Jeta e Nexhmije Pagarushës edhe në libër, promovohet të shtunën

Monografia “Nexhmije Pagarusha” është një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare, Nexhmije Pagarushës. 

Monongrafia për Nexhmijen ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me Nexhmije Pagarusha, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.

Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe. Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije.  Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Promovimi i librit monografik “Nexhmije Pagarusha” do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00 në Hotel Sëiss Diamond, Prishtinë. Ceremonia e promovimit të këtij libri monografi tenton që në mbrëmjen e 21 shtatorit të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit si dhe para zonjës së madhe e cila është subjekti kryesor i këtij libri.

Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Gjuha shqipe në programin e Universitetit të Regensburgut

Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se gjuha shqipe do të jetë pjesë e programit mësimor në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, shkruan KultPlus.com

“Gjuha shqipe pjesë e programit mësimore në Universitetin e Regensburgut në Gjermani. Duke filluar nga ky semester, studentët kanë mundësi të njihen me konceptet bazë të gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në jetën e përditshme”, ka shkruar Majko në Facebook.

“Jeta ime”, testamenti shpirtëror i Nënë Terezës

“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten”

“Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.

Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.

Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.

Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.

Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.

Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.

Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.

Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.

Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!”. / KultPlus.com

Nëna Terezë

“Shpirti magjik i Violonçelos”, koncerti që mahniti publikun në Prishtinë

Qendrim Badalli

Publiku po i shfaqte hapur dhe fuqishëm emocionet e tij. Ndonjë “Bravoo” dëgjohej nga të pranishmit që përcillej më pas me duartrokitje të pafundme. Nuk ndodhte në Vjenë, ndodhte në Prishtinë. Aty ishte violonçelisti rus, Denis Shapovalov, në performim të përbashkët me pianisten nga Bullgaria, Daniela Dikova, të cilët me një qëndrim shumë miqësor dhuruan emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

“Shpirti magjik i Violonçelos” quhej mbrëmja e djeshme në të cilën dy artistët e huaj interpretuan veprat e kompozitorëve të njohur si: Luigi Boccherini, Felix Mendelsson, Boguslav Martinu, Pyotr Tchaikovsky, Johanes Brahms, Sergey Rachmaninoff, Claude Debussy, Dmitri Shostakovich, Sergei, Prokofiev.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, violonçelisti rus, Denis Shapovalov, ka thënë se ishte një nder për të, të performonte në hapjen e koncertit të sivjetëm. “Është gjë e madhe, është nder i madh të luaja në hapjen e koncertit. Dje ishte një koncert i madh, sepse kisha një komunikim më të madh me publikun, e ndjeja atë. Është e rëndësishme që të transmetosh gjithçka çfarë ndjen, por edhe sot ishte një koncert i mirë”.


Teksa ka folur për nivelin artistik të Kosovës, ai ka thënë se edhe kultura dhe arti varen nga investimi ekonomik që bën shteti për ta. “Është çështje parash. Gjithçka sillet rreth parave. Qeveria duhet të investojë në kulturë në mënyrë që ajo çdo ditë e më shumë të zhvillohet e të fuqizohet”.

Tutje, qëndrimin në Kosovë e ka vlerësuar si eksperiencë të mirë, teksa ka thënë se do e vizitojë Kosovën serish meqë tani ka bërë shumë miq. “Është një eksperiencë e mirë, këtu është pjesë jashtë zonës ortodokse ruse dhe mund ta ndjejë një atmosferë tjetër, edhe njerëzit janë shumë të mirë. Është një mundësi e mirë që të thyej steriotipet që janë të ndërtuara për këtë vend. Unë do të vij prapë në Kosovë, tani kam bërë shumë miq”.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Botschafter Christoph Weidinger dhe një numër relativisht i madh i publikut. Koncerti u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare-Prishtinë duke filluar nga ora 20:00. Sivjet në këtë edicion jubilar do të performojnë rreth 40 artistë botëror si dhe mbarë shqiptar dhe ansamble harkore, pianistike e frymore. 13 Koncerte do të realizohen në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të UP-së përpos koncertit të mbrëmjes përmbyllëse i cili do të realizohet në Pallatin e Rinisë-salla e kuqe. / KultPlus.com

“Rolling Stones” festojnë 50-vjetorin duke risjellë albumin “Let It Bleed”

Legjendat britanike të rokut, “The Rolling Stones” me rastin e pesëdhjetëvjetorit të publikimit të albumit të famshëm ‘Let It Bleed’, do ta ripublikojnë atë, të rimasteruar në versionin mono dhe stereo me singlin në pllakën 7-inçëshe, posterin dhe librin, raporton NME.

Edicioni Deluxe do të jetë në dispozicion nga data 1 nëntor, ndërsa vjen në dy vinilë ose me një CD set të dyfishtë ‘HybridSuper Audio’, me albumin plotësisht të rimasteruar në versionin stereo dhe mono.

Në koleksion është edhe riproduksioni i singlit të vitit 1969 ‘Honky Tonk Women’/’You Can’t Always Get What You Want’, tre litografi, një poster i madh nga pakoja origjinale dhe libri me kopertinë të trashë prej 80 faqesh që e përmban esenë e gazetarit David Fricke dhe fotot e papublikuara deri më tani të Ethan Russell. Versioni stereo i rimasteruar do të jetë gjithashtu në dispozicion veçmas në CD, vinil dhe digjital, shkruan Koha Ditore. / KultPlus.com

Margariti për çmimin e Kadaresë: Lajm i mirë për gjithë letërsinë shqipe

Ministrja e Kulturës Elva Margariti është shprehur për shkrimtarin Ismail Kadare i cili u shpall fitues i çmimit ndërkombëtar vjetor për letërsi “Pak Kyongni”, se ky është një lajm i mirë jo vetëm për një shkrimtar të madh, por për gjithë letërsinë shqipe.

“Kënaqësi të ndash një lajm të mirë jo vetëm për një shkrimtar të madh, por për gjithë letërsinë shqipe. Mes 350 autorësh nga e gjithë bota, Ismail Kadare nderohet me çmimin “Pak Kyongni 2019”, të cilin ai vetë do ta tërheqë në muajin tetor, në Korenë e Jugut”, shprehet ministrja Margariti.

“Do ta ruaj gjatë kënaqësinë e takimit dhe bisedat me të, rreth letërsisë, raportit mes shkrimtarit dhe regjimeve, ndryshimet mes brezave, premisat e së ardhmes. I përcjellim urimet tona më të përzemërta dhe falënderimin për letërsinë e pakohë, që na ka dhuruar”, tha Margariti. /atsh / KultPlus.com

Nuk pranohet asistente në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti Teknik i Mynihut i akordon doktoraturën

Studentja e Fakultetit të Mjekësisë, Shqipdona Lahu përmes një statusi në Facebook ka reaguar në lidhje me vendimin e këshillit të Fakultetit të Mjekësisë për angazhimin e personelit akademik, e ku Lahu ishte një nga kandidatet që i plotësonte të gjitha kushtet dhe ishte e vetmja me notën maksimale 10.0, por kjo nuk i ndihmoi të marrë detyrën që e pretendoi, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të Shqipdona Lahut:

Vendim i turpshëm i këshillit të Fakultetit të Mjekësisë!!

Se është kriminalizuar gjithçka në Kosovë u vërtetua edhe me vendimin e këshillit të FM për angazhimin e personelit akademik, me ç ‘rast unë si studentja me suksesin më të lartë në studime, prej ekzistimit të këtij fakulteti, nuk zgjedhem asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kam konkurruar, edhe pse isha e vetmja me notën maksimale (10.0).

Për shembull, në lëndën e Anatomisë angazhohen dy kandidatë, ku asnjëri nga ta, në dy provimet e kësaj katedre (Anatomi 1 dhe Anatomi 2) nuk ka notë më të lartë se nota 8. Vallë si do ia dalin këta me studentët?!
Është turp të anashkalohen kandidatët që në këto dy provime kanë nota maksimale!

Kjo tregon se edhe këtu ka nevojë për një task-forcë për luftimin e korrupsionit, klientelizmit, krimit të organizuar dhe anomalive tjera.
Për më tepër, kjo tregon më së miri nivelin në të cilin është katandisur arsimi në tërësi, e veçanërisht ai universitar, andaj nuk ishte e rastësishme gjetja e ORCA- s në të cilën potencohet se 72% e profesorëve të UP-së, nuk i arsyetojnë thirrjet e tyre akademike, e 45% prej tyre s’kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista të mirëfillta shkencore.
Deklarimi i Albin Kurtit se për të rregulluar gjendjen në arsim duhen dy mandate është më tepër se i saktë, është profetik.

Nuk dua ta kuptoni këtë brengë si problem timin, ngase ai më së paku është imi.

Kjo ishte mundësia e fundit dhe fjala që i kisha dhënë babait dhe familjes për qëndrim në Kosovë, ngase Universiteti Teknik i Mynihut më ka akorduar doktoraturën, me të përfunduar studimet.

Unë jam fitimtare, ju vuani që nuk jeni si unë!

Të gjithë ju, që në mënyrë direkte keni gisht në këto përzgjedhje, turpi u mbuloftë!

Po nuk gjetët ilaç në Kosovë kur të sëmureni, sepse vetë po i largoni kuadrot, mua do më gjeni në Mynih; e unë do kujdesem për ju aq mirë, sa ndërgjegjja t’u mundojë tërë jetën.

P.S. Nga ky shkrim imi nuk duhet të ndihen të prekur profesorët e vërtetë! / KultPlus.com

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës sot hapet ekspozita e Vehbi Muratit

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës sot, në orën 19, hapet ekspozita personale të piktorit Vehbi Murati, e titulluar “Një ditë e zakonshme shtatori”.

