Lorena Sopi, fituese e tri çmimeve kinematografike në Las Vegas Film Awards

Filmi më i ri i metrazhit të shkurtër ‘SCHAUERFILM’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar ‘’Best woman filmmaker’’ në Festivalin Las Vegas Film Awards.

Në arsyetimin për çmimin, kryetari i jurisë së festivalit, në mesin e tjerave, ka shtuar: ‘Ne me të vërtetë jemi të entuziazmuar që ju vlerësojmë me çmimin  ‘’BEST FILMMAKER WOMAN’’  për projektin tuaj, i cili na preku thellësisht  me atmosferën dhe gjuhën  unike dhe ndjeshmërinë e stërholluar të shfaqur në këtë film.

Filmi njëzetë minutësh që trajton zhdukjet e çuditeshme te studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinthi misterioz, muajin e kaluar është shfaqur premierë në Festivalin e Filmit në Veronë, kurse ditët në vijim, do të jetë pjesë e programit zyrtar në festivalin e madh amerikan

World Film Festival  i cili do të mbahet në fund të muajit shtator në San Francisco. Filmi në vazhdim do të udhëtoj në Festivalin e Filmit të shkurtër në Romë, në Mediterranean Film Festival në Sirakuzë, në Abuja Film Festival, e kështu me radhë.


Poashtu edhe filmi tjetër ‘Rreze’, i realizuar sipas nje flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut e me regji të Lorena Sopit, është shpallur fitues i dyfisht në edicionin e parë të ‘’The My Thru Story Film Festival’’ i cili ka përfunduar mbrëmë në Los Angeles. Në këtë event, filmi kosovar ‘Rreze’ ka fituar Çmimin e regjisores më të mirë /Best director/ dhe Çmimin e publikut /Audience Award/.

Filmi ‘Rreze’ i cili ka pasur premierën në Cannes Film Festival – Short Corner, në muajin maj te vitit të kaluar, deri tani ka qenë pjesë e  më shumë se tridhjetë festivaleve nderkombetare dhe ka fituar njëmbëdhjetë çmime kinematografike: Filmi më i mirë evropian – ne Europa Film Festival në Barcelonë,  Filmi më i mirë i luftës në Festivalin Movie Pro Screen në Los Angeles të SHBA-ve, Award of Merit dhe Humanitarian Award në Festivalin Best Shorts Competition – La Jolla, të SHBA-ve, Merit Award në Canada Short Film Festival  në Vancouver të Kanadasë,  Best Drama Short në World Film Festival (Los Angeles), Best War Short Film dhe Best Costume Design në Five Continents Film Festival (Venezuela),  Special Jury Prize, në North American Film Awards si dhe tani Best director dhe Audience Award në My True Story Film Festival (Los Angeles).

Filmi ‘Schauerfilm’ dhe filmi ‘Rreze’ janë prodhime të kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore të këtyre dy filmave paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Glorioza Shala, Aurita Agushi, Selman Lokaj, etj.

Drejtor fotografie në të dy filmat është: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. /KultPlus.com

”Streha mes reve” nis sot shfaqjen në 100 kinematë gjermane

”Sot në orën 20.00 në Programkino Ost në Dresden shfaqet premiera e “ Strehës mes Reve“. “Pas filmit, do të zhvillojmë  një bisedë me publikun! Janë të mirëseardhur të gjithë bashkëatdhetarët tanë që jetojnë në Dresden“, njofton regjisori Robert Budina në vigjilje të shfaqjes së filmit të tij në mbi 100 kinema në Gjermani!

Ky në fakt është një nga lajmet më të bukura së fundi sa I përket kinemasë shqiptare! Është e para herë që një prodhim kinematografik shqiptar shpërndahet në kinematë gjermane!

Përtej kërshërisë së njohjes me një histori shqiptare, që zhvillohet në një fshat verior, filmit i jep vlerë edhe protagonist Arben Bajraktari. Aktori I njohur në gjithë botën përmes filmave hollivudianë si “ Taken“, “Harry Potter“ këtë herë vjen në rolin e një bariu!

Facebook fton shqiptarët të ftojnë dhe miqtë e tyre gjermanë , për tu njohur me filmin dhe kulturën tonë. “ Hajdeni të shikoni kulturën tonë, filmin tonë! Ne kemi një moto, një shqiptar sjell dy gjermanë! Ejani ta shpërndajmë kulturën tonë sa më shumë“ bën thirrje Robert Budina./bordo.al/ KultPlus.com

AJO rikthehet fuqishëm me ‘’Besa’’, ku traditën dhe nostalgjinë i solli përmes artit të bukur të Jazz-it

Muzika si çdo art tjetër, funksionon dhe transmetohet tek të tjerët përmes ndjenjave dhe atmosferës që përçon.

