pajtua, kurse shqiptarët me të madhe iu bashkuan Armatës turke si vullnetarë.
‘Ne nuk i duam gjykatësit turq’, deklaruan shqiptarët.
‘E tash, mos e teproni’, tha Porta. ‘Mos shkoni aq larg pasi kjo çështje e prek thellësinë e shtetit. Pranojeni këtë kompromis. Lejoni gjyqtarët turq dhe ne ju premtojmë se ata nuk do ta gjykojnë askënd’.
‘Në rregull’, thanë shqiptarët.
Regjimi i vjetër në Turqi ka qenë i gatshëm që ta pranojë lirinë dhe lejen për ta aprovuar anarkinë në Shqipëri e cila në atë kohë ka qenë shërbëtore e dobishme e perandorisë. Është e drejtë të thuhet që ligji turk nuk ka sunduar askund në malet e Shqipërisë, edhe pse me ngadalësi është vendosur në qytetet si Shkodra, Elbasani dhe Janina.
Shqiptarët janë dhe gjithmonë kanë qenë dashurues të mëdhenj të tokave dhe shkëmbinjve të tyre dhe për sistemin e jetës që kanë ndërtuar. Ka qenë sistem i rëndë, por i përshtatej popullit; secili njeri ka qenë polic i mjaftueshëm i vetvetes kurse hakmarrja ka qenë ligji i tyre i pranuar. Atë që Evropa do ta etiketonte si hakmarrje, shqiptarët e kanë quajtur drejtësi. Nga pikëpamja e vendeve të civilizuara, Shqipëria ka qenë vend pa ligj. Megjithatë, krimet e vogla që në Evropën Perëndimore i stërngarkojnë kronikat e gazetave, policinë dhe gjykatat, në Shqipëri kanë qenë shumë të rralla.
Ka shumë për t’u thëne për ligjin shqiptar. E vërteta, kurajoja dhe besueshmëria kanë qenë kualitete të këtij populli që i ka kultivuar me zell dhe ky fakt ka qenë i njohur në tërë Lindjen e Afërt. Rojtarët e bankave, që nga Kajroja e deri në Greqi dhe nga Stambolli në Jerusalem, kanë qenë shpesh shqiptarë. Shkelja e besimit apo vjedhja e parave nga shqiptarët në këto pozita përgjegjëse ka qenë aq e rrallë sa që praktikisht është e panjohur.
Shqiptarët posedojnë edhe një kualitet të papërshkrueshëm. Ata kanë një sharm të llojit të tyre dhe një atraktivitet magjie për vendin e tyre e cila gjë lë përshtypje të përhershme të shumica e atyre që kanë qenë në Shqipëri.
Në pamje dhe me trup shqiptarët e veriut e rivalizojnë çdo racë të Evropës. Në ditë pazari në Shkodër, në kohët e shkuara, njeriu mund të shihte malësorët thatanikë me kokë gjysmë të rruar dhe me sytë e tij të pa pushuar që ndahen në mes interesimit për mallrat e tregut dhe kujdesit të tensionuar për mundësinë e ekzistimit të ndonjë armiku në afërsi. Gratë e kanë një lezet që nuk ua shijojnë dy veta dhe që janë po ashtu ndryshe nga çdo racë tjetër. Ato duken sikur Madona që kanë zbritur poshtë nga malet me borë. Por, inteligjenca dhe shpejtësia e mendjes së burrave të maleve është më interesante se bukuria e rrallë që kanë gratë e tyre.
Në vitin 1880 z. Goschen dhe Lordi Edmund Fitzmaurice hartuan një memorandum për formimin e një Shqipërie autonome. Kufijtë që ata i propozuan dallojnë gjerësisht nga të sotmit pasi që ata përfshinë rrafshin e Kosovës, vilajetin e Shkodrës, qytetin e Janinës dhe pjesë të vilajetit të Manastirit. Ata kanë qenë njerëz të paanshëm, kurse propozimi i tyre kishte për qëllim arritjen e paqës. Propozimet e tyre nuk u miratuan.
Gjatë shekujve kur Turqia e dominoi Ballkanin ndjenja kombëtare ka qenë e mbështjellë dhe e pa ushqyer në tokat e sundimit të saj. Bullgarët kanë fjetur pa ëndrra, kurse serbët vetëm nga ëndrra e mbajnë në mend madhështinë e së kaluarës. Aspiratat e grekëve kanë qenë të kufizuara vetëm në një rreth të vogël të inteligjencës së tyre. Në Shqipëri nuk ka pasë dyshime dhe as ëndrra për arsye se populli kurrë, as për një qast, nuk e ka humbur dijen për vërtetësinë e racës së vet.
Shpirti i bashkimit ka lundruar për një kohë të gjatë mbi ujë, por ende nuk e ka gjetur varkën e saj. Para se vendi të arrinte qëllimin e përbashkët të artikuluar është dashtë të kalojë nëpër një përvojë të zjarrit. Gjatë tërë dimrit të viti 1912 malazezët kanë qenë të angazhuar në punë propaganduese në drejtim të malësorëve në veri.
Një komision nën udhëheqjen e Adil Beut dhe i shoqëruar nga z. Robert Graves ka shkuar nëpër Shqipëri me qëllim që të eliminoj problemet që shkaktonin fermentim. Në Shkodër Adil Beu e emëroi Hysen Riza Pashën për vali dhe komandant ushtarak të qytetit të cilin ai menjëherë filloi ta fortifikojë. Misioni ka qenë më shumë se një herë nën zjarr gjatë udhëtimit dhe dështoi të arrinte sukses. Shumë shpejt shpërtheu revolta shqiptare në Kosovë nën udhëheqje të Isa Boletinit. Armët shqiptare triumfonin gjithkah. Shqiptarët e morën në posedim Shkupin dhe e mbajtën pjesën më të madhe të veriut ku unë kam pas fat t’i shoh incidentet të cilat do t’i përshkruaj në një kapitull tjetër. Porta e kuptoi se duhet të arrij marrëveshje. Shqiptarëve ju premtua autonomia e cila do ta përfshinte vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe pjesë të atij të Manastirit. Ky koncesion erdhi me vonesë. Kjo i dha arsye agresionit të Aleancës Ballkanike e cila nuk e dëshironte një Shqipëri të pavarur.
Nuk nevojiteshin sytë e profetit për të parë ndarjen e Shqipërisë që ishte rezultat i fitores së Aleancës Ballkanike. Ismail Bej Qemali erdhi në Vlorë në gusht 1912, para shpalljes së luftës nga shtetet ballkanike dhe që në fillimt të luftës ai u kthye në Stamboll. Ai u kthye sërish në Vlorë dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë duke e ngritur flamurin kombëtar me 28 nëntor 1912. Qemali i lajmëroi Fuqitë të cilët nuk treguan ndonjë vëmëndje. Grekët, të ngjallur nga lindja e shtetit të ri shqiptar, i morën gjërat në duar të tyre dhe e bllokuan Vlorën, selinë e qeverisë së përkohshme anëtarë të së cilës ishin Dom Nikollë Kaçorri, Mufid Bej Libohova dhe Mithat Bej Frashëri.
Në vitin 1913, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Ismail Bej Qemali, që përbëhej nga Mehmet Bej Konica një mysliman nga jugu, Filip Noga një katolik nga veriu, imzot Fan Noli një ortodoks nga Ibriktepe dhe Faik Bej Konica i cili përfaqësonte emigrantët shqiptarë nga Amerika në kuadër të federatës së Vatrës, erdhën në Londër për t’i paraqitur kërkesat e tyre në Konferencën e Ambasadorëve.
Me 6 mars 1913, mbreti Gjorgj i Greqisë u vra në Selanik, kurse mbreti Konstantin erdhi ne fron. Ndërkohë, lufta shkonte keq për turqit: Selaniku u mor gati pa u shkrepur asnjë plumb; Adrianopoli [Edrene] bëri rezistencë heroike; Manastiri ishte ende i rrethuar. Në Shkodër Hysen Riza Pasha u vra pasi që doli nga shtëpia e Esat Pashës ku kishte ngrënë darkë. Në Ballkan ka qenë zakon për nikoqirin që të dërgonte një apo dy njerëz të armatosur me fenerë për ta përcjellë mysafirin në shtëpi pas darkës. Hysen Riza Pasha u largua i vetmuar nga shtëpia e Esat Pashës. Riza Pashën e sollën përsëri në shtëpi të Esat Pashës disa minuta para se të vdiste. Bounuo kim yapdi – ‘kush e bëri këtë’? – e kishte pyetur Esat Pasha. Sen bendenü bilirsin – ‘ti e di më mirë se unë’ – kishte thënë Hysen Riza dhe kishte vdekur.
Pastaj, Esat Pasha e mori komandën dhe bëri marrëveshje me serbët. Kritikët e tij kanë thënë se financat kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe se atij [Esat Pashës] ju premtua edhe principata e Shqipërisë së mesme. Ai marshoi nga Shkodra me 23 prill. Fuqitë refuzuan ta njohin okupimin malazez të Shkodrës dhe admirali Cecil Burney shkoi në qytet si kryesues i forcës ndërkombëtare me 13 maj kur malazezët u detyruan të evakuonin qytetin.
Kështu ndodhi që Shqipëria, duke qenë e para në luftë për liri, në llogari të saj e hapi rrugën për ekspanzionin e shteteve tjera ballkanike. Aletatë Ballkanikë e invaduan Shqipërinë si miq dhe si çlirimtarë, por mbetën aty si posedues dhe si trashëgimtarë. Shqipëria ka qenë si Samsoni në Tempullin e Gazës. Ajo [Shqipëria] e rrëzoi Perandorinë Otomane dhe mbi kokën e saj ranë ngrehurinat. /Telegrafi/
Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu, kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë, kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era kujtoi se unë isha gur dhe trupin tim donte të shpërbënte.
Po të mundja të të takoja, kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di të sqarohem me ty.
Por klubet e hapur dhe të mbyllur, rrugët netëve dhe ditëve, stacionet pa njerëz, lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat, telefonat, hapat dhe ky kënd, nuk dinë gjë, se ku je ti.
Dhe kur era kërkon të shkatërrojë më kërkon te porta e shtëpisë tënde.
Unë ia përsëris edhe erës, po qe se do mundem të të takoj, po qe se ti më shfaqesh, unë do të di të sqarohem me ty.