I rritur në vitet e nëntëdhjeta, ambienti i trazuar politik për popullin shqiptar të Kosovës, pashmangshëm se kishte ndikim edhe në shprehjen emocionale e artistike të Vehbiut.

Dhe jo vetëm zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, por edhe ato të dy dekadave të para të shek. XXI., pasqyrohen në habitatin personal kulturor të piktorit Vehbi Murati.

“Një Ditë e Zakonshme Shtatori” përbëhet nga piktura të cilat autori i ka realizuar viteve të fundit dhe janë kryesisht të formateve të mëdha. Në to paraqiten kryesisht situata të “zakonshme” të cilat mund të jenë të një dite të zakonshme shtatori, sikur që na sugjeron titulli i kësaj ekspozite.

Ekspozita ka për kurator Mehmet Behlulin, ndërkaq drejtohet nga koordinatorja e GMK-së, znj. Dhurata Ramosaj-Shala. / KultPlus.com

“Unë do të mundohem të bëj më të mirën time të mundshme në këtë botë”

1. “Jeta vjen me shumë sfida. Ato që nuk do të duhej të na frikësonin, janë ato që mund ti kontrollojmë.”

2. “Pa dhimbje, nuk do të kishte vuajtje. Pa vuajtje kurrë nuk do të mësonim nga gabimet tona. Për të bërë gjënë e duhur, dhimbja dhe vuajtja janë çelësat e të gjitha dyerve.”

3. “Nëse nuk dilni nga kutia në të cilën jeni rritur, kurrë nuk do ta kuptoni se sa e madhe është bota.”

4. “Ne nuk dashurojmë kur gjejmë njeriun perfekt, por kur mësojë të shohim një njeri jo perfekt në mënyrë perfekte.”

5. “Nëse pyetni njerëzit, shumica nuk kanë bërë atë që kanë dashur. Kjo më dhemb në zemër. “

6. “Nëse mendoj për vdekjen më shumë se të tjerët, është për shkak se unë vlerësoj jetën më shumë se ta.”

7. “Unë do të mundohem të bëj më të mirën time të mundshme në këtë botë.”

8. “Ti mendon, “çfarë nëse do ta bëj një gabim sot dhe do të pendohem’. Por unë nuk besoj në pendim, unë besoj që çdo vendim çon tek të kuptuarit se kush jemi, dhe thjesht duhet të hedhim një hap para, të përkushtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

9. “Sa herë që ndihem e humbur, marr një hartë dhe e vështroj deri sa ti kujtoj vetës sime se jeta është një aventurë e gjatë, sa shumë për të bërë e sa shumë për të parë!”

10. “Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte.”/KultPlus.com

Lëvizja intelektuale dhe filozofike që shkundi Evropën dhe dominoi botën e ideve

Pas shpërthimit të krijimtarisë në Firence gjatë shekullit XIV, njohur si epoka e Rilindjes, bota moderne pa një shkëputje nga ajo që dikur kishte ditur. U kthye nga Zoti dhe autoriteti i Kishës Katolike Romake dhe favorizoi një qasje më humaniste ndaj qenies.

Idetë e Rilindjes ishin përhapur në të gjithë Evropën në shekullin e 17-të, me artet dhe shkencat që lulëzuan jashtëzakonisht shumë, në mesin e atyre me një prirje më të logjikshme. Me mësimet e Kishës dhe mënyrat e të menduarit që tashmë eklipsoheshin prej Rilindjes, hendeku midis periudhës mesjetare dhe asaj moderne ishte ngushtuar, duke çuar në territore të reja dhe të pashpjeguara intelektuale.

Gjatë Rilindjes, mendjet e mëdha të Nikolla Kopernikut, Johanes Keplerit dhe Galileo Galileit demonstruan fuqinë e studimit shkencor dhe atë të zbulimit. Përpara secilës prej shpikjeve të tyre, shumë mendimtarë kishin ruajtur mënyra më të lashta të të menduarit, përfshirë pikëpamjen gjeocentrike Ptolemaike dhe Aristoteliane, sipas të cilës Toka ishte në qendër të universit tonë. Koperniku në vitin 1543 hodhi teorinë se në të vërtetë, të gjithë planetët që ne njihnim nuk rrotulloheshin rreth Tokës, por rreth Diellit, një sistem që u mbështet më vonë nga Galileo (për dëmin e tij). Hedhja e një teorie të tillë gjatë një kohe tensioni të lartë midis mendjeve shkencore dhe fetare u quajt herezi, dhe heretikë të tillë, që vazhdonin të përhapnin “këto gënjeshtra” duhej të ndëshkoheshin me burgim, ose edhe me vdekje. Galileo u shkishërua nga Kisha dhe u burgos për gjithë jetën, për shkak të vëzhgimeve të tij astronomike dhe mbështetjes që i bëri parimit heliocentrik.

Megjithë përpjekjet e Kishës për të kërcënuar këtë brez të ri racionalistësh, më shumë shpjegime u ofruan për mënyrën se si funksiononte universi, dhe me një ritëm që njerëzit – përfshirë Kishën – nuk mund ta injoronin më. Pikërisht me këto zbulime të mëdha lindi një lloj i ri i filozofisë, i themeluar mbi arsyen.

Dogma e kahershme e Kishës po humbiste betejën e madhe për të vërtetën, përballë racionalistëve dhe shkencëtarëve. Vetë ky fakt mishëroi mënyrat e reja të të menduarit, që përfshinë Evropën gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 17-të. Shumë njerëz morën përsipër që të përpiqeshin të integronin arsyetimin dhe filozofitë shkencore, në botë. Rilindja kishte mbaruar dhe ishte koha për një epokë të re – Epoka e Arsyes.

Shekulli 17 dhe 18 ishin periudha të ndryshimeve rrënjësore dhe kuriozitetit. Metoda shkencore, reduksionizmi dhe vënia në dyshim e idealeve të Kishës do të inkurajoheshin, ashtu si edhe idetë e lirisë, tolerancës dhe përparimit. Veprime të tilla për të kërkuar njohuri dhe për të kuptuar informacionin tashmë në dispozicion, u rrokën nga fraza latine “sapere aude” ose “guximi për të ditur”, siç Immanuel Kanti e përdori në esenë e tij “Një Përgjigje për pyetjen: Çfarë është iluminizmi”? Ishte qëllimi dhe përgjegjësia e mendjeve të mëdha, për të dalë në pararojë dhe kërkuar të vërtetën, që ata besonin se mund të gjendej vetëm tek dija.

Ata që ne sot i njohim si filozofët e parë ‘modernë’ – René Descartes, Thomas Hobbes dhe Francis Bacon – ringjallën lidhjen midis shkencës, matematikës dhe filozofisë, që datonte nga Greqia para-Sokratike. Së bashku me mendjet e tjera brilante, si Blaise Pascal dhe Gottfried Vilhelm Leibniz dhe veprat e tyre respektive, secili prej tyre besoi se mund të përftonim më mirë njohuritë për botën tonë, përmes procesit të arsyetimit.

Bacon, i konsideruar gjerësisht si i pari që ndoqi mënyrën empirike britanike të të menduarit, ishte ai që kishte krijuar metodat, të cilat u mundësuan shkencëtarëve të tjerë, të kryejnë më mirë eksperimente të reja në botën e re. Ai besonte se të gjitha njohuritë dhe informacionet që ne arrijmë vijnë nga përvoja fizike dhe shqisore, dhe se ishte përgjegjësia e shkencëtarëve të luftonin kundër çdo pengese që mund të shfaqej, në mënyrë që të përftoheshin njohuri të tilla. Bacon gjithashtu krijoi kornizën fillestare përmes së cilës ne ishim në gjendje të këqyrnim botën përreth nesh.

Descartes u frymëzua nga vepra e Baconit, por jo për të njëjtat arsye si vetë Bacon. Descartes u magjeps shumë nga potenciali i zgjerimit të njohurive të sapo përftuara, për botën përreth nesh. Ishte dëshira e Descartes për të hequr qafe skepticizmin që e kish ndjekur për kaq kohë, nga bota magjepsëse e shkencës. Ai u përpoq të zbulonte se si dhe çfarë njohurish mund të paraqitein, edhe kur vinin nga pozicione skepticizmi. Në Meditimet e Descartes për Filozofinë e Parë, ku studionte dhe reflektonte më rigorozisht mbi epistemologjinë dhe metafizikën, ai pyeste “çfarë mund të di?” Për Descartes, e vetmja përgjigje ishte se dija e vërtetë mund të vinte vetëm nga arsyeja. Ishte kjo ide thelbësore që do të mbizotëronte në fazën e mendimit dhe besimit për shekullin pasardhës.

Megjithatë, një zbulesë e tillë sigurisht që nuk do të pranohej si një ungjill, nga mendjet tashmë dyshuese dhe të pasigurta të Evropës së shekullit të 18-të. Kjo ishte Epoka e Iluminizmit. Çdo teori e re duhej të vihej në pikëpyetje, të investigohej, derisa të mos kishte dyshime mbi të. Sigurisht, asnjë teori e tillë nuk mund të ekzistonte në atë që ishte tani një fushëbetejë intelektuale.

Filozofi anglez John Locke iu kundërvu vetë strukturës së filozofisë së re të Descartes në veprën e tij “Një ese mbi kuptimin njerëzor”. Locke besonte se ne nuk e përftojmë dijen përmes arsyetimit, por përmes eksperiencës. “Dija e asnjë njeriu nuk mund të shkojë përtej eksperiencës së tij”. Nëse do të ishim në gjendje të arsyetonim mbi këtë parim, atëherë do të ishim në gjendje që të prodhonim shumë ide dhe parime të reja, që do të ndihmonin për të kuptuar ekzistencën tonë. Shpresa e Lockes ishte që me kalimin e kohës, ne do të ishim në gjendje të vendosnim limite specifike mbi atë që mund të dinim. Kjo ide më vonë do të bëhej e njohur si empiricizmi, që aq shumë e karakterizoi filozofinë britanike në atë kohë.