Mbrëmë, Vjolla Robelli- AJO, arriti që përmes performancës së saj, që zuri vend në Kino Armata, të argëtoj publikun duke i dhuruar një emocion të fuqishëm përmes këngëve të realizuara nga ajo, shkruan KultPlus

Dikur e njohur për muzikën dhe stilin e saj të veçantë, Vjollca Robelli- Mripa tani me emrin artistik AJO, është kthyer në skenë me shumë risi e muzikë të re

AJO, pas një pauze u rikthye me albumin ‘’Besa’’, që gjithsej përmban gjashtë këngë. Tematika që trajtohet në këto këngë është kryesisht ajo shqiptare që përcillet edhe me një nostalgji, mirëpo këngëtarja ka shkruar edhe kënduar edhe për jetën dhe përvojën personale.

Koncerti filloi me këngën ‘’AJO’’, duke u ndjekur më pas me këngët tjera të albumit, tri prej të cilave ishin të aranzhuara si ‘’Baresha’’, ‘’Zare’’ dhe ‘’Zogo’’. Kurse tri të tjerat ishin të shkruara nga vetë këngëtarja, e cila tha se është ndikuar nga jeta e saj private dhe jo vetëm. Kënga ‘’Burrnesha’’, trajtonte fatin e një gruaje që prindërit e kishin fejuar qysh në djep, e që këngëtarja pohoi që kënga të jetë e bazuar në ngjarje të vërtetë. Këngën ‘’Nëna’’, këngëtarja deklaroi ta ketë shkruar gjatë shtatzanisë së saj. ‘’Kam dashur të tregoj se cfarë ndjen një nënë gjatë periudhës së shtatzanisë, kësaj periudhe magjike’’, u shpreh këngëtarja për publikun. Ndërsa, kënga ‘’Besa’’, flistë për traditën tonë si komb, për atë që ishim e nuk jemi më.

Publiku si për të shfaqur mallin për muzikën dhe mungesën e AJO-së,  nuk u kursyen me duartrokitje, herë në fillim të performancës, herë në fund të saj e shumë shpesh përcillin performancën me duartrokitje, me këndim e entuziasëm.

Artistja për KultPlus, tregoi se inspirimi kryesor i albumit, është prejardhja e saj dhe në përgjithësi kultura dhe traditat shqiptare që thotë se dëshiron të ia tregoj botës.

Edhe pse një këngëtare shqiptare që jeton dhe vepron në Londër, rrënjët shqiptare janë shumë të theksuara në muzikën e saj. Këngëtarja tenton që traditën, historinë dhe muzikën tonë ta inkuadroj në stilin dhe artin e saj, kështu duke realizuar një kryevepër muzikore në historinë e muzikës së saj./KultPlus.com

Kur Tina Turneri e jeton jetën për vete

Në një pllakë metalike para dyerve të pronës së Tina Turnerit shkruan “Vor 12.00 Uhr nicht läuten, keine Lieferungen”, që nga gjermanishtja ka kuptimin: “As mos të shkojë mendja ta shqetësosh Tina Turnerin para mesditës”.

Ajo ishte simboli i qëndresës së rock’n’rollit për 50 vjet. “Proud Mary” i saj ishte 175 për qind më i gjatë se origjinali dhe John Fogerty as që vallëzoi. Ajo u bë yll me Ike Turnerin në të 20-at, i iku abuzimit të tij në të 30-at, luftoi për shtegun e saj në krye të listave të popit në të 40-at, i ra botës përqark në të 60-at dhe tani do që të ndalet, transmeton Koha Ditore.

Turner është 79-vjeçare. E pensionuar prej më se dhjetë vjetësh ama ende angazhohet në gjithçka që nuk ka për të bërë.

“Nuk këndoj. Nuk vallëzoj. Nuk i vesh rrobat më të mira”, thotë ajo. Edhe paruka e saj – “pjesë esenciale e pamjes së Tina Turnerit”, siç ka shkruar në memoarin e saj të paradokohshëm – nuk është më e rregulluar më përpikëri si më përpara.

Nuk i mungojnë performacat. Edhe më 2009, teksa po e vazhdonte hovin e ditëve të fundit të turneut të saj “Tina! 50th Anniversary”, ajo po fantazonte, thënë sinqerisht, për ridekorimin e shtëpisë së saj.

Krejt këtë pjesë të jetës e kishte jetuar si Ike, por më pas e zaptoi jetën e saj të përnjëmendtë dhe tani e ka radhën përqendrimi kah peizazhi drejt liqenit në Zürich.

“Thjesht u lodha duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur”, thotë ajo. “Kjo është e gjitha që kam bërë në jetën time”.