Kemi hyrë zyrtarisht në një epokë të re të kinemasë. “Hobbs & Shaw” filmi i nëntë i franshizës “The Fast and the Furious” nuk lë hapësirë për dyshim, kur është në pyetje një konstatim i tillë.
Në një epokë të televizioneve 4K, në të cilën të përjetuarit e kinemasë përballen me zhdukje, “Hobbs & Shaw” është hakmarrë duke shpërfillur përvojën tradicionale narrative. Ky zor se mund të quhet film. Është më shumë njëfarë ndjekjeje hedoniste. Ju pëlqen ta shihni Dwayne Johnsonin duke e rrëzuar helikopterin me duar? Mund ta shihni në këtë film. Do të donit ta shihnit Idris Elban që nuk e shpon fisheku dhe që vazhdimisht e quan veten “Supermeni i zi? Edhe atë mund ta shihni. Ju pëlqen ta shihni Helen Mirrenin që e ka kombinuar në mënyrë të përkryer buzëkuqin me uniformën e burgut? Edhe ajo është. Të gjitha janë në këtë film. Filmi mund të jetë marrëzi e plotë, por ai aktivizon qendrat e trurit, kështu që ta jep një ndjenjë të mirë.
Natyrisht se “The Fast and the Furious” gjithnjë i ka kushtuar rëndësi spektaklit e jo logjikës dhe arsyes. Ai qe dy dekada më parë filloi si film mbi grupin e garuesve të automjeteve, që e siguronin jetesën duke vjedhur pajisje elektronike, tani trajton çështje të spiunazhit ndërkombëtar, ndjekjen me trena, tanke dhe nëndetëse bërthamore. “Hobbs & Shaw” bën bashkë dy armiq të dikurshëm dhe i përball me sfida të shumta, teksa agjenti i DSS-së, Luke Hobbs (Johnson) dhe mercenari Deckard Shaw (Jason Statham) detyrohen t’i lënë anash mospajtimet dhe të bashkëpunojnë për ta shpëtuar botën nga një virus vdekjeprurës. Fokus është motra e Desckardit, Hattie (Vanessa Kirby), agjente e MI6, e cila shkaku i veprimeve të saja shndërrohet në cak të superushtarit të modifikuar gjenetikisht, Brixton Lore (Idris Elba). Gjithçka që dëshiron nëna kriminele e Deckhardit dhe Hattiet (Mirren), ndërkohë, është një vizitë nga fëmijët e saj. /KultPlus.com
Ju flas prej tribunës s’uej, jo si nji i ri, qi tash, për fat të keq qi nâna Natyrë i ka shênjue njeriut, s’jam mâ. Ju flas prej tribunës s’uej si nji plak qi dikur ka qênë i ri si ju, qi ka ndîe si ju, qi ka mêndue si ju e qi ka punue ashtu si ka ndîe e ka mêndue, tue pasun para sŷsh vetëm nji sênd : me i shërbye Kombit ashtu si e kanë dashun e lejue rrethanat e kohës.
Tue u shtŷmun në moshë kam kuptue gabimet e rinisë s’ême, gabime të rrjedhuna thjesht prej afshit të pandalshëm të shpirtit djaloshar të pasprovuem. Zêmra m’a dëshiron qi rinija e soçme, ju, t’i keni para sŷsh veprat e rinisë së brezave të kaluem, për me u shkue në gjurmë atyne qi kanë dhânë fryt të mirë e me u ikun atyne qi kanë dhânë fryt të keq. Si do t’i mësoni këto vepra qi s’janë të shkrueme kund ? Mjaft qi të mos ju mungojë vullneti. Mjaft qi të mos i përbuzni kshillat e atyne pleqve qi dikur edhe ata kanë qênë të rij si ju sod. E ata, edhe në mos i lântë krenija me ju diftue se ku kanë gabue vetë do të ju diftojnë se si e ku kanë rrëshqitun shokët e tyne. E ju atëherë do të ruheni qi të mos bini n’ato gabime.
Un për vete ju them, për tash, të jeni të matun, por kurrë të ftohtë. Kam thânë tash pêsë muej ma parë : “Shpresa e jonë janë të rîjtë. Të rîjtë kanë vrulle qi herë herë i çojnë pak larg ; por janë të frymzuem prej nji dashunije të pastër për Atdhèn e tyne, dhe pa qëllim të keq dëshirojnë trajtimin e nji ndërgjegjeje kombëtare e individuale. Shumë nga ata studjojnë n’Italí. Kthehen prej andej me dëshirë të flaktë për t’a naltësue Vêndin e tyne në nji shkallë me Shtetin italian. Shumë herë kjo dëshir’e zjarrtë i shtyn me bâ gabime, por qoftë bekue ai qi gabon për qëllime kaq bujare. Un nuk due të rîj qi binden verbnisht, por të rîj të ndërgjegjshëm e të disiplinuem. Kuptohet lehtë se të parët kishin me e bâ mâ të kollajshme detyrën t’ime të qeveritarit, por nuk kishin me më dhânë asnji sigurim për t’ardhmen.
“E për ne ajo qi ka rândësí âsht e ardhmja….” (Sh. Corriere della Sera, maj 1942).
Të jeni pra të matun e të disiplinuem. Po e lëshuet veten pa frê vetëm mbas ndjenjash verbuese, pa dritën e arsyes përpara, dijeni qi keni me gabue e me u pêndue, ka me ju ardhun keq po ju vetë e po për nj’atë ideal qi doni me i shërbye.
E ardhmja âsht e jueja, s’ka asnji dyshim, mbasi bota ka ecun e do t’ecë gjithmonë përpara e kurrë mbrapthi. Por merrni vrapin sa të keni hapin, siç na kânë mësue të moçmit.
Për me dhânë duhet me pasun, për me pasun duhet me fitue, e për me fitue duhet me punue e me u lodhun fort. Këta nuk vlen vetëm në sheshin e lândshëm, por edhe n’atê të mêndjes e të dijes. Detyra e juej mâ e para, pra, âsht me fitue sa mâ shumë të mundeni mênd e dije, secili në rrugën qi ka zgjedhun për me qênë mândej të përgatitun me bâmë realizime të serta për idealin kombtar qi ushqeni. Lakmija mâ e para e nji studenti duhet të jetë tridheta me lavd në lândët qi mëson e duhet t’a quejë nji mjerim po qe se kalon me nji tetëmbëdhetsh çalaman. Merita mâ e para patriotike për nji student Shqiptar âsht me i zbardhun faqen Kombit të vet tue u dallue ndër shokë të huej për dije, moral e urtí. Kjo meritë mbândej ka me sjellë me vete të tâna tjerat, pa dyshim. Studenti i Shkollës së mesme t’a dijë mirë se âsht nën zotnimin e prindve, deri në pjekuní, e do të jetë nji Shqiptar i mirë vetëm kur t’i nderojë ata, t’i dojë me gjithë shpirt, të çmojë sakrificat qi bâjnë për tê e t’i gzojë me të vetmin gëzim qi ata presin prej tij : me urtín e vet, me ndëgjesën e vet. Ky âsht zakoni i Shqiptarit e kur na të mos ruejmë zakonet e doket e mira qi na kanë lânë të parët, kot i thomi vetes Shqiptarë.
Djelmní e vajzní Shqiptare !
Prej tribunës s’uej kam gzimin me ju përshëndetun tue ju kshillue me lejen qi m’ep mosha, qi të jeni shqiptarë me zakone, me doke e me ato vërtyte qi dallojnë racën t’onë. Po i harruet këto e ardhmja e Atdheut t’onë do të jetë në rrezik. /KultPlus.com
Pasioni për pikturën e mban gjallë ndërsa vetëm vdekja mund ta ndajë prej saj. Këto janë fjalët që të nguliten në mëndje kur bisedon me piktorin e talentuar nga qyteti liqenor.
Qemal Guri është piktori i telajos i cili prej mëse 32 vjetësh jetën e ka përkushtuar në penelin e telajos.
Gjithçka që ai pikturon është e lidhur ngushtë me natyrën dhe peizazhin e Pogradecit por jo vetëm. Babai e regjistroi në shkollën teknike të minierës edhe pse talenti i 55-vjecarit flinte diku tjetër.
Teksa ndoqi rrugëtimin e dëshirës së prindërve, Qemali vizatonte çdo sekondë deri në momentin që mësuesja e tij e cila zbuloi talentin.
Mjeshtëria në pikturat e tij të lë pa fjalë. Portretet apo edhe natyra janë të hedhura në telajo ka tërhequr edhe vëmendjen e turistëve. Çmimet janë modeste por piktori pogradecar thotë se pikturon për pasion.
Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë por pasioni i tij për të pikturuar nuk është ndalur asnjëherë pavarësisht kësaj. Qemal Guri është piktor mjaft i njohur për qytetin liqenor ndërsa ka qenë fitues i mjaft konkurseve në mbarë vendin. Pikturat e tij të hedhura në telajo janë të rralla të punuara mjeshtërisht ku çdokush që ka vizituar fshatin e Teta Ollgës por jo vetëm është pothuajse e pamundur të largohen pa marrë një pikturë prej tij. /Kohajonë /KultPlus.com
Gabriel García Márquez është shkrimtar i njohur kolumbian që lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.
Në atë
periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte
mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të
bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja
financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit
u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.
Në vitin 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me
tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë
dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u
bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat,
artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi.
Për krijimtarinë e tij
letrare ai u laureua me “Nobel” për letërsinë. Markezi
njihet kudo në botë edhe për thëniet e vlefshme që
dalin nga veprat e tij, disa prej të cilave, KultPlus jua sjellë
më poshtë:
Kur të vdes, të vetmen keqardhje
do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.
E
nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e
fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e
nesërmja nuk vjen kurrë.
Injeksionet
janë gjëja më e mirë e shpikur ndonjëherë për t’i ushqyer mjekët.
Nuk
është e vërtetë që njerëzit ndalen së ndjekuri ëndrrat, ngaqë plaken; ata
plaken ngaqë ndalen së ndjekuri ëndrrat.
Jo,
jo nuk jam i pasur. Unë jam një njeri i varfër me të holla, çka nuk është e
njëjta gjë.
Askush
nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.
Ajo
zbuloi me kënaqësi të madhe se njeriu nuk i do fëmijët e tij vetëm sepse ata
janë fëmijët e tij, por për shkak të miqësisë së krijuar duke i rritur ata.