Pavarësisht qasjes shumë të ndryshme të Descartes dhe Lockes ndaj racionalitetit prapa mënyrës si ne përftojmë dijen, dy idetë kishin diçka jetike të përbashkët – njerëzit. Eshtë qenia, apo njeriu, dija e të cilit e shpie drejt dijes.

Në atë shekull dhe pasardhësin, filozofët mbështetës të të dy qasjeve nisën të pyesin se si ne jemi në gjendje të dijmë atë që dijmë, gjë që i shtyu të ndjekin ide të vetë natyrës njerëzore. Fusha intelektuale e lojës po rritej në mënyrë eksponenciale, teksa gjithnjë e më shumë aktorë mbanin lart flamujt dhe njerëzit e zakonshëm zgjidhnin ekipin të cilit i përkisnin. Megjithatë, ashtu si me çdo filozofi të re dhe sistem besimi, ish bërë tashmë pjesë e procesit të dijes që të vlerësoje faktin që secila degë do të kishte tashmë moralin e vet, politikën e vet dhe implikimet e veta sociale.

Monarkitë dhe aristokracia e Evropës së shekullit të 18 filluan të shqetësohen për pozicionin e tyre në evolucionin e shoqërisë. Ashtu si pozicioni i fortë i Kishës ndaj njerëzve në Evropën kontinentale ishte zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme, klasat e sipërme kishin frikë se mund të ndodhte i njëjti lloj revolte kundër tyre. Nëse ata nuk do të kishin më një qëllim, çfarë saktësisht do t’i zëvendësonte në shoqëri? Sidoqoftë, nuk ishte vetëm elita që po përballej me një tronditje. Sistemet politike në të gjithë Evropën panë t’u hapej një derë e re, një derë që çoi në krijimin e demokracive moderne liberale dhe mendimit më përparimtar. Mënyrat konservatore dhe më të rrepta të qasjes ndaj politikës dhe shoqërisë po sfidoheshin dhe liheshin pas, në favor të idealeve gjithëpërfshirëse dhe të drejta.

Duhet thënë se Epoka e Arsyes ishte një lëvizje shpërthyese që pushtoi mendjet e miliona njerëzve në Evropë. Ishte një periudhë kohe që inkurajoi shumë njerëz të kapeshin fort pas parimeve fillestare të Rilindjes dhe Revolucionit Shkencor. Ajo preku çdo aspekt të jetës dhe do të na shpinte ne njerëzve në shekullin e ri, me më shumë kuptim të botës se kurrë më parë. Filozofia, matematika, shkenca, politika, ekonomia dhe mjekësia po zgjeroheshin dhe përditësoheshin në mënyrë drastike, me gabime që korrigjoheshin dhe teori që vërtetoheshin. Shumë prej gjërave që dijmë sot i kanë rrënjët tek Iluminizmi, dhe nuk ka asnjë dyshim mbi ndryshimin rrënjësor që ajo lëvizje i solli botës. /bota.al /KultPlus.com

Të vdesësh në konferencë shkencore si profesor Molnar Kolaneci

Nga: Halil Rama

Një ikje jo e zakontë ajo e Prof. Dr. Molnar Kolanecit.  Ai u nda nga jeta në vigjilje të Konferencës Shkencore “110 Vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje Historike për Kombin Shqiptar”, që u mbajt para pak ditësh nga Shoqata Bashkësia Dibrane në Tiranë, në sallën e Konferencave të Akademisë së Shkencave. U shua krejt papritur, ndërsa ishte i ftuar të asistonte në këtë event historik. Iku mes emocionesh, duke patur në krah mikun dhe bashkëpuntorin e tij shkencor z.Tofik Jegeni, ndonëse ju dha ndihma e menjëhershme parësore,  mjekësore nga Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Dr. Hekuran Duka dhe me mbështetjen humane të menjëhershme të mjekut të njohur  Prof. dr. Petrit Barës.

Kësisoj, ndërprerja e funksionit normal qelizor të trupit të akademikut të mirënjohur në një ditë historike, e veshi atë me pavdekësi.

Para dy vjetësh, më 2017 ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” pas mbrojtjes me teza shkencore dhe argumenta hidroteknik dhe juridik, të mosdevijimit të Lumit Radika.

Vetëm para disa ditësh, me vendim unanim të Këshillit të Komunës Dibër e Madhe, Republika e Maqedonisë së Veriut, shpallet “Qytetar Nderi” për mbrojtjen shkencore të Lumit Radika.

Eksperti me  kontribut të veçantë në projekte të rëndësishme

Ekpserti i mirënjohur Molnar Kolaneci që gjithkund e në çdo kohë rrezatonte dhe përçonte mirësi, mençuri dhe intelektualizëm të veçantë, ka lindur në Tiranë më 22.06.1948. Studimet e shkollës së mesme i ka mbaruar në vitin 1965 në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Në periudhën 1966 deri në 1971 kryen studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dega Fizike  (5-vjeçare).

Në vitin 1972 fillon punë në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave. Objekti i aktivitetit kryesor ka qenë studimi i ujërave të Shqipërisë. Mbas një kualifikimi dy-tre vjeçar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe në Institut ka kryer dhe dy specializime jashtë vendit në France dhe Zvicër. Në Zvicër kryen një specializim pasuniversitar prej një viti në fund të të cilit fiton gradën shkencore “Master i Shkencave” (1980). Në vitin 1983 bëhet “Doktor i Shkencave”, gjithmonë pranë Institutit Hidrometeorologjik dhe në vitin 2004 fiton gradën “Profesor Doktor”. Gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në studime të ndryshme të objekteve ujore (lumenj, liqene dhe dete). Ndërkohë është bashkautor i monografisë “Hidrologjia e Shqipërisë” dhe shumë studimeve me karakter aplikativ. Gjithashtu, si njohës i gjuhëve anglisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht. ka marrë pjesë në projekte të ndryshme ndërkombëtare, si në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë si edhe në mjaft simpoziume e konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në projektet për ndërtimin e rrugëve në vend si edhe për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.

Lidhja e Molit me  komunitetin dibran e atë akademik

Të thuash i pari të vërtetën “duhet fisnikëri dhe guxim”.   I tillë ishte Moli.

Molinari u lidh mjaft me qytetin e Dibrës së Madhe, e sidomos kur gugule u bë situata mbi ujrat e Radikës, ku pala Maqedonse pa marrëveshje donte të aneksonte rreth 4.7 m/3 ujë në sek.

Kjo situatë vuri në lëvizje komunitetin dibran në Tiranë, në Dibër të Madhe e Peshkopi, ku përmes shoqatës “Bashkësia Dibrane” të Tiranës, u organizuan disa herë protesta në qendër e rrethe, kundër kësaj shkeljeje antiligjore dhe të padakortësuar me ekspertë.

Moli, ankohej shpesh pasi ishte anëtar i komisionit ndërkufitar për ujrat  me pjesën Maqedonase dhe Greke dhe kishte rreth 4 vite që ky komision me ekspertë nuk mblidhej. Radika e vuri në lëvizje mbi situatën, por ai kërkonte të dhëna statistikore, të cilat më në fund i gjeti në Insitutin Sinpotik Meterologjik të Serbisë. Kjo situatë e gëzoj pamasë për të mbledhur fakte të tjera mbi Radikën.

Radikën e rifituan si kauz, pasi u bë sebep  studimi i tre ekspertëve dhe mosdakortësia e Bankës Botërore për të investuar, që marrja e ujrave të mos vazhdone më.  U formua një grup pune i cili pati takime me Kreun e Bashkisë Dibër e Madhe, Dr. Argëtim Fida, më pas me të ndjerin Ruzhdi Lata dhe me Kryetarin aktual Dr. Hekuran Duka si dhe me Kryetarin e Këshillit Komunal            z. Bashkim Mashkulli. U takuan disa herë duke folur me harta në duar mbi ujrat e Radikës dhe rrezikun e shterrimit të tyre në vazhdimësi.

Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe kolegu i tyre, juristi Saimir Shatku – Mjeshtër i Madh, bënë një studim shkencor me kënvështrim shkencor dhe juridik, mbi aneksimin e ujrave. Moli u lidh mjaft me këtë situatë. Pastaj të tre bashkëautorët hartuan dhe botuan librin me titull: “Dibra e Madhe dhe Radika” të cilin e promovuan në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në dhjetor të 2016 dhe me shoqatën “Bashkësia Dibrane”.

Nga i gjithë komuniteti dibran në Tiranë e Dibër të Madhe, Moli konsiderohej si shok, si vëlla e mik. Sidomos nga bashkëpunëtorët e tij, profesorë, akademikë e pedagogë  me të cilët kaluan sëbashku vite pune shumë të vështira por dhe të mira. Sepse qenë një gjeneratë që patën fatin e atij heroit të lashtësisë,  i cili vdes porsa arrin i pari maratonën. Dhe në të vërtetë ai ja arriti i pari….Kryetari i Bashkisë Dibrës së Madhe Dr. Hekuran Duka dhe Prof. Dr. Petrit Bara i dhanë ndihën e parë mjekësore, por fati qe i shkruar që ti të mos jetë më fizikisht me ne. Zemra e shkenctarit të mirënjohur pushoi së rrahuri ditën e konferencës historike shkencore për kontributin e personaliteteve dibrane në shtetformimin e kombit shqiptar, në gjurmët e të cilëve eci edhe Ai për vite e dekada. Ai iku duke lënë një trashëgimi të vyer shkencore për studjuesit e sotëm dhe për brezat e ardhshëm. Pikërisht edhe për këtë fakt, për pjesëmarrësit në këtë event të rëndësishëm, si edhe për gjithë komunitetin dibran e atë akademik ai mbetet si legjendë e gjallë e shkencave hidroteknike e meterologjik. Si i tillë,  Prof. Dr. Molnar Kolanecit u përcoll për në botën e përtejme me të gjitha nderimet që i meritonte. /KultPlus.com

Fillon xhirimi i “Mortal Kombatit” të ri

Fansat e “Mortal Kombatit” tani kanë marrë një lajm të mirë: ka filluar produksioni i filmit të ri.