Turneri mund të mos këndojë shumë këtyre ditëve, ama është një ekip i Tinas që performon përreth botës në emër të sajin. Mjuziklli “Tina: The Tina Turner Musical”, bazuar në jetën dhe hitet e saj ka sjellë Tinën në Londër dhe në Hamburg./koha.net/ KultPlus.com


Në mundsh…

Poezi nga Rudyard Kipling.
Përktheu Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im! /KultPlus.com

“Gjërat e mëdha janë gjithmonë të thjeshta dhe modeste”

Të gjithë e njohim Leon Tolstoin si një shkrimtar dhe filozof rus, një mjeshtër i letërsisë realiste dhe një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. Por pak prej nesh e dinë se ai qe një prej të parëve mbështetës të idesë që veprat e artit nuk duhet të jenë pronë private, por duhet t’i përkasin gjithë njerëzimit.

Refuzimi që i bënte kishës dhe shtetit e bënin atë një anarshist të veçantë kristian, që urrente pronën private, dënonte fort vanitetin dhe ishte një prej të parëve që refuzoi Çmimin Nobel në Letërsi.

Më poshtë një koleksion i thënieve të tij shumë të thjeshta e njëkohësisht tejet të mençura mbi jetën, dashurinë, besimin e lumturinë…

Në botën tonë, të gjithë mendojnë për ndryshimin e njerëzimit, por askush nuk mendon të ndryshojë veten.

Çdo gjë i vjen në kohë, atyre që dijnë të presin.

Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, çdo familje e pakënaqur është i pakënaqur në mënyrën e vet.

Gjërat e mëdha janë gjithmonë të thjeshta dhe modeste.

Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.

Ne gjithmonë mendojmë se na duan ngaqë jemi të mirë, por kurrë nuk kemi as dyshimin, se të mirë janë ata që na duan ne.

Dashuria është jeta. Gjithçka që unë kuptoj, e kuptoj vetëm sepse dua.

Kur ju doni dikë, e doni ashtu si është, dhe jo si dëshironi ju që të jetë.

Humbëm sepse i thamë vetes që humbëm.

Të vërtetat më të mëdha janë të thjeshta.

E vërteta, ashtu si ari, duhet të fitohet jo duke u rritur, por duke e larë nga gjithçka që nuk është flori.

Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis njeriut dhe natyrës të mos jetë prishur.

Vokacioni i çdo burri dhe gruaje është që t’u shërbejë njerëzve të tjerë.

Gabimi nuk mund të korrigjohet kurrë nga gabimi, dhe e keqja nuk mund të mposhtet me të keqe.

Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.

Nëse doni të jeni të lumtur, të jini.

Ka vetëm një kohë që është e rëndësishme – Tani! Kjo është koha më e rëndësishme, sepse ajo është e vetmja kohë kur ne kemi ndonjë fuqi.

Gabimi nuk pushon së qëni gabim, për shkak se shumica e ndan atë.

Dikush mund të jetojë madhërishëm në këtë botë, nëse di se si të punojë dhe si të dojë.

Rrokni momentet e lumturisë, dashurisë! Ky është realiteti i vetëm në botë, çdo gjë tjetër është marrëzi.

P.S. Kur jepte leksionet e tij mbi letërsinë ruse dhe letërsinë krahasuese në Universitetin Cornell dhe Uellesley College, shkrimtari ruso-amerikan Vladimir Nabokov e niste çdo orë duke mbyllur të gjitha perdet. Në errësirë absolute ai fillonte: “Nëse ju e imagjinoni letërsinë ruse si një qiell, atëherë kjo është Gogoli.

Dhe lektori ndizte një nga llampat në tavanin e auditorit). Pastaj ai shtypi sërish çelësin: “Këtu është Chekhovi dhe Dostojevski”. (Dy llampa ndizeshin). Më pas, Nabokovi shkonte tek grilat dhe i hapte me një veprim të shpejtë. Kur klasa “verbohej” nga drita natyrale, mësuesi thoshte: “Dhe ky është Tolstoi”. /KultPlus.com

Hapet sezoni operistik në sheshin “Skënderbej”

Teatri i Operës dhe Baletit do të hapë sezonin artistik me mbrëmje gala në sheshin “Skënderbej” .

“Shumë vepra operistike u frymëzuan nga historitë e këngët e njerëzve te zakonshën dhe u perkasin audiencave të mëdha. Për herë të parë në historinë e Teatrit tonë të Operas, sezoni artistik nis në Open-Air me Grand Gala: “Opera Opening Countdown”- 20 Shtator ora 19:30, Sheshi “Skënderbej”. Për të mos u humbur”, shprehet kryeministri Edi Rama duke paralajmëruar këtë ngjarje të bukur artistike dhe që mund të ndiqet nga të gjithë qytetarët.

Pjesët më të njohura solistike, orkestrale, koralet e famshme nga operat dhe baletet si “La Sylphide”, “Arrëthyesi” operat “La Traviata”, “Die Fledermaus”, “Il Trovatore” dhe “Carmen” do të interpretohen nga yjet e skenës operistike dhe këngëtarët më të njohur, në dy mbrëmje në datat 20 dhe 21 shtator. /KultPlus.com

Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha sjell librin “Ofelia nuk kthehet më”

Doli na shtypi libri më i ri me poezi, “Ofelia nuk kthehet më…” i shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha.