Kujtesa
e zemrës e eliminon të keqen dhe e madhëron të mirën.
Ai
që pret gjatë, mund të fitojë pak.
Interpretimi
i realitetit tonë nëpërmjet modeleve tona e jo nëpërmjet nesh, shërben vetëm
për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, kurrë më pak të lirë, gjithnjë e më
të vetmuar.
Problemi
me martesën është se ajo përfundon çdo natë pas së bëri dashuri, dhe duhet të
rindërtohet çdo mëngjes para ngrënies së mëngjesit.
Në
fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju
keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri.
Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është ajo që ndodh me ju, por çfarë ju kujtohet dhe si ju kujtohet ajo. /KultPlus.com
“A jeni ‘Deadhead’ fans?”. Po blija dhuratë për ditëlindjen e shoqes sime në Woodstock, N.Y., në fillim të këtij viti. Dyqanet ishin të mbushura me gjësende që përmbanin motive të fytyrave dominuese të festivalit të 1969-s: Jimi Hendrixit, “Who”-s, Janis Joplinit. Gjeta një palë çorape të mbuluara me arinj shumëngjyrësh, ose duke vallëzuar ose marshuar, nuk mund ta bëja dallimin. Arkëtari dukej i mahnitur me përzgjedhjen time, por doja t’i thosha se nuk jam një “Deadhead” fanse. U përmbajta, por ai nuk më kushtoi fort vëmendje.
Ishte kjo hera ime e parë në Woodstock. E kuptova kur mbërritëm aty se festivali qe mbajtur pothuajse dy orë përpara, afër Scrantos. Duke shikuar përreth qytetit, dukej sikur nuk isha e vetmja që e humbi momentin. Kishte bujq, hipikë e banorë të qytetit në pushime, shumica të mbërthyer qartazi nga nostalgjia. Kishte edhe burra që ma linin përshtypjen se po merrnin pjesë në një aheng të fundit të beqarisë, të veshur ngjashëm e që lëviznin në grup. Pyetesha se çfarë ka aq të veçantë Woodstocku që i solli ata në këtë qytet e jo diku tjetër.
Vishesha ngjashëm sikurse ata, me shami të larmishme, kur isha në klasë të pestë. Vishesha si hipike në ditët e pushimeve, me bluzat që ma zbulojnë barkun, syze krejtësisht të vockla dhe me rripa të thurur. Studentët i ngrinin lart dy gishtërinjtë dhe thoshin “paqe e dashuri”. Silleshim sikur nën narkotikë edhe para se ndonjëri prej nesh të mësonte se ekzistonin ilaçe të tjera prej atyre që na përshkruanin mjekët kur ishim të sëmurë. Ishin këto sjellje që i kopjonim prej karaktereve televizive dhe anekdotave të maskuara të prindërve tanë. /KultPlus.com
Është inicuar kapitulli i ri në franshizën Dredd sipas producentit Jason Kingsley. Këto ditë, ai e postoi në Twitter një foto të tij duke e lexuar një libër për artin e gjykatësit Dredd ndërsa në tavolinë është skenari për pilot episodin e serisë Judge Dredd: Mega-City One.
Seriali Mega-City One u paralajmërua për herë të parë në vitin 2017. Projekti do të duhej të përqendrohet në një varg gjykatësish në shekullin 22, dhe jo vetëm në një, siç ishte filmi. Në kohën kur u paralajmërua projekti, ekipi krijues kishte bërë të ditur që me produksionin nuk do të fillonte edhe të paktën dy vjet, gjë që i bie tani.
“Tregimi përmes një forme më të gjatë na ndihmon që më lehtë ta portretizojmë Mega-City One dhe banorët e tij,” kishte thënë Kingsley në vitin 2017, duke shtuar, “Përpjekja për ta futur gjithçka në një film dyorësh është mjaft e vështirë. Supozoj se kjo është larg së paku dy vjet. Por ne jemi në një fazë kaq të hershme sa që gjërat mund të shkojnë pak më shpejt, dhe mund të ndodhë të shkojnë shumë më ngadalë”.
Një nga pyetjet më të rëndësishme nga të gjithë fansat e Dreddit është nëse do të kthehet i preferuari i të gjithëve Karl Urban. Urban tashmë ka folur për rolin potencial që Dredd mund ta ketë në seri, por një konfirmim zyrtar i përfshirjes së tij ende nuk është publikuar.
“Në fakt nuk di shumë,” zbuloi Urban në një intervistë në fillim të këtij viti. “Kam qenë në disa takime, por para disa vitesh. Ky është një projekt që ka qenë në përgatitje për një kohë të gjatë. Tashmë e kam thënë edhe zyrtarisht se nëse përfitoj nga rasti të kthehem në atë botë dhe të eksploroj më shumë tregime, unë jam absolutisht për”. /Kohaditore /KultPlus.com
Krijuesit e “Game Of Thrones”, David Benioff dhe D. B. Weiss janë dakorduar ta bëjnë një marrëveshje të përgjithshme ekskluzive për të prodhuar filma dhe seriale televizive për Netflixin.
Sipas The Hollywood Reporter, marrëveshja “peshon” 200 milionë dollarë, dhe do ta shënojë përfundimin e lidhjes së dyshes me HBO-në, ku ata ishin showrunnerë dhe skenaristë të Game of Thrones për tetë sezone.
Tani Benioff dhe Weiss do të punojnë në projekte ekskluzivisht për Netflix, me përjashtim të angazhimit të tyre ekzistues për Disney për franshizën e Star Wars.
“E kemi pasur një bashkëpunim të bukur me HBO për më shumë se një dekadë dhe u jemi mirënjohës të gjithëve atje që gjithmonë na bëjnë të ndjehemi si në shtëpi,” thanë Benioff dhe Weiss në një deklaratë. “Netflixi ka ndërtuar diçka të mahnitshme dhe të paprecedentë, dhe jemi të nderuar që na kanë ftuar që t’u bashkohemi”.
Dyshja raportohet se i kanë filluar takimet për ta arritur një marrëveshje të përgjithshme pasi e përfunduan sezonin e tyre të fundit të GoT, i cili është kandiduar për 32 Primetime Emmy Awards.
Netflixi raportohet se e ka mundur Amazonin dhe Disneyin për ta arritur marrëveshjen me showrunnerët e GoT, të cilët do t’i bashkohen krijueses së Grey’s Anatomy, Shonda Rhimes, si dhe Ryan Murphy të American Horror Story në kanalin për streaming.
Përveç punës së tyre për Netflix, Benioff dhe Weiss do ta bëjnë produksionin e trilogjisë së filmave të rinj të Star Wars me mbështetje të Lucasfilm, i pari prej të cilëve do të shfaqet në kinema më 2022, një projekt për Kurt Cobain me Universal dhe një adaptim i rrëfimit për arratisjen nga burgu Dirty White Boys, për Fox/Disney. /KultPlus.com
Ilenia Colloca, studentja nga Frascineto shkëlqeu gjatë Edicionit XV të “Miss Arbëreshja”, konkursit të bukurisë të organizuar nga shoqata Ahi Nama, e kryesuar nga Savio Montone, nën patronazhin e Komunës së Spezzano Albanese.
15
bukuroshe ishin në konkurrencë, dhe Ilenia i mposhti ato duke shënuar rikthimin
e momentit të madh. Ajo përveç bukurisë, solli në pah identitetin e arbëresheve
italianë.
“Është
kaq e bukur që isha në gjendje të dal fitimtare, duke ruajtur traditat” tha
misi, derisa krye bashkiaku Angelo Catapano u nda i kënaqur me iniciativën dhe
organizimin në përgjithësi të kësaj ngjarjeje.
Vajzat
tjera të konkursit, dolën para publikut duke paraqitur veç sharmit dhe bukurisë
femërore edhe kostumet karakteristike për komunitetin arbëresh.
Organizatori Savio Montone, u shpreh po ashtu i kënaqur me mbarëvajtjen dhe siç tha ai “suksesin e kësaj ngjarjeje të bukur”. Ai tha se kishte emocione të shkëlqyera. Në fund u ndanë çmimet edhe për pjesëmarrëset tjera të kësaj gare që ka për qëllim t’i vë në pah vlerat e komunitetit arbëresh. /KultPlus.com
Pas debateve dhe kritikave, memoriali në nderim të 251 viktimave të shtetit turk që ndodhet tek Liqeni artificial është përdhosur. Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbi të letër higjenike dhe sende të tjera në simbol të refuzimit të këtij memoriali.
Pas debateve dhe kritikave, memoriali në nderim të 251 viktimave të shtetit turk që ndodhet tek Liqeni artificial është përdhosur. Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbi të letër higjenike dhe sende të tjera në simbol të refuzimit të këtij memorialit në vendin tonë. Mbi të është lënë një letër ku shkruhet: Respekt për kedo që nuk jeton më, por ku monument nuk na përket neve, i përket ish pushtuesve tanë. Bërë në datë 11.08.2019 paqësisht në vend demokratik.
Ceremonia e inagurimit për këtë memorial u zhvillua pak ditë më parë larg prezencës së kamerave, por kjo nuk është mirëpritur as nga disa intelektualët në vend. Qeveria turke ka kërkuar disa herë edhe nga autoritetet shqiptare masat kundër ”investimeve Gyleniste” të realizuara në Shqipëri, por deri tani kërkesat e Erdogan janë refuzuar, pavarësisht nga marrëdhëniet shumë të mira që presidenti turk mban me kryeministrin Edi Rama. /Shqiptarja /KultPlus.com
Filmi dokumentar “Honeyland”, për një bletare në pjesën rurale të Maqedonisë, ekzistenca e së cilës rrezikohet nga veprimet e fqinjëve të porsaardhur, ka shumë tipare të një filmi artistik dramatik.
Narracioni i tij shpërfaq tensione dhe konflikte të jashtëzakonshme, me një qartësi dhe koherencë tejet të madhe. Në të njëjtën kohë, fuqia dramatike e filmit bën që ai të mos i ngjasojë dokumentarit.
Duket sikur filmbërësit Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov e kishin vërejtur fuqinë e temës që e trajtonin dhe më pas, gjatë xhirimeve apo editimit të pamjeve filmike (më shumë se katërqind orë xhirime, të reduktuara në një film tetëdhjetë e shtatë minutash) ia kishin dhënë atij formën e një drame filmike. Rezultat i kësaj është një film sa rrëqethës, aq edhe zhgënjyes, një jofiksion në të cilin apostrofimi i shumë elementeve faktike, në interesin e dramaturgjisë kompakte, bën që një rrëfim i jashtëzakonshëm, i vërtetë, të duket i trilluar.