Greg Russo, i cili me këtë film po e bën debutimin e tij si skenarist, e ka paralajmëruar fillimin e produksionit të rebootit të shumëpritur në profilin e tij në Twitter.

Rebooti është krijuar ngadalë dhe qetësisht dhe ndryshe nga të gjitha përpjekjet e tjera për t’i rikrijuar versionet e filmit të preferuar nga viti 1995, më në fund filmi ka arritur në fazën e produksionit, shkruan KOHA Ditore. Producent i filmit është James Wan, ndërsa filmi do të bëhet me regji të Simon McQuoid.

Image

Filmi origjinal ishte një hit i madh, por pas tij nuk pati dot vazhdim të denjë. Vazhdimi “Mortal Kombat: Annihilation” u prodhua në shpejtësi dhe nuk kaloi mirë në arkat kinematografike. Xhirimi i filmit të tretë të planifikuar në franshizë dështoi dhe u shty për shkak të uraganit Katrina, dhe përfundimisht u anulua. Herë pas here flitej për ndonjë vazhdim ose reboot, por asgjë nuk u iniciua derisa Wan nuk u përfshi në ngjarje. Shpresojmë që ky film do të ketë më shumë fat.

Në rolet kryesore paraqiten Ludi Lin, Chin Han, Jessica McNamee, Mehcad Brooks, Hiroyuki Sanada, Joe Taslim dhe Josh Lawson. Filmi do të duhej të mbërrinte në kinema në mars të vitit 2021. /KultPlus.com

Ritme të larta pune për restaurimin e Urës së Kasabashit

Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës kryen një inspektim në Urën e Kasabashit, monument kulture i kategorisë së I-rë, e ndodhur në qytetin e Çorovodës.

Gjatë inspektimit të kryer në terren, u konstatua se punëtoret e firmës restauruese kishin kryer disa punime si, fugatim murature (në proces), restaurim korrnize (në proces), kishin filluar me restaurimin e qemerit, dritarja e shkarkimit në të majtë, bjefi i sipërm si dhe restaurimi i murit mbushës midis harkut të madh dhe dritares në krahun e majtë të tij (biefi i sipërm).

“Pas diskutimit me teknikun dhe përfaqësuesin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat u la që në të dyja këmbët e urës, bjefi i sipërm të rindërtohen pendët mbrojtëse nga rryma e ujit më gurë sipas themelit që do të gjendet nga sondazhi që do të bëhet. Punimet vazhdojnë, të ndjekura nga tekniku i punimeve sipas detyrave të lëna”, bën të ditur Instituti i Monumenteve të Kulturës. /KultPlus.com

“Valsi i lumturisë”, romani që provokoi debat në Paris mbi emigracionin

Romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është vënë në qendër të debatit “Emigracioni politik në Europë”, të zhvilluar në Paris, ku u diskutua mbi temën e ndjeshme të emigracionit europian dhe rastit shqiptar.

Mbrëmjen e kaluar, në kuadrin e ciklit të konferencave “Lexime europiane” Shtëpia e Europës në Paris, drejtuar nga ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ish-ministre e Kulturës së Francës, Katerinë Lalymiere, zhvilloi një takim-debat marrë shkas nga botimi në Francë i romanit “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, me temë “Emigracioni politik në Europë”.

Katerinë Lalymierë, Ylljet Aliçka dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, filozofi Yannick Prost debatuan në prani të medieve dhe të ftuarve nga mjediset akademike franceze.

Lulymiere bëri një analizë të romanit duke evokuar me këtë rast sfidat e emigracionit në Francë dhe bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë mbështetur në kujtimet e vizitave të saj në Shqipëri si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Europës.

Sipas Yanick Prost, këshilltar pranë kryeministrit francez dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, Franca dhe Europa kanë nevojë të rimendojnë aksionin e tyre e sidomos kontratën e tyre sociale, pasi kriza e madhe e emigracionit dhe demagogjitë politike ekstremiste rrezikojnë demokracinë dhe përgatisin terrenin për ardhjen e “Mbretërisë së Atilës”, fenomene këto mjaft mirë të trajtuara në romanin e Aliçkës.

Këshilltari i kryeministrit francez theksoi se artistikisht ky roman ka zbuluar edhe thelbin e emigracionit. Sipas tij, emigrantët ndiejnë mungesë të dyfishtë si në vendin e pritjes, dhe në atë të origjinës. Për këtë ai mori shembullin e familjes Popa tek romani.

Shkrimtari dhe ish-diplomati, Aliçka në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ”ky moment ishte ngjarje me rëndësi dhe nuk qe thjesht promovimi tek lexuesi, por ajo çka provokoi. Pra, romani im u bë shkas për ngritjen e një debati në instancat e larta që merren me problemin aktual të emigracionit. Botimi në Francë i këtij romani mbi aspektet shpirtërore e psikologjike të emigracionit u mor si model analize për të provokuar një debat më të gjerë mbi sfidat e emigracionit në përgjithësi”.

Me nostalgji Katerinë Lalymierë risolli në vëmendje tri vizita në momentet kyçe në historinë e Shqipërisë. Ajo kujtoi vizitat në 1991, 1997 dhe 1999. Ajo e cilësoi “Valsin e Lumturisë” një roman politik nga më të spikaturit, i cili sipas saj, u bë burim i këtij debati.

Aktiviteti u ndoq live nga kanali kryesor “Franceinfo”, kanal i parë radios në shtetin francez.

Romani “Valsi i lumturisë” mbështetet në një ngjarje të vërtetë.

Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në Ambasadën italiane në Tiranë. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hynë në Ambasadën italiane duke u hequr si turistë dhe aty kërkuan menjëherë strehim politik. Shteti totalitar i kohës pësoi një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”.

Një gjë të tillë, cilido që kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e Sigurimit të Shtetit. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në Ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin vëmendjes nga Shqipëria të ndërkombëtarëve. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.

Romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar së fundmi në Francë nga shtëpia botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).

Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge, shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera: “Një roman i shkruar me art dhe dinjitet”, ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër: “Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional. Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore”.

Komisioni i çmimit “Ballkanika” ka përzgjedhur për vitin 2014 shkrimtarin Ylljet Aliçka me romanin “Valsi i Lumturisë” për të përfaqësuar Shqipërinë.

I shkruar para disa vitesh, ky roman është fitues i çmimit kombëtar “Pena e argjendtë” për 2012-ën, që ndan Ministria e Kulturës.

Shkrimtari Ylljet Aliçka përfaqësoi letërsinë shqipe në “Netët e letërsisë europiane 2012-2014”. Ai ishte përzgjedhur në projektin “10 shkrimtarë bashkëkohorë që prezantohen mes arritjeve të letërsisë së sotme europiane”. Ky është një projekt ndërkombëtar, partneritet i Bashkimit Europian me qytetet Brno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Wroclaw. /KultPlus.com

Michael Fassbender në filmin e ri të Taika Waititi

Kohët e fundit mësuam se Taika Waititi po planifikon që midis filmave Jojo Rabbit (shfaqja e të cilit do të ndodhë së shpejti) dhe Thor: Love And Thunder (produksioni i të cilit sa nuk ka filluar), ta fusë një tjetër projekt – adaptimin e dokumentarit të futbollit “Next Goal Wins”.

Tani mësojmë se Michael Fassbender aktualisht është në bisedime për rolin kryesor në film.

Next Goal Wins flet për trajnerin holandez, Thomas Rongen, i cili para vetes e ka një detyrë pothuajse të pamundur: ta shndërrojë ekipin amerikan të futbollit Samoa nga humbësit absolutë në fitues.

Andy Serkis dhe ekipi i tij Imaginarium i kanë marrë përsipër të drejtat e dokumentarit nga Mike Brett dhe Steve Jamison dhe ia prezantuan idenë e adaptimit Waititit, i cili është duke punuar në skenar me Iain Morris, ndërsa filmi do të duhej të fillonte me xhirimet këtë vit.

Data e shfaqjes nuk dihet ende, por filmi pritet për pak më shumë se një vit. /KultPlus.com

“Kënga Magjike” rikthen Linda Halimin në Tiranë

Këngëtarja e njohur shqiptare, Linda Halimi, është kthyer së fundmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Shqipëri. Ajo nuk ka qenë në Tiranë që nga viti 2017, kur po bënte përgatitjet për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision”.

Rikthimi i saj në shtetin shqiptar duket të ketë të bëjë sërish me një festival. Bëhet fjalë për festivalin “Kënga Magjike”, ku ajo do të konkurrojë këtë vit dhe tashmë ka nisur incizimin e këngës së saj të re.

Këngëtarja me prejardhje nga Vitia, publikoi në InstaStory disa imazhe fillimisht nga koha kur u nis nga ShBA-të. Më pas, ajo hodhi edhe një tjetër imazh në InstaStory me mbishkrimin “Përshëndetje Tirana”.

Linda Halimi këtë vit ka qenë mjaft e përfolur në media, që prej kohës kur u bë nënë për herë të parë, ndërsa ka paralajmëruar se do të rikthehet me plot projekte muzikore.