Ky libër sikur është sublimë e këndimit të veçantë e këtij krijuesi, i cili kësaj radhe, në këtë vepër opinionit dhe lexuesit i ka ofruar veçantinë e themeltë të së bukurës, të dhembjes dhe lumturisë, shenjtërisë të tokës dhe atdheut, e cila ka një histori, që edhe poezia e përjetëson dhe e bën tharm të këngës, mall, dhembje e hidhërim, të cilat aq bukur komunikojnë në mes vete për ta bërë ngritur në piedestal mesazhin dhe metaforën, edhe si peshë, edhe plagë…

Për atë, autori edhe na i ofron vargjet si zë qortues por edhe me kuptimin e thellë filozofik e shumë dimensional: “…Pëlcit si kokrra e kripës/Që mallin ma ngarkove/Si shpatë që pret e vret…”!

Në librin më të ri, “Ofelia nuk kthehet më…”, poezitë ndërlidhin edhe historinë dhe periudhat kohore, të cilat, duke i lexuar ato, sikur shndërrohen në roman apo edhe në ngjarje historike, që vargun e bëjnë me peshë, joshës, por edhe e “reshin” me plot pyetje që vështirë u jepet përgjigja. Për këtë, edhe vetë poezia “Ofelia nuk kthehet më…”, të cilin titull e mban edhe libri, ndoshta tek lexuesi, përveç përjetimit të thellë e plotë ryse, hapë edhe shumë kapituj të së bukurës dhe të madhërishmesh të shoqëruar me dhembje e ndoshta edhe me tragjedi: “…Ofeli/Atëherë do të bindemi/Sa larg është e vërteta/Sa rrenë ka jeta…”!

Në këtë libër, në të cilën sikur shkrimtari dëshiron të na bëjë me dije për përmbylljen krijuese, ai na i sjellë edhe dy-tri mendime të miqve dhe krijuesve për krijimtarinë së tij:

“Miku im, je i madh si njeri dhe si krijues.

I gjunjëzohem burrërisë dhe krijimtarisë tënde. Zoti ta shpërbleftë mundin dhe uroj që gjithmonë të kesh harmoni me vetveten dhe me familjen…” (Adem Zaplluzha, qershor 2019)

“Njerëzit e shenjtë e dinë rëndësinë e vendit të shenjtë! Ka fat ai vend ku shkelë këmba jote aty…”! (Sadik e Remzije Isufi, qershor 2019)

“Për punën tuaj të vazhdueshme krijuese, studimore, për evidentimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave etno-kulturore të trevës së Pejës, ju duhet të ishit shpallur me kohë qytetar nderi i këtij qyteti…”! (Agim Bajrami, shkrimtar nga Durrësi, 25 qershor 2019)

Ndërsa, në ballinë, me arsye na ofron edhe këtë mendim të vetin: Vlerat shpirtërore, kulturore, letrare dhe historike, kanë peshë fondamentale për kombin. Ashtu është edhe me letërsinë, artin dhe me teatrin, të cilave që në rini të hershme u qëndrova besnik. Këto madhështi kombi u përpoqa t’i bëj të pavdekshme, i lavdërova, i afirmova, por edhe i qortova dhe luftova të gjitha t’i shndërroj në përjetësi. Çdo ngjarje e pjesë të historisë ta përjetësoj, dhe si të tilla t’ia ofroj popullit, dashamirëve të kulturës, kombit dhe më gjerë…!

Libri “Ofelia nuk kthehet më…” është vepra e 41-të e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ndërsa, redaktorë të librit janë: Prend N. Buzhala (Kosovë) dhe Iliaz Bobaj (Athinë), kurse recensentë janë: Agim Mato (Sarandë) dhe Agim Bajrami (Durrës). /KultPlus.com

Autori turk me burgim të përjetshëm, tani drejt çmimit letrar

Gati tre vjet prej ditës kur autori turk Ahmet Altani u burgos për herë të parë në prag të grusht shtetit të dështuar, ai është përfshirë në listën për “Baillie Gifford” për jofiksion, një çmim në vlerë prej 50 mijë paundësh (56 mijë euro). Është nominuar për kujtimet nga burgu “I Will Never See the World Again”.

I burgosur fillimisht më 2016, Altani mori dënim të përjetshëm më 2018 për përçim të “mesazheve subliminale në mbështetje të puçit” në televizion dhe rropatje për të rrëzuar qeverinë. “PEN America” e ka quajtur burgimin e tij si “një sulm lemeritës mbi lirinë e të shprehurit” dhe autorë, përfshirë si JM Coetzee dhe AS Byatt, me një letër të hapur kanë kërkuar lirimin e tij, duke thënë se “krimi i tij nuk është mbështetja e puçit, por efektiviteti i kriticizmit të tij ndaj qeverisë së sotme”.