Një grua që bart një barrë në shpinë shihet në fillim të filmit, prej larg, duke ecur e vetme në një fushë të izoluar, përgjatë shtegut të hapur nëpër barin e thatë. Pastaj kjo pamje na shfaqet nëpër kënde të ndryshme. Ajo mbërrin tek një shkëmb i rrëpirët, duke u ngjitur përmes një shtegu të ngushtë, e përcjellë nga kameramani. Teksa po e shikoja këtë grua duke iu afruar shkëmbinjve, e zura veten duke e pyetur se çfarë mendonte ajo për filmbërësit, që po e përcillnin nëpër këtë mision të jashtëzakonshëm – se si e kishin organizuar xhirimin dhe çfarë ndikimi kishte prania e filmbërësve në punën dhe idetë e saja. /Koha Ditore /KultPlus.com
A nest -and this we understand right away-is a precarious
thing, and yet it sets us to daydreaming of security.
Gaston Bachelard – The poetics of Space
You can go home again…so long as you understand that home
is a place where you have never been.
Ursula K. Le Guin, The Dispossessed
Po shkoj n’shpi!
Sa herë që flasim për shpinë – e për shpinë asht folë dhe shkru shumë – i
kthehemi pamundësisë për ta kapërthy atë plotësisht me fjalë. Kjo rrjedhë
ndoshta edhe nga natyra e pakapshme e vet shpisë. Kuptimi i shpisë dhe çka ajo
përfaqëson na ikë sepse ajo ekziston në mes të materialitetit të saj si
strukturë – nji hapsinë, e gjetshme, e prekshme – dhe konotacionit të saj
emocional – nji strehë, siguri, e prehje që ta jep e njofshmja (dualiteti i
fjalës gjermanike Heim/home dhe Haus/house i humbun në shqip). Shpija asht
miniaturë – asht vrima jonë ku mshefemi prej botës kur kjo e fundit bahet e
pakandshme. Por shpija mundet me qenë edhe gjigante – ajo mundet me paraqitë
figurativisht vatrën e familjes, klanit, – ky peisazh fisnor në gjinin e
t’cilit mundemi me u kthy t’sigurtë. Shpija asht edhe sinekdokë për territorin
gjeografik dhe imagjinar të vendlindjës – me krejt banorët e saj që kurrë s’do
i takojmë. E në sci-fi, shpija merr përmasa edhe ma t’mëdha – t’humbun në
hapsinë Toka asht shpija që e kërkojmë.
Shpija asht pronë dhe përkatësi e dyanshme – sa na takon neve, na i takojmë asaj. Dhe kjo përkatësi s’asht kurrë plotësisht e rahatshme e as e arritshme.
Me këtë prelud, ju ftojmë që të reflektoni mbi idenë e
shpisë, në krejt tërhjekjen e saj, për numrin e gjashtë të zinës Lirindja. Ky
edicion do të përmbledhë ne vete tregime të shkurta, poezi dhe ese filozofike
për temën e shpisë.
Të gjitha paraqitjet dhe pyetjet mund të bëhen deri me 10 tetor 2019 në email adresën [email protected] apo në faqën tonë në Facebook Lirindja Zine.
Lidhja që krijohet me fëmijët tanë është aq e veçantë, saqë ne shpesh tentojmë të bëjmë gabimin që gjithmonë t’i dëshirojmë ata pranë nesh, t’i mbajmë afër, t’i mbrojmë. Problemi lind kur, megjithatë, një fëmijë rritet me bindjen se ai nuk mund të bëjë pa prindërit dhe heq dorë nga udhëtimi i zbulimit. Nëse i doni fëmijët tuaj, dërgojini larg, le ta njohin botën.
Mundësi
Mund të jetë e frikshme, është e vërtetë, por mundësitë e mëdha për rritje për fëmijët nuk janë gjithmonë nën syrin vigjilent të nënës dhe babait. Duhet të jemi prindër të guximshëm dhe t’i ftojmë fëmijët të bëhen të rritur, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jep jeta për ta, edhe mijëra kilometra larg shtëpisë.
Pavarësi
Shtytja e fëmijëve tuaj që të shkëputen nga foleja është dhurata më e madhe që ju mund t’u jepni: të mësojnë për të pranuar sfida pa nënën dhe babanë. Pavarësia është një dhuratë e madhe që ju do të duhet t’ua jepni fëmijëve tuaj, për të shkuar përpara pa ndihmën e askujt.
Eksplorim
Shtytja e fëmijëve tuaj për të bërë një përvojë të largët, edhe para moshës 18 vjeçare, është dhurata më e madhe që ju mund t’u jepni: festat e studimeve, ose praktikat jashtë vendit. Është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar, për të takuar njerëz të rinj dhe për të stimuluar mendjen.
Rritje
Fëmijët duhet ta përjetojnë realitetin nga e para, pa filtra, për të mësuar dhe për të ecur në mënyrë të pavarur. Rritja reale përbëhet nga eksplorimi dhe liria. Rreziku i strehimit të fëmijës nën çatinë e një shtëpie është që një ditë, kur shkon për të zbuluar botën, nuk do të jetë në gjendje ta përballojë atë.
Njohuri
Në mënyrë që fëmijët tuaj të realizohen në jetë, personalisht dhe profesionalisht, ata do të duhet të zhvillojnë shkathtësi që vetëm udhëtimet dhe përvoja jashtë shtëpisë mund t’i japin: fleksibiliteti, përshtatshmëria, njohuria shoqërore dhe kulturore, kurioziteti dhe komunikimi.
Shkëmbim kulturor
Nëse keni guximin t’i dërgoni fëmijët larg shtëpisë, ju do t’u ofroni mundësi për një shkëmbim kulturor që do t’i pasurojë përgjithmonë. Ata do të zhyten në një gjuhë të re, do të bëjnë miq të rinj dhe do të bien në kontakt me zakonet dhe traditat që ndryshojnë shumë nga ajo që dinë. /ATSH/ KultPlus.com
Ursula Corbero, aktore e njohur nga Spanja, është e njohur së fundmi për rolin e Tokyos në serinë e famshme “La Casa de Papel”, e cila lehtësisht është shndërruar në serinë më të shikuar në gjuhë të huaj në Netflix, shkruan KultPlus.
Sot, Ursula feston ditëlindjen e 30-të, duke arritur majat e
suksesit ndërkombëtar. Prej se ka marrë rolin e Tokyo, Ursula ka marrë edhe role
tjera dhe është e angazhuar gjithandej në projekte të ndryshme. Bulgari e ka
angazhuar me reklamat e bizhuterisë.
Ursula i ka 7.2 milion ndjekës në Instagram ndërsa cilësohet si një prej aktoreve më të mira në Spanjë.
Actress Ursula Corbero during tv show ” El Hormiguero ” in Madrid
23/10/2018
Ajo paraprakisht ka luajtur edhe në ‘La Corona Partida’, ‘Crónica de una voluntad’, ‘Proyecto Tiempo: La Llave’, ‘Física o Química’ dhe në role tjera në televizion dhe në film.
Ursula është në lidhje dashurie me një tjetër aktor të njohur spanjoll, Chino Darin.
https://www.youtube.com/watch?v=lztDqIGzUL4
“La casa de Papel” ose Money Heist është serial tanimë i
shikuar shumë edhe në Kosovë, ku këta aktorë edhe komentohen për stilin dhe për
aktrimin e tyre. Para pak ditësh ka dalë pjesa e tretë e serialit, i cili e përcjellë
një grup i cili angazhohet në rrëmbime dhe në vjedhje të parave në Bankën e
Spanjës. Kryesori prej tyre është “Profesori”. / KultPlus.com
Për ta krijuar të bukurën, Yllkës i duhet pak shpresë e shumë imagjinatë. Nga nevoja për të parë çfarë ka përreth, në pëlhurën e bardhë prej vijave që i ngjajnë si dallgët e jetës, ajo pasqyron atë që i shohin sytë e mendjes.
”Nuk e di, u kam thënë që nuk mundem të pikturoj. Nuk shoh. Më kujtohet edhe kartolina e parë. Ka qenë një dordolec, e kam pikturuar disi të shtrembëruar. Dordoleci ka qenë personi me aftësi të kufizuar që mundohet të arrijë qëllimet e veta”.
Pëlhura e saj mbulohet nga figura të thjeshta e shpeshherë të pa koordinuara, por me një kombinim kontraste ngjyrash që tregojnë anën emocionale të saj. “E verdhë dhe e gjelbër konsiston gjithmonë përshkrimi i natyrës dhe e bardha, sepse ndjehem pozitiv. E zeza, kur jam e mërzitur”, tregon ajo.
Yllkës nuk i mjaftoj kaq. Gjendjes së saj i ndihmojë tejet shumë edhe studimi i psikologjisë. “Ja arrij, nuk e lë në gjysmë të punës atë që e nis”, shprehet Yllka. /KultPlus.com
Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar historinë e veçantë të Bledi Luzit të cilit të gjitha rrugët e jetës i lidhen me muzikën si dhe me pasionin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove.
Bledi Luzi është biri i një violinisti, që ka studiuar për oboe dhe punon si instrumenstist profesionist në Orkestrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në fillimet e karrierës së tij ishte kureshtja e përzierë me trashëgiminë, që më vonë do të kthehej në pasion dhe zanat.
“Kam kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve për degën: oboe. Prej 23 vitesh jam instrumentist në Orketrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar”, shprehet Luzi teksa tregon për fillesat e karrierës së tij.
Luzi pohon se ka qenë një fëmijë mjaft kureshtar dhe me këtë profesion është dashuruar që në momentet e para.
Ai thotë se, “nuk mund të them se është i trashëguar plotësisht, është një profesion pas të cilit u dashurova që në momentin e parë. Edhe im atë ka qenë violinist pranë Ansamblit të Ushtrisë dhe në mënyrë autodidakte është marrë me riparimin e intrumenteve, të violinës, violës… Instrumentistët e oboes, në përgjithësi, kanë qëlluar tepër kërkues, kureshtarë, që duan të provojnë, të hulumtojnë. Unë kam qenë kureshtar që fëmijë”.
Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension.