Letra e padërguar e Françesk Radit për Adriano Celentanon

Një letër që s’u dërgua kurrë, por e ruajtur plot dashuri, ka nisur të zverdhet nga vitet. Në rreshtat e saj ka ndjenjë, emocion. dashuri ndaj një artisti për artistin. Është e shkruar për këngëtarin e madh italian Adriano Celentanon nga një “Adriano Celentano” shqiptar, që rrëmbeu zemrat e publikut në vitet ‘70 me kitarën dhe këngën e tij…

Është Tefta Radi, bashkëshortja, ajo që ruan me kujdes një letër të shkruar me dorë të Françesk Radit për këngëtarin e famshëm italian, Adriano Çelentano.

“Të takonte Çelentanon apo të fliste me të, ka qenë gjithmonë një ëndërr për Françeskun”, rrëfehet ajo. “Këtë letër e ruaj si një nga emocionet e tij të çmuara. E ka shkruar me nxitim, por edhe shkrimin ai vetë e ka pasur pak të çrregullt. Pasi e mendoi se çfarë do t’i shkruante, ai është matur shumë herë që t’ia niste Çelentanos, pasi ta përkthente dhe në italisht…”, thotë Tefta Radi për “Shqiptarja.com”.

Në vitet ’70, Adriano Çelentano nuk kishte pushtuar vetëm zemrën kantautorit të shquar Françesk Radi, por të të gjithë shqiptarëve, që me shumë sakrifica do ta ndiqnin duke penetruar ilegalisht në valët televizive të shtetit fqinj, të ndaluara nga diktatuara. Ata përdornin mjete teknologjike “shtëpiake”, si kanaçe të bëra antena apo objekte të tjera metalike dhe dëgjonin muzikë italiane me këngëtarët që bënë epokë si Adriano Celentano, Fabrico De Andre, Georgo Gaber, Mina, etj. I këndonin me zë të ulët në ambiente të fshehta, mes miqve më të ngushtë.

Përmbajtja e letrës së Radit për Celentanon 

“I dashur Adriano!

Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të flasësh për ty, sepse madhështia juaj nuk ka kufi, nuk ka moshë, por vetëm pafundësi. Ti për ne shqiptarët ke qenë dhe mbetesh figura më demokrate e kohës. Ishe Ti, shpirti yt, që me këngët  e tua ushqente dhe vuloste në shpirtrat tanë, atë që quhet të qenët i lirë. Ne e dinim që muzika jote ishte një mollë e ndaluar për ne në atë kohë, por ky fenomen nuk na shqetësonte. Ne ishim gati edhe të sakrifikoheshim, vetëm e vetëm që të mbanim gjallë shpirtin, mos ta linim atë të vdiste.

Në qoftë se u përmbys regjimi totalitar, një meritë të madhe kishit edhe Ju Adriano, sepse ishte kënga dhe zëri yt që shqiptarët të shpërthenin zinxhirët e diktaturës antishpirtërore. Ata e dinin se muzika ishte shumë e rrezikshme për ta dhe donin ta prangosnin atë. Por fatkeqësisht nuk e dinin se tingujt nuk mbahen dot në pranga. Me dhjetëra herë na kanë dërguar në polici, sepse këndonim këngët e tua nëpër parqe, lulishte, plazhe, mbrëmje rinore. Ishe Ti Adriano që më dhe frymëzimin e parë për të kënduar dhe kompozuar. Sa herë ulesha për të krijuar, përpara meje shfaqej imazhi yt dhe kjo ma bënte më të sigurt dhe të garantuar suksesin tim. Më vjen keq që nuk e kam patur mundësinë të takohem me ty Adriano, me gjithë përpjekjet e mia të çiltra. Por siç duket ka qenë më e lehtë të këndoj këngët e tua të bukura dhe të vështira, se sa të takohem me ju.”

Fundi i historisë, i treguar nga Tefta Radi. Françesku, pavarësisht motivit për të cilën e shkroi këtë letër dhe digjej nga dëshira ta takonte qoftë edhe njëherë të vetme Adriano Çelentanon, nuk guxoi kurrë që t’ia dërgonte drejt Italisë. “Çelentano ka mijëra fansa, i dërgojnë qindra letra, dedikime..Pse ta shqetësoj”, pati thënë Françesk Radi.

Çokollata

Tregim nga Bujar Meholli

I

Për një moment thërrimet e xhamit të thyer ranë nëpër tokë, duke lëshuar tinguj të çjerrë dhe më pas gjithçka pushoi. Ishte fiks koha kur njerëzit mezi i mbanin sytë çelë, shtriheshin nëpër krevate dhe kridheshin në gjumë. Por jo edhe një djalosh i fshehur poshtë shkallëve të ndërtesës, ku vinte erë myku. Qetësi. S’pipëtinte gjë, veç zemrës së tij që rrihte herë më ngadalë herë më shpejt, e shihte me sy maçoku përreth mos e kish parë kush. “Nuk është punë shumë e vështirë ta thyesh xhamin dhe të futesh brenda” – mendonte. Ishte rrezik për ca çaste, në mos rastësisht dikush mbante veshët dhe dëgjonte rrapëllimën, por rëndom nuk e dëgjonte dhe djaloshi futej brenda dyqanit të vogël që gëlonte nga lloj-lloj sheqeresh e çokollatash. Oh, çokollatat! Sa shumë i kish qejf. Kur ishte çilimi dhe babai ish afër tij, ai i blinte shpesh. Ëmbëlsia e atyre çokollatave, s’i ish hequr kurrë nga goja. Pastaj dekorimi që fabrika jua bënte ishte gracioz. Dhe ai mahnitej. Ah, sikur të kish mundësi t’i thyente barrierat, t’i rrënonte kufijtë dhe të shkonte atje ku krijoheshin ato ëmbëlsira dhe ku qëndronte babai.  

Sa do të donte të punonte në një fabrikë të tillë. Pale, t’ia dërgonte me postë nënës së tij ndonjë pako përplot me çokollata, të cilën shpesh e paramendonte si atë gruan në tablonë A Lady Pouring Chocolate të Zhan-Etien Liotarit që e pat parë në galeri, kur kishte vajtur me klasën. Sa sharmante dukej ajo me fustanin e gjerë, ulur në karrige duke derdhur hijshëm çokollatën në filxhan. E ëma sigurisht s’do t’i thoshte gjë, po ta dinte saktë se ai punon në fabrikë çokollatash dhe nuk do ta qortonte e rrihte. Por ja që i ati, ish larguar për në shtet të largët. Atje mbase nuk pushonte së ngrëni të ëmbla, e gjithashtu gjerbte pije të këndshme. I mbante në mend disa bërtitma mes prindërve, por pse i ati duhej të largohej? A kaq shpejt të rriturit, janë të aftë t’i ndërrojnë jetët e tyre përgjithmonë? Jetonte me mendimin se një ditë prej ditësh, i ati do ta hapte derën dhe do të vinte pranë tyre… 

Një mbrëmje kur qe kthyer vonë në shtëpi, e ëma e merakosur e pat qortuar rëndë dhe i pat tërheq veshin me t’ia parë tri-katër çokollata në dorë.

– Ku i ke marrë? – ulërinte ajo. Më s’do të dalësh nga shtëpia porsa të kthehesh nga shkolla, kuptove?

Djaloshi nuk para kish thënë gjë. Vetëm kishte dëgjuar zërin e ashpër të së ëmës dhe kishte mbajtur sytë në tepih. Donte t’i thoshte: “Mama, ja, shijoje këtë çokollatë. Është aq e ëmbël, të shkrihet në gojë” dhe ta përqafonte e puthte, duke e shtrënguar. Këto i mendonte rrugës t’ia thoshte, mirëpo me ta kapërcyer pragun mbizotëronte zëri i mamasë dhe qortimet i vinin përnjëherë në kokë, siç vijnë ortekët nga shpatet. 

“A Lady Pouring Chocolate”

II

Në mëngjesin e asaj dite me qiell ngjyrë të përhimët, dyqanxhiu i lagjes ishte alarmuar. Prapë, vjedhje! Prapë dikush kishte thyer xhamin e dyqanit edhe ashtu të vogël dhe kishte marrë çokollata, bonbone e gjëra tjera, duke ia lënë vendin rrëmujë. – Ç’dreqin po ngjet këtu? – shfrynte ai njeri babaxhan me flokë dhe mustaqe si të Uollt Uitmenit që e kishte lajmëruar policinë; këta i patën thënë se do ta zbardhnin rastin. Se kush po ia bënte këtë dhe po ia linte vitrinat pa çokollata?

– Ah, po e zura! Maskarai! – Betohem se s’do të ndodh më, qe zotuar me dhëmbët i kërcëllinin nga inati e mllefi. Ai njeri bënte jetë modeste, ato gjëra ishin gjithçka kishte dhe duke shitur nga pak, nxirrte ca para për vete dhe familjen. Lagjja e nderonte dhe vocërrakët kishin respekt për të, sikurse djaloshi ynë, i cili porsa e shihte në rrugë me biçikletë e përshëndeste përzemërsisht.

Por, ja se si të katandis jeta! Mamaja dhe djaloshi të vetëm, jetonin ashtu siç mundeshin apo thënë më mirë nga rastësitë. Nganjëherë, ajo gjente ndonjë punë të shkurtër, fitonte para dhe me to mbijetonin.  

Çfarë fati i keq për djaloshin të jetonte në rreth të tillë, ku gjithçka shihej si para dhe pa to – njeriu s’qe veçse gjë e pavlerë, porsi kanoçja e zbrazur që hedhet në rrugë dhe kush s’e kthen kokën mbrapa ta shikojë!    

Djaloshi u rrit dhe u shkollua pjesërisht me mund të madh. Ishte i mirë në mësime edhe pse mendja i vërtitej andej-këndej. Kur profesori mbante leksione, ai nganjëherë përhumbej duke menduar gjëra si: po sikur ta kish parë dikush teksa theu dyqanin dhe u fut e vodhi? Po sikur t’ia kenë zënë derën mamasë, policët apo xhaxhai pronar?