I bërë bashkë nga shënimet që ia ka dhënë avokatit të tij, “I Will Never See the World Again” përsiat se “kurrë më nuk do të jem në gjendje ta puth gruan që e dua, t’i përqafoj fëmijët e mi, të takohem me miq, të shëtis rrugëve…nuk do të jem në gjendje ta shoh agun e diellit”. /KultPlus.com

Sam Smith përkrah Dua Lipën dhe Elton Johnin për muzikën e filmit të Bondit

Sam Smith dëshiron që Dua Lipa ose Elton Johni t’i ndjekin hapat e tij duke e regjistruar muzikën e ardhshme për filmin e James Bondit.

Këngëtari britanik e pati nderin herën e fundit që ta regjistrojë Writing’s On The Wall për filmin “Spectre” të vitit 2015. Dhe megjithëse ai mendon se Dua është artistja më e mirë bashkëkohore për ta kënduar muzikën për “No Time to Die”, ai sugjeron se Eltoni duhet ta regjistrojë këngën, pasi kjo është një nga disa gjërat për të cilat ai nuk u përzgjodh gjatë karrierës së tij legjendare.

“Të gjithë po flasin për këtë tani”, thotë ai për Hits Radio të Britanisë kur po diskutonte se gara në fjalë do të zgjidhej nga producentët e Bondit. “Jam i entuziazmuar të shoh se kush do të jetë. Do të doja ta bënte Dua. Mos harroni se kënga e Bondit nga Madonna (e vitit 2002, Die Another Day) është shumë e mirë. Nëse Dua do të mund të bënte diçka të tillë.

“Por gjithashtu, mendoj se në fakt Elton John duhet ta bëjë këtë, ai kurrë nuk e ka bërë, gjë që është çmenduri për mua. Ai është ende këngëtari më i jashtëzakonshëm, kështu që një ditë mendoj se ai duhet ta bëjë.”

Edhe pse ai kurrë nuk e ka bërë ndonjë kolonë zanore të Bondit, krijuesi i hitit Rocket Man e ka fituar tashmë një “Oscar”, për këngën Can You Feel Love Tonight për filmin e animuar të Disneyt nga viti 1994, “The Lion King”.

Image

Një artist i cili po bën fushatë të hapur për ta kompozuar këngën është Ed Sheeran, menaxheri i të cilit (Stuart Camp) thotë se ishte takuar me producentët e Bondit në vitin 2017, por planet e hershme dështuan pas largimit të regjisorit origjinal Danny Boyle.

Duke sqaruar se Sheeran ende e dëshiron këtë punë, ai tha për Music Week: “I kam thënë (atij), gjëja që ata e bëjnë në fund është muzika… Kjo me siguri është diçka që do të dëshironte ta bënte. Është me siguri në listën e tij të dëshirave të paplotësuara.” /KultPlus.com

Ellen Burstyn dhe Emma Thompson do t’i luajnë Darlingët në tregimin e ri për Peter Pan

Ellen Burstyn dhe Emma Thompson do t’i kenë rolet kryesore në tregimin e ri për Peter Pan nga J. B. Barrie.

“The Lost Girls” do t’i përmbledhë katër gjenerata të femrave të familjes Darling, derisa ballafaqohen me vështirësi si pasojë e aventurave të tyre me djalin, i cili nuk u rrit kurrë në Neverland.

Livia De Paolis është duke e bërë përshtatjen, regjinë dhe do të luajë në film, në të cilin gjithashtu luan edhe vajza e Thompson, Gaia Wise.

Emma do ta luajë gjyshen e Gaia në film, ndërsa legjenda e aktrimit Burstyn e mishëron kryefamiljaren.

De Paolis thotë: “Jam fascinuar nga kuptimet e fshehura të përrallave që nga fëmijëria, kështu që kur e lexova romanin e Laurie Fox “The Lost Girls” menjëherë e kuptova mënyrën se si ajo e rishpik përrallën e përjetshme të J.M. Barrie për një audiencë bashkëkohore”. /KultPlus.com

Piktorja Cika hap ekspozitë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

“Art 2019” titullohet ekspozita e ciklit “Pleiadë” e piktores, restauratores Liliana Cika e çelur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Në këtë ekspozitë ishin të pranishëm miq, artdashës, familjarë dhe qytetarë, të cilët vlerësuan punë e bërë në vite nga piktorja dhe skuptorja Cika.

Në punimet e Cikës bien në sy piktura me peizazhe, portrete me në qendër figurën e gruas, etj.

Liliana Çika Kosturi është një skulptore dhe piktore e njohur, dikur specialiste pranë Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës. Ajo e nisi rrugën e artit që në fëmijëri, me vizatime në oborrin e shtëpisë në Tiranë, teksa ëndërronte të bëhej piktore. Më pas, me telajo të bardhë, ngjyra të vërteta dhe me ndihmë profesionale ajo u bë një skulptore dhe piktore profesioniste.