“Sekretet janë disa, por të rëndësishme janë përqëndrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura, por është shumë e veçantë dhe e bukur”, tregon Luzi.
Ai tregon se profesioni i tij është mjaft i veçantë në Shqipëri ku thotë se, “për këtë profesion në Shqipëri nuk ka, ndërsa në botë po. Të mësosh më shumë varet nga dëshira dhe pasioni i njerëzve, që merren me të. Sot, në kohët e zhvillimit të teknologjisë, gjithçka është e mundur. Ke mundësi të komunikosh dhe të konsultohesh me kolegë jashtë vendit për çdo lloj problemi apo të mësosh mbi të rejat e fundit”.
Për zanatin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove ai ndihet si një kirurg që duhet të kujdeset për 9600 detaje.
“Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj. Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi, që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën”, shpjegon Luzi.
Si një kirurg që kujdeset për pianot ai tregon në detaje dhe sëmundjet e tyre dhe sesi duhet të mirëmbahen ato.
Luzi thotë se, “lidhen shumë me ambientin ku mbahen, me temperaturën, lagështirën.. që janë armiqtë kryesorë. Pianoja si çdo gjë tjetër ka nevojë për mirëmbajtje. Për të qenë i sinqertë, kultura e mirëmbajtjes është shumë e ulët, në një kohë që është prioritare. Në momentin që ti merr një piano, ajo bëhet si pjesë e shtëpisë dhe ka nevojë të mirëmbahet. Me kalimin e kohës ka nevojë për zëvendësime, riparime, kontrolle teknike”.
Bledi Luzi gjatë këtij zanati mjaft interesant i cili kërkon përkushtim dhe pasion ka përjetuar momente të ndryshme për të cilat thotë se,” nuk mund të them se ka shumë momente “dramatike”, pasi me impenjim dhe përkushtim, i gjendet zgjidhja çdo lloj defekti. Do veçoja atë momentin kur e gjen defektin, e riparon dhe çdo gjë del perfekt, lumturia është e papërshkrueshme. Është zanat i lodhshëm, pasi kërkon një punë shumë të imët, kërkon kohë pa limit, duhet të bësh kërkime, hulumtime mbi markën, kontekstin etj., por shumë e bukur, që të jep një kënaqësi shumë të madhe, sidomos kur arrin të shohësh përfundimin dhe të bësh krahasimin mes asaj që ishte dhe që është. Po edhe më pas, kur merr edhe falenderimet e të zotit”.
Luzi vijon se, “shpesh herë na ka ndodhur që instrumentisti të jetë në dilemë nëse duhet ta mbajë apo ta shesë pianon, të investojë për ta restauruar ose jo. Unë gjithnjë u them të mos nxitohen dhe këtë e bëj, jo për të pasur punë, por sepse ndarja me një instrument si pianoja është e dhimbshme dhe sot gjithçka është e mundshme për të sjellë një ndryshim rrënjësor tek një instrument”.
Luzi tregon se më përpara pianot nëpër shtëpia numëroheshin me gishta por tani me ndryshimin e kohërave ato janë shtuar dhe ka një sërë të tillash me firma nga më të ndryshmet që gjenden në shtëpitë e shqiptarëve.
“Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta.. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët, por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, thotë Luzi.
Ai vijon se, “përpara viteve ’90 gjeje më së shumti pianon çeke “Petrof”, atë gjermane “August Forster”, kishte edhe piano kineze. Por mund të kishte edhe piano të vjetra të trashëguara nëpër shtëpi, të tipit “Hoffler”. Pas viteve ’90 pati prurje të markave nga më të ndryshme”.
Nëse këtë pasion të tij Luzi do ja trashëgonte fëmijëve të tij ai tha se, “me dëshirën më të madhe. Unë kam dy djem, të cilët kanë bërë kurse pianoje, jo për profesion, dhe të dy janë në hapat e duhur për vazhdimësinë e këtij zanati. Ata po e shohin edhe vet përkushtimin tim maksimal, përqëndrimin dhe transportimin në një botë tërësisht tjetër. Është si puna e një mjeku që duhet të bëjë ekzaminimet deri në qelizën e fundit, që të gjejë arsyen e sëmundjes. Dhe deri tani shoh që jo vetëm janë kuriozë, por edhe janë në hapat e duhur drejt këtij profesioni”. /a.a/
Mbrëmjen e 10 gushtit u shpallën fituesit e edicionit të XVIII-të, të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest”. Gjatë nëntë ditëve të kinemasë, u shfaqën 282 filma, ndërsa fituesit e kësaj gare, vijojnë si më poshtë:
Juria: Krzystof Gierat, Mania Akbari, Luke Braëley.
FILMI FITUES: “TIMEBOX” me regji nga Nora Agapi.
Juria e njëjtë zgjodhi zgjodhi për ‘Çmimin Special’ në këtë kategori, filmin “ON THE ËATER” nga Goran Deviq, si dhe çmimin BEST BALKAN NEËCOMER për filmin “CENTAR” me regji të Ivan Markoviqit.
INTERNATIONAL – FEATURE DOX:
Juria: Adam Szymczyk, Stephanie Fuchs dhe James Lattimer.
FILMI FITUES: “PRESENT. PERFECT” me regji nga Shengze Zhu.
INTERNATIONAL DOX – SHORT:
Juria: Neil Young, Adele Kohout dhe Leonardo Bigazzi.
FILMI FITUES: “ËILD BERRIES” me regji nga Marianna Vas dhe Hedda Bednarszky.
INTERNATIONAL SHORTS:
Juria: Daniel Vadocky, Lendita Zeqiraj dhe Sudeep Sharma.
FILMI FITUES: “BROTHERHOOD” me regji nga Meryam Joobeu.
Juria e njëjtë zgjodhi për ‘Çmimin Special’ në këtë kategori filmin “ALL INCLUSIVE” nga Teemu Nikki
GREEN DOX:
Juria: Deniz Buga, Kati Juurus dhe Hanna Atallah.
FILMI FITUES: “EARTH” me regji nga Nikolaus Geyrhalter.
Juria e njëjtë zgjodhi për ‘Çmimin Special’ në këtë kategori filmin “THE HOTTEST AUGUST” nga Brett Story, si dhe përzgjodhi për ‘Çmim Special’ filmin “ACID FOREST” me regji të Rugilė Barzdžiukaitė.
HUMAN RIGHTS DOX:
Juria: Erëmirë Krasniqi, Simon Kilmurry dhe Sara Ruster
FILMI FITUES: “TINY SOULS” me regji nga Dina Naser.
NATIONAL:
Juria: Ilir Hasanaj ,Lala-Meredith Vula dhe Enrico Vannuci.
FILMI FITUES: “PICK A NAME” me regji nga Dritëro Mehmetaj.
ÇMIMI I AUDIENCËS:
Çmimi i audiencës shkon për filmin “THE REFORMIST – A FEMALE IMAM” nga Marie Skovgaard.
ÇMIMI I DISTRIBUIMIT
Çmimi i audiencës i shkoi filmit “DËSHMIA” nga Lum Radoniqi.
Historia e Komnenëve të epokës Bizantine është e lidhur me një sërë ngjarjesh e shekujsh me historinë shqiptare. Por padyshim, figura më e madhe e kësaj epoke ishte Aleksi I-rë, babai i kronistes bizantine Ana Komnena, autores së kronikës së famshme Aleksiada, ku në 15 libra, ajo tregon historinë e perandorisë dhe të atit të saj.
Në fakt, Aleksi I-rë (1058-1118), kishte qënë një strateg i madh ushtarak dhe në kohën e trazirave në Kosntantinopojë, ai përfitoi të marrë pushtetin, por jo përmes vrasjeve “byzantine” në prapaskenat e përgjakshme. Ai u bë perandor më 1 prill të vitit 1081 dhe historianët e mbajnë si një perandor të zgjuar e mjaft diplomat, i cili bëri aleanca me perandorinë gjermane, Papën e Vatikanit, venedikasit gjenovezët dhe fuqi të tjera, duke përfshirë këtu dhe turqit që po vinin në skenën e historisë.
Për të mbajtur fort pushtetin në krye të një perandorie të fuqishme për 37 vjet me rradhë, bëri shumë martesa familjare me princët më në zë të epokës së tij. Ai u shqua veçanërisht gjatë luftës me normandin Robert Guiscard, të cilësuar nga bashkëkohësit “Terror Mundi” (Tmerri i Botës); gjatë luftës kundër Bohemondit, birit të Robertit, kalorësi më i lavdishëm i kësaj epoke në Perëndim, duke e detyruar t’i nënshtrohet dhe të pranojë “Paqen e Devollit”, që hyri në histori me emrin “Traktati i Devollit”, duke u shquar njëkohësisht në kohën e lançimit të Kryqëzatës së parë, nga Papa Urban II, kur senjorët më të mëdhenj të Evropës perëndimore, morrën rrugën drejt brigjeve të Ilirisë e pastaj Stambollit e që andej drejt varrit të Krishtit në Jeruzalem.