Këto mendime e torturonin dhe profesori pikaste shqetësimin e tij. Ia thërriste emrin me zë duke e shpërqendruar. Për ditë e më shumë, gjithçka bëhej më e vështirë. Jeta ishte kalvar i pafund. Përveç gjërave të ëmbla, duhej buka dhe gjërat e tjera të rëndomta në shtëpi; për këto vriste mendjen e ëma që nuk gjente punë, mbase shkaku i pafuqisë së saj për ato që i ofroheshin nganjëherë, të rënda për një grua të lodhur nga mundimet, për një grua që e çonte prej kohësh jetën e ndarë nga burri dhe shihte të birin tek përpiqej çdo ditë. Kalvari i tyre vazhdonte…  

Nganjëherë njeriu është aq i zhgënjyer me jetën, saqë thellë në psikikën e tij grumbullohen britma që e thirrin në çlirim, e yshtin drejt fundit të gjithçkaje, drejt përfundimit të çdo problemi e vështirësie të kësaj bote – me pak fjalë e shtyjnë drejt vetëvrasjes! Dhe, nuk është që s’e kish menduar këtë kjo grua e fishkur. Megjithatë, mund të merret me mend se nëna, sado që mund t’i ketë supet e rënduara dhe ditët ferr nuk dorëhiqet lehtë dhe nuk i jep fund gjithçkaje, kur e dinë se krijesa e saj vërtitet nëpër tokë dhe po s’i qe pranë, do të jetë e përgjysmuar, do të jetë si peshku në rërë.   

Të gjitha këto i silleshin në kokë, dhe kur shihte të birin mblidhte forcat e fundit për të vazhduar tutje si Sizifi. Koha është si aeroplan i madh, që sa është mbi qiellin e Vjenës fjala vjen, është mbi qiellin e Lajpcigut. Fluturon aq shpejt e s’kursen gjë para vetes. Tëmthat e zonjës së shtëpisë qenë thinjur ndjeshëm dhe trupi përgjithësisht i ish ligështuar. Mbushej jetë veçse kur e shihte të birin duke buzëqeshur (zakonisht kur kishte në duar çokollata e bonbone). Dashuria për gjërat e bukura të kësaj bote s’i ish venitur aspak ndër vite. Ajo dhe ish-bashkëshorti i saj ishin ndër njerëzit e rrallë të qytetit që venin nëpër Opera e Teatro, blinin disqe, libra, e gjëra të vjetra interesante që i gjenin nëpër tregjet e mbushura me rrangulla. Qeshnin me çmimet që paguanin, për t’i përvetësuar ato gjëra. Raftet e saj ishin të mbushura me librat, që ajo shpeshherë i shfletonte me pasion të madh – mirëpo standardi jetësor po i bëhej ngadalë makth i madh. Ajo, s’arrinte të ulej e të kënaqej kredhur kokë e këmbë në lexim, pa menduar se ç’e ardhme e priste atë dhe të birin. Megjithëkëtë, ajo dukej bukur, fytyra e saj që dikur i kishte ngjarë asaj të Lana Tërnerit ende ruante freskinë. 

Shquheshin kopertinat e vjetra të librave dhe emrat me shkronja të mëdha të autorëve si: Abati Prevo, Alfred Tenison, Oskar Uajld, Alfons Dode, Robert Bërns, Hajnrih Hajne, Hëlderlin, Balzak, Dikens, Bodler, Prust, Verlen, Rembo, Xhojs, Stendal, e të tjerë… vendosur bukur, ngjitur me njëri-tjetrin. Ajo ruante edhe disqet e ish-bashkëshortit, që nga muzika klasike me titanët Vivaldi, Bah, Betoven, Moxart, Albinoni, Shopen, e deri te “zezakët me trumpeta” siç i quante ai muzikantët e xhazit dhe bluzit.

Në qosh të dhomës rrinin hijshëm karshi njëri-tjetrit, disqet e Tampa Redit, Lid Bellit, Tino Rosit, Sharl Trenetit, Xho Dasënit, Luis Xhordanit, e Eta Xhejmsit. Ç’mrekulli! Tingujt magjepsës ishin të pranishëm dendur në veshët e kësaj gruaje, megjithatë ata nuk shijoheshin si në atë që ajo e quante Epokë e Artë dhe për të cilën ngulmonte thellë në vete se s’do të kthehej më kurrë!   

– Si ishte sot në shkollë, i ëmbli im? – i foli të birit, porsa ky u fut në dhomë. Dukej i çliruar, si t’ia kishin hequr një barrë të rëndë nga krahët. Oh, gjithçka ishte në rregull. Pra, askush s’kishte ardhur në shtëpi, as policët, as xhaxhai i dyqanit, askush. Dhe kjo po që ishte fantastike. E, megjithatë thellë në vete, djaloshi, të cilit shtati po i rritej vazhdimisht – mendonte se budallallëqe si ato që kish vepruar, s’duhej t’i përsëriste më. Do ta gjente një punë, porsa ta mbaronte shkollën dhe pastaj do të ishte i lirë që veç blerjes së gjërave ushqimore, të bridhte bashkë me nënën nëpër qytete të botës…

– Ishte mirë në përgjithësi, – ia ktheu pas njëfarë kohe. Kam pak kokëdhimbje, do të marr diçka – dhe bëri për nga frigoriferi të cilin me ta hapur pa se ç’gjendje mbizotëronte në shtëpi. Ëndrrat madhështore të mbështjella me nuanca të ngjyrës rozë, i shpërthenin porsi balonat e fëmijëve nga gjilpëra. – Oh ma, s’paska gjë prej gjëje këtu, – tha ai dhe kërkoi me sy të ëmën. Ajo shtrëngoi nofullën dhe rrodhi sytë.  

E, ç’t’i thoshte? U ndrydh në vete për ca çaste dhe pastaj u orvat t’i mbledh disa fjalë e t’ia thotë por nuk arriti, përveçse para sysh iu shfaq imazhi i brishtë i bashkëshortit.

Ah, ishin ditë të bukura. Kurrfarë brenge ajo s’kishte, për gjithçka kujdesej ai – e çuni atëbotë kërthi ishte krejt i sigurt. Por, orët e liga jua prishën lumturinë. Pse nuk lajmërohej ai ndonjëherë?

Pasditeve qytetin e mbulonin zakonisht pëllumbat që përziheshin me njerëzit dhe ia shtonin hijeshinë qytetit; dukej imazh i këndshëm sikur në pikturat e impresionistëve francez. Ajo i pikasi një herë dy-tre pëllumba që fluturonin të shkujdesur përbri dritares së tyre dhe njëri nga ta ndaloi në dritare, sikur ta ndjente shikimin e saj. A do të mund të thoshim se nuk e ndjeu?  

Imagjinata e pasur e gruas, krijoi disa vargje aty për aty me gjithë butësinë femërore derisa në anën tjetër preokupohej për kokëdhimbjen e të birit. Vargjet e saj ishin këto:

Pëllumb a pëllumbeshë, çfarëdo të jesh,

sikur të mundje të na merrje ne

kur rrugën për në ato vise ta kesh,

dhe të na dërgoje, tok, atje…

– Mama! – çfarë ke që je përhumbur kështu, i fliste ai teksa ecte kah dritarja për te ajo. Shpendi iku vetëtimthi.

– Oh, nuk kam asgjë. M’i mori mendtë ajo krijesë e bukur që erdhi në dritaren tonë. Në gjithë qytetin, s’ke ç’të shohësh përveçse pëllumba. Çfarë mrekullie. Djaloshi miratonte me kokë dhe përqafonte të ëmën.

– Të pushoj dhimbja e kokës? – I thoshte ajo pas disa sekondash.

– Jo.

– Do të bësh një sy gjumë, këtu?

– Jo.

– Të shkojmë atëherë për një kontroll tek doktori, hë?

– Oh, nuk dua mama.

Megjithatë, djaloshi u shtri në krevat dhe pas pak kohe u kridh në gjumë të rëndë.

III

Si gjërat e mira, ashtu edhe të këqijat nuk janë të destinuara të vazhdojnë shumë ose përjetësisht. Siç e thotë Xhim Morrisoni në këngë: Ky është fundi. Fundi vjen medoemos! Ishte një ditë monotone në qytet, s’kishte as pëllumba. Qielli shihte egërsisht mbi rrugë, saqë njerëzit të frikësuar përvidheshin dhe strukeshin nëpër kafene ose në shtëpitë e tyre. Të shtrënguar, ëmë e bir patën nxjerrë në treg gjithçka kishin për t’i shitur dhe për të fituar bukën e gojës. Goja! Mbiemri i një piktori gjenial që habiti botën me talentin e tij. Dhe goja, pjesa kryesore e trupit për të cilën njeriu punon e ndërton, vret e shkatërron, gënjen e tradhton, e çka tjetër s’bën!

Këto dy krijesa kishin shitur pothuajse gjithçka patën; libra, disqe, gjëra të vjetra interesante, madje tek-tuk edhe ndonjë orendi. Para se t’i nxirrnin e ëma i kishte larë me lot. Ah, Oskar Uajld, shkrimtar i dashur për çiftin e dikurshëm. Ah, Balzak, Stendal, Hajne, Tenison, ku veni kështu?   

Pale Luis Xhordan e Eta Xhejms, si ikni nga shtëpia për aq pak para dhe mbase tjetër kund jua mbulon pluhuri krijimtarinë? Derisa këtu, buçisnin tingujt tuaj në mëngjes e mbrëmje? Bobo! E shitën edhe gramafonin anglez me të cilin qenë krenuar në lagje.

Shumë artistë nuk iu dhanë shkollës por arritën të shkëlqenin në këtë apo atë art. Pse s’iu dhanë ka arsye të ndryshme, kryesisht shkak i mungesës financiare, sikurse djaloshi që e kishte lënë për këtë shkak. Thjesht, fati për të kish paracaktuar të vërtitej poshtë e lartë, të lexonte herë pas here por me pasion më të madh se ata shkollarët e mërzitshëm që lexojnë duzinë librash dhe e kanë problem të flasin vetëm për njërën prej tyre!