Cika ka marrë pjesë në shumë ekspozita e konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, në disa prej tyre është nderuar me çmim të parë e të dytë, si dhe ka marrë çmim Oskar për Arte Vizive në Monte Karlo.

Me skulpturën e gdhendur në dru të një gruaje zadrimore ajo ka marrë pjesë në një ekspozitë në galerinë “Mom Art” në Londër, ndërsa në Paris, me pikturat “Seviljet e kuqe” dhe “Lypësja”. /KultPlus.com


Kur ne të dy u ndamë

Poezi nga Xhorxh Bajron

Përktheu: Servet Bytyçi

Kur ne të dy u ndamë
Në heshtje dhe lotë
Zemërthyer vitet
Vallë i kaloj dot

E ftohtë faqe e zbehtë
Akull puthje e mjerë
Orë e ligë kish parë
Zi kish parandjerë

Kjo vesë e mëngjesit
Vetullën palcë me ngriu
Oh ç’haber i zi
Vajtoj unë i ziu

Betimet u shkelën
Fjalët nuk m’i mbajte
Kur të dëgjoj emrin
Vetes i them ç’pate

Emri yt përfolur
Si këmbanë në veshë
Pse me le e dashur
Vallë ku do të jeshë

Në fshehtësi u takuam
Në heshtje mbaj zi
Shpirti s’më mashtron
Zemra s’të harron ty?

Vite do kalojnë
Vallë do shihemi si sot
Në vend të përshëndetjes
Heshtje, dhimbje e lotë

Rilke mbi lirinë, bashkësinë dhe sekretin për një martesë të mirë

“Duajeni njëri-tjetrin, por mos bëni një lidhje dashurie: Le të jetë më mirë një det që lëviz midis brigjeve të shpirtrave tuaj”, këshilloi poeti, filozofi dhe piktori i madh libanez-amerikan, Kahlil Gibran për atë që mbeten këshillat më të mira, për sekretin në një marrëdhënie të dashur dhe të qëndrueshme .
Dëshira jonë paradoksale për intimitet dhe pavarësi është një forcë diamagnetike, ajo na tërheq drejt bashkësisë dhe njëkohësisht na largon prej saj, me një magnet të fuqishëm që, nëse trajtohet pa shkathtësi, mund të prishë një marrëdhënie dhe të shkatërrojë një zemër. Nën këtë magnetizëm të pafalshëm, bëhet një akt i forcës mbinjerëzore dhe transformimit, për t’i dhënë hapësirë tjetrit. Kur të gjithë dëshirojnë është afërsia ajo që vendos. E megjithatë, ky akt i vështirë mund të jetë gjëja, mbase e vetmja gjë që kursen marrëdhëniet pa pushim.
Dy dekada para Khalil Gibran, në agimin e shekullit XX, një tjetër poet i madh i qëndrimit të depërtimit të turbullirave të zemrës njerëzore, soditi këtë predispozitë. Në një letër drejtuar piktorit ekspresionist gjerman, Paula Modersohn-Becker, Rainer Maria Rilke (4 dhjetor 1875 – 29 dhjetor 1926) ofroi disa këshilla spektakolare për menaxhimin e tërheqjes bipolare të autonomisë dhe bashkësisë në një mënyrë që siguron jetëgjatësinë e çdo lidhje të ngushta dhe mbron dashurinë nga vetëshkatërrimi.
Pasazhet shfaqen në poezinë dhe antologjinë e mrekullueshme të prozës, Rilke mbi dashurinë dhe vështirësitë e tjera.
Rilke shkruan:
Unë e konsideroj dashurinë si detyrën më të lartë të një lidhje midis dy njerëzve: ku secili të qëndrojë roje i vetmisë së tjetrit. Sepse, nëse qëndron në natyrën e indiferentizmit, dhe turma të mos njohë vetmi, atëherë dashuria dhe miqësia janë atje, me qëllim që vazhdimisht të ofrojnë mundësinë e vetmisë. Dhe vetëm ato janë ndarjet e vërteta që ndërpresin në mënyrë ritmike periudhat e izolimit të thellë.
Një shekull para se psikologia, Esther Perel, të pohonte në librin e saj historik, mbi paradoksin qendror të marrëdhënieve se “dashuria mbështetet në dy shtylla: dorëzimi dhe autonomia” sepse “nevoja jonë për bashkësi ekziston përkrah nevojës sonë për ndarje”, Rilke konsideron se si ndërtohen kulturat tona rreth e rrotull, çfarë do të thotë të shoqërohesh, pengojnë lumturinë në bashkim. Ai shton:
Është një pyetje në martesë, për ndjenjën time, jo e krijimit të një bashkësie të shpejtë shpirti, duke rrëzuar dhe shkatërruar të gjithë kufijtë, por përkundrazi një martesë e mirë është ajo, në të cilën secili emëron kujdestarin e tjetrit, të vetmisë së tij, dhe i tregon atij këtë besim, më i madhi në fuqinë e tij për të dhuruar. Një bashkësi midis dy njerëzve është e pamundur, dhe ku duket se, megjithatë, ekziston, është një ngushtim, një marrëveshje reciproke, që vjedh njërën palë ose të dy, që të shpie në lirinë dhe zhvillimin e tij më të plotë. Por, pasi të pranohet, të kuptohet, se edhe midis qenieve njerëzore më të afërta, distancat e pafundme vazhdojnë të ekzistojnë. Jeta e mrekullueshme e tjetri, mund të rritet dhe të jetë e gjallë dhe e larmishme, nëse ata arrijnë të duan distancën midis tyre, gjë që bën të mundur, që secili të shohë tërësinë tjetër, në një hapësirë të paanë!
Prandaj edhe ky duhet të jetë standardi për refuzim ose zgjedhje: Nëse dikush është i gatshëm të qëndrojë roje mbi vetminë e një personi, por dhe nëse një nga partnerët është i prirur ta vendosë këtë person të njëjtë në portën e vetmisë së dikujt tjetër, për të cilin mëson vetëm përmes mundësisë së njohjes se ç’ka përtej… atje ku gjithçka duket e veshur në mënyrë festive, nga një errësirë e thellë. /AlbertVataj /KultPlus.com