Ai arriti të vihet pothuaj mbi të gjithë princat kristianë dhe të përfitojë një monopol politik të jashtëzakonshëm. Pas luftës së parë kundër Robertit para bedenave të kështjellës së Durrësit, dhe humbjes së tij, ai i luftoi normandët dhe në jugun shqiptar, në Janinë. Tregimi i Ana Komnenës në librin Aleksiada për luftën e Aleksit në fushën e Durrësit janë një burim i jashtëzakonshëm për historinë tone, libër ky që është përkthyer tashmë dhe do të botohet së shpejti. Por le tu referohemi më mirë disa prej fragmenteve të kronistes së famshme për atin e saj Aleksi I-rë dhe aventurën shqiptare./Konica.al
Shfaqja e kometës
«Betejën e zhvilluar në rrethinat e Dyrrachium-it midis trupave byzantine e shqiptare dhe nga ana tjetër trupave normane, Komnena e përshkruan në kapitullin me titull “Beteja. Fitorja e normandëve”. E habitshme është se kronistja thotë se në çastin e fillimit të luftës, në qiell ishte shfaqur një kometë. Ja çfarë shkruan ajo në këtë episod: «Meqë Roberti nxitonte të ndërtonte një kullë tjetër prej druri, të ngjashme me të parën dhe të përgatiste “heleopoles” kundër Dyrrachium-it, basileus, i bindur për nevojat që kishin mbrojtësit e Dyrrachium-it dhe që të ndihmoheshin ata me urgjencë, vazhdoi rrugën drejt Dyrrachium-it. Kur arriti aty, ai e vendosi ushtrinë në një kamp pranë lumit që quhej Charzane (Erzeni?) dhe menjëherë i dërgoi mesazhe Robertit, duke i kërkuar se përse gjëndej aty dhe çfarë qëllimi kishte. Pastaj ai shkoi në vëndin e shenjtë, sanktuarin, e ngritur për nder të priftit Nikola, katër stade larg Dyrrachium-it. Ai filloi të njihej me terrenin me qëllim që të gjente vëndin më të përshtatshëm për të vendosur trupat e tij dhe se kur duhej ta niste betejën. Ishte data 15 tetor. Ishte një shpat që ngrihej nga ana e Dalmacisë drejt detit, atje ku ajo përfundonte pothuaj në formë ishulli, mbi të cilin ishte ndërtuar një tempull, lidhur me çka shkruajta më sipër. Ai shpat që vështronte nga Dyrrachium, ulej gradualisht drejt fushës, duke patur detin në të majtë dhe një mal që ngrihej thikë në të djathtë. Pikërisht atje, Aleksi përqëndroi ushtrinë e tij dhe pasi ngriti kampin, i dërgoi një mesazh Gjergj Paleologut. Paleologu, i cili kishte një experiencë të madhe në situata të tilla, mendoi se nuk ishte e udhës të dilte nga qyteti dhe refuzoi të dilte, duke u justifikuar kështu për këtë te basileusi. Por kur ai e kërkoi sërrish me ngut, Paleologu iu përgjigj: “Më duket fatale të dal nga qyteti i rrethuar dhe nëse nuk shoh me sy unazën e dorës së Madhërisë suaj, unë nuk do të dal”. Atëherë atij iu dërgua unaza dhe kur e pa atë, atëherë Paleologu u nis të bashkohej me basileusin, duke shkuar me një anije lufte. Sapo basileusi u gjënd ballë tij, ai e informoi rreth Robertit dhe kur ai i paraqiti qartë situatën, basileusi e pyeti nëse duhej rrezikuar që të bënte luftën kundër Robertit apo jo. Paleologu donte që ai ta ndryshonte mendimin e tij për të bërë një betejë. Po kështu dhe të tjerë që kishin përvojën e betejave, të cilët u shprehën kundër fillimit të betejës dhe se duhej pritur që armiku të dëmtohej gradualisht me goditje të vogla, duke i penguar luftëtarët e Robertit, të cilët kërkonin të dilnin për të gjetur ushqime dhe tagji për kafshët. Njëkohësisht i duhej dhënë urdhër Bodin-it, dalmatëve dhe prijësve të tjerë të krahinave fqinje, duke u siguruar në këtë mënyrë se kështu do të ishte e lehtë që Roberti të mundej. Por shumica e oficerëve të rinj të ushtrisë së tij preferuan të nisnin betejën kundër Robertit dhe më shumë nga ata, Konstantin Porfirogjen, Niqifor Sinadenos, Nampites, komandanti i Varanges-vet si dhe bijtë e ish basileusit roman, Diogène, Léon dhe Niqifor (Bryenne). Dhe kështu, ambasadorët që iu dërguan Robertit u kthyen me mesazhin që ai i drejtonte basileusit. “Unë nuk kam ardhur këtu kundër teje, – i thoshte ai, – por më tepër për tu hakmarrë për padrejtësinë e bërë ndaj vjehrit tim. Nëse do paqe me mua, këtë e mirëpres me padurim, por nëse do të jesh gati të përmbushësh kushtet me të cilat do të njohin ambasadorët e mij”. Por ajo që kërkonte ai ishte e pamundur dhe e dëmshme për perandorinë romane edhe pse premtonte se nëse ia plotësonte kushtet, ai do ta konsideronte Longobardi-en e tij si të ishte tokë e basileusit dhe se në rast nevoje ai do t’i vinte për ndihmë. Por kjo ishte veçse një manovër, se gjoja donte veç paqe, ndërkohë që duke bërë propozime të pamundura për tu plotësuar dhe që do të refuzoheshin, ai kërkonte të përdorte armët dhe t’ia hidhte pastaj përgjegjësinë e luftës basileusit dhe romanëve. Në fakt, kur këto propozime të papranueshme u refuzuan, ai kishte thirrur gjithë kontët e tij dhe u kishte thënë: “Ju e dini padrejtësinë e bërë nga basileusi Niqifor Botaniates ndaj vjehrit tim dhe fyerjen që provoi vajza ime Helenë, e cila u përzu nga perandoria bashkë me të. Ne nuk mund ta durojmë këtë dhe ja pse kemi ardhur në këtë vend që të hakmerremi kundër Botaniates. Por ky është përmbysur nga froni dhe tani ne kemi të bëjmë me një basileus të ri, një luftëtar kurajoz që e njeh luftën dhe ka eksperiencë më shumë se mosha e tij, dhe ku ndaj të cilit ne nuk duhet të angazhohemi me operacione të vogla ushtarake. Vetëm atje ku është shumica e komandës, atje mbretëron dhe konfuzioni, sepse atje ku ka shumë mendime të ndryshme për betejën, atje mbillet dhe kaosi. Duhet që tashmë, ne të tjerët t’i bindemi veç një prijësi, i cili duhet të marrë mendimin e gjithësecilit, që të mos veprojë me teka dhe me kokë të tij pa pyetur të tjerët. Gjithë të tjerët duhet t’i thonë mendimet e tyre me sinqeritet, duke zbatuar pastaj mendimin e atij që do të jetë zgjedhur si prijës. Shikomëni mua: unë jam gati dhe i pari që do t’i bindem atij që do të zgjidhni ju!” Atëherë të gjithë e lëvduan ketë ide dhe deklaruan se Roberti kishte folur drejt. Pastaj me një vendim unanim ata i dhanë atij rolin e prijësit. Duke u lutur, Roberti bëri një çast sikur nuk e donte këtë përzgjedhje, por të tjerët, akoma më me këmbëngulje, kërkuan që ai ta pranonte. Dhe ai bëri sikur ishte i detyruar të pranonte kërkesat e tyre, edhe pse ai e kishte menduar me kohë këtë projekt. Ja çfarë tha ai në tërësi të fjalës së tij: “Kuptojeni mirë idenë time ju kontë dhe gjithë ju të tjerët e kësaj ushtrie. Ne lamë shtëpitë tona për të ardhur këtu dhe tani duhet të luftojmë kundër basileusit, i cili është një luftëtar me shumë kurajo. Edhe pse ka ardhur para pak kohësh në pushtet, ai ka fituar shumë beteja nën drejtimin e basileusve të tjerë, të cilëve u ka dorëzuar robërit më të rrezikshëm. Pra ne duhet të bëjmë një luftë me të gjithë energjitë tona. Nëse Zoti na jep fitoren, neve nuk do të na mungojnë paratë. Ja pse ne duhet t’i djegim të gjitha baullet tona, t’i fundosim anijet tona dhe t’i çojmë ato në fund të detit, duke u bërë luftë armiqve tanë sikur të kemi lindur dhe të vdesim po sot”. Të gjithë e aprovuan këtë fjalim të tij… Të tilla ishin kalkulimet e planet e Robertit. Ndërsa planet e autokratorit, edhe pse të ndryshme, ato ishin më të zhdërvjellta dhe të zgjuara. Megjithatë, të dy prijësat po i mbanin ushtritë duke studjuar taktikat dhe manovrat e tyre, çka u lejonte të drejtponin operacionet dhe të komandonin me kompetence. Duke menduar gjatë natës për të dy krahët e kampit të Robertit, autokratori urdhëroi gjithë ushtrinë aleate të sulmonin në shpinë të kampit, pasi të bënin rrugën e shkëmbenjve të kripores. Që të mos diktohej afrimi i ushtrisë, pa hezituar, ai caktoi një rrugë më të gjatë që duhej përshkuar, ndërsa vetë qëndroi në qëndër. Sapo pa që erdhën gjithë aleatët, i shpërndau në postet e caktuara për të sulmuar Robertin. Guiscardi, pasi i kishte lënë tendat e kampit, gjatë natës kishte kaluar urën. Ishte data 18 tetor. Me gjithë ushtrinë e tij, Aleksi shkoi tek tempulli që kishte ndërtuar dikur në breg të detit, për nder të martirit Theodore. Duke kërkuar të shkonte përgjatë gjithë natës, normandët u bashkuan me shpirtra të shenjtë. Roberti e vuri ushtrinë në formacion beteje dhe vetë u vu në qëndër. Krahun në anë të detit, ia besoi Amicetas, i cili ishte një kont i shquar, me dorë dhe zemër kurajoze, ndërsa krahun tjetër, birit të tij Bohemond, të quajtur Sanisque.