Djaloshi kishte pasur pasion të madh për muzikën; i pikuan sytë gjak kur e largoi nga duart gramafonin e të atit, të cilin e puthi para se t’ia dorëzonte në dorë një koleksionisti që s’e pagoi pak paraprakisht.  

Sa kohë qe bërë, ai s’e kish shijuar asnjë çokollatë. Ah, për këtë kohë kushedi sa të tilla ishin  prodhuar e konsumuar… Shiti edhe kitarën e kuqe me të cilën nxirrte melodi nëpër lagje bashkë me disa çuna dhe ëndërronin për një album me këngët e tyre që rezultoi të jetë ëndërr goxha e madhe, sikur të ëndërrosh të shkosh nga Durrësi në Bari me not!

Pothuajse gjithçka qe rrënuar. Po të kishte kohë dhe mundësi, gruaja, do të ulej dhe do ta vinte makinën e shkrimit përpara – për t’i përmbledh në një libër gjithë vuajtjet e saj. Besimtarëve të fortë ju duhet të pajtohen me gjendjen e tyre, ata kanë kurajë dhe në asnjë mënyrë s’e çojnë nëpër mendje të dalin kundër Zotit. Por, çfarë jete është kjo? – ndalet dhe mendon njeriu nganjëherë, fundja për çka jemi këtu dhe çka duhet të bëjmë? Nëse duhet të bëjmë mirë dhe të jemi të përgjegjshëm, pse nuk bëjnë edhe të tjerët njëjtë në raport me ne? Nëse jemi të ndjeshëm, pse të gjithë ngrihen në këmbë për të na lënduar medoemos? Përgjigjja është në erë – thotë Bob Dilani.   

Babaxhanit me mjekër dhe mustaqe si të Uitmenit, nuk i ishte qetësuar krejtësisht zemra. Kishte kohë që në dyqanin e tij nuk kish ndodhur ndonjë ekses, madje qetësia ish shtrirë kudo në lagje dhe në qytet. Por kjo qetësi dikë e mundonte, kjo vijë e drejtë e zhvillimit të ngjarjeve e tundonte… djaloshin tonë që kish mësuar t’i frekuentonte kafenetë qysh prej se kishte braktisur mësimin. Madje pat provuar glikanxon, duke dëgjuar muzikë dhe ngrënë aty. Kish blerë duzinë çokollatash. Kur e ëma festoi ditëlindjen, i solli një pako me çokollata Patchi dhe lëshojë diskun e Edit Piafit ku qe kënga e famshme La vie en rose që kish fituar Grammy. Të dy e adhuronin këtë këngë. Djaloshi hante bashkë me të ëmën dhe nganjëherë vetë në kafene. Ende kishin disa grosh në portofolin e tyre, mirëpo me të mbaruar ç’do të bënin vallë? 

Gjësende nuk kishin më për t’i nxjerr në shitje. Të vidhte ndonjë? Jo edhe aq. Ishin në paqe me veten për aq kohë sa i kishin ato karta që janë melhemi i çdo gjëje, janë feja e çdo njeriu!

Sa shpejt ikin ditët e lumtura për t’jua lënë vendin të pështirave, të zymtave. Portofolat mbesin bosh aq shpejt, porsi uji që nga kazanët derdhet me shpejtësi. Ishte një nga ato ditë që qielli jep premisa për rënien e shiut të madh. Ajri ishte i freskët, era frynte dhe shiu pas pak u lëshua rrëmbyeshëm. Po errej. Me qindarkat e fundit ai qe futur shpejtazi në kafene, prej nga dëgjohej rrapëllima e shiut dhe i kishte shijuar tingujt e bukur në sfond. Ishte Xhosefinë Bejkër. Zëri përkëdhelës femëror dilte nga gramafoni dhe shkonte drejt në veshët e tij. Mendonte të vepronte diçka, sidomos pasi që e ëma ndjehej e lodhur. Kishte frikë mos sëmurej. Shiu kish pushuar, aroma e këndshme qe përhapur gjithandej; me fjalë tjera nisi mbrëmja e freskët. Tani qe bash koha kur mbusheshin kafenetë, kabaretë dhe këndohej e kërcehej gjer në agim.

Por të gjithë ata që merrnin pjesë nëpër këto ndeja paraprakisht portofolin e kishin më të trashë seç e kishte djaloshi. Ky e kishte krejt petë. Nga inati e hodhi në lumë gjersa po vinte në shtëpi. Dhe, oh çfarë pamje!   

Ishte fiks para dyqanit të vogël. Çokollatat i kishin mbaruar në shtëpi por xhaxhai qe furnizuar, madje nga xhamat që feksnin soditi ca çokollata që s’i kishte parë më herët. Të jenë nga Amerika vallë? – mendoi. Apo mbase nga Belgjika?    

U shndërrua në vogëlushin e para një kohe, prapë shikoi me sy maçoku përreth. S’kishte gjë. Një krrokam u dëgjua si për ta bërë më dramatik atë peizazh urban në errësirë. Theu xhamin shpejtazi dhe e pa veten të përkulur duke rrëmuar nëpër vitrinat e vjetra. Aroma e këtij dyqani e magjepste. Ka çaste kur një tis i hollë ia mbulon njeriut trurin dhe ia mbërthen të tërin duke e mbajtur si në gjendje të dehur. Ashtu po ndihej teksa hapte aty për aty disa sheqerka e çokollata dhe po i shijonte duke gulçuar e psherëtirë.       

IV

– Ku shkon tani në këtë orë? – po i thoshte gruaja, derisa burri po krihte mjekrën në pasqyrë.

– Nuk besoj se vonohem. Kam për t’u parë me një mikun tim që ka ardhur sonte nga një udhëtim i largët. Më njoftoi se tani ka mbërritur. Do të shihem me të dhe kthehem pastaj. E puthi në buzë gruan dhe foli duke dalë nga dera. – Janë çështje pune, grua e dashur. Në lidhje me dyqanin.  

Hapat e tij nëpër rrugicë bënin duet me erën. Vetëm dritat e zbehta nga dritaret binin mbi rrugicë dhe ai ecte me ngut drejt qendrës së qytetit, drejt kafenesë ku do të takoheshin. Hodhi vështrimin njëherë si në të kaluar për ta ngulur më pas në dritaren zgavër të dyqanit të tij. Ishte hera e parë që e shihte atë pamje në mbrëmje dhe hajduti i mallkuar me gjasë duhej të ishte aty pari. Zemra i rrihte fort, e trupi i dridhej nga koka te këmbët. Mendja iu turbullua, e harroi fare takimin me mikun. Duhej ta kryente këtë punë sa më parë; ja pra, Zoti e kishte dërguar atë mik dhe ai kish dalë sikur ta dinte se mu atë natë hajduti qe kthyer për t’ia bërë lëmsh dyqanin, për të cilin bënte plane të mëdha. Epo, duhej eliminuar të keqen! Futi dorën në xhep. Thika e vogël që vezullonte ishte aty. E ftohtë akull. E shtrëngoi. Dridhej i tëri. Dukej i frikshëm me atë pamje prej Uitmeni dhe me atë kasketë rrasur në kokë. I ngadalësoi hapat. Ecte ngadalë për te dritarja që ta kuptonte se a gjendej aty. Një gjë e zezë iu shfaq në horizont, por e pa definuar. – Ky na qenka njeriu, që më ka torturuar prej kohësh! Mirë, erdhi koha. Pa ta shohim tani…       

Djaloshi fshiu gojën e bërë me çokollatë. Qe koha të ikte tani sepse nuk i dihej. Mund të bariste kush natën dhe rastësisht ta shihte në atë gjendje. Pse ngeli këtu atë mbrëmje? Kohë më parë vetëm merrte të ëmblat dhe ia mbathte. Për t’i ngrënë shkonte në shtëpi. Çantën e mbushur përplot e vuri në krahë. Doli ngadalë me hapa të lehtë si puhi.  

“Shiko, i mallkuari! Ka mbushur çantën dhe shtiret sikur s’ka ndodh gjë. Zot, më fal por këtë sprovë s’e duroj dot! Do ta zgjidh vetë këtë punë” – dhe porsa i mendoi këto fjalë, iu hodh pas me hapa të mëdhenj. Thikën e mbante të shtrënguar aq fortë, a thua se do ta thyente fare.

“Pritmë, mama! Me këto çokollata dhe një gotë çaj do ta kalosh këndshëm këtë natë. S’do të lejoj të më sëmuresh, e shtrenjta ime!” – thoshte me vete djaloshi, me fytyrën e ngrysur në atë errësirë që kish pllakosë gjithçka. S’ishte fare i kënaqur nga kjo punë. Për një moment veshët ia zunë një zhurmë që sa vinte e shtohej. U rrëqeth i tëri, trupi iu drodh. Ktheu kokën por s’pikasi gjë për një moment. Më pas ndjeu një frymë të ngrohtë njeriu te qafa e tij dhe një britmë që jehoi paq. Zë i ashpër burri.     

– I mallkuari i Zotit! Çfarë mendon të arrish me këtë?

Djaloshit iu pështjelluan mendimet e s’qe i zoti për asgjë. Por reagimi i tij qe shumë i shpejt; ia veshi vrapit. Burri qe vënë mbas tij duke ulëritur.   