Kulla e Mic Sokolit në Tropojë

Kulla e Mic Sokolit i përkiste familjes Sokoli dhe ndërtimi i saj daton në shek. XVIII. Është një banesë tradicionale trekatëshe prej guri, e Malësisë së Gjakovës, e ndodhur në fshatin Bujan të Tropojës.

Kati përdhes ka shërbyer si vend magazinimi dhe për mbajtjen e kafshëve, ndërsa katet e sipërme janë përdorur për banim.

Banesa ka një rëndësi të madhe historike, për shkak se ajo lidhet me personalitetin e Mic Sokolit, një patriot i shquar shqiptar dhe një udhëheqës luftarak gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit. Kulla është Monument Kulture i kategorisë së parë.
Marrë nga Revista ‘’Monumentet’’ nr. 15-16, e vitit 1978. /KultPlus.com

Shfaqja “Komedi e kuqe” merr ftesë nga organizata kulturore “URACult”

Shfaqja “Komedi e Kuqe” prodhim i teatrit “Muharrem Qena” ka marrë ftesë nga organizata kulturore “URACult “ që të udhëtoj në Gjermani në qytetin e Köln-it, me datën 28 shtator të këtij muaji.

Detajet e kësaj ngjarje

28 Shtator

18:00h Hapja e ekspozitës “URA” – Kushtrim Istrefi

19:00h Shfaqja “Komedi e kuqe”
Teatri i qytetit “Muharrem Qena”

Autore: Albana Muja
Regjia: Kreshnike Osmani

Luajnë : Xhejlane Tërbunja
Mehmet Preteni
Njomza Tmava
FisNiK’ Istrefi

Muzika e kompozuar nga Arbër Krasniqi

20:30h Program muzikor – Arbër Krasniqi /KultPlus.com

Akrobatë francezë në Cirkun e Tiranës

Në ambientet e Cirkut Kombëtar po zhvillohet një Master Class nga dy akrobatë francezë.

Mbërritja në Tiranë e dy akrobatëve u mundësua nga bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me Ambasadën e Republikës Franceze në Tiranë.

Master Class u zhvillua në ambientet e Cirkut Kombëtar, ku dy akrobatët francezë së bashku me akrobatët e talentuar të cirkut dhuruan numra akrobacie.

Ky bashkëpunim do të jetë i ndërsjelltë, me shkëmbime idesh dhe eksperiencash midis akrobatëve francezë dhe shqiptarë. /KultPlus.com


Terrence Howard i jep fund aktrimit pas serisë “Empire”

I kandiduari për “Oscar”, Terrence Howard, po i jep fund aktrimit pasi që të përfundojë hit-drama e tij televizive Empire pas sezonit të fundit.

Aktori e bëri paralajmërimin e tij të pensionimit gjatë një interviste në emisionin televiziv Extra të mërkurën, duke zbuluar se ka gjëra të tjera që dëshiron t’i bëjë me jetën e tij.

“I kam dhënë fund aktrimit. I kam dhënë fund shtirjes,” tha ai. “Thjesht po përqendrohem ta sjell të vërtetën në botë.”

Ylli shpeshherë misterioz nuk hyri në detaje rreth planeve të tij pas aktrimit, por e pranoi se do t’i mungojnë miqtë e kastit të Empire kur të përfundojë hit seria: “Do të më mungojnë shumë, edhe ekipi”.