Kur perandori u njoh me këtë situatë, i shkathët siç ishte për të gjetur një zgjidhje dhe në momentet më të vështira, ai iu përshtat rrethanave dhe i vendosi trupat në pjerrësinë që shkonte drejt detit. Meqë e kishte ndarë ushtrinë në dy pjesë, ai nuk donte t’i pengonte barbarët që po shkonin të sulmonin kampin e Robertit, por mbajti vetëm ata që mbanin mbi supe armët me dy teha si dhe prijësin e tyre Nampites. Ai u tha të zbrisnin nga kali dhe të ecnnin në rresht përballë, jo larg nga fronti. Të gjithë mbanin mburoja. Pasi e ndau pjesën tjetër të ushtrisë në falanga, perandori u vendos në qëndër. Në të djathtë, si prijës të falangës caktoi princin Niqifor Melisene dhe atë që quhej Pakurianos, i cili ishte “domestiku i madh”. Distanca midis tij dhe barbarëve që ecnin në këmbë, ishte mbushur nga një kontigjent i fortë ushtarësh të shkathët që gjuanin me shigjetë, me të cilët do të sulmonte Robertin. Në fakt, ai e kishte urdhëruar Nampites që sapo shigjetarët të sulmonin mbi keltët, ai të shkonte pastaj nga prapa që të lejonte kalimin, duke i hapur të dy anët, dhe pastaj t’i bashkonte sërrish, duke ecur përsëri me rradhë të shtrënguara. Pra, pasi i vendosi kështu të gjitha trupat e tij, ai përparoi vetë në ballë për të sulmuar drejt mbi ushtrinë kelte, duke ndjekur bregun e detit. Nga ana e tyre, barbarët, të cilët i kishte dërguar të kapërcenin karrierat e kripës, sapo mbrojtësit e Dyrrachium të hapnin portat sipas urdhërit të autokratorit, në të njëjtin moment ata do të suleshin mbi trupat kelte. Ndërkohë, që të dy prijësat e ushtrive armike mes tyre, marshonin kundër njëri tjetrit. Roberti dërgoi një detashment kavalerie me urdhërin që të bënin të largohej sa më larg një pjesë e ushtrisë armike. Por basileus nuk e la veten të binte në grackë. Për më tepër ai përforcoi barrierat që duhej të përballonin sulmin armik. Deri në këtë moment, ndodhën veç disa përpjekje të vogla luftarake midis tyre. Por Roberti qëndronte i qetë dhe në lidhje me komandantët e tij, ndërkohë që distanca midis dy ushtrive zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, këmbësorë e kalorës të falangës së Amicetas u hodhën dhe sulmuan në anët e trupave të Nampites. Përballë rrezistencës së madhe të luftëtarëve tanë, sulmuesit kthyen shpinat, pasi jo të gjithë ishin ushtarë elite. Ata nxituan drejt detit, me ujin deri në grykë, duke iu afruar flotës romano-veneciane. Ata u kërkuan që t’i shpëtonin, por venecianëtnuk i pranuan. Pikërisht atëherë, ashtu siç dhe flitej, Gaita, gruaja e Robertit, e cila luftonte bashkë me të shoqin, ashtu si një Pallas tjetër, edhe pse nuk ishte një Athina, duke pare luftëtarët e tyre tek i iknin betejës, me një vështrim të zëmëruar, ajo u thirri me një zë kumbues, duke u thënë në gjuhën e tyre diçka të përafërt me vargjet e Homerit: ”Deri kur do t’ia mbathni kështu? Ndaloni dhe bëhuni burra!…” Meqë ata vazhdonin të iknin para syve të saj, ajo kapi një heshtë të gjatë dhe gjithë britma, u lëshua duke i ndjekur nga pas. Duke parë këtë skenë, luftëtarët e mblodhën veten dhe iu kthyen betejës. Ndërkohë ata që ishin me sopata dhe prijësi i tyre Nampites, pa eksperiencë dhe me vrullin që i kishte kapur, përparuan shumë dhe tashmë ja tek gjëndeshin larg rradhëve të romanëve, të shtyrë kështu nga dëshira që të jenë po aq me kurajo sa dhe keltët. Kur Roberti i pa që tashmë ata ishin lodhur dhe po u merrej fryma nga distanca e madhe dhe pesha e armëve, ishte i sigurt se tani fundi i tyre do të ishte i shpejtë. Atëherë ai i dha urdhër një detashmenti këmbësorie që të suleshin mbi ta. Por nga lodhja, ata ishin më të dobët se keltët. E kështu, gjithë ajo trupë barbarësh u masakruan dhe ata që mundën të iknin, u strehuan në tempullin e kryestrategut Mihal, (Shën Mihalit). Të gjithë ata që mundën, u futën brënda. Të tjerët u ngjitën sipër në çati, duke pandehur se atje ata ishin të sigurtë. Por latinët i vunë flakën dhe bashkë me tempullin u dogjën të gjithë. Megjithatë, pjesa tjetër e ushtrisë romane luftonte me trimëri kundër armikut. Por Roberti, si një kalorës me flatra, bashkë me trupat e tjera u sul mbi falangat romane, duke i shpartalluar ato. Në krahun e kundërshtarëve, disa ranë duke luftuar në fushë të betejës, të tjerët, duke ia mbathur për të shpëtuar. Basileus Aleksi qëndronte si një kullë e fortë dhe e patundur, edhe pse kishte humbur shumë nga shokët e tij, luftëtarë të shquar për nga soji dhe përvoja luftarake. Atje ra p.sh. Kostandin Dukas, biri i ish basileus-it Konstandin Dukas, i cili lindi kur i ati nuk ishte më një njeri i zakonshëm, e për këtë shkak, ai lindi në «porphyra» dhe u nderua nga i ati me diademën imperiale. Po kështu Niqifori, i mbiquajtur Sinadenos, i familjes Botaniates, një ushtar plot kurajo dhe shumë i bukur, i cili atë ditë u përpoq t’ua kalonte gjithë të tjerëve për nga trimëria e që të dy, bashkë me Konstandinin, flisnin për martesën e ardhshme me motrën e tij. Gjithashtu ra në betejë dhe Niqifori, babai i Paleologut si dhe personazhe të tjera të shquara. Zaharia u godit për vdekje në gjoks dhe menjëherë dha frymën e tij të fundit. Ranë dhe Aspietes dhe ushtarë të tjerë të elitës së ushtrisë. Por beteja ndërkohë nuk po mbaronte dhe basileus vazhdonte të rrezistonte gjithnjë. Atëherë tre latinë u shkëputën, njëri prej të cilëve Amicetas, tjetri Pier, biri i Alifa-s, siç ka thënë vetë ai si dhe një luftëtar tjetër, po aq i zoti si ata. Duke lënë kuajt me kapistrat e tyre dhe duke tundur heshtat e gjata, ata u sulën kundër Aleksit. Amicetas qëlloi drejt tij, por nuk e goditi, pasi kali i basileusit u largua disi. Aleksi e largoi heshtën e tjetrit me shpatën e tij dhe me të gjitha forcat e goditi kundërshtarin në klavikul, duke ia këputur gjithë gjymtyrën. Në çastin kur luftëtari i tretë e sulmoi përballë, me vendosmëri dhe një forcë shpirtërore ku asgjë nuk e trëmbte më, në sajë dhe të mëndjes së tij të mprehtë, ai e kuptoi menjëherë se ç’duhej të bënte : në momentin kur tjetri goditi, ai u shtri me kurriz mbi vithet e kalit. Sapo tehu i heshtës e preku lehtë lëkurën e trupit, duke u ndalur nga cepi i kaskës së hekurt, ai e këputi rripin që e fiksonte nën mjekër dhe e hodhi né tokë. Por kelti vrapoi drejt tij duke e pandehur të çarmatosur. Por papritur perandori u ngrit mbi shalë dhe u ul mirë mbi tëpa lëshuar asnjë nga armët e tij. Duke e mbajtur shpatën në dorën e djathtë, i mbulur nga një pluhur i përskuqur nga gjaku i tij, me kokën e zbuluar dhe flokët e kuqërremta që i tundeshin mbi fytyrë, duke rimarrë forcat, ai vazhdoi tu rrezistonte armiqve. Megjithatë, ai pa nga turqit që po largoheshin, madje dhe aleati Bodin, i cili nuk ishte përpjekur fare të hynte në betejë. Në fakt, ky i fundit i kishte ngjeshur armët për luftë dhe i kishte rradhitur forcat në rresht-betejë, por ai kishte qëndruar kështu gjatë gjithë kohës, sikur të donte ta ndihmonte basileusin veçse në rast nevoje, sipas marrëveshjes që dhe kishin bërë. Sigurisht ai priste nëse fitorja do të shkonte nga ana e perandorit, që pastaj t’i propozonte atij që të sulej mbi keltët. Ndryshe, ai do të abstenonte dhe do të luftonte duke u tërhequr. Këtë mendim të tij e tregoi dhe qëndrimi konkret i tij. Sapo ai kuptoi që fitorja ishte në duart e keltëve, ai u tërhoq pa bërë as dhe betejën më të vogël. Kur autokratori pa se askush nuk po vinte në ndihmë të tij, edhe ai i ktheu krahët betejës. Atëherë, latinët u sulën pas tij, duke ndjekur pas ushtrinë romane.