– Kush je ti? Pa ndalu nëse je burrë! Ndalu t’i qërojmë hesapet. Ah! Po të zura…

Vraponin, vraponin… djaloshi tek më vonë vërejti se nuk e kishte çantën. Oh! S’kishte qenë i vëmendshëm dhe paniku e kishte bërë të veten. Futi dorën në xhep, nxori revolen që ndriçonte dhe shtiu dy-tri herë…

Kur zbardhi mëngjesi, filloi dita e zakonshme në qytet. Ëmbëltoret u hapën, kafenetë, dyqanet po ashtu. Rrugët gëlonin nga njerëzit, biçikletat e automjetet, ndërsa disa anije lundronin tutje-tëhu në lumin me ujë blu. Në njërin nga trotuaret po kalonte një zotëri trupmadh me syze të rrumbullakëta ala Xhon Lenon. Nga pamja dukej si njeri i biznesit. Vërehej se e njihte mirë qytetin por s’kishte qenë prej kohësh. Dukej sheshit që po kërkonte diçka teksa shihte përreth ndërtesat. Ndërkohë ecte duke rrëmuar për ndonjë restorant ku do të futej për ta ngrënë mëngjesin; u frikësua kur para këmbëve pa diçka të zezë, fillikat në mes të rrugës. Porsa e shikoi ngultas e vërejti, ishte çantë…  /KultPlus.com

Botuar në revistën letrare “Fryma”

© Ndalohet kopjimi pa lejen e autorit

Matt Damon dhe Christian Bale në trailerin e ri për filmin “Ford v Ferrari”

Matt Damon dhe Christian Bale përpiqen ta ndryshojnë industrinë e automjeteve garuese në trailerin e ri për “Ford v Ferrari”.

Në fund të vitit mbërrin tregimi për përpjekjen e Fordit që t’i japë fund dominimit të Ferrarit. Drama aksion-biografike me regji të James Mangold e pati premierën në Festivalin e filmit në Telluride, ndërsa së fundmi u shfaq në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Toronto dhe bazohet në historinë e vërtetë dhe të jashtëzakonshme të vizionarit dhe krijuesit amerikan të automjeteve Carroll Shelby (Damon) dhe shoferit të patrembur britanik Ken Miles (Bale) të cilët arritën ta bëjnë të pamundurën.

Image

Dyshja luftoi kundër përfshirjes korporative, ligjeve të fizikës dhe demonëve të tyre personalë në mënyrë që së bashku ta krijojnë një automobil revolucionar garash për Fordin me të cilin duan të fitojnë dhe ta marrin dominimin mbi automjetet garuese të Enzo Ferrarit në garën legjendare automobilistike 24-orëshe “Le Mans” në Francë në vitin 1966.

Askush nuk besonte se ishte e mundur të mposhtej Ferrari, veçanërisht jo një Ford i cili, sipas tyre, prodhonte automobila të shëmtuar. Por ata të dy, së bashku me ekipin e tyre të shkëlqyer të inxhinierëve dhe disenjatorëve, arritën ta bënin Ford GT40, i cili e theu dominimin gjashtëvjeçar të Ferrarit në atë garë, ndërsa se çfarë ndodhi në prapavijë do ta kuptojmë në këtë film.

Trailerin e parë e shoqëroi muzika e Rolling Stones dhe kënga Gimme Shelter, ndërsa në trailerin e fundit dëgjohet Highway Tune të bendit Greta Van Fleet. Në rolet e tjera shfaqen Jon Bernthal (si Lee Iacocca), Tracy Letts (si Henry Ford II) dhe Caitriona Balfe si bashkëshortja e Miles, Mollie.

“Ford v Ferrari” në kinematë në mbarë botën arrin më 15 nëntor. /KultPlus.com

Armend Bekaj, folës në tubimin e OKB-së për Ditën e Demokracisë

Armend Bekaj ka qenë njëri prej pjesëmarrësve dhe folësve në tubimin me temën ‘Inclusion and Participation as foundations of democracy’ me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Ngjarja ndodhi në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Një prej qëllimeve të ngjarjes është edhe diskutimi i pjesëmarrjes aktive në demokraci dhe përfshirjes, gjithëpërfshirjes si parakusht për funksionimin e një demokracie të plotë.

Bekaj ka përfaqësuar ‘International Idea’ – Instituti për Demokraci dhe Asistencë Elektorale. Fjala e tij gjendet në këtë video në minutën 14:40. / KultPlus.com

Shkolla e parë shqipe e Gjakovës

Fotografia e mëposhtme është bërë gjatë vitit 1916-1917. Në të shihen mësuesit dhe nxënës e asaj kohe.

Veç plisit tradicional, vëmendjen e tërheq fotografia e Princ Vidit (Wilhelm Wied), i quajtur edhe “Skënderbeu i dytë”.

Ndonëse në kohën që është realizuar fotografia Vidi kishte të paktën dy vjet që nuk qëndronte më në fronin shqiptar, aspiratat e bashkimit të shqiptarëve evokohen heshtazi nga kjo fotografi.

Fotoja është pjesë e Arkivit Qendror i Shtetit (AQSh).

Dua Lipa dhe Katy Perry së bashku në Indi

Dua Lipa vazhdon të jetë mjaft aktive dhe e angazhuar në muzikë, teksa këtë vit performoi në vende të ndryshme ane e mbanë botës. 24-vjeçarja bërn të ditur se do të këndojë për herë të parë në Indi, më 16 nëntor në “One Plus Music Festival”, bashkë me yllin amerikan, Katy Perry.

”Tiketat në shitje për koncertin tim të parë në Indi. Jam shumë e emocionuar të ndajë me juve këtë skenë Katy Perry”, ka shkruar ndër të tjerash artistja shqiptare.

Duket se fansat e saj mezi po presin, pasi për pak minuta ky postim mori pëlqime dhe komente të shumta. Dua gjatë kësaj kohe u komentua tejet shumë për romancën e saj me Anwar Hadid, ku dyshja së fundmi u shfaqën së bashku gjatë Javës së Modës në New York.

Çifti u ulën në radhë të parë dhe mbështetën motrat e mëdha të Anwar, Bella Hadid dhe Gigi Hadid, në shfaqjen e Marc Jacobs, derisa u mbajt në një gjimnaz, ku vendet u shpërndanë nëpër auditor, duke i dhënë shfaqjes një ndjenjë shumë të çuditshme.

Jane Lynch dhe Cyndi Lauper po punojnë në një seri në stilin e “The Golden Girls”

Komedianen Jane Lynch dhe ikonën e muzikës së viteve të ’80-ta Cyndi Lauper do t’i shohim në komedinë e re e cila po mbërrin në Netflix.

Pasi iu nda çmimi Creative Arts Emmy, Lynch pa dashje tha se ajo dhe Lauper do të luajnë në një seri të re humoristike e cila do të jetë e llojit “The Golden Girls” për kohën moderne. Që nga korriku, e dimë se ato të dyja do të bashkëpunojnë me komedianen dhe skenaristen Carol Leifer (Seinfeld), vetëm se nuk dihej në çfarë do të punojnë dhe për cilin rrjet. Pastaj Leifer njoftoi në Facebookun e vet se po punon në një seri humoristike gjysmë-orëshe me Lynch dhe Lauper dhe se ende nuk dihet se për çfarë saktësisht do të bëhet fjalë.

Lynch në Emmy deklaroi se ia prezantuan serinë e tyre Netflixit, i cili më pas e bleu atë: “Nuk e di nëse guxoj ta them këtë, por në seri jemi unë dhe Cyndi Lauper! Do ta shohim!” Duke i pasur parasysh informacionet prej më herët, nuk ishte e vështirë të konkludohej se për çfarë bëhej fjalë, kështu që ajo shtoi detaje për ngjarjen: “E luajmë veten në moshën 60 dhe 65 vjeç dhe kërkojmë angazhim të ri aktrimi, ndërsa kurrë nuk kemi pasur bashkëshortë dh

Image

e fëmijë. Në seri do të jenë edhe dy njerëz të cilët nuk i kemi zgjedhur ende, por ajo do të jetë si The Golden Girls e kohës së sotme”.

Në Emmy Lynch e fitoi çmimin për rolin e saj mysafir në serinë humoristike (The Marvelous Mrs. Maisel), ndërsa shumica e mbajnë mend më së miri për rolin e saj si Sue Sylvester në serinë “Glee”. Lauper rregullisht luante në seritë Mad About You, Bones, dhe tani në versionin e ri të serisë legjendare kriminalistike Magnum P.I. në të cilin rolin kryesor e luan Jay Hernandez.

Netflixi ende nuk është deklaruar zyrtarisht për këtë. /KultPlus.com

Gjithçka gati për Panairin Vjeshtor të Librit

Kolegji AAB organizon për herë të dytë Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019.

Nga data 09 deri më 12 tetor 2019, në ambientet moderne të Kolegjit AAB, shtëpi botuese prestigjioze nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera të rajonit do të ekspozojnë botimet e tyre më të reja para lexuesve e dashamirëve të librit.

Festa e librit në kolegjin AAB, do të shënohet me ngjarje të larmishme kulturore si promovime librash, takime me shkrimtarë të njohur, punëtori e orë letrare.

Meqenëse Kolegji AAB është në fazën e përgatitjeve intensive për organizimin dhe mbajtjen e panairit, u bën thirrje për pjesëmarrje të gjitha shtëpive botuese të interesuara.

Shtëpitë botuese, pjesëmarrjen e tyre duhet ta konfirmojnë më së largu deri më 26 shtator 2019, duke plotësuar formularin e bashkëngjitur, apo duke plotësuar atë në faqen zyrtare të panairit në ueb: panairi.aab-edu.net

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, është garancë e një ngjarje të rëndësishme kulturore, pjesë e një institucioni që në vazhdimësi i ka sjellë Kosovës festivale e ngjarje të rëndësishme kulturore ekskluzive, të organizuara shkëlqyeshëm.

Mos mungoni në Panairin Vjeshtor.

Takohemi te librat në AAB!

Për më shumë, na kontaktoni në:

[email protected],

+383 (0) 45100757 /KultPlus.com