Sezoni i fundit i Empire do ta ketë premierën në Amerikë më 24 shtator. /KultPlus.com

Vdiq gazetari dhe arsimtari i gjuhës rome, Nexhip Menekshe

Pas një sëmundje të shkurtë, sot ka vdekur dramaturgu, gazetari, arsimtari i gjuhës rome dhe Drejtori i Radios “Romano Avazo” në Prizren, Nexhip Menekshe (1966-2019).

Menekshe kohë më parë realizoi dramën “Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçak”, nën regjinë e Kaltrim Balajt, e cila u shfaq në muajin prill në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.

Fatmir Menekshe ka pasur barrën kryesore në këtë shfaqje, në rolin e Kujtim Paçakut.

Shfaqja u trajtua me anë të fragmenteve nga jeta e Kujtim Paçakut.

Shumica e lojërave skenike ishin të bazuara në fragmente të punës së intelektuale të Paçakut, si fuqi njerëzore e liderit, e tolerancës, e drejtësisë dhe më shumë e kreativitetit, që i lartëson poezitë e shkruara të tij. /KultPlus.com

Autori turk me burgim të përjetshëm, drejt çmimit letrar

Gati tre vjet prej ditës kur autori turk Ahmet Altani u burgos për herë të parë në prag të grusht shtetit të dështuar, ai është përfshirë në listën për “Baillie Gifford” për jofiksion, një çmim në vlerë prej 50 mijë paundësh (56 mijë euro). Është nominuar për kujtimet nga burgu “I Will Never See the World Again”.

I burgosur fillimisht më 2016, Altani mori dënim të përjetshëm më 2018 për përçim të “mesazheve subliminale në mbështetje të puçit” në televizion dhe rropatje për të rrëzuar qeverinë. “PEN America” e ka quajtur burgimin e tij si “një sulm lemeritës mbi lirinë e të shprehurit” dhe autorë, përfshirë si JM Coetzee dhe AS Byatt, me një letër të hapur kanë kërkuar lirimin e tij, duke thënë se “krimi i tij nuk është mbështetja e puçit, por efektiviteti i kriticizmit të tij ndaj qeverisë së sotme”.

I bërë bashkë nga shënimet që ia ka dhënë avokatit të tij, “I Will Never See the World Again” përsiat se “kurrë më nuk do të jem në gjendje ta puth gruan që e dua, t’i përqafoj fëmijët e mi, të takohem me miq, të shëtis rrugëve…nuk do të jem në gjendje ta shoh agun e diellit”./koha.net/ KultPlus.com

Mbretëria e rrënuar e Kosovës

Poezi nga Beqir Musliu

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. /KultPlus.com

Arti në zi, ndërron jetë legjenda e muzikës botërore

Ylli i viteve ’80, këngëtari i njohur Eddie Money është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare.

Legjenda e muzikës ka ndërruar jetë pasi humbi betejen me kancerin e ezofagut, transmeton KultPlus.

Një muaj më parë ai tregoi se sëmundja kishte përparuar shumë dhe ajo ishte në fazën e katër.

Eddie ka arritur sukses në vitet ’70 dhe ’80 me këngë të tilla si “Two Tickets to Paradise” dhe “Take Me Home Tonight”.

Ai ka hedhur në treg 11 albume dhe shiti afro 30 milionë regjistrime përgjatë 40 viteve karrierë.

Lajmi i ka trishtuar të gjithë dhe në rrjetet sociale janë të shumtë dedikimet për të, kryesisht nga personazhet e njohur të ekranit. /konica.al/ KultPlus.com

Xhejlane Tërbunja, aktorja më e mirë e Festivalit “Mitrovica in Fest”

Aktorja e njohur kosovare, Xhejlane Tërbunja mbrëmë fitoi çmimin e aktores më të mirë të Festivalit Tradicional të Komedisë, “Mitrovica in Fest”.

Tërbunja e fitoi çmimin si aktorja më e mirë protagoniste me shfaqjen “Komedi e Kuqe”, të autores, Albana Muja.

Lajmin e bëri të ditur sot aktorja përmes një postimi në Facebook, duke falënderuar ekipin, jurinë dhe organizatorët e festivalit.

“Mrame ne festivalin “Mitrovica InFest” pranova çmimin si aktorja me e mire e festivalit me shfaqjen “Komedi e Kuqe” te autores Albana Muja me regjine e Kreshnike Osmani perkrah aktoreve Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe NiK’ Istrefi. Ekipi , ju perqafoj dhe ju falenderoj shume. Mitrovica ka nje domethanie t’veçante per mu, prandaj edhe ky çmim eshte i veçante per mu! Flm jurise, festivalit dhe organizatoreve!”, shkroi aktorja në facebook.

Festivali Tradicional i Komedisë, “Mitrovica in Fest” është mbajtur në qytetin e Mitrovicës, në qendrën e Kulturës, nga data 9 deri më 13 shtator.KultPlus.com

Zonja Bovari

Nga Gustav Flober

…Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?… Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre larg në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht mos e gjente atë?

Oh! Sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Çdo buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzën dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar… /KultPlus.com