Ikja e e bazileusit Aleks
Kur Roberti kishte pushtuar tempullin e Shën Nikollës ku gjëndej dhe tenda imperiale dhe gjithë bagazhet e ushtrisë romane, të gjithë ushtarët që kishte, ai i hodhi në ndjekje të basileusit. Vetë qëndroi aty ku ishte, duke imagjinuar se autokratori do të ishte kapur tashmë rob. Ishin këto mendime që i kishin pushtuar shpirtin e tij krenar. Pra ushtarët u hodhën gjithë vrull në gjurmë të basileusit, gjer në vëndin e quajtur nga banorët vëndas, Kakepleura. Basileusi ishte poshtë në vendin ku rridhte lumi i quajtur Charzane dhe ku në anën tjetër kishte një shkëmb të lartë që binte thikë. Pikërisht atje e gjetën keltët. Ata e qëlluan me heshta nga ana e majtë, duke bërë që ai të përkulej djathtas. Ishin nëntë keltë. Ai sigurisht do të binte, nëse nuk do të bënte kujdes që të mbështetej mbi shpatën e vendosur në tokë, të cilën e mbante me dorën e djathtë. Për më tepër, maja e mamuzeve të këmbës së majtë, e ngulur në cepin e mbulesës së shalës, që quhet “lipostroma”, e bëri më të vështirë rënien e kalorësit. Me dorën e majtë ai tërhoqi cepin e shalës dhe kështu arriti të mbahej. Si gjithnjë, ai u ndihmua nga një fuqi hyjnore, çka papritmas i solli shpëtimin nga armiqtë e tij. Nga e djathta iu shfaqën keltë të tjerë, që flakën mbi të heshtat e tyre, por duke u kapur mbi njërën prej tyre, heroi ynë qëndroi në ekuilibër midis heshtave që shkonin mbi të. Dukej vërtet si një spektakël i habitshëm, pasi ata që ishin majtas përpiqeshin ta rrëzonin, ndërkohë që keltët e tjerë në të djathtë hidhnin shigjetat mbi të, sikur të qëllonin përballë luftëtarëve të tyre. Por Aleksi, pasi mori forcë dhe u ngrit mbi kalin e tij, duke e shtrënguar atë midis këmbëve dhe shalës së tij, dha një prove tjetër trimërie. Por edhe kali me atë mbulesë të purpurt, që dallohej për fuqi e shkathtësi të veçantë, pati atë forcë që duhej vërtetë për luftë. (Në fakt, ai ia kishte marrë atë Bryene-it, atëherë kur e kapi në betejë e sipër, kur në fron ishte perandor Niqifor Botaniates). Pra, për t’i rënë shkurt, i ndihmuar nga fati hyjnor, ai papritur kërceu e çau përpara duke u gjëndur në majë të shkëmbit, sikur të kishte fluturuar lehtësisht, e po ta themi në mënyrë mitologjike, sikur të kishte krahët e Pegas-it. Bryenne e kishte quajtur këtë kalë Sgurices. Ndërkohë që heshtat e barbarëve binin, disa prej tyre qëlluan bosh. Të tjerat, duke shpuar mburojën e perandorit qëndruan aty të ngulura. Duke u larguar, shigjetat ndiqnin pas kalin. Por perandori i këputi menjëherë këto shigjeta që kishte përreth tij. Edhe pse gjëndej në rrezik të madh, ai e ruajti gjakftohtësinë, ashtu siç ndodhte kur merrte vendimet e tij. Por shpejt ai zgjodhi rrugën e tij më të mirë dhe shpëtoi për mrekulli. Keltët mbetën gojëhapët dhe të hutuar para asaj që po ndodhte. Padyshim kishte pse të habiteshin, meqë po e shikonin Aleksin tek ikte nëpër një shteg tjetër. Dhe ata u vunë pas tij. Por pasi u ktheu kurrizin ushtarëve që e ndiqnin për një kohë të gjatë, ai u kthye një çast kundër njërit prej tyre dhe i nguli heshtën në gjoks. Tjetri ra përmbys në tokë. Basileusi u kthye përsëri mbi shalë dhe morri rrugën e tij të parë. Nga pas iu vunë një mori e madhe keltësh, të cilët i kishin përzënë trupat romane. Kur ata e panë së largu, shtrënguan rradhët dhe ndaluan, si për të shlodhur pak kuajt e për ta kapur atë të gjallë, në mënyrë që t’ia çonin Robertit si plaçkë lufte. Aleksi po u ikte atyre që e ndiqnin dhe ja kur pa të tjerë para tij, duke i humbur të gjitha shpresat se mund të shpëtonte. Megjithatë i mori forcat dhe duke pikasur në qëndër të tyre një burrë, që për nga paraqitja dhe shkëlqimi i armëve iu duk si Roberti, kur tjetri po e qëllonte me heshtë, ai iu vërtit sipër megjithë kale. Por ishte autokratori që fillimthi e goditi atë me heshtë, e cila i hyri tjetrit në gjoks, duke i dalë pastaj nga shpina. Barbari ra në tokë menjëherë, u rrotullua dhe dha shpirt nga plaga vdekjeprurëse që kishte marrë. Meqë tani ai e kishte thyer rreshtin e armiqve, basileusi u sul me galop, duke çarë përpara e duke shpëtuar me vdekjen e barbarit. Sapo të tjerët panë shokun e tyre të binte në tokë i plagosur, ata nxituan drejt trupit të tij të shtrirë duke u kujdesur për të. Kur normandët panë atë grup ushtarësh që ndiqnin basileusin, ata zbritën nga kuajt dhe duke e njohur të vrarin, filluan të vajtonin dhe të godisnin gjoksin. Ky njeri, edhe pse nuk ishte Roberti, ishte megjithatë një nga më fisnikët dhe ndihmësit e tij. Ndërkohë që ata merreshin me të, basilesi kishte ikur përpara./Konica.al
Gjatë këtij tregimi, (për shkak të natyrës historike dhe madhështisë së këtyre bëmave), unë harrova se ky njeri ishte im atë. Dëshira ime është që të mos lë të dyshohet për këtë histori, pra që e shtyrë nga pasioni të mos i ekzagjeroj ngjarjet. Plutôt au ciel që të jem në fakt e lirë dhe larg këtij pasioni për atin tim, me qëllim që duke trajtuar këto ngjarje të pasura me gjuhën time, të mund të tregoj pa pengesë dhe të vlerësoj aksionet e mëdha. Por dëshira ime është e fshehur në arësyen e kësaj dashurie natyrore, pasi nuk dua të kem pamjen se po i jap publikut rastin se po nxitoj të flas për njerëzit e mij dhe se po shkruaj përralla. Në kujtimet e shpeshta që kam për tim atë, në këtë libër historik, dua të shmang çdo retorikë të zbukuruar. Ja pse sikur të isha një diamant apo gur i pandjeshëm, unë përjetoj vuajtjet e tim ati, që të mund të meritoj emrin e dashur të tij. Për këtë, mu desh të betohem si ai djalosh për të cilin flet Homeri, (pasi nuk jam më pak e mirë se ai), kur thoshte: “Jo nga Zeus, Agélas dhe nga vuajtjet e tim ati”. Le të m’i lënë mua pafatësitë e tim ati, që ta admiroj e ta qaj atë më lotë, dhe le të vazhdoj tregimin e historisë sonë.
Pas kësaj ngjarje, keltët u kthyen te Roberti. Kur i pa ashtu duarbosh dhe mësoi se ç’kishte ndodhur, i shau rëndë të gjithë, madje njërin prej tyre, prijësin, e kërcënoi se do ta rrihte me kamzhik, duke e cilësuar si një luftëtar frikacak dhe gdhë. Dhe ky luftëtar, i cili nuk ishte hedhur drejt shkëmbit me kalin e tij dhe që pasi e kishte hedhur nga kali, nuk kishte arritur ta kapte rob Aleksin për t’ia sjellë Robertit, tani priste të vuante torturat e fundit. Roberti, ishte një njeri shumë trim e kurajoz ; ai ishte gjithashtu dhe një njeri që e kishte zemërimin në flegrat e hundës dhe zemrën të gufuar me urrejtje ndaj armikut, të cilin mendonte gjithnjë se duhej ta përshkonte me heshtën e tij, ose të vdiste duke e këputur siç thuhet, fillin e jetës. Megjithatë, ai luftëtar, të cilin Roberti po e qortonte aq rëndë, i tha se shkëmbi ishte shumë i lartë, se ishte thikë dhe tepër i rrezikshëm për tu ngjitur. Askush nuk mund të ngjitej në këmbë apo me kalë pa një ndihmë hyjnore. Jo vetëm në kohë beteje dhe në luftë e sipër, por dhe në një kohë tjetër, të përpiqeshe t’i ngjiteshe atij shkëmbi ishte e pamundur. «Por nëse dikush është i aftë të ngjitet, jo vetëm pa krahë, por edhe me krahë, jam gati të vuaj dhe torturat më të mëdha dhe të dënohem si një njeri i ulët». Kjo gjuhë e bëri ta admirojë atë dhe ta habisë, duke e qetësuar inatin e Robertit, i cili zemërimin e ktheu në admirim.
Pasi kishte përshkuar shtigjet e rrezikshme të maleve përreth, nga shtigje të pashkelura gjatë dy ditëve e netëve, basileusi, arriti në Ohër. Gjatë rrugës, ai kapërceu lumin Charzane dhe ndaloi në vëndin e quajtur Babagora, në një qafë ku kalohet me vështirësi. Mendimet e tij nuk ishin tronditur as nga humbja dhe as nga fatkeqësitë e betejës, madje as nga dhimbja e plagës që kishte marrë në fushën e betejës. Por shpirtërisht, ishte i vrarë nga vdekja e luftëtarëve të tij, rënë në betejë, veçanërisht ata që kishin rënë në mënyrë heroike. Megjithatë ai mendonte veç për qytetin e Dyrrachium-it dhe i vinte keq që ai qytet kishte mbetur pa prijës, pasi Paleologu nuk kishte mundur të hynte përsëri, meqë beteja filloi shumë shpejt. Megjithatë, ai kishte mundur të siguronte shpëtimin e banorëve: gardën e akropolit ia kishte besuar prijsave venecianë që kishin ardhur aty, (një i quajtur Domenico, sipas Malaterra-s), ndërsa pjesën tjetër të qytetit ia ishte lënë Kamiskortës, me origjinë shqiptare, të cilit me letër i kishte dhënë porositë për masat që duhej të merrte… »
Por ç’ndodhi më vonë? Sipas kronikave të ndryshme, Aleksi shumë shpejt arriti të mbledhë trupa të tjera dhe të luftojë në Janinë, një vit më vonë. Në këtë betejë, Aleksi kishte përgatitur karro me heshta të mprehta që të thyente pararojën e Bohémondi-t, i cili zakonisht sulmonte gjithnjë në qëndër, por i informuar për këtë përgatitje të bizantinit, normandi sulmoi nga krahët dhe perandori u tërhoq i thyer. Më pas, ai u përpoq të ndeshej me normandët edhe në Arta, por e kishte të pamundur të përballonte furinë normande. E vetmja rrugë ishte kthimi drejt Konstantinopojës. „Megjithëse Guiscard-i kishte fituar, – shkruan historiani Villemain në librinHistoire de Grégoire VII, – ai ishte tërhequr disi nga qyteti dhe qëndronte në fushën e Durrësit. Pranë lumit Guival, ai ngriti një fortesë që do të mbetej në kujtesën e këtij vëndi. Tashmë, në krye të Durrësit, Paleologu ishte zëvëndësuar me një venedikas. Meqë në qytet kishte pakënaqësi, ai kërkoi të bisedonte me komandantin e kështjellës përmes një qytetari nga Bari, i cili atë kohë shërbente në Durrës. Normandi shkoi me një eskortë të zgjedhur pranë kishës së Shën Nicolas, ku venedikasi erdhi të bisedonte me të. Guiscard-i i propozoi ta martonte me një nga bijat e tij, nëse ai dorëzohej pa luftë. Dhe ashtu ndodhi…“ Venecianët hapën portat e qytetit. Kjo ishte disfata e parë e madhe e perandorit bizantinas./Konica.al
Shtëpia italiane e modës Versace ka kërkuar falje në Kinë për shitjen e bluzave me emra të pasaktë të vendeve e qyteteve.
Kjo ka ndodhur
pasi një aktore kineze tha që veshja e dëmtonte integritetin territorial të
vendit, gjë që bëri që ajo t’i ndërpresë lidhjet e saj me kompaninë,
shkruanKult Plus.
Versace nuk e
identifikoi bluzën në një postim në mediat sociale të Dielën, por mediat kineze
thanë se artikulli nuk i renditi Hong Kongun dhe Macao si pjesë të Kinës.
Të dy
ish-kolonitë evropiane u kthyen në Kinë në fund të viteve 1990.
Aktorja Yang Mi kishte bërë të ditur zhgënjimin e saj përmes një postimi në Facebook./KultPlus